Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
SMAJL LATIFI - Intervistë
Publikuar më 16 shkurt, 2010 në orën 12:51 ( ) Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
Intervistë e Smajl Latifit, Kryetarit të Lëvizjes për Integrim dhe Bashkim (LIB), dhënë të përditshmes Bota Sot. Intervista e parë dhënë me 2 Shkurt, dhe Intervista e dytë dhënë me 10 Shkurt, 2010

Smajl Latifi
1) A ka ndonjë lëvizje të re për bashkimin kombetar, me që shumë herë është folur nëpër tryeza të ndryshme politike?

Smajl LATIFI (LIB):
Programit për bashkim kombëtar po i krijohen mundësi dhe hapësira të reja. Ka zhvillime të shumta në favor të këtij opsioni. Nëse do t`i marrim përmbytjet në zonën e Shkodrës, atëherë mund të shohim se shqiptarët e ndjejnë bashkimin dhe japin shembuj pozitiv për këtë qëllim. Këtë ndjenjë e kemi kudo. Mund të thuhet se shqiptarët e duan bashkimin dhe po t`iu jepet mundësia për ta shprehur vullnetin e tyre politik, do të vendosnin pa kurrfarë dyshimi për bashkimin kombëtar dhe territorial dhe për krijimin e një shteti të bashkuar, si masë për qëndrueshmërinë politike, mundësi e madhe për zhvillim ekonomik dhe bazë për përparim të gjithanshëm. Këto ditë “Galup”, në bazë të anketave e verifikojë dëshirën dhe vullnetin e atyre që u anketuan. Pra, mund të konstatojmë lëvizje të reja dhe rritje të besimit në opsionin e bashkimit kombëtar. Në ditët e ardhshme presim të shohim lëvizje edhe më të prekshme, angazhime më të përqendruara në favor të bashkimit kombëtar.

2) A ka mbetur BE-ja e vetmja zgjidhje ku shqiptarët mund të bashkohen?

Smajl LATIFI (LIB):
Zgjidhja më e drejtë dhe më e mirë është që ne të integrohemi dhe të bashkohemi si komb në një shtet dhe të bashkuar të integrohemi në BE. Bashkimi në këtë mënyrë do të jetë shumë më i frytshëm jo vetëm për shqiptarët, por edhe për BE-në. Ne nuk mund t`i shërbejmë paqes dhe prosperitetit të BE-së, nëse do të futeshim në BE me problemin themelor të pazgjidhur. Kjo është e kuptueshme për njohësit e mirë të rrethanave dhe për dashamirët e paqes dhe sigurisë në rajon. Askush në Evropë sot nuk duhet të jetojë i shtypur, i diskriminuar ose i administruar nga regjime që ruajnë pozita koloniale ndaj popujve. Askush nuk dëshiron sot të ndjehet i poshtëruar, i nëpërkëmbur. As populli shqiptar i ndarë padrejtësisht nuk e dëshiron këtë pozitë. Prandaj, ne kemi detyrim të përpiqemi që zgjidhjen ta realizojmë në rrugë të natyrshme dhe jo të presim se ajo do të mund të realizohet pasi të futemi në BE. Për t`i përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE, ne do ta kishim shumë më lehtë të përqendrohemi në zgjidhjen e problemit tonë kombëtar si një parakusht për të shpejtuar hapat që kërkohen të ndërmerren nga ana jonë.

3) Cilat mund të jenë disa nga hapat kryesor që na çojne drejt bashkimit kombëtar dhe cilët mund të ndërmarrin këtë nismë?

Smajl LATIFI (LIB):
Kontribut në çështjen e bashkimit kombëtar mund të japin të gjithë ata që mendojnë se kjo është zgjidhja më e mirë e çështjes sonë. Hapat janë të shumtë, por thelbësore është të konsolidohet mendimi dhe koncepti politik për bashkim kombëtar. Në shërbim të këtij qëllimi, duhet të vihen të gjitha shtresat e popullsisë. Edhe njerëzit e dijes, edhe shtypi, mediumet elektronike, tryezat shkencore, tribunat politike etj. Të gjitha këto do të jenë një kontribut i mirë në fuqizimin e mendimit politik për bashkim kombëtar. Hap shumë i rëndësishëm do të jetë edhe përfshirja në institucione, posaçërisht të R. Kosovës dhe të R. Shqipërisë e projektit për integrime mbarëshqiptare dhe bashkim kombëtar. Hap tjetër do të jetë edhe rritja e nivelit të komunikimit ndërshqiptar, aktivitete dhe aksione të përbashkëta në rrafshin e unisimit të arsimit, të institucioneve të tjera të dijes, veprime intensive dhe një dinamikë veprimesh e hapash në rrafshin kulturor, sportiv, të shëndetësisë, të hapjes dhe heqjes së barrierave për tregun mbarëshqiptar, tregun e punës dhe prodhimit. Të gjitha këto janë hapa që duhet të hidhen, në mënyrë që ne ta shohim, se sa mundësi e hapësirë për një jetë më të mirë, për zhvillim dhe përparim do të kemi si komb. Nismat për këto duhet të jenë edhe nga institucionet, por edhe nga organizma të ndryshëm çofshin politik, ekonomik apo shoqëror. Ne jemi të hapur për të kontribuar edhe më tej drejt këtij qëllimi.

4) Meqë nuk ka parashikime për këtë çështje, pasi tani u bë 1 shekull që jemi të ndarë, ju a mund të hidhni një hipotezë se kur do të mund të bashkohen shqiptarët?

Smajl LATIFI (LIB):
Mund të themi, se për gati një shekull nuk rreshtën përpjekjet për bashkim kombëtar. Edhe sot ato vazhdojnë. Një gjë është e sigurt se ne nuk jemi pajtuar dhe nuk duhet të pajtohemi asnjëherë të jetojmë si popull i ndarë. Na mbetet që të veprojmë pa u ndalur, duke i shfrytëzuar rrethanat që tani janë më të favorshme për t`u organizuar më mirë. Sa më i shtrirë që të jetë bashkimi kombëtar në popull, aq më i besueshëm do të bëhet ky program. Gjykojmë se ky program tashmë nuk është vetëm një ideal, por edhe nevojë, interes dhe mundësi e shkëlqyer për të parë ne dhe të tjerët, një komb paqedashës dhe me dinjitet që po hapëron në rrugën e tij të zhvillimit dhe përparimit. Bashkimit nuk duhet t`i frikësohet askush, posaçërisht faktorët demokratik dhe paqedashës. Dita e bashkimit do të vie dhe kjo varet shumë nga vullneti dhe veprimet tona si komb.

Prishtinë
Më 2.2.2010


1. Rasti i shqiptarëve të Maqedonisë, mos respektimi i kulturave të tyre dhe as identiteti i shqiptarizmit, duket se po e çon në krize identitetin e shqiptarëve. Marrë në përgjithësi, përfshire këtu edhe Kosovën, Shqipërinë dhe Kosovën Lindore, a ka krizë të identitetit shqiptar?

Smajl LATIFI (LIB):
Do të ishte më realiste, të themi se kemi të bëjmë me një ofansivë intensive të qarqeve antishqiptare sllavo-maqedonase, serbe etj. dhe me një servilizëm të madh të akterëvë politik shqiptarë, të cilët ndjehen komodë përballë këtyre pretendimeve iracionale dhe shoviniste. Politikanët që drejtojnë partitë e ashtuquajtura parti të mëdha politike, nuk përfaqësojnë interesa kombëtare, por interesa të ngushta, ata nuk bëzajnë - heshtin, nuk kanë vullnet dhe nuk përpiqen për të dalë në mbrojtje të identitetit kombëtar shqiptar sepse të tillët kanë vetëm një qëllim: të ruajnë pozitat e veta, priviligjet e mëdha që i kanë krijuar duke e keqpërdorur pushtetin dhe duke i nëpërkëmbur vlerat kombëtare.
Ne jemi të bindur se identiteti shqiptar absolutisht nuk është në krizë, edhe përkundër faktit se ai po kërcënohet nga tenndenca përcarëse të të ashtuquajturit kosovarizim, pastaj tendencave për ruajtjen dhe trashjen e ndasive brendashqiptare etj. Ne themi me të drejtë, se politika aktuale është në krizë të thellë dhe për pasojë të kësaj politike servile e cila nuk e ka në bosht zgjidhjen e çështjes shqiptare, sulmet ndaj identitetit shqiptar janë gjithnjë e më të shpeshta dhe më të shumta. Dhe kur? Në kushtet kur duhet të ishte e kundërta.
Sot dhe gjithnjë, ne kemi detyrim, posaçërisht forcat politike atdhetare, intelektualët e mirëfilltë dhe të gjithë shqiptarët, iu takon dhe duhet të përpiqen çcdo ditë për të ngritur dhe fuqizuar një politikë tjetër- politikën e cila ndjek kursin për integrimin dhe bashkimin e kombit shqiptar në një shtet. Këmbanat e alarmit po bien,. ka ardhë koha që në këto rrethana të favorshme për shqiptarët, t`i japim përgjigjje të qartë dhe të guximshme aspiratave hegjemoniste të fqinjëve, që po vrapojnë për të fshirë dëshmitë e autoktonisë së shqiptarëve që jetuan, jetojnë dhe kanë të drejtë të jenë zot në truallin e vet.

2. Pse po ndodh kjo dhe cilat nga institucionet duhet të ngrenë zërin për të mbrojtur identitetin e shqiptarëve kudo që jetojnë?

Smajl LATIFI (LIB):
Dëme të tilla po shohim me sy, pikërisht për mungesë të një politike të organizuar shtetërore me palcë kombëtare, e cila do të ishte aktive dhe e përkushtuar për ruajtjen, kultivimin dhe realizimin e të drejtës së patjetërsueshme të kombit shqiptar për të jetuar në një shtet. Është e domosdoshme që për veten tonë, për mbrojtjen e identitetit shqiptar, të ngrejnë zërin të gjitha institucionet, para së gjithash institucionet politike dhe shtetërore (ato të R. Shqipërisë dhe të R. Kosovës), partitë politike, akademikët, intelektualët, shoqatat atdhetare, historianët, studentët-të gjithë shqiptarët duhet të jenë të mobilizuar për ta mbrojtur vetveten kur janë në rrezik, të gjithë ne duhet të organizohemi, jo vetëm për t`ua ndalur hovin veprimeve antishqiptare, por doemos të ndërmarrim veprime të organizuara drejt inmtegrimit të plotë dhe bashkimit politik e territorial të kombit shqiptar, cili ende është ndarë dhe si rrjedhim i kërcënuar nga sjelljet agresive të fqinjëve të tij.

3. Cilët janë faktorët që ndikojnë në krizën e identitetit të shqiptarëve?

Smajl LATIFI (LIB):
Në rend të parë është mosorganizimi i brendshëm i faktorit shqiptar, politikat jo të duhura shtetërore dhe veprimet e shumta parciale të politikanëve shqiptarë. Si rrjedhojë e kësaj, janë interesat kundërthënëse brenda bashkësisë ndërkombëtare ndaj çështjers shqiptare. Këta janë dy faktorët themelorë të cilët po ndikojnë shumë që ne të vonohemi. Ne nuk i shfrytëzojmë mundësitë e shumta, ne nuk jemi të përkushtuar në të drejtën tonë për bashkim si komb i ndarë që jemi, edhe pse kemi të drejtë dhe aktualisht jemi në pozitë shumë më të përshtatshme për të reaguar fuqishëm si komb i organizuar. Mjerisht ende në institucionet e R.Shqipërisë, nuk shohim veprime të duhura për realizimin e aspiratës së popullit shqiptar për bashkim (këto janë detyrime që burojnë nga Preambula dhe nga neni 8 i Kushtetutës së R. së Shqipërisë), por as veprime të duhura për ruajtjen ose mbrojtjen e identitetit kombëtar shqiptar të ndarë dhunshëm, padrejtësisht dhe kundër vullnetit të tyre, të cilët vazhdojnë të goditen edhe sot e kësaj dite nga tendencat përcarëse të politikanëve vendorë, nga sjelljet e të cilëve duket sikur ka njëfarë gatishmërie që ta zëvendësojnë identitetin shqiptar me një identitet i cili s`ka asgjë të përbashkët me shqiptarët. Ndërkaq, bartësit e institucioneve të R. së Kosovës, sikur janë hedhur në garë se kush më shumë po largohet nga identiteti shqiptar dhe nga Kosova si truall i shqiptarëve. I keni parë se sa me zell promovohen simbolet e Kosovës multietnike dhe i ashtuquajturi, identitet kosovar. Promovime të tilla i shohin edhe dashakeqët e shqiptarëve, të cilët duket se po trimërohen nga dita në ditë, në vend që të braktisin dhe të na lënë të qetë, po hedhin valle në shtëpinë tonë.
Së fundi, kriza e madhe që e ka kapluar këtë politikë e cila nuk ka për qëllim ta mbrojë identitetin shqiptar nga kanosjet e ndryshme, kërkon që të tejkalohet sa më parë. Pra, kërkohet ndryshim thelbësor. Besojmë fort se vetëm një politikë që udhëhiqet nga qëllimet e integrimit ndërshiptar dhe përpiqet për bashkimin kombëtar, do t`i përgjigjej qartë kërcënimeve të ndryshme që i sillen si fantazmë identitetit tonë shqiptar.

Prishtinë
Më 10.2.2010


Kontakti: smajl.latifi@gmail.com, smajl.latifi@lib-ks.org

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 44 vizitorë
Lexuar: 2,130 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi