Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
LUFTA E DRENICËS DHE SHABAN POLLUZHA (I)
Publikuar më 21 shkurt, 2012 në orën 00:29 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Nëse vazhdojmë rrugën për në frontin e Sremit, do të likuidohemi pa arritur atje, kurse, në anën tjetër, në Kosovë të tjerët pa kurrfarë mëshire as pengesash do të bëjnë terror mbi gratë dhe fëmijët tanë“
(Brigada e Shaban Polluzhës, Podujevë, 20 janar 1945)

Regjimi serb, prej se okupoi Kosovën, më 1912 e këndej, zhvilloi politikë të shfarosjes së shqiptarëve, duke i persekutuar, duke i torturuar dhe masakruar në mënyrë individuale e kolektive dhe, më në fund, duke i vrarë dhe duke hapur varre të panumërta.

Heroi - Shaban Polluzha
Një politikë e tillë nuk pushoi asnjëherë, por përkundrazi, erdhi duke u bërë gjithnjë më e egër, politikë xhelatësh dhe okupuese. Nga viti 1912 e deri me sot, mund të thuhet se asnjë qytet, lokalitet, fshat a shtëpi nuk mundi t’u shpëtojë mundimeve dhe masakrave. Menjëherë pas okupimit të Kosovës, filloi masakrimi i popullatës nëpër të gjitha rajonet shqiptare. Masakrën e patën nisur në Drenicë, pikërisht në Prekaz të Epërm, duke vrarë Ahmet Delinë (i njohur për rezistencën antiturke) dhe fqinjët e tij. Shfarosja masive intensifikohet pas vitit 1918, për të arritur pikën tragjike në vitet 20. Gjate kësaj periudhe ushtria dhe xhandarmëria serbe vërsulen pamëshirshëm mbi popullatën e pafajshme shqiptare, duke lënë shumë kufoma nëpër oborre, shtëpi dhe rrugë. Në fshatin Shtupel (Pejë) dogjën 52 shtëpi, vranë mbi 90 fshatarë; në Jabllanicë(Gjakovë) vriten 63 veta dhe digjen 20 shtëpi; në Dumnicë-Zagorth (Vushtrri) bëhet një masakër e paparë ndaj fëmijëve e grave; në Kollë pushkatohen i madh e i vogël, digjen të gjitha shtëpitë dhe shuhet jeta në përgjithësi. Masakra të tilla të vrazhdët ushtria dhe xhandarmëria serbe bën në të gjitha viset shqiptare. Ndërmorën aksione barbare, vetëm e vetëm që të zhduknin vetëdijen dhe qenien kombëtare, zbatoheshin metoda mesjetare të presionit mbi popullatën autoktone dhe në valën e reprezaljeve bëjnë gjithë ç’është e mundur për t`i shpërngulur në Azi e gjetkë. Gjithashtu, ndërmerren masa për zhdukjen e intelektualëve shqiptarë dhe ndaj të gjithëve atyre që i bënë rezistencë kësaj politike dhe, i rralli, arriti t’u shpëtojë torturave, burgjeve dhe vdekjes. U derdhën mjete të shumta nga ministria për të mbushur trenat me shqiptarë që t’i çonin në Anadoll (marrëveshja e nënshkruar jugosllave-turke).
Sillen kolonitë nga Mali i Zi, Dalmacia, Vojvodina e viset tjerat vendit për t`i marrë me tapi tokën e shqiptarëve në Kosovë dhe vazhdon hartimi i elaborateve të tëra që tokat shqiptare t’i bëjnë serbe.
Kësisoj, kjo politikë hegjemoniste vazhdoi edhe gjatë Luftës së Dytë botërore duke bërë vrasje masive në të gjitha rajonet e Kosovës dhe duke hapur varrin më të madh kolektiv në Tivar. Këtij terrori do t`i kundërvihet Lëvizja Kaçake shqiptare me të gjitha format në mënyrë që të krijojë siguri për popullatën shqiptare, që ishte në trojet e veta dhe që nuk bënte t’i lëshonte kurrsesi.

DRENICA

Drenica nuk përfshinë vetëm territorin administrativ të dy komunave të sotme- Drenas dhe Skenderaj, por një territor edhe më të gjerë, që disa pjesë të të cilit sot administrativisht u takojnë komunave të tjera e Vushtrri, Lypjan, Malishevë dhe Mitrovicë).
Si çdo anë që ka karakteristikat e veta, edhe Drenica ka tiparet e saja të veçanta: doket, zakonet, veshjet, gjuhën, bujarinë dhe trimërinë. Gjatë historisë, Drenicën, sikur edhe vise të tjera shqiptare, e rrahën furtuna dhe stuhi të fuqishme nga të gjitha anët dhe nga të gjitha drejtimet. Drenica, ndërkaq, pat një rol të posaçëm në përthyerjet vendimtare të shqiptarëve në përgjithësi, sidomos në periudhën pas vitit 1912 – kur Kosova u pushtua nga okupatori serb.
Duke parë qëllimet gëlltitësh të regjimeve, në Drenicë u organizua rezistenca e popullit në mënyrë që t’u bëhej ballë rrëmeteve të mëdha që, në fakt synonin zhdukjen e shqiptarëve. Në të vërtetë popullata e Drenicës që moti motiv kishte mosnjohjen dhe mosrespektimin a administratës së pushtuesve. Në kohën e Turqisë, pushtuesi duke mos ia dalë të bindte popullin që tu nënshtrohej ligjeve, dh sidomos pagimit të tagrave, deshi s’deshi, u detyrua që nga shumë mjedise të hiqte dorë.
Në Kuvendin e Drenicës më 1903 – Ahmet Delia përshëndeti masën e tubuar prej 5000 vetash dhe tri ditë më vonë nën udhëheqjen e Ramë Lutanit ata marrin Vuçitërnën dhe nisen për të sulmuar Mitrovicën, në mënyrë që ta dëbonin konsullin rus nga Kosova.
Në çastet vendimtare të viteve 1910-1911, në kryengritjen e kosovarëve që u zhvillua në Carralevë kundër xhonturqve, kontributi i Drenicës ishte i madh. Një numër i drenicasve me Isa Boletinin në krye, i bënë rezistencë të gjatë të rreptë depërtimi turk në Kosovë, më drejt në Carralevë. Në këtë periudhë vendimtare deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912, u organizuan mënyra të shumta të rezistencës.
Si dihet, rezistencës më të madhe popullata e Drenicës e nisi pas largimit të osmanllinjve më 1912 kur, hyri Serbia e parë në Prekaz të Epërm, fillon rezistenca e Ahmet Delisë. Ky trim i Drenicës i kundërvihet me forcë ekspeditës ndëshkuese të një togu të xhandarmërisë, duke u thënë atyre “Kush ju ka thanë në Drenicë me hy”. Prej këtij momenti e deri më të përfunduar rezistenca e njohur e vitit 1945, nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, asnjëherë dhe për asnjë çast nuk do të pushojë. Në mes dy luftërave botërore në Drenicë, si askund tjetër qe e përhapur rezistenca për çlirimin kombëtar të Kosovës.
Lëvizja kaçake, në këtë periudhë do të marrë përmasat e gjera, sidomos pas formimit të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Kundër këtij regjimi do të organizohen kryengritje masive dhe do të luftohet në të gjitha territoret e Kosovës, veçanërisht në Drenicë, ku u thirr populli që të mos njihet ky regjim. Sunduesi injorohet, duke iu kundërvu edhe me luftë masive në të gjitha frontet edhe në të gjitha anët. Kësaj kryengritje të armatosur i printe kryetrimi i Drenicës- Azem Bejta me çetat e tjera që i udhëhiqnin Ahmet Delia, Fazli Berani, Bajram Tërnavci, Dan Doroci, Lutë Gllanasella e disa të tjerë.
Thirrjes së Azem Bejtës iu përgjigjën shumë luftëtarë. Çiçavica ishte mbushur me anëtarë të rinj ë Lëvizjes, që zhvillonin luftëra në territore të Drenicës, Mitrovicës, Vuçitërnës, Llapushës dhe në rajone të tjera të Kosovës. Kryengritësit shqiptarë me të gjitha forcat iu kundërvunë shpërnguljeve për në Turqi, kolonizimit të Kosovës dhe formave të tjera të dhunës që ushtronte regjimi serb i kohës. Lëvizja çlirimtare Kaçake, në vitet 20, kishte arritur t’i tubonte në Drenicë mbi 2000 shqiptarë, të cilët zhvillonin luftime të ashpra me ushtri dhe xhandarmëri. Në këtë kohë fton të rinjtë e Drenicës që të mos shkonin në ushtrinë serbe por t’iu bashkoheshin çetave çlirimtare. Azem Bejta gjithherë përsëriste fjalët e ideologut të çlirimit kombëtar të Kosovës – Hasan Prishtinës, se pa luftë nuk mund të ketë liri dhe identitet kombëtar.
Në këtë kohë, Drenica e Azem Bejtës dhe Shote Galicës dridhet nga të gjitha anët nga Lec Gradica, Zenel Baica, Iljaz Reçaku, Sadik Rama, Azem Gjaka, Kamber Loshi, Lutë Gllansella, Mehmet Delia, Fazli Berani, Bajram Tërnavci, Dan Doroci, Emin Lati e të tjerë. Për shkak të humbjeve të mëdha që u kishte shkaktuar Azem Bejta ushtrisë she xhandarmërisë, regjimi serb ndërmerr masa të rrepta kundër fshatarëve të Drenicës, duke i djegur disa fshatra dhe duke bërë terror mbi ta. Kështu në këtë periudhë digjet vendlindja e Mehmet Delisë trim shumë i njohur i Drenicës, Radisheva, Azem Bejta mbante lidhje të drejtpërdrejta me Hasan Prishtinën dhe respektonte sugjerimet e tij sa i përket çështjes shqiptare në Kosovë. Siç dihet Hasan Prishtina, përmes Lëvizjes Kaçake, kishte për qëllim internacionalizimin e Kosovës dhe të shqiptarëve.
Regjimi serb, duke qenë i pafuqishëm që me forcë ta zhdukë kryetrimin e Drenicës- Azem Bejtën, që me të të hyjë në marrëveshje për ndarjen e territorit të Drenicës. Në bisedime arrihet që Azem Bejta të formojë territorin e vet sovran. Në Drenicë, duke përfshirë në fillim komunën e Prekazit, e pastaj ky territor do të ngushtohet në tri fshatra: Galicë, Lubovec dhe Mikushnicë.
Republika e vogël e Azem Bejtës, e cila ishte pothuaj e para e llojit të vet në Ballkan, kishte administratë të vetën dhe ushtri (çeta) të veta, popullsia e këtij territori lirohet nga të gjitha detyrimet shtetërore dhe, së fundi sipas kësaj marrëveshje nuk do të kishte përzierje në punët e brendshme të njëritjetrit, do të thotë se as Azem Bejta nuk bënte të dilte jashtë territorit të vet, por as ushtria dhe xhandarmëria serbe të hynin në territorin e “Arbërisë së vogël”.
Në këtë kohë Azem Bejta ngriti kullën në Galicë. Kjo, shprehur në mënyrë metaforike, ishte një kështjellë, fortifikatë, dhe në të njëjtën kohë dhe kurorë e “Arbërisë së vogël”. Për lëvizjen kaçake kurorë mbi kurora ishte Çiçavica ku shumë luftëtarë gjenin strehim, dhe pikërisht prej këtij mali të shenjtë fillonin të gjitha aksionet kundër regjimit serb.
Se çfarë rezistence i bëri Lëvizja kaçake ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe, më së miri pasqyrohet në këngët popullore që këndohen edhe sot e kësaj dite, me ëndje nëpër tërë Drenicën e më gjerë.

Azem Bejtën domë me rrethue
me rrethue paj me asqeri
se s’po nxinet ai me xhanari...


Pra siç shihet edhe në këngë, kur regjimit serb nuk i bënte punë xhandarmëria, ai kundër lëvizjes kombëtare dërgonte dhe ushtrinë, duke përdorur kështu të gjitha forcat e mundshme ushtarake kundër këtij trimi.
Pushtuesi serb bënte presion dhe represalie kundër fshatarësisë së Drenicës, qofshin ato grupe, apo individë, të rebeluar të Lëvizjes. Në këngët e popullit jepen tablo të shumta lidhur me këtë çështje:

Kurrë tri net nuk janë shkue
xhanaria pa më rrethue
me dipçika më rrehnin mue
thoshin Lecin me kallëzue...


Luftëtarët e lirisë i shoqëronte kënga e kushtrimit. Këto këngë ktheheshin në forcë dhe moral, në dashuri ndaj atdheut dhe popullit. Edhe zhuganin e Shkupit e kapte tmerri kur dëgjonte për këto këngë dhe për trimërinë e Azem Bejtës dhe të Shote Galicës me çetat e tyre:

Ky zhumpani ban çudi,
si ky komb nuk kam pa me sy
që i binë asqerit përmbi
me shqiptarët nuk koka mahi...


Pas vrasjes së kryetrimit të Drenicës - Azem Bejtës nga ushtria serbe, kryetarët e çetave vunë në krye të Lëvizjes Mehmet Delinë dhe Shote Galicën, të cilët vazhduan luftën kundër xhandarmërisë dhe ushtrisë serbe nëpër Drenicë dhe në rajonet e tjera. Shumëherë në përleshjet frontale armiku u tërhoq i turpëruar para çetave të Lëvizjes Kombëtare.
Disa elemente të kësaj periudhe i dhamë për të parë vazhdimësinë e rezistencës që do të pasojë më 1945 tash nga një tribun tjetër, Shaban Polluzha, kundër partizan-çetnikëve, që pretendonin të zhduknin çdo gjë shqiptare.

1. SHABAN POLLUZHA MBRON JENI-PAZARIN

Në secilën kohë dhe në secilën periudhë shqiptarëve iu kanos rreziku i zhdukjes. U hartuan elaborate të shumta nga akademia dhe akademikë serbë. Janë të njohura elaboratet e kobshme të Vasa Çubrilloviqit dhe të Ivo Andriçit, si dhe të të tjerëve, më pak të njohur, për shfarosjen e shqiptarëve. Në këtë bazë rrënuese është punuar më herët dhe më vonë. Pra, u punua para dhe pas luftës. Në secilën kohë dhe në secilin regjim qëllimet ishin të njëjta. Më 1941, kur shkatërrohej shteti serbo-kroat-slloven, çetnikët vërsulen në drejtim të Kosovës për ta pushtuar atë dhe për të bërë masakra në popullsinë shqiptare, si në vitet 20. Qëllimi i fundit i tyre ishte që me anë të terrorit të futnin frikë në tërë masën, në mënyrë që ajo të mos merrte guxim të ngulte në trojet e veta shekullore. Dhe, kështu shqiptarët të shpërnguleshin në Turqi e në vende të tjera.
Lëvizja çetnike më 1941 provon të hyjë në fshatrat e Artakollit (Bivelak, Strofc, Mihaliq, Dërvar, Beçuk, Shipitullë, Sibovc, Kollë, Zhilivodë dhe Pestovë), duke zbarkuar me tren në fshatin Prelluzhë, por në saje të organizimit të fshatarëve të Artakollit dhe të Drenicës, çetnikët pësojnë katastrofë të vërtetë, duke u mbetur shumë të vrarë në urën e Gllavotinit dhe përgjatë dy brigjeve të lumit Sitnicë, që asokohe ishte tërësisht e vërshuar. Në këtë përleshje me çetnikët shquhet Mehmet Gradica dhe Sadri Klinaku i Bivolakut. Lufta, si tregojnë dëshmitarët, kishte zgjatur tërë ditën.
Herën tjetër, çetnikët mësyjnë të depërtojnë në disa rajone të Istogut të Drenicës Veriore, përkatësisht në fshatrat Suhogërllë, Banjë, Cerkolez, Uçë, Rakosh, Kotor, Radishevë dhe Runik. Populli, kur u gjet ngushtë, diti të organizohej dhe vullnetarisht (trimërisht) t`i kundërvihej çdo armiku. Çetnikët u ndoqën, dhe në përleshje që patën me shqiptarët, lanë shumë viktima në Kosovë. Në këtë konfrontim të rreptë, mbesin të vrarë edhe një numër shqiptarësh.
Meqenëse në Kosovë nuk arritën të realizonin apetitet e tyre, çetnikët kohë më vonë bënë strategjinë për shfarosjen e myslimanëve të Sanxhakut. Ata, si në Jeni-Pazar, Tutin, Senicë, Bihor e në lokalitete të tjera. Në këto vendbanime të tjera çetnikët vranë pa mëshirë fëmijë, gra e pleq, duke i lënë shumë fshatra të shkretëruara.
Plaçkitnin pasurinë dhe bëjnë dhunë mbi njerëz, duke lënë pas një imazh tejet të dhimbshëm. Në rrethana të tilla, popullsia e Sanxhakut kërkoi ndihmë. Natyrisht, këtë do ta gjejnë në Kosovë- te ky popull që në periudha shekullore tregoi njerëzi dhe humanitet të madh.
Në Kosovë mësyjnë kolona të panumërta refugjatësh myslimanë për të shpëtuar jetën e fëmijëve dhe jetën e vet. Ata u pritën mirë kudo në viset shqiptare dhe me ta u nda përgjysmë buka dhe veshmbathja.
* * *
Për të shpëtuar Sanxhakun nga çetnikët, për në Jeni-Pazar nisen shumë grupe shqiptarësh nga Drenica, Artakolli, Vushtrria, Shala dhe rajone të tjera të Kosovës. Këtë luftë e udhëheq kryetrimi i Drenicës Shaban Polluzha.
Në Duga Pollanë afër Jeni-Pazarit njësive dhe forcave shqiptare u flet Shaban Polluzha:
“Vëllezër, jemi tubuar për të kryer një mision të shpejtë, për t`i mbrojtur familjet e rrezikuara nga bishat e egra çetnike, që po bëjnë terror të rëndë mbi popullatën e pafajshme të Sanxhakut. Prandaj, nuk duhet kursyer as jeta, por duhet luftuar me nder si i ka hije një populli të vjetër që diti të luftojë sa herë u gjend në rrezik dhe i pambrojtur. Pra, t`i mbrojmë fëmijët dhe gratë, në emër të njerëzisë.”
Me të përfunduar këto fjalë, Shaban Polluzha u përkrah nga të gjithë ata që kishin ardhur për t’u flijuar në emër të humanitetit.
Në bazë të kujtimeve të dëshmitarëve të kësaj ngjarje- në Duga Polanë, në mënyrën zakonore fetare, këtyre luftëtarëve iu drejtua prijësi fetar nga Drenica mulla Ilaz Broja, i cili tha se misioni juaj është njerëzor dhe dikush mund të bjerë edhe viktimë, prandaj përshëndetuni njëri me tjetrin. “Ju qoftë rruga e mbarë e ngadhënjimtare!”- i kujton fjalët e babait të tij (Mulla Ilazit), Brahim Spahiu.
Gjatë qëndrimit në frontin e Pazarit, Shaban Polluzha arriti autoritet te luftëtarët dhe te popullsia vendase, në saje përpjekjeve mbinjerëzore që bëri ai për t`i përzënë çetnikët nga ato troje. Luftëtarët e Kosovës në frontin e Jeni-Pazarit treguan trimëri dhe dinjitet.
Duke ëndërruar gjithherë terrorin në Kosovë, çetnikët tash për të tretën herë nga Kollashini i Ibrit organizojnë depërtimin e tyre në trojet shqiptare, njëherë në Drenicë, e pastaj edhe në viset e tjera të Kosovës. Në fund të vitit 1943 dhe në fillim të vitit 1944, zhvillohen luftime të ashpra dhe sërish shqiptarët i detyrojnë çetnikët (të tretën herë) të tërhiqen. Në këtë përleshje pati viktima pati nga të dy palët.

2. KOSOVA HYN NË DIMRIN E MADH

Rrethanat politiko-shoqërore në Kosovë nga fundi i vitit 1944 dhe në fillim të 1945-ës, ishin mjaft të disfavorshme për Kosovën dhe shqiptarët. Çlirimi nga okupatori gjerman për shqiptarët nuk solli asgjë të re, në të vërtetë vijnë ditë shumë më të zeza. Kështu fillon spastrimi i njerëzve, i atyre që kinse kishin qenë në pushtet gjatë periudhës së kaluar dhe i atyre që ishin në shënjestër të pushtetit komunist, por ajo nuk ishte e vërtetë, në fakt fillon likuidimi masiv i shqiptarëve në përgjithësi në të gjitha rajonet e Kosovës.
Brigadat e Shqipërisë, që kishin marrë pjesë në ndjekjen e okupatorit gjerman, tani do të dërgohen në frontin e Sanxhakut, kurse të mobilizuarit e Kosovës do t`i çojnë në frontet e tjera nëpër gjithë Jugosllavinë, e në anën tjetër në Kosovë do të vijnë brigadat serbo-malazeze e maqedonase. Me të ardhur, këto brigada do të fillojnë terrorin në Kosovë, që nuk do të ndalet për një kohë të gjatë.
Si nisi kjo katarzë? Në komandat porsaformuar thirren njerëzit, kinse për biseda me përfaqësuesit e pushtetit dhe menjëherë futen në brigje, të cilat ishin adaptuar për këtë qëllim. Këto nuk ishin vetëm burgje, por në të njëjtën kohë edhe kasaphana. Kësisoj në Drenicë, në pjesën e parë të janarit të vitit 1945 thirren një numër i caktuar njerëzish(paria e Drenicës) dhe futen në burgjet Sërbicës e të Gllogofcit për t’u likuiduar vetëm pak ditë më vonë.
Në një situatë të tillë në Kosovë ishte krijuar pasiguri e madhe, sidomos në Drenicë dhe në rajonet e Gjilanit, të Ferizajit, të Mitrovicës e të Vushtrrisë.
Shqiptarët në këto çaste të vështira u gjenden në një udhëkryq të madh: të shkonin në fronte nëpër Jugosllavi, do të likuidoheshin, të mbeteshin në Kosovë do të ndiqeshin me dhunë për t’i quar atje ku i kishin planifikuar. Pra, fati kolektiv i tyre ishte i rrezikuar. Për t’u realizuar qëllimet serbo-çetnike, në Kosovë do të shpallej administrimi ushtarak dhe tani këtu do të koncentrohen forca të mëdha ushtarake, të cilat do të bëjnë terror të pashembullt mbi popullin e pafajshëm shqiptarë. Të gjitha këto ishin përgatitur mirë. Tash vetëm veprohej në realizimin e asaj që ishte përgatitur.
Viti 1945 do të jetë viti më i përgjakshëm në historinë e Kosovës: vrasje, burgosje, ndjekje, tortura, reprezalje dhe likuidime pa gjurme e shenjë. Në këtë vit të përgjakshëm u pushkatuan mijëra veta. Mbi 30 mijë u vendosën në burgje e kampe. Po kaq shqiptarë morën botën në sy (shkuan në Turqi), shumë të tjerë gjatë luftës vriten jashtë Kosovës. Të gjitha këto bëhen me qëllim që Serbia të bëjë edhe aneksimin e Kosovës (në Kuvendin e Prizrenit, më 8-10 korrik 1945).
Në emër se kinse një mobilizimi, në Tivar vriten mbi 4 mijë shqiptarë. Në anën tjetër, në Kosovë ndërmerren aksione ndëshkuese policore dhe ushtarake për vrasjen edhe shumë të tjerëve, që në një mënyrë a në një tjetër nuk u pajtuan me politikën terroriste të ushtrisë jugosllave. Në mbështetje kinse të ligjit të pushtetit popullor, nxirren njerëzit nga burgjet dhe pushkatohen. Fëmijët dhe të afërmit mbeten nën kontrollin rigoroz të UDB-së dhe nuk u lejohet shkollimi dhe hyrja në punë.
Shtrohet pyetja: në se i bënë këto masakra vetëm brigadat serbe e malazeze, apo edhe ato shqiptare? Përgjigjja është e ditur: masakra bënë të parët, por në raste të caktuara edhe të dytët. Prej të parëve është pritur, se masakra kanë bërë vazhdimisht mbi shqiptarët, ndërkaq të dytët këtë e bënë se u mashtruan pas ideologjisë komuniste. Për të qenë edhe më keq, brigadat e Shqipërisë, jo që nuk përkrahën revoltën e armatosur të kosovarëve me në krye tribunin Shaban Polluzha kundër terrorit shovinist serb, por këtë tragjedi të kosovarëve e vështruan së largu, e herëpashere edhe së afërmi, madje aty këtu ishin edhe të pranishëm (në Drenicë e Artakoll).
Nuk është absurd të vrasësh njeriun, por të kërkosh prej dikujt që të rrijë gatitu e ta vrasësh, ky është absurd mbi absurdet. Kështu kërkoi ushtria jugosllave në Kosovë, t`i vrasë shqiptarët duke ndenjur gatitu. Në këtë prizmë u vështrua lufta e Drenicës, do të thotë u cilësua kryengritje, sepse ata nuk i ndenjën gatitu ushtrisë dhe UDB-së jugosllave që t`i vrisnin!
Thuhet se historia shkruhet nga i forti, dhe kjo është e vërtetë. Në të gjitha librat e shkruar , në artikuj e publikime, rezistenca e Drenicës është trajtuar tragjikisht njëanshëm. Pra, kjo qe tragjedia e dytë e shqiptarëve të Kosovës, veç vrasjeve masive të vitit 1945.
Janar-shkurt i vitit 1945. Luftës së Dytë Botërore i afrohej fundi. Bënte dimër i madh, që nuk mbahej në mend në atë dhjetëvjetësh të fundit. Jeta përgjithësisht zhvillohej me mund e përpjekje të mëdha. Njerëzit ishin lodhur nga Lufta dhe dimri. Pranvera ende ishte larg.
Këto ditë të këtij dimri, Drenica i jetonte në frikë dhe pasiguri të madhe. Mortaja ushtarake shëtisnin si hije e zezë nëpër shtëpitë shqiptare. Shume divizione e brigada partizano-çetnike bllokojnë fshatra të tërë. Forca të mëdha u koncentruan në rajonin e Gllogofcit të Serbicës, të cilat zhvillonin luftime në Brigadën e Shaban Polluzhës, që iu kundërvu territorit mbi popullatën e pafajshme shqiptare. Masakra sidomos u bënë në Tërstenik. Polac, Likofc, Ticë, Bezheniq, Gllogofc, Sërbicë, Prekaz, Kozhicë, Krajmirofc dhe në fshatra të tjera të këtij rajoni. Disa Brigada në mesin e të cilave kishte dhe çetnikë, dogjën she shkretëruan katunde të tëra. Terrorin së pari e filloi OZNA dhe Brigada e parë e Kosovë-Metohisë me Zyfer Musiqin, në krye, pastaj ajo e Petar Brajeviqit (KNOJ-it) dhe Brigada e Bokës, e njohur me emrin famëkeq ‘’Bokeshka brigada’’ si dhe brigada IV dhe V e Kosmetit. Në këto masakra u inkuadruan edhe brigadat serbe e maqedonase.
Përveç masakrave që bënë këto brigada, gjatë Luftës së Drenicës, dogjën dhe plaçkitën afro 500 shtëpi, grabitën ushqime dhe pasuri të fshatarëve, morën me qindra bagëti dhe së fundi morën edhe shtrojën e mbulojën e fshatarëve, duke i lënë barkthatë e në mjerim të thellë. Këto brigada barbare të udhëhequra nga serb e malazez, e të shtyra nga urrejtja e thellë kundërshqiptare, vranë pa mëshirë fëmijë, gra e pleq, duke lënë prapa një imazh tejet tragjik e shfarosës.
Më 8 shkurt, Shtabi Suprem i UNÇJ-së, Kosovën e shpalli zonë të administrimit ushtarak, sado që edhe para kësaj date gjendja nuk ishte më e mirë. Pra, ai koncepti i shfarosjes së shqiptarëve që ishte bërë më parë, tani do të realizohej me lehtë dhe në mënyrë të legalizuar. Me dëbimin e okupatorit gjerman, shumë brigada shumë brigada shqiptare që kishin marrë pjesë në këto operacione, dërgohen për në viset e tjera të vendit, posaçërisht për në frontin e Sremit (ato kosovare) dhe në Sanxhak ato të Shqipërisë. Për një rrugë të tillë të gjatë përgatitej edhe Brigada e Shaban Polluzhës, e cila kishte bërë mobilizimin e luftëtarëve të Drenicës. Më vonë kësaj brigade do ti bashkohen edhe shume njerëz të anës së Vushtrrisë e të Llapit. Parandihej se shkuarja e shqiptarëve për këto vende bëhej me prapavijë të errët, përkatësisht me qëllim të likuidimit të tyre në një anë, dhe në anë tjetër, për të bërë pastaj terror mbi popullatën e pambrojtur shqiptare nëpër fshatra e qytete të Kosovës. Kjo hetohet në Mitrovicë, kur bëhen përpjekje për shpartallimin e këtyre mobilizuarve shqiptarë, duke u munduar që t’i shpërndajnë nëpër brigada të tjera. Mirëpo, një regji e tillë dështon.

3. PËRGATITJA E ATENTATIT KUNDËR SHABAN POLLUZHËS

Në fund të vitit 1944 dhe në fillim të 1945-ës, në Sërbicë e Gllogofc formohen komandat e vendit dhe në to vendosen njerëzit që mendohej se mund të jepnin kontribut në konsolidimin e pushtetit të ri komunist. Në komandën e vendit, të Serbicës, asokohe vendosen Riza Voca, Vllado Kërstiq dhe Hysen Thaqi. Nëpër qendra të mëdha fshatare formohen edhe komunat. Në Polac kryetar i komunë emërohet Mulla Brahimi e kështu emërohen edhe kryetarët në qendrat tjera. Në këtë kohë, Shaban Polluzha me brigadën e vet të porsaformuar kishte shkuar në Sërbicë me qëllim që t’u bënte me dije autoriteteve në pushtet se duhej të kishin kujdes për sjelljet e tyre me fshatarët e Drenicës. Posa arrin këtë qendër, Shaban Polluzha hyn në komandë dhe takohet me udhëheqjen e sajë. Menjëherë pas Shabanit hyn Mulla Brahimi i Polacit dhe i drejtohet Riza Vocës me këto fjalë ”Qysh bën, unë si kryetar të mos di për arrestimin e njerëzve të mi, për burgosjen e Osman Xanit dhe të dy bashkëfshatarëve të tij”? Në skenë del Vllado Kërstiq, i cili imanit të Polacit i thotë se nëse i kanë duart e përlyera me gjak, do të marrin edhe të tjerë dhe nuk do ti kthejnë më e nëse jo, atëherë do t`i lirojmë. Ndërkohë që foli Kërstiqi, Shaban Polluzha kishte dalë jashtë zyrës dhe në momentin kur u kthye i dëgjoi vetëm fjalët e fundit “duart me gjak” dhe menjëherë reagoi duke pyetur atë se kush kërkon këtu gjak me nervozizëm i thotë atij se kush ishte. Ç’është e vërteta, Shabani nuk e njihte fare Vlladen dhe gjatë bisedës me të, nuk mund të hetohej se nuk ishte shqiptar ngase fliste mjaft mirë shqip. Ky i thotë se quhej Vllado Kërstiq dhe me të hetuar se ky ishte malazez, i drejtohet: ”ti po kërkon gjak apo jo”?. Vllado mbeti i hutuar dhe papritur Shaban Polluzha nxjerr revolen për ta vrarë, por urgjentisht reagojnë Riza Voca, Hysen Thaqi, Iljaz Cini, Imani i Polacit dhe unë, tregon Shaban Aruçi i Rezallës që ishte korrier në komandën e vendit. Vllado Kërstiqi, nga frika hyri nën tavolinë, ndërkaq që e kapëm Shaban Polluzhën për ta qetësuar dhe mezi e bindëm të dilte jashtë. Më kujtohet, thotë Shaban Aruçi, kur theksoi këto fjalë: ”Nuk do të lejoj që gjithfarë bythëpalari të sundojë në Drenicë”. Mori brigadën dhe u nis, si më duket, në drejtim të Mitrovicës.
-Sipas disa njoftimeve që kisha si korrier në këtë qendër, - tregon Shabani, - në Mitrovicë përgatitej atentat kundër Shaban Polluzhës. Menjëherë Vllado Kërstiqi bën me dije autoritetet e Mitrovicës për vërsuljen që i kishte bërë Shabani.
Duhet theksuar se gjatë asaj periudhe Shaban Polluzha gjithherë është ruajtur dhe përcjellë mirë nga njerëzit e brigadës së vet dhe mu për këtë, si thotë Shaban Aruçi, nuk ka mundur të realizohet atentati i përgatitur në Mitrovicë.
Ky fakt është bindës, sepse Shaban Polluzha, posa kuptoi qëllimin e tyre, filloi të ngrite zërin për t’iu kundërvënë më vonë edhe me luftë të organizuar.

LUMI NË GJAK

Përderisa Shaban Polluzha bënte përgatitjet e fundit për t’u nisur në frontin e Sremit, në Sërbicë e Gllogofc, fillon ekzekutimi i fshatarëve të Drenicës nga OZN-ja famëkeqe. Në Sërbicë Vllado Kërstiqi me disa të tjerë inaugurojnë kasaphanën më të tmerrshme, kurse në Gllogofc Zyfer Musiqi , komandant i Brigadës së parë të Kosovës e Metohisë, mbyt njerëz me thikë e çekiç. Në këto dy qendra, fshatarët merren me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe sillen në shtabe, ngujohen në bodrume dhe, pas maltretimeve që ua bëjnë, Mbyten me kazmë; disa të tjerë, pasi i sakatojnë me thikë, i qesin dhe i pushkatojnë në anën e kundërt të ndërtesës së shtabit dhe pastaj kufomat e tyre, të gjymtuara, të prera në qafë e trup, i qesin përgjatë lumit të Serbicës-(Skënderaj). Ca prej tyre i çojnë në burgun e Mitrovicës dhe më vonë i pushkatojnë. Brenda një nate, si thonë Tafë Geci, Muhamet Spahiu e Sadri Geci nga Llausha, ekzekutohen mbi 30 veta.
Duke kaluar një brigadë partizane nëpër fshatin Gradicë dhe duke bastisur nëpër shtëpi, arrijnë në odën e Bahtiar Bajramit, ku qëllojnë mysafirë Durmish Qirezi, nga Qirezi me një kusheri të vetin, dhe Maliq Ikolli; që të katër i marrin dhe i dërgojnë në Sërbicë-(Skënderaj). Edhe ata mbyten dhe masakrohen si të tjerët dhe natën qiten në lumë. Kur kemi shkuar t’i marrim kufomat,-thotë Bajram Muja nga Gradica,- i gjetëm të katërtit me një pus. Dyve prej tyre ua kishin prerë hundën dhe u kishin nxjerrë sytë, ndërsa tjetrin e kishin prerë në qafë dhe të katërtin në bark. “ishte lemeri e vërtetë, sot kur më kujtohen ato kufoma nuk mund të vi në vete në ditë të tëra” - kujton këtë kataklizëm Bajram Muja. Siç deklarojnë dëshmitarët e gjallë të kësaj ngjarjeje, në mbytjen e këtyre 30 fshatarëve të Drenicës në Sërbicë-(Skënderaj) kanë pasur dorë edhe Ali Shukrija , atëherë prokuror publik dhe Rasim Çerkezi nga Mitrovica. Masakrës nuk i shpëtuan as disa fshatarë të Llapit dhe të anëve të tjera, të cilët ato ditë të kobshme u gjendën në Serbisë dhe në disa fshatra të rajonit të Drenicës për strehim.
Të nesërmen qytetarët shohin se uji i lumit të kësaj qyteze po rridhte gjak. Kjo bëri që të niseshin drejt rrjedhës për të parë se ç’kishte ngjarë, dhe kështu ata hasën në masakrën që kishte bërë OZNA gjatë natës. Menjëherë bëhet me dije Shaban Polluzha dhe po atë ditë ai me njerëzit e vet vjen në Sërbicë (Skënderaj) dhe aty organizohet një miting proteste, ku ftohet edhe Fadil Hoxha.


Kolaboracionisti - Fadil Hoxha

5. “BESA” E FADIL HOXHËS

Para mbajtjes së protestës në Sërbicë (Skënderaj), pikërisht në shtëpinë e Dushan Drashkoviqit, zhvillohen bisedime midis Fadil Hoxhës dhe Milladin Popoviqit në njërën anë, dhe Shaban Polluzhës në anën tjetër. Me Shaban Polluzhën ishte edhe bashkëpunëtori i tij, Hamzë Istogu nga Polluzha. Bisedimet, si thotë Hamzë Istogu, u mbajtën në një atmosferë tejet të tendosur dhe me mjaft nervozizëm.
Shaban Polluzha në fillim i thotë Fadilit: - Apo e sheh se çka keni bërë? Si mund të veprohet kështu ndaj njerëzve të pafajshëm? Ti popullin e paç në qafë!-duart tona na i lidhe me besë, shoku Fadil.
Fadil Hoxha: Qysh po flet në këtë mënyrë Shaban? Është e vërtetë se janë përzier çetnikët e gjithçka tjetër. Duhet durim.
Miladin Popoviqi: Mixha Shaban, disa njerëz të brigadës sate i kanë duart e përlyera me gjak dhe është mirë t`i dorëzosh.
Shaban Polluzha: Nuk e dorëzoj brigadën për jetë të jetëve, përderisa të mos i dorëzoni të gjithë çetnikët që po presin e grijnë shqiptarë.
Fadil Hoxha: Edhe njëherë, dëgjomë mixha Shaban, se më nuk do të ketë as vrasje as masakra.
Shaban Polluzha: Qysh të shkohet e të lihen në këtë gjendje vëllezërit? Shiko Fadil Hoxha, edhe kësaj radhe po të besoj, por mbaje mend se edhe një shqiptar vritet, do të nis luftën menjëherë.
Këto ishin fjalët e fundit të bisedës- thotë Hamzë Istogu. Pastaj dolëm para brigadës në qytet, e cila priste epilogun e bisedimeve.
Në këtë tubim sërish Shaban Polluzha para Fadil Hoxhës ngriti zërin e protestës kundër masakrës që ishte bërë një ditë më parë dhe i thotë se si ka mundur të ndodhë që pa kurrfarë gjyqi e ligji të masakrohen njerëzit? Kështu nuk kanë bërë as neofashistët. Ju e dini këtë. Në këtë tubim Shaban Polluzha i thotë edhe këto fjalë: ”Kështu mendoni të zhvilloni luftën kundër okupatorit dhe ta farkoni bashkim-vëllazërimin?” E pyet pastaj edhe për Qamil Hoxhën, i cili si aktivist nga Gjakova kishte ardhur në Skënderaj, e për të cilin nuk dihej nëse ishte likuiduar atë natë apo jo. Në atë tubim Shaban Polluzha urdhëron që para syve të Fadilit të sillen kufomat ndaj të cilëve ishte bërë gjithë ai terror i pashembullt. Në atë rast Fadil Hoxha thekson se kjo që ka ndodhur është e tmerrshme, por garantoj se kjo më nuk do të ngjajë.
Në Skënderaj, atë natë, më 8 janar 1945 u likuiduan:

Halil Bajraktari (Llaushë)
Rexhep Vojvoda (Llaushë)
Isuf Geci (Llaushë)
Abdyl Xani (Polac) Sadik Zeneli (Obri)
Avdi Klina (Klinë)
Tush Selmani (Izbicë)
Halil Tërrnavci (Tërrnafc)
Durmish Qirezi(Qirez) me të gjithë një kusheri
Maliq Ikolli(Qirez)
Bahtir Bajrami (Qirez)
Bahtir Bajrami (Gradicë)
Xhelatin Xani (Polac)
Ramë Kabashi
Nuhi Sushica
Qamil Hoxha (Gjakovë)
Dy të Rezallës (babë e bir)
Më vonë likuidohen Jusuf Gradica, Bajram Bajraktari, e disa të tjerë. Imami i Polacit, Brahim Hoti nga burgu i Skenderajt dërgohet në Mitrovicë, ku vdes nga torturat që i bëjnë.
Se çka ndodhi në ato ditë dimri të vitit 1945 në burgun e Skenderajt, më së miri shihet në kujtimet e Brahim Spahiut të Brojës, i cili përjetoi këtë tmerr:
“Burgu i Skenderajt në fillim të janarit të këtij viti të përgjakshëm, ishte i mbushur përplot me njerëz nga të gjitha anët e Drenicës.
Prej këtij burgu për çdo natë nxirreshin nga disa të burgosur, kinse për t’u marrë në pyetje E në realitet likuidoheshin. Unë dhe Hysen Lutani ishim arrestuar me pretekst se prindërit nuk ishin pajtuar me pushtetin e ri që po formohej. Nuk më kujtohet data e saktë, por mendohej se ishte 8 ose 10 janari, kur njësia partizane me Shaban Polluzhën në krye vjen në Sërbicë për t’u konsultuar se kur duhej të niseshin për frontin e Sremit.
Njësia e Shaban Polluzhës bën një lëvizje të tërësishme nëpër qendrën e Serbicës dhe me ndihmën e qytetarëve në stom të lumit zbulojnë një gropë të madhe të mbushur përplot me kufoma njerëzish, të cilët ishin masakruar-vepër e ashtuquajturve njësi çlirimtare partizane. Për këtë vepër të ndyrë luftëtarët e Shaban Polluzhës e informojnë atë në shtab, ku ishte me krerët komunistë. Ky lajm e tronditi shumë Shaban Polluzhën, i cili protestoi ashpër ndaj këtij tmerri dhe urdhëroi që të lirohen të gjithë të burgosurit e ngujuar (ata që kishin mbetur). Ashtu si urdhëroi, edhe u veprua.
Më kujtohet kur erdhi një oficer i OZN-ës dhe çeli derën e burgut, ku ishim të ngujuar mbi 50 vet. Pas daljes nga burgu bëra disa hapa dhe papritmas pash një turmë njerëzish që po lëshonin zëra të tmerrshëm. U drejtova nga ajo turmë për të parë se çka po ndodhte.
Aty pashë disa kufoma njerëzish që i njihja. Ndër ta ishte i ndjeri Tush Selmani- Izbica i masakruar tërësisht. Kishte të prerë hundën, veshët dhe pjesët gjenitale; Halil Bajraktari nga Llausha, po ashtu i masakruar në të njëjtën mënyrë. Ndër ta ishte edhe njëfarë Nuha nga fshati Sushicë i Istogut. Në këtë gropë e përgjatë lumit u gjetën rreth 30 njerëz të masakruar. Në këtë burg u masakrua edhe djaloshi Abdyl Xani i Polacit nxënës i Liceut të Prishtinës.


6. GJIMNAZISTI I MASAKRUAR

Abdyl Xani, nxënës i Gjimnazit të Prishtinës, ishte nisur nga vendlindja (Polac) me vullnet të madh për të kryer liceun dhe për të përhapur dijen në fshatrat e Drenicës. Familja e tij do të ndajë nga kafshata e gojës për ta shkolluar të birin, i cili me perspektivë shikonte jetën e tij djaloshare. Ishte nxënës i zellshëm dhe i respektuar nga kolegët e tij. Kishte dëshirë të mësojë për të gjitha çështjet, por mbi të gjitha i interesonte historia kombëtare. Siç rrëfejnë ata që e njohën këtë djalosh të Polacit, gjithherë fliste për çështjen kombëtare. E adhuronte bashkëvendësin e tij, që njëherësh e ishte edhe idhull, Hasan Prishtinën. Kur vinte gjatë fundjavës në fshatin e tij, rrallëkush e shihte pa libër në dorë, fliste me pietet për të gjitha figurat kombëtare. Kishte siguruar libra dhe literaturë nga Shqipëria, dhe ato i mbante në çantë, edhe pse nuk ishin të parapara me programin mësimor.
Vjen dimri i vitit 1945. Kosovën e përfshinë valë e re territori. Në Drenicë burgosen dhe likuidohen njerëzit e pafajshëm . një ditë e kobshme OZN-ja vjen në Polac për ta bastisur shtëpinë e Abdyl Xanit. Abdyli merret nga OZN-ja dhe dërgohet në burgun e Serbicës. Ngujohet si gjithë të tjerët. Një natë, me gjasë më 7 janar, të atij dimri të madh, masakrohet me thikë dhe qitet në një gropë lumi, ki ishin qitur edhe shumë të tjerë. Siç deklarojnë njerëzit e kohës, për këtë masakër janë fajtorë Ali Shukrija dhe udhëheqës të tjerë të Kosovës.
Pas betimit të Fadil Hoxhës se më pak nuk do të ngjajnë tragjedi të tilla, Shaban Polluzha me brigadën e vet niset për në frontin e Sremit. Tafë Geci, thotë se at natë kishin bujtur në Polac dhe në fshatrat afër Serbicës për të marrë rrugë pastaj t nesërmen në drejtim të Podujevës.
-Gjatë udhëtimit, një natë kalojnë në Novosellë të Magjunit. Këtu arrijnë lajme se nga burgjet e Prishtinës, të Mitrovicës e Vushtrrisë pop nxirren njerëzit e po pushkatohet-shtoi ai.
Bindja se duhet shkuar për në frontin e Sremit tashmë ishte zbehur edhe më shumë, saqë çdo hap i mëtejmë pothuajse ishte formal.
Ende pa arritur Shaban Polluzha me luftëtarët e vet në Podujevë, ndërkohë partizano-çetnikët fillojnë masakrat e reja mbi fshatrat e Drenicës. Duke shkuar për të bluar në Llaushë, Xheladin Xani e Ramë Kabashi nga Polaci, masakrohen, dhe më përtej po atë ditë vriten babë e bir nga Rezalla për t’u hedhur pastaj në rrugë.
Lajmi për këto masakra, Shaban Polluzhës i arrin në Podujevë. Ndalen në këtë pjesë të Llapit për të biseduar se a duhet vazhduar rruga më tej (në rrethana të tilla) apo jo?
Sipas raportit të komandantit të administrimit ushtarak, Sava Dërletiqit, Shaban Polluzha në Podujevë kishte mbi 5.000 njerëz.
-Në tubimin që u organizua, i pari ngrihet Miftar Bajraktari nga Llausha-thotë Tafë Geci, i cili insistoi që menjëherë të kthehet brigada dhe të mbrojë popullsisë shqiptare nga masakrat çetnike e partizane. Pasi folën edhe disa të tjerë, po edhe Shaban Polluzha, konstatohet: “Nëse vazhdojmë rrugën për në frontin e Sremit do të do të likuidohemi pa arritur atje, kurse, në anën tjerët në Kosovë pa kurrfarë pengesash do të bëjnë terror të tjerët mbi gratë dhe fëmijët tanë”.
Në Podujevë priste Shaban Haxhia (major nga Shqipëria) me Brigadën e Shtatë Kosovare, komisar Qamil Brovina, Ramadan Haxhia, kapiten të e të tjerë. Vijnë te ne për të na bindur që të nisemi (edhe ne) për në frontin e Sremit. I pari prej tyre del në skenë Shaban Haxhia, i cili thekson se brigada e Shaban Polluzhës duhet t’i bashkohet Brigadës së Shtatë Kosovare në bazë të urdhrit të shtabit operativ, që udhëhiqte Fadil Hoxha dh menjëherë të nisemi për në frontin e Sremit. Në këtë tubim folën edhe Qamil Brovina dhe Ramadan Hoxha. Edhe këta përsëritën këto konstatime – thotë komandant Ramadan Rexha, komisar politik i një batalioni të Shaban Polluzhës. Në tribunë sërish dalin njerëzit e brigadës së Drenicës dh e i kundërshtojnë qëllimet e tyre, duke thënë se vendin tonë e kemi çliruar dhe se nuk duam t'i lëmë eshtrat në vende të huaja. Në atë tubim, si thotë më tutje Ramadan Rexha, asistonin katër oficerë me uniformë të OZN-ës dhe me të dëgjuar zërin e njërit nga masa: “Përse të shkojmë në Serbi kur dihet se çka mund të ndodhë me familjet tona”? - menjëherë vërsuleshin drejt tij. Në atë çast i kapën armët për të bërë rezistencë, atëherë shpejt e shpejt doli në tribunë Shaban Polluzha, i cili tha: “Ngadalë mos u ngutni”. Këto fjalë i përsëriti dy tri herë. Kur panë se çfarë situate e nderë do të krijohej, oficerët me uniformë të OZN-ës humbën sa hap e mbyll sytë. Pastaj, prapë paraqitet Ramadan Hoxha i Sedllarit. Me të dëgjuar fjalët e këtij udhëheqësi të Brigadës së Shtatë Kosovare – Shaban Polluzha i drejtohet Shaban Haxhisë: “Nuk mund të ofendojë askush e as ky që foli tash, njerëzit e mi. Ne nuk do të nisemi andej çka thotë dikush – do të vendosim ashtu siç mendojmë ne, e dihet mirëfilli si kemi vendosur”! Këtu merret qëndrimi që të kthehet dhe t’u kundërvihet të gjithë atyre që bëjnë masakrime të popullatës së pafajshme. Pikërisht në këtë kohë, kur u mor qëndrimi për t’u kthyer, vjen një njeri dhe thotë se Shaban Polluzhën po e thërret Fadil Hoxha në telefon. Meqë ishte bukur larg zyra ku thërriste, - thekson Hamzë Istogu, e shoqërova Shabanin. Fadili e pyeti e si i kishte hallet. Ndërkaq, ky iu përgjigj kurrqysh. Për frontin e Sremit – thotë Shaban Polluzha – nuk do të shkojmë, ngase nuk e mbajte fjalën. Njerëzit edhe më tej po vriten për çdo ditë e madje edhe nëpër rrugë.
Prandaj, ata të cilët e bindën Shaban Polluzhën që të nisej me brigadën për në Srem, mu ata duke i kthyer nga Podujeva për në Drenicë, me të kaluar grykën e Llapit, ndezën topat kundër, tij. Dhe në fakt, prej këtij momenti fillon likuidimi masiv i njerëzve në Drenicë. Në të kthyer, ata bujtën në fshatrat e Llapit. Të nesërmen në mëngjes, arrin letra e Fadil Hoxhës. Letrën, më kujtohet,- thotë Hamzë Istogu, e lexoi Sadik Tafarshiku. Në letër shkruante: Ju nuk keni dashur ta zbatoni urdhrin e Shtabit operativ dhe mu për këtë prej këtij çasti jeni të rrethuar nga të gjithat anët. Në fund të letrës shkruante se nuk kini nga t’ia mbani.
Përhapnin parullën se do të hyjnë në Prishtinë, me qëllim që t'i shmangeshim që t'i shmangen kurthit të përgatitur. Së këndejmi, kur dolën në Lluzhan, kthehen në drejtim të Barilevës dhe për të vazhduar rrugën për në Drenicë. Atëherë në Kosovë dërgohet brigada e parë e Kosovë e Metohisë, batalionet e së cilës shpërndahen në disa territoret Drenicës, me seli në Sërbicë. Mirëpo, forca nuk arritën t’i kundërviheshin brigadës së Shaban Polluzhës, e cila depërtoi në Drenicë. Në front kundër kësaj brigade dërgohen forca të mëdha ushtarake nga Serbia e Mali i Zi, e më vonë inkuadrohet edhe brigada e Shqipërisë e cila kthehet nga Sanxhaku. Luftimet marrin përmasa të mëdha aty nga 20 janari.

7. BABAI PËR DJALIN

Sërbica dhe Gllogoci, dy qendra të Drenicës, në pjesën e parë të janarit të vitit 1945, ishin bërë kasaphane të vërteta. OZN-ja për çdo ditë merrte fshatarë të pafajshëm nëpër shtëpi, nëpër rrugë dhe kudo që i gjente, për t’i ekzekutuar pastaj dhe mënyrat më të egra. Këtë punë e kryente vetëm OZN-ja, por edhe shumë brigada partizane, sidomos ato serbe e malazeze. Një ditë janari, duke kaluar një brigadë malazeze nëpër Likoshan, merr djalin e ri të Rexhep Gjelit dhe e nisin për në Sërbicë ku do të ekzekutohej si gjithë të tjerët. Në të hyrë të Serbicës Rexhep Gjeli sheh se si një djalosh e kishin vendosur përpara dhe të lidhur me 6-7 partizanë. Kur afrohet edhe pak, sheh se ai është djali i tij. Në atë çast tejet dramatik. Siç thekson Selim Abdyli nga Dobrosheci, Rexhepi bllokon dy ushtarë me armë dhe në mënyrë ultimative urdhëron ta lirojnë djalin e tij, i cili vetëm disa hapa duhej bërë për të hyrë në ndërtesën famëkeqe, ku masakroheshin fshatarët e Drenicës.
- Si fëmijë kish ndalur atë ditë në Sërbicë, - tregon Ismet Spahiu nga Llausha, dhe në skaj të qytezës pashë përpëlitjet e Rexhep Gjelit, duke shpëtuar të birin, i cili nuk kishte më shumë se pesëmbëdhjetë vjet. Pasi liron djalin, Rexhepi merr rrugën në drejtim të kundërt të qytezës, ndërsa “partizanët” mbetën të hutuar duke shikuar largimin e Rexhep Gjelit me djalë.

8. MBYTJET ME ÇEKIÇ

Është trishtim që rrëfimi i mëposhtëm të dëgjohet në një përrallë e lëre më të përjetohet. Ajo që ndodhi në Gllogofc më 6, 7, 8, 9, e 10 janar 1945, nuk ka ngjarë në asnjë kamp të përqendrimit të nazistëve, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këtë e bëri Brigada e parë e Kosovës, komandant i së cilës ishte Zyfer Musiqi. Kjo brigadë vrasëse, çetnike-partizane, - si thonë Ali Bajraktari, në Gllogofc nga rajoni o Pejës. Në të arritur në këtë pjesë të Drenicës, formon shtabin në shtëpinë e Jusuf Gradicës që asokohe ishte i burgosur në Sërbicë, ku likuidohet në pranverë të atij viti. Zyfer Musiqi, komandant i brigadës, urdhëron që të bëhet arrestimi i fshatarëve dhe kështu ata të silleshin në kullën e Talit, ku edh likuidohen. Njerëzit që merreshin sipas sinjalizimit të kolonëve dhe të OZN-së. Si deklaron Ali Bajraktari, në kullë ishin dy dhoma, ku i futnin të arrestuarit dhe, pas shumë maltretimeve fizike, një nga një i çonin në një dhomë tjetër, ku i mbytnin me çekiç e kazmë. Gjatë tërë kohës nuk kemi dëgjuar krisma pushkësh, që do të thotë se nuk dinim se çka po ndodhte në atë kullë, edhe pse nuk ishte larg shtëpive tona. Ne po mendonim se po i merrnin dhe po i çonin diku tjetër në burg ose po i mobilizonin. Pas dy ditësh morëm vesh se nuk ishte ashtu. Ata posa i mbytnin, diku nga mesi i natës, kufomat ua ngarkonin dy të tjerëve në shpinë dhe me roje përcjellëse i çonin te mulliri i Delisë në Gllobar, ku ndodhej një pus i thellë, dhe i hidhnin njëri pas tjetrit. Posa i lëshonin në pus, ata dy që i kishin bartur kufomat aq larg, pushkatoheshin she pastaj i përplasnin në të njëjtin pus e në të njëjtin varr kolektiv.
Në këtë kasaphanë u mbytën rreth njëzet veta nga rajoni i Gllogofcit dhe shumë të tjerë të anës së Llapit që në ato të pasigurta në Llap, ishin strehuar në Drenicë. Bënte të ftohtë të madh. Çdo gjë ngrin. Ngrin edhe pusi i mullirit të Delisë. Kufomat mbesin aty deri në pranverë. Disa prej tyre u identifikuan, po shumë të tjerë nuk qe e mundur. Më pastaj varrosen aty që të gjithë. E tërë kjo shkakton revoltë të madhe në popull. Mbretëronte pasiguri e përgjithshme me masë. Nuk dihej më se kënd e err nata, e kënd e qel dita. Brigada e Zylfer Musiqit, siç do të shohim në vazhdim, bën edh shumë masakra të tjera masakra nëpër fshatra të tjera bashkime Brigadën e parë të Bokës.

Në Gllogofc me kazmë e çekiç u mbytën:
Azem Zeqiri (Gllobar)
Mehmet Gjikoka (Tërstenik)
Feriz Kukiqi (Krajkovë)
Hajdar Hydi (Krajkovë)
Ibrahim Thaçi (Potërk)
Halil Thaçi (Potërk)

Trembëdhjetë të tjerë nuk qe e mundur t’i identifikonin, - thotë Ali Bajraktari, por me gjasë ishin të anës së Llapit dhe për ta hapën një varr kolektiv.
Brigada e parë e Kosovës e Metohisë me Zyfer Musiqin në krye bastis katundet e Drenicës dhe maltreton të gjithë, duke mos kursyer as fëmijët. Ata merren me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe dërgohen në drejtim të panjohur. Disa çohen në burgje, e disa të tjerë zhduken pagjumë. Ishte fillimi i një aksioni të shfarosjes masive të shqiptarëve. Në krye të këtyre aksioneve ishin Petar Brajoviqi dhe proverbi i merituar Zyfer Musiq. Ky i fundit në pjesën e parë të janarit shkon në fshatin Shtrubullovë dhe nga shtëpitë merr Zenel Sahitin, Ukë Miftarin, Avdi Myrtë, Hetë Hamzën, Sherif Mehmetin, Ikan Sahitin, Latif Murtezin, dhe Rifat Sahitin. Të gjithë këta i dërgojnë në burgun e Gllogofcit, në shtëpi të Jusuf Gradicës dhe i torturojnë në metoda të ndryshme. Ata u thonë: ”ose do të dorëzoni armët që i keni, ose do të pushkatoheni”. U jepet afat prej dymbëdhjetë orësh. Kur pamë se ç’po ndodhte në kullën e Talit (mbyteshin njerëzit me kazmë e çekiç), siç tregon Latif Murtezi, thamë se pushkët i kemi në shtëpi dhe do ti dorëzojmë. Të lidhur me tela na dërgojnë në fshatin tonë në Shtrubullovë, por, meqë nuk patëm pushkë të dorëzonim, ata vendosën të na pushkatonin në fushë të këtij fshati. Prej të gjithëve vetëm Hetë Hamza kishte pushkë, të cilën e dorëzon. Avdinë dhe një tjetër i zgjidhin dhe i urdhërojnë të hapin një varr të madh që do t’i nxinte të gjithë. Para se të përfundojë çelja e varrit kolektiv, përkujton Latifi, ne që e këqyrnim me duar të lidhura, i thamë: ”Zgjeroje edhe pak, se nuk do të na nxërë”. Me të dëgjuar këto fjalë komisari i batalionit, Vujiqi nga Baca, thotë: ”Nëse do t’i bini pushkët për gjashtë orë, do të shpëtoni nga batarja”.
Pas këtij afati na dërgojnë në kullë të Misin Ymerit. Varri kolektiv mbetet i çelur. Kur e panë fshatarët se do të na pushkatonin, dolën nëpër miq e shokë e siguruan nga tri pushkë, kurse të tjerat i blenë. Meritë për shpëtimin tonë ishte Adem Hamza, i cili asokohe ishte këshilltar i fshatit.
Pasi dorëzohen pushkët, të nëntë burrat e Shtrubullovës i çojnë në një brigadë plotësuese dhe në pranverë të po atij viti do të kenë fatin e ligë, përkatësisht do të dërgohen në Tivar, ku do të përjetojnë tërë tmerrin që përjetuan edh shumë kosovarë të tjerë.

9. TRI DITË PAS TMERRIT

Masakrimi i popullatës u bë me motivacion se fshatarët e kësaj ane mbanin me bukë “kundërrevolucionarët” e Shaban Polluzhës dhe të Mehmet Gradicës. Qëllimi, ndërkaq, i qartë: shfarosje e shqiptarëve. Drenica, e tëra, këto ditë janari ishte nën flakë.
Vrasje masive në të gjitha anët; në Gllogofc përqendrohen forca të mëdha ushtarake. Bënte tejet ftohtë, dita e fundit e janarit të vitit 1045. nuk kishte bukë të mjaftueshme që të vazhdojë jeta. Dita mezi kalohej. Në fshatin ml të madh të Drenicës, në Tërstenik, Petar Brajoviqi me brigadën e tij dhe me ata të brigadës së Bokës përgatiti shfarosjen e të gjithë njerëzve.
Përderisa forcat e Shaban Polluzhës ndodheshin në rajonin e Obrisë e ato partizane kishin zënë pozitat në trevën e Gllogofcit dhe në një pjesë të Tërstenikut, Asim Luzha nga Gjakova, ish-deputet i Drenicës që kishte autoritet në këtë anë, në fund të janarit të këtij viti, qe dërguar në mision të posaçëm në Drenicë për t’i bindur fshatarët që të ktheheshin dhe të inkuadroheshin në lëvizjen partizane.
U tubuan të gjithë meshkujt, sa ishim në një fushë, të Kukajve, tregon plaku Shaban Mulaj. Në atë Kuvend Arsimi na tha se populli shqiptarë në Jugosllavinë e vjetër nuk ka pasur kurrfarë të drejtash, së këndejmi tani është mirë dhe me interes të përgjithshëm të inkuadroheni në njësitë partizane, se, me të përfunduar lufta, shqiptarët do t’i gëzojnë të gjitha të drejtat si të tjerët. Ata që vijnë me ne, të mos frikësohen se nuk do ti gjejë asgjë. Edhe kundruall kësaj, ne mbetëm në shtëpitë tona, sepse nuk kishim bërë askujt gjë, thotë Shabani.
Vinin ditë të vështira. Prej çastit në çast lufta merrte përpjesëtime më të gjera. Përleshjet në mes forcave të Shaban Polluzhës dhe atyre partizane bëheshin gjithnjë më të shpeshta. Nëpër tërë Drenicën qarkullonin brigada dhe divizione të UNÇJ-së. Ndërkaq, sipas të dhënave, një brigadë e Batalionit të Korparmatës së mbrojtjes popullore të Jugosllavisë (KNOJ-së) dhe Brigada e parë e Bokës, më 30 janar hynë në fshatin Tërstenik dhe bënë tmerr të paparë, duke vrarë burra, gra e fëmijë.

10. KUFOMAT NË ZJARRË

Në të hyrë në fshat, këto Brigada formuan dy shtabe, një në lagjen e Spahiajve e tjetri në atë të Mulajve. Rrethimi i fshatit ishte bërë që më parë në disa drejtime, si zonë e lirë kishte mbetur ana perëndimore, ku nuk kishte siguri për shkak të malit që gjendej jo fort larg këtij vendbanimi. Fshatarët nuk e dinin se ekzistonte kjo zonë për t’iu shmangur së keqes që vinte. Mu për këtë të gjithë mbetën nëpër shtëpi me shpresë se nuk do të ndodhë diçka tragjike.
Tragjikja ndodhi dy orë para mbrëmjes, rrëfen Hanumshahe Spahiu. Vëllai im Selimi, hetoi se ishim rrethuar nga forca të mëdha ushtarake. Hyri shpejt e shpejt brenda, përkatësisht në dhomën ku rrinim, dhe të gjithë anëtarët e familjes na zbriti në katin e poshtëm. Nuk kaloi shumë kohë dhe oborret u mbushën me ushtarë. Ndihej vetëm komanda ” ky është rajon ballistësh” u tha ushtarëve njëri prej komanduesve. Nga oborri vinte erë e kobshme. Të gjithë ishim të ngujuar në një dhomë. Askush nuk fliste thuajse kishte rënë perdja e jetës. Rrogëtari Xheladin Çallapeku, i cili në atë moment nuk gjendej në shtëpi, ishte kidnapuar dhe urdhërohet që t’ua shtjerë flakën kashtës, plemes, arave dhe gardhiqeve. Posa u detyrua të bënte këtë, e detyruan të thërriste “O Selim Spahiu, dil jashtë se u kalle me çka ke! Selimi deshi të dilte por nuk e la nëna e tij Hava, se e dinte ç’do të ndodhte. Kur flaka kaploi hambarin dhe gardhiqet, ata u afruan te dera e shtëpisë, duke bërtitur ”dilni, se do t’ju vrasim të gjithëve!”. Atëherë nuk na mbeti gjë tjetër veç të dilnim jashtë. Dola unë, thotë Hanumshahja, pastaj nëna dhe vëllai Selimi, kurse të nëntë anëtarët, gra e fëmijë, mbetën brenda. Me të dalë, Selimin e lidhën dhe me sytë tonë, në fund të oborrit, afër një gardhi i kishte hyrë flaka, e pushkatuan dhe pastaj e qitën në zjarr. Njëri që fliste një shqipe të zorshme, tha: “Merreni tash në paçi çka të merrni!” me nënën e larguam kufomën nga flaka. Ishim habitur pas vëllait dhe nuk dinin se ç’po bëhej me të tjerët, as me anëtarët e familjes, as me fqinjët. I vranë edhe qentë.
Po afrohej mbrëmja. Të shtënat bëheshin më të shpeshta. Flaka gardhiqeve kishte shkretëruar shumë çka. Digjeshin stallat dhe shtëpitë. Zjarri i ndihmuar nga era rrezikonte jetën e fëmijëve dhe të grave. Përderisa gratë bartnin ujë për ta shuar zjarrin, në shtëpinë pasi ia kishin marrë bukën me dhunë, e vrasin Sali Spahiun para syve të grave dhe të fëmijëve. Këto brigada në këto lagje në mënyrë barbare vranë pastaj Qazim Spahiun, Emin Spahiun, gruan e Milaim Spahiut, Xhemilen e cila, duke mbajtur në duar foshnjën, Bajramin, i cili rastësisht u shpëtoi revoleve. Ai sot është gjallë. Në këtë lagje të Tërstenikut, u krijua një imazh tragjik. Shtëpitë dhe njerëzit mbetën në tym dhe flakë, kufomat nëpër oborre, shumë shtazë u dogjën nëpër are.
Ndërkaq Xhemajl dhe Ramadan Spahiu, që nuk kishin më shumë se 13 vjeç, nga vdekja shpëtuan vetëm në saje të një gruaje, e cila këta i veshi në tesha të femrave dhe kështu i shpëtuan tragjedisë. Ngase nuk mbeti asnjë burrë, pas largimit të çetniku-partizanëve që e bënë këtë terror mbi popullatën e pafajshme, kufomat i morën gratë dhe, duke mos pasur kush t’i qelë varret, ato qëndruan 5 ditë mbi dhe. Duke dëgjuar për vrasjen mizore në lagjen e Spahiajve në Tërstenik, vijnë disa njerëz të Shaban Polluzhës dhe i vrasin dy nga dy në lamën e Mehmet Spahiut, vetëm për Xhemilen u çel një varr i veçantë. Pas tri javësh kthehet Ibrahim Spahiu, i cili ditën që kishte ndodhur kjo masakër ishte qëlluar në Bijcë, i nxjerrë kufomat nga lama dhe i varrosë në varreza, por sërish nga dy, meqë nuk mundi rihapte për secilën kufomë veç e veç, ngase toka ishte ngrirë acar dhe bënte acar.

11. STREHIMI I KOBSHËM

Në atë çast të kobshëm në lagjen e Spahiajve, në odën e Ibrahimit, u gjetën - kallëzon Asllan Spahiu - 18 të rinj, si thoshin ata, të anës së Gjilanit, që përpiqeshin për t’u kthyer në shtëpi të tyre. Pasi hetohen nga partizano-çetnikët e këtyre bandave dhe meqenëse nuk kishin armë, lidhen dorë për dore dhe nja 700 metra përtej shtëpive pushkatohen, me përjashtim të tre vetave, të cilët Fata Spahiu, grua e zhdërvjellët, arrin t’i fshehë në një grazhd të ahurit duke i mbuluar me kashtë. Atë natë dinim se vetëm u nxorën nga shtëpia jonë këta të rinj vazhdon ai – por nuk e dinim se a u pushkatuan apo jo, sepse të shtëna kishte nga të gjitha anët e Tërstenikut. Njëri prej tyre nuk kishte vdekur nga plagët, por i plagosur rëndë, bëri përpjekje që të arrinte në shtëpinë më të afërme. Meqë nuk kishte mundur ta kapërcente përroin, nga plagët dhe të ftohtët e madh, vdes edh ky. Në lagjen e Spahiajve, ku prej nga edhe i kishin marrë, tregon Fata, gjatë asaj nate ndihej zëri i atij të plagosuri që kërkonte ndihmë. Në atë moment pasi kishte dëgjuar klithjen këtij të plagosuri shkon për t’i ndihmuar Fata, e cila më parë i kishte shpëtuar tre shokët e tij, por me gjithë përpjekjet që bën nuk arriti t bartte. Më tha se është nga një katund i Gjilanit, e përmendi edhe emrin e tij, por nga krismat e rafaleve dhe mitralozave në lagjen tjetër, mu zhduk nga kujtesa ky emër dhe kurrë nuk mu kujtua. Më la edhe një porosi, por as atë nuk e mbajta mend. Pas dy ditësh mora vesh se edhe të tjerët po atë ditë ishin pushkatuar. Nuk kishte kush t’i varroste. Mbi dhe mbetën disa ditë, derisa u gjetën dy-tri burra të cilët i varrosën në një varr të përbashkët. Edhe sot e kësaj dite, askush nuk u interesua për identitetin e atyre të masakruarve. Edh]e pse këta të rinj para pak netësh kishin bujtur në odën e Ibrahim Spahiut dhe me siguri kishin treguar kush janë dhe nga janë, fatkeqësisht kishin mbetur të paidentifikuar, sepse burrat që u bënë konak këtyre të rinjve, u pushkatuan. Sipas kujtimeve të Ramadan Rexhës, komisar i batalionit të IV të brigadës së Shaban Polluzhës, del se këta të rinj të pushkatuar ishin të Batalionit të rinisë së Kosovës, i cili në atë kohë vepronte në kuadër të Brigadës së Parë të Kosovë e Metohisë (komandant Zyfer Musiqi). Si thotë Ramadani, nga fundi i janarit batalioni ynë, me Hazir Gjakën në krye, një natë kaluam në Gllobar. Të nesërmen shkojnë në fshatin Tërstenik , por në afërsi të këtij lokaliteti i sulmon Batalioni i të rinjve të Kosovës, të cilët i printe Jusuf Gilani. Gjatë kësaj përleshjeje ne arritëm të zinim 2 të rinj shqiptarë dhe 3 femra serbe dhe menjëherë o dërguan në Rezallë, ku ishte shtabi i Shaban Polluzhës. Se këta të rinj janë sjellë në Rezallë (të zënë në front), këtë e vërtetojnë edhe Hajzer dhe Sadik Malaj në shtëpinë e të cilëve asokohe ishte udhëheqja e Shaban Polluzhës. Ata thonë se pasi u mor vesh se kush janë dhe cilës njësi partizane i takonin, i liruan duke thënë se për shkak të sigurisë do të ishte mirë që disa të qëndrojnë në Rezallë e pastaj të shkojnë nëpër shtëpi, por 20 sish e lëshuan Rezallën, kurse shtatë veta me tri femra mbetën aty. Këta 20 të rinj gjatë rrugës për në shtëpi të tyre ( me siguri ishin të rajoneve të Gjilanit) bujtën në Tërstenik në konakun e Ibrahim Spahiut. Për fat të keq e tragjik, fshati Tërstenik rrethohet të nesërmen nga partizanët dhe së bashku me shumë të tjerë të Tërstenikut pushkatohen nga Brigada e Mbrojtjes popullore.


Asim Luzha
12. KUSH ISHTE ASIM LUZHA

Asim Luzha u lind, më 1896 në Gjakovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Shkup e medresenë në Gjakovë. Në dhjetor të vitit 1938 u zgjedh deputet i popullit në Drenicë. Ka qenë njohës i mirë i gjuhëve orientale, ishte dashamir i përhapjes së arsimit në Dukagjin dhe në Kosovë gjatë LNÇ-së ishte inkuadruar në këtë lëvizje. Shtëpia e tij ishte çerdhe për të gjithë njerëzit përparimtarë. Më 1913 internohet në Nikshiq, ku ishin internuar edhe shumë intelektualë, të tjerë nga Gjakova dhe Peja. Kur pushtohet Shkodra nga malazezët, Asimi dhe të internuarit tjerë lirohet. Duke qenë i inkuadruar në LNÇ, nga fundi i vitit, 1944, Asimi takohet në Junik me Fadil Hoxhën dhe aty e këshillon që në Drenicë të dërgojë një brigadë të Shqipërisë, sepse drenicasit kanë përvojë të hidhur nga regjimi serb, kishte deklaruar Qamil Luzha. Ky pastaj i bën edhe propozimin tjetër që të shkojë vetë në Drenicë, se në këtë rajon kishte qenë deputet dhe gëzonte autoritet, për ta qetësuar situatën, mirëpo Fadili nuk pranon këtë dhe në të njëjtën kohë për në Drenicë nis Ismet Shaqirin dhe Ymer Pulën. Si thoshte Qamili, pas çlirimit të Gjakovës nga gjermanët, përsëri Asimi i propozon Fadil Hoxhës që në Drenicë të dërgohet sërish brigada shqiptare, por Fadili me nervozizëm përgjigjet: “Asim-efendi, le ta bëjnë Drenica pushkën top, se nuk bëjnë dallime se cila brigadë duhet të shkojë atje”. Pasi dështon misioni i Ymer Pulës dhe i Ismet Shaqirit, arrini telegrami prej Prishtinës në fillim të vitit 1945. Asimi shkon në Prishtinë she së andejmi bashkë me Rifat Drenicën nisen për në Drenicë. Rifati e këshillon Asimin që për shkak të shtetrrethimit që mbretëronte në atë kohë të mos shkonin në Tërstenik. Mirëpo, Asimi ngul këmbë, e Rifat Berisha kthehet në drejtim të Drenicës së Pashës, ndërsa Asimi, i shoqëruar nga dy partizanë, arrin në Tërstenik.

13. KOMANDANTI – ÇETNIK

Tridhjetë janari, siç kemi theksuar, ishte tragjik për fshatarët e Tërstenikut. Përveç pushkatimeve që u bënë në lagjen e Spahiajve, në të njëjtën ditë dhe pothuaj në të njëjtën kohë, fillon vrasja masive dhe në lagjet e Kukajve, të Mulajve dhe të Balajve.
Diku rreth orës dhjetë në lagjen tonë (të Mulajve) erdhën gjashtë të rinj nga Dobrajt e Vërbofcit, të cilët kishin për qëllim t’u bashkoheshin forcave të Shaban Polluzhës, që në atë kohë gjendeshin të përqendruara në rajonin e Obrisë. Fetah Mulaj, me dhëndrin e vet Keçën (kështu e quanin) nga Tërdeci, u jepnin bagëtive ujë. Këta të rinj, - thotë Rrustem Mulaj, më pyetën se në ç’drejtim është rruga për të dalë në bjeshkë. E dija fare mirë përse më pyetën. U tregova drejtimin që për mua ishte më i shkurtri, mirëpo ndërhyri Fetahu (mixha im), duke u thënë atyre se më mirë është t’i bien rrugës së malit, sepse mund të takoheshin me ndokend dhe mund të pësonin. Mirëpo, ata, edhe pse isha më i ri, zgjodhën drejtimin që u thashë unë, tregon Rrustemi. Në ndërkohë, duke udhëtuar në atë drejtim, përpak sa nuk u takuan me ushtarët e komandantit Brajeviç.
Nuk vonoi shumë e djelmoshat u gjetën në oborrin tonë (i kishim edhe miq) dhe na treguan se po vijnë shumë partizanë. Atëherë, ne e lamë bagëtinë dhe u mbyllëm në kullë. Derisa erdhën ata, ne e mbyllëm derën e shtëpisë. Me të arritur para derës, u përpoqën ta thyenin derën dhe të hynin brenda me dhunë. Në të vërtetë, duke e parë se dera po thyhej, një hallë nga Tërdeci (e strehuar te ne) e çeli dhe menjëherë më kidnapuan mua, thekson Rrustemi. Pastaj më qitën përpara dhe më detyruan t’i çilja të gjitha dyert e dhomave për të parë se kush ishte aty, dhe pasi kontrolluan pesë dhoma, në radhë vinte oda ku ishin strehuar këta të rinj. Në momentin kur hapa derën, gjithnjë si peng, djelmoshat, të frikësuar, u ngritën në këmbë. U thashë se këta janë meshkujt e shtëpisë sonë. Njëherë nuk e kuptuan apo nuk deshën ta kuptojnë, derisa erdhi njëri prej tyre që fliste shqip. U thanë të ngrinin duar lart dhe pastaj e morën njërin që ishte më i gjati po ishte më i riu dhe e qitën jashtë, duke e detyruar që t’u printe për ta bastisur lagjen. Mua, rrëfen Rrustemi, më liruan, sepse s’isha më shumë se 12 vjeç. I riu që ishte tash peng në vendin tim, quhej Rifat Dobra.
Duke i bastisur shtëpitë e lagjes, gjejnë Fetah Mulajn me një strajcë në shpinë që ishte përgatitur për të ikur, ngase e dinte se ç’do të ndodhte. Bashkë me të ishte edhe dhëndri i tij, Keça, të cilët i pushkatuan para shtëpisë. Ndërkaq, kur bastisën tërë lagjen, pushkatuan edhe djaloshin që u printe, Rifat Dobrën. Pas dy orësh, në shtëpinë tonë erdhi komandanti i brigadës, me të cilin ishin edhe këshilltarët Hashim Mulaj, Ali Kaciçani dhe e vendosin shtabin në shtëpinë tonë. Më pas erdhi Asim Luzha me pesë-gjashtë njerëz në shtab. Më kujtohet fare mirë kur komandanti i batalionit i tha Asim Luzhës se duhej të dorëzoheshin të gjithë fshatarët që kanë më shumë se 13 vjeç. Asim Luzha, thotë Rrustemi, me tre-katër këshilltarë u nis për në lagjen e Spahiajve dhe të Kukajve për t’i bindur fshatarët që të dorëzoheshin. Edhe pas premtimit se nuk do t’i gjente asgjë, vetëm një numër i vogël i fshatarëve u bind se duhej të dorëzoheshin në shtab. Isuf Hajdari, ndërkaq, u tërhoqi vërejtjen këshilltarëve të fshatit që të mos bënin dorëzimin e meshkujve, sepse kishte hetuar që komandanti i batalionit ishte çetnik. Megjithatë fjalët e Isuf Hajdarit nuk u përfikën. Këshilltarët, sipas asaj që u kishte thënë Asim Luzha, bënë dorëzimin e meshkujve në shtab. Kështu, Hashim Mulaj i dorëzoi të gjithë burrat e lagjes së vet, pra, të gjithë të dorëzuarit të armatosur, u futën në një dhomë të kullës së Halit Mulajt, ku ishte edhe shtabi.
E revoltuar pse nuk kishin sjellë edhe të tjerë, udhëheqja e shtabit urdhëron menjëherë që të niset një çetë për lagjen e Kukajve, ku ishin mbledhur të gjithë ata që nuk donin të dorëzoheshin dhe kështu në mes të kësaj çete e fshatarëve filloi një përleshje e ashpër. Si tregojnë dëshmitarët që e përjetuan këtë ngjarje, aty mbetën shumë të vrarë nga kjo çetë ndëshkuese. Ndërkaq, në shtab kurdiset tinëz skenari i vrasjes së Asim Luzhës dhe i fshatarëve të Tërstenikut.

14. LETRA E ASIM LUZHËS

Duke parë se po përgatitej diçka e keqe, Asim Luzha i shkruan një letër Fadil Hoxhës dhe nis një njeri që ta dërgonte këtë letër sa më shpejt në Gllogofc, mirëpo këtë njeri gjatë rrugës e ndalojnë partizanët dhe letra mbetet në xhepin e tij. Në letër Asim Vokshi shkruante: “Kërkohet intervenim urgjent për të shpëtuar jetën e popullatës së pafajshme (të ngujuar në kullën e Halit Mulajt) në Tërstenik nga batalionet e brigadës së mbrojtjes popullore, përkatësisht nga komandanti Tabakoviq.”

MUHAMET MJEKU

Vijon...

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 62 vizitorë
Lexuar: 5,010 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi