Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
POLITIKANËT TANË KURRË TË MOS HARROJNË, SE VJEN NJË DITË...!!!
Publikuar më 08 mars, 2010 në orën 20:57 ( ) Faridin Tafallari | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
...Kur bien këmbana të fuqishme, që zgjojnë zemërimin e një populli, të cilit i ka ardhur në majë të hundës....!!!

Dikur, atë botë, në rininë time të hershme, u largova me lotë në sy, me dhimbje në zemër e shpirt, nga vendi im i shtrenjtë, nga Lokja Kosovë! Isha i detyruar të largohesha për të gjetur punë, të mbijetoja unë dhe të ndihmoja familjen time të varfër; por dhe të shpëtoja nga kthetrat e egra të përndjekjes së UDB-së titiste!... Po, si une, sa e sa bashkatdhetarë të mi morrën rrugët e mërgimit!...

... Dhe sot me lot në sy, po me shpirtin që më dhemb aq shumë për tokën time, shoh, sesi po braktisen trojet shqiptare, toka jonë stërgjyshore!!!.. Po, pse...pse???.

A s’ishin të parët tanë, të cilët i mbrojtën me zjarr e hekur, që i lanë me gjak , e që s’i lëshuan kurrë këto troje! A s’ishte ky popull trim, që kurrë nuk mundi ta çfarosë shkjau, se gruaja, nëna shqiptare në këto troje, lindte çdo ditë kreshnikë, luftëtarë të lirisë, trima e të guximshëm, që nuk e njihnin tutën! A s’ishin shqiptarët e trojeve etnike nën ish-Jugosllavi, që e ruajtën në shekuj dhe kurrëse harruan gjuhën e bukur shqipe, flamurin kuq e zi, traditën dhe kulturën e një kombi të lashtë! A s’ishim ne, të rinjtë e brezit tim, që ecëm gjurmëve të luftëtarëve të orëve të para, të luftës për liri e pavarësi, që vazhduam, u organizuam dhe shtrënguam radhët tona të luftëtarëve edhe në mërgim, me një moto të vetme, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e trojeve tona etnike dhe për Bashkimin e tyre me Shqipërinë Amë!!! A s’ishim ne të gjithë, që ëndërronim me vite e vite për këtë ditë, për të parë Shqipërinë Një, të bashkuar, Shqipërinë Natyrale?!.. A s’ishte një popull i tërë, i papërkulur, që u burgos, u maltretua, u torturua, vetëm e vetëm se e donte Kosovën e lirë, donte lirine e trojeve të veta, donte Bashkimin e kombit të tij?!
A s’ishte ky popull heroik që nxorri nga gjiri i tij UÇK-në e lavdishme, që solli lirinë dhe shporri një herë e përgjithmonë shkjaun nga Kosova! Po si mund të harrohen të gjitha këto, po sa e sa fletë të tjera historie, që flasin vetë?!

... Dhe sot Kosova është e pavarur....Madje nëpër media të ndryshme, në fjalimet pompoze të qeveritarëve tanë, si dhe në gojën e disa ndërkombëtarëve trumbetohet me të madhe: “Kosova shtet sovran dhe i pavarur”!? Po çfarë pavarësie është kjo? Cilës lloj pavarësie i takon? Në çfarë kategorie hyn kjo pavarësi? Një shtet me një hymn kombëtar të sajuar, memec, një shtet me dy flamuj, një zyrtar e një kombëtar, me dy festa pavarësie, Dita e Pavarësisë më 28 Nëntor e fituar dhe e caktuar nga vetë shqiptarët, kur plaku i mençur e patriot, Ismail Qemali, ngriti flamurin kombëtar kuq e zi në Vlorë, duke e shpallur Shqipërinë më vete, të cilën e kemi festuar kurdoherë me madhështi.... dhe dita e (pa)varësisë, 17 shkurti, e planit të famshëm të Ahtisarit, d.m.th. e imponuar nga të huajt!? Më mirë do të ishte të thuhej e të quhej Kosova një protektorak ndërkombëtar, sesa Kosova e pavarur!?!

Dhe në realitet ajo ashtu është–Kosova një shtet i ndërkombëtarëve-ata komandojnë, urdhërojnë, gjykojnë, me një fjalë qeverisin e pushtetarët tanë janë kthyer në kukulla të ndërkombëtarëve! Kudo që dalin, pushtetarët tanë, vetëm deklarojnë, që Kosovën e njohu ky shtet e ai shtet, madje përmendin ca shtete, që mezi gjinden e shihen në hartën e botës e që rrallë ju është dëgjuar emri!

Kështu, 10 vjet në duart e UNMIKU-t e tash në duart e të famshmit EULEX! E ky “miku” ynë EULEX, me kompetenca të plota mbi Kosovën, as që do t’ja dijë për qeveritarët tanë e le më për popullin e mjerë që po varfërohet çdo ditë! Po, po duket sheshit, që qeveritarët tanë firmosën dikur nëpër kancelaritë e Evropës së pabesë, për këto ditë të sotme, ranë dakort me këtë “pushtim” të ri dhe sot janë të kënaqur vetëm me pasurimin e vetvetes, pa populli le të jetojë si i mjerë! “Mburren” në fjalimet e tyre për “përparimin” e Kosovës!? Po ku është ky përparim??? Në rritjen e skamjes, e varfërisë, në papunësinë, në mungesën e rrymës e të nevojave më jetike, në mosmarrjen e pagave me muaj të tërë, në ato pensione që nuk dalin as për bukë thatë??? Në lënien në harresë të atyre që derdhën gjakun për liri, familjeve që shkrinë gjithçka për atdheun, që u dogjën e u shkretuan nga lufta??? Po, mor, “përparim” ka... në korupsionin e madh që ka kapluar vendin, në pasurimin e klanit qeveritar, në shtresëzimin e shoqërisë, në degjerimin e rinisë etj.etj.!?

... Si nuk dëgjova qoftë edhe një nga pushtetarët tanë të”merakoset” për këtë popull, që është zhytur në skamje e varfëri si asnjëherë? Si nuk dëgjova të flasin e të shqetësohen për gjendjen sot në Kosovë??? Si nuk dëgjova prej tyre deri më sot asnjë fjalë të vetme për Bashkimin Mbarëkombëtar??? Çfarë po them dhe unë, ata me plot gojën thonë Kosovarët, e kanë harruar fjalën”shqiptarët”, pra na u shpik tash kombi kosovar! Pse ore të mjerë bëni sikur se dini, që komb do të thotë:” BASHKËSI E QËNDRYESHME NJERËZISH, E FORMUAR HISTORIKISHT NË BAZË TË BASHKËSISË SË GJUHËS E TERRITORIT...” Pse doni të mohoni dhe historinë e formimit në shekuj të kombit shqiptar, që padrejtësitë e kësaj Evrope të pabesë e ndanë, vetëm si komb, në pesë shtete të Ballkanit, por tokat në të cilat jetojnë janë toka e tyre, shqiptare dhe këtë s’ka forcë në botë që e ndryshon!!!

Çudi edhe disa nga luftëtarët e lirisë, që janë konsideruar madje nga populli “burra të zotë”, kanë zënë ndonjë karrike rehatie në qeveri a parlament e ata as ndihen më për çështjen kombëtare, pale më të flasin për shqiptarët e Medvegjës, Bujanovcit, Preshevës! E njëjta gjë po ndodh edhe me shqiptarët e Maqedonisë! “Kokat” e shqiptarëve atje, janë bërë parlamentarë dhe kurrë nuk thonë jemi shqiptarë të Shqipërisë Lindore, kurrë nuk e përmendin fjalën Shqipëri... sepse kanë frikë... Dalin në Tv dhe ju bëjnë thirrje gjoja shqiptarëve të mos largohen...Por a e vratë mendjen mor “burra” të kombit, pse po ndodh kjo braktisje, pse??? Pse nuk përpiqeni për bashkëkombasit tuaj? Pse se ngrini zërin e të kërkoni me forcë, që kombi shqiptar, i tëri, të bashkohet sa më parë, që shqiptarët të jetojnë në një atdhe të vetëm, që shqiptarët ta qeverisin vetë vendin e tyre, që shqiptarët të bashkojnë forcat e të punojnë për begatinë e tyre, që shqiptarët të mos shpërndahen nëpër botë, si çifuti nëpër shkretëtirë, por të kthehen e të punojnë të bashkuar për vendin e tyre, që shqiptarëve t’ua përmirësoni kushtet e jetesës, që shqiptarët të mos jenë më të diskriminuar e të ndiqen e të perzekutohen??? Pse po tregoheni gjakshprishur... pse???

...Po kush do ta bëjë këtë, kush? Në Shqipërinë amë, 20 vjet demokraci, demokraci i thënçin. Sa shumë kemi shpresuar, duke i mbajtur sytë dhe veshët nga atdheu amë!!! Edhe në atdheun amë, kryeministri, një politikan poterexhi, i cili është i gatshëm të shndërrohet në gjithçka, pa ju dhimsur asgje! Të gjithëve na kujtohet tash së fundmi, heshtja e tij në Romë, nën batutën e ulët të Berluskonit, për “bukuroshet” shqiptare...edhe, kur vendosi “t’i tregojë vendin”, një bashkatdhetareje, që pati guximin në këtë rast, të mbronte femrat shqiptare, atëhere ai i kaloi kufijtë e u bë ..... Shumë politikanë hajdutë, që pasurohen çdo ditë e tallen me popullin e as pronën nuk e kthejnë tek i zoti e le më të tjerat! Sot Shqipëria është në krizë... Edhe këtu presin që ndërkombëtarët të “pajtojnë” partitë dhe politikanët... Politikanët e saj mendojnë se ndoshta shqiptarët brenda e jashtë vendit nuk e kuptojnë pse është kaq e egër lufta për pushtet...E kuptojnë fare mirë. Sepse në pushtetin shqiptar vjedh pa u ndërshkuar. As politikanët e Shqipërisë nuk ndihen fare dhe as e zenë në gojë bashkimin e trojeve etnike! “Nxitojnë” të zenë trenin evropian, harrojnë se e kanë humbur trenin e demokracisë shqiptare, kanë dalë nga binarët kombëtarë, ndaj dhe nuk shqetësohen fare, fare për gjendjen e shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të Kosovës,për braktisjen masive të këtyre trojeve shqiptare! Kjo braktisje i leverdis mjaft mirë Serbisë e Maqedonisë, madje është në favor të tyre! Por politikanët tanë, nga të dy anët e kufirit, janë më shumë në siklet sesi të presin e të nderojnë shtetarët serbë, të cilët në Kosovën e (pa)varur hynë e dalin si ju do qejfi, pa i marrë leje askujt. (me siguri marrin zemër nga EULEX-i!), sesa t’i thërrasin mendjes e të bashkohen në mendime e veprime për të bërë më të mirën për mbarë kombin shqiptar, për të gjitha trojet shqiptare, përfshirë këtu dhe Çamërinë të harruar e të zaptuar nga shovenët grekë!

E njërit, i ri trim e guximtar, që guxoi të ngrejë zërin për padrejtësitë e sotme... EULEX –si, që komandon e qeveris Kosovën e që s’e njeh pavarësinë e saj, i bëri gati fletën e arrestit!? Kur themi që Kosova na qenka shtet i lirë, sovran dhe i (pa)varur, atëhere ku është liria e mendimit, e veprimit... e të drejtave të njeriut?! Përse detyrohet Albin Kurti të jetë ilegal brenda vendit të vet të “lirë”??? Pale, pale, na dalin ca “gazetarë” e na pyesin ca politikanë të “ditur”, duke ju drejtuar me pyetje të tilla si, ç’mund të thoni për “fenomenin Albin”, “idealistin Albin” etj,etj. Dhe këta “burra”, mërmërisin diç nëpër dhëmbë. Si burracakë që janë, kanë frikë të thonë, që Albin Kurti është një politikan i ri, i guximshëm, i pjekur dhe i matur në mendimet e veta! Pse duhet të gjykohet Albin Kurti? Çfarë krimi ka kryer Ai? Asnjë krim! Përkundrazi ka folur të vërtetën për vendin e vet, qeverisjen, mbi politikën shqiptare dhe aktorët e saj, mbi rolin e ndërkombëtarëve etj.! Çdo gjë që e ka prekur në fjalën e mendimet e tij e ka të argumentuar dhe të qëlluar! Ai i takon popullit të tij për të cilin flet dhe mbron të drejtat legjitime të tij, ndaj avokatinë për të e bën populli i vet! Lider i Lëvizjes “Vetvendosja”, me vizion të qartë për politikën dhe politikanët, për gjendjen e popullit të tij, për Kosovën dhe Bashkimin Kombëtar! Ai e ka ngritur zërin fuqishëm për të gjitha padrejtësitë, nuk është as fenomen e as idealist, por biri i vërtetë i këtij populli, që ende nuk i ka marrë në dorë fatet e veta, dhe për këtë FLET me forcë e i vendosur Albin Kurti, për këtë lufton “Vetvendosja”, Lëvizja, që ai udhëheq! Për këtë u vranë në protestë Arbeni e Moni, shokët e tij dhe vrasësit janë të lirë! Vriteshin dikur shqiptarët e pafajshëm në demonstrata nga policët e regjimit të okupatorëve serbë...e vriten sot në Kosovën e (pa)varur djemtë e saj nga ndërkombëtarët, që gjoja kanë ardhur të “ndihmojnë” në “mëkëmbjen” e shtetit të ri të Kosovës!? Gjykohet e ndiqet Albin Kurti, biri i kësaj toke, që nuk ka bërë asnjë krim...e lihen të lirë ata që kryen krimin e vrasjes, ditën për diell, në mes të Prishtinës!? Ku po të çojnë o Kosovë?

...Dhe po shihet jehona dhe përkrahja për Albin Kurtin, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e trojet e tjera etnike! Por ama kjo vetëm nga të rinjtë, nga populli, se përsa ju përket qeveritarëve, askush prej tyre, nga të dy anët e kufirit, nuk janë prononcuar për këtë problem!? Me siguri Albin Kurti i shqetëson, se e VËRTETA, që Ai flet e që kërkon bie ndesh me “rehatinë” e politikanëve, që ju pëlqen gjumi i ariut polar dhe harrojnë që vjen një ditë, kur zënë e bien vrullshëm këmbana të fuqishme, që zgjojnë zemërimin e një populli, të cilit i ka ardhur në majë të hundës....!!!

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Faridin Tafallari
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 33 vizitorë
Lexuar: 1,041 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi