Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Intervistë ekskluzive me Prof.Dr.Bajram Kosumin, politikan dhe shkrimtar, ish kryeministër i Kosovës
Publikuar më 21 qershor, 2011 në orën 23:29 ( ) Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
Kosumi: "Në Kosovë nuk ka opozitë të vërtetë"

"Për të rezymuar këto vështirësi të shtetit të ri, mjafton të marrim si shembull pesë muajt e fundit dhe fatin e disa projekteve nacionale. Së pari, zgjedhjet e dhjetorit 2010 u manipuluan aq shumë sa që secili, mik apo armik i Kosovës, ne që jemi këtu dhe ata që s’janë këtu, kemi një shije të hidhur dhe një ndjenjë turpi për atë manipulim. Së dyti, si pasojë e zgjedhjeve të manipuluara u dëmtua imazhi i institucioneve të Kosovës, ai i presidentit, i Kuvendit dhe i qeverisë, e kjo e ka luhatur shumë besimin te ato institucione. Së treti, regjistrimi i popullsisë së Kosovës është një prej dështimeve më të mëdha: sipas informacioneve të para regjistrimi do të nxjerrë rreth 1.500.000 banorë. Kjo është përafërsisht 500.000 banorë më pak se sa realisht ka Kosova. Qeveria i humbi brenda pak ditëve 500.000 shqiptarë".

Z.Kosumi, fillimisht ju falënderojmë që ndatë kohë të bashkëbisedojmë. Na thoni, se si e shihni gjendjen aktuale në Kosovë?

Bërja praktike e shtetit po ballafaqohet me vështirësi të mëdha. Pas bërjes së shtetit në Kushtetutë na duhet edhe shteti në jetën e përditshme. Pas ligjeve na duhet implementimi i tyre. Pas politikave të mësuara buxhetore na duhet një buxhet stabil dhe i balancuar. Asnjë prej këtyre nuk janë të lehta. Në politikën e jashtme na duhen njohje sa më të shumta të shtetit të Kosovës, në mënyrë që të kemi garanci ndërkombëtare për jetën e shtetit, por ky proces po ecën tepër ngadalë. Imazhi i klasës politike në Kosovë aq shumë është dëmtuar sa që ky imazh po e dëmton edhe vetë Kosovën. Kështu, disa nga autorët e krijimit të shtetit dalëngadalë po shndërrohen në dërrmues të shtetit. Dhe, problemi i tretë, po më i rëndësishmi: ekonomia e Kosovës nuk po ngrihet në këmbë! Gjithnjë e më e zymtë është perspektiva ekonomike e Kosovës. Në këtë verbëri ekonomike qeveria e Kosovës ka hyrë dhe po hyn në disa projekte, të cilat jo vetëm që nuk e ndihmojnë ekonominë e Kosovës, por do ta dërrmojnë edhe më shumë.
Për të rezymuar këto vështirësi të shtetit të ri, mjafton të marrim si shembull pesë muajt e fundit dhe fatin e disa projekteve nacionale. Së pari, zgjedhjet e dhjetorit 2010 u manipuluan aq shumë sa që secili, mik apo armik i Kosovës, ne që jemi këtu dhe ata që s’janë këtu, kemi një shije të hidhur dhe një ndjenjë turpi për atë manipulim. Së dyti, si pasojë e zgjedhjeve të manipuluara u dëmtua imazhi i institucioneve të Kosovës, ai i presidentit, i Kuvendit dhe i qeverisë, e kjo e ka luhatur shumë besimin te ato institucione. Së treti, regjistrimi i popullsisë së Kosovës është një prej dështimeve më të mëdha: sipas informacioneve të para regjistrimi do të nxjerrë rreth 1.500.000 banorë. Kjo është përafërsisht 500.000 banorë më pak se sa realisht ka Kosova. Qeveria i humbi brenda pak ditëve 500.000 shqiptarë.
Tash shtrohet pyetja: a është krejt kjo kaq zi? Disa prej këtyre vështirësive janë të natyrshme për një shtet të ri, por disa janë pasojë e qeverisjes dhe e mendësisë politike të klasës politike. Nuk do të na i zgjidhin miqtë tanë këto probleme e vështirësi. Me ndihmën e tyre mund t’i zgjidhim vetë, por duhen prijës të vërtetë.

Cili është mendimi juaj për bisedimet në mes palës kosovare dhe asaj serbe?

Bisedime duhet të ketë. Ne jemi praktikisht dy shtete fqinje dhe duhet të bisedojmë. Bisedimet duhet përgatitur në atë mënyrë që të përfitojnë të dy palët. Ekziston një përcepcion se tash për tash qeveria e Kosovës nuk ka një agjendë se çfarë do të përfitojë nga bisedat.

Mendoni se do të dalim fitues nga këto bisedime?

Nuk do të dalin vetëm shqiptarët fitues, por edhe serbët. Kosova dhe Serbia duhet dalëngadalë t’i shtensionojnë marrëdhëniet. Të gjithë e dimë se në Beograd ende nuk ka një vizion vërtetë demokratik e paqësor për rajonin, por edhe atje do të ndryshojnë gjërat. Mbase bisedat me Kosovën mund të ndikojnë pozitivisht që serbët ta pranojnë se Kosova është zogu i lirisë i dalë nga kafazi dhe që nuk do të kthehet kurrë më në kafaz.

A po humb kohë Kosova për liberalizim të vizave?

Kosova e ka humbur pak hapin në integrimet evropiane. Që në vitet 2004 e këndej qe krijuar një përvojë e suksesshme e punës në integrimet evropiane, e sidomos gjatë vitit 2005. Po të shikoni Raportin e Progresit për vitin 2005 do të shihni dallimet e mëdha me Raportet e Progresit të viteve të tashme. Si është thënë edhe më herët, Kosova nuk do të mbetet pika e zezë e Evropës, ne do të ngjitemi të fundit në vargun e BE, por ky proces vështirë se shkon si po propagandojnë disa politikanë. Integrimi evropian nuk është thjesht një vullnet apo një miqësi, por një gjendje faktike, një stad i zhvillimit politik, demokratik, ligjor dhe ekonomik i Kosovës. Kosova, si çdo shtet tjetër, duhet ta mbërrijë këtë stad të zhvillimit dhe atëherë do të trokasë në dyert e BE-së. Po të ketë liderë të vërtetë Kosova këtë rugë e kalon më shpejt. Kështu si duken sot punët kjo rrugë do të zgjasë më shumë.

Në anën tjetër opozita, kategorikisht është kundër këtyre bisedimeve. Komenti Juaj?

Në Kosovë nuk ka opozitë të vërtetë. Ato grupe që e quajnë veten opozitë janë parti të fragmentuara, jo unike, të mbetura në opozitë jo për ndonjë koncept politik apo ideologjik apo programor, por vetëm sepse nuk kanë mundur të gjithë të jenë pjesë e qeverisjes. Në thelb, pozita dhe opozita në Kosovë nuk dallojnë në koncepte politike e programore. Këtu bën një përjashtim vetëm Lëvizja etëvendosje. Kundërshtimi i bisedimeve nga pjesa tjetër e opozitës është vetëm sipërfaqësor dhe formal.

A është në rrezik ndarja e veriut të Kosovës?

Nuk ka ndarje territoresh. Ndarja e territoreve mbi parimin etnik është parimi mbi të cilin Millosheviqi dhe serbët kanë nisur një varg luftërash dhe i kanë humbur. Ideatorët e kësaj politike kanë përfunduar dhe po përfundojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, dhe imazhi më markant i kësaj kaste është fodullëku i shpifur i Millosheviqit në Gjykatë.

Po flitet për ndërrim territoresh. A do të humbim ne shqiptarët, edhe nëse do të jetë e pranueshme kjo ide?

As ndërrim territoresh nuk do të ketë. Ajo që duhet të ndodhë, në rast se është e nevojshme, është krijimi i klimës së mirë për demarkacionin e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. Demarkacioni mund të bëhet vetëm pasi dy shtetet ta kenë njohur njëra tjetrën, dhe me nismën e tyre duhet të rishikohen kufijtë, në mënyrë që të dy shtetet të realizojnë interesat e tyre dhe të krijohet një paqe afatgjatë. Kjo çështje mund të shkojë kështu, e jo si e kapi për brirësh ministri serb Daçiq.

Mendoni se Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, janë një nyje e pazgjidhur?

Kosova Lindore është problem i pazgjidhur. Lufta e bërë atje, fatkeqësisht, u përdore nga qendrat e vendosjes ndërkombëtare vetëm për rrëzimin e Millosheviqit, por jo edhe për zgjidhje e problemit të shqiptarëve. Tash duhet ta zgjedhim. Deri më 17 shkurt 2008, kur është shpallur shteti i Kosovës, politika e Kosovës nuk ka mundur të bëjë analogji midis problemit të serbëve në Kosovë dhe problemit të shqiptarëve në Serbi. Ka shumë arsye pse them kështu, dhe tash nuk ka vend që t’i themi ato arsye këtu. Por, pas shpalljes së Kosovës shtet, politika e jonë duhet të bëjë analogji të plotë midis problemit të serbëve në veri të Kosovës dhe problemit të shqiptarëve në jug të Serbisë [Kosova Lindore]. Ne duhet të kërkojmë një standard për të gjitha bashkësitë etnike në shtetet e vogla të Ballkanit. Përndryshe, nëse Serbia kërkon të drejta shtesë për serbët e veriut të Kosovës ndërsa shkel të drejtat elementare të shqiptarëve në jug të Serbisë, ajo do të jetë nxitëse e destabilitetit rajonal. Shtetet e Ballkanit janë të vogla dhe kanë një popullsi të përzier etnike dhe fetare. Disa prej këtyre shteteve, si Serbia dhe Greqia, historikisht nuk kanë lejuar hapësirë kushtetuese dhe praktike për zhvillimin e bashkësive etnike. Krijimi i një standardi kushtetues për gjitha këto bashkësi etnike që jetojnë në shtete jo amë është zgjidhja më e mundshme dhe më dobiprurëse.

Do të duhej edhe një Dejton për këto treva shqiptare, që janë me sy nga Kosova dhe Shqipëria?

Ndoshta i ka kaluar koha konferencave si të Dejtonit. Dejtoni është rezultat dhe pasojë e luftës gjenocidiale në Bosnjë. Tashmë Dejtoni është i vjetruar dhe vetë ideologët e tij do ta ndryshonin me dëshirë. Po bëhen mjaft përpjekje për reformimin kushtetues të Bosnjë e Hercegovinës, drejt krijimit të një shteti centralist, edhe pse në çdo hap pozitiv Republika Serbska po kërcënon me shkëputje.
Rruga e integrimeve evropiane është treguar shumë e suksesshme në shuarjen e armiqësive midis shteteve dhe kombeve në këtë pjesë të Evropës. Shikoni se si shtetet e ndryshme [shembulli i tashëm është Serbia] po mundohen të krijojnë ura bashkëpunimi me shtetet përreth [ky është njëri prej standardeve të integrimeve evropiane], pra po “rrezikojnë” interesat historike në favor të interesave të së ardhmes. Kjo do të ndodhë. Serbia do ta harrojë “djepin historik” për hir të integrimeve evropiane, në të cilin proces ajo sheh interesin e së ardhmes. Do të mund të përdorej kjo metodë edhe ndaj shteteve tjera, në mënyrë që të krijohet dhe të pranohet standardi kushtetues si për serbët në Kosovë, si për shqiptarët në Kosovën Lindore, si për shqiptarët në Maqedoni e në Greqi etj.

Si e shihni një vizitë mundshme të ndonjë ministri të Kosovës në Medvegjë, Bujanoc apo Preshevë?

Është një çështje që do të ndodhe, herët ose vonë. Kosova Lindore praktikisht është pjesë e pandashme gjeografike, etnike, fetare, historike, ekonomike dhe familjare [sociale] e Kosovës. Kosova duhet të kujdeset për atë pjesë edhe më shumë se për cilëndo pjesë të veten, për shkakun se atje shqiptarët janë sot bashkësia etnike më e rrezikuar në Evropë.

Keni kontakte me liderët e atyre trevave?

Si jo?! Kam kontakte disa dekadëshe. Janë kontakte të krijuar që nga Revolucioni i vitit 1981 në Kosovë. Disa nga prijësit më të rëndësishëm të këtij revolucioni janë nga Kosova Lindore. Edhe në periudhën e paraluftës kam mbajtur kontakte të rregullta me të gjithë udhëheqësit politikë të asaj pjese. Në vitin 1992 kam qenë në Preshevë, si gazetar, për të përcjellë Referendumin për bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën. Edhe gjatë luftës në Kosovë kam mbajtur kontakte, ndërsa gjatë bombardimeve të NATO-s kam kaluar nëpër Preshevë, natyrisht natën dhe në ilegalitet. Njësoj edhe pas luftës. Edhe si kryeministër i Kosovës kam pritur të gjithë liderët politikë të asaj pjese. Në fund, mund të them se, duke qenë vet nga Gollaku dhe Dardana, unë kam shumë miq personalë dhe shumë miq familjarë në atë pjesë.

Çka u bë me lëvizjen qytetare "Për Demokraci"?

Ne e krijuam Lëvizjen për Demokraci si një nismë qytetare për të marrë pjesë në zgjedhjet e dhjetorit 2010. Një prej vështirësive më të mëdha të Kosovës, të cilën nuk e përmenda në fillim, është pikërisht krijimi i demokracisë. Demokracia në Kosovë, le që është kërthi, por ajo po dëmtohet e po plagoset vazhdimisht. Pa krijimin e demokracisë nuk mund të ketë zhvillim të Kosovës. Kosova nuk ka potenciale ekonomike të vetëmjaftueshme, prandaj investimi i kapitalit të huaj është parakusht për zhvillimin ekonomik. E, kapitali i huaj nuk shkon në një vend ku nuk funksionon ligji, pra aty ku nuk është i garantuar. Shumë janë bërë dhjetë vjet duke u përpëlitur në pelenat e demokracisë. Është edhe një farë turpi nacional që, ta zëmë, njëzet vjet vidhen votat në Shqipëri! Ky standard i turpit po vendoset edhe në Kosovë. Elita intelektuale, sidomos e reja, të rinjtë e shkolluar pas luftës, ata të shkolluar në Perëndim, duhet të marrin guximin qytetar dhe ta vendosin demokracinë e vërtetë. Kjo është arsyeje pse ne e quajtëm nismën tonë Lëvizje për Demokraci.

A do të duhej të punohet për kthim të trurit nga diaspora?

Ndoshta nuk ka kushte reale për kthimin e trurit nga Diaspora, por ne duhet të mësojmë nga truri shqiptar nëpër Evropë. Duhet të organizojmë kthime të përkohshme të ekspertëve të ndryshëm të shkolluar nëpër Evropë, në mënyrë që ata të sjellin përvojat e tyre në Kosovë. Njëkohësisht, të gjithë ata ekspertë duhet të veprojnë edhe nga aty ku janë, e të mos presin që dikush të vijë e t’u thotë “ejani të veprojmë bashkë”. Diaspora sot mund ta ndihmojë Kosovën në krijimin e lidhjeve me investitorë të mundshëm, me ekspertë të ndryshëm dhe me institucione të ndryshme që veprojnë si infrastrukturë e shteteve dhe ekonomive të ndryshme.
Më lejoni ta përmend vetëm një fakt, të cilin e bisedova me disa veprimtarë të Diasporës kur isha në manifestimin për vitin 1981 në Zvicër. Historia e Kosovës ende shikohet nga historianë e të interesuar të tjerë botërorë nëpër mes librave të botuar në dhe nga Beogradi. Ka me qindra revista shkencore anembanë Evropës, historike, letrare, gjuhësore, kulturore etj., në të cilat depërtojnë studimet e autorëve serbë për Kosovën dhe shumë pak, për të mos thënë asfare, studime të autorëve shqiptarë. Ky është një dëm i madh dhe vështirë i riparueshëm. Këtu mund të ndihmojnë ekspertë shqiptarë nëpër Evropë, të cilët janë afër atyre revistave shkencore, afër atyre institucioneve qeveritare dhe joqeveritare, po që krijojnë bazat për politikat e jashtme të shteteve ku veprojnë.

Keni kontakte me ish kolegët tuaj që janë në AAK?

Natyrisht që po. Asnjë interes personal nuk më ka ndarë prej tyre. Është koncepti politik dhe vizioni për demokracinë e për qeverisjen ai që na ka ndarë. Por ne kemi punuar gjatë bashkë dhe kemi bërë vepra madhështore bashke. Jam krenar që kemi mundur të bëjmë këto vepra.

Deri kur do ta shohim Bajram Kosumin në politikë?

Në planin personal politika kurrë nuk ka qenë një satisfaksion dhe kurrë nuk më ka krijuar kënaqësi. Unë dhe brezi im i kemi hyrë politikës jo nga dashuria për të, por për ta bërë shtetin e Kosovës. Kurrë nuk kam përfituar asgjë nga politika, në planin personal. Ndërsa kam dhënë aq sa kam pasur. Por, këtu është një “por” e fortë: të gjitha këto dis-satisfaksione, duke përfshirë edhe dhjetë vjetët e burgut, edha luftën, edhe gjakun e derdhur, i mund një fakt: krijimi i shtetit të Kosovës. Jam shumë i lumtur dhe shumë krenar që jam pjesë e një brezi, pjesë e një rruge të gjatë, e cila rrugë rezultoi me luftën çlirimtare dhe me krijimin e shtetit të Kosovës. Këtë e kam thënë edhe kur kam qene një i burgosur politik në burgun Qendror [CZ] të Beogradit, në vitet 1981-1990, edhe kur kam qenë kryeministër i Kosovës në vitet 2005-2006.
Në politikë do të vazhdoj të jem për aq kohë dhe për aq hapësirë sa të mund të ndikoj në vendosjen e demokracisë së vërtetë.

Zoti Kosumi, sigurisht se do të kishim edhe për shumë çka të flasim, por kësaj here, shpresojmë, lexuesit tanë do të ndahen të kënaqur me këtë bashkëbisedim. Ju urojmë punë të mbarë dhe mirupafshim.

Ju falënderoj unë juve z. Hebibi, duke ju uruar për punën e vyeshme që keni bërë ju dhe gjithë Diaspora shqiptare.

Intervistoi: Dashnim HEBIBI/Cyrih

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 63 vizitorë
Lexuar: 3,022 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi