|
Prishtinë, 5 mars – Bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës, pas vendimit të GJND-së janë të pashmangshme, citon sot “Koha Ditore” diplomatë perëndimorë të akredituar në Prishtinë.
Në kushte anonimiteti, zyrtarë ndërkombëtarë kanë thënë se ky ka qenë edhe mesazhi që në Beograd dhe Prishtinë e kanë sjellë përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e BE-së, Catherine Ashton, dhe ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner.
Sipas këtyre burimeve, Kosova do të mund që nga bisedimet të përfitojë në sundimin e ligjit në veri, ndërkaq që Beogradi, avancimin në rrugën drejt integrimit evropian.
“Beogradi duhet ta ketë të qartë se nuk mund të vazhdojë me të njëjtën qasje ndaj Kosovës dhe të pretendojë anëtarësimin në BE. Këtë e ka thënë edhe publikisht ministri Kouchner”, i ka thënë gazetës një zyrtar ndërkombëtar, duke e cituar ministrin e Jashtëm francez që ka thënë se “marrëdhëniet fqinjësore të mira me Kosovën nuk janë parakusht për Serbinë që të integrohet në BE, por janë një nevojë”.
“Askush nuk do të mund të marrë 300 për qind nga ajo që pretendon dhe kjo është e qartë, por janë 22 shtet të BE-së që e kanë njohur Kosovën, dhe duhet vetëm të kemi parasysh atë që e pati thënë vetë zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, gjatë vizitës në Beogard dhe Prishtinë. Ai pati thënë që askush nuk pret që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, por ne presim që Serbia të mos e vështirësojë jetën e njerëzve”, i ka thënë gazetës ky zyrtar ndërkombëtar.
Mediat në Serbi i kanë vendosur bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit në fokus të raportimeve, ndërkaq që diplomatë të ndryshëm fqinjin verior të Kosovës kanë bërë edhe deklarata publike për bisedime të reja.
Duke i cituar burimet e tyre diplomatike mediat serbe raportojnë se krahas mesazhit publik për nevojën e bisedimeve, ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner, ka pasur edhe tri kërkesa për Beogradin zyrtar, në mënyrë që t`i hapet rruga drejt BE-së:
E para, që Beogradi të ndryshojë retorikën për Kosovën; E dyta, që të tërhiqet nga ideja e një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së kundër pavarësisë së Kosovës, iniciativë që Beogradi ka planifikuar ta ndërmarrë pas vendimit të GJND-së; dhe mesazhi i tretë që Kouchner ka sjellë në Serbi, sipas medieve serbe, ka qenë konstruktiviteti i duhur i qeverisë në Beograd karshi veriut të Kosovës.
Në paraqitje të ndryshme në mediat beogradase, edhe ambasadori francez e edhe ai gjerman kanë folur për nevojën e bisedimeve dhe për ndryshimin e qasjes së Beogradit ndaj Kosovës.
Edhe Prishtina, por edhe Beogradi, kanë bërë deklarimet e para lidhur me “disponimin” e tyre për të biseduar. Përderisa Qeveria e Kosovës ka potencuar se bisedimet me Serbinë do të ketë vetëm si dy shtete, ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiq ka shfrytëzuar një vizitë në Hungari për të thënë se ndërlidhja e perspektivës evropiane të Serbisë me çështjen e Kosovës do të ishte “gabim tragjik”, dhe se bisedime do të ketë për statusin e Kosovës.
“Secili që beson se Serbia, nëse do të ishte e detyruar të zgjedhë mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës, do të zgjidhte BE-në, gabon”, ka thënë Jeremiq.
K D
|