| Intervistë - Rexhep Qosja |
| Publikuar më 07 janar, 2010 në orën 14:18 ( ) |
Intervista | |
|
|
|
Në ditët e fundit të vitit që lamë pas, akademiku kosovar Rexhep Qosja dha këtë intervistë, ku flet rreth zhvillimeve, kryesisht politike e shoqërore që e karakterizuan 2009-ën si për Kosovën, Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët e tjerë në Ballkan… Si ishin zgjedhjet e fundit në Kosovë dhe ç’mendon Qosja për koalicionin e panatyrshëm, sipas tij, mes PDK-së e LDK-së. Në 20-vjetorin e LDK-së, akademiku shqyrton se cila është e vërteta për këtë parti dhe pse ajo e ka luftuar UÇK-në, e në këtë mënyrë edhe çlirimin e Kosovës… Qosja jep gjykimin e tij edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, dhe pse mbeti jashtë këtij procesi Shqipëria dhe Kosova. A duhet marrë parasysh teza se Bosnja, Shqipëria dhe Kosova kanë shumicë muslimane në vend? Më tej në këtë intervistë, akademiku kosovar nuk i kursen kritikat fshikulluese për gjendjen e nderë politike në Shqipëri, për zgjedhjet e 28 qershorit dhe pasojat që erdhën pas tyre…
 Profesor, cili është vlerësimi juaj për zhvillimet që karakterizuan Kosovën dhe shqiptarët në tërësi gjatë vitit 2009?
-Në këtë pyetje në të vërtetë janë të përmbajtura dy pyetje: njëra, për zhvillimet që karakterizuan Kosovën dhe tjetra për zhvillimet që karakterizuan jetën e shqiptarëve në tërësi, domethënë në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo ka shqiptarë në Ballkan. Sipas mendimit tim, gjatë vitit 2009 Kosovën e karakterizuan përpjekjet për ndërtimin, funksionalizimin sa më të mirë dhe qëndrueshmërinë e institucioneve të saj shtetërore, në njërën anë, kurse për njohjen ndërkombëtare, në anën tjetër. Nuk mund të mos vërehet se Kosova është shtet institucionalisht gjithnjë e më i ndërtuar, më i aftësuar, më funksional, më i qëndrueshëm. Rritet përvoja politike e shtetërore e këtyre institucioneve: përvoja e qeverisjes së vendit dhe përvoja politike ndërkombëtare. Një shtet i ri po rritet e po aftësohet shumë më shpejt se ç’janë rritur dhe aftësuar shtetet përpara. E kuptueshme. Zyrtarët e Kosovës sot edhe janë të shkolluar, edhe kanë ku të mësojnë: e kanë botën para sysh, por e kanë botën edhe këtu, në Kosovë. Le të thuhet se gjatë vitit 2009 Kosovën shtet e njohën 64 vende, ndërsa shumë më i rëndësishëm se ky numër është fakti se Kosovën e njohën disa prej shteteve më të rëndësishme, politikisht dhe ekonomikisht më të rëndësishme, të botës
Vlerësimi për zhvillimet që karakterizuan jetën e shqiptarëve në tërësi gjatë vitit 2009 ndryshon prej vlerësimit për zhvillimet që karakterizuan Kosovën si shtet. Në politikën shqiptare flitet mjaft për liritë politike dhe qytetare, por flitet pak për të drejtat sociale dhe ekonomike të qytetarëve. Liritë politike dhe qytetare janë tepër, tepër të rëndësishme për çdo njeri, por në qoftë se të drejtat sociale dhe ekonomike nuk mund t’i realizosh, për më keq në qoftë se të drejtat sociale dhe ekonomike të cenohen, atëherë edhe liritë politike dhe qytetare sikur bëhen më pak të rëndësishme. Megjithëse jemi në vitin e nëntë të shekullit 21, ne nuk guxojmë të harrojmë se qytetarë tonë, bashkëkombës tonë, vazhdojnë të mbyten në det në përpjekje e sipër për të dalë në Itali; se qytetarë tonë, bashkëkombës tonë, vazhdojnë të kalojnë ilegalisht kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë; se qytetarë tonë, bashkëkombës tonë, humbin jetën në kufirin ndërmjet Serbisë e Hungarisë në përpjekje për të kaluar në Gjermani a në Austri. Shumë shqiptarë edhe në vitin 2009 e kërkuan shpëtimin prej skamjes, prej varfërisë, prej padrejtësive sociale dhe ekonomike, në vende të huaja. Dhe, kjo e dhënë duhet ta bëjë shumë të menduar, shumë të brengosur dhe shumë më të përgjegjshëm çdo shqiptar që ushtron funksion politik e shtetëror.
Kosova mbajti zgjedhjet lokale, proces ky që nuk ka përfunduar ende. Si e komentoni rrjedhën e këtij procesi dhe rezultatin e zgjedhjeve?
-Ata që votuan, domethënë populli, treguan sjelljen politike, pjekurinë politike më të dëshiruar, që u vlerësua shumë pozitivisht prej të gjithë vëzhguesve ndërkombëtarë e vendorë dhe prej institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare. Kjo, ndërkaq, nuk mund të thuhet për të gjithë ata që u votuan dhe për të gjithë kandiduesit e tyre. Me numrin e komunave në të cilat fituan kandidatët e saj dhe me numrin e zgjedhësve që i votuan kandidatët e saj, Partia Demokratike e Kosovës u ridëshmua shumë bindshëm si forca më e rëndësishme politike në Kosovë.
LDK-ja e kontestoi rezultatin në disa komuna, parti kjo e cila në balotazh hyri në koalicion me AAK-në, përderisa vazhdon të jetë pjesë e qeverisë qendrore me PDK-në. Si i vlerësoni këto veprime të LDK-së?
Ata që e dinë sadopak historinë e zhvillimeve politike në Kosovë prej viteve nëntëdhjetë, domethënë prej kohës së formimit të partive të reja politike në Kosovë, e kanë plotësisht të qartë se koalicioni midis Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është një koalicion i shtirë e i shtirë do të thotë i panatyrshëm, artificial, që i është imponuar PDK-së ose, të shprehem më qartë, që ia kanë imponuar PDK-së. Rrethanat ndërkombëtare kanë bërë që PDK-ja të jetë e shtrënguar ta pranojë këtë koalicion të panatyrshëm. Çdokush që e njeh sadopak historinë e LDK-së do ta dinte se në këtë koalicion LDK-ja do të sillej shumëfytyrshëm. Dëshmia më e dukshme e kësaj shumëfytyrësie është kjo që ndodhi tani: LDK-ja në njërën anë është pjesë e qeverisë së Kosovës e në anën tjetër në balotazh bën koalicion me parti të tjera me qëllim që të jetë pjesë e qeverisë vendore. Kësaj i thonë papërgjegjësi politike ndaj partisë bashkëqeverisëse në nivel qendror. Por, për sjellje të tillë nuk duhet të gjykohet vetëm forca politike që vepron kështu, por edhe ajo që e duron.
Këto ditë LDK-ja festoi 20-vjetorin e themelimit, ku u dhanë vlerësime superlative për të dhe ish-kryetarin e saj. Ju, çfarë vlerësimi do t’i jepnit LDK-së në këtë 20–vjetor?
Krahas urimeve për përvjetorin, unë me këtë rast dua të them edhe disa fjalë për LDK-në. Drejtuesit dhe disa veprimtarë më të vjetër a më të rinj të LDK-së jo vetëm në këtë përvjetor të tyre flasin për LDK-në - thuajse vetëm ata janë gjallë, thuajse vetëm ata janë në Kosovë, thuajse vetëm ata e njohin historinë politike të Kosovës, thuajse vetëm ata dinë çdo gjë për zhvillimet politike në Kosovë, sidomos, prej se është themeluar partia e tyre, thuajse vetëm ata dinë shumëçka për lëvizjet politike në Kosovë prej vitit 1981, megjithëse për vitin 1981 dhe për disa vite menjëherë pas 1981-it nuk kanë shumë qejf të flasin! Dhe, për të gjitha këto flasin thuajse nuk ekziston asnjë dëshmitar tjetër i të gjitha këtyre ngjarjeve, zhvillimeve, lëvizjeve, vetjeve për të cilat ata flasin. Le të thuhet se patosi, retorika, propaganda dhe e pavërteta, në masë të madhe, përcaktojnë të gjitha ato që i thonë këta drejtues dhe veprimtarë të LDK-së kur flasin për partinë e tyre dhe për zhvillimet në Kosovë pas vitit 1981, sidomos pas viteve ’90. Kam shkruar jo pak faqe për politikën e kësaj partie dhe kam shkruar, jo pas kohës, po pikërisht në kohën kur ajo bënte veprimet e saj politike. Nuk i kam thënë bash të gjitha se kurrë, të gjitha, për arsye të ndryshme, nuk thuhen. Por, edhe ato që, për arsye të ndryshme, nuk janë thënë do të thuhen një ditë. Unë, tani, në këtë bisedë me ju, nuk do të flas më shumë për LDK-në dhe për drejtuesit e saj kryesorë. Do ta them vetëm një fjali. Kur flitet për të djeshmen e LDK-së, kur flitet për politikën e LDK-së, një e vërtetë duhet të jetë përcaktuese e të gjitha gjykimeve dhe vlerësimeve për të dhe për politikën e saj. Dhe, kjo e vërtetë është: LDK-ja ishte partia e cila me politikën e saj, në mënyrë të hapët dhe në mënyra të fshehta, ishte, dhe vepronte, kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kjo do të thotë kundër luftës çlirimtare në Kosovë. Çka bënte hapët e çka bënte fshehtë – kjo është tema për të cilën do të shkruhet. Vetëm kur të jepet përgjigjja e vërtetë, shkencore, në këtë pyetje, do të mund të themi se kemi filluar të mendojmë objektivisht, ndershëm, shkencërisht, si një popull historikisht i pjekur për politikën dhe për luftën që i solli Kosovës lirinë dhe pavarësinë, e kjo është politika dhe lufta e UÇK-së.
Shqipëria e Kosova sivjet u lanë jashtë liberalizimit të vizave me BE-në. A janë fqinjët tanë para nesh në plotësimin e standardeve evropiane apo ka arsye të tjera, sipas jush?
Sa e njoh njëmendësinë politike dhe shoqërore të fqinjëve tanë, sa e njoh prej lajmeve, komenteve, analizave, që jepen në televizione dhe botohen në gazeta a në disa vepra publicistike, mund të them: ata, fqinjët tanë, janë para nesh në plotësimin e standardeve evropiane për liberalizimin e vizave. Nuk shoh arsye tjetër pse BE-ja nuk ua liberalizon vizat Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe, Bosnjës. Unë nuk e them siç e thonë disa, dhe nuk e them sepse, sipas mendimit tim, kjo nuk është e vërtetë, se BE-ja nuk ua liberalizoi vizat këtyre vendeve sepse janë vende me popullsi shumicë të fesë myslimane! Jo. Por, unë nuk do ta krahasoja Kosovën me Shqipërinë dhe me Bosnjën. Kosova është shtet i ri, ende nuk i ka bërë dy vjet si shtet i njohur ndërkombëtarisht , prandaj nuk është shumë reale që të pretendojë që t’i liberalizohen vizat para ose krahas shteteve të tjera ballkanike. E pse Shqipërisë nuk i liberalizohen vizat në të njëjtën kohë kur edhe Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi? Përgjigjen e vërtetë në këtë pyetje mos e pritni prej qeverisë së Shqipërisë. Përgjigjen në këtë pyetje do ta gjeni, ndërkaq, në punimet e Kuvendit të Shqipërisë; në sjelljet despotike të kryeministrit të Shqipërisë dhe të disa ministrave të tij. Dhe, përgjigjen në këtë pyetje do ta gjeni në disa televizione shqiptare, sidomos në televizionin Top Channel, i cili ende po bën përpjekje që të jetë i pavarur. Përgjigjen e vërtetë në këtë pyetje do t’ua japë emisioni i këtij televizioni i quajtur Fiks fare. Prej këtij emisioni, prej Samirit e Doktorit dhe autorit që e shkruan tekstin e tyre Filip Cakuli, prej këtyre tre personave, që mund t’i quajmë ndërgjegjja e sotme e Shqipërisë, do të mësojmë sigurt pse, për ç’arsye Shqipërisë nuk i janë liberalizuar vizat kur edhe Serbisë, kur edhe Maqedonisë, kur edhe Malit të Zi. Dhe, më tej. Pse Shqipërisë nuk i liberalizohen vizat kur edhe fqinjëve ballkanikë do të na tregojë saktë, ndershëm, Ambasadori i Danimarkës në Shqipëri, Karsten Ankjaer Jensen, në intervistën që i dha medieve shqiptare këto ditë. Fjalët e tij ishin fjalë të urta, të mençura, fjalë të mikut të vërtetë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, që dallonin shumë, rrënjësisht, prej fjalëve të disa evropianëve, që sjell kryeministri i Shqipërisë në Shqipëri, për të mashtruar opinionin shqiptar. Ambasadori i Danimarkës u tha shqiptarëve: në përpjekjet për liberalizimin e vizave dhe për inkuadrim në Bashkimin Evropian vitet e fundit e kjo vitet e fundit do të thotë gjatë viteve të qeverisjes së Sali Berishës, “Shqipëria ka bërë hapa të konsiderueshëm prapa”. Dhe më tej: Shumë sinqerisht e thënë - vazhdoi Ambasadori i Danimarkës – shumë veprime politike në Shqipëri, “nuk janë në përputhje me vlerat, që qëndrojnë në thelb të Bashkimit, dhe po ashtu të anëtarësimit në BE”.
Dhe, si të jenë! Shikojini televizionet e Tiranës! Lexojini gazetat e Tiranës –të pavarurat dhe ato që përpiqen të jenë të pavarura! Ato tregojnë se si shpërfillen e cënohen vlerat politike evropiane nga qeveria e Sali Berishës.
Në Tiranë zgjedhjet e 28 qershorit i dhanë edhe një mandat Sali Berishës, ndërkaq opozita vazhdon të mos i njohë ato duke bojkotuar parlamentin. Si i komentoni këto zhvillime?
Nuk mund të them, siç po thoni ju, se zgjedhjet e 28 qershorit i dhanë edhe një mandat Sali Berishës. Për të thënë siç po thoni ju, për të thënë se ato zgjedhje, vërtet, i dhanë edhe një mandat Partisë Demokratike të Shqipërisë do të duhej të hapen kutitë e votimit dhe të shihet çka krejt ka në to, në vendvotimet ku po kërkohet të çelen ato. Të dhënat që sjell një pjesë e shtypit shqiptar, të dhënat që sjellin disa televizione shqiptare, të dhënat që sjellin kamerat televizive, domethënë të dhënat konkrete, që shihen dhe dëgjohen, dëshmojnë se Sali Berisha me gardistët e tij pretorianë bëri shumëçka që nuk lejohet, shumëçka që nuk guxon të bëhet në zgjedhje të lira, të ndershme, demokratike në një vend demokratik, shumëçka që mbulohet me nocionet; spekulim, shpërdorim, trysni, shantazhim në disa njësi elektorale i një numri votuesish, blerje e votave me mjete shtetërore në disa njësi elektorale, votim i të vdekurve, votim nga disa herë, vënie e administratës dhe e disa institucioneve shtetërore në shërbim të PD-së gjatë fushatës zgjedhore apo, madje, edhe gjatë vetë zgjedhjeve. E të tjera e të tjera. Sjellja e votuesve shqiptarë, e numrit më të madh të votuesve shqiptarë, ishte sjellje e çmuar, e denjë, demokratike, por sjellja e organizuesit kryesor të zgjedhjeve – jo. Nuk e them, në asnjë rast, se sjellja e opozitës ishte për shembull që duhet të mbahet mend; dhe nuk e them se Partia Socialiste me aleatët e saj bëri fushatën e duhur, përkatëse në kushtet në të cilat bën fushatë edhe Sali Berisha. Jo. Them se kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama me fushatën e tij të vakët sikur punoi kundër vetes! Them se edhe me disa stoli fetare e zoologjike në kabinetin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i largoi disa votues që do të votonin për kandidatët e Partisë së tij! Them se me pëlqimin që i dha Kodit Zgjedhor Edi Rama i dëmtoi rëndë partitë e mesme e të vogla, që luanin rol shumë të rëndësishëm për ndërtimin demokratik të Shqipërisë, duke i nxjerrë ashtu prej Kuvendit të Shqipërisë dhe duke e dëshpëruar ashtu edhe aleatin kryesor, Ilir Metën. E them se Edi Rama u soll keq, palejueshëm, ndaj aleatit kryesor, Partisë Socialiste për Integrim, dhe kryetarit të saj, Ilir Meta, që ishte, me Skënder Gjinushin, kritiku më i fortë i autoritarizmit, i shpërdorimeve dhe i korrupsionit të qeverisë së Sali Berishës. Megjithatë, duhet të shtoj: sjellja e Edi Ramës para dhe gjatë fushatës zgjedhore ndaj Partisë Socialiste për Integrim në asnjë rast nuk e arsyeton sjelljen e Ilir Metës dhe kalimin e tij në koalicion me Sali Berishën. E them me përgjegjësi politike, intelektuale dhe morale se duke kaluar në koalicion me Sali Berishën, Ilir Meta e ka dëmtuar Shqipërinë. Dhe, vetveten. Më vjen keq për të. Dhe, për Partinë Socialiste për Integrim.
Apel, thirrje për vëmendje, kritika dhe analiza të hollësishme deri në nënshtresat më të fshehta të krizave social-politike që po kalon shoqëria shqiptare. Ky është thelbi i pjesës së dytë të intervistës së akademikut Rexhep Qosja, ku ndalet në analizimin e gjendjes politike në Shqipëri, lëvizjet që po ndjekin të dy liderët, Berisha dhe Rama, çështja e hapjes së kutive të 28 qershorit, dhe një parashikim për ditët e ardhshme…
Qosja e cilëson të vështirë zgjidhjen e konfliktit politik që është krijuar mes pozitës dhe opozitës, dhe bën paralelizmin me konfliktet e vitit 1996-1997. Por, akademiku ndalet më së tepërmi tek një lumë kritikash për dy liderët kryesorë, dhe indinjohet për çka po ndodh në Kuvendin e Shqipërisë, gjuhën e ashpër dhe konfliktuale politike, ku tashmë sipas tij s’ka dallim mes burrave, grave e vajzave... “Çfarë populli jemi ne, që në Kuvendin tonë, që në institucionin tonë më të lartë politik dhe moral, çojmë edhe meshkuj të tillë, edhe gra a vajza të tilla, që me një gjuhë politike dhe psikiatrike aq të ndotur, aq poshtëruese, vrasin opozitën politike, dhe ashtu, duke ndotur Parlamentin, fyejnë rëndë popullin e vet! Duke i dëgjuar çka flasin e si flasin ato gra, kam menduar: A kanë burra ato? A kanë prindër ato? A kanë fëmijë ato? A kanë motra e vëllezër ato? A kanë dikë ato që do t’u thoshte: a jeni në vete?”, - nënvizon Qosja në një fragment të kësaj interviste.
Sipas jush, a mund të flitet për krizë politike në Shqipëri?
Është fjala, sipas mendimit tim, për konflikt politik midis partisë në pushtet dhe opozitës. Konflikti i këtillë, më pak a më shumë i ashpër, në Shqipëri vazhdon prej vitit 1996. Në disa raste, si në vitin 1997 dhe në vitin kur Sali Berisha me gardën e tij pretoriane e pushtoi Televizionin shqiptar, ky konflikt i pandërprerë u shndërrua në krizë, në të vërtetë u ashpërsua aq shumë saqë u bë krizë e thellë në vitin 1997, u bë krizë me shumë pasoja tragjike. Në qoftë se konfliktit të tanishëm nuk i gjendet më shpejt zgjidhja është e pritshme kriza, pasojat e së cilës tani për tani nuk mund të parashihen, së paku unë nuk mund t’i parashoh. E zgjidhja aq sa është e vështirë po aq mund të jetë edhe e lehtë.
E lehtë? Si e lehtë? Të hapen kutitë e votimit. Të shihet si është votuar në vendet ku kontestohet rregullsia e votimeve. Çdo pushtet demokratik, vërtet demokratik, do ta bënte këtë pa menduar as një ditë: do t’i hapte kutitë e votimeve. Shumë më e lehtë, shumë më e mençur, shumë më demokratike shumë më njerëzore është të hapen kutitë e votimeve e të shihet si është votuar në vendet ku kontestohet rregullsia e votimeve se të terrorizohet më shumë se gjysma e Shqipërisë, me refuzimin që të hapen ato kuti. Mjeti i demokracisë, dhe i kulturës është argumenti; dhe jo vetëm argumenti që njëherë i vihet në dispozicion opinionit, po argumenti që i vihet në dispozicion opinionit dy herë, tri herë, njëqind herë, në qoftë se e kërkon ai opinion. E në rastin për të cilin flasim nuk kemi të bëjmë me opinionin e një njeriu, një prijësi politik, një grupi njerëzish, po me opinionin e 65 deputetëve, me opinionin e qindra mijëra votuesve të tyre, me opinionin e më tepër se gjysmës së Shqipërisë e cila, megjithatë, ka votuar për Partinë Socialiste dhe për partitë e tjera të majta që mbahen me të.
E vështirë? Si e vështirë? Pse e vështirë? Pse është e vështirë zgjidhja e konfliktit të tanishëm politik në Shqipëri? Është e vështirë sepse Sali Berisha e bën, në të vërtetë e vazhdon politikën e tij të konfliktit, që është thelbi i politikës së tij, që është qenia e tij politike. Refuzimit për të hapur kutitë e votimit, ai, tani, ia ka shtuar fushatën kundër Edi Ramës, fushatën, pa dyshim, më të paskrupuj dhe më të poshtër në historinë e shtetit shqiptar dhe në historinë e politikës shqiptare në përgjithësi. Dhe, kjo fushatë është e përbërë prej atentatesh më të tmerrshme në Edi Ramën, në prindërit e tij, në familjen e tij në tërësi, në opozitën politike! Siç vepron gjithnjë Sali Berisha kundër kundërshtarëve të vërtetë apo kundër kundërshtarëve të imagjinuar politikë, në fushatat e tij të shpeshta ai i inkuadron të dëgjueshmit e tij dhe mediet e nënshtruara.
Për t’u bindur se si zbatohet fushata e tij e fundit shikojini mbledhjet e Kuvendit të Shqipërisë! Shikojini disa televizione të Tiranës! Shikojini edhe mbledhjet e qeverisë! Dëgjojini disa ministra në konferencat me gazetarët! Të dëgjueshmit, më saktë të quhen të nënshtruarit e Sali Berishës në Kuvend, në Kuvendin në të cilin nuk është asnjë deputet i opozitës që do të thoshte një fjalë mbrojtëse për Edi Ramën, e shfrytëzojnë institucionin më të lartë politik dhe moral të popullit shqiptar – e shfrytëzojnë Kuvendin e Shqipërisë për ta mposhtur, për ta varrosur njëherë e përgjithmonë politikisht dhe moralisht Edi Ramën, njeriun, i cili, megjithatë, si kryetar i Partisë Socialiste përfaqëson vullnetin e më shumë se gjysmës së popullit shqiptar në Shqipëri – për ta mposhtur e varrosur politikisht e moralisht me”të dhëna” e vlerësime të cilat , për çdo dëgjues mendjeshëndoshë, janë tepër të pandershme. Në atë Kuvend, në të cilin vendoset për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, në atë Kuvend në të cilin populli shqiptar pret të shohë e të dëgjojë njerëzit e vet më të ngritur , më të kulturuar, më të mençur, më të njerëzishëm, më shembulldhënës për të mirë, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, mbi tridhjetë e pesë minuta e zhvesh, e përtokë, e përul, e fyen, me teshë e koteshë, me baba e nënë, me grua e fëmijë, me miq e ithtarë, atë përfaqësues të vullnetit politik të më tepër se gjysmës së popullit shqiptar, që i thonë Edi Rama! Prej pikës gjeografike ku Sali Berisha e përbalti ashtu Edi Ramën e deri në Amazoni dhe prej Amazonisë e deri në Indi nuk mund të dëgjohet qerrexhi, i cili me aso fjalësh, me aq pështymë, dhe aq gjatë, do ta shante, pështynte, fyente qerrexhiun tjetër, që i duket se ia ka zënë rrugën! Dhe, mandej çdo ditë prej asaj dite turpëruese për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, prej 26 nëntorit e këndej, sa në Kuvend, sa në Qeveri,sa në takime me gazetarë të të gjitha medieve, gardianët partiakë të kryeministrit vazhdojnë të pështyjnë në Edi Ramën duke i përtypur gjithë fyerjet e prodhuara prej Sali Berishës dhe, natyrisht, duke iu shtuar fyerje të reja. Edhe më të neveritshme këtë fushatë e bën pjesëmarrja e grave deputete dhe zëdhënëse partiake. Ku në këtë botë mund të shihen zonja e zonjusha duke shqiptuar fjalë aq të ndyta dhe duke derdhur aq përbuzje e urrejtje para qindra mijëra dëgjuesve dhe shikuese! Ku në këtë botë mund të shpërdoret dhe ndotet ashtu Parlamenti i një Shteti dhe i një Kombi! Ku? Dhe kur? Kurrkund dhe kurrë! Kurrkund përpos në Shqipërinë e sunduar prej Sali Berishës! Hajde e mos e bë pyetjen shumë dhembjesjellëse: çfarë populli jemi ne që në Kuvendin tonë, që në institucionin tonë më të lartë politik dhe moral, çojmë edhe meshkuj të tillë, edhe gra a vajza të tilla, që me një gjuhë politike dhe psikiatrike aq të ndotur, aq poshtëruese, vrasin opozitën politike dhe, ashtu, duke ndotur Parlamentin, fyejnë rëndë popullin e vet! Duke i dëgjuar çka flasin e si flasin ato gra kam menduar: a kanë burra ato? A kanë prindër ato? A kanë fëmijë ato? A kanë motra e vëllezër ato? A kanë dikë ato që do t’u thoshte: a jeni në vete? Duke folur me atë gjuhë ndotëse e poshtëruese kundër Edi Ramës ju shumë më tepër po flisni për veten dhe për ne – bashkëshortët tuaj, prindërit tuaj, fëmijët tuaj, vëllezërit e motrat tuaja!
E marr me mend se një numër i lexuesve të kësaj bisede mund të mendojnë se Rexhep Qosja po mbron Edi Ramën. Jo. Rexhep Qosja nuk po e mbron Edi Ramën. Sa për Rexhep Qosjen, Sali Berisha dhe Edi Rama mund të hyjnë në ndonjë bodrum a mund të dalin në ndonjë pyll dhe të qërojnë hesapet si të duan: me kallashë, me revole, me shishe, me kazma, me sakica, me tërfurq – si të duan. Nga dy metra tokë katrorë ky popull do t’ua jepte – për varre.
Rexhep Qosja, si edhe shumë qytetarë të Shqipërisë e të Kosovës, si edhe shumë gazetarë e publicistë, po e mbron sërish Shqipërinë, po e mbron demokracinë e saj të dëshiruar, po e mbron kulturën e saj, që aq shumë janë të cenuara, të nëpërkëmbura, të shpërdorura, të ndotura, të fyera prej Sali Berishës dhe disa gardistëve të tij partiakë.
Dhe, po mbron nderin e qytetarëve të saj, vlerat etike të saj në të cilat Sali Berisha po shkel aq poshtërueshëm.
Dhe, po mbron Shqipërinë e shqiptarët prej një politike e cila, siç e tha Ambasadori i Danimarkës, Karsten Ankjaer Jensen, në intervistën e tij aq të rëndësishme për ne, po e mban Shqipërinë larg Evropës.
Dhe, po e mbron qytetarin e Shqipërisë prej luftës së pandërprerë, gati njëzetvjeçare, të forcave politike, po e mbron prej luftës politike partiake pa kurrfarë kufizimesh morale, e cila atë qytetar të Shqipërisë po e shtyp , po e traumatizon, po e shfrytëzon, po e nëpërkëmb, po e zhvlerëson, duke e bërë të kërkojë shpëtim kudo qoftë në botë – sa më larg prej atdheut të vet, prej atdheut të bërë çiflig i një numri njerëzish, disa prej të cilëve që tani mund të quhen njerëz të hurit e të konopit!
Nuk ka dyshim se fushata e Sali Berishës dhe e gardianëve e gardianeve të tij partiake kundër Edi Ramës dhe opozitës është vetëm ana e jashtme, e shëmtuar, e neveritshme, e përmbajtjes së sundimit të tij autoritar, despotik. Përmbajtja e këtij sundimi është shumë më e dëmshme, shumë më shkatërruese për shumicën e popullit shqiptar, sepse është përmbajtje, që e karakterizojnë:
-korrupsioni i shtuar në nivele të larta;
-trysnia e vazhdueshme mbi mediet dhe nënshtrimi i plotë i disave prej tyre;
-cenimi i pandërprerë i pavarësisë së gjyqësorit;
-largimi nga puna në sektorin publik i atyre që nuk çmohen partiakisht luajalë;
-mjerimi social ekstrem në të cilin jeton pjesë e madhe e popullsisë në qytete dhe në fshatra;
-mjerimi moral, domethënë shembja e vlerave;
-mjerimi mendor, domethënë indiferenca e pashembullt ndaj të drejtës e të vërtetës;
-propaganda e tipit stalinist përmbajtje kryesore e së cilës janë rrenat e vazhdueshme të kryeministrit;
-deliri fashist
-e të këqija të tjera.
Të gjitha këto e bëjnë sundimin e Sali Berishës të paligjshëm. Në vende demokratike, në të cilat politika dhe etika shoqërore ndërtohet mbi parimin e filozofisë së demokracisë: është mëkat të shtypësh e të keqpërdorish të tjerë, por gjithashtu është mëkat të durosh shtypjen e keqpërdorimin, Sali Berisha do të detyrohej të tërhiqej prej pushtetit. Në qoftë se këtë nuk do ta bënte vetë, atëherë do ta detyronte sovrani – populli që këtë ta bënte: me protesta dhe demonstrata si mjete të demokracisë.
Keni thënë se nuk po shfrytëzohen mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve. Si mund të rritet ky bashkëpunim dhe të forcohen këto lidhje?
-Me keqardhje më duhet të them se politika e Kosovës ndaj Shqipërisë është e njëanshme, dhe është e njëanshme sepse kryesisht është partiakisht e kufizuar. Kosova zyrtare sikur dëshiron të bashkëpunojë me një pjesë politike të Shqipërisë. Dhe, këtë mësim të gabuar Kosova zyrtare, fatkeqësisht, e mësoi prej Sali Berishës. Nuk është hiç e vështirë për të vërejtur se zyrtarët e Kosovës, se partitë kryesore të Kosovës, i shmangen bashkëpunimit me forcat politike të Shqipërisë, që quhen e majtë, megjithëse përmbajtja e të majtës dhe e të djathtës në Shqipëri (dhe në Kosovë) është shumë e lëvizshme. Mund të jepen mjaft shembuj për këtë të vërtetë. Po e tregoj një prej këtyre shembujve, që tregojnë shumë. Në Universitetin e Prishtinës u shpallën doktorë nderi, njëri pas tjetrit, kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi dhe kryeministri, Sali Berisha. Si figurë shkencore kryeministri Sali Berisha është i pa merita, kurse si figurë politike ai do të përmendet si njeriu i cili në çastet më vendimtare politike për ardhmërinë e Kosovës ka furnizuar Serbinë me naftën shqiptare, ka mbrojtur tezën e disa ndërkombëtarëve se Kosova mund të jetë vetëm autonomi në Jugosllavinë e mbetur, ka kundërshtuar Konferencën e Rambujesë, ka burgosur pjesëtarët e UÇK-së që ishin për t’u ushtruar në Shqipëri, kurse ata që mbronin idenë e luftës çlirimtare në Kosovë i kualifikonte terroristë. Pse atëherë u pengua shpallja e ish-kryetarit Rexhep Mejdani doktor nderi dhe u shpall doktor nderi kryeministri Sali Berisha? Sepse Rexhep Mejdani është i majtë, kurse Sali Berisha e Bamir Topi të djathtë.
Nuk ka dyshim se ngurrimi i zyrtarëve të Kosovës për nderimin universitar e shtetëror të të majtëve e kjo domethënë edhe për bashkëpunim me të majtën e Shqipërisë vetëm sa mund ta rrëgjojë, ta dëmtojë bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe vetëm sa mund ta kufizojë procesin e integrimeve kulturore dhe të përgjithshme shqiptare.
Kurrfarë arsyetimesh politike, kombëtare apo ndërkombëtare, për këtë ngurrim, në të vërtetë për këtë drojë prej të majtës shqiptare nuk ka dhe nuk mund të ketë. Opinionit kosovar do të duhej t’i bëhej me dije se edhe kryetari Bill Klinton, edhe kryetari Barak Obama shikohen si të majtë në opinionin amerikan dhe botëror; më në fund e majtë karshi Partisë Republikane është Partia Demokratike në SHBA. Të majta janë disa prej partive më të mëdha evropiane pavarësisht e kanë a nuk e kanë të shënuar cilësorin socialiste në emrin e tyre. Të majtë në Angli janë laburistët. Opinionit kosovar, sidomos, opinionit politik dhe kulturor kosovar do të duhej t’i bëhej me dije se të majtë ishin apo janë intelektualët më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Evropës, duke filluar prej filozofit të lavdishëm francez, Dekartit, Sartrit, Kamysë, Openhaimerit, Pikasos, Çaplinit e deri te Hoze Saramago, Gynter Grasi, dhe Gabriel Markezi. Droja jonë prej të majtës shqiptare nuk flet për kufizimet e saj po për paragjykimet dhe kufizimet tona.
Këto ditë Sali Berisha, kryeministri i Shqipërisë, e ftoi kryetarin e Serbisë, Boris Tadiç për të vizituar Shqipërinë. Çka mund të thoni për këtë ftesë?
Është në stilin e ftuesit!
Por, megjithatë, për këtë ftesë do të thuhej të mendohej seriozisht; dhe të flitej seriozisht. Ftesa që i bëhet kryetarit të Serbisë për të vizituar Shqipërinë sot flet për një politikë në të cilën mungojnë pjekuria dhe dinjitetit historik politik. Kjo ftesë, fatkeqësisht, tregon se sa lehtë Sali Berisha i shpërfill arsyet, ndjenjat dhe interesat e Kosovës. Ende nuk janë shëruar plagët e luftës! Ende nuk janë gjetur trupat e gjithë atyre që kanë vrarë e masakruar ushtria, policia dhe paramilitarët serbë! Ende Serbia vazhdon të cenojë rëndë tërësinë territoriale të Kosovës! Ende Serbia bën çmos për të penguar njohjen e Kosovës prej shteteve të ndryshme! Ende Serbia vazhdon të pengojë serbët e Kosovës që të njohin institucionet e Kosovës! Ende Serbia është palë akuzuese kundër Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë! Ende Serbia vazhdon t’i shantazhojë fqinjët e Kosovës që e kanë njohur Kosovën dhe do të donin të vendosin marrëdhënie diplomatike me të! Në qoftë se pranon të shkojë në Tiranë, kryetari i Serbisë, Boris Tadiç, edhe më vendosur se në Beograd do t’i thotë ftuesit, Sali Berisha, se sa i vendosur është ai dhe se sa e vendosur është Serbia për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës. Nuk e di, ftuesi, se Boris Tadiçi është biri i akademikut dhe filozofit, Lubomir Tadiç, i njohur jo vetëm si filozof po edhe si nacionalist serb, që me dhjeta vite ka marrë pjesë në ndërtimin e politikës antishqiptare serbe, qoftë edhe si mik i shkrimtarit Dobrica Qosiç.
Pse Sali Berisha bën lojëra politike të padinjitet mbi shpinën e Kosovës nuk më çudit. Por pse ftesën që iu bë a do t’i bëhet kryetarit serb për të vizituar Shqipërinë e miratojnë miqtë e mi, Sabri Godo dhe Paskal Milo, - këtë nuk mund ta kuptoj!
Në pranverë pritet të përfundojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë procesi i shqyrtimit të legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Si e shihni këtë proces dhe fundin e tij?
Shpallja e pavarësisë së Kosovës është akt juridik dhe politik i kryer, i njohur deri sot prej 64 shteteve, ndër të cilat janë shtetet me ndikimin më të madh politik dhe ekonomik në botë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Është e palogjikshme që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të ngrihet kundër politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. E drejta ndërkombëtare edhe është e ndërtuar mbi parime juridike dhe filozofike që njerëzimit ia kanë dhuruar filozofët e këtyre vendeve dhe rendet politike shoqërore që kanë ndërtuar këto vende.
“Bashkimin e bëjmë në BE”, është parulla e politikës zyrtare shqiptare sot kur flitet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. A mjafton kjo sipas jush?
Për fat proceset e mëdha, ngjarjet e mëdha, historike, shpesh ndodhin në mospajtim me parullat zyrtare. Edhe në vetë Kosovën, edhe në Shqipërinë, gjatë, shumë gjatë, deri në çastet e fundit, politika zyrtare ishte politikë autonomiste, domethënë politike kundër pavarësisë së Kosovës. E Kosova u bë e pavarur. Kështu do të jetë puna edhe me bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.
Cila është pesha e shqiptarëve sot në Ballkan?
Mjerisht, më e vogël se ç’do të mund të ishte realisht. Pesha politike, shoqërore, kulturore, demokratike, pesha e përgjithshme e shqiptarëve në Ballkan do të ishte e madhe sikur politika të mos ishte siç po shohim se është politika që bën kryeministri i Shqipërisë: politikë familjare në vend se politikë kombëtare; politikë e çastit në vend se politikë e historisë; politikë përçarëse në vend se politikë bashkuese; politikë burokratike në vend se politikë vizionare; politikë autoritare në vend se politikë demokratike; politikë e servilizmit në vend se politikë e dinjitetit.
Fund
Intervistoi: Avni Azemi
Gazeta Shqiptare
Prishtinë, 28. 12. 2009
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 168 vizitorë |
| Lexuar:
3,748 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
| |
| Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash... |
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34 Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur... |
| KRAHËT E SHQIPES |
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25 Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“
⁃ Kush është zonja. Ma... |
më shumë nga - Intervista » |
|
|
|
|
|