Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Bariç: Detyra e tyre e Tares dhe Bogdanit është të shënojnë
Publikuar më 24 tetor, 2006 në orën 08:00 ( ) Sport |
Rrit madhësinë e shkronjave
Ndryshe nga nga paraardhësi i tij Brigel, trajneri aktual i Kombëtares Oto Bariç është shumë më i drejtpërdrejtë në deklaratat e tij dhe nuk nguron të shprehë hapur kontestimet për lojtarët dhe për skuadrën që ai drejton. Të paktën kështu ka qenë gjatë vizitës së dytë në Shqipëri. Deklaratat e Bariç kanë qenë shesh herë me tone të forta, madje edhe për ata lojtarë që deri tani cilësoheshin si të pazëvëndësueshëm në Kombëtaren shqiptare. 74 vjeçari ka lëshuar shigjeta edhe për drejtuesit e Federatës dhe për kampionatin shqiptar.
Të shtunën patë ndeshjen me Tiranën, si ju dukën lojtarët që ju i keni grumbulluar me Kombëtaren?

“Nën nivelin e duhur, madje edhe vetë skuadra e Tiranës ishte dobët. E kam parë në ndeshje më të mira se ajo që zhvilloi kundër Luftëtarit”.

Më konkretisht, Muka dhe Bulku çfarë përshtypjesh ju lanë?

“Kanë mangësi në aspektin fizik. Jam i mendimit se ata duhet të punojnë shumë në këtë drejtim, sepse ndryshe nuk do të arrijnë të fitojnë konkurrencën në Kombëtare”

A mendoni se Muka mund të zëvëndësojë Skelën në mesfushë?

“Muka është një lojtar i talentuar dhe këtë nuk mund ta mohoj. Megjithatë ai nuk është i gatshëm fizikisht për 90’ minuta lojë. Për këtë është i ndërgjegjshëm edhe vetë futbollisti, madje edhe trajneri i tij Mirel Josa. Unë do flas personalisht me Mukën dhe shpresoj që biseda me atë të vlejë diçka”.

Ç’përshypje keni nga kampionati shqiptar?

“Për fat të keq është i një niveli të dobët dhe për pasojë edhe unë e kam të vështirë të zbuloj lojtarë të talentuar. Sigurisht që këtij kampionati nuk i mungojnë futbollistët cilësorë, por përgatitja e tyre është larg standarteve evropiane. Ai nuk mund të krahasohet kurresesi me kampioantin holandez apo rumun. Këto vende përfaqësohen nga dy ose tre skuadra në Ligë Kampionesh dhe në Kupën UEFA, ndërsa Shqipëria nuk ka asnjë ekip qoftë edhe në Kupën UEFA. Ky është një tregues i qartë jo vetëm i nivelit të kampionatit shqiptar, por edhe i ndryshimeve të mëdha që ka përfaqësuesja shqiptare me kundërshtaret e saj në grup”.

Keni parë vetëm pak ndeshje, përse arritët në këtë konkluzion?

“Po, është e vërtetë që kam parë pak ndeshje, por kam parë edhe fushat stërvitore ku përgatiten skuadrat, të cilat nuk i plotësojnë kushtet e duhura. Ky është një kriter thelbësor për të patur një futboll të zhvilluar. Aq më keq kur mendohet se fushat stërvitore nuk i kanë në kushte optimale Tirana, Partizani apo Elbasani të cilat janë skuadrat elitare të Shqipërisë. Imagjinoni të tjerat...”.

Ky është një problem që do kohë të zgjidhet...

“Varet. Edhe futbolli kroat e ka hasur një problem të tillë vite më parë, por ai u zgjidh më shpejt sa mendohej”.

Në ç’mënyrë u zgjidh?

“Federata kroate dha urdhër që skuadrat e Kategorisë së Parë të kishin fusha stërvitore brenda standarteve dhe gjithashtu një palestër ku lojtarët të mund të kryenin ushtrime fizike. Mendoj se këtë duhet të bëjë edhe Federata shqiptare”.

Si ju është dukur Kombëtarja në tre ndeshjet e para?

“Ka nevojë për disa ndryshime. Tani e njoh mirë skuadrën dhe e di se cilat janë mangësitë e saj”.

Cilat janë?

“Do të thoja se dy ose tre lojtarë të rëndësishëm nuk janë në formën e tyre më të mirë. Ky është një problem për mua. Edhe në ndeshjen kundër Holandës ata dhanë shumë paK për skuadrën”

A mund t’i thoni emrat?

“I pari është Bogdani që nuk luan rregullisht me skuadrën tij dhe nuk është në gjendje të mirë fizike. I dyti është Skela që ka gjithashtu të njëjtin problem. Ai është fantazisti i skuadrës dhe është një nga pikat kryesore të ekipit. Përveç miqësores me San Marinon ai nuk ka bërë asgjë të veçantë deri tani. I treti është Aliaj, i cili nuk luan tek skuadra ku është dhe ka probleme të theksuara fizike”.

Po pikat më të forta cilat janë?

“Mendoj se Cana dhe Curri janë dy lojtarë të shkëlqyer. Në fakt Cana nuk është edhe aq i shkëlqyer...”.

Si?

“Ai është i shkëlqyer në fushën e lojës, por që të jetë i tillë në të gjitha aspektet duhet të mësojë të mos marrë dy kartona të verdhë në dy ndeshje. Ai nuk duhet të mungonte në ndeshjen kundër Holandës, sepse e dinte që ajo është skuadra më e fortë në grup”.

Vazhdoni të thoni se keni kundërshtarë të fortë në grup, por nuk duhet harruar fakti që edhe Shqipëria ka lojtarë që luajnë në skuadra evropiane, madje në ekipe me emër.

“Kjo s’më duket bindëse dhe këtë jam gati t’ua shpjegoj: Van Persi luan si titullar tek Arsenali, Mutu është shndërruar në lider tek Fiorentina dhe kështu janë edhe shumica e lojtarëve të Holandës apo Rumanisë. Me këtë dua të them se ndryshimi i lojtarëve shqiptarë me ta është se edhe pse ata janë në skuadra evropiane nuk luajnë si titullarë, pra nuk janë të rëndësishëm për to. Këtu bën përjashtm vetëm Cana, i cili luan sistematikisht tek Marseja dhe është një ndër futbollistët më të mirë të saj”.

Shqipëria vazhdon të luajë me dy sulmues të gjatë, një rast i rrallë ky në ditët e sotme...

“Unë kam idetë e mia dhe gjërat i vendos si të më duket më mirë. Megjithatë jam i pakënaqur nga sulmuesit. Detyra e tyre është të bëjnë gol dhe deri tani asnjëri nuk ka treguar se di ta bëjë mirë punën e tyre”.

Ndoshta kjo ndodh sepse ju fusni lojtarë si Murati në lojë, të cilët nuk arrijnë të furnizjnë si duhet sulmin.

“Mendoj se vërejtja është e drejtë, por më thoni se çfarë alternativash kisha unë në atë ndeshje? Praktikisht asnjë. Në vend të Muratit mund të luante Ansi Agolli, por edhe ai është jashtë forme”.

Sa larg mund të shkojë Shqipëria me këtë skuadër?

“Mund të luftojë për vendin e tretë”.

Kjo sepse keni një skuadër disi të vjetër?

“Edhe po të kishim një skuadër më të re ju siguroj se vendi i dytë nuk do të ishte i mundur”.

Përfaqësuesja nën drejtimin e Brigel grumbulloi 13 pikë, nëse ju nuk do ta arrini këtë kuotë, do të jepnit dorheqjen?

“Unë kam një vizion timin, të cilin ua kam bërë të qartë edhe drejtuesëve të Federatës. Nuk do ta merrja kurrë këtë skuadër nëse do të më vihej obiektiv vendi i dytë në grup. Thjesht do të punoj që Shqipëria të ketë një skuadër sa më cilësore dhe të mund të luajë një futboll sa më të mirë. Do të përpiqem gjithashtu të zbuloj një grup lojtarësh të rinj, tek të cilët kjo skuadër të mund të mbështet në vitet e ardhëshme. Për këto që thashë do të punoj me ndershmëri dhe me përkushtim”.

E keni menduar ndonjëherë rinovimin me Shqipërinë?

“T’ju them të drejtën deri tani kam menduar vetëm që të ndërtoj një skuadër sa më të mirë. Nëse gjërat shkojnë si duhet dhe përfaqsuesja shqiptare do të pësojë rritje gjatë kohës që unë do ta drejtoj atë e nëse do të kisha ofertë edhe nga FSHF, atëherë nuk e mohoj se do të mendoja edhe rinovimin”.

A keni hasur ndonjëherë ndërhyrje nga jashtë për të futur apo për të hequr një lojtar?

“Jo asnjëherë. Ndoshta sepse e dinë se këto gjëra nuk ‘pijnë ujë’ me mua. Nuk ndikohem nga këto gjëra. Në fund të fundit çfarë do të më bëjnë nëse unë nuk aktivizoj një lojtar që mund të ma sugjerojë një i jashtëm? Asgjë s’mund të më bëjnë”.

Po nëse ndërhyrjet do të ishin të brendëshme?

“Me aq sa kam kuptuar unë gjëra të tilla këtu nuk kanë për të ndodhur, sepse presidenti i Federatës nuk më duket nga ata njerëz. Nëse do të ndodhte kjo atëherë unë do t’i thoshta lamtumirë presidentit të Federatës dhe do të largohesha, sepse unë kurrë nuk pajtohem me të tilla gjëra”.

Sipas jush cili nga repartet e skuadrës kërkon ndryshime të menjëhershme?

“Unë do të shoh 5 ndeshje të kampionatit shqiptar dhe ju siguroj se do të marr në konsideratë të gjithë lojtarët e talentuar pa bërë asnjë dallim se çfarë roli kanë”.

Do të shikoni edhe për sulmues?

“Po, sigurisht që po”.

Edhe pse aktualisht janë gjashtë futbollistë që konkurojnë në repartin ofensiv?

“Ndoshta arrij të gjej ndonjë më të mirë se ata. Nuk e di nëse ata që kam në dispozicion janë më të mirët. Nuk më kushton asgjë nëse tentoj të zbuloj ndonjë, për më tepër që ky është specialiteti im”.

Po në mesfushë?

“U gëzova shumë kur pashë Përparim Hetemajn të luante me AEK-un, por kur i telefonova presidentit Duka, ai m’u përgjigj se ky lojtar nuk mund të vinte sepse kishte luajtur në të kaluarën me përfaqësuesen e Finlandës. Më erdhi keq, sepse jam i bindur se një si ai do t’i bënte shumë punë Kombëtares shqiptare”.

Ç’mendim keni për Brigel?

“Besoj se ka bërë diçka të mirë dhe unë po përiqem të punoj mbi ato baza që ka hedhur ai. Shpresoj të gjej edhe disa futbollistë cilësorë, tek të cilët të mund të mbështetem në ndeshjet e ardhëshme”.

Çfarë ju ka bërë përshtypje tek përfaqësuesja shqiptare?

“Golat e çuditshëm që pëson kjo skuadër. Para se ta merrja unë dhe tani që e drejtoj më habit mënyra se si pësojmë golat. Mbrohemi mirë edhe atje kur duket e pamundur dhe ndëshkohemi me gola tepër të thjeshtë dhe të evitueshëm. Dua të them se kjo është një nga gjërat që duhet të ndryshojë patjetër në këtë skuadër”.

Si i parashikoni dy ndeshjet e radhës kundër Sllovenisë dhe Bullgarisë?

“Do të marrim pikë. Duhet të bëjmë patjetër. Besoj se do ta arrijmë këtë obiektiv, sepse do të kemi në dispozicion edhe Canën e Beqirin, të cilët munguan në ndeshjen me Holandën”.

A ka lojtarë të pazëvëndësueshëm në përfaqësuesen shqiptare?

“Mund të them se janë 3-4 të tillë, pjesa tjetër duhet të punojë shumë për të arritur një vend titullari”.

Çfarë duhet të bëjë më tepër Kapllani, ai ka shënuar sistematikisht këtë sezon?

“Nëse ai do të vazhdojë kështu dhe do të arrijë të shënojë 11 ose 12 gola këtë sezon, atëherë do të jetë padyshim një pretendent serioz. Këtë duhet ta bëjnë edhe sulmuesit e tjerë për të fituar vendin e titullarit, ndryshe edhe për ta do të jeë e vështirë”.

Cila është axhenda juaj atë muajëve të ardhëshëm?

“Do të përpiqem të organizoj sa më tepër grumbullime me përfaqësusesen shqiptare. Sigurisht jo me të gjithë lojtarët, por me ata të cilët duhet t’i vëzhgoj vazhimisht nga afër për të parë ecurinë e tyre. Besoj se kjo skuadër ka nevojë për grumbullime të shpeshta. Ato janë barometri më i mirë për të parë në tërësi ecurinë e skuadrës”.

Ndryshe nga vitet e fundit, këtë radhë kuqezinjtë do të grumbullohen në Antalia?

“Po, dhe e dini çfarë kam menduar? – Që atje të vijnë jo vetëm të gjithë trajnerët e skuadrave zinxhirë të përfaqësueses, por edhe trajnerët e skuadrave të kampionatit shqiptar. Dua të bisedoj sa më shumë me ata, sepse më nevojten sugjerimet e tyre. Dua të di të gjitha të mirat dhe defektet e lojtarëve që unë po vëzhgoj në kampionatin shqiptar. Trajnerët që i stërvisin përditë injohin më mirë se mua këta futbollistë dhe do t’i bëj një kërkesë Federatës që disa prej tyre të vijnë në grumbullimin e janarit, i cili do të bëhet në Turqi”.

Çfarë do t’i kërkonit tjetër Federatës?

“Duhet të tregohet shumë e vëmendëshme ndaj talenteve të reja. Futbolli shqiptar nuk i ka me shumicë lojtarët e klasit dhe FSHF duhet të bëjë të pamundurën që ata të vihen në dispozicion të Kombëtares ata pak që janë. Besoj se duhet bërë shumë kujdes me ta, sepse jo vetëm që paraqesin të ardhmen e Kombëtares shqiptare, por ndihmojnë edhe në përmirsimin e cilsëisë së saj”.

Marrë nga “Skaner Kampionat”
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 996 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Të krenohemi me lojtarët shqiptar
E diel, 29 qershor 2014 - 00:21
Unë kam lindur afër atij vendi, ndjej një lidhje me të, ndaj dhe dua të punoj aty ku mund të lë gjurmët e mia, do të deklaronte para disa vitesh t...
Sevdail Sherifi drejt titujve dhe fitoreve t...
E enjt, 21 nntor 2013 - 01:45
Menjëherë, me tu kthyer nga SHBA, e konkretisht nga New Yorku, për në Zvicër, boksieri nga Presheva, Sevdail Sherifi, falënderon organizatorët e me...
Dy binjakët Ajeti kontratë profesionale me ...
E shtun, 04 maj 2013 - 13:51
Pas gati një viti konsulte, vëllzërit Ajeti(16)nënshkruan për Bazelin dhe jo për Barcelonën. Po mbushën gati një vit që dy futbollistët binja...
Sevdail Sherifi me nokaut e fitoi meçin kund...
E diel, 30 shtator 2012 - 15:28
Para pak çastesh, përfundoi një dramë e madhe e boksit në Villars Sur Glane Fribourg të Zvicrës, ku bashkëkombasi ynë Sevdail Sherifi, me plot mer...
Një ditë eksituese për sportdashësit e Ko...
E merkur, 23 maj 2012 - 22:52
U aprovua nga FIFA kërkesa e FFK-së për ndeshje miqësore në nivel të përafqësueseve shtetërore Lajmi i shumëpritur për aprovimin e kërkesës...
më shumë nga - Sport »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi