Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Paskal Milo: Qeveria shqiptare të kërkojë rishqyrtimin e çështjes së “Incidentit të Kanalit të Korfuzit”
Publikuar më 03 shkurt, 2010 në orën 01:10 ( ) Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
Çështja e “Incidenti të Kanalit të Korfuzit” është një nga dashuritë e vjetra të historianit Prof.Dr.Paskal Milo. E në fakt, ajo është një çështje që përbën interes për gjithë. Kjo, pasi dokumentet e dala tashmë sjellin sot një panoramë të vërtetë, jo vetëm të historisë që ka ndodhur, por edhe të atij gjykimi të rëndë që ju dha Shqipërisë nga Gjykata Ndërkombëtare
e Hagës, ku Shqipëria u penalizua me pagimin e mbi 840 mijë stërlinave. Sot, nën dritën e dokumenteve, vërtetohet se anijet luftarake britanike kanë pasur qëllim provokimin e Shqipërisë.

Një fakt që bën po aq fajtore Britaninë e Madhe në atë incident. Dhe, këto nuk janë dëshira apo supozime të fanatikëve, siç është shkruar së fundmi në disa blogje shqiptare. Përkundrazi. Historiani Paskal Milo ka një mal të tërë me dosje e dokumente në lidhje me këtë çështje (madje, i ka marrë ato me vete edhe gjatë takimit tonë). Dokumente, që së shpejti do të botohen në një libër nga zoti Milo. Por, gjithashtu dokumente që do t’i shërbenin qeverisë shqiptare për të kërkuar rihapjen e gjykimit të kësaj çështjeje nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, çka do të thotë që ndoshta një ditë do të na kthehet në mos i gjithë, një pjesë e mirë e atij ari që iu mor padrejtësisht Shqipërisë!

Zoti Milo, ditët e fundit “Gazeta Shqiptare” ka botuar disa dokumente për “Incidentin e Kanalit të Korfuzit”. Ju keni vite që i jeni përkushtuar kësaj çështjeje, zbulimi i këtyre dokumenteve, çfarë të rejash sjell?

Si studiues i historisë diplomatike të Shqipërisë, ‘Incidenti i Kanalit të Korfuzit’ është një dashuri e vjetër për mua. Në mënyrë të veçantë, unë jam angazhuar plotësisht me të pas vitit 1990, kur shkova posaçërisht për kërkime arkivore në arkivat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë dhe në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, përpos edhe konsultimit të dokumenteve arkivore në arkivin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Madje, vitet e fundit kam arritur të gjej edhe një pjesë të dokumenteve arkivore që ruhen në arkivin e Beogradit në lidhje me ‘Incidentin e Kanalit të Korfuzit’. Kur shkova në Moskë dhe fillova kërkimet, u befasova nga ato çfarë gjeta atje dhe kur u ktheva në vitin 1994, botova një pjesë të atyre dokumenteve që kisha gjetur, të cilat shkaktuan një pakënaqësi dhe revoltë tek mjaft njerëz, që ishin mësuar ta dëshmonin historinë e incidentit të Kanalit të Korfuzit sipas skemës së vjetër që mbronte regjimi komunist. Kur shkova në arkivin e “Forin Office”, aty gjeta dokumente të tjera të cilat ishin me shumicë për ‘Incidentin e Kanalit të Korfuzit’. Sigurisht, jo të gjitha ishin të deklasifikuara, por ato përbëjnë edhe sot korpusin kryesor ku unë mbështetem në shpjegimin e kësaj historie. Për herë të parë aty gjeta dokumente të cilat shpjegonin fare qartë që, qeveria britanike në verën e vitit 1946, pas incidentin të parë në Kanalin e Korfuzit në maj të po atij vitit, po planifikonte të provokonte qeverinë shqiptare me një kalim të dy anijeve ushtarake të saj përmes vijës së lundrimit në veri të Kanalit të Korfuzit, me qëllim që të shikonte reagimin e qeverisë shqiptare. Madje, dokumentet janë kaq të qarta dhe urdhrat e qeverisë angleze me miratimin e kryeministrit të asaj kohe, Clement Attlee, saqë nuk vihet fare në dyshim që sedra e prekur e britanikëve kërkonte shpagim. Prandaj, ata e organizuan kalimin e dytë të anijeve britanike në 22 tetor, pasi ishin përgatitur për muaj të tërë për ta bërë një gjë të tillë. Por, kërkimi i dokumenteve dhe konkluzioni që unë arrita në vitin 1994, është që qeveria shqiptare kishte pjesën e vet të fajit, por në radhë të parë fajtore për incidentin ishte edhe qeveria britanike. Fakt që u vërtetua përfundimisht në vitin 2004, kur studiuesi anglez, Anthony Carty botoi në një revistë shkencore të titulluar "Ligji dhe praktika e gjykata ndërkombëtare" ("The Law and Practive International Courts and Tribunals"), në Holandë, një studim për 'Incidentin e Kanalit të Korfuzit', mbështetur në dokumentet e reja britanike që ishin zbuluar në arkivin e Admiraliatit britanik. Këto dokumente, siç edhe unë bëra të njohur dy muaj më parë në një emision, dëshmonin përfundimisht atë që unë kisha konstatuar fillimisht që në vitin 1994, që qeveria britanike e bëri qëllimisht kalimin në ujërat territoriale shqiptare. E reja që ky dokument i studiuesit britanik, i botuar në vitin 2004 solli, ishte se qëllimisht iu fsheh Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës diskutimi i brendshëm dhe urdhri që i ishte dhënë Admiraliatit britanik që të kalonte në koordinata të cilat ishin brenda ujërave territoriale shqiptare. Dhe, në atë kohë diskutimi mes kryeministrit britanik, ministrit të Jashtëm, Admiraliatit dhe prokurorit të përgjithshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, u fsheh, sepse në qoftë se do të çohej ky dokument në Hagë, gjykata nuk mund të merrte atë vendim që mori në vitin 1949. Vendim, në bazë të së cilit, Shqipërinë e gjeti fajtore për vënien e minave dhe e dënoi me mbi 840 mijë lira stërlina për shkak të këtij incidenti.

Duke pasur gjithë këto dokumente tashmë, që vërtetojnë se kalimi i anijeve britanike në Kanalin e Korfuzit ka qenë provokues dhe se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës ka qenë i njëanshëm, a duhet që kjo çështje të rihapet në Hagë?

Mendoj që këto dokumente, tashmë të njohura prej vitesh, kanë krijuar tablonë e plotë për të gjykuar përfundimisht rreth 'Incidentit të Kanalit të Korfuzit' dhe që më çojnë mua në konkluzionin se është e nevojshme, për hir të së vërtetës historike, që të rihapet gjyqi i Hagës për çështjen e 'Incidentit të Kanalit të Korfuzit'. Kjo, për arsyen sepse tashmë një pjesë e mirë e vendimit të atij gjyqi, përmes dokumenteve të reja, hidhet përfundimisht poshtë, pra hidhet poshtë konkluzioni i Gjykatës se, kalimi në 22 tetor të vitit 1946 i anijeve luftarake britanike në Kanalin e Korfuzit ka qenë jashtë ujërave territoriale të Shqipërisë. Pra, kjo do të thotë që qeveria britanike mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe ka bërë një shkelje të qëllimshme në ujërat territoriale të Shqipërisë, duke provokuar Shqipërinë, në atë kohë vërtet një vend i vogël dhe i pavarur, por që kishte të drejtë të ruante sovranitetin dhe tërësinë e tij territoriale.

Sipas kësaj, qeveria shqiptare duhet të rihapë gjyqin për të ndryshuar vendimin që i mbajti Shqipërisë arin...?

Çdo qeveri shqiptare, cilado qoftë ajo, demokratike në rastin e sotshëm, socialiste dje apo nesër, duhet që këtë çështje ta ngrejë me forcë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe të kërkojë rishqyrtimin e saj jo thjesht e vetëm për hir të së vërtetës historike, por mbi të gjitha edhe për shkak të të gjitha atyre dëmeve që solli gjykimi ndaj Shqipërisë në bllokimin e arit monetar shqiptar dhe në prishjen e marrëdhënieve mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë. Pra, këtu është çështje ndërgjegjeje kombëtare dhe detyrë kombëtare e çdo qeverie që ta kërkojë rigjykimin e çështjes, pavarësisht se ngjarja ka ndodhur në një kohë dhe përgjegjëse u bë një qeveri, që për dikë mund të mos pëlqehet për nga natyra ideologjike dhe politike, por që në këtë çështje ajo ka mbrojtur interesat kombëtare të vendit.

Duke u rikthyer tek historia e 'Incidentit të Kanalit të Korfuzit', Shqipëria në atë kohë nuk kishte mina, madje edhe Gjykata e Hagës nuk arriti të vërtetonte kush i vendosi minat, pavarësisht aludimeve. Në studimet tuaja dhe dokumentet që keni gjetur, a e keni hasur këtë çështje?

Ka një dokument në arkivat britanike që unë e kam midis shumë të tjerave, ku që në qershor të vitit 1946, pra gati një muaj pasi ka ndodhur incidenti i parë, diskutohet në "Forin Office" dhe në Admiraliatin britanik në lidhje me reagimin që mund të ketë qeveria shqiptare në rastin e një kalimi të dytë të anijeve britanike nga i njëjti vend. Aty supozohet se në rast se qeveria shqiptare do të urdhëronte bateritë e saj bregdetare që të qëllonin përsëri anijet britanike, atëherë anijet britanike do të riktheheshin, por me forcë duke goditur këto bateri bregdetare shqiptare dhe po në këto dokumente supozohet se, qeveria shqiptare nuk ka mjete mine dhe silura që të pengojë kalimin e anijeve ushtarake britanike. Megjithatë, një nga diplomatët që merrej posaçërisht me këtë çështje në "Forin Office", Howard dyshon për këtë gjë dhe këtë dyshim e shpreh qartë, që do të thotë se është në kundërshtim me mendimin e Admiraliatit britanik, që qeveria shqiptare mund të mos kishte mina ose mjete të tjera për të penguar kalimin e anijeve britanike.

Po, në fakt ku i gjeti Shqipëria minat?

Kjo është një histori më vete, të cilën unë e kam shpjeguar në disa raste, mbështetur në dokumentet që unë gjeta në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Asutrisë, në vitin 1994 dhe në shqyrtimin e detajuar të disa dokumenteve arkivore këtu në Shqipëri. Shqipëria, është e vërtetë, që në atë kohë nuk kishte mina dhe anije minavënëse apo edhe minaheqëse. Por, vendimi për të mbrojtur vijën bregdetare shqiptare nga provokacione të ndryshme që kryheshin në atë kohë, qoftë nga pala greke, qoftë nga pala britanike, u mor në verën e vitit 1946, ose më saktë, gjatë vizitës që Enver Hoxha bëri në Beograd në muajin qershor, ku ai e diskutoi këtë çështje gjerësisht me udhëheqësin jugosllav të asaj kohe, Josif Boris Tito. Shprehimisht, në dokumentet që kam gjetur për këtë takim, Tito i sugjeron Enver Hoxhës që, për të mbrojtur kufirin bregdetar të Shqipërisë që nga Durrësi deri në Sarandë, veçanërisht në rajonin e Sarandës dhe Kanalit të Korfuzit, duhet të merreshin masa të rrepta. Për këtë Tito i premton që t'i dërgojë së shpejti në Shqipëri një ekip specialistësh jugosllavë për ta shqyrtuar çështjen sesi do të mbrohej kufiri dhe me çfarë mjetesh. Këta specialistë kanë ardhur në Shqipëri dhe në shtator të vitit 1946, sipas edhe dokumenteve arkivore, kanë bërë një marrëveshje midis qeverive shqiptare dhe asaj jugosllave, gjoja për lundrim midis Kotorrit dhe Sarandës, ku do të vendoseshin anije turistike për të kamufluar lëvizjen e anijeve ushtarake jugosllave që do të kryenin minimin e Kanalit të Korfuzit.
Dokumentet që unë kam gjetur më vonë, pasi incidenti kishte ndodhur dhe qeveria shqiptare do të përballej e vetme, qoftë në marrëdhëniet me Britaninë, qoftë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, qoftë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, dëshmojnë fare mirë që minat ishin vendosura nga anijet ushtarake jugosllave, me dijeninë e plotë të qeverisë shqiptare.

Jugosllavia u prek në këtë çështje gjatë gjykimit në Hagë?

Qeveria shqiptare u akuzua në Gjykatë që ose i ka vendosur vetë minat ose ka dijeni për vendosjen e tyre nga një palë e tretë. Ky ishte edhe konkluzioni i Gjykatës, por pala e tretë nuk përmendej askund, por aludohej se ishte Jugosllavia. Kjo mbeti një çështje e paargumentuar, ndonëse dëshmitarë pati në gjyq. Ishin dy jugosllavë, një marins dhe një oficer marine, që në atë kohë thanë që ne kemi qenë dëshmitarë që janë ngarkuar mina të tipit gjerman të cilat janë drejtuar për në Shqipëri. Sidoqoftë, kjo nuk ishte një dëshmi e mjaftueshme për ta thënë dhe akuzuar drejtpërsëdrejti Jugosllavinë, por gjithsesi konkluzioni zyrtar ishte ky: "Qeveria shqiptare, në të dyja variantet mbetet fajtore; ose i ka vënë vetë, ose e di kush i ka vënë minat në territorin e saj ujor". Nuk duhet harruar që në Shqipëri, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës në atë kohë dërgoi edhe një ekip inspektorësh që inspektoi gjithë zonën për 'Incidentin e Kanalit të Korfuzit', për të gjykuar nëse vendosja e minave nga një anije natën mund të shihej nga pika të ndryshme të bregdetit shqiptar. Gjatë inspektimit ata vërtetuan që "Po", mund të shihej në qoftë se qeveria shqiptare nuk i kishte vënë vetë minat.
Ndërkaq, ka dokumente që pohohet drejtpërsëdrejti bashkëpunimi i qeverisë shqiptare me autoritetet jugosllave për vendosjen e minave. Është një takim që Enver Hoxha (gjatë vizitës së tij në Moskë në vitin 1947), ka bërë me zëvendësin e Stalinit, Molotovin. Ky i fundit i ka tërhequr vëmendjen udhëheqësit shqiptar që, "veprime të tilla si ato që ndodhën, që bëtë me jugosllavët për minimin e Kanalit të Korfuzit, nuk duhet të bëni më pa dijeninë tonë". Ka edhe një dokument tjetër që i referohet një bisede të Hysni Kapos, në atë kohë zëvendësministër i Punëve të Jashtme me ambasadorin sovjetik në Tiranë, ku i kërkohet diplomatit sovjetik që të komunikojë në mënyrë urgjente me Moskën, me qëllim që ajo të ndërhynte në Beograd që të hiqeshin minat e mbetura në Kanalin e Korfuzit apo në vende të tjera ku ishte bërë minimi i ujërave territoriale para se të vinin inspektorët e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Dua të nënvizoj se, minat ishin vendosur jo vetëm në Kanalin e Korfuzit, por edhe në portin e Durrësit e portin e Vlorës, sepse rreziku sipas autoriteteve shqiptare të kohës, për ndërhyrje nga ana e britanikëve apo edhe të të tjerëve në atë kohë, ekzistonte jo vetëm në Jug, por në të gjithë vijën bregdetare shqiptare.

Zoti Milo, gjithë këto dokumente dhe fakte që keni mbledhur gati gjatë dy dekadave të fundit lidhur me këtë çështje, a do të shohin një ditë dritën e botimit në një libër të veçantë?

Unë kam kohë që po merrem konkretisht, dhe së shpejti do të botoj një libër në lidhje me 'Incidentin e Kanalit të Korfuzit', duke u përqendruar më tepër në vështrimin diplomatik të çështjes, dhe jo në analizën teknike të problemit (për shkak se mendoj se nga pikëpamja teknike është diskutuar dhe shkruar mjaft). Ajo që është e panjohur për opinionin e gjerë publik, është pikërisht intriga diplomatike rreth incidentit dhe zbulimi i dokumenteve të reja që do ta bënin të mundur një libër të tillë për këtë çështje mjaft interesante, jo vetëm për publikun shqiptar, por edhe për atë të huaj. Aq më tepër që është një detyrë jo vetëm për mua, por edhe për studiues të tjerë shqiptarë në këtë rast, që në dritën e dokumenteve të tjera të zbulojmë përfundimisht të vërtetën historike dhe pa dashur të përmbysim një interpretim të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, plotësisht të vëmë në dukje domosdoshmërinë e rishikimit të këtij vendimi, thjesht për shkak të objektivitetit historik. Besoj se në këtë drejtim, të gjithë ata që janë marrë dhe po merren me historinë e 'Incidentit të Kanalit të Korfuzit' janë duke kontribuar në një mënyrë apo në një tjetër, dhe ndërmjet tyre unë do të jap ndihmesën time modeste.

Ilda Lumani

Gazeta Shqiptare

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 28 vizitorë
Lexuar: 2,821 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi