| Koco Devole: Artistët, në opozitë me qeverinë sepse bëjnë humor me politikën |
| Publikuar më 30 janar, 2010 në orën 01:54 ( ) |
Intervista | |
|
|
|
Nuk është një intervistë aspak e zakontë kjo, pasi përgjigjet plot sarkazëm të Koço Devoles kanë në majë të gjuhës batuta dhe humor. Nuk mund të ndodhte ndryshe për të kuptuar natyrën reale të një artisti humori, i cili rrëfen jetën e tij mes Shqipërisë dhe Amerikës, dëshirën e madhe për t’u kthyer në atdhe dhe frenimin e beftë që i vjen në mendje kur përballet me situatat plot humor që servir politika shqiptare dhe zhgënjimet që lindin nga mospërkrahja e krijimtarisë dhe prodhimit të komedive. Si një vëzhgues i mprehtë i fenomeneve, Koço Devole pohon se politika jonë prodhon shumë humor, aq sa batutat e saj bëhen pjesë e fabulave komike të skenarëve dhe skeçeve. Por, kjo është vetëm ana e mirë e medaljes, pasi ana tjetër tregon se artistët e humorit dhe tekstshkruesit e tyre kthehen në opozitë me politikën.
 Koço Devole Lexoni një rrëfim dinamik të jetës, karrierës së aktorit dhe regjisorit të humorit shqiptar, i cili pohon se pas shumë vitesh i është rikthyer “dashurisë së ...tij të parë”..., karikaturës!
Si nisi kjo ditë për ju?
Të them të drejtën, dita e sotme për mua nisi natën, aty rreth orës tre të mëngjesit, kur një nga komshinjtë e mi, që me siguri po vinte nga ndonjë banket i majmë, ngjiste shkallët duke kënduar me zë të lartë këngën “Shqipëria po ndryshon". Një tjetër komshi që u zgjua nga gjumi si puna ime, ia kthehu me këngën "Çohu, çohu, çohu!". Ky duel-duet që vazhdoi rreth pesë minuta, çoi në këmbë gjithë banorët e pallatit, të cilët u bashkuan në kor. Gjysma këndonte këngën "Shqipëria po ndryshon" dhe gjysma, "Çohu, çohu, çohu!". Ca bërtisnin "hapni kutitë", ca të tjerë "mbyllni more gojën". Është kënaqësi kur zgjohesh me këngë dhe protesta.
Ju jetoni në Amerikë? Keni menduar të ktheheni përfundimisht në Shqipëri?
Një mendje më thotë po, një mendje më thotë jo. Nuk e kam menduar thellë, por ju jap fjalën se do të thellohem.
Me çfarë merreni në Amerike?
Në përgjithësi... me asgjë!
Çfarë ndjen kur zbret në aeroportin e Rinasit dhe futesh për në Tiranë?
Është ajo ndjesi e këndshme që po vjen në vendin tënd, ku dëgjon shqip, ku ka njerëz që të njohin, të përshëndesin, të përqafojnë, dhe kjo, për ne të emigruarit nuk është pak. Respektin, mirënjohjen dhe dashurinë që të rrethon këtu, nuk e gjen kurrë atje. Në rrugët e Nju Jorkut njerëzit lëvizin si mizat e dheut. Çdo mizë shikon punën e vet. Ti je një prej atyre mizave.
Vitin e Ri ku e festuat, këtu apo andej?
Këtu me miqtë mi. Në Amerikë isha në nëntor. Andej festohet më bukur. Jo se në Shqipëri nuk festohen, po këtu festat vazhdojnë të ndara. PD-ja vazhdon ta festojë ditën e Çlirimit më 28, ndërsa PS-ja, më 29. Na mori në qafë ai gjermani i fundit! Kam dëgjuar që është ende gjallë. Është 89 vjeç dhe ka rreth dhjetë vjet që ka shkruar një libër me kujtimet e luftës në Shqipëri, por nuk po e boton akoma, pikërisht për datën e ikjes së tij nga Shkodra. Ka ndërhyrje nga të dy krahët politikë. Misionarët e PD-së i thonë: "Zotëri, ke ikur më 28", ndërsa ata të PS-së: "Jo zotëri, ke ikur më 29!". Hans Gryner e ka lënë të shkruar në testament datën dhe orën e saktë të ikjes së tij nga Shqipëria. Testamentin e ka kyçur në një kuti metalike, për të cilën ata të PS-së i thonë "Hape kutinë", ndërsa ata të PD-së, "Mos e hap!". Edhe kutinë e Hansit kishim mangët, në një kohë që po na zien koka për kutitë tona!
Ju jeni aktor, skenarist dhe regjisor i disa spektakleve e telefilmave televizivë. Kë do të veçonit si humoristin më të mirë, regjisorin më të mirë, kolegun më të mirë dhe mikun më të mirë?
Pyetje e gjatë dhe e vështirë, por do t'i përgjigjem. Si kolegun më të mirë do veçoja Agron Llakën, regjisorin më të mirë, Pëllumb Kullën dhe humoristin më të mirë, pa dyshim do të veçoja Filip Çakulin, i cili njëkohësisht është edhe miku im më i mirë. Me Cakulin kemi vite që njihemi, që kur kemi punuar bashkë në revistën "Hosteni". Filipi është një njeri që rrezaton orë e çast humor, e ka si deodorant, po kalove afër tij, e ndjen erën e humorit të Çakulit. Shumë prej materialeve të mia skenike apo televizive kanë "deodorantin" e tij.
Përmendët revistën "Hosteni", kam dëgjuar se vite më parë ju jeni marrë edhe me karikaturën...
Po. Ka qenë si të thuash "e dashura ime e parë", dhe e dashura e parë nuk harrohet. Mund të jenë të paktë ata që më njohin si karikaturist. U ndava prej saj rreth viteve '80. Tani them ta takoj përsëri dhe ta përqafoj. Kam ca kohë që kam nisur një cikël me karikatura nga jeta e politikanëve tanë. Po të dëshironi, mund t'ju sjell disa skica sa për një ilustrim të bisedës sonë.
I pres me kënaqësi. Pyetja në vazhdim: Jeni me humor vazhdimisht, apo ju kap ndonjëherë edhe pesimizmi?
Në Shqipëri është e vështirë që të jesh gjatë gjithë ditës optimist dhe në humor. Edhe në rastin më të mirë, diku dhe dikur do të prishet. Më kujtohet një festë me rastin e ditëlindjes sime. U mblodhën kolegë, miq e shokë pothuaj nga e gjithë Shqipëria. Gëzim më të madh për mua s'kishte. Të gjithë më takuan, më përqafuan, më respektuan dhe më uruan. Festa mbaroi dhe të gjithë duke më përshëndetur u hipën makinave dhe u larguan. Befas e pashë veten fillikat tek dera e lokalit, por gjithsesi i lumturuar dhe plot humor. Për dreq, atë ditë po binte edhe shi. Mirë makinë, por unë s'kisha as çadër. Me ngrohtësinë e festës dola nga lokali dhe nisa të ecja nëpër shi. Në bulevard kalonin makinat njëra pas tjetrës dhe unë dëgjoja përshëndetjet e tyre, "Koço na kënaqe, je i madh!", Faleminderit, i përshëndesja unë duke ecur në shi. Je i madh njeri, je i madh tjetri, mbyllnin xhamat e makinave dhe largoheshin drejt bulevardit. Ndërsa unë "i madhi" vazhdoja të ecja nëpër shi. Si nuk më mori njeri në makinë? Më mirë të isha "i vogël" dhe brenda në Benz, se sa "i madh" dhe në shi. Përtej xhamave të zyrave dhe dhomave të ngrohta ne që ecim në shi, jemi gjithmonë "të mëdhenj!?"
Kur jeni në Amerikë, i ndiqni lajmet, politikën?
Është e pamundur të shkëputesh nga ato që ndodhin në Shqipëri. Ne vërtet jemi në Amerikë, por jetojmë si shqiptarë, nuk rrimë dot pa fasule dhe politikë. Për politikën në përgjithësi dhe politikanët në veçanti edhe andej i zbrazim "thasët e sharjeve" njësoj si këtu. Nuk e marr vesh se ç'bëhet me "racën" tonë?! U bënë 18 vjet që vetëm po zbrazim "trastat" dhe "thasët e sharjeve" nëpër tavolina bisedash dhe asgjë më shumë. Edhe politikanët nëpër debatet televizive po me "thasët e sharjeve" në kurriz shkojnë përballë njëri-tjetrit. Zbraz ata, e zbraz ne! Jemi bërë të gjithë si punëtorë të ngarkim-shkarkimit të sharjeve. Ja, një karikaturë për shembull mund të ishte takimi Rama-Berisha, ku të dy me thasët e sharjeve në kurriz vijnë në një debat televiziv. Megjithëse ata kanë aq shumë për njëri-tjetrin, saqë mund të vijnë me riportabël të mbushur dëng me sharje!
Si e nisi rrugën e artit Koço Devole? Cili ishte roli i parë dhe si e kujtoni sot?
Roli im i parë ka qenë ai i Colit në filmin "Debatik". Ishte viti 1960, kur regjisori Hysen Hakani një ditë marsi hyri në klasën e 8-të B, së bashku me drejtorin e shkollës. Ai pasi i hodhi një sy të gjithë klasës, u afrua tek unë dhe më tha: "Ke qejf të luash në film?" Unë vetëm ngrita kokën dhe nuk fola. "Ke qejf, ke", - tha duke më shpupurisur flokët. Të nesërmen tek dera e shkollës erdhi një "Gaz 69", i cili më çoi në dyert e Kinostudios "Shqipëria e re". Kënaqësia që po hyja në botën e filmit ishte e pakufishme. Së bashku me aktorin Besim Levonja që do interpretonte rolin e karrocierit nisëm kinoprovat e më pas xhirimet deri tek episodi me pëllumbat. Më pas ndodhi hataja! Zëvendësdrejtori i atëhershëm i Kinostudios, shoku Todi Bozo sapo erdhi në sheshin e xhirimit dhe më pa mua, tha: "Ore Hysen, po ky djali është ca i madh në moshë për rolin e Colit! Ky duhet të jetë më i vogli ndër shokët! Gjej një tjetër!" Hyseni m'u afrua dhe më tha: "Mos u mërzit kaçurrel, e di unë atë punë. Nesër të jesh gati kur të vijë makina të të marrë". Për ditë e javë të tëra, unë me sytë e përlotur shikoja nga porta e shkollës, por "Gazi 69" nuk erdhi më. Ky pra ishte roli im i parë dhe takimi i parë me botën e artit. Më pas nisa të aktivizohem në teatrin e shkollës "8 Nëntori" e më vonë në trupën amatore të Klubit të Kulturës të Kombinatit të Tekstileve në Tiranë, ku interpretova për herë të parë rolin e djalit tek drama e Foqion Postolit, "Lulja e kujtimit". Më vonë pasuan interpretimet në dramat "Tri të shtëna pushke", "Heronjtë e vigut", "Dragoi i Dragobisë", "Banorët e shkallës nr.6". Në këto drama e komedi pata fatin të punoja me regjisorët e atëhershëm, Pandi Stillu, Zina Andri e deri tek i madhi Kujtim Spahivogli. Kaq mjafton për këtë pyetje, besoj!
Për publikun mbetet i paharrueshëm dhe i papërsëritshëm roli i Sillos. Ju vetë si e kujtoni sot jo vetëm rolin, por tërë filmin, që padyshim në gjininë e humorit do të mbetet një nga më të arrirët shqiptarë?
Faleminderit që bëni një përcaktim të tillë, por do të më falni t'ju bëj një vërejtje. Ju gazetarët mendoj se jeni shumë dorëlëshuar në epitetet që i ngjisni krijimtarisë dhe interpretimit artistik. Lexoj në gazeta dhe dëgjoj në ekran se të gjithë këngëtarët tanë janë "bilbila" të këngës popullore dhe aktorët, "yje" të skenës dhe të ekranit. Nuk ju duket se e kini mbushur ca si shumë qiellin e artit me yje dhe pyllin e këngës popullore me bilbila? Pylli ka edhe zogj të tjerë si gardalina, kanarina, harabela, kështu që ndonjë këngëtar mund të jetë edhe "harabel" i këngës popullore, apo jo? Për të mos thënë që kemi edhe "laraska" të këngës popullore dhe asaj të lehtë. Pak më dorështrënguar në etiketimet tuaja, se çfarë do thoshim për "bilbilat" dhe "yjet" përtej pyllit dhe qiellit të artit shqiptar?
Cili ka qenë shpërblimi që keni marrë nga gjithë puna juaj deri më sot?
Rroga mujore, ca honorare dhe duartrokitjet e publikut. Këto të fundit më kanë mbajtur gjallë. Dikur kam thënë, sikur çdo duartrokitje e publikut të ishte një "tullë", ne artistët sot do të ishim të gjithë me vila e ndoshta me fshatra turistike.
Është e vërtetë se në kohën e monizmit artistët në përgjithësi dhe aktorët në veçanti, kanë qenë shumë më të vlerësuar se tani?
Më se e vërtetë. Po pse? Sepse në atë kohë ne kemi qenë "ndihmës të Partisë" dhe doemos që Partia do na vlerësonte. Ndërsa sot jemi në opozitë, jemi kritikë ndaj Partisë në pushtet dhe qeverisë së saj. Dhe kur je kundërshtar i Partisë dhe i Qeverisë, është "e kuptueshme" që ajo nuk ka pse të të vlerësojë. Po të bëhesh ndihmës i Partisë dhe Qeverisë "Berisha", është "e kuptueshme" që do jesh shumë më shumë i vlerësuar.
Sot bëhen emisione me humor, cili është opinioni juaj për ta?
Po të rrimë drejt e të flasim shtrembër, nuk më pëlqejnë fare. Ndërsa, po të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt, u heq kapelën dhe i përshëndes.
Nuk mendoni se ka shumë banalizim dhe, a mund të pranohet banalizimi në art, konkretisht në humor?
Doemos që nuk pranohet. Por fillimisht duhet të sqarojmë një herë e mirë se ç'kuptojmë me banalen apo banalizimin. Nëse banale do të quanim një fjalë jashtë edukatës sonë, një fjalë të ndyrë, duhet parë se në ç'rrethana thuhet, si thuhet dhe kujt i thuhet. Nëse aktori, skenaristi apo regjisori kërkojnë me çdo kusht që të shkojnë tek batuta e ndyrë, kjo po që është banale dhe e papranueshme. Por nëse personazhi është në ato rrethana ku fjala e ndyrë i del nga shpirti, këtu nuk ka banale, as banalizim. Mos harroni se në të gjithë filmat amerikanë ke një "shit" apo një "fak-ju" dhe nuk na bën përshtypje. Pse? Një barcaletë: Në një fushë të ndarë me një gardh telash me gjemba kullosin nga njëra anë një lopë dhe nga ana tjetër një dem. Demi që kishte kohë që e shikonte lopën përtej gardhit, një ditë i hipën në kokë, kërcen gardhin me tela dhe i afrohet lopës. Si të quajnë? Lara Fjongokuqja, - i përgjigjet lopa, - por me që sot nuk e kam fjongon në kokë, më thirr shkurt Lara. Po ty si të quajnë? Mua më quajnë Dem Koqemadhi, por meqenëse koqet më mbeten tek gardhi, ti më thirr shkurt Dem. Tani, e zëmë se Demi do t'i thoshte Larës me edukatë: Mua me quajnë Demorgangjenitalmadhi, do kish ndonjë ndryshim? Nuk i pranon morali dhe edukata jonë. "Morali ynë?!" Mos ka pak si shumë hipokrizi brenda tij? Me këtë nuk dua të them që në skenat tona të vërshojnë fjalët e ndyra, jo, por ne kemi edhe një fjalë të urtë popullore që i shkon për shtat kësaj që po flasim: Gjella me kripë e kripa me karar. Kur ka shume "kripë" fjalësh të ndyra, doemos që "gjella artistike" nuk hahet, por edhe pa kripë fare mos na i lini "gjellët!".
Ku qëndron "e keqja", le të themi, e humorit sot tek skenarët, apo tek publiku që ndonjëherë pëlqen banalitetin?
Këtë punën e publikut-popull unë e shoh pak të ngatërruar. Ky mund të jetë debat pa fund. Varet se për ç'publik bëhet fjalë? Nëse në një sallë varieteje do të kishim vetëm shkrimtarë, poetë, shkencëtarë, mjekë, inxhinierë, me një fjalë intelektualë të mirëfilltë, padyshim që edhe humori do bëhej për ta, sigurisht nëse edhe stafi krijues dhe ai interpretues do ish në nivelin e tyre. Në rast të kundërt nuk do të funksiononte. Por nuk është kështu tek ne akoma. Këtu çdo gjë, duke nisur që nga politika, shkenca, kultura edhe arti, të gjitha i shkojnë për shtat nivelit të popullit. Ca gjëra duhet t'i pranojmë dhe t'i themi ashtu siç janë. Lenini, i vogël në trup dhe i madh në mendje, ka thënë që arti i takon popullit. Nuk do guxoja ta kundërshtoja këtë thënie të udhëheqësit të revolucionit, se do hapja debate të mëdha që mund të më ktheheshin në bumerang. Por, "e keqja" që thoni ju, për mendimin tim, këtu fillon. Do të thosha që i pari është publiku, pra populli. Ashtu si çdo gjini tjetër e artit, edhe humori bëhet për t'ia treguar publikut popull. Nëse populli e pranon, jemi në rregull, nëse jo, atëherë s'kemi bërë gjë. Nga ana tjetër, nëse pranojmë thënien se populli është turme, është kope, të na e thonë më të mençurit se për kë duhet të bëjmë humor? Për "kopenë", apo për "çobanët?" Ne vetë i kemi vendosur rregullat në shoqërinë tonë njerëzore. Ose më saktë, i kanë vendosur ata që kanë pasur pushtetin dhe ne kemi ngritur dorën në shenjë aprovimi. Bie fjala, seksi është i lejuar, prostitucioni që ka për bazë seksin, është i ndaluar. Nuk është pak kontradiktore ? Pra, nëse seksin që e lejon ligji do ta quanim produkt, prostitucionin që është nënprodukt i tij pse e ndalon ligji? Shkurt, qumështin-seks e lejon të pihet, prostitucionin-djathë, e ndalon të hahet?! Ec e merre vesh këtë punë!
Me sa di, po merreni me një serial televiziv, mund të na tregoni konkretisht disa detaje rreth tij dhe kur do të ketë kënaqësinë publiku ta shohë atë?
Më vjen keq për publikun që nuk do ta ketë këtë kënaqësi. Kam shumë frikë se ky serial nuk do të realizohet, sepse "ata" që e morën përsipër ta realizojnë bënë një "tërheqje taktike" dhe "pse-në" akoma nuk e kam marrë vesh. Seriali i titulluar "Natë me diell" është një lloj "Big Brother" jo në ambientin e mbyllur nga muret, por jashtë tyre, në natyrë, mes njerëzve dhe jetës së tyre.
Mendoni se tashmë i keni realizuar të gjitha ëndrrat që keni pasur?
Ëndrrat janë me qindra, ndërsa realizimet numërohen si gishtat e dorës të një zdrukthëtari të pakujdesshëm. Të realizosh ëndrra sot, duhet ta kesh qesen plot. Qesja jonë është shpuar me kohë, ose më saktë, e hapur nga të dyja anët. Të vetmit që mund të realizojnë ëndrrat sot janë miliarderët e mëdhenj, që i kanë nisur realizimet si milionerë fare të thjeshtë.
Si njohës i humorit, mendoni se humor më i mirë bëhej dje, (para viteve '90) apo sot?
Shumë kritikë arti janë shprehur se humori i vërtetë bëhet vetëm në diktaturë, si rrjedhojë e kësaj, edhe sot bëhet goxha humor i mirë.
Sa e ndiqni situatën politike në vend dhe cili është opinioni juaj, kush prodhon më shumë humor sot, jeta politike apo ajo sociale?
Pa e anashkaluar jetën sociale, padyshim humor prodhon jeta politike dhe politikanët. Humori në vetvete dhe artistët pas tij, janë gjithmonë në opozitë me qeveritë dhe qeveritarët e kujtdo krahu politik qofshin. Politikanët dhe qeveritarët, nuk është se nuk qeshin me ne, qeshin, por qeshin duke shtrënguar dhëmbët. Kjo puna e "dhëmbëve të shtrënguar" është pengesa më e madhe për humorin e vërtetë. U bë kohë e gjatë që ne vazhdojmë të bëjmë humor përpara "nofullave të shtrënguara". Humoristët duhet të dalin në një miting paqësor me parullat "Qeveritarë dhe politikanë, çlironi nofullat nëse doni të qeshni!"
Cila është këshilla që u jepni sot aktorëve të rinj?
Të jenë vetvetja. Të punojnë pareshtur, duke shkuar sa më shpejt drejt individualitetit të tyre artistik. Të jenë origjinalë, në asnjë mënyrë kopje. Të mos pranojnë të interpretojnë krijime dhe figura që i kanë bërë të tjerët më parë. Të mos imitojnë aktorë dhe programe të huaja duke i përshtatur ato në shqip; me një fjalë, të jenë krijues dhe jo përkthyes.
Intervistoi: ILDA LUMANI
G. SH
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 24 vizitorë |
| Lexuar:
3,425 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
| |
| Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash... |
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34 Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur... |
| KRAHËT E SHQIPES |
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25 Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“
⁃ Kush është zonja. Ma... |
më shumë nga - Intervista » |
|
|
|
|
|