Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
“Faqe të panjohura të historisë së NDSH-së
Publikuar më 04 prill, 2011 në orën 04:18 ( ) Mustafë Krasniqi | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
(Ramiz Qyqalla dhe bashkëluftëtarët e tij)

(PJESA E GJASHTË )

Bilbili që vdiq në kafaz, me këngën e fundit

“Vdekja do të ishte shumë e shëmtuar dhe e hidhur, nëse
nuk kemi lënë vepra ose njerëz të na kujtojnë”.

Riza Strellci ishte atdhetar rapsodist, i cili vdiq me këngën e fundit për liri në gojë. Tërë jetën ia ka kushtuar kombit shqiptar, ishte veprimtar i shquar i kauzës kombëtare.
Lindi më 6 janar 1904 në fshatin Tërbufc, afër Janjevës. E quanin edhe Rizah Zhegovci, sepse fshati i tij bënte pjesë në malësinë e Zhegovcit. Familja e tij ishte me prejardhje nga fshati Strellc, rrethi i Deçanit. Nga Strellci gjyshi i tij ishte shpërngulur në fshatin Bajashticë të Toplicës, kurse pas masakrave serbe mbi shqiptarët e Toplicës, kishte ardhur në Kosovë, në fshatin Tërbufc. Shkollën
fillore katër klasëshe në gjuhën serbe e kishte vijuar në Gjilan, por, për arsyet që dihen, e kishte braktisur. Për shkak të kushteve ekonomike Rizahu shpërngulet sërish dhe vjen në rrethin e Prishtinës, më saktë në Azizi, ish- Milloshevë, ku e ka edhe sot familjen e tij dhe djalin, Mustafë Strellcin.
Atdhetari i madh Riza Strellci ishte poet autodidakt. Ka lënë në dorëshkrim një numër të këngëve e poezive të bukura. Ka marrë pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare gjatë viteve 1944 – 1945, me shpresë se përmes kësaj lufte do të realizoheshin të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Në luftë kishte treguar përkushtim, guxim e vendosmëri. Pas “çlirimit” ishte punësuar në organet komunale.Me qenë se kishte rënë në veshë të organeve të sigurimit shtetëror fjala e tij liridashëse, ishte burgosur dhe pastaj ishte dërguar në Burgun e Nishit, ku edhe ka vdekur.
Ramiz Qyqalla e çmonte shumë njeriun gojëmbël, rapsodin e atdhetarin, Riza Strellci. Ai tregonte se si Riza Strellci këndonte në Burgun e Nishit. Të burgosurit i mbante me moral të lartë me këngën dhe çiftelinë e tij. Tekstet i krijonte vetë dhe pastaj atyre ua bënte edhe melodinë, për t’i kënduar menjëherë. Kishte thurë vargje me motive atdhetare, por edhe këngë të dashurisë. Ja disa vargje të një kënge të bukur atdhetare:

Nji natë dola me shikju,
Oh sa bukur po zdritë hana,
Aty u ula me ligjru,
Për Kosovë, për vendet tona.
Kqyra bjeshkët ishin bleru,
Plot me pyje e me lavdri,
Na t’mjertë gjith tue vajtu,
Me Kosovë, me Çamëri

( Marrë nga artikulli “Muratori autodidakt” të autorit Sinan Gashi, Zëri,
23 janar 2010)

Të burgosurit, të cilët kishin qëndruar me të në burg, kanë treguar se Rizahu, pasi e kishte kuptuar se vdekja po i afrohej shpejt, sepse sëmundja e tij nuk kishte shërim, një ditë i thirri të gjithë të burgosurit shqiptarë dhe u tha: - Hajdeni, o vëllezër, këtu, përreth meje, se po dua t’ua këndoj një këngë që nuk e keni dëgjuar kurrë e kurrë më nuk do ta dëgjoni, se Rizah Strellci epat! Pas atyre fjalëve, të gjithë, sa kanë qenë të pranishëm, kanë qarë. Ishte bërë sikur edhe qielli po qante atë ditë.Ajo ditë kishte qenë e zymtë, me shi, me një erë që të çonte peshë. Dhe, Rizahu e këndoi këngën që e kishte krijuar vetë, me një temë interesante:

Hajde, hajde, mori Hatë,
Ta kanë pre ni fustan t’gatë,
Fustan t’gatë e pak të vjetër,
Veshe k’ta se nuk ka tjetër.

Në momentin e vdekjes Riza Strellci e kishte marrë çiftelinë në dorë dhe, duke ofsharë, i kishte shqiptuar këto fjalë: - Ah, moj e bekuar! Ishte ndalur dhe kishte marrë frymë thellë: - Rizah Strellci më nuk ka me të marrë në dorë! Këto fjalë të fundit i tha dhe fryma filloi t’i rëndohet. Pas tri ditëve vdiq në Burgun e Nishit, duke i lënë të burgosurit shqiptarë në mërzi e pikëllim të thellë. Në fakt Rizahu e kishte kënduar edhe një këngë që nuk ishte dëgjuar më parë dhe as më vonë. Atë këngë enigmatike e kishte thur në burg, të cilën pati rastin ta këndonte vetëm njëherë. Ajo këngë sot e asaj dite mbeti e panjohur.
Rizahu shkëlqente si këngëtar i këngëve popullore. Këngët i krijonte dhe vetë i këndonte. Përmes këngës e oratorisë së tij bashkëkohësit, sidomos të burgosurit politikë, inkurajoheshin për qëndresë.
Për ta siguruar ekzistencën e familjes ishte detyruar të punonte në përpunimin e drurit dhe në ndërtimtari. Nga duart e veta e mbante familjen, kurse në mendjen e tij zhvillohej ideali i lirisë dhe i bashkimit kombëtar. Përmes këngës dhe propagandës që zhvillonte, Rizahu zhvillonte dashurinë ndaj Kosovës, ndaj Shqipërisë dhe Çamërisë, fliste kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi etj.
Ka bashkëpunuar me personalitete të rëndësishme të kohës, si me Ramë Bllacën, Ilaz Agushin, Idriz Gjilanin etj.
Rizah Strellci e donte librin, prandaj sillte libra shqipe nga Shqipëria, me qëllim të përhapjes së dijes, të kulturës e të arsimit në Kosovë. Librat më të mira e më të nevojshme për kohën ishin:Abetarja e gjuhës shqipe, poezitë e Gjergj Fishtës, poema e Pashko Vasës “O moj Shqypni, e mjera Shqypni”, Historia e Popullit Shqiptar, Kodi penal, një libër me vjersha të shkrimtarëve të Rilindjes Kombëtare, i quajtur “Këngëtore” etj.
Tahir Krasniqi, nga fshati Shipitullë i komunës së Kastriotit, kujton fjalët e babait të tij të thëna për Rizah Strellcin: - Baba më ka folur shumë për atdhetarin e shquar, Rizah Strellcin. Një herë në Bardh të Madh Rizah Strellci e ndërtonte tavanin e xhamisë së Bardhit të Madh. Dikush e kishte denoncuar se Rizahu ndodhej në Bardhin e Madh, te xhamia, duke punuar. Pas kësaj informate, xhandarmëria e Serbisë kishte nxituar për ta kapur. Baba, me të vëllanë, Hysen Krasniqin, shpejt shkojnë dhe e informojnë Rizahun se xhandarmëria po vinte në drejtim të fshatit. Kështu, Rizahu largohet, duke e kuptuar se xhandarët e paskan mësuar vendndodhjen e tij. Në fillim u strehua te Mullini i Hoxhëve, që gjendej në hyrje të fshatit Bardhi i Madh, ndërsa librat i futi në qerren e vëllezërve Behram e Hysen Krasniqi. Pasi dita filloi të errej, Rizahu tërhiqet nga mulliri me ndihmën e babës dhe të mixhës tim dhe vendoset në kullën tonë. Rizahu qëndron për një kohë në shtëpinë tonë, por më vonë i pamundësohet qëndrimi aty, sepse dikush e kishte denoncuar përsëri në xhandarmëri.
- Për Riza Strellcin, - shpjegon më tutje Tahiri, - baba e mixha flisnin se ishte në ballë të veprimtarisë atdhetare, por ishte edhe mbledhës i këngëve shqipe. Thoshin se ai sillte libra shqipe nga Shqipëria.
Mustafë Strellci, i biri i atdhetarit Riza Strellci, në dhjetor 2007, ka thënë: - Jam shumë i prekur nga shkrime të disa historianëve, ku është shkruar njëanshëm, me pallavra, për disa figura historike. Së pari, janë injoruar. babai im, Rizahu, pastaj Ramiz Qyqalla dhe shumë figura tjera historike, të cilët ishin të merituar për çështjen kombëtare. Shpresojmë se një ditë do të dalin historianë të paanshëm, të cilët do të hedhin dritë për këta heronjë të heshtur. Atdhetarët nuk i përkasin vetëm një familjeje, po tërë kombit. Dhe, është detyrë e të gjithë neve të shkruajmë sa më shumë për këta heronj të çështjes kombëtare e ta zbardhim sa më shumë historinë kombëtare, pa lënë anash asnjë ngjarje apo personalitet. Nuk duhet të bëjmë gara mes vete se kush do të jetë “në maje” e kush “në bisht” të historisë. Kalaja nuk ndërtohet nga pak, por nga shumë argatë.

Burgosja e djalit të Ramizit – Sylejman Qyqallës

Në vitin 1979, në mesin e shumë djemve të Kosovës dhe bashkë me bashkëveprimtarët Ramadan Pllana e Shefqet Jashari, është arrestuar edhe djali i Ramiz Qyqallës, Sylejman Qyqalla. Sylejmani, i cili ishte djalë për qejfi i Ramizit dhe i Hajrijes, ishte burgosur si anëtar i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës, kurse në përkrahje të idealit kishte gjithmonë vëllaun Nuhiun, ku gjatë luftës së fundit të UÇK-ës ishte përkrahës i madh i kësaj lufte. Demonstratat e vitit 1981 kishin shpërthyer dhe kishte shpërthyer edhe gëzimi në zemrën e Ramizit. Iu dhimbëseshin djemtë dhe vajzat që burgoseshin, por nga këto burgosje Ramizi sikur e shihte lirinë. Pas çdo burgosjeje të të rinjve, thoshte: - S’ka dert, nuk u shkon mundi huç..., dalëngadalë po vjen behari! Burgjet e stërmbushura me djemë dhe vasha i shihte si drita që kishte filluar të dilte mbi Kosovë. Për ta ai thoshte: - Drita e diellit ka fillue ta rrezojë Kosovën dhe Shqiptarinë. Kjo rini ka me ia sjell lirinë Kosovës dhe ka me e bashkuar me Shqipërinë.
Për Ramiz Qyqallën burgosja e djalit të tij të vogël, Sylejmanit, do të ishte një gëzim. Bashkëfshatarët e tij ia kishin parë për të madhe se si ai nuk mërzitej fare, madje e kishin quajtur si njeri të çmendur. Këto fjalë Ramizin nuk e kishin ligështuar, përkundrazi thoshte: - Me gëzim e prita këtë ditë, rrugë të mbarë, o biri im! E kemi Shqipërinë e Enverin, ti mbaje burgun si burrat, mos u mërzit, se vetëm të paburrat mërziten e burrat trimërohen! Dëshira e tij e madhe për ta parë Atdheun të lirë dhe të bashkuar e bënte Ramizin të gëzohej për burgosjen e djalit, ngase lëvizja ilegale për çlirim dhe rezistenca kombëtare po vazhdonte edhe te gjeneratat e reja. Burgosjen e djalit të tij ai e ndjente si afrim të çlirimit dhe të bashkimit të kombit. Ai thoshte: - Po trimat prapë janë ngritë dhe kanë çuar krye, he i paça për mote! Këndonte tërë ditën, kurse tash djalin e vogël të tij e donte edhe më shumë.
Nëna Hajrije, e cila vet i kishte përballuar vuajtjet e burgut dhe vuajtjet pas burgosjes së të shoqit, Ramizit, në pleqëri po përballej edhe me burgosjen e djalit të saj, Sylejman Qyqallës. E përndjekur dhe e vuajtur, e mësuar për qëndresë edhe nga i shoqi, e kishte të vështirë ta përjetonte lehtë burgosjen e djalit. Kur e kujtonte djalin në burg, i kujtonte edhe vuajtjet e saj dhe vuajtjet e të shoqit, duke thënë: Unë e di se çka është burgu. Edhe pse i dhembësej pa masë, nëna qëndroi e fortë. Ia kishte bërë hallall gjirin djalit, sepse e dinte se burgu i tij e nderonte atë dhe familjen. E dinte se dikush duhej të bëhej “kurban” për Atdhe. - Të priftë e mbara, djali im! - i thoshte saherë me zemër të thyer djalit të saj, Sylejman Qyqallës.
Sylejman Qyqalla (djali i Ramizit) i kishte ngjarë plotësisht të atit për nga atdhedashuria:
- Nga baba kam qenë i ndikuar drejtpërdrejt, nuk kam mundur të qëndroja indiferent për vuajtjet e popullit tim, - thotë sot Sylejman Qyqalla. Vetë rrëfimet e babait tim për mua ishin si frymëzim dhe shtytje për veprimtari atdhetare. Isha fëmija më i dëgjueshëm i babait. Në saje të edukimit nga ai, edhe unë i hyra të njëjtës rrugë. Jam shumë krenar që jam biri i Ramiz Qyqallës, sepse prej tij mësova dashurinë për atdheun, ndershmërinë, besnikërinë, drejtësinë, shpirtin e mosdurimit për shtypje e nënshtrim.
Mosha e bënte të vetën për Ramiz Qyqallën. Pleqërinë dhe pasojat e dhunës i ndjente në trup dhe këto e pengonin të ishte në mesin e rinisë përparimtare e atdhetare. Por, Ramizi po e shihte se diçka e madhe po lëvizte përpara pas vitit të madh Si shumë nëna shqiptare që përjetuan tmerret dhe dhembjet për djem të tyre, fati e deshi që edhe Shemsije Krasniqi, një grua e urtë dhe e dashur e një familjeje atdhetare, përjetoi dhembje për djalin e saj të madh, Shabanin. Tri ditë para se ta mbaronte shërbimin ushtarak, Shaban Krasniqi nga dhuna e tepruar ushtarake, me qëllim likuidimi, ushtrojnë turtur më të ndryshme mbi të dhe si pasoj e kësaj turture për tre muaj ishte i shtrirë me gjysmë vetëdije në Spitalin Ushtarak të Beogradit. Fati e deshi që nëna Shemsije të mos mbetet pa djalë, sepse djali i shpëtoi nga vdekja. Shabani e kishte trashëguar emrin e atdhetarit Shaban Kapuçi, që ishte gjyshi i babës.

Veprimtarët e NDSH-së në zonën e Çiçavicës

Bardh i Madh: Ramiz Qyqalla, Rasim Qyqalla e Shaban Qyqalla (vëllezër), Azem Jashanica, Mulla Hasim Gërguri (ishte tërhequr më vonë nga organizata), Fetah Qyqalla, Ramë Gashi, Ymer Pllana, Hasan Jashanica, Hafuz Imer Gërguri. E
ndihmonin organizatën: Ramadan Berisha, Ali Berisha e të tjerë.
Sllatinë: Sylë Berisha, Xhemë Gjuraku.
Bardh i Vogël: Rexhep Sfarça, Feriz Krasniqi.
Lismir: Pajazit Tërnava, Isa Obertinca.
Miradi: Ismail Sllamniku.
Fushë-Kosovë: Ramë Bugujevci.
Zhilivodë: Aziz Zhilivoda.
Grabovc i Poshtëm: Vesel Sogojeva, Kurtesh Berisha.
Grabovc i Epërm dhe Shipitullë: Ajet Mjeki, Behram Krasniqi, Nebih Mjeki (sipas Ramiz Qyqalles).

Programi i NDSH-së

1. Në çdo vend (qytet e katund) të formohet “Komiteti i Vendit për Lirimin e Tokave Shqiptare”,
2. Për koordinimin e punës mes këtyre komiteteve të vendit, janë “Komitetet epruere”,
3. Komiteti Epruer varet nga Komiteti Qendruer. Të parët janë në lidhje me komitetet epruere e këta me Komitetin
Qendruer,
4. Çdo komitet formohet nga: kryetari, sekretari, anëtari i parë, anëtari i dytë dhe përgjegjës të ndryshëm, sipas nevojës,
5. Këta i ndajnë detyrat dhe përgjegjësitë sipas nevojës e zotësisë. Drejtimin e përgjithshëm e mbanë kryetari, i cili administron dhe zbaton urdhërat e komiteteve epruere,
6. Sekretari, bashkë me dy anëtarë, kanë: shërbimin e propagandës e të lajmeve, dhe si detyrë kryesore - ndërlidhjen, shërbimin ekonomik dhe politik,
7. Shërbimit politik i takon kujdesja e posaçme. Për këtë çdo komitet formon një trup nën emrin “SIP” (Sigurimi politik). SIP-i e ka për detyrë mbledhjen e informatave mbi personat e ndryshëm dhe heton sigurimin dhe mirëvajtjen e veprimtarisë së komiteteve,
8. Komitetet e vendit veprojnë në marrëveshje në mes të anëtarëve,
9. Komitetet prore kanë po këta persona; por, nga shkaku se do të kenë më shumë punë, anëtarët do t’i ndajnë detyrat dhe në rast nevoje do të formojnë seksione me referentë dhe përgjegjës.
* * *
Dokumenti tjetër, me rëndësi të madhe për mendimin politik shqiptar është programi i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare, i cili përmban këto pesë pika:

Programi i LLTSH

1. Liri dhe pavarësi të plotë, me të drejtë vetëqeverimi, në bazë të vullnetit të popullit, të shfaqur lirisht,
2. Me “tokat shqiptare” kuptohen të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët me mbi 60 për qind, pa dallim si quhet krahina a vendi dhe nga kush është i pushtuar, 3. “Lëvizja për Lirimin e Tokave Shqiptare” nuk ka qëndrim anmiqësor ndaj asnjë populli fqinjë, as kundër partive politike. Vetëm insiston që në mënyrë kulturore apo me armë të përpiqet ta arrijë idealin shekullor të kombit shqiptar që të jetë i lirë dhe vetësundues në shtet të vet, me kufij etnikë,
4. Pasi të vendosen kufijtë etnikë, pa marrë parasysh kushtet tjera të kufijve, siç janë strategjikë, ekonomikë, politikë etj., në mënyrë miqësore do të shkëmbehet popullata e pakicave nacionale, duke i tërhequr shqiptarët që do të mbesin jashtë kufijve, në vend të atyre që do të shpërngulen dhe do të përcillen jashtë,
5. Në kohë paqe LLTSH nuk do të pushojë, por do të vazhdojë, si shërbim roje të të drejtave të popullit shqiptar, si të atyre të brendshëm, ashtu edhe të atyre të jashtëm, duke u organizuar për regjim me të vërtetë demokratik dhe për relacione miqësore me popujt fqinjë ballkanikë.
Kongresi i Katërt i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare Rroftë Shqipnija e vërtetë, me kufijtë e saj etnikë!

Si u zhvillua Kongresi i Lipovicës

(ose: Kongresi i Tretë – (i V-të) i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare - LLTSH, respektivisht i Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare – LNDSH) Kongresi III-të i LLTSH apo Kongresi V-të i LNDSH, ndryshe edhe Kongresi i Lipovicës, zhvilloi punimet më 25 korrik 1946, me një vonesë të madhe, për disa shkaqe:
E para, gjatë ardhjes së delegatëve nga degët e NDSH-së, si dhe të grupeve te armatosura në vendin ku do të mbahej Kongresi, u hetuan lëvizje të mëdha të forcave të KNOJ-it dhe të OZN-së,
E dyta, nuk arritën delegatët dhe as përfaqësuesit e grupeve të armatosura nga Dukagjini,
E treta, nuk arriti përfaqësuesi i KQ të LNDSH-së të Shkupit, Kemail Skënderi,
E katërta, , nuk arriti as Prof.Ymer Berisha, kurse një “letër”që i arriti Kongresit në emër të tij, se nëse ai (Y.Berisha) nuk do të arrinte me kohë, në vend të tij të fliste Hilmi Zariqi – ishte e dyshimtë, dhe:
E pesta, njësiti i armatosur i Jetullah Zabelit të Rezallës dyshoi në besnikërinë e korrierit për lidhje midis Hilmi Zariqit dhe Prof. Ymer Berishës, pikërisht dyshimi ishte në R. A. Nga Carrabregu i Deçanit, të cilin e arrestoi dhe të lidhur e sollën në vendin e Kongresit.
Ky Kongres u mbajt në një lëndinë, te vendi i quajtur Vorri i Hoxhës në malin e Lipovicës (sot Blinajë), mes fshatrave Risinoc, Krojmir dhe Fushticë.
Për sigurinë e Kongresit ishte kujdesur Istref Sheqa i Çikatovës.
Kongresi i Lipovicës do t’i zhvillonte punimet me këtë

REND DITE

1. Hapja e Kongresit dhe fjala përshëndetëse e kryesuesit te Kuvendit,
2. Raporti i KQ të LNDSH-së për ushtrinë – UPNDSH-në nga delegati i KQ nga Shkupi (ky delegat nuk arriti në Kongres sepse në ndërkohë ishte arrestuar, pjesëmarrësit nuk dinin për fatin e tij, kurse Raporti nuk u mbajt fare,
3. Referati për punën e 0P (Organizatës Patriotike) “Besa Kombëtare”. Në emër të Besës Kombëtare ishte planifikuar të flasë Prof. Ymer Berisha, mirëpo ai paraprakisht, më 11 korrik 1946, ishte vrarë. Këtë fakt kongresistët nuk e dinin, ata
shpresonin se Profesori mund të vonohej,
4. Raporti i punës së 0rganizatës Nr.2 të LNDSH-së, nga Ajet Gërguri,
5. Përgjigjja e 0rganizatës Nr.2 të NDSH-së, për letrën e Komitetit në Greqi dërguar Komitetit Qendror të LNDSH-së në Shkup të datës 5 korrik 1945. Në letrën e Komitetit nga Greqia kërkohej që forcat e armatosura të braktisnin jetën e maleve dhe të emigronin në Greqi. Këtë kërkesë Kongresi, me shumicë votash, e hodhi poshtë, me motivacion se nuk lihen trojet tona dhe familjet nën këmbët e gjakësorëve pushtues.
. - Të mbrojmë Atdheun, nderin e familjeve e varret e të parëve deri në pikën e fundit të gjakut tonë! ! – kishte thënë para kongresistëve Ukshin Kovaçica,
6. Që “Lëvizja për Lirimin e Tokave Shqiptare” tash e tutje të quhet: - Lëvizja Nacional-Demokratike Shqiptare, shkurt LNDSH,
7. Forcat eArmatosura Shqiptare të quhen: Ushtria Popullore Nacional-Demokratike Shqiptare – UPNDSH, me seli nëMalet e lira te Kosovës,
8. Profesor Ymer Berisha të emërohet kryekomandant i UPNDSH-së dhe kryetar i Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare (zgjedhja e Komandantit Suprem dhe ndarja e Ushtrisë Kombëtare në 5 divizione, si dhe për rregullimin disiplinor të ushtrisë sonë),
9. Zgjedhja e Komitetit Qendror të LNDSH-së. Kryetar ishte propozuar Prof.Ymer Berisha, nënkryetarAjet Gërguri, sekretar Gjon Sereçi, si dhe anëtarët e Komitetit Qendror,
10. Emërimi i Shtabit Suprem të UPNDSH në Malet e Kosovës dhe përcaktimi i Zonave 0perative, si dhe ristrukturimi i hierarkisë ushtarake: Njësiti më i vogël të quhet çetë, kurse, sipas zhvillimeve në terren, të krijohen edhe batalione, brigada e divizione; si dhe të bëhet rregullimi disiplinor i Ushtrisë Popullore të NDSH-së, të formohen gjyqet disiplinore në çdo hierarki ushtarake, si dhe gjyqi penal në kuadër të brigadave,
11. Përcaktimi i rregullave për çështjet me rojen, furnizimin e ushtrisë dhe pajisjet e ushtrisë me armatime të nevojshme (pritej përgjegjja e Komisionit të Veçantë të KQ të LNDSH-së, që kishte lidhje me Misionin Ushtarak anglo-amerikan në Tiranë, Shkup, Athinë dhe Romë.

Pjesëmarrësit në Kongresin e Lipovicës

Kongresi i filloi punimet më 25 korrik 1945, me një vonesë për shumë arsye.
Pjesëmarrës në Kongres ishin: Ajet Fazli Gërguri, nga Duboci i Drenicës, Gjon Gjergj Sereçi, nga Ferizaj, Ramiz Qyqalla dhe Azem Jashanica, nga Bardhi i Madh, Dan Berisha, nga Bardhi –Fushë-Kosovë, Jetullah Zabeli, i njohur edhe si Jetullah Rezalla, Hamit Emini, nga Skënderaj, Osman Bunjaku e Shaban Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë, Ahmet Selaci, Shemsi Selaci, Rizah Rexhep Selaci, nga Selaci i Shalës së Bajgorës, Hysen Lutani, Sadik Lutani, Ramë Lutani, nga fshati Turiqec i Drenicës, Imer Ahmeti – Radisheva, nga fshati Radishevë i Drenicës, Mulla
Ramë Govori, nga fshati Herticë e Llapit, Ixhaid Nazmi Gafurri, djali i martirit demokrat, Nazmi Gafurri, Hasan Bilalli, Kadri Beba – Ribari, Salih Rexhë Ribari, Hilmi Zariqi e Shaqir Zariqi, nga Baica e Elshanit, Xhemail Buletini dhe Isuf Buletini, bijë të luftëtarit patriot, Isa Buletini, Istref Sheqa Hoti, nga fshati Likoc i Drenicës, Rifat Kotori, Sylë Hajrizi, Islam Domaneku, nga fshati Grackë, Lipjan, Zekë Luma, nga fshati Kraishtë, Nezir Buja, nga fshati Bujan, Ismail Dragusha, nga fshati Rufc i Vjetër, Ibush Mramori, djalë i vëllait të Shemsi Mramorit.
Në grupin e Shemsi Mramorit kanë qenë: Isuf Rysha me vëllezër, Rexhep Gajtani, Brahim Gajtani, Hajdar Kolevica, Ukë Salihu, Emin Shushica, Sadik Tusha dhe Sylë Tusha, Sylë Zejna, Selim Limani, Osman Abaz Gagica, Feriz Fejzullah Saraçi me të birin Eminin, nga fshati Bivolak i Vushtrrisë, Arif Shala, Xhemajl Esati, nga Komarani i Drenicës, Shaban Sallova, nga fshati Mazgit i Prishtinës, Nazif Shaba dhe Xhelë Maliqi, nga fshati Gllogoc i Lipjanit, Qerim Selimi, nga fshati Banullë i Lipjanit, Isuf Muharreni dhe Hajdar Muharremi, nga fshati Petrovë e Shtimes, Rrahim Rexha, Rrahman Jetullahu, Osman Jetullahu, Rrahman M. Qeriqi, nga fshati Krojmir, Qazim Zogaj dhe Fetah Bogiqi, nga Komarani i Drenicës, Sokol Brahimi dhe Izet Murati, nga fshati Sankoc, Jahir Sejdiu dhe Tafil Sejdiu, nga fshati Shalë, ish-Sedllar, Hazir Bajrami, Mehmet Arifi, Ismail dhe Shaqir Dugolli, Beqir Bajrami, nga fshati Pjetërshticë, Izet Jetishi, nga fshati Zborc, afër Shtimes, Selim Salihu dhe Ali Besheniku, nga fshati Carralevë, Sadri Duhla, nga fshati Duhle dhe Qerim Ali Gashi nga fshati Luzhnicë, Ilaz Sadiku, nga fshati Hallaq i Lypianit, Hajredin Mëziu, nga fshati Vërshec, afërMagurës dhe disa luftëtarë të tij nga ky fshat, Bajram Çukovci, nga Cernilla dhe Qazim Leskovci nga fshati Mirash, Hajredin Avdyli nga Sazlia, Nebih Sahiti, nga fshati Kabash – Prizren, Nebih Jonuzi, nga Rubovci, Tahir Prokupja, nga fshati Fushë e Madhe (ish-Velikopole), Hamdi Tmava, Jetullah Hasani, Rexhep Hyseni, nga fshati Godanc, afër Shtimes, Rifat Mexhuani, nga fshati Siboc i Kastriotit, Miftar Gashi, nga fshati Dobrajë – Lypian, Hasan Salihu, nga fshati Korishë – Prizren, Bajrush Zuka dhe Mehdi Zuka, nga fshati Lloshkobare – Ferizaj, Zenel Morina, nga fshati Hade, Beqë Zeqiri, nga fshati Gjurko, Lypian, Ismail Muharrem Ismajli, Fejzullah Mehmeti, nga Domaneku i Drenicës, Brahim Luta, nga Gllanasella e Drenicës, Imer Radisheva, Imer Bajraktari, Hysen Lutani e shumë të tjerë. (Marr nga Hysen Azemi: Dokumente arkivore të Partisë Nacional Demokratike Shqiptare në Kosovë)

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Mustafë Krasniqi
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 83 vizitorë
Lexuar: 5,817 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi