| BASHKIM ME SHQIPËRINË, JO RECIPROCITET ME SERBINË! |
| Publikuar më 26 janar, 2012 në orën 02:55 ( ) |
Prof. Dr. Mehdi Hyseni | Opinion | |
|
|
|
BAROMETRI DIPLOMATIK
*** Kosova as nuk ka pasur, as nuk ka, dhe, as nuk do të ketë kurrë reciprocitet poltiko-ekonomik dhe tregtar me Serbinë.
*** Ora vendimtare e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e thërret Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, që të mobilizohet dhe të përqëndrohet në ndërtimin dhe në finalizimin e strategjisë politike, diplomatike, kombëtare dhe ndërkombëtare për bashkimin kombëtar, sepse, tanimë, Vetëvendosja e ka kryer misionin e saj protestues në Merdare dhe te Dheu i Bardhë. Me atë çështje, le të mirren qeveria dhe parlamenti i Kosovës. Titullarët e tyre e dijnë se si do t’ia “ lidhin kryet” atij “hesapi pa hanxhiun”. Ata, me shembullin e tyre, së pari, duhet ta kalojnë “provimin politik” në Veriun e Kosovës, e pastaj, të vendosin reciprocitet ekonomiko-politik, tregtar dhe ndërkombëtar me Serbinë.
Me gjithë angazhimin dhe protestat e drejta, demokratike dhe paqësore të Lëvizjes Vetëvendosje, bërë në Merdar dhe te Dheu i Bardhë në kufirin Kosovë-Serbi, më 14 dhe më 22 janar 2012, në mënyrë që ajo, ta detyronte qeverinë e kryeministrit Hashim Thaçi, ta zbatonte parimin e reciprocitetit ekonomiko-tregtar të Kosovës përballë Serbisë (sipas vendimit të miratuar nga Parlamenti i Kosovës, në dhjetorin e vitit 2011), megjithatë, duhet të jemi objektivë, largpamës dhe realistë, që më tej, të mos harxhojmë energji, duke u shteruar në “temën” e reciprocitetit me Serbinë, as politikisht, as ligjrisht e as diplomatikisht, sepse shikuar në aspektin praktik, një reciprocitet i tillë, nuk ka asnjë gjasë reale, që të arrihet në rrethanat e sotme ekonimiko-politike dhe shoqërore në të cilat gjendet Kosova, si dhe, për shkak të marrëdhënieve tejet të këqia dhe të tensionura ndërshtetërore ndërmjet këtyre dy vendeve fqinjësore.
Derisa nuk kemi kurrfarë marrëdhëniesh politike dhe diplomatike ndërshtetërore me Beogradin, është humbje kohe, që ne, edhe më tej, të ngulmojmë në kërkesën e zbatimit të reciprocitet, si dhe të vendosjes së ekuilibrit në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare të Kosovës me Serbinë.
Prandaj, çështja e reciprocitetit ekonomiko-politik e tregtar e Kosovës me Serbinë, le t’i mbetet qeverisë dhe parlamentit të Kosovës. Këto dy institucione (ekzekutive dhe legjislative) më të larta të vendit mbajnë përgjegjësi për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë. Mirëpo, një reciprocitet i tillë, nuk mund të arrihet, derisa Serbia të mos e njohë pavarësinë e Kosovës. Derisa Serbia, të jetë e pranishme me bandat terroriste, me ligjet, me Kushtetutën, si dhe me politikën e praktikën e saj kolonialiste dhe hegjemoniste në Veriun e Kosovës, praktikisht nuk mund të realizohet kurrfarë raporti reciprok as në ekonomi, as në tregti e as në politikë. Kjo është vetëm një utopi e shkretë politike.
Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje le të përqëndrohet në realizimin e kërkesës së saj të drejtë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ky do të duhej të ishte prioriteti politik, kombëtar, diplomatik dhe ndërkombëtar i Lëvizjes Vetëvendosje ngaqë ky vit do të jetë në shenjë të rindërkombëtarzimit të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan.
Ashtu siç kam shkruar para ca kohësh, Vetëvendosja gëzon të drejtën e ligjshme dhe demokratike të zgjedhjes dhe të aplikimit të mjeteve të saj të veprimit politik dhe demokratik paqësor, duke përfshirë edhe të drejtën e protestave në rrugë, në sheshe dhe në qendra të Kosovës. Kjo nuk është e debatueshme as për oponentët e saj politikë e as për opinion publik, sepse një të drejtë të tillë ia garanton ligji, kushtetuta, rendi i vendosur demokratik, si dhe konventat e ndryshme evropiane dhe ndërkombëtare mbi të drejtat dhe liritë e njeriut. Prandaj, askush nuk ka kurrfarë të drejte ligjore, as kushtetuese (qoftë edhe qeveria, apo policia e gjykatat e saj), që Lëvizjes Vetëvendosje, t’ia pezullojë të drejtën e ligjshme të protestimit të saj, kur ajo e konsideron se, është e nevojshme për të protestuar kundër shkeljes së ligjit, të kushtetutës, si dhe padrejtësive të ndryshme që i bëhen popullit në të gjitha sferat e jetës politiko-shoqërore, ekonomike, të rendit, të sigurisë, të drejtësisë dhe të mirëqenies së përgjithshme.
Tri pengesa kryesore që e përjashtojnë reciprocitetin
Pra, nuk ekziston kurrfarë arsyeje që të përsëritemi se, ka të drejtë apo jo Vetëvendosja që të hidhet në protesta paqësore për vendosjen e reciprocitetit ekonomiko-tregtar të Kosovës me Serbinë. Kjo nuk është e debatueshme, se, tanimë, të gjithë po e shohim sa “është sahati”! Por të diskutueshëm janë këta tre faktorë:
(1) Derisa Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës,
(2) Derisa Qeveria e Kosovës, të mos e zgjidhë problemin politik të Veriut të Kosovës dhe
(3) Derisa Kosova nuk do të prodhojë mallra të mjaftueshme për përmbushjen e nevojave të konsumit vendor dhe për eksportimin e tyre në vendet fqinje dhe në Evropë, realisht, nuk mund të ketë kurrfarë rezultatesh konkrete pozitive në zbatimin e reciprocitetit ekonomiko-tregtar e as kurrfarë ndërtimi dhe ekuilibri përmbajtësor të marrëdhënieve politiko-diplomatike ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Pra, të mirremi me çështjen jetike të përshpejtimit të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, sepse fati i saj i sotëm dhe i nesërm varet nga bashkimi me Shqipërinë. Ndryshe, Kosova do të ngelë një vatër krize në Ballkan, për shkak të pretendimeve dhe ambicieve territoriale të Serbisë për ripushtimin e Kosovës.
Këtë frikë dhe brengosje tonën, fatkeqësisht, e provon edhe brishtësia e sovranitetit territorial dhe shtetëror të Kosovës, në pjesën veriore të saj (1999-2012).
Për t’i shpëtuar përgjithmonë gllabërimit kolonial dhe imperialist të Serbisë, e vetmja zgjidhje reale dhe e pranueshme, është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Ndërkaq, të gjitha formulat e tjera politike, kanë vetëm karakter paliativ dhe të përkoshëm të shtetësisë së Kosovës.
Fund
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 48 vizitorë |
| Lexuar:
1,059 herë
|
|
|
|
|
|
|