| Flet Berat Luzha, deputet i Kuvendit të Kosovës |
| Publikuar më 30 dhjetor, 2009 në orën 20:07 ( ) |
Intervista | |
|
|
|
Serbët i frikësoheshin shumë shtimit të numrit të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
- U lidha me një organ ilegal të shtypit, që quhej “Liria”
- Në Kosovë atë kohë dëgjohej Radio-Tirana dhe sidomos shikohej Televizioni Shqiptar
- Personalitetin politik të Enver Hoxhës duhet t’ia lëmë historisë
- Qëndrimi krejtësisht mohues ndaj tij dhe ndaj një pjese të historisë, nuk i shërben të vërtetës historike
- Në Drenicë, ku iu bashkangjita UÇK-së
 Berat Luzha Më 21 nëntor, në Kuvendin e Katërt të shoqates “Labëria”, që u zhvillua në Kuç të Kurveleshit, ajo që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve ishte pjesëmarrja në festë edhe e një prej deputetëve të Kosovës, Berat Luzha. Kishte shumë aryse që vëmendja u përqendrua tek ai. Së pari, si deputet, së dyti, se vinte nga Kosova Martire, së treti, për emrin e veçantë Berat dhe, së katërti, sepse ai kishte ardhur me dy (nga tri vajzat e tij) që quheshin; njëra Labëri dhe tjetra Shqipe (e treta, Vlora). Fjala e tij në këtë Kuvend u prit me duartrokitje të zjarrta. Me të në bisedë ndjeheshe sikur ishe njohur prej vitesh. I dashur, i qetë, i mençur, patriot. Për Telegraf me të zhvillova këtë bisedë:
Z. Berat, mund të na thoni diçka për emrin tuaj? Ne e lidhim me qytetin 2500 vjeçar, qytetin e bukur të Beratit. Kush jua ka vënë këtë emër dhe në çfarë rrethanash?
Në Kosovë është krijuar një traditë e mirë e emërtimeve të fëmijëve me emra me kuptim shqip. Në këtë kuadër hyjnë edhe emrat gjeografikë, kryesisht nga toponimet e gjeografisë shqiptare; emra qytetesh, fshatrash, krahinash, malesh e lumenjsh, pastaj emra nga historia ilire – shqiptare etj.
Prindërit e mi kanë qenë të pashkolluar. Emrin ma ka vënë xhaxhai, gjithashtu i pashkolluar, i cili ka punuar në qytetin e Shkupit, në fabrikën e atjeshme të çimentos.
Emra të tillë si priteshin nga regjimi serb në atë kohë, kur marrëdhëniet ishin shumë të tensionuara?
Sigurisht se regjimit nuk i pëlqenin dhe nuk u përshtateshin emrat me kuptim shqip, veçanërisht emrat që lidheshin me Shqipërinë. Ka pasur raste kur personat që i bartnin emrat e tillë apo prindërit e tyre kanë pasur probleme me regjimin. Në ndonjë rast fëmijët me emra gjeografikë apo me emra me kuptim të theksuar shqip, si Liridon, Kushtrim etj., nuk i kanë regjistruar në librat e të lindurve apo prindërit e tyre i kanë detyruar t’ia ndërronin emrin fëmijës së vet. Por emrat shqip shpejt kanë mbizotëruar dhe nuk kanë mundur të ndaloheshin. Familjet e fëmijëve me emra të tillë shiheshin nga regjimi si familje nacionaliste, ndaj edhe kishin pasoja.
Më shumë se emrat, regjimit i ka penguar lindshmëria te populli shqiptar. Ata i frikësoheshin shumë shtimit të numrit të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
Çfarë pune keni bërë në kohën kur Kosova ishte nën regjimin serb? Pikëpamjet tuaja për pavarësi, si janë interpretuar prej tyre?
Në vitin 1976 kam filluar punën si gazetar në të përditshmen e vetme shqipe në ish-Jugosllavi, në gazetën “Rilindja”. Që atë vit, përmes një kolegu, Hydajet Hysenit, i pranuar edhe ai në punë si gazetar bashkë me mua, rashë në kontakt me një organizatë politike që vepronte ilegalisht në tërë Kosovën e më gjerë. Organizata nxirrte edhe një organ ilegal të shtypit, që quhej “Liria”. Punoja paralelisht në dy anë; në “Rilindja” – legalisht dhe në “Liria” – ilegalisht. Organizata ilegale zhvillonte veprimtari atdhetare, e përqendruar kryesisht në propagandë dhe agjitacion, me qëllim të vetëdijësimit të popullit për luftë çlirimtare. Platforma e saj politike, si dhe e të gjitha grupeve dhe organizatave tjera ilegale, ishte çlirimi i viseve shqiptare nën ish-Jugosllavinë dhe bashkimi i tyre me shtetin amë – Shqipërinë.
Organizata jonë, e cila ndiqej nga organet e sigurimit, u zbulua nga fundi i vitit 1981, pas demonstratave të mëdha të atij viti në tërë Kosovën. Unë u dënova me 12 vjet burg, nga të cilat i mbajta nëntë.
Në vitet 90-ta, pas lirimit nga burgu, iu kam bashkangjitur dhe kam qenë në pozita udhëheqëse në Lidhjen Demokratike të Kosovës (1992 – 1998), parti e cila lindi si një lëvizje e rezistencës paqësore kombëtare, por që zhvilloi një politikë pasive, që nuk i përgjigjej realitetit dhe që nuk e përparonte gjendjen e rëndë në të cilën gjendej populli ynë. Në fillim të vitit 1998, në prag të luftës çlirimtare, një grup shokësh jemi shkëputur nga kjo parti dhe kemi formuar partinë e re, Lëvizjen Demokratike Shqiptare, të cilën e ka udhëhequr Prof. Rexhep Qosja. Kam qenë në pozita udhëheqëse edhe në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (1997 – 1998), si dhe kryetar i parë i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës (1996 – 2001).
Si e njihnit Shqipërinë në atë kohë? A e kishit vizituar kur ende ishte sistemi komunist?
Organizata jonë mbante disa lidhje të brishta me shtetin shqiptar përmes kontakteve në ambasadat e Shqipërisë në Evropë. Në Gjermani, në Zvicër e në shtete tjera të Evropës, ku punonte numër i madh i emigrantëve shqiptarë nga ish-Jugosllavia, kishte filluar organizimi i bërthamave të para politike atdhetare. Këto bërthama e furnizonin organizatën tonë dhe organizatat tjera ilegale në Kosovë dhe në viset shqiptare nën ish-Jugosllavinë me literaturë të ndryshme të botuar në Shqipëri, e cila pastaj shpërndahej fshehtas, dorë më dorë. Në saje të bashkëpunimit të atëhershëm kulturor ndërshtetëror mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, në Kosovë, në mënyrë legale, importohej literaturë nga Shqipëria, e cila konsiderohej se nuk ishte e rrezikshme për shtetin. Në Kosovë atë kohë dëgjohej Radio-Tirana dhe sidomos shikohej Televizioni Shqiptar, që merrej aty - këtu, dhe jo në tërë territorin. Kush mund ta merrte TVSH-në nga fundi i viteve 70-ta të shekullit të kaluar, ishte shumë i lumtur, por njëkohësisht edhe i mbikëqyrur nga Sigurimi i shtetit. Pastaj, ishin ansamblet artistike që vinin nga Shqipëria, shfaqeshin filma shqiptarë, hapeshin ekspozita të arteve figurative etj. Këto ishin kontaktet tona me Shqipërinë, në kohën kur ne vepronim ilegalisht kundër pushtimit jugosllav.
Për fat të keq nuk kam pasur mundësinë ta vizitoj Shqipërinë gjatë sistemit monist. Vizitën e parë e kam bërë në nëntorin e vitit 1992, në një kohë mjaft kritike për Shqipërinë. Unë vuaja pasoja shëndetësore nga burgu, kur erdha për shërim në Shqipëri. Me këtë rast dëshiroj ta falënderoj Klinikën e Urologjisë të Spitalit të Përgjithshëm të Tiranës dhe veçanërisht doktorin e nderuar, Mustafa Xhanin, për kujdesin që kanë treguar gjatë qëndrimit tim dymujor në spital.
Cili është mendimi juaj për Enver Hoxhën? Si do ta përkufizoni qëndrimin e tij për Kosovën?
Me emrin dhe personalitetin e Enver Hoxhës më shumë është marrë politika se sa historia. Kujtoj se personalitetin e tij politik duhet t’ia lëmë historisë, kurse ne të shikojmë dhe të ecim përpara. Sidoqoftë, ai ishte udhëheqësi dhe organizatori kryesor i Luftës së lavdishme Nacionalçlirimtare, e cila Shqipërinë e radhiti ndër shtetet fitimtare të koalicionit antifashist. Enver Hoxha, siç dihet, ishte udhëheqës i Shqipërisë për 40 vjet. Kjo periudhë kohore, çfarëdo qoftë ajo, është pjesë përbërëse e historisë sonë kombëtare. Në vitet e 90-ta, kur në Evropë frynë erërat e demokracisë pluraliste, edhe Shqipëria, si të gjitha vendet tjera ish-socialiste, e vendosi pluripartizmin dhe e përqafoi sistemin kapitalist. Ndryshimi i sistemit ishte një domosdoshmëri, nga shkaku se Shqipëria kishte ngecur dhe nuk mundte të zhvillohej mbi bazën e parimit të mbështetjes në forcat e veta.
Por, ndryshimi i sistemit ka mundur të bëhej pa dhembje ose me më pak dhembje, duke mos e shkatërruar ekonominë, infrastrukturën etj. Edhe viti 1997 ka mundur të mos ndodhte fare. Te ne populli e thotë një fjalë të urtë: “Nëse hap bunar të ri, mos pështyjë në bunarin e vjetër”.
Qëndrimi krejtësisht mohues ndaj tij dhe ndaj një pjese të historisë, nuk i shërben të vërtetës historike dhe nuk mund të zgjasë në pakufi. Duhet kujtuar se regjimi komunist në Shqipëri ekzistoi në një kohë krejtësisht tjetër, kur rrethanat historike në botë ishin shumë të ndryshme, nga që janë sot.
A pëlqehej Enver Hoxha në Kosovë dhe përse pëlqehej?
Duhet kuptuar se shqiptarët e Kosovës dhe të viseve shqiptare nën ish-Jugosllavinë aspironin çlirimin kombëtar dhe bashkimin me shtetin amë – Shqipërinë. Kjo aspiratë e drejtë dhe e ligjshme zhvillohej që nga viti i largët, 1912. Por, aspiratën e tyre ata nuk mund ta realizonin pa ndihmën, pa përkrahjen dhe pa mbështetjen e shtetit amë - Shqipërisë. Ky ishte motivi kryesor pse adhurohej Shqipëria dhe bashkë me të edhe udhëheqja e saj, më konkretisht – udhëheqësi i saj, Enver Hoxha. Shqipëria si shtet, por edhe Enver Hoxha, si udhëheqës i saj, në Kosovë dhe në viset shqiptare nën ish-Jugosllavinë reflektonte atdhetarizëm. Shqiptarët e andej kufirit e dëshironin dhe e përceptonin një Shqipëri të fortë e të bashkuar, në të cilën mund t’i mbështesnin synimet e veta. Shqipëria ishte vetë ideali i shqiptarëve të andej kufirit. Kjo ndjenjë dhe ky besim i formuar për shtetin amë dhe për udhëheqësin e saj rezultuan shumë pozitivisht për kultivimin dhe përhapjen e ndjenjave atdhetare në popull.
Mund të them, pa dilema, se ishin njerëzit që e donin Shqipërinë ata që e mbajtën gjallë dhe e zhvilluan ndjenjën kombëtare, që e zhvilluan dhe e organizuan rezistencën popullore, që e organizuan dhe e zhvilluan luftën heroike çlirimtare të UÇK-së. Atëherë te ne kishte dy rryma politike; ajo (shumicë) projugosllave, e cila kultivonte “patriotizmin socialist jugosllav” dhe (pakica) proshqiptare, e cila kultivonte atdhetarizmin tradicional shqiptar, që etiketohej si nacionalizëm, irredentizëm, separatizëm, shovinizëm etj. Ata të cilët e donin Shqipërinë regjimi i cilësonte si “armiq të Jugosllavisë socialiste vetëqeverisëse”, “armiq të vëllazërim – bashkimit të kombeve e kombësive të Jugosllavisë” etj.
Berati, ku u angazhua gjatë luftës për pavarësinë e Kosovës?
Për organizim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për veprimtari të ashtuquajtur “terroriste”, sigurimi i shtetit tentoi të më burgoste, bashkë me një grup atdhetarësh nga Kaçaniku e Ferizaj, në verën e vitit 1998. Duke e parë rrezikun e arrestimit, u arratisa nga Prishtina dhe kalova në territoret e çliruara, në Drenicë, ku iu bashkëngjita UÇK-së. Deri sa qëndroja e veproja në kuadër të UÇK-së në territoret e lira në malet e Drenicës, Gjykata serbe e Qarkut në Prishtinë e organizoi gjykimin tim dhe të një grupi atdhetarësh nga komuna e Kaçanikut. Unë u dënova me 10 vjet burg, në mungesë.
Në fillim të janarit të vitit 1999 në malet e Drenicës arritëm të themelonim dhe t’i udhëhiqnim dy mediat e luftës; agjencinë e lajmeve “Kosovapress” dhe radion “Kosova e lirë”. Këto media kishin një rol dhe rëndësi të jashtëzakonshme për informimin e opinionit të brendshëm dhe të jashtëm për luftën në Kosovë. Gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s ato ishin të vetmet media që veprimtarinë e vet informative e zhvillonin nga Kosova, d.m.th. raportonin nga frontet e luftës për liri.
Pas çlirimit e kam udhëhequr të përditshmen e Prishtinës “Rilindja”, e cila, pos gazetës, e kishte edhe një radio në Prishtinë dhe një shtypshkronjë në Tiranë.
Një koment të shkurtër për këtë luftë?
Nuk ka asnjë dilemë se lufta çlirimtare e UÇK-së e shpëtoi Kosovën nga robëria, madje edhe nga zhbërja e saj. Politika e regjimeve serbe, jo vetëm ajo e Milosheviqit, përpiqej me të gjitha mënyrat për ta kolonizuar Kosovën me popullsi sllave, duke ndërtuar edhe vendbanime të reja për kolonistët e ardhur nga Kroacia, Bosnja e Serbia. Nga ana tjetër, qoftë për shkaqe politike, qoftë për shkaqe ekonomike, kishte një tendencë të theksuar të popullsisë shqiptare për t’u shpërngulur nëpër botë. Sigurisht se suksesit të luftës i ka kontribuar në masë të madhe ndihma e ardhur nga NATO-ja, SHBA-të dhe BE-ja, për çka populli i Kosovës u është mirënjohës përjetë. Mirëpo, pa luftën çlirimtare dhe pa gjakun e derdhur të bijve më të mirë të popullit tonë, nuk do ta kishim as lirinë dhe as ndihmën e çmuar të aleatëve veriatlantikë.
Sot jeni deputet i Republikës së Kosovës. A shikoni ndryshime midis partive politike shqiptare dhe atyre kosovare në drejtim të acarimit dhe ashpërsisë?
Si popull na kanë ndarë e na ndajnë kufij të shumtë, por jemi të gatuar nga një brumë. Kemi një mendësi, kemi veti e vese të njëjta. E kemi në gjak bajraktarizmin, kurse organizimin - “thembër të Akilit”. Nuk punojmë për bashkësi dhe për shtet, që d.m.th. se jemi vetjakë dhe egocentrikë.
Partitë e shumta, por edhe klasa politike, në përgjithësi, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e në Luginë të Preshevës, sikur i ka të njëjtat probleme; përçarjen e pakuptueshme (edhe brenda vetes), pjesëzimin e skajshëm, pasivitetin e tepruar, mungesën e organizimit... Sigurisht, e ka edhe ashpërsinë e komunikimit të ndërsjellë dhe acarimin e raporteve ndërpartiake. Prandaj, nuk do të kisha bërë dallime parimore mes partive në Shqipëri dhe të atyre në Kosovë.
A jeni ju për një Shqipëri natyrale?
Ky ishte dhe ka mbetur ideali im. Por, Shqipëria natyrale do të vjen në mënyrë të natyrshme, deshëm apo nuk deshëm ne. Sot po bashkohen popujt e Evropës, që janë shumë të ndryshëm, e jo më të mos bashkohet populli ynë, i ndarë me dhunë. Ne duhet të punojmë në atë drejtim, t’i zhdukim barrierat, të cilat na ndajnë sot.
Fëmijët tuaj kanë emra të qyteteve, krahinave, maleve të Shqipërisë, si Labëria, Vlora, Shqipja... Përse kjo dëshirë juaja për emra të tillë, të cilët në Shqipëri nuk përdoren?
Pos Labërisë, Vlorës e Shqipes, emrat e të cilave tashmë i mësuat, në familjen time, që janë djemë, vajza, nipër e mbesa, e kemi edhe Drinin e Shkumbinin, Valbonën e Tomorin, Ilirin e Agronin, Fitorin e Elirën, Gazmendin e Abetaren, Blendën. Në Kosovë, dhe jo vetëm në Kosovë, por edhe te shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës e kemi pothuaj tërë Shqipërinë në emra njerëzish. Edhe emërtimet janë pjesë e identitetit kombëtar, prandaj praktika për emërtimin e fëmijëve nga gjeografia e Atdheut tonë është mirë të përvetësohet edhe këtu, në Shqipëri. Nuk ka dhe as nuk mund të ketë fjalë e emra më të bukur, më bukurtingëllues e më të ëmbël se sa fjalët e emrat e natyrës së gjuhës sonë shqipe, që kanë dalë nga gurra e popullit tonë të lashtë.
Ju morët pjesë në Kuvendin e 4-të shoqatës atdhetare “Labëria”. Si ju dukën punimet e Kuvendit dhe përkujtimi që iu bë Kuvendit të vitit 1924?
Ishim të ftuar nga shoqata atdhetare “Labëria” për të marrë pjesë në shënimin jubilar të Kuvendit Zakonor të Labërisë, si dhe në punimet e Kuvendit të Shoqatës. Ardhja jonë këtu, në Kuç, në Kurvelesh dhe në Labëri, ishte një përjetim i rrallë dhe i paharrueshëm.
T’ju kujtoj se këtyre shtigjeve e këtyre maleve krenare, para më shumë se 70 vjetëve, bashkë me trimat labë, për lirinë e Atdheut luftoi dhe ra trimi nga Kosova, Xheladin Beqiri – Karadaku, sot Hero i Popullit, i cili nga malësorët u quajt edhe “Kosovari i Labërisë”. Te ne, në malet e Kosovës, në mesin e shumë luftëtarëve nga krahinat e ndryshme të Shqipërisë, në luftën e UÇK-së, ka luftuar labi nga Golemi, Dilaver Goxhaj, të cilin me të drejtë do ta quanim “Labi i Kosovës”. Kështu ne e kemi krijuar historinë, duke i bashkuar armët në luftërat për çlirimin e krahinave dhe të Atdheut tonë të përbashkët.
Ne nuk mundemi të kalojmë pa e falënderuar shoqatën “Labëria”, e cila me ftesën që na bëri, na dha mundësinë të jemi këtu, në Kuçin heroik, në zemrën e Kurveleshit e të Labërisë, për të marrë pjesë në shënimin jubilar të një ngjarjeje të rëndësishme nga historia jonë kombëtare. Shoqatës i urojmë suksese edhe më të mëdha për kultivimin e traditës së pasur kulturore e historike të krahinës së Labërisë.
Si ju duket Shqipëria sot, a është ajo, për nga infrastruktura, me standardet evropiane?
Sigurisht se jane bërë përparime, por ende ka mbetur shumë për të dëshiruar. Ne u gëzuam jashtë mase për hyrjen e Shqipërisë në NATO, si dhe për hapjen e pjesshme të “rrugës së kombit”. Por, kjo rrugë u mbyll! Tash po detyrohemi të lëvizim përsëri rrugës së vjetër apo nga Maqedonia, në rrugë të gjatë, me pritje e vonesa, me rreziqe, ndoshta edhe me keqtrajtime në kufi.
Si shtet, që mëton zhvillimin e turizmit, mund të themi se Shqipëria është ende larg standardeve evropiane. Nga ana tjetër, Shqipëria ka klimë, ka bregdet, ka monumente të vjetra historike, ka male e fusha të begata dhe ka resurse të shumta turistike, të cilat duhet t’i shfrytëzojë, duke ua afruar ato më shumë turistëve. Është fat që, pos shqiptarëve nga Kosova e Maqedonia, tash në Shqipëri kanë filluar të vijnë edhe maqedonasit. Por, me një përkushtim më të madh për zhvillimin e turizmit, veçanërisht për ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës publike dhe turistike, turizmi mund të bëjë kthesë të rëndësishme.
Intervistoi: Albert Zholi
(Gazeta "Telegraf", Tiranë, 22 dhjetor 2009)
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 85 vizitorë |
| Lexuar:
3,081 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
| |
| Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash... |
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34 Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur... |
| KRAHËT E SHQIPES |
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25 Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“
⁃ Kush është zonja. Ma... |
më shumë nga - Intervista » |
|
|
|
|
|