Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Epopeja e 5, 6 dhe 7 marsit 1998, histori moderne e lirisë sonë
Publikuar më 05 mars, 2010 në orën 16:57 ( ) Lajme |
Rrit madhësinë e shkronjave
Me parakalimin e Gardës së Nderit të FSK-së në sheshin “Skënderbeu” në qendër të Prishtinës, sot filloi manifestimi treditor “Epopeja e UÇK- së”, ku ishin të pranishëm autoritetet më të larta të vendit: Presidenti i Republikës Fatmir Sejdiu, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, Kryeministri Hashim Thaçi dhe zyrtarë të tjerë të lartë si dhe shumë pjesëmarrës. Me këtë rast u tha se sakrifica e familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 hapi një kapitull të ri të historisë së Kosovës.

Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi parakaluan pranë Gardës Ceremoniale të Nderit dhe folën para të pranishmëve. Presidenti i Republikës, Dr.Fatmir Sejdiu, duke folur në këtë manifestim, tha në fillim të fjalës së tij se dymbëdhjetë vjet më parë, Kosova përjetoi njërin prej episodeve më të rënda të historisë së saj më të re. Pikërisht më 5 mars 1998, tha ai, në Prekaz të Ulët të Drenicës, ra në altarin e lirisë Komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, bashkë me babanë Shabanin dhe me vëllanë Hamzën. “Atë ditë, përveç këtyre tre martirëve iu shua jeta edhe shumë njomakëve dhe anëtarëve të tjerë të familjes Jashari”. Por, me flijimin e tyre unikat, tha Presidenti Sejdiu, ata u stolisën me kurorën më të praruar të historisë së luftës sonë të gjatë për liri e pavarësi, ata u shndërruan në një simbol të pakrahasueshëm të vetëflijimit sublim dhe të sakrificës për të mirën e atdheut. Por dymbëdhjetë vjet pas asaj sakrifice të paimagjinueshme, vijoi Presdenti, trungu i familjes Jashari është ripërtërirë me fëmijët e lindur pas mbarimit të luftës, me fëmijët që kanë trashëguar emrat e të parëve martirë, si për të pohuar fuqishëm se liria e një populli nuk mund të shuhet me asnjë lloj makinerie, me asnjë lloj krimi. Ndërkaq, duke folur për aktualitetin e sotëm, Presidenti Sejdiu vlerësoi se Republika e Kosovës në vitin e tretë të pavarësisë së saj është dëshmuar si “një faktor shumë i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon”. Ndërsa pohoi se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me vendet e fqinjësisë së parë, si dhe një bashkëpunim shumë intensiv e të frytshëm edhe me vendet e tjera të rajonit, ai theksoi se marrëdhënie të tilla vendi ynë dëshiron të ketë edhe me Republikën e Serbisë. Por e akuzoi Beogradin se “nuk po mund të lirohet nga logjika e vjetër e hegjemonisë ndaj të tjerëve, si ambicie të saj”. “Sido që të jetë, dora jonë për miqësi dhe bashkëpunim të sinqertë në mes dy shteteve sovrane, për të mirën e popujve tanë, mbetet e zgjatur”, tha ai. Megjithëse Kosova ka pasur edhe sfida të ndryshme, Presidenti Sejdiu tha se para institucioneve “mbeten shumë detyra për t’u bërë”. Po ashtu Presidenti vlerësoi se megjithatë “Kosova e pasluftës është një rrëfim suksesi”, i popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj, si dhe i vendeve mike të Kosovës – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të Bashkimit Evropian dhe shumë vendeve të tjera. Ndërkaq, për Forcën e Sigurisë së Kosovës tha se ajo po formësohet si “një forcë profesionale dhe e disiplinuar e të gjitha komuniteteve tona etnike” dhe se Kosovën e pret një e ardhme shumë më e ndritur sesa e kaluara e saj tepër tragjike. “Forca e Sigurisë e Kosovës është ndërtuar dhe po përsoset si një forcë moderne, e ndihmuar nga ekspertë të NATO s dhe sipas standardeve të kësaj aleance, e gatshme për të ndihmuar në të gjitha proceset e ndërtimit dhe ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në vend”, tha Presidenti Sejdiu, duke i porositur pjesëtarët e FSK së të përgatiten sa më mirë në kryerjen e detyrave dhe të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit. Duke qenë thellësisht e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin e të gjithë rajonit, Presidenti tha se Kosova synon që sa më parë të bëhet anëtare e NATO s. Kosova në NATO, tha ai, nënkupton sigurimin e paqes së qëndrueshme jo vetëm për vendin tonë, por për mbarë këtë pjesë të Evropës Juglindore. Duke përmbyllur fjalën e tij, Presidenti Sejdiu rikujtoi moton e përhershme politike, të cilën e artikuloi Presidenti historik Ibrahim Rugova: “Kosova e pavarur, demokratike e paqësore, e integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në miqësi permanente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. “Kjo është vullneti politik i popullit të Kosovës, ky është themeli i paqes dhe i së ardhmes më të lumtur të fëmijëve të Kosovës dhe fëmijëve të të gjithë rajonit”, theksoi në fund fjalës së tij Presidenti Sejdiu. Ndërkaq në fjalën e tij kryeministri Hashim Thaçi tha se “epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është rezistenca më vigane, më origjinale dhe e papërsëritshme në historinë e çlirimit të një kombi”, ndërsa për sakrificën e Komandantit legjendar Adem Jashari tha se “është akti sublimues i gjithë përpjekjeve dhe sakrificave shekullore për lirinë e Kosovës”. Thaçi gjithashtu theksoi se “epopeja e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 është historia moderne e lirisë sonë”. Kryeministri Thaçi tha se Kosova ka hyrë në vitin e 11-të të lirisë, në vitin e tretë të pavarësisë, “gjithnjë e sigurt dhe e vendosur për të qenë pjesë e botës euroatlantike”. Në vazhdim ai tha: “Çdo vit që kalon i thellon themelet e lirisë së Kosovës. Rrit dhe zgjeron perspektivën euroatlantike të saj. Çdo vit që kalon rrit madhështinë e sakrificës madhore për lirinë e vendit tonë, thellon peshën historike të kujtesës sonë rrit krenarinë e brezave tanë dhe të pasardhësve tanë”. Në emër të familjes Jashari manifestimin e sotëm e përshëndeti Bekim Jashari, i biri i heroit Hamzë Jashari.
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 17 vizitorë
Lexuar: 567 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
URIME KOSOVE, TE PRIFTE E MBARA!
E diel, 04 prill 2021 - 20:37
.
EPOPEJA...!
E diel, 07 mars 2021 - 00:08
.
Lufta e UÇK-së bashkon tre shtete
E premt, 27 nntor 2020 - 23:25
Institucionet e shkencës dhe të kulturës në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut kanë dalë me një qëndrim të përbashkët mbi luftën e Ush...
K O M U N I K A T Ë
E premt, 20 nntor 2020 - 14:59
SHOQATA “YJET QË NUK VDESIN & OJQ “YOUTH FORUM PERSPEKTIVA” K O M U N I K A T...
Marrëveshja Kosovë-Serbi
E premt, 04 shtator 2020 - 20:59
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar Marrëveshje ekonomike me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë në Washingt...
më shumë nga - Lajme »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi