|
VJENE- Kosova ka marrë mbështetjen Grupit Drejtues Ndërkombëtar për realizimin e objektivave të procesit integrues të saj në BE, kanë thënë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
Pas takimit të mbajtur në Vjenë, të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i cili ka rolin e mbikëqyrësit të shtetit më të ri, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, ka thënë përmes një bisede telefonike nga Vjena, se vendet anëtare u kanë dhënë mbështetje angazhimeve të Kosovës për zbatimin e prioriteteve që kanë të bëjnë me perspektivën evropiane të Kosovës dhe me liberalizimin e vizave.
Ndërkaq, në mesin e shumë çështjeve, Krasniqi ka thënë të jetë diskutuar edhe për strategjinë për integrimin e veriut të Kosovës.
“Ne besojmë se Qeveria e Kosovës, nga ajo që u tha, ka marrë mbështetje të fuqishme për të gjitha angazhimet e veta në drejtim të realizimit të objektivave që dalin nga raporti i progresit të vitit 2009, zhvillimet në drejtim të liberalizimit të vizave, pastaj të marrëdhënieve tregtare me BE-në si dhe është diskutuar për strategjinë për veriun e vendit dhe për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me ekonominë kosovare”, ka deklaruar Krasniqi.
Raportin për arritjet dhe sfidat në Kosovë e ka prezantuar i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, diplomati holandez, Piter Feith, i cili njëherësh është edhe Përfaqësues Civil Ndërkombëtar.
Ndërkaq, nga pala kosovare, ka folur kryeministri, Hashim Thaçi. Zëdhënësi Krasniqi ka thënë se theksi i deklaratës së Thaçi ka qenë i përqendruar në rezultatet, proceset dhe sfidat, me të cilat po ballafaqohet Kosova.
“Ka qenë një diskutim i drejtpërdrejtë, i hapur në mesin e mbështetësve të Republikës së Kosovës, ku janë diskutuar të gjitha çështjet, mes të cilave do të ndanim edhe aspektet politike, ekonomike e sociale”, ka theksuar Krasniqi.
GDN përbëhet nga 25 vende që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Takimi i sotëm në Vjenë është mbajtur në nivelin e drejtorëve politik të këtyre vendeve për Ballkanin.
rel
|