| STOP VRASJEVE DHE SHTYPJES SË RINISË SHQIPTARE! |
| Publikuar më 05 shkurt, 2010 në orën 18:42 ( ) |
Ramadan PLLANA | Opinion | |
|
|
|
RIBOTIM
UNMIKUT, KFORIT, QEVERISË SË KOSOVËS, EKIPIT TË UNITETIT, PARLAMENTIT TË KOSOVËS DHE PARTIVE POLITIKE TË KOSOVËS
STOP VRASJEVE DHE SHTYPJES SË RINISË SHQIPTARE!
Thellësisht i revoltuar dhe i pikëlluar, njëkohësisht i brengosur për të ardhmen e kombit tonë, me zë të lartë e shpreh revoltën time ndaj vrasjes së dy të rinjve liridashës, Man Balajt dhe Arben Xheladinit, goditur më 10 shkurt 2007 nga plumbat mizorë të vrasësve të lirisë e demokracisë shqiptare !
E di se ka reagime të shumta kundër kësaj dhune ushtruar ndaj rinisë dhe popullit të pafajshëm, po unë nuk do të zgjatëm shumë, por pikësëpari i drejtohem UNMIK-ut, dhe KFOR-it, si vendimmarrës në të gjitha proceset politiko-shtetërore nga 1999 sipas Rezolutës 1244 të OKB-së :
Zotërinj, nëse ju keni ardhur të mbani rend e të kultivoni demokraci, para se të veproni për çdo gjë që ju lejon ligji ndërkombëtar, në këtë rast ishit në kundërshtim kulminant ndaj vlerave të demokracisë, është mirë që të shikoni në vlerat e KARTËS SË KOMBEVE TË BASHKUARA, në të cilën edhe duhet të bazoheni, dhe unë vetëm po ua përkujtoj kreun e 6 :
Roli i shoqërisë civile dhe i mediave:
Shoqëria civile dhe demokracia – Shoqëria civile është e rëndësishme për procesin e demokratizimit dhe është shprehje e tij. Ajo luan një rol të fuqishëm në rritje për funksionimin e demokracive të qëndrueshme. Ajo në mënyrë aktive u kujton udhëheqësve politikë se ka një larmi kërkesash dhe interesash konkurruese që duhen mbajtur parasysh kur merren vendimet për shpenzimet publike dhe politikat shtetërore. Kjo është arsyeja pse ekzistenca e një shoqërie civile energjike është kërkesë bazë për demokracinë. Shoqëria civile ka mundësi që të veprojë si kundërpeshë ndaj kompetencave të shtetit, t’i rezistojë autoritarizmit dhe, për shkak të natyrës së vet pluraliste, të sigurojë që shteti të mos jetë mjet në shërbim të disa interesave ose grupeve të caktuara.
Ju zotërinj të UNMIK-ut e të KFOR-it, në vend që të dëshmonit se kultivoni e mbroni vlera demokratike, në vend që të lejonit shprehjen e lire të rinisë, që ende nuk e ka shijuar asnjë element të jetës së lire e të lumtur, ju mbrojtët kundërvlerat e servilëve klasikë, që për interesa të veta degjenerojnë, mashtrojnë e korruptojnë popullin e vet…e tani edhe e vrasin. Një mendimtar i qytetëruar do të thoshte: “L’importance! Monsieur, n’est-ce rien? Le respect des sots, l’ébahissement des enfants, l’envie des riches, le mépris du sage.”etj.
Zotërinj Qeveritarë, Kuvendarë e « Kompetentë » të të gjitha institucioneve e partive politike !
Juve që pretendoni të jeni pronarë e kompetentë për kufinjt e historinë aktuale të Kosovës dhe për ardhmërinë e saj, Ju që prej mendjemadhësisë e krenarisë tuaj « të pagabuar e largpamëse », me servilizmin tuaj, a nuk u ngopet ma « sukseset » tuaja të papara deri më sot në politikën e diplomacinë tuaj nënshtruese ndaj faktorit e lobit pro-serb ndërkombëtar !...
Me vrasjen e Man Balajt dhe Arben Xheladinit, si dhe me plagosjen e shumë të tjerëve, ju më në fund vratë edhe ndërgjegjen politike që u ka mbetur, se ajo morale shihet se u mungon…
Mjaft më me mashtrime, fraza e dokrra boshe në emër të pavarësisë !
Zotërinj, mjaft më me krekosjet talljet e lëvdatat si të Don Kishotit ! A ju kanë verbuar sytë e nuk shikoni realitetin, bëni pazar pa hanxhiun, tregtoni me trojet e Kosovës. Shikoni vetë fjala negocim e ka kuptimin e tregtisë. A nuk jeni ngopur me diplomacinë e historinë pro-serbe, që për ne shqiptarët ka qenë gjithmonë shtrigë ! Ledhatimi diplomatik e dhelparak alla franka te i shtypuri ka prodhuar lidershipe dhe lajkatarë që përherë kanë qenë pengesa për kurorëzimin e plotë të lirisë, si dhe thikë prapa shpine ndaj luftëtarëve të lirisë. Tani « Qendrat e Vendosjes » (miqtë e Serbisë) duan një Kosovë multietnike, të lidhur me Serbi, të vulosur nga ju o të mjerë !
Si shqiptar që jam, i syrgjynosur nga regjimi serb, kam të drejtën morale që t’ju sugjeroj edhe juve që t’i shikoni vlerat e demokracisë së një shteti të qytetëruar dhe të veproni konform normave e ligjeve të sanksionuara në KARTËN E KOMBEVE TË BASHKUARA, në pikat ku flitet për DEMOKRACINË E DREJTPËRDREJTË DHE RATIFIKIMIN E TRAKTATEVE NDËRKOMBËTARE DHE MARRËVESHJEVE TË TJERA TË RËNDËSISHME – Rasti i Zvicrës :
Në Zvicër, në procesin e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare përfshihet Parlamenti Federal (Qeveria) dhe popullsia. Marrëveshjet që kanë rëndësi për vendin behën objekt jo vetëm i debatit parlamentar, por edhe i debatit publik. Nëpërmjet referendumit shoqëria mund të shprehë mendimin e saj për marrëveshjet për të cilat janë zhvilluar bisedime. Përveç kësaj, me anë të referendumit mund t’i japë Këshillit Federal mandatin që të zhvillojë ose të ndërpresë zhvillimin e bisedimeve për marrëveshjet e ardhshme. Referendumi kërkohet kur qeveria dëshiron të hyjë në një « organizatë të sigurisë kolektive ose në një bashkësi ndërkombëtare ». (Neni 140.b i Kushtetutës Federale).
Zotërinj, në fund vetëm po ju përkujtoj se, me këtë gjendje e pozitë që përpiqeni ta vulosni statusin e Kosovës, nuk jeni të parët për dredhi e shitje të trojeve kombëtare, se gjaku i dëshmorëve të të gjitha kohërave, e posaçërisht i këtyre që jemi dëshmitarë, si ’68, ’81, ’79, e gjaku i të madhit komandant Adem Jashari me shokë të UÇK-së, dhe më në fund gjaku i njomë i filizave të VETËVENDOSJES, që ranë si lule të demokracisë së mirëfilltë më 10 shkurt 2007 nuk ju lejon një marifet të tillë, se ky gjak i ka rrënjët në damarët e thellë të ATDHEUT, dhe nuk do të bëhet ujë, se me sakrificat, mundin e gjakun e bijve e bijave më të lavdishme historia jonë nuk do të ndalet asnjëherë, ajo do të vazhdojë rrugën e vet deri në fitoren e plotë-në P A V A R Ë S I N Ë D H E RIBASHKIMIN K O M B Ë T A R!
Zvicër, 12 shkurt 2007
(Autori është ish - i burgosur politik, i cili ka qëndruar shumë vjet burgjeve jugosllave për çështje kombëtare).
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 47 vizitorë |
| Lexuar:
1,361 herë
|
|
|
|
|
|
|