| VDEKJA POLITIKE DO TË ISHTE SHPËTIM PËR LDK'në |
| Publikuar më 06 shkurt, 2010 në orën 20:21 ( ) |
Behxhet Shala | Opinion | |
|
|
|
Më në fund përfunduan zgjedhjet lokale në dy komunat e kontestuara nga z.Dell, “vëzhguesi i pavarur“ dhe të përkrahura nga një fushatë e furishme mediale e z. Haziri, shef i shtabit zgjedhor, nënkryetar i LDK-së dhe anëtar me korrespondencë i bendit Guns n’Roses në planin global dhe, po ashtu anëtar i bendit qeverisës PDK-LDK, në planin lokal!
Para rezultateve preliminare, pas raundit të tretë, gjithnjë duke shpresuar në fitore të sigurt, z. Haziri ”kërcënoi” botërisht se pasi të certifikohen rezultatet do të vie deri te shkurorëzimi me partnerin me të cilin deri me tani e ndanin shtratin qeverisës, ndonëse gjithnjë ishin në pozitë të disfavorshme, qoftë për të bërë dashuri, qoftë për të bërë gjumë të rehatshëm! Rezultatet dolën si dolën si mos më keq për LDK-në dhe zotin Haziri, në radhë të dytë dhe të atyre që i kontestuan këto rezultate nga pozitat shumë të fuqishme vendimmarrëse, në radhë të parë! Qëllimi ishte të krijohej një baraspeshë e re midis PDK-së dhe LDK-së, duke e forcuar LDK-në dhe duke e dobësuar PDK-në! Mirëpo ndodhi e kundërta, u forcua shumë PDK-ë ndërkaq LDK-ë ra në një komë të lehtë me rrezik serioz të përjetojë vdekje klinike! Realisht gjasat që LDK-ë ta merrte pushtetin në Prizren ishte e barabartë me mundësinë që Eqa të bëhet dashnor i radhës i Madonës në kohën kur kjo, pas ndarjes së fundit ka mbetur me zemër të thyer! Në Lipjan ishte edhe më lehtë për kandidatin e PDK-së dhe një mission impossible për Imri Ahmetin, kandidatin e LDK-së i cili po i konteston edhe këto rezultate, derisa të bëhet kryetar i Kandaharit. Duket se atje ka gjasa më shumë se këtu! PDK’ë dhe Hashim Thaçi më parë do të pajtoheshin që Kabuli të bjerë në duart e talibanëve se Prizreni në duart e LDK-së! LDK-ë bëri shumë gabime ndërsa më të madhin e bëri kur insistonte të përsëriteshin zgjedhjet pas raundit të dytë. Tash me dëshirë do t’i pranonte ato rezultate! Pastaj, me lehtësi hoqi dorë nga votat e pakicave të cilat i ndihmuan shumë PDK-së në këtë fitore bindëse. AKR-ë nuk e ka dëmtuar aspak LDK-në e as që e ka ndihmuar PDK-në siç ka deklaruar presidenti, tashmë i degës së PDK-së e quajtur AKR-ë, zotni Behgjet Pacolli. Është megjithatë një përparim i ndjeshëm i AKR-së, nga nëndega e PDK-së u avancua në degë të saj! Përkundrazi, PDK-ë dhe Hashim Thaçi, kryetar i PDK’së dhe AKR-së kontribuoi që AKR-ë të ndjehet fituese në dy komuna! Bashkëdyzimi i PDK-së me AKR-në në të ardhmën seriozisht do ta dëmtojë shëndetin elektoral të PDK-së. Pyeteni LDD-në, janë ndarë të lagur! Derisa fushata e LDK-së u mjaftua me paraqitjet mediale të nënfrontmenit të saj Lutfi Haziri, pelegrinët e PDK-së shkuan nga dera në derë, jo për të përhapur një besim të ri por për t’i mbledhur votat! Dhe, ia dolën! Hashim Thaçi veproi si një trajner i mirë i futbollit në një ndeshje vendimtare, e bëri zëvendësimin me kohë dhe me lojtarë të duhur duke i inkuadruar pakicat në lojë! AKR-në e Behgjet Pacollit e mori si gogol, për t’i frikësuar kundërshtarët! Për asgjë më tepër! Dhe ia arriti qëllimit duke shkaktuar huti në radhët e LDK-së. Pastaj, PDK-ë veproi si orkestër ku dihej kush është dirigjenti, kush është violina e parë dhe instrumentet e tjera andaj nuk dështoi. Ndërkaq te LDK-ë nuk kishte dirigjent, as violinë të parë por të gjithë vepronin si defa dhe tupana! Andaj dështuan! Vetëm bënë zhurmë! Megjithatë këto zgjedhje e kishin anën pozitive të tyre sepse u vërtetua parimi, e treta e vërteta! Pastaj, po të mos ishin këto zgjedhje nuk do të dinim për Nesrin Lushtën e që vërtet do të ishte një humbje e pariparueshme. As për dy amerikanët e Kajtaz Rrecajt që e bënë lëmsh këtë punë! Gabimin më të madh e bënë sepse e nënçmuan dhe e fyen Hashim Thaçin në ndërkohë që ai nuk kundërpërgjigjej në të njëjtën mënyrë por e zhvendosi shtabin e tij zgjedhor në Prizren, duke e quajtur këtë qytet Jerusalem, që për mendimin tim nuk është kurrfarë mëkati! Këmbëngulësia megjithatë paguhet! Unë kam bërë tifo për Ramadan Mujën ndonëse nuk e kam takuar asnjëhere.
LDK-ë nën Fatmir Sejdiun si Milano nën Karlo Ançelotin
Jo fort moti për ekipin e Milanos luanin dhe disa luajnë ende si: Paolo Maldini, Alesandro Kostakurta, Kafu, Pipo Inzagi, Nesta, Abiati etj. që kishin hyrë në të 40-tat dhe Milano u bë sinonim i ekipit ku fillohet karriera pas t’i mbushësh 35 vjet. Këta lojtarë nuk kishin motiv të angazhoheshin në lojë andaj Milano luftonte për mbijetesë në ligën italiane. Ardhja e Patos dhe 2-3 lojtarëve të rinj e ndryshoi edhe cilësinë e lojës edhe respektin për këtë klub me renome. Edhe LDK-ë luante me ekip të vjetër që i kishte kaluar koha andaj luftonte për mbijetesë në skenën politike të Kosovës. Angazhimi i Hashim Thaçit në radhët e LDK-së e pati efektin e angazhimit të Patos në Milano! Përmes koalicionit qeverisës i siguroi mbijetesën politike LDK-së së plakur dhe cfilitur duke e shndërruar ate në një gejshë politike! Po pse LDK-ë u katandis në këtë situatë?! LDK-ë, nga një lëvizje e fuqishme gjithëpopullore asnjëhere nuk arriti të profilizohet në një parti politike të mirëfillt. Ishte dhe mbeti peng i kryetarit të saj të përjetshëm, Ibrahim Rugovës. Pas vdekjes së tij brenda këtij subjekti politik filloi një luftë për trashigimin politike që përfundoi me variantin e dytë të Betejës së Kosovës që definitivisht i ndau në dy taborre, ai i Nexhat Dacit dhe i dyti i Fatmir Sejdiut. Ky, në fakt ishte fillimi fundit i LDK-së. Nexhat Daci e formoi LDD-në ndërsa Fatmir Sejdiu mbeti në LDK-ë. Që të dy u shndërruan në autokrat dhe antidemokrat, mohues të demokracisë! Në zgjedhjet e fundit parlamentare, ato vota që i fituan i fituan falë Ibrahim Rugovës. Vota nga varri ishte më e fuqishme se krejt votat e LDK-së dhe LDD-së! Lideri i LDD-së ishte dhe mbeti karrierist andaj e solli subjektin e tij privat politik buzë humnerës, pa gjasa të faktorizimit. Duket paradoksale por liderin e LDK-së e shpëtoi Hashim Thaçi dhe PDK-ë dhe ata po e mbajnë në skenë me infuzione të vazhdueshme nga të huajt, “miqtë ndërkombëtarë”. Sot, LDK-ë është një rrënojë burokratike që udhëhiqet nga një grup interesi të cilit aspak nuk i intereson fuqizimi i partisë por vetëm ruajtja e pushtetit që ua lejojnë të tjerët. Janë të kënaqur me aq sa ua lejojnë! Brenda këtij subjekti politik ka grupe të pakënaqura të cilat me oportunizmin e tyre vetëm sa e zgjasin agoninë e LDK-së! Nuk kanë guxim të dalin botërisht dhe ta shpëtojnë LDK-në. Luajnë me dy palë letra. Edhe ata i mbrojnë do interesa të vogla personale. Prandaj, LDK-ë është buzë vdekjes klinike e cila, nëse nuk i ndërrmer disa veprime për shpëtim do ta pësojë vdekjen e vërtetë pas së cilës nuk mbetet asgjë pos të balsamohet duke u vendosur në ndonjë bodrum për ta mbuluar pluhurat! LDK-së i mungon një lider karizmatik siç janë Thaçi dhe Haradinaj. Karizma e Fatmir Sejdiut është artificiale, joreale dhe e imponuar! Këtë karizmë e përkrahin vetëm ata që kanë interes të drejtpërdrejtë! Një person që pati mundësi të bëhet karizmatik ishte Isa Mustafa pasi i fitoi bindshën zgjedhjet e fundit lokale në Prishtinë. Mirëpo as ai nuk deshi ta sfidoi Fatmir Sejdiun që e mbanë të “ngrirë” lexo të rezervuar për vete postin e liderit të LDK-së. Ishte kjo një shans për të shënuar golin e artë për LDK-në dhe i cili nuk u shfrytëzua. Duhet ta kemi të qartë se Prishtinën nuk e fitoi as Fatmir Sejdiu, as LDK-ë por karizma e Isa Mustafës me ndihmën e Ismet Beqirit. Mendoj se vetëm Isa Mustafa ka pasur mundësi t’i sfidoi Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinajn. Po them, ka pasur mundësi sepse tash nuk e ka më atë mundësi apo ajo mundësi është zbehur shumë! Një politikan që kënaqet me pushtetin në “oborrin“ e tij, vështirë se ka ardhmëri! Në Kosovë ndoshta edhe mund të ketë nëse kemi parasysh çfarë politike bëhet këtu! Tashmë LDK-ë, me politikën moldaviane (shkon në shtrat me ate që i jep diçka) është bërë xhuxh politik, pa ndikim në skenën politike! Të tërhiqet nga koalicioni qeverisës,e ka të pamundur sepse mbetet pa bakllava! Nëse vazhdon kështu, do ta ketë një vdekje të ngadalshme ndërkaq varrimi i saj politik do të bëhet në zgjedhjet e arshme parlamentare me një xhemat shumë të kufizuar. Dhe askush nuk do të qaj për te! Madje, do ta kenë vështirë ta hapin të pamen sepse nuk do të dinë ç’tu thonë atyre që vijnë për kryeshëndosh, nëse do të ketë të tillë! Nëse, megjithatë duan të mbijetojnë me çdo kusht do ta kenë një mundësi; ty hyjnë në senduiç midis dy tereqëve politik, Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt! Nuk jam i sigurt se kanë kondicion ta përballojnë këtë situatë! Duke pasur parasysh lodhjen e madhe, vdekja politike do të ishte shpëtim, në aspektin moral dhe tradicional! Ndoshta edhe gaboj!!
Një lajm i keq për Iranin dhe një lajm i mirë për Kosovën
Zyrtarët iranianët i varën dy opozitarë dhe po bëhen gati t’i varin edhe 9 të tjerë që është një lajm shumë i keq për demokracinë. Zyrtarët në Kosovë nuk kanë mundësi të varin asnjë opozitar që është lajm i mirë për Kosovën! Sepse nuk ka opozitë! Këtë opozitë që hiqet si opozitë në Kosovë nuk do ta pranonte as Ahmadinexhadi në Iran. Andaj, si të tillë që janë edhe në Iran do ta kishin një status të privilegjuar ashtu si e ka partia më e “forte” opozitare në Kosovë, AKR-ë!
(Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLNj’së. Pikëpamjet në këtë shkrim janë krejt personale)
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 34 vizitorë |
| Lexuar:
1,109 herë
|
|
|
|
|
|
|