| Intervistë me Albin KURTIN |
| Publikuar më 22 shkurt, 2010 në orën 19:32 ( ) |
Intervista | |
|
|
|
VIZITË E SUKSESSHME E ALBIN KURTIT NË SKANDINAVI!
Intervistë me Albin KURTIN, udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje (L.V), gjatë qëndrimit të tij në Skandinavi në këto shtete mjaft me peshë në politikën e sotme botërore: në Danimarkë dhe në Suedi.
Fadili: Përshëndetje shqiptare i nderuari atdhetar, mirë se erdhe në mesin tonë!
Albini: Faleminderit shumë për pritjen tuaj të përzemërt dhe vëllazërore.
1. Pyetje: Nga kush jeni ftuar dhe financuar për këtë vizitë kaq të shumëpritur prej mërgimtarëve atdhetarë dhe nga miqtë e vërtetë të shqiptarëve? Si të pritën bashkatdhetarët dhe si të trajtuan qeveritarët dhe parlamentarët skandinavë? Si ishin qëndrimet e tyre politike në raport me kërkesat e Lëvizjes Vetëvendosje? Sa i arsyetonin apo i mohonin ata, VETËVENDOSJEN DHE REFERENDUMIN dhe kërkesat tjera të Lëvizjes Vetëvendosje?
Albini: Kam qenë në vizitë në Danimarkë dhe Suedi me ftesë të organizatës daneze STS International dhe të aktivistit tonë Xhemil Zeqiri. Në takime me bashkatdhetarë kemi diskutuar për problemet e Kosovës dhe mbarë shqiptarëve në përgjithësi. Po ashtu një vend të rëndësishëm në këto takime kanë zënë edhe problemet e bashkatdhetarëve në këto dy vende. Diskutuam edhe për angazhimin konkret për zgjedhjen e çështjes shqiptare. Në takim me bashkatdhetarë kam kaluar jashtëzakonisht mirë dhe jam ndierë shumë mirë në mesin e tyre – shfrytëzoj rastin t’i falënderoj për pritjen e tyre. Gjatë qëndrimit në Danimarkë, u mbajtën dy tubime publike me bashkatdhetarë, në Kopenhagë me 14 qershor dhe në shoqatën “Zenel Hasani” në Ballerup me 19 qershor, në të cilat prezantova konceptin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe qëndrimet e veprimet tona lidhur me zhvillimet aktuale politike në Kosovë. Këto tubime u organizuan nga përgjegjësi i Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Danimarkë, Xhemil Zeqiri. Një tubim i ngjashëm u mbajt edhe në Malmë të Suedisë me 20 qershor 2009, në lokalet e Shoqatës ‘Iliria’ me organizimin tuaj. Në takimet që kam pasur më zyrtarët e këtyre vendeve kisha mundësi që të shpreh pikëpamjen tonë lidhur me proceset që po zhvillohen në Kosovë dhe i kemi theksuar disa nga problemet që bashkatdhetarët tanë po i hasin në këto vende. Mendimet tona janë marrë seriozisht por për të fituar përkrahjen e tyre ne duhet të jemi më të organizuar dhe më të fortë. Në Kopenhagë kam takuar kreun e organizate STS International, Vagn Rasmusen, deputetin e parlamentit danez, Holger K. Nielsen, deputeten e Parlamentit Evropian, Britta Thomsen, me drejtorin e institutit “Shoqëria Daneze për Politikë të Jashtme”, Klaus Carsten Pedersen, si dhe me gazetarë e analistë të ndryshëm. Ndërkaq, në Stokholm, nën organizimin e Shqiptar Osekut dhe Anders Vesman nga Lidhja e Miqësisë Suedi-Kosovë, u takova me Fredrik Malm dhe Birgita Olson nga Partia Liberale, Gustav Blikst nga Partia Konservative, dhe Kerstin Palm nga Partia Centriste e djathtë, kjo e fundit anëtare e Këshillit të Evropës. Prej opozitës, me Hans Linde nga Partia e Majtë, Bodil Caballios dhe Hokan Sundberg nga Partia e Blertë, si dhe Urban Ahlin nga Partia Socialdemokratike, zëvendëskryesues i komisionit parlamentar për politikë të jashtme, e i dizajnuar si ministër i jashtëm nëse opozita i fiton zgjedhjet e shtatorit 2010. Në Ministrinë e Jashtme suedeze, jam pritur nga Lars Ëahlund, shef për BE dhe dora e djathtë e ministrit Karl Bilt, nga Osa Pehrson, referente për Kosovën, si dhe nga Arba Kokalari, këshilltare konservative me origjinë shqiptare pranë ministrisë.
2. Pyetje: A mund të na thoni për lexuesit, si e përkujtuat 131 vjetorin e së famshmes Lidhje Shqiptare të Prizrenit, cili qe mesazhi juaj gjatë atij kremtimi? Kush ishte nismëtare e kësaj feste gjithëkombëtare dhe sa bëri pushteti në Shqipërinë Natyrale, për kremtimin e këtij përvjetori të madh, kur dihet historikisht që L.SH.P, bëri një luftë çlirimtare, tri vjeçare për ruajtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë Natyrale, e cila kërcënohej nga shtetet ballkanike.
Albini: Në shënim të 131 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Lëvizja VETËVENDOSJE! si pjesë e Rrjetit të Organizatave Shqiptare (RrOSh), pikërisht në Prizren organizoi një manifestim në të cilin kishte aktivitete të llojllojshme me karakter kombëtar. Në Kosovë që prej shpalljes së pavarësisë kemi shumë më shumë komb-formim se sa shtet-ndërtim, pra ka një investim që të theksohen më shumë ato që na ndajnë se sa ato që na bashkojnë. Pra pikërisht e kundërta e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Nismëtarë dhe organizatorë ka qenë Rrjeti i Organizatave Shqiptare. Me 10 qershor ne stolisëm qytetin e Prizrenit me flamuj e simbole kuq e zi gjithandej, bëmë një ekspozitë të fotografive, kishte defilim të ansambleve folkloristike si dhe organizuam tryezën e rrumbullakët mbarëkombëtare me titull “Rëndësia politiko-ushtarake e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.
3. Pyetje: Tani, dy vite pas shpalljes së pavarësisë sipas kushtit të “Paketës së Ahtisaarit”, politikanët shqiptarë po trumbetojnë me të madhe se, Kosova e ka fituar pavarësinë dhe sovranitetin; duam të dimë si është gjendja politike, ekonomike, ushtarake etj në Kosovën e kolonizuar nga “enklavistët” serbë, aleatët e tyre të hapur e të maskuar evropianët dhe në trojet tjera të e okupuara shqiptare?
Albini: Tani u bënë tri vite që kur politikanët pranuan Pakon e Ahtisaarit dhe kemi dy vjet të shpalljes së pavarësisë. Pikërisht pse pavarësia u shpallë në bazë të kësaj pakoje ne as nuk u bëmë të pavarur dhe as nuk jemi sovran, sidomos në më se 30% të territorit. Nuk jemi të pavarur sepse në Kosovë fjalën e fundit nuk e kanë institucionet vendore por ato ndërkombëtare, këto të fundit janë këtu për sundim të ligjit e vetë janë mbi ligjin. Po ashtu nuk jemi sovran pikërisht se Pakoja e Ahtisaarit na ndalon ushtrinë e cila e ka për detyrë shtrirjen e sovranitetin dhe mbrojtjen e integritetin territorial. Ne kemi vetëm 2500 pjesëtarë të FSK-së e cila për nga detyrat që i ka është më shumë se polici dhe më pak se ushtri, pra është xhandarmëri. Gjendja ekonomike në Kosovë vetëm sa është rënduar edhe më shumë. Në Kosove 45% jetojnë në varfëri dhe 18% të tjerë në varfëri të skajshme. Papunësia llogaritet të jetë mbi 60%. Për më keq, Kosova është shëndrruar në një vend të tregtarëve dhe kryesisht atyre që importojnë nga Serbia për shkak të lidhjeve të tyre me politikanët kryesorë, ku këta të fundit i favorizojnë të parët me politika fiskale. Prodhuesi vendor po ngulfatet nga konkurrenca jolojale dhe politika të pafavorshme ekonomike. Kjo është Kosova e dy viteve të para të (pa)varësisë.
4. Pyetje: Vitin e kaluar e keni festuar 4 vjetorin e Lëvizjes Vetëvendosje. Gjatë veprimtarisë 4 vjeçare (për t’u mos u ngjitur më lart), si e shihni të kaluarën tuaj personale dhe të Lëvizjes që e drejtoni dhe si e parashikoni apo i planifikoni objektivat tuaja edhe të ardhmen e saj; do të pyesja konkretisht: a do të qëndroni në këto pozita të fuqishme opozitare në ballë të revoltave popullore si një djalosh guximtar i rebeluar, përballë pozitës dhe opozitës në Kosovë dhe përballë qarqeve reaksionare ndërkombëtare, apo Lëvizja jonë do të transformohet së shpejti në parti politike, që zëri i saj të dëgjohet “i fuqishëm” në institucionet e shtetit të brishtë dhe të ricopëtuar të Kosovës?
Albini: Lëvizja VETËVENDOSJE! për katër vite radhazi me aktivitetet që i ka organizuar ka ndikuar që disa të këqija të ndalen e disa të tjera të zbrapsen. Por mos të harrojmë se për këto katër vite kemi ndikuar që qytetari i Kosovës të kuptojë që proceset politike dhe ekonomike nuk janë në favor të tij. Lëvizja VETËVENDOSJE! është e përkushtuar që Kosova të jetë vend me sovranitet dhe integritet territorial në gjithë territorin e saj. Po ashtu në angazhohem për një ekonomi e cila i favorizon më shumë prodhuesit se sa tregtarët, për një shoqëri me barazi sociale. Pra ne jemi të përkushtuar më shumë se si ta realizojmë konceptin tonë se sa për metodat që do të përdorim. Metodat mund t’i shtojmë e pasurojmë, porse principet bazë i mirëmbajmë. Mbi të gjitha, duam ta realizojmë qëllimin tonë të përbashkët meqenëse kjo politikë zyrtare që po ndiqet po ia humbet edhe territorin edhe resurset natyrore Kosovës kurse popullatës po ia rrëmben perspektivën dhe mirëqenien.
5. Pyetje: Si i konsideroi Lëvizja Vetëvendosje, zgjedhjet lokale të vjeshtës 2009?
Albini: Lëvizja VETËVENDOSJE! mendon se Kosova ka pas nevojë për zgjedhje parlamentare e jo për zgjedhje lokale. Problemet e Kosovës para së gjithash janë nacionale e jo lokale. Që prej shpalljes së pavarësisë, Kosovës i është cenuar sovraniteti dhe integriteti territorial, po ashtu po rrezikohemi nga shitja e shpejt dhe e lirë e ndërmarrjeve dhe pasurive të Kosovës si: KEK-u, PTK-ja, ANP-ja, Trepça, Miniera e Sibovcit etj. Mendoj se këto janë problemet kryesore të qytetarit të Kosovës e jo shtrimi i një rruge në një fshat. Qëllimi i mbajtjes së zgjedhjet lokale ka qenë të realizohet decentralizimi etnik përmes krijimit të komunave më shumicë serbe, dhe të shmanget vëmendja nga problemet kryesor në Kosovë. Për më shumë këto zgjedhje dëshmuan së në Kosovë nuk ka fare demokraci.
6. Pyetje: I nderuar, si duket në popull u krijua përshtypja e gabuar, thellësisht e nxitur nga politikanët se Lëvizja Vetëvendosje është kundër ndërkombëtarëve. A mund të na sqaroni sa qëndron kjo, si “dëshmi” e tyre se, kinse ne po e dëmtojmë kështu Kosovën dhe viset tjera shqiptare, sepse sipas tyre, duke i kundërshtuar ata “aleatë”, po largohemi nga Evropa dhe po izolohemi nga bota “demokratike”?
Albini: Ne nuk jemi kundër bashkësisë ndërkombëtare, por jemi kundër sundimit të tyre në Kosovë. EULEX-i është në Kosovë në bazë të planit të veprimit të përbashkët i dalë nga BE-ja, rezolutës 1244 dhe 6 pikëshit të Ban Ki Mon-it, që të gjitha këto dokumente nuk ja njohin Kosovës pavarësinë. Pra ata nuk na njohin shtetin tonë dhe për ketë ne jemi kundër. Ne jemi që bashkësia ndërkombëtare të jetë në Kosovë jo si sunduese por si këshilluese dhe ndihmuese.
7. Pyetje: A mund të na thoni, sa e ka ngritur zërin e arsyes Lëvizja Vetëvendosje, për faktin pse po lihet pas dore turizmi i cili sot është në tërë botën kudo një pjesë me rëndësi tepër të madhe e çështjes ekonomike, me një fjalë që e rrit buxhetin e Kosovës? Dihet se Egjipti, Jemeni, Dubai fitojnë shumë nga turizmi, kujtoj nuk e teproj kur them se turizmi është zemra ekonomike e një shteti dhe ka ndikim të fuqishëm gjithashtu, dhe në aspektin politik apo jo?!
Albini: Pushteti në Kosovë nuk mendon për Kosovën se si mund të përfitojë ajo, por vetëm se si mund të përfitojë prej saj. Pushtetarët tonë e preferojnë pasurimin e shpejtë përmes tenderëve dhe jo pasurimin e Kosovës përmes turizmit. Por, të mos harrojmë që Pakoja e Ahtisaarit është e dëmshme edhe në këtë aspekt. Zonat e veçanta për rreth kishave dhe manastireve ortodokse në Kosovë që shumë shpesh po quhen serbe me qëllim që ta serbizojnë historinë e mesjetës dhe në këtë mënyrë të na ndërpresin lidhjen në mes të antikitetit dhe modernitetit dhe të na shpallin ardhacak. Këto zona disa qindra hektarësh nëpër gjithë territorin e Kosovës e kryesisht në vend ku ka potencial po bëjnë e pamundur zhvillimin e turizmit dimëror si p.sh: Patriarkana e Pejës në Gryken e Rugovës, Manastiri i Deçanit në Deçan, Shën Arhangjeli në Prizren, etj.
8. Pyetje: Strukturat paralele serbe po veprojnë hapur në Kosovë, ato madje i kanë krijuar dhe institucionet e tyre, i kanë zgjedhur kryetarët e tyre të cilët i japin llogari dhe bëjnë veprime kundër-shqiptare të hapura dhe ilegale, ato, e njohin de fakto dhe de jure vetëm shtetin e Serbisë, ndërsa, pas 17 shkurtit 2008, të deklaratës së bujshme të “pavarësisë”, institucionet e Kosovës, qeveria e parlamenti, duke i përfshirë këtu dhe organet ekzekutive, që, pa lejen e tyre nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për shpartallimin e tyre, dhe bile, për më keq, as për pengimin e tyre, kur dihet se në të kaluarën jo të largët regjimi i Serbisë i ka ndjekur egërsisht duke i burgosur e vrarë, individët, grupet dhe partitë ilegale shqiptare, kur ata/ato, përpiqeshin për të bërë çlirimin e trojeve shqiptare nga okupatorët serbë e të tjerë. I nderuar, a mund të na thoni kush përfitoi më shumë, nga kjo deklaratë e “pavarësisë” së Kosovës dhe pse nuk po bëhen hapat konkretë në eliminimin e këtyre institucioneve paralele të përkrahura hapur nga Serbia?
Albini: Prej shpalljes së pavarësisë më shumë situatën në terren e kanë ndryshuar strukturat paralele të Serbisë se sa Qeveria e Kosovës. Përveç 65 njohjeve që i kemi pas shpalljes në Kosovë nuk kemi asnjë veprim konkret drejt shtetit sovran dhe me integritet territorial. Për më keq, pas shpalljes së pavarësisë Kosovës iu djegën pikat doganore 1 dhe 31, ju uzurpuan Gjykata në Veri, hekurudha, sistemi energjetik, ndërhyrjet në komunikim etj. Pra, nuk po kemi kurrfarë shtet-ndërtimi por përkundër po kemi fuqizim të strukturave paralele gjegjësisht Serbisë në Kosovë. Lëvizja VETËVENDOSJE! para një viti e gjysmë pat prezantuar një plan për integrimin e veriut, për të lexuar planin vizitoni ueb-faqen e Lëvizjes në internet www.vetevendosje.org . Aty patëm dhënë shumë propozime konkrete: Ne patëm bërë një propozim 12 faqesh para një viti mbi atë se si do të duhej që të luftoheshin strukturat e Serbisë në veri dhe si të integrohet veriu. Në vijim po i jap disa prej propozimet konkrete për veriun:
1) Një bazë e njësisë speciale të policisë së Kosovës të jetë e vendosur në një kazermë në veri të Kosovës.
2) Në veri të ketë një prezencë të shtuar të policisë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme atje.
3) Në veri janë rreth 500 familje shqiptare. Duhen shikuar mundësitë që secilës familje t’iu punësohet nga një anëtar në Policinë e Kosovës dhe asisoj do t’i kishim afër 500 njerëz të armatosur në veri në gjendje për ta mbrojtur veten atje.
4) Trupat e KFOR-it duhet të mbrojnë pikat kufitare të kontrolluara nga Policia Doganore e Kosovës në veri të Kosovës. Madje, ato mund të mbyllen për një periudhë prej 3 deri në 6 muaj derisa të merret situata nën kontroll. Veriu i Kosovës para se të jetë problem i kontrabandës (siç propagandon RTK-ja) është problem i integritetit territorial dhe i sovranitetit.
5) Duhet bërë ngritja e akuzave dhe arrestimi për strukturat ilegale të sigurisë, për përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë, për vozitësit që përdorin targa të Serbisë, për gjykatat paralele.
6) Duhet arrestuar ata që janë në krye të krimeve etnike në veri.
7) Të vihen në shënjestër burimet financiare të strukturave paralele. Duhet gjurmuar dhe duhet prerë financimi i strukturave paralele të Serbisë. Kjo po ashtu përputhet me pikën e mësipërme për vështirësimin e arsyetimit politik të Serbisë për të vazhduar me financimin e atyre strukturave.
8) Nuk duhet të legjitimohet komuna e veriut të Mitrovicës. Kësisoj, së paku nuk do t’i vështirësohej bashkimi i Mitrovicës gjeneratave të ardhshme të politikanëve. Nëse pranohet komuna e veriut të Mitrovicës, atëherë çfarëdo ndërmarrje integruese apo çlirimtare atje në të ardhmen do të konsiderohet agresion.
9) Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa reciprocitet të të drejtave të serbëve në Kosovë me shqiptarët në Luginë të Preshevës. Asimetria e situatave na lë peng të konfliktit që nuk mbaron. Shqiptarët në Luginën e Preshevës duhet të bëhen bashkë për flamurin kombëtar që nuk i lejojnë ta përdorin dhe për universitet në gjuhën shqipe. Për këto, ata duhen ndihmuar pa kursim nga Prishtina e Tirana.
10) Rivitalizimi i Trepçës, funksionalizimi i saj që do të rezultonte me punësimin e rreth 8.000 vetave. Në fund të viteve të 70’ta por edhe përgjatë të ‘80-tave, arsimtarët e mjekët në Kosovë kishin paga që mund të krahasoheshin edhe me disa vende të zhvilluara perëndimore. Mirëpo, kjo ishte e mundur pikërisht për shkak punonte Trepça.
11) Themelimi i një Universiteti të Evropës Juglindore (sikurse në Tetovë) me fondet e Bashkimit Evropian ashtu siç ka propozuar ESI. Kjo të bëhet qendër e arsimit të shkëlqyer për të gjithë rajonin e Mitrovicës dhe t’ia merr fuqinë Universitetit të veriut të Mitrovicës të kontrolluar nga Serbia.
12) Ofrimi i bursave për shqiptarët dhe serbët nga veriu për në shkollat e mesme dhe Universitetin në Prishtinë.
13) Investim në spitalin e Prishtinës dhe atë në jug të Mitrovicës në mënyrë që aty të ofrohen shërbime më të mira.
14) Forcimi i fshatrave të shqiptarëve atje si pakicë e rrezikuar që janë duke ofruar mjete për rindërtimin e shtëpive, infrastrukturë të mirë, transport publik falas për në jug të Mitrovicës dhe anasjelltas tri herë në ditë, lehtësim në punësim, lehtësim për regjistrim në universitet. Secili shqiptar i dëbuar duhet të kërkojë të kthehet në pronën e vet në veri. Dhe njëkohësisht të organizohen dhe mobilizohen për këtë. Ata që nuk duan, duhet ta thonë hapur këtë dhe t’ua shesin të tjerëve pasurinë, atyre që duan të kthehen atje.
15) Nuk duhet lejuar që Qeveria e Serbisë t’i blejë pronat e shqiptarëve në veri. Të gjithë shqiptarët që janë detyruar t’i shesin pronat e tyre, Qeveria e Kosovës t’ua blejë ato. Qeveria e Kosovës mandej t’i lëshojë me qira të ulët për ata që duan të banojnë atje. Kurse, politikanët e Kosovës, të cilët gojën e kanë plot premtime boshe për bashkimin e qytetit, t’ua lirojnë një pjesë të hapësirës së apartamenteve dhe shtëpive të tyre të gjera e luksoze banorëve të dëbuar prej veriut të Mitrovicës në mënyrë që ata të mos paguajnë më qira në jug të Mitrovicës apo kudo tjetër në Kosovë që jetojnë e banojnë tash.
Siç dihet e siç po shihet përditë, nuk është përfillur ky plan yni. Qeveria e Kosovës, e vetëmjaftueshme dhe e vetëkënaqur siç është, më parë e ka për shqetësim kritikat që i bën për mosangazhimin drejt bashkimit të Mitrovicës sesa vetë ndarjen e qytetit të Mitrovicës.
Tash së fundit Qeveria e Kosovës bashkë me ICO-në ka përgatitur një strategji që sipas tyre është për integrimin e Veriut. Së pari, integrimi bëhet kur është nevojë e jo dëshirë, pra së pari duhet që serbëve t´ju ju ndërpriten të gjitha lidhjet me Serbinë dhe më pastaj të iu japin fonde për integrim. Për gjithë këto vite të pasluftës vazhdimisht institucionet vendore dhe ndërkombëtare kanë dhënë miliona euro për integrim dhe shikoni sa janë integruar ata. Kujt i konvenon kjo gjendje? Të gjithëve në pushtet, kujt më shumë e kujt më pak, meqë veriu i Kosovës është shndërruar në një zonë të krimit të organizuar ekonomik ku të gjithë po përfitojnë në përjashtim të qytetarëve të Kosovës.
9. Pyetje: Tash e kishim tre vjetorin e demonstratës së 10 shkurtit, ku u vranë Arben Xheladin dhe Mon Balaj dhe u plagosën më shumë së 80 veta dhe nuk ka asnjë të dënuar për këtë punë, e në anën tjetër jemi dëshmitarë të rifillimit të procesit gjyqësorë ndaj teje. Pse po ndodh e gjithë kjo?
Albini: Po është e vërtetë që nuk ka të dënuar për vrasjen e Arben Xheladin dhe Mon Balaj dhe për plagosjen e më shumë së 80 vetave të tjerë. UNMIK-u e ka pranuar fajin pjesërisht duke thënë se vrasjet kanë qenë të panevojshme dhe të mënjanueshme, dhe kanë propozuar një kompensim për familjaret por më kushtin që ata të heqin dorë nga çfarëdo ndjekje penale ndaj vrasësve. UNMIK-u asnjë herë nuk pat filluar ndonjë hetim që do të përfundonte me gjykimin e vrasësve, por në anën tjetër më pat akuzuar mua dhe më pat mbajtur afër një vit në paraburgim. Gjatë këtij rasti ka pasur shumë shkelje procedurale dhe mjaft vendime politike për vazhdimin e paraburgimit me arsyetim se unë mund ta rrezikoj statusin e Kosovës. Në kohën kur qytetarët e Kosovës po prisnin që të fillojnë arrestimet e politikanëve të korruptuar EULEX-i e lëshoi lajmin se do të rifillonte procesin gjyqësorë kundër meje. Në anën tjetër EULEX-i e përjashtoi mundësinë që do të filloj edhe një proces gjyqësor kundër policëve rumunë. Fakti që EULEX-i është i njëanshëm tregon se nuk është i interesuar për drejtësi për rastin e 10 shkurtit. Po ashtu koha kur u vendos që ky rast të rifillojë tregon se është krejt politik. E kam fjalën se tash Kosova ka nisur të vlojë për shkak të gjendjes së rëndë politike dhe ekonomike, dhe po ashtu qytetarët si kurrë më parë janë të irrituar nga kjo elitë politike e korruptuar dhe e shantazhuar. Tash kur po bëhen gati për privatizimin neoliberal të ndërmarrjeve dhe pasurive kryesore të Kosovës, po flitet gjithnjë e më shumë për fillimin e negociatave të reja për veriun e Kosovës me Serbinë dhe tashmë u dha lajmi që edhe për disa vite nuk do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën. Po frikësohen që Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe unë mund ta kanalizojmë këtë pakënaqësi kundër këtij sistemi, dhe duke ia dhënë mbështjellësin politik këtij zgjimi të mundshëm qytetar mund të ketë edhe ndryshime rrënjësore. Për ketë arsye Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe mua po ja mbyllin dyert e parlamentit dhe po ja hapin dyert e burgut. Unë nuk kam shkuar në seancën e 15 shkurtit dhe s’do të shkoj as në atë të 22 shkurtit. Ky proces kundër meje është politik, është padrejtësi, dhe unë s’kam pse i kontribuoj asaj.
10. Pyetje: I nderuar atdhetar, a keni ndonjë mesazh për bashkatdhetarët që jetojnë kudo nëpër botë, çfarë kërkoni ju të bëjmë ne mërgimtarët më shumë, që Shqipëria Natyrale të ketë një ardhmëri të ndritur dhe të realizohen idealet e rilindësve tanë të mëdhenj, për ribashkim kombëtar, kur dihet mirëfilli që, përpjekjet dhe lufta me të gjitha format dhe mjetet e mundshme për t´u arritur kjo objektivë madhore historike, nuk ka pushuar asnjëherë, për më tepër se një shekull, brenda dhe jashtë atdheut?
Albini: Ashtu si jemi të ndarë shqiptarët në disa shtete, vështirë që do të mund të ju bëjmë ballë qëllimeve të shteteve për të na marrë më shumë territor dhe për të na përdorur si treg për prodhimet e tyre. Vetëm të bashkuar mund t’i ndalim këto qëllime hegjemoniste të tyre, sepse të bashkuar do të jemi më të fortë ushtarakisht edhe ekonomikisht. Diaspora jonë është bukur e ndarë dhe jo aq e organizuar. Porosia ime është që ju duhet të organizoheni. Së pari të kërkoni më shumë të drejta për ju aty ku jetoni dhe punoni sepse vetëm një diasporë e organizuar dhe më me shumë të drejta do të mund të ndihmonte edhe më shumë popullin shqiptar në Ballkan. Po ashtu edhe ne po gjejmë një përkrahje të madhe te ju dhe kjo po na bën që ne të punojmë edhe më shumë.
Im vëlla ideali, vërtetë qe kënaqësi e madhe që ishe në mesin tonë, dëshirojmë të na vizitoni sa më shpesh, Ty dhe përkrahësit tuaj, ata djem e cuca sypetritë të Lëvizjes Vetëvendosje, që po përhapin shkëndija drite dhe rezistence në të gjitha trojet shqiptare!
Albini: Ju faleminderit e përshëndetje të gjithë lexuesve tuaj.
Intervistoi: Fadil SHYTI
Suedi , 5.02 2010
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 65 vizitorë |
| Lexuar:
2,087 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
| |
| Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash... |
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34 Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur... |
| KRAHËT E SHQIPES |
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25 Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“
⁃ Kush është zonja. Ma... |
më shumë nga - Intervista » |
|
|
|
|
|