Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Një apo dy vota, ose një apo dy interesa
Publikuar më 07 janar, 2012 në orën 13:02 ( ) Driton Avdiu | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Shpeshherë në diskutime publike a private, zyrtare apo jozyrtare, në vazhdën e “argumenteve” që hidhen në favor të mbetjes së popullit shqiptar ashtu siç është sot, i ndarë ndër të tjera edhe në dy shtete me shumicë shqiptare, në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës, është edhe numri prej dy votash që do t’i kishin shqiptarët në forume ndërkombëtare, pra favoret që mund të krijoheshin në rastin kur secili shtet do ta kishte votën e vet. Kështu, mendohet se jemi “më të fortë” me dy vota, sesa me një votë.

Kjo pikëpamje, në pamje të parë interesante, shprehet me një mendjelehtësi të madhe. Po cilat në të vërtetë na qenkan përparësitë që t’i kemi dy vota, në vend të një vote? Cilat janë dobitë e dy zërave shqiptarë, në vend të një zëri në skenën politike ndërkombëtare?
Para se të hyjmë në një shtjellim të mëtutjeshëm, së pari duhet ta shtrojmë një pyetje të thjeshtë: në cilat forume ndërkombëtare me peshë Kosova sot ka votë, pra ka subjektivitet ndërkombëtar? Ku po u dëgjuaka sot ajo votë e fuqishme e Kosovës nëpër institucionet kryesore ndërkombëtare, që po u dashka të mbrohet me aq këmbëngulje? Hiç FMN-në, Kosova sot nuk ka zë në institucione ndërkombëtare, qoftë në OKB, BE apo NATO. Gjithashtu edhe përfaqësimi i Republikës së Kosovës në nisma më të ngushta rajonale sot është problematik, kryesisht për shkak të obstruksioneve që i bën Serbia. Pra, cilën votë sot e paska shteti i Kosovës, e cila po t’i shtohej edhe asaj të Republikës së Shqipërisë po e bëka faktorin shqiptar me peshë e me ndikim në arenën ndërkombëtare? Natyrisht se ajo votë në kontekstin e sotëm rajonal e ndërkombëtar gjeopolitik të Kosovës nuk ekziston, për shkak të problemeve politike të mbetura të pazgjidhura edhe pas shpalljes së pavarësisë. Moszgjidhja e plotë e këtyre problemeve, që sot shprehet sidomos përmes situatës në veri të vendit, është arsyeja themelore e kufizimeve që sot i janë vënë Kosovës nga faktorët ndërkombëtarë, kufizime këto të sanksionuara në të gjitha dokumentet themelore të shtetit. Natyrisht, ky është edhe burimi që në çdo hap do t’ia vështirësojë ecjen e shtetit të Kosovës drejt njohjes së subjektivitetit të tij në organizatat ndërkombëtare.
Kur Kosova në të ardhmen t’i heqë pengesat e mosfunksionimit (që vulosen me Pakon Ahtisaari dhe që ushqehen nga mbajtja e pazgjidhur e raporteve shqiptaro-serbe nëpërmjet tensioneve të vazhdueshme në terren në veri të vendit), ajo do t’i krijojë parakushtet për sovranitet të plotë dhe kështu do t’i hapej udha për përfaqësim të saj edhe në të gjitha organizmat ndërkombëtarë, si edhe çdo shtet tjetër. Në këto rrethana do të hapej mundësia e largimit të të kufizimeve aktuale, e rrjedhimisht edhe e shprehjes së vullnetit të lirë të popullit shqiptar në të dy anët e kufirit, nëse dëshiron të bashkohet në një shtet të vetëm apo jo.
Këmbëngulja eventuale që të kemi tani dy shtete e jo një, pra dy vota e jo një, edhe pas krijimit të këtyre rrethanave të reja, nuk garanton në asnjë mënyrë që këto dy shtete shqiptare do të kenë synime dhe interesa kompatibile dhe të pikëtakueshme në të ardhmen. Përkundrazi, forcimi i ndarjes-mbetjes me dy vota në arenën ndërkombëtare me kohë sjell deri te lindja e dy interesave të ndryshme, të cilat nuk është çudi që shumë lehtë do të mund të përplaseshin në mes tyre.
Nuk kemi pse të shkojmë më larg në këtë drejtim: mjafton ta përmendim vetëm aktualizimin e sërishëm këto ditë të problemit të taksës doganore në disa produkte ushqimore në relacionet në mes të dy shteteve tona. Ky është një shembull i qartë i mundësisë konkrete për t’u përplasur interesat në mes të institucioneve shtetërore të dy pjesëve të kombit, të ushqyera këto natyrisht nga grupet e caktuara të interesit që qëndrojnë pas qarqeve në pushtet, si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Republikën e Shqipërisë.
Përndryshe, nuk do të kishte asnjë kuptim tjetër mbetja e dy votave të ndryshme të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë. Pra, krejt pa nevojë dhe në dëm të drejtpërdrejtë të interesit tonë kombëtar do të copëtoheshin të gjitha potencialet materiale, ekonomike, natyrore e sociale të popullit shqiptar të cilat në këtë mënyrë do të ndaheshin më dysh, ndarje e cila do të sublimohej me dy vota që nuk është e thënë të jenë gjithmonë në të njëjtën anë, d.m.th, që nuk është e thënë të votojnë njësoj për çështje të ndryshme.
Vota në forumet ndërkombëtare nuk bën të shihet si numër, por si fuqi, sidomos jo nëse bëhet fjalë për votën e një tërësie ekonomike e politike që do të duhej ta kishim synim në të ardhmen. Në këtë kontekst shumë më tepër ka vlerë dhe vërehet pesha specifike e votës, sesa numri i tyre. Një votë që mbron interesat e gjashtë milionë banorëve peshon më ndryshe sesa dy votat e secilës gjysmë të tyre. Një zë i fuqishëm i një shteti të bashkuar shqiptar në të ardhmen do të dëgjohej shumë më tepër sesa dy zëra të ngjirur të dy mini-shteteve ballkanike.

Driton AVDIU, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes për Bashkim
E-mail: dritonavdiu@levizjaperbashkim.com

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Driton Avdiu
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 39 vizitorë
Lexuar: 874 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi