| Piter Fait dhe EULEX-i po bëjnë presion, shantazh dhe dhunë politike mbi Komunën e Vitisë |
| Publikuar më 08 mars, 2010 në orën 00:08 ( ) |
Xhevat Bislimi | Opinion | |
|
|
|
Për ditë e më qartë, çdo ditë e më mirë po dëshmohet se Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Piter Fait, me Zyrën e tij dhe Ivë dë Kermabo me EULEX-in e tij nuk janë neutral ndaj sovranitetit të Kosovës dhe pavarësisë së institucioneve të saj. Presioni, shantazhi, kërcënimet dhe dhuna e hapur politike mbi Komunën e Vitisë dhe mbi organet e saj e vërtetojnë më së miri angazhimin dhe përkushtimin e tyre për nënshtrimin dhe shtypjen e pavarësisë së institucioneve të pavarura të Kosovës.
Në fakt, ç’është EULEX-i?
Në faqen e tij zyrtare thuhet: "Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) është misioni më i madh civil deri më tani i CSDP (Politika e Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje). Synimi kryesor i tij është t’i ndihmojë dhe mbështesë autoritetet e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, posaçërisht në fushën e policisë, gjyqësisë dhe doganave. Qëllimi i misionit nuk është të sundoj apo të administroj në Kosovë. Ky është një mision teknik i cili do të monitorojë, udhëzojë dhe këshillojë përderisa do të mbajë një numër të kufizuar të kompetencave ekzekutive. EULEX vepron në një kuadër të përgjithshëm të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe ka një zinxhir të njësuar komandues në Bruksel". Kurse, Ivë dë Kermabo, thotë, po në këtë faqe zyrtare, se "autoritetet vendore do të jenë në ulësen e shoferit". Të njëjtin karakter e deklaron dhe e thotë edhe për "koponentën" e drejtësisë, atë të policisë dhe atë të doganave.
Mirëpo, EULEX-i, nga një "mision teknik, i cili do të monitorojë, udhëzojë dhe këshillojë", po merr përditë e më hapur përmasat e një gjandari të pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, ai de fakto po përpiqet ta uzurpoj sovranitetin e popullit të Kosovës, të cilin, deri dje e mbante plotësisht UNMIK-u, që edhe sot po përpiqet që përmes Veriut të Kosovës të qëndrojë edhe më tej këtu, deri në realizimin e plotë të misionit të tij, sot të tyre, EULEX-UNMIK. Cili është ky misioni i tyre i përbashkët dhe bashkues? Fillimisht thoshin se kanë ardhur ta mbrojnë pakicën serbe nga "hakmarrja e ekstremistëve shqiptarë". Pak më vonë nisën të zbulojnë një pjesë të misionit të tyre: Shndërrimin e Kosovës shqiptare në një Kosovë "multietnike"!? Në kohën që u pranua kjo pjesë e projektit nga klasa e mjerë politike e Kosovës, nisi shpalosja e kapitullit tjetër të projektit: Decentralizimi (lexo: copëtimi i saj) i Kosovës! Ky plan që ishte miratuar nga Kuvendi i Serbisë u bë themeli i bisedimeve me Beogradin dhe fitoi legalitetin dhe "legjimitetin" e plotë me emrin "dokumenti ose plani i Atisarit" (Kushtetuta e Kosovës)!
Kapitulli i fundit i këtij projekti kundërshqiptar, finalja e tij u paralajmërua këto ditë nga një diplomat (ambasador) i huaj në Prishtinë. Ai si pa të keq e ngatërroi ose e njëjtësoi decentralizimin me federalizimin, duke lënë të kuptohej se Kosova me 95 për qindë të popullsisë shqiptare mund të federalizohet, të ndahet midis shqiptarëve (95%) dhe pakicës serbe (5%)?! Kjo ishte shpalosja ose paralajmërimi më i "guximshëm" i finales së këtij projekti!
Bazën e këtij guximi duhet kërkuar te koncesionet e lehta dhe të njëpasnjëshme që janë bërë në të gjitha fazat e projektit UNMIK-EULEX (dihet kush qëndron prapa tyre) për Kosovën shqiptare dhe për çështjen shqiptare në Ballkan. Mund ta kam gabim, por ne shqiptarëve, historikisht kemi jetuar me një far psikologjie që edhe kur na hanë ujku themi: "Jo ore, se jam në ëndërr"! Uroj dhe dua të besoj që klasa politike dhe institucionale, inteligjencia, rinia dhe atdhedashësit të paktën kësaj radhe nuk do të bëjnë lëshime dhe nuk do të lejojnë finalizimin e këtij projekti famëkeq me rreziqe dhe pasoja afatgjata për sigurinë, qëndrueshmërinë dhe paqen në Ballkan. Tokat e Shqipërisë nuk do të duhej të shërbenin më për kusuritje. Në vend se të mendohet, të flitet, të shkruhet dhe të këmbëngulet për tokat shqiptare nën Serbi, për tokat shqiptare nën Maqedoni, nën Mal të Zi e nën Greqi, mendohet, bisedohet, shkruhet (hapur e fshehur) dhe këmbëngulet për decentralizimin-federalizimin e Kosovës shqiptare! Bartës legal dhe "legjitim" të kësaj ideje dhe të këtij projekti përveç Zanierit tash janë edhe Piter Faiti dhe Ivë dë Kermabo.
Decentarlizim-federalizimi i Anamoravës
Fitorja e ekipit, që sot drejton Komunën e Vitisë, duket që i ka bërë shumë të pakënaqur këta dy përfaqësues –gjandar të gjoja ligjshmërisë në Kosovë. Pakënaqësia e tyre është e lidhur ngushtë me qëndrimet dhe kundërshtimet e këtij ekipi për krijimin e "komunës" së Kllokotit në zemër të Komunës së Vitisë dhe kundër copëtimit të Anamoravës dhe përpjekjeve për ta shndërruar atë në një farë Veriu të dytë të Kosovës.
Zyra e Piter Faitit dhe vetë ai, si dhe EULEX-i me argatët e tij të bollshëm në Kosovë, që dje ishin hyzmeqarë të Serbisë (mbase janë edhe sot) ka disa muaj që tërë fuqinë dhe "kompetencën" e tyre e kanë përqëndruar në dhe mbi Komunën e Vitisë dhe organet e saj. Në kohën që nevojat dhe kërkesat e qytetarëve tanë janë të mëdha dhe të ngutshme, në kohën që ka shumë çështje urgjente për t’u trajtuar dhe për t’u zgjidhur në ineres të Komunës dhe të zhvillimit të saj, Piter Faiti me bashkëpunëtorët e tij dhe EULEX-i kërkojnë takime herë në Prishtinë e herë në Viti me Kryetarin e Komunës, me Kryetarin e Kuvendit, etj. dhe u bëjnë presion dhe shantazh që t’i nënshtrohen antidrejtësisë dhe politikave e projekteve të tyre të mbrapshta për Vitinë dhe Anamoravën.
Në fund, me një paturpësi dhe arrogancë kërcënuan hapur Kryetarin e Komunës së Vitisë me shkarkim!
Për ta detyruar Komunën e Vitisë që ta njohë dhe mbështes "komunën" e Kllokotit, Piter Faiti dhe EULEX-i bëjnë presion me mashat e tyre të sojit Sadri Ferati (Ministër), me Agjencionin Kosovar të Privatizimit (AKP) dhe me gjykatat dhe gjykatësit që me aq besnikëri i kanë shërbyer Jugosllavi-Serbisë dhe vazhdojnë t’u shqrbejnë edhe sot me punën dhe aktvendimet e tyre, herë tërthorazi, herë drejtëpërdrejtë. Përveç kësaj, këto gjykata dhe AKP-ja me Ministrinë e Sadri Feratit dhe kompaninë e tij, me politikat, punën dhe vendimet e tyre vazhdojnë t’u shërbejnë grupeve mafioze dhe krimit të organizuar, kuptohet nëpërmjet "privatizimit", njohjes dhe pranimit të dokumenteve që prodhohen ose janë prodhuar nëpër bodrumet e errëta të krimit të organizuar që mbështetet fuqishëm nga shërbimet sekrete serbe, etj. Kur nuk u bëjnë punë argatët e tyre e marrin çështjen vetë në dorë dhe ia tregojnë dhëmbët Komunës dhe atyre që nuk u nënshtrohen...
Komuna e Vitisë hynë nënë administrimin e dhunshëm të Piter Faitit dhe EULEX-it
Të premten, pas presionit, shantazheve dhe dhunës politike disa mujore, me kërcënimin në fyt për shkarkim, Kryetari i Komunës së Vitisë dhe Kryetari i Këshillit komunal i propozuan Këshillit komuanl që ta shfuqizojë vendimin e vitit 2008, që kishte vetëm një qëllim: Ruajtjen dhe mbrojtjen e tokës dhe të pronës nga trafikimi dhe kontrabandimi i grupeve të krimit të organizuar. Pjesë e këtij rrjeti të krimit të organizuar gjatë tetë viteve ishte bërë drejtësia (gjykata), kadastri komunal dhe drejtuesit kryesor të Komunës. Pa këta as nuk mund të mendohej trafikimi dhe përvetësimi i pronës. Në vitin 2008 Komuna e Vitisë kishte marrë këtë vendim pas përpjekjeve të kota për t’u marrë vesh me Qeverinë dhe AKP-në për ruajtjen e ndonjë objekti a toke për nevojat e Komunës dhe të qytetarëve tanë. Qeveria mendonte se AKP-ja, si në kohën e UNMIK-ut, është një superqeveri dhe ka pushtet të plotë për trafikimin dhe kontrabandimin e pronës së Kosovës! Një pjesë e madhe e tokës, nëse jo shumica, është "privatizuar" nga krimi i organizuar me dokumente të falsifikuara. Po edhe ajo pronë që është privatizuar nga AKM-AKP- ja e zezë është bërë me rregulla dhe standarde që më së paku i ngjajnë një privatizimi që ka për qëllim zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve. Edhe ato pak para që janë përfituar nga privatizimi (kontrabandimi) që ka bërë AKM-AKP-ja nuk janë në Kosovë dhe nuk shfrytëzohen për të mirën ekonomike dhe për mirëqenien e këtij vendi!
Në shërbim të plotë të këtij kontrabandimi dhe trafikimi të pronës është vënë, siç u pa edhe të premten, më 5 mars, në Viti, edhe Zyra e Piter Faitit dhe EULEX-i. Zëvendësi i Piter Faitit me disa sejmenë të tij, pas presionit dhe kërcënimeve në Zyrën e Kryetarit të Komunës, shkuan dhe zunë vend edhe në sallën e Këshillit komunal dhe qëndruan aty për të bërë presion politik e psikologjik deri sa u mor vendimi për shfuqizim të atij vendimi për "shpronësimin" e Komunës në interes të grupeve mafioze dhe përvetësuesve të pronës komunale e "shoqërore", por sidomos dhe ekskluzivisht për punën e një prone në Kllokot të Vitisë! Kështu Komuna e Vitisë hyri nën administrimin e dhunshëm të Piter Faitit dhe EULEX-it! "Konflikti" i Komunës së Vitisë me Qeverinë (Ministrinë e Sadri Feratit, që e ka bërë "fet" Mitrovicën dhe Veriun, dhe me AKP-në, në fund të fundit ishte dhe është "konflikt" ndërinstitucional, brenda institucioneve të pavarura të Kosovës. Piter Faiti dhe EULEX-i nuk i kishin dhe nuk i kanë as pesë para punë në këtë "konflikt". Këtë kënaqësi të ndërhyrjes në punët tona ndërinstitucionale ua jep një klasë politike dhe institucionale servile, hipokrite, e përçarë dhe, para së gjithash, ua japin ata që gjithmonë janë mësuar të rrinë nën hijen dhe hyqmin e Jugosllavi-Serbisë, UNMIK-ut, etj. Çfarë Ministri është Sadri Ferati, që gjatë dy vjetëve nuk i ka gjetur dy orë kohë me ardh dhe me i pa, me i dëgju, me i prek dhe me i trajtu nevojat, kërkesat dhe hallet e shumta të një Komune?
Në Ligjin për vetëqeverisje lokale as EULEX-i dhe as Piter Faiti nuk përmenden me asnjë fjlaë të vetme, nuk ekzistojnë! Rrjedhimisht, kjo Zyrë dhe ky mission nuk kanë pse shkelin në zyrat e Komunës.
Ata mund të shkilnin dhe të vinin sikur të kishin për qëllim ndihmën për Komunën dhe qytetarët tanë, sikur të na ndihmonin për projekte dhe nevoja të shumta, për pengimin dhe luftimin e uzurpatorëve të shumtë të pronës komunale dhe për pengimin e luftimin e krimit të organizuar, por jo për administrim të dhunshëm.
Ata mund të vinin në Viti dhe komuna të tjera sikur të vendosnin minimumin e sundimit të ligjit në Veri. Pas kësaj dhune politike dhe këtyre kërcënimeve dhe pas këtij poshtrimi që iu bë organeve komunale dhe qytetarëve të Vitisë, unë do t’i shpallja të padëshiruar në Komunën tonë. Organet komunale nuk do të duhej kurrë ta pranonin nënshtrimin ndaj këtyre zyrave dhe misioneve që nuk i ndihmuan dhe nuk po i ndihmojnë Kosovës, por po përpiqen që me mënyrat dhe mjetet e tyre të presionit, dhunës dhe kërcënimeve politike ta mbajnë atë nën administrimin e tyre kundërshqiptar.
Si për koincidencë, ditën që u mor vendimi i dhunshëm dhe fyes për Komunën dhe qytetarët tanë, lexova në shtypin e ditës se Komuna e Zvecanit kishte marrë vendim që strategjinë e Ylber Hysës për Veriun ta pengonte me të gjitha mënyrat dhe mjetet dhe në Veri t’i fuqizonin edhe më tej institucionet shtetërore të Serbisë! Secili njeri i interesuar mund t’i hap faqet e tyre zyrtare dhe ta vërtetojë faktin se edhe statutet, edhe vendimet dhe e tërë qeverisja e tyre është e bazuar tërësisht në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Serbisë. Megjithatë, nuk kam dëgjuar që Piter Fait dhe EULEX-i të shkojnë ose t’i dërgojnë sejmenët e tyre për të bërë presion për anulimin qoftë të një vendimi të tyre! No koment! Kjo u pa edhe nga reagimi i mbrëmshëm i një oficeri të KFOR-it për FSK-në dhe parakalimin e tyre me armë për nder të Epopesë së UÇK-së dhe Lavdimadhit, Komandantit Legjendar, Adem Jashari. Këto reagime dëshmuan edhe njëherë se disa qarqe dhe vende ndërkombëtare do të donin që ne ta mohojmë vetëveten, ta mohojmë çdo gjë shqiptare dhe, ata, me sojin e spahinjëve ta krijojnë një komb "kosovar". Kënaqësi që kurrë nuk do ta përjetojnë, sa të jetë toka me njerëz…
Xhevat Bislimi - Nënkryetar i Komunës
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 45 vizitorë |
| Lexuar:
1,261 herë
|
|
|
|
|
|
|