Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
GRANATIMI I USHTRISË AKTIVE SERBE MBI VENDBANIMET E PA MBROJTURA CIVILE
Publikuar më 27 dhjetor, 2010 në orën 21:44 ( ) Isuf B. Bajrami | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
DEKLARATË DËSHMIE

PËR GRANATIMI I USHTRISË AKTIVE SERBE MBI VENDBANIMET E PA MBROJTURA CIVILE NË LAGJEN “QENAR QESHME” MË 28.03.1999, E CILA ËSHTË DORËZUAR NË GJYKATËN E QARKUT NË GJILAN PAS LUFTËS

Me fillimin e bombardimeve të NATO-së (me 24 mars 1999) mbi caqet e ushtrisë serbe në Kosovë, filloi një shpresë për jetën dhe lirinë e afërt për popullatën e pambrojtur në Kosovë. Njëkohësisht filloi edhe tmerri dhe frika e popullsisë civile shqiptare, e cila mbeti nën mëshirën e forcave paramilitare serbe dhe ushtarako-policore.
Qysh në ditën e parë të bombardimeve të NATO-së caqet e Ushtrisë serbe në Komunën e Gjilanit, popullata e pambrojtur shqiptare në shumicën e fshatrave të Karadakut si në Livoq i Ulët, Livoq i Epërm, Cerrnicë, Pasjak, Bresalcë, Përlepnicë, Shillovë, Malishevë, Uglarë, Pogragjë, Velekincë, Llashticë, Lladovë, Zhegër, etj. u urdhëruan nga forcat paramilitare serbe, që banorët shqiptarë t’i lëshojnë këto vendbanime.
Më 27. 03. 1999 para mbrëmjes, Komandanti i policisë serbe për lagjen e “Qenar Qeshmes”, Vitomir Iliqi, nga fshati Kormijan K. K. Kamenicë me vendbanim ne lagjen Kamnik (banesë shoqërore) ka qenë duke kaluar afër shtëpisë së Ramadan Azemit nga fshati Suharne. Ka trokitur në dritarën e shtëpisë së tij dhe kur ka dal mixha Ramë me bashkëshorten e tij, Iliqi i ka thënë;”... nesër do të ketë bombardime në lagjen “Qenar Qeshmë”!!!”. Kjo ka të bëjë lidhur me vëzhgimin e një grupi të oficerëve të Ushtrisë serbe, të cilët me një automjet të tipit NIVA (ishin tre vetë) e kanë vëzhguar lagjen tonë. Vëzhgimi ka qenë një javë para bombardimeve, të cilët për tri dite rresht e vëzhguan lagjen e “Bregut të Diellit” dhe në lagjen “Qenar Qeshmë”.
Më 28.03.1999 në ora 22 Komandanti i policisë serbe për “Qenar Qeshme”, Vitomir Iliqi së bashku me dy persona ka ardhur afër derës së hyrjes së shtëpisë të Hetem Murtezit (baba i Hajdin Murtezit dhe Ukshin Ajdini). Ka vëzhguar terrenin (shtëpitë e Hetemit dhe të djemve të Ukshinit dhe Ajdinit) me qëllimin se ku kanë qenë, dhe në cilën shtëpi gjenden anëtarët e gjerë të familjes.
Djali i Hetemit, Ukshini sëbashku me djalin e hallës së tij Ahmet Halili me vendbanim në fshatin Zhegër K.K Gjilan, ishte i strehuar së bashku me familjen e tij (tre fëmijë dhe bashkëshortja). Në kohën e lartpërmendur kishin dalë në derë të shtëpisë së babait të tij dhe në atë moment ndeshen me një civil të panjohur (kishte të veshur farmerka dhe një xhemper ngjyre hiri). Ai kishte tentuar ta hapte derën e dyerve të oborrit, por në atë moment e kishte parë Ukshinin dhe Ahmetin. Ishte tërhequr mbrapa dhe disa metra nga aty, kishte renë në një vend me rërë. Aty kishte qëndruar dy-tre minuta dhe pastaj është ngritur në këmbë për t'u larguar. Me rastin e largimit, ai i bashkohet në një vend më larg komandantit të policisë Vitomir Iliqit. Iliqi me këta dy persona të panjohur kanë vazhduar pastaj rrugën dhe afër 100 metra në rrugën e epërme që ka hyrjen tek varrezat, me këta tre kanë ardhur edhe tre persona të panjohur! Janë ulur dhe kanë biseduar për planet e tyre. Vitomir Iliqi u kthye me dy persona afër shtëpive tona te muri i varrezave, mbi shkollën fillore “Abaz Ajeti”, dhe aty janë ulur. Kurse tre personat tjerë, të panjohur (bashkëpunëtorë të Iliqit) kanë dalë në lagjen e epërme “Bregu i Diellit”, afër shtëpisë së mixhës Ramë dhe Shabanit të Uglarit.
Të njëjtën natë, më 28.03.1999 në ora 22.00 e kam pare Iliqin kur e ka shkrepur revolen me predhë ndriçuese, për t’i sinjalizuar forcat e ushtrisë serbe të cilat ishin të stacionuara në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”, për gjuajtje nëpër shtëpitë shqiptare në lagjen e “Qenar Qeshmë” dhe në lagjen “Bregu i Djegur” në Gjilan.
Shumë qytetarë të lagjes “Qenar Qeshmë” dhe “Zabelit të Sahit Agës”, janë dëshmitarë të cilët e kanë dëgjuar komandën ushtarake: “Nishani” ( merrë në shënjestër) dhe komandën tjetër “Pali” (zjarr). Gjuajtja e parë me granatë është bërë në shtëpinë e Shaip Zekës. Nga kjo gjuajtje është goditur dhoma e ndejës. Fatmirësisht asnjë anëtarë i familjes nuk ishte në atë dhomë, pasi që në atë moment ata ndodheshin në oborrin e shtëpisë. Nga ky sulm, është dëmtuar një dhomë e shtëpisë së Shaipit, ku të gjitha tjegullat e shtëpisë kanë rënë në tokë. Përveç kësaj, në këtë sulm të ushtrisë serbe është plagosur djali i Shaip Zekës, Isa Zeka.
Në afërsi të shtëpisë së Shaipit, nga ky granatim janë plagosur rëndë Zyhrije Pireva (e lindur me 13.08.1978) dhe Fikrije Pireva (1981). Familja Pireva menjëherë i marrin për t'i dërguar me automjet e tyre privat në ambulanten e qytetit. Sipas deklaratave të familjes, janë ndalur nga policia serbe dhe janë pyetur se;” ... ku jeni duke shkuar”, ata janë përgjigjur:” ...në ambulant, për kontrollim mjekësor. Janë të plagosura 2 vajza”.
Policja serbe i ka urdhëruar të kthehen mbrapa dhe ju kanë thënë:”... lypni ndihmë prej UÇK-së dhe NATO-s!!!” Me atë rast një polic e ka gjuajtur veturën me automatik dhe e ka plagosur për së dyti herë Fikrijen. Këta prej frikës kanë shkuar drejt në spitalin e qytetit, dhe i kanë dërguar të plagosurit.
Zyhrije Pireva ka vdekur në Spitalin e Gjilanit dhe është varrosur në varrezat e qytetit më 01.04.1999.
E dyta Granatë është gjuajtur në shtëpinë e Ukshin Ajdinit. E ka kapur vetëm kulmin e shtëpisë. E shoqja e Ukshinit, Hasije Ajdini ka qenë në katin e 3-të, e frikësuar që e kishte kapur flaka e granatës. Për fat nuk kishte eksploduar në shtëpinë e tij, të gjithë fëmijët kanë qenë në shtëpi. Fëmijët e vëllezërve, Babai, Nëna, Fëmijët e nipit të Ahmet Halilit nga zhegra. Mbas 5 minutave ka ardhur Fqinji i parë Xhavit Daku dhe ka pyetur a keni shpëtua familja e juaj, se granata ka rënë në kulmin e shtëpisë së juve.
Unë ju kam përgjigjur se jemi të gjithë mirë, fati i jone nuk ka eksploduar në shtëpi, por ka rënë në varreza.
E treta gjuajtje e granatës është gjuajtur pranë shtëpisë mixhës Ramë, ka pasur të plagosur.
Gjuajtja e katërt është gjuajtur në oborrin e mixhës Ramë, predha ka rënë në murin e oborrit para shtëpisë. Në dalje të derës kanë qenë në shtëpinë e mixhës Ramë, Ramadan Salihu është vra në vend, një copë e granatës e ka rrokur në kokë dhe të gjithë trutë ja ka qit në tokë.
Hajdin Murtezi është plagosur rëndë, bashkë me të është plagosur mixha Ramë dhe e shoqja e tij që gjendet ende gjallë.
Mixha Ramë dhe Hajdin Murtezi kan vdekur si pasojë e palgosjes prej Granatimit.
Granata e pestë është gjuajtur te shtëpia e Shabanit të Uglarit. Granata ka rënë në kulmin e shtëpisë dhe të gjitha tjegullat kanë qenë të thyera. Granata e ka rrokur pllakën e katit të dytë të shtëpisë dhe copat i kanë rënë shtëpisë së Xhemajl Ymerit të LLadovës, shtëpisë së Aziz Kadriut të Zhegrës . Në ballkon të shtëpisë së vet është vrarë Xhemajl Ymeri.
Granata e gjashtë prej forcave ushtarake serbe, përsëri është gjuajtur në shtëpinë e Xhemajl Ymerit, ku i ndjeri ishte i vrarë në vend. Kishte edhe të tjerë të plagosur, por nuk kanë guxuar të lajmëroheshin për shkak të policisë serbe!
Shtëpitë kanë qenë të dëmtuara shumë prej granatimit, shtëpia e mixhës Ramë, shtëpia e Shabanit, shtëpia e Xhemajl Ymerit, shtëpia e turkut dhe banesa ku ka Banuar Hajdin Murtezi.
Me datën 28. 03. 1999 në këto vrasje dhe plagosje nga ushtria dhe policia serbe, ajo mbrëmje ka qenë shumë e trishtueshme për këto familje dhe banorët e “Qenar Qeshmes”. Atë natë, vrasja e Ramadan Salihut dhe Xhemajl Ymerit, si dhe plagosja rëndë e Hajdin Murtezit dhe Zyhrije Pireva e Lindur më 13. 08. 1978. Në atë moment ka qenë Masar Morina dhe vajza e tij, e cila ishte motër medicionale.
Të nesërmen në mëngjes me 29.03.1999 dita e Bajramit, tmerrin nga vrasjet dhe plagosjet prej forcave serbe, Hajdin Murtezin e kanë sjell Fëmijët e vet në shtëpinë e të Atit Hetem Murtezit. I plagosur shumë rëndë prej granatimit, as fytyra nuk i shihej, as sytë e gjithë lëkura i kishte rënë dhe mishi prej copave të granatës e copave të betonit!!! Kishte edhe copa të mëdha në tërë trupin e tij. Kishte dhimbje shumë, sikur kur e nxjerr prej zjarrit i djegur ishte prej flakës së granatës dhe copave. Ne nuk guxonim që ta dërgojmë në spital, shkaku se kishte ushtarë dhe polici serbe. Tentonin të na vrisnin dhe thoshin lypni ndihmë prej UÇK-së dhe NATO-s!!!
Ne jemi detyruar ta thërrasim mjekun shqiptar në shtëpi për ndihmë mjekësore, ai ishte Shaqiri nga Burinca me banim në lagjen “Qenar Qeshme”, ku i ndihmonte edhe vajza e Ukshin Ajdinit (motër medicionale). Vajza e vëllait të Hajdinit, i kanë dhënë ndihmë mjekësore, ushqim artificial, injeksione dhe vaksinim kundër helmimit të gjakut. Edhe Shaqiri i kishte thanë Meritës se nuk e zënë 24 orëshi, ka për të vdekur se është rëndë i plagosur dhe merr helmim gjaku prej plagëve të rënda.
Merita dhe doktori bënin pastrimin me alkool dhe me jod trupin e tij.
Tre muaj ai është shëruar prej motrës medicionale Merita Ajdini dhe Shaqiri nga fshati Burincë me banim në Lagjen tonë dhe Dr. Maliq Bajrami doktor i syve.
Ai ishte shtrirë në krevat dhe tërë kohën i kanë nxjerr nga trupi me pincetë copa të granatës, prej fytyrës, kokës dhe trupit deri në vdekje. Kanë mbetur shumë copa granate në trupin e tij dhe helmi i tymit të granatës ia dogji mushkëritë dhe organet e frymë marrjes. Vdiq në mënyrë më mizore, me plagë të rënda të granatimit të forcave ushtarake dhe policore serbe.

Të vrarë dhe të plagosur janë:












1. Zyhrije Pireva. E Lindur me 13.08.1978 emri i babait Sherif, emri i nënës Bahtije e lindur ne fshatin Tugjec Komuna e Kamenices ne vitet 1970-ta familja e saj janë shpërngulur nga fshati dhe jetojnë në lagjen qenar qeshme (arbëria). Kanë shtepinë e vet, shkollen fillore dhe 8 vjeqaren Zyhrija e ka kryer në shkollen Thimi Mitko në gjilan, shkollen e mesme gjimnazin Zenel Hajdini e ka kryer në Gjilan si dhe fakulltetin pedagogjik e ka kryer në Gjilan. Esht plagosur rënd prej granatimit të ushtrisë aktive serbe me 28.03.1999 në ora 22:00, ka qenë ditë Bajrami. Ushtria serbe ka granatuar shtepine e Shaip Zekes Dhe Zyrija është plagosur rënd prej copave të granates, me të ka qenë edhe kusherira e saj Fikrije Pireva edhe kjo ka qenë e plagosur. Familjaret e Zyrisë e kanë marrur me makin për ta dërguar në ambullanten e qytetit policija serbe e kanë kthyer e kanë plagosur edhe një herë Fikrije Pireven me automatik dhe e kanë derguar në spitalin e Gjilanit ku dhe prej plagëve të rënda Zyhrija ka vdekur në spital me daten 01. 04. 1999 ka vdekur dhe është varrosur në varrezat e qytetit në Gjilan.










2. Ramadan Salihu, i lindur me 23. 06. 1950 emri i babait Ymer Salihu, emri i nënës Mevlyde. I Lindur në Gjilan, shkollen fillore dhe 8 vjeqaren e ka kryer në shkollën Musa Zajmi, shkollen e mesme ekonomike e ka kryer në Gjilan, Fakulltetin Ekonomik e ka regjistruar, ka qenë futbollist i klubit futbollistik DRITA në Gjilan, ka punuar në entin e banimit (SIZ) në Gjilan, ka qenë shef i kontabilitetit. Me daten 28.03.1999 është granatuar prej ushtrisë aktive serbe shtëpia e Ramadan Azemit, granata ka rënë në murin e oborrit para deres së hyrjes së shtëpisë 7 metra para tyre. Ramadani gjeti vdekjen në vend, Hajdini dhe mixha Ramadan Azemi me bashkshorten u plagosen rëndë prej granates. Ramadan Salihu të nesermen është varrosur në varrezat e qytetit të Gjilanit.










3. Xhemajl Ymeri, i lindur me 20. 06. 1938, emri i babait Zenel, emri i nënës Arzije. I Lindur në fshatin LLadov, komuna e Gjilanit. Shkollen fillore 8 vjeçare e ka kryer në Zheger, ka punuar prej vitit 1974 në KOSOVA TRANS të Gjilanit deri në vitin 1990. E kanë larguar prej punes dhe deri në vitin 1999 ka punuar si Taksi privat. Është granatuar shtëpia e tij prej ushtrisë aktive serbe prej Zabelit të Sahit agës. Granata ka rënë në shtëpinë e tij ku ai ishte në terasen e shtëpisë dhe është vrarë në vend. Copat e granates janë gjetur para shtëpisë së tij. Ky ka vdekur me daten 28. 03. 1999 në ora 22:00 në kohen e granatimeve. Varrimi është bërë të nesërmen në varrezat e qytetit të Gjilanit.











4. Hajdin Murtezi, i Lindur me daten 20. 09. 1944, emri i babait Hetem M. Uka. Emri i nënës Nagjije. I Lindur në fshatin Sefer, Komuna e Preshevës. Shkollen fillore e ka kryer në fshatin Sefer, shkollen e mesme ekonomike e ka kryer ne Gjilan, Fakulltetin Juridik e ka kryer ne Prishtinë në vitet e 70-ta. Familja e tij erdhi në Gjilan për të jetuar me shtëpi në lagjen qenar qeshme numer 16/A në Gjilan. Hajdini është punësuar në Viti si shef në entin e inkuadrimit dhe pas andej ka kaluar në Gjilan në entin për inkuadrim ka punuar deri në vitin 1999. Me daten 28. 03. 1999 në ora 22:00 policia serbe ishte në vëzhgim. Ushtria serbe aktive granatoi shtëpinë e Ramadan Azemit, aty ishte Ramadan Salihu, vdiq në vend me daten 28. 03. 1999. Hajdin Murtezi u plagos rëndë dhe prej plagëve të rënda ka vdekur në vitin 2001 si dhe është varrosur në varrezat e qytetit në Gjilan. Ramadan Azemi është plagosur rëndë dhe ka vdekur në vitin 2000, gjithashtu ka qenë e plagosur edhe bashkëshortja e Ramadanit. Në vend të ngjarjes janë gjetur copat e granates të ushtrisë serbe.










5. Ramadan Azemi, i lindur me 15.07.1928. Emri i babait Alim emri i nënës ?......./ i Lindur në fshatin Suharnë, Komuna e Bujanovcit. Është shpërngulur prej fshatit dhe kishte shtëpinë e vet në lagjen "ish-qenar qeshme" në bregun e diegur në Gjilan. Shtëpia e Ramadan Azemit është granatuar nga forcat ushtarake aktive serbe prej Zabelit të Sahit ages ku ishte depoja e ushtrisë serbe ku si pasojë gjeti vdekjen në vend. Ramadan Salihu u plagos rëndë, Hajdin Murtezi u plagos rëndë. Ramadan Azemit, granata ka rënë në murin e oborrit para deres së hyrjes, ku dhe prej pasojave të plagëve ka vdekur me daten 11. 05. 2000. Varri i tij gjindet në varrezat e qytetit të Gjilanit. Edhe bashkëshortja e tij është plagosur.

6. Fikrije Pireva është plagosur me granatim, ku është plagosur për së dyti me automatik nga polici serb me datën 28.03.1999.

7. Isa Zeka është plagosur në shtëpinë e vet, prej granatimit me 28. 03. 1999.

8. Është rrahur prej policisë serbe plaku i vjetër, Tefik Vokshi.

Pasi përfundoi granatimi në lagjen tonë, filluan ta granatojnë edhe fshatin Malishevë. Me rastin e granatimit të fshatit Malishevë, ka pasur të vrarë dhe të plagosur. Emrat nuk i di, por janë të njoftuar përgjegjësit e fshatit Malishevë. Gjuajtja është bërë nga ushtria serbe, me bazë ushtarake në “Zabelin e Sahit Agës”.

Në ditën që janë vorrosur Ramadan Salihu dhe Xhemjal Ymeri, policia serbe që kan qenë në varrim i kanë ofenduar njerëzit, i kanë torturuar, ku në mesin e të torturuarve është edhe vellau i Ajdin Murtezit, Faredin Murtezi, të cilin edhe fizikisht e kanë rrahë. Katër policë, me uniforma dhe me makinën “ZASTAVA” e kanë derguar deri te salla e sporteve, pasi e kan torturuar dhe rrahur fizikisht e kan qit jashtë makines. Njëri prej tyre i kishte thënë me injorancë, “mbase je me ni datlindje të njejtë me timen po të liroj!!!”.
Policia serbe katër herë kanë ardhë te shtëpia e Hetem Murtezit, me na regjistruar sa anëtarë jemi në shtëpi dhe kërkonin armë. Një herë kan ardhur me daten 10. 04. 1999 policia speciale me uniforma, të përgaditur me armatim të gjatë. Mbi dhjetë policë ishin, por ne anëtarët e familjes së Hetem Murtezit ishim të stresuar. Ata iu drejtuan babës - plakut 80 vjeqar në oborrin dhe i thanë; ”A i ke djemtë të gjithë në shtëpi, a keni armë ...!”. Babai Hetemi i tha po ..., se nuk e ka ndegjuar mir dhe prej merzisë se djalit që ishte i plagosur rëndë. Ajdin i tha;”... babë, i thuaj se nuk kemi armë .”Ai u tha se nuk kemi armë, por policia fillaun kontrollimin e shtëpive. Pasi kontrolluan shtëpi për shtëpi shkuan. Me policinë speciale këtë herë ka qenë edhe Vitomir Iliqi, policët tjerë rrinin në gjendje gadishmerie.

Me datën 15. 04. 1999, kemi dalur Ajdin Murtezi me të vllaun Ukshin Ajdinin te shitorja. Aty banonin Romët, te banesa e socialit, në Lagjen tonë. Aty në atë moment ka ardhur Vitomir Iliqi, me makinë “Niva” ka qenë vet i 3-ti. Ka dalur vet prej makines dhe iu ka drejtuar Ajdinit, i cili ishte i plagosur prej granatimit dhe i tha;”... shif si je plagosur, se ti nuk na don neve, shtetin tonë serbinë. Kurse romet na dojnë neve dhe këta nuk i nguc kerkush.”
Çdo herë që vinin me na regjistruar nëpër shtëpitë tona, na thojshin një problem ma i vogli me ndodh dhe ku ka terorista kem me gjujatë me topa. Ushtria serbe atyre shtepive që kanë terrorista shqiptarë ka me ja vra të gjithë familjen. Pysnin ku ka UÇK, në atë shtëpi ku dyshonin se kishte ushtarë të UÇK-së, ushtria aktive serbe gjuante me topa, në ato shtëpi dhe policia i rrethonte për t'i vrarë të gjithë.
Në fund të muajit Maj, kanë kaluar me dhjetra makina paramilitare dhe kombi të mbushur plot me paramilitarë të cilët i kishin djegur shtepitë në fshatin Llashticë dhe Velekincë, si udhëheqës ( komandant ) i tyre ishte Zara.
Në Lagjen tonë na lajmeruan, që të gjithë banorët e Lagjes të shperngulen, se ai që nuk shperngulet prej shtëpive të veta i vrasim dhe shtëpitë i kallim.
Ne banorët që ishim në këtë lagje dolem 10 - 15 vetë, kurse të tjerët kishin ikur më herët. Aty erdhi një makinë, aty ishte një prej policisë speciale dhe na tha;”... e keni lypë NATO-në, le t’ju ndihmojë NATO. Çizme e ushtrisë së NATO-së, nuk ka me mundur të hyjë në Kosovë. 20% NATO-ja na ka shkatërruar neve, kurse ushtria dhe policija serbe juve shqiptarve 80% ja u kemi q... nënën. Ju kemi shkatërruar.”
Gjuajtja që është bërë në këtë lagje, është bërë prej ushtrisë serbe - ushtri aktive, të cilët ishin të vendosur në bazen ushtarake “Zabeli i Sahit Agës”. Aty ishte edhe Depoja e armatimit serb. Në vëzhgim ishin edhe policia serbe, policia speciale dhe ushtria paramilitare serbe.
Edhe në Malishevë, të njejtën mbrëmje, kanë gjuajtur ushtria aktive serbe .
Ç'do herë që është bërë kontrolla e policisë, regjistrimin e shtepive, në krye të policisë ka qenë polici Vitomir Iliqi. Regjistrimi u bë nëpër disa kartela të mavita.
Në shtëpinë e Fahri Idrizit, nga Zhegra me banim në Lagjen tonë, gjatë granatimit të ushtrisë aktive serbe nga Kazerma në “Zabel”, nji granatë të cilën e kishte goditur shtëpinë e Shabanit të Uglarit, copat i kanë goditur shtëpitë e Xhemajl Ymerit dhe Fahri Idrizit. Një copë të predhës nga Topi MT-12, i ushtrisë aktive serbe, gjendet akoma në shtëpinë e Xhemajl Ymerit. Kjo copë e predhës mund të shërbejë si provë materiale për të vërtetuar se me të vërtetë është gjuajtur nga topat e ushtrisë aktive serbe.
Gjatë granatimit të NATO-së mbi caqet serbe, Vitomir Iliqi në muajin e pestë e ka burgosur edhe Masar Morinën.


















Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Isuf B. Bajrami
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 64 vizitorë
Lexuar: 3,317 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi