Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Intervistë dhënë nismëtarëve të librit “Golgota shqiptare”
Publikuar më 16 nntor, 2009 në orën 19:11 ( ) Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
Pjesa e katërt (1970-1980) dhe e pestë (1980-1990)


Kush është Xhemil Zeqiri?
Nga është, çfarë arsimimi ka të kryer dhe autor i sa librave është?
I lindur më 27.02.1958, në katundin Zhelinë, nga rrethi i Tetovës. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Gostivar, pastaj u regjistrua në Fakultetin e historisë në Prishtinë në vitin 1980-të, por pas një viti, siç dihet, ndodhën demonstratat e pranverës së madhe të vitit 1981. Në katund, aty ku jetonte, kishte provokime nga policia maqedonase; thirrje për "biseda informative", maltretime etj, gjegjësisht nga një stacionin policor në katundin Grupin, i cili në atë kohë ishte një stacion terrorizues për shqiptarët në anën e Dervenit; prandaj, u detyrua të emigrojë së pari në Zvicër, pastaj në Gjermani, prej nga disa muaj më vonë në Danimarkë u vendos me punë dhe prej atëherë, pra, që nga janari i vitit 1981, me një përkushtim të madh, është përpjekur të veprojë pandalshëm për çështjen e pazgjidhur kombëtare.
…Dhe, siç thekson autori: "Tani po bëhen afër 30 vite, pra mbi gjysmën e jetës sime e kalova në Danimarkë. Ashtu, si jeta e të madhit tonë, simbolit të rezistencës shqiptare, Adem Demaçit, i cili i kaloi 30 vite kazamateve, jugosllave, duke e mbrojtur çështjen shqiptare, ndërsa unë, po rropatem rrugëve të perëndimit duke i përkrahur mendimet e ndritura të këtij kolosi të madh të shqiptarizmës"!
Pastaj, pasi e mori lejeqëndrimin në Danimarkë, në fillim ka punuar lloj-lloj punësh fizike, sepse diploma e tij nuk qe me aq vlerë në Danimarkë, ishte pa praktikë pune dhe në perëndim më tepër iu intereson puna praktike se ajo teorike. Pra, nuk ishte i kualifikuar, për atje. Pastaj u bë vozitës i autobusit urban dhe me këtë punë ishte mirë, por koha e pengonte shumë për aktivitete që i pat filluar, sepse orari i punës nuk i përshtatej dot, ku, aktivitetet filluan të shtohen, filloi edhe kontaktet me gazetarë, me partitë politike, me shoqatat që merreshin për çështjet internacionale, me deputetë etj; prandaj, u detyrua të ndërpresë këtë punë dhe filloi të punojë taksist. Nga kjo punë ishte më i lirë dhe kishte njëfarë pavarësie në punë, mbante kontaktet më me rregull dhe kështu, prej atëherë vazhdon punën si taksist.
Pastaj fillon të merret me shkrime, kryesisht me publicistikë: me debate; iu drejtonte letra të hapura institucioneve daneze, evropiane dhe atyre të OKB-së; herë-herë i dërgonte artikuj shtypit danez për problemet politike që ishin aktuale për kohën. Natyrisht, se dëshironte të mos dilte me emër, por disa nga mërgimtarët këto veprimtari po ia merrnin së prapthi, se: "ai, na qenka siç thoshin, - “i madhi”, kur e pa se, kjo metodë ishte shumë e rrezikshme dhe do t´i kishte pasojat e veta dhe dëshpërimin e disa shokëve, që e dinin kush po vepronte, prandaj vendosi të del hapur, me emrin e vërtetë, pra pa pseudonim! Më vonë, ato shkrime dhe intervista do t’i botonte, vetëm e vetëm sa të njoftohej opinioni qartë, për autorësinë, sepse kishte matrapazë të tillë që përpiqeshin ta pengonin aktivitetin e tij; pra, kur e shihnin se nuk kanë mundësi, së paku të rreshtoheshin përkrah tij dhe mundësisht të jenë të parët, për këtë arsye u detyrua të del hapur me shkrime, dhe deri tani ka katër libra të botuara:

”Kosova jonë”, Tiranë, 2000,
“Në mbrojtje (diplomatike) të çështjes shqiptare”, Prishtinë, 2003
“Polemika, intervista, debate dhe letra“, Prishtinë, 2005
“Drejt Vetëvendosjes!“, Prishtinë, 2008.

Librin e fundit është libër tre autorësh; Xhemil Zeqiri, Mona Agrigoroaei, një vajzë me prejardhje shqiptare, nga Rumania dhe Fadil Shyti, nga rrethi i Vushtrrisë.
Meqenëse, me Fadil Shytin, i kanë dhe disa shkrime të përbashkëta, të cilat i janë kushtuar çështjes së pazgjedhur shqiptare, do t´i botojnë në një libër, ca më vonë. Pastaj, ka mundësi reale që autori në fjalë, do të botojë edhe një libër tjetër me intervista; pasi, materialet i ka të gatshme.
E meriton të theksohet, që në mediat elektronike dhe të shkruara shqiptare, ka dhënë shumë intervista, ku i ka shprehur hapur qëndrimet dhe vizionet e tij, për të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen e historisë së Shqipërisë Natyrale. Gjithashtu, ka dhënë shumë intervista, disa herë në mediat elektronike dhe të shkruara shtetërore daneze, për situatat që zhvilloheshin këto 20 vitet e fundit në trojet shqiptare.

Ju jeni kryetari i Komitetit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dega e Skandinavisë. Ligji për lustrim duhet të zbatohet, ju lutem komenti juaj, se ku mbeten shqiptarët me këtë ligj, përkatësisht, çfarë fitojmë e çfarë humbim?
Dëgjoni, kjo pyetje është shumë e qëlluar, kujtoj që tani nuk është momenti të merremi me këtë ligj, që na kthen prapa në historinë tonë të djeshme.
Këtë e them për faktin, që tani në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare të pushtuara nga ish-Jugosllavia titiste, të gjitha dosjet i kanë në duar, pikërisht ata që i shkaktuan të gjitha ato vuajtje popullit shqiptar. Prandaj, ne nuk jemi aq të marrë, që të kujtojmë, se ja tani qenka bërë Kosova “demokratike”, Tetova “demokratike”, Presheva, “demokratike”, Malësia e Madhe, “demokratike”, dhe ish-udbashët shqipfolës, tani do të thonë ja ku i keni të bëmat tona të liga; ja, ne do t´i nënshtrohemi drejtësisë së kombit shqiptar në trojet e veta dhe po dalim e po kërkojmë falje, për krimet dhe turpet që kemi bërë në bashkëpunim me UDB-ën, KOS-in, e të tjera agjentura jugosllave, prandaj kërkojmë sinqerisht, t´i përgjigjemi drejtësisë etj. etj.! Për më tepër, kur dihet që pjesën më të madhe të pushtetit të sotëm, pa shtet të ribashkuar shqiptar, e kanë po ata/ato , që deri dje i sollën aq vuajtje këtij kombi fatkeq.
Ndërsa, sa i përket ligjit të lustracionit në Shqipërinë administrative, poashtu e kam të njëjtin qëndrim, që të ndalen këto gjurmime shtrigash të “krimeve të komunizmit”, për faktin, që këto asgjë të mirë nuk i sjellin Shqipërisë dhe kombit shqiptar.
Ne, kërkohet të bashkohemi si një trup i vetëm, që t´i realizojmë aspiratat tona shekullore dhe me ndihmën e shtetit shqiptar.Ky është aspekti i unitetit të kombit; ndërsa, nga ana administrative (teknike), po flitet dhe është shkruar jo rrallëherë, që shumë dokumentacione arkivore janë zhdukur gjatë këtyre viteve të tranzicionit dhe trazirave dhe ndryshimeve të pushteteve në Shqipëri. Pra, as nuk duhet të kemi iluzionet, se këto parti janë të sinqerta, që t´i detyrojnë organet e shtetit që të dalin hapur, të paraqesin gjithçka çfarë ka ngjarë gjatë atyre viteve, që datojnë, pothuaj, gati gjysmë shekulli. Kujtoj se paraqitja e këtyre dosjeve, sipas përmasave jo të barabarta dhe jo realiste, do t´ i shkaktonte vetëm përçarje të reja kombit shqiptar.

Mendoni se Komiteti juaj ende duhet të funksionojë, fjalën e kam për të drejtat dhe lirinë e shqiptarëve?
Mendoj se, Këshilli për Liritë e të Drejtat e Njeriut ekzisiton dhe duhet të ekzistoj, derisa nuk ka zgjedhje të drejtë, bile duhet të aktivizohet dhe më shumë. Këshilli po e bënë punë të shkëlqyer nën drejtimin e z. Bexhet Shala, po e bënë një sensibilizim të shkëlqyer. Mendoj se, vetëm Këshilli të kishte funksionuar fuqishëm, shtetet e huaj, do të kishin të tjera qëndrime ndaj nesh; por ish-shërbëtorët e Serbisë krijuan partitë, gjegjësisht degët e tyre, vetëm për të përçarë mërgatën e lodhur dhe të degdisur, por edhe të harruar. Kjo tregon se vetëm pas formimit të atyre degëve dhe nëndegëve të partive filloi një konfrontim mes shqiptarëve. Për fatin e keq, ka pas zënka dhe rrahje në mesin e shqiptarëve, vallë, a mos këto parti i krijuan rastësisht?! JO! - Sepse, vetëm në këtë mënyrë serbët dhe aleatët e tyre ia arritën qëllimit. Pra, si u krijuan këto parti brenda trojeve shqiptare dhe në Evropën perëndimore! Problemi thelbësor i zgjidhjes së çështjes kombëtare, realisht u harrua, shqiptarët, merreshin me vetveten dhe filluan konfliktet brendashqiptare dhe brendapartiake. Paj, vetëm për një çast , kërkoj që le t´i analizojmë biografitë e njerëzve, që i formuan këto parti politike nën maskën kinse “demokratike” në ish-Jugosllavi - përgjigja është e qartë, kur dihet që, mbi 95% të tyre kanë qenë anëtar besnikë të LKJ-së. …Dhe, natyrisht që, rezultati përfundimtar i tyre, tani pas kaq vitesh, po shihet.

Cilat ishin motivet, që ju të largoheni nga vendlindja?
Motivet i thash me lart. M´u bë jeta monotone, kur më ndaluan të dilja në rrugë, të bisedoja me ndonjë shok, të shkoja në kafene. M´u dha vetëm e drejta që të shkoja të blija diçka në shitoren e fshatit dhe të mos flas me askënd, bile me shitësin, i cili më pyeste shpesh si jam dhe më thoshte: “Xhemil, ke kujdes se agjentët e sigurimit maqedonas, keq të kanë kap në sy!…- Unë e shikoja dhe bisedoja me të, sepse e nderoja shumë; por sa vinte dikush, ai e ndërpriste bisedën dhe thoshte, se e kam hallin për ty; se mua nuk kanë çfarë t´më bëjnë dhe kështu vazhdonte krejt kjo. Shkaku kryesor, qe një tragjedi që ndodhi, tek xhamia - kurse unë dhe ti e rrezikuam jetën; dolëm të dëshmojmë në emër të zotit dhe të drejtësisë!Beso, Xhemil, më dhimbsesh si djali im, sepse je i drejtë dhe guximtar!

Unë isha pa punë, isha pa lekë dhe ai më jepte cigare dhe lekët nuk m´ i merrte. Dhe, përsëriste, - “Mua nuk kanë ç’ më bëjnë dhe jam i gatshëm të kacafytem me këto veglat e Komitetit. Ne jemi pak, - por zoti na ndihmon dhe katundarët tanë na nderojnë. Njerëzit për ty flasin shumë mirë, të duan shumë, se je trim dhe i drejtë, vazhdo, - se ky është nder dhe për tërë familjen tënde”!
…Mua më mbusheshin sytë me lot, sepse gjendjen e kishim shumë të rëndë ne shqiptarët, kurse puthadorët - shqipfolësit e Komitetit, na bënin presione dhe kërkonin nga ne, që të silleshim si dele; pra të mos ia prishnim qejfin pushtuesve, por të vepronim si të na thoshin spiunët dhe Komiteti… ne të bënim vetëm amin!
Kjo ishte në pika të shkurta gjendja e asaj kohe!
Prandaj analizoja tërë natën, si të gjeja shtegdalje, pija duhan në dhomë, i vetmuar duke parë RTSH. Atëbotë, në ato çaste, më bëhej zemra mal, sepse meditoja: “pa, çka të bëhet le të bëhet, ne shqiptarët e kemi një shtet, që lulëzon dhe nuk i përulet askujt”!
Prej atëherë, fillova të kuptojë më thellësisht qëllimin e pushtuesve sllavë dhe metodat e tyre djallëzore, që donin të na mbajnë të ndarë e të përçarë vetëm e vetëm që të na sundojnë më lehtë dhe pa vështirësi.

Cilat janë arsyet që ju shtynë të merreni me veprimtari ilegale-kombëtare?
Po, arsyet thjesht ishin dy nga më kryesoret: çlirimi dhe ribashkimi i trojeve shqiptare me shtetin amë, Shqipërinë, dhe hakmarrja ndaj pushtetit të huaj armiqësor, që veproi në fshat në atë mënyrë. Mirëpo duke u thelluar në mendime dhe duke ndjekur lajmet TV-shqiptare, posaçërisht fjalimet e udhëheqësve të atëhershëm të Shqipërisë, më dhanë mundësi të kuptojë hallin e madh të kombit tonë të pushtuar dhe të rraskapitur nga dhuna politike dhe psikike që ushtronin pushtuesit. Pra, këto ishin qëllimet dhe arsyet, që unë doja të hakmerrem dhe të punoj për zgjidhjen drejt të çështjes sonë kombëtare. Në këtë mënyrë, vendosa të dalë në Zvicër; atje kisha disa kontakte në Sangalle me disa djem, pak më të moshuar se unë, por që punonin në ilegalitet, pra ishin anonim. Prandaj për t´ua ruajtur konspiracionin, nuk doja t’i mbaja mend emrat.

Si u njoftuat me shokët e grupit ilegal?
Po. Kur shkova në Danimarkë, në janar të vitit 1981, atje nuk njihja shumë shqiptarë. Dalëngadalë fillova të njihem, por ishte shumë keq, pasi ambasada jugosllave kishte kontroll absolut mbi shqiptarët - më keq se kur isha në katundin tim në Zhelinë. Mundohesha të bisedoja me njerëz, dhe më interesonte të di gjërat, të takoja ndonjë veprimtar. Fillova të njoftohem me danezët dhe këtu pata rastin të njihem me Jonin dhe gruan e tij Marianën Pederssen, me Lotën Madsen, e cila kishte studiuar në Shqipëri Gjuhën Shqipe dhe shqipen ë fliste për mrekulli. Ata ishin organizuar në Shoqatën Shqiptaro-Daneze dhe prej tyre, për herë të parë, mora libra dhe filma shqip, kaseta dhe këngë popullore folklorike, ato i shumëzoja dhe i shpërndaja…
E lusja Lotën, që t´m´i përkthente artikujt në gjuhën daneze dhe pastaj ua dërgoja, mirëpo në atë kohë, shokët danezë nuk më lejonin të dilja hapur me emrin tim, më këshillonin të veproja anonim. Pastaj vendosa të dalë me pseudonimin, ”JIMI”.
Pas disa viteve u takova me veprimtarë të LPK–së, si me Ibrahim Kelmendin, Gafurr Elshanin, Muhamed Kelmendin e shumë të tjerë. Kur erdhën shokët e LPK-së, në Danimarkë, në njëfarë mënyre, terrenin ë gjetën të parapërgatitur në opinionin danez dhe me shokët danezë do krijojmë edhe “Komitetin miqtë e Kosovës”. Menjëherë, krijuam lidhje me LPK-n dhe në këtë mënyrë filloi aktiviteti. Ndërsa, në anën tjetër, pra me shqiptarët nuk mundja të depërtoja lehtë, anipse i përkrahja të gjitha nismat që bënin për bashkim ose aktivitet, si në sport, (futboll, një grup muzikor) etj., u jepja përkrahje morale dhe ekonomike, u jepja lekë, vetëm që t´i nxis të bëjmë diçka…
Më vonë u bëmë një grup dhe krijuam Shoqatën, “Besa”, për të cilën ua dhashë 128. 000 korona daneze (afër 16.000 euro, sot), që me këto mjete e morëm lokalin e Shoqatës dhe aktiviteti filloi, - njerëzit tuboheshin etj. Por agjentët e ambasadës nuk rrinin të qetë, ata punonin të na përçajnë; - për mua thoshin: “të keni kujdes nga Xhemili, se ai është i rrezikshëm”! etj. Dhe shokët filluan të dinë se lekët ishin të miat. Spiunët, në fakt, u demaskuan keq.Pastaj përhapnin thashetheme,se “BESA” është financuar me paratë e Enver Hoxhës, etj. etj.

Roli dhe aktiviteti juaj në Danimarkë?
Roli im ka qenë vetë nisma, ose më mirë të them, i dhashë detyrë vetes, pasi mora një përgatitje më të mirë shkencore; njohuri të mjaftueshme për çështjen shqiptare në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti, ku edhe bëheshin përpjekjet çlirimtare. Për çdo ditë i thosha vetes sime; - ç’ kam bërë sot për çështjen shqiptare, dhe sa i demaskova para botës, gjithë ato tortura, që po u bëhen shqiptarëve atdhetarë në burgjet Serbisë fashiste?! …Dhe bëja plane se ç´do bëj nesër, ndoshta dikujt i duket e tepërt kjo, por kjo është e vërtetë!
Mbase jam i sigurt se nuk kishte ditë, që nuk kam bërë diçka, qoftë edhe ndonjë thirrje telefonike me ndonjë gazetar, ose intelektual danez, duke i shpjeguar për ndodhitë. Poashtu, i lusja shokët që t´më siguronin materiale në gjuhët të tjera, si p.sh. gjermanisht, anglisht, frëngjisht etj.I bëja fotokopje dhe ua shpërndaja partive politike, parlamentarëve, organizatave për të drejtat e njeriut, “Amnisti Internacional”, ” Lidhjes së Shkrimtarëve”, ”Pen-qendrës daneze, etj.
Gjithashtu, mund të them se vetëm për kopje materialesh të tilla me vlera faktesh, harxhoja shumë lekë. E kam përmend me një rast, por e përsëris edhe njëherë, që i bezdisja këto institucione. Gjatë një përvjetori që e bëmë manifestimin e 25 vjetorit të burgosjes së Adem Demaçit, i cili bënte rezistencë ndaj Jugosllavisë duke sakrifikuar veten, për interesat shqiptare. Në atë manifestim na erdhën disa shkrimtarë dhe publicistë danezë, pastaj me ato materiale që na erdhën nga Gjermania, kërkova një takim me Kryetarin e PEN-it danez, me sekretarin e saj Johanes Riis, dhe gjatë bisedës po i them se si intelektual që jeni, pse nuk dini aq shumë për Adem Demaçin, ndërsa me pyet një fëmijë 7-8 vjeç, për Nilson Mandelën, ai është në gjendje të di për të?!

Pra, kërkoj të di prej teje, - pse po e mbani të heshtur dhe të izoluar këtë rast?!
Prandaj përse po i besoni aq shumë Jugosllavisë dhe Titos, kur ai ashte një fashist i pastër, i cili na ka shkaktuar aq shumë shkatërrime e dëme të mëdha neve shqiptarëve, saqë politikanët e perëndimit ia kanë lënë duart e lira te veprojë si të dojë të veprojë ndaj shqiptarëve. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ky xhelat i ka pushkatuar me mijëra shqiptarë, gjysmën e Shqipërisë ia aneksuan, Jugosllavisë, pastaj trojet shqiptare i kanë ndarë në disa shtete: në Serbi, Mali të Zi, Maqedoni, dhe Greqi. Tani Kosovën e shfrytëzon Serbia egërsisht, gjithnjë nën maskën e “vëllazërim-bashkimit”, të politikës tejet perfide dhe dinake, të shtetit jugosllav. Kosova nuk është larg Kopenhagës, vetëm 2 orë me aeroplan, Urdhëroni dhe shkoni e shihni sesi e përjetojnë shqiptarët dhunën dhe terrorin shtetëror serb.
Dhe ne, pastaj, kemi një histori tejet tragjike në Ballkan. Si pasojë e dhunës politike dhe e shtypjes ekonomike, mbi 300,000 shqiptarë janë shpërngulur në Turqi.
Mbi 500 mijë emigrantë ekonomikë tani degdisen rrugëve të perëndimit, pra, po treten në heshtje dhe Serbia po i zbaton planet e fashistit - nobelist, Ivo Andriq dhe të Çubrolloviqit, ja, urdhëroni dhe lexojeni Platformën që e kanë botuar për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre. Ndërsa, në anën tjetër e keni izoluar Shqipërinë dhe asaj i bëhen bllokada nga të gjitha drejtimet e jetës politike, ekonomike, ushtarake, etj , etj…
Z. Johanes Riisi, më dëgjoi me vëmendje, dhe kur e mbarova bisedën më tha: “Prit pa!k” - Pastaj, e thirri sekretaren e vet, ia kërkoi dosjen dhe më tregoi se tri herë i ka shkruar Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë dhe të Kosovës për Adem Demaçin, por nuk ka marrë përgjigje. Pastaj më tregoi një faks që u kishte ardhur nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, që shkruante për ditëlindjen e Adem Demaçit, aty tregohej se i ka dy fëmijë; se ishte i dënuar 15 vite burg, se është me shëndet mirë, dhe se gjendet në burgun e “Stara Gradishkës” në Kroaci.” Po, z. Riss, ja pra shihet dhe mënyra, se si e paraqesin, Adem Demaçin! Atij, nuk i lejohet të merret me shkrime, në dhomën e tij ka plotë kriminelë, dhe kjo natyrisht se është një torturë shpirtërore, që i behet shkrimtarit tonë të madh, kurse Lidhja Shkrimtarëve e Kosovës është vegël e Serbisë dhe mos pritni diçka më shumë, sepse ka edhe disa nga ata, që janë përgjegjës dhe direkt janë fajtorë për burgosjen e tij.
Ay, pastaj ma ktheu: “Ne, nuk mund të bëjmë asgjë në Kongresin e PEN-it që do mbahet javën e ardhshme nëHolandë; por a mund të na e sigurosh ti, biografinë e Adem Demaçit? Po, i thash. E kam, por në gjuhën gjermane.
Nuk ka problem - më tha ai, - sepse ne danezët, jemi në udhëheqësi të Kongresit botëror dhe unë personalisht do ta shtroj këtë çështje në Kongres. Faleminderit! - i thashë. Kjo duhet të bëhet nga ju, o sot, o kurrë!
Ndodhi ashtu, siç me pati premtuar, kur prej Holandës me telefonon dhe më njoftoi se ishte i kënaqur që Adem Demaçi, është pranuar si anëtar nderi në PEN-in Skandinav pa asnjë kundërshtim etj. Pra, ky ishte një sukses shumë i mirë dhe me jepte shpresa, që të vazhdojë punën. Poashtu, ka pas raste, që më kanë përzënë, duke u shprehur me bindjet: “se, ju jeni mirë me Titon, atje… kurse në Shqipëri janë keq nën regjimin e Enver Hoxhës. Disa raste mundohesha t´i merrja me të mirë; mirëpo kishte raste, kur e humbja durimin dhe grindesha me ata; duke ua thënë troç se:”- qëllimi juaj është që ta shkatërroni shtetin shqiptar, që të mos ketë kush për të na mbrojtur nga jugosllavët dhe armiq tjerë. Por kot e keni! Kurrë nuk do t´ia arrini qëllimit djallëzor, që Shqipëria të veprojë kundër nesh, si në kohën e mbretit Ahmet Zog, kur ky xhelat, atëbotë, bashkëpunonte me Serbinë dhe me shtetet tjera ballkanike kundër interesave gjithëkombëtare, vetëm për ta sjellë atë në pushtet.
Pastaj, kur ishte dikush i interesuar të dijë me tepër, caktoja takime dhe i ftoja shokët të vijnë. Në këto takime u thosha pajtohem, nuk ka problem; ne merremi me të tjera çështje, por vetëm duam, që t´i argumentojmë gjërat, sepse kjo na duhet. Jam i vetëdijshëm se nuk është mirë, kur njeriu flet për veprimtarinë e tij, sepse nga të tjerët kjo mund të keqkuptohet, pra si krekosje etj. Për veprimtarinë time dhe tonat; është mirë tani të flasin zotërinjtë: Adem Demaçi, Ibrahim e Muhamed Kelmendi, Hajdin Abazi, Xhavit Haliti, Bujar Bukoshi Xhafer Shatri, Shaqir Shaqiri, Hajrullah Gorani, Dritëro Agolli, Skënder Gjinushi, Arbër Xhaferi, Abdurrahman Haliti, Nevzat Halili, Sami Ibrahimi Mevlan Shanaj, ish-atasheu i ambasadës shqiptare në Stokholm, Fadil Shyti, Hashim Thaçi, Shqiptar Oseku e shumë të tjerë, që të gjithë i kam ftuar në Danimarkë, për aktivitete atdhetare dhe kanë marrë pjesë në takime shumë të rëndësishme, me njerëz të politikës, të artit dhe të kulturës këtu, në Danimarkë.
Vërtetë, më duket e tepërt t´u them juve emrat e gjithë këtyre veprimtarëve. Asnjë lekë nuk u ka kushtuar, përkundrazi, unë ua siguroja udhëtimin dhe shpenzimet tjera që i kërkonin institucionet daneze. Mirëpo, jam i shtrënguar ta theksoj këtë fakt, vetëm për arsye, sepse për Shqipërinë, për ribashkimin dhe lirinë e saj, kurrë nuk duhet askush nga ne, që të kursejmë djersën dhe gjakun.
Pastaj, në vitin 1992 në Kosovë e dërgova një grup miqsh danezë, përfaqësues të universitetit, parlamentarë dhe gazetarë Për tri ditë i përcollëm me lule ne aeroport dhe i pritem ne mënyrë shumë te organizuar, unë dhe bashkëshortja ime patëm marrë edhe 6 fëmijë dhe 6 buqeta lule për ata që ktheheshin nga Kosova. Pastaj, sa gazetarë dhe organizata i kam ftuar ta çojmë çështjen tonë përpara, pra e kam përgatitur terrenin si në të gjitha trojet shqiptare: në Kosovë e ne Maqedoni, ashtu edhe përtej kufijve administrativë, në Shqipëri. Për këto veprimtari, do të duhej të shkruhej një libër, por ja që, as kohë s´po kam, për ta bërë këtë.
Poashtu, shkurtimisht, mund t´ju them se në Danimarkë nuk ka ndonjë stacion TV ose gazetë apo radio që nuk kanë bërë intervista me mua dy e me shumë herë, bile disa prej këtyre intervistave dhe shkrimeve i kam botuar në librat e mia, “Kosova Jonë”, “Në mbrojtje diplomatike të çështjes shqiptare” dhe në “ Intervista debate letra dhe polemika”.
Unë, u përqendrova me shumë për të informuar për situatat që përjetonte populli ynë në trojet e veta.

Mburreni apo jeni penduar për vuajtjen jashtë atdheut në emër të çështjes sonë kombëtare?
…Si të them; si jashtë ashtu dhe brenda atdheut, vuajtjet për shqiptarët nuk kanë të ndalur.Nuk jam penduar kurrë që kam vepruar; - bile, më duket pak kam vepruar. Kemi arritur diçka me këto veprimtari, por në njëfarë doze jam penduar, se kujtoj që, sikur të kisha filluar studimet dhe të mbroja ndonjë titull shkencor. ndoshta do të isha më mirë i pranishëm në debate në qarqe të larta shkencore për çështjen shqiptare. Disa politikanë shqiptarë do bindeshin në veprimet politike që kam bërë, pa kurrfarë interesi. Natyrisht, se nuk kemi arritur gati asgjë dhe nuk mund të themi se edhe ato që i arritëm me mund e sakrifica që nga 1968 dhe 1981 i humbëm, dhe tani pas tri luftërave çlirimtare, konsideroj, nuk kemi arritur gati asgjë. Prandaj nuk kam as kemi përse të mburremi.
Personalisht, kam vepruar pa kurrfarë interesi personal. Në fakt, interesimi mi ka qenë që edhe ne shqiptarët të bashkohemi dhe të krijojmë një shtet shqiptar, që do të konkurrojmë me Ballkanin dhe Evropën, sepse i kemi të gjitha mundësitë dhe vlerat reale kombëtare dhe demokratike etj.

Me shembjen e sistemit te RSFJ-s, a morën shqiptarët atë që u takon?
Jo! Nuk morën atë që u takon; por për fatin e keq dhe ato që i sanksiononte Kushtetuta e vitit 1974, i humbëm. Pra edhe ato të drejta, ato që i patëm fituar me gjak e sakrifica si luftëtarët – partizanët në Luftën e Dytë Botërore dhe pas luftës që me sakrificë të madhe i patëm disa të drejta: Kosova, kishte disa të drejta, përafërsisht sa një republikë; por edhe ato na i mori Serbia. Serbia gjakatare pati bërë disa plane, nëse iu kujtohet, nga fundi i viteve
80-ta, kur gazeta “Mladina” i bëri publike disa plane serbe kundër shqiptarëve. Ky plan bëri që shqiptarët t´i përçajë shumë keq, duke krijuar parti politike me besnikët titistë si Rugova & Co.
Dhe, më tej - në Shqipërinë administrative, tani serbët dhe grekët e kanë marrë në kontroll, pothuaj, tërë ekonominë shqiptare.Bile, jam shumë i merakosur, sepse me këto zhvillime “demokratike”, që po ndodhin në Shqipërinë administrative, ku lobi grek dhe fazlliqët serbë, miqtë e Sali Berishës, (po e përsëris), e kanë në dorë gati tërë ekonominë shqiptare.

[b]Ju dhe shokët tuaj u dënuat se kërkuat që pjesa e Maqedonisë Veri-Perëndimore t' i bashkohet Kosovës dhe një ditë këto troje shqiptare të ribashkohen me shtetin amë.
Fort mirë e dimë se 1912, këto troje i takonin Shqipërisë (shpallja e Pavarësisë), ndërsa,1913 mbetëm padrejtësisht nën sundimin e sllavëve pushtues. Cili është komenti juaj?[b]
Po, është e vërtetë se, i takojnë Shqipërisë, por kush i thotë këto, unë dhe ti dhe disa idealistë. Ja që, ndërkombëtarët nuk na pyesin neve aspak, por i pyesin ATA “të zgjedhurit” e popullit dhe, ç´ platformë kanë paraqitur ata, asgjë s´ presin nga miqtë e serbëve, të tipi Marti Ahtisari - që ka qenë dhe do jetë për jetë ndër mote, mik i Serbisë; këtë e them pa fije dyshimi dhe jam në gjendje, kur të duan t´ua argumentoj. Ishin titistët, ata - që shpikën termin “kosovar”dhe tani na duhet, që pas asaj lufte të lavdishme te UÇK-së, të pranojmë sa për sy e faqe, një lloj “Pavarësie” të Kosovës. Natyrisht, që unë jam për pavarësi kombëtare, por jo për këtë; që po na e ofrojnë serbët dhe miqtë e tyre të sojit, Ahtisari. Jo, të krijojmë komb ”kosovar”, që donë të thotë se Serbia ia arriti plotësisht qëllimit të vet duke i ndarë shqiptaret me këtë farë kombi “kosovar”, me këts flamuj dhe himne për memec pa zë.

Cilat janë arsyet që ju të merreni me aktivitete ilegale - kombëtare?
Arsyet, thjesht, ishin hakmarrje ndaj pushtetit që veproi në fshat, në atë mënyrë! Duke u thelluar në mendime dhe duke ndjekur lajmet TV-shqiptare, posaçërisht fjalimet e zyrtarëve të atëhershëm të Shqipërisë, më dhanë mundësi të kuptoj hallin e madh të popullit tonë të pushtuar dhe rraskapitur nga dhuna politike e psikike, që ushtronin pushtuesit.
Serbia tërë potencialin e vet e ka orientuar që shqiptarët të mos bashkohen. Kjo “Pavarësi” e kushtëzuar nuk e tremb Serbinë, bile ajo është e interesuar dhe punon shumë me miqtë e saj për t i përçarë shqiptarët, dhe duke krijuar “mini-shtet” brenda Kosovës. Kjo është tragjedia! Unë jam për bashkim, jo për shtet dhe komb të falsifikuar, e të ricopëtuar! “Shteti dhe kombi” i Halil Matoshit dhe Migjen Kelmendit, sipas “kandarit” të idesë së huazuar serbe, - kinse, na qenka ide “kosovare”, asgjë nuk u duhet shqiptarëve.
Unë dhe shokët e mi nuk kemi bërë përpjekje për këtë shtet, që u vë barriera të reja shqiptarëve; por kemi bërë përpjekje t´i heqim këto kufi shqiptaro-shqiptarë, që po na i presin e qepin armiqtë tanë. Prandaj jam i bindur thellësisht, që as dëshmorët që pushojnë të shqetësuar në atdheun tonë të natyrshëm, nuk do të pajtohen në varre me këtë lloj “pavarësie”. Ata, që ranë në altarin e lirisë, e dinin përse sakrifikuan gjithçka dhe më në fund dhanë jetën. Komandanti legjendar, Adem Jashari, nuk sakrifikoi për Kosovën e “Pavarur” me kushte, ku të qeveriset nga miqtë e Serbisë dhe me lloj-lloj rezolutash, si ajo famëkeqja 1244. Në këtë politikë reaksionare, ç´ nuk po ndodhë, - dalin tani, “ish-shokët e komandantit” dhe thonë se, Adem Jashari ra për këtë Kosovë të “pavarur”. Bile, para disa ditësh dëgjuam në një Akademi për të madhin Ukshin Hotin; ku Zv. Kryeministri Hajredin Kuqi, i mashtroi shqiptarët, kur tha: “Qeveria e Kosovës bën përpjekje dhe në tryezë e ka Platformën e Ukshin Hotit”. Ndërsa, ata që e njohin mirë Ukën e dinë se ai kurrë nuk do ta pranonte këtë status… as nuk do pranonte këto përpjekje për krijimin kombit kosovar. Po, ç´ të bëjmë, kur çdo ditë po shihet qartë; se në politikën e sotme shqiptare nuk ka realizëm e as moral. Pikërisht kjo na ka sjellë deri në këto situata, që nuk po kemi as mundësinë më të vogël t´i dalim zot vendit tonë kurse kufijtë na i“i ruajnë” e na i “hartojnë” miqtë e Serbisë, të cilët janë instaluar si UNMIK-u dhe EULEX-i. Ata vetëm vulat dhe uniformat po i ndërrojnë, por në esencë janë kundërshqiptarë, pra janë po këta evropianë të vitit 1913, të cilët tani po veprojnë në mënyrat më perfide që i njeh historia e botës.
- Ma merr mendja se ashtu, siç ka bërë i madhi Koço Danaj, Platformën për Shqipërinë Natyrale, duhet të përkrahet. Mendoj se në planin kombëtar janë dy gjëra, në mos më shumë, që janë arritur me shumë sakrifica:
1 - Njësimi i gjuhës shqipe dhe 2 - Miratimi i Kushtetutës në vitin 1997-98, që të gjitha qeveritë shqiptare i obligon të punojnë për ribashkimin e kombit shqiptar në një shtet.

Dhe, pikërisht për këto dy arritje që e përparojnë dhe e mbrojnë gjuhën tonë dhe obligojnë pushtetarët, që të bëjnë përpjekje dhe të arrijnë ribashkimin kombëtar. Tani, si kërpudhat pas shiut po dalin “gjuhëtarë” trutharë dhe “analistë”, qyqarë e tinëzarë si Halil Matoshi &Co, si Migjen Kelmendi, Nexhmedin Spahiu dhe japin alarme tek ndërkombëtarët, duke theksuar se Gjuha dhe Kushtetuta shqiptare duhet të ndryshohen, sepse sipas tyre na qenkan burime përçarjesh brenda shqiptare dhe burime konfliktesh në Ballkan!!!Dhe, pa fije turpi, zyrtarët e Shqipërisë administrative me nismën e kryeparlamentares, Jozefina Topalli, marrin nismën “famoze” për ndryshimin e kësaj pike shumë të drejtë dhe më të fuqishme kombëtare në Kushtetutën e Shqipërisë, e cila fatmirësisht nuk u aprovua.

A shkoi në vend amaneti i të parëve tanë dhe i juaji bashkë me shokë për një Shqipëri, siç e ka falur Zoti?
Jo! Nuk është plotësuar amaneti i të parëve! Bile, as në gjysmë të rrugës drejt lirisë nuk kemi arritur; prandaj na presin punë të mëdha e të rënda deri tek realizimin e këtij amaneti ndër brezni.Për fatin tonë të keq, në politikën shqiptare, në udhëheqjen e shtetit shqiptar, janë shërbëtorët e huaj. Merreni me mend: ish-ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu, vendos kurora lulesh tek varret e ushtarëve fashistë, ndërsa po prishen bustet e heronjve; fazlliqët dhe viqër të tjerë sot i kanë marrë frenat e ekonomisë shqiptare. Pastaj, ç´t´i thuash faktit, kur kryeministri shqiptar, Sali Ramë Berisha, vjen në Kosovë dhe përlotet duke thënë “se shtëpia e ime ka qenë shtab i UÇK”. Ky mashtrues i pacipë, kur të gjithë e dimë se Sali Berisha ishte kundër UÇK-së dhe gjatë luftës e përkrahu “FARK”-un .Ishte vetë Sali Berisha ai, që kur ishte në pushtet i burgosi dhe i torturoi burgjeve; Adem Jasharin, Ilaz Kodrën, Luan Haradinajn, Fehmi Lladrovcin, Zahir Pajazitin, e të tjerë; që tani janë heronj të lavdishëm dhe emblemat e nderit të qëndresës - të shqiptarisë. Prandaj, kjo politikë sa më parë duhet të marrë fund, sepse na mori lumi si komb!

Porosia juaj drejtuar opinionit ne cilësinë e mërgimtarit politik?
Porosia ime është të punojmë pandalshëm; të jemi afër popullit dhe t´ i shpjegojmë mirë masave të gjëra popullore, se kjo politikë është e dështuar dhe kundërkombëtare. Duhet t´ u shpjegojmë dhe të kërkojmë pandërprerje deri në fitore, se duhet të përkrahim të gjithë pa dallim ideje, feje dhe krahine, Platformën e Koço Danajt; sepse - si duket, ky Koço ynë i madh, e bëri një platformë “motër”, me atë Platformën madhështore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pastaj, duhet të veprohet me forca të mirëfillta demokratike nëpër botë, të krijojmë miq dhe shokë të sinqertë, që të na ndihmojnë për realizimin e aspiratave tona.
Pra, të veprojmë me këto forca! Unë personalisht kam bërë dy Konferenca Ballkanike dhe disa debate publike në Danimarkë, dhe asnjë lekë nuk i ka kushtuar shqiptarëve. Gjithashtu nëpërmjet fondeve të qeverisë daneze janë bërë disa debate ku kanë marrë pjesë: Adem Demaçi, Hajrullah Gorani, Dritëro Agolli, Skënder Gjinushi, Shaqir Shaqiri, Arben Xhaferi etj. Kjo është detyra jonë që të mbajmë kontakte me intelektualë ku jetojmë dhe në momente të caktuara të ftojmë njerëzit që kanë dhënë prova vetëmohimi, se vërtetë janë për zgjidhjen drejt të çështjes sonë kombëtare.
- Të mos kursejmë lekët për ato forca që janë të gatshme të sakrifikojnë për çështjen kombëtare dhe përparimit e demokratizimit të jetës në përpjekjet për të bërë një shtet të ribashkuar shqiptar në Ballkan.

Kopenhagë, 27 maj 2009
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 38 vizitorë
Lexuar: 2,124 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi