|
Përfaqësuesit e Këshillit Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit ia dorëzuan sot kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, peticionin me rreth 150 mijë nënshkrime të qytetarëve për mbylljen e procesit ndaj kreut të “Vetëvendosjes”.
Valon Murati, njëri nga organizatorët e Këshillit, tha se Krasniqit ia kanë dorëzuar zyrtarisht kërkesën për mbylljen e procesit ndaj Kurtit dhe nisjen e hetimeve ndërkombëtare për ngjarjet e 10 shkurtit.
“Kërkesa jonë kryesore ishte që duke u bazuar në këtë Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme në procedurë normale të trajtojë ngjarjet e 10 shkurtit të vitit 2007. Kërkesat e 150 mijë qytetarëve është mbyllja e procesit gjyqësor dhe hetimi i pavarur për ngjarjet e 10 shkurtit”, tha Murati, transmeton KosovaPress.
Sipas tij, Kuvendi duhet të mbajë një seancë të jashtëzakonshme për të trajtuar rastin Kurti dhe që ngjarjet e shkurtit të trajtohen si duhet nga ana e drejtësisë.
“Ne gjetëm një atmosferë të mirë te kryetari i Kuvendit të Kosovës i cili na premtoi se këto nënshkrime do të përcillen në Komisionin përkatës për ankesa dhe parashtresa dhe deficione si dhe në një seancë të Kuvendit të Kosovës do të trajtohen”, ka shtuar Murati.
Express
|