| LOTËT E KROKODILIT SERB NË NJU-JORK PËR KOSOVËN SHQIPTARE! |
| Publikuar më 05 shkurt, 2010 në orën 00:45 ( ) |
Prof. Dr. Mehdi Hyseni | Opinion | |
|
|
|
BAROMETRI DIPLOMATIK
*** Sa më parë Serbia ta harrojë Kosovën, aq më mirë është për interesin e saj të përgjithshëm. Ndryshe, së shpejti, do t’i humbasë edhe kolonitë e fundit shqiptare, siç janë Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, sepse, edhe këto kanë të njëjtin fat historik, ashtu, sikurse Kosova, janë pjesë integrale të tërësisë territoriale të Shqipërisë Etnike.
*** Tanimë, Serbia e ka të qartë se e ka humbur Kosovën-koloninë e saj 100-vjeçare, mirëpo, titullarët e saj më të lartë dhe më të zhurmshëm, siç janë kryetari Boris Tadiq dhe ministri i Jashtëm Vuk Jeremiq po “çojnë pluhur” dhe mjegulla të dendura propagandistike, politike dhe diplomatike në sy të opinionit të brenshëm dhe ndërkombëtar, jo për ta mbrojtur Kosovën (sepse, siç thotë populli ynë i urtë, Kosova “hangër fiq e vdiq” për Serbinë), por për t’i ruajtur edhe më tej, të paprekura nën sovranitetin e saj kolonial: Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën.
 Këtë politikë antishqiptare, propaganda, diplomacia dhe politika kolonialiste serbomadhe po e zhvillon furishëm dhe, në mënyrë agresive, për shkak se, tanimë, e ka shumë të qartë faktin se, me rënien e kryekështjellës së kolonizuar-Kosovës, së shpejti, nga merimanga e sundimit kolonial serb, do të shthuren edhe territoret e tjera etnike, të populluara me shqiptarët autoktonë, siç janë Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.
Po, Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët, as Amerika e Bill Klintonit, e Xhorxh W. Bushit dhe e Presidentit aktual Barak OBAMA, as Bashkimi Evropian (BE) e as NATO-ja nuk janë fajtorë, pse të gjithë kryetarët e serbive dhe jugosllavive të derisotme mbretërore, kolonialiste, fashiste, socialiste, komuniste dhe “demokratike” së bashku me Kishën Ortodokse Serbe dhe me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve Serbe, në vazhdimësinë historike (1912-2010) e kanë gënjyer dhe e kanë mashtruar popullin serb dhe vetëvetën, ashtu sikurse sot, që janë duke genjyer dhe mashtruar Boris Tadiqi (kryetari aktual i Serbisë) dhe Vuk Jeremiqi (ministër i Jashtëm i Serbisë se “Kosova është djepi, zemra, shpirti, territori i Serbisë”!
Kjo gënjeshtër, ky manipulim dhe ky vetmashtrim i qarqeve shtetërore politike, diplomatike, juridike dhe ushtarake; i elitave akademike shkencore dhe i politikës së kakofonisë dhe të simfonisë së Kishës Ortodokse Serbe, në asnjë formë nuk përbajnë bazamentin historiko-juridik dhe politik shkencor se “Kosova është provincë e Serbisë”, sepse kryekëput mbështetet në rrenën e krijuar vetëmashtruese më se 100-vjeçare(1912-2010), të ilustruar me mite, me përralla dhe me thashetheme gojore të popave të ndryshëm serbë dhe të Vuk Karaxhiqit etj.
Si rrejdhim, rrena, përrallat dhe mitologjia e idhujtarive serbe, nuk janë prova materiale as për historinë, as për drejtësinë e as për politikën ndërkombëtare, kur është fjala për të vërtetën e Kosovës shqiptare, që i përket Shqipërisë Etnike, jo Serbisë kolonialiste dhe gjenocidale (1912-1999).
Problemi nuk është Kosova shqiptare, por rrena e sajuar me shekuj serbomadhe për shpërfytyrimin historik, faktik, juridik, politik, etnik, territorial, kulturor dhe shtetëtror të identitetit të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike, duke përfshirë në radhë të parë Kosovën si pjesë të saj, që dikur shtrihej deri në Nish, ku sot nuk ka asnjë frymë shqiptare, si rrjedhim i institucionalizimit dhe i ushtrimit të gjenocidit kolonialist serbomadh të Beogradit (1844-2010).
Sa Serbia kolonialiste gjenocidale e ka asimiluar, shfarosur dhe dëbuar sistematikisht popullsinë shqiptare nga vatrat e tyre stërgjyshore të Anamoravës së Shqiërisë Etnike, këtë, mbi të gjitha e dëshmon edhe rrudhja e territorit etnik shqiptar, që sot, si kujtim historik dhe faktik ka ngelur vetëm një pjesë e vogël e tij-trekëndshi Preshevë-Bujanoc-Medvegjë me disa qindra e mijëra shqiptarë, të cilët nuk gëzojnë kurrfarë të drejtash dhe lirish elementare nacionale, politike, demokratike e as jurdike ndërkombëtare sikurse minoritetet tjera në Evropë.
Për mosndryshimin e statusit robërues të shqiptarëve të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës nuk është fajtore vetëm Serbia, por edhe Kosova, edhe Shqipëria, të cilat fare nuk janë angazhuar që të definohet statusi i autonomisë politike dhe kulturore i shqiptarëve në Kosovën Lindore, në përputhje me të drejtën historike dhe me të drejtën ndërkombëtare.
Pse tandemi Tadiq-Jeremiq dhe patriarku Irinej ende e vajtojnë Kosovën shqiptare, sepse duan që ta “mjelin” edhe 100 vjet të tjera!
Sipas “referatit” denoncues të kryetarit serb Boris Tadiq, në llogari të pavarësisë së Kosovës, të paraqitur në Seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, bërë më 22 janar 2010, del se: “ Qëndrimi ynë parimor lidhur me statusin e ardhshëm të provincës sonë, është guri themeltar. Serbia, nën kurrfarë rrethanash, implicite ose eksplicite, kurrë nuk do ta njohë deklaratën unilaterale të pavarësisë së Kosovës. Ky është një imperativ kushtetues, si dhe detyrë jona morale, historike dhe demokratike. Mbi këtë bazë fundamentale, populli është i bashkuar në një. Deklarata unilaterale e pavarësisë së Kosovës e ka ndarë botën nga Ballkani. Kjo ka sjellë në pikëpyetje parimet fundamentale të sistemit të sotëm ndërkombëtar, me gjithë përpjekjet për të konsoliduar të arrirat demokratike në rajon.” (www.b92.com, 22.01.2010).
Këtë gënjeshtër shekullore se “Kosova është e Serbisë”, Tadiqi, Jeremiqi, patriarku Irinej, Vladika Artemije, qeveria, parlamenti dhe akademia së bashku me akademikët serbomëdhenj mund ta përsërisin sa të përsërisin me miliona herë, mirëpo, Kosova-kolonia e tyre e dikurshme, nuk ka asnjë gjasë të kthehet nën Serbi, sepse këtë, kurrë nuk do ta pranojnë shqiptarët, as Kosova, as Shqipëria, as Amerika, as BE-ja e as NATO-ja. Kosova për Serbinë ka të njëjtin kuptim de fakto dhe de jure, sikurse Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, të cilat përfundimisht janë shkëputur nga Serbia.
Kur edhe e Mali i Zi është shkëputur nga Serbia “ dva oka na glavi” të “Jugosllavisë” së Slobodan Milosheviqit, po ç’kërkojnë shqiptarët dhe Kosova nën Serbi, kur nuk kanë asgjë të përbashkët me të, veçse sundimin, terrorin, gjenocidin dhe shfrytëzimin 100-vjeçar të saj. Kjo është e vetmja simetri e dhunshme, që dikur ilegalisht dhe me forcë, e bashkonte Kosovën me Serbinë, ashtu sikurse po ndodhë tash me shqiptarët e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me Serbinë veç sundimit dhe shrytëzimit kolonialist dhe ekspansionist nga Serbia e sotme “demokratike” e Boris Tadiqit.
Sipas Modelit të “Dy Gjermanive” të Volfgang Ishingerit, Kosova edhe më tej mbetej nën sovranitetin territorial dhe shtetëror kolonial të Serbisë!
Fundja, kush iu ka faj tadiqëve, koshtuniqëve, jeremiqëve, që nuk dijnë të bëjnë politikë në favorin e politikës së tyre kolonialiste serbomadhe, ashtu sikurse dikur kryeministri Nikola Pashiq... në dëm të territoreve indigjene të Hungarisë, të Kroacisë dhe të Shqipërisë.
Rastin historik (trenin e fundit), që ta ruajë koloninë e vet 100-vjeçare, Serbia e ka pasur, sikur ta kishte pranuar Planin e Volfganing Ishingerit (përfaqësues i “Treshit” të BE-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës, më 2007) të “Dy Gjermanive”, sipas të cilit “Kosova mbetej nën Serbi”.
Mirëpo, me gjithë faktin se negociatorët e palës shqiptare kishin shprehur gatishmëri për miratimin e tij, para se ai të bëhej publik për debatim midis dy palëve në konflikt, fati e deshi, që Beogradi zyrtar me sinjalizimin “JO” të Moskës, e refuzoi, para se të shtrohej në tryezën e gjelbër të bisedimeve në Vjenë, më 20 nëntor 2007.
Kjo “JO” e palës kundërshtare serbe, i ka shpëtuar nga përgjegjësia historike “kontraktuesit” negociues të palës shqiptare. Ndryshe, do të bëheshin “teslim”, sikurse me rastin e miratimit të Planit të Marti Ahtisarit, i cili, me fajin e “kontarktuesve” politikë shqiptarë, edhe e pezulloi zbatimin e Referendumit të popullit shqiptar të Kosovës, që i garantonte realizimin e plotë të së drejtës së vetëvendosjes.
E, tash, çfarë po kërkon Serbia, pas tretjes së shansit historik (para se të zgjidhej statusi politik i Kosovës) sipas Planit “Gjermani-Gjermani” (1972), të propozuar nga Volfgang Ishinger (të cilin si ide propozuese nuk e ka kundërshtuar as përfaqësuesi amerikan në kuadrin e “Treshit” të BE-së? – Po kërkon “ringjalljen” e Planit të “Dy Gjermanive” të Wofgang Ishingerit të vitit 2007, në mënyrë që, diç të fitojë si kompensim politik për shkëputjen e Kosovës nga raporti i saj kolonial shekullor, më 17 shkurt 2008.
Mirëpo, teorikisht dhe praktikisht kjo kërkesë politike postfestum, është e parealizueshme, ashtu sikurse Plani Z-4 për njohjen e autonomisë së gjerë politike të minoritetit serb në Kroaci(1995) të cilin çetnikët agresorë serbë e patën refuzuar, duke e dëgjuar politikën e verbër kolonialiste të regjimit fashistoid dhe diktatorial komunist të Serbisë së Slobodan Milosheviqit, edhe pse kryeminitri i së ashtuqujaturës Republika e Krainës Serbe(RKS), Milan Babiq kishte deklaruar se e kishte pranuar atë( 3 gusht 1995).
Duke qenë se në politikë nuk ka riprovim, tash, rrota historike nuk mund të kthehet prapa, në mënyrë që serbomëdhenjtë t’i korrigjojnë gabimet e tyre të politikës kolonialiste në dëm të Koracisë dhe të Kosovës.
Edhe pse Beogradi po i nxit serbët, që t’i rikthehen kërkesës për miratimin e Planit Z-4, të dikurshëm, të propozuar nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, mirëpo, kjo është një gjë e kotë dhe absurde, sepse Kroacia nuk do të pranojë kurrfarë kërkese të tillë stereotipe, të cilën e ka shkelur koha, si pasojë e refuzimit kategorik të saj nga ana e Beogradit.
Gjithashtu, qarqet e larta zyrtare të Beogradit, si dhe qeveria dhe kuvendi i Serbis, duhet ta kenë të qartë se, pavarësisht, çfarë vendimi do të miratojë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, nuk mund të kthehet në rishqyrtim as pavarësia e Kosovës, e cila është miratuar nga SHBA-të, nga BE-ja dhe nga një numër i madh i shteteve të bashkësisë ndërkombëtare, sepse është në përputhje me të drejtën historike të popullit shqiptar mbi Kosovën dhe me parimet fundamentale të së drejtës ndërkombëtare në favor të shkolonizimit dhe të vetëvendosjes së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, i cili nuk është krijuar me gjenocid, me agresion dhe me forcë sikurse Republika Serbe në Bosnjë, por me paqe dhe me mjete demokratike, ashtu siç diktojnë normat, rregullat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.
______________________
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 46 vizitorë |
| Lexuar:
1,207 herë
|
|
|
|
|
|
|