Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
BETONIZIMI I PUSHTETIT PUSHTON KALANË E KRUJËS!
Publikuar më 09 dhjetor, 2012 në orën 20:04 ( ) Sheradin Berisha | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Betonizimi vazhdon të pushtojë edhe kalatë dhe objektet tjera më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore e historike, duke mos u ndalur madje as para portave të Kalasë së Gjergj Kastriotit - Skënderbeut në Krujë, ku historia na mëson se janë ndalur taboret e ushtrisë pushtuese osmane. Në gusht të këtij viti në hyrje të portës së Kalasë ka nisur të ngrihet një ndërtesë e madhe prej betoni. Ndërtuesit, për t'ia bërë të qartë qytetarëve të Krujës, në hyrje të punimeve, kanë vendosur një tabelë ku tregojnë se Bashkia e këtij qyteti është ajo që ka dhënë leje për ngritjen e një ndërtese, e cila do të shërbejë për dyqane dhe apartamente banimit, edhe pse për kalanë dhe muzeun e Krujës është përgjegjës Ministria e Turizmi, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë.

HISTORIA E KALASË SË KRUJËS

Qyteti i Krujës ndodhet rreth 32 kilometra larg Tiranës dhe shtrihet në shpatet malore, me një lartësi 560 metrash mbi nivelin e detit. Emri i qytetit rrjedh nga fjala Krue, që do të thotë burim dhe sot burimet natyrale në Krujë janë të shumta. Gërmimet arkeologjike dëshmojnë se në Krujë ka qenë një vendbanim ilir, që në shekullin III para erës sonë. Fshati Zgërdhesh, që ndodhet rreth 4 km larg Krujës, mendohet të ketë qenë "Albanopolisi" i përmendur nga gjeografi dhe astronomi nga Aleksandria, Ptolemeu, në shekullin II të erës sonë.

Gërmimet arkeologjike të vitit 1978 dëshmojnë se kodra ka qenë e banuar që në shek e III p.e.r. ndërsa kalaja është ngritur në shek. V-VI e.r. Dokumenti i parë që e përmend kalanë e Krujës është ai i aktit të sinodit kishtar, që u mbajt në Kishën e Shën Sofisë në Konstandinopol, në nëntor të vitit 879.

Kruja ka qenë epiqendra e parë e shtetit të parë feudal shqiptar, "Principata e Arbrit", rreth vitit 1190-1198, duke pasur në krye Progronin dhe më pas djemtë e tij, Gjinin (1198-1206) dhe Dhimitrin (1206-1216).

Kruja arrin lulëzimin në shekullin XIII-XIV. Më 1253 ajo kaloi nga Mihaili II i Epirit në zotërim të perandorit bizantin Ivan Vatace dhe dy vjet më vonë, Teodori II Laskari u njeh disa privilegjë banorëve të kalasë së Krujës. Nga fundi i shek. XIII, kalasë ju bënë disa riparime nga Karli I Anzhu dhe më vonë (në shek.XIV), nga feudali shqiptar Karl Topia, që e bëri atë qendër të zotërimeve të tij, i cili, siç mund të nxirret nga dëshmia e Barletit, kreu punime të rëndësishme. Ndërtimet e fundit gjatë mesjetës së mesme në këtë kala i përkasin periudhës së Skënderbeut, rreth mesit të shek. XV.

Në gjysmën e shekullit XIV Kruja bëhet kryeqendra e Topiajve, me tregtari dhe zejtari të zhvilluar, duke bërë që pranë kështjellës të ngrihen lagjet më të vjetra. Tanush Topia zgjeroi pronat e tij dhe krijoi një principatë të madhe, deri në momentin kur ky i fundit vritet nga Roberti, mbreti i Napolit, ndërsa vendin e tij e zë i biri, Karl Topia. Osmanët e pushtojnë për herë të parë më 1396 dhe për herë të dytë më 1415, ndërsa i vënë emrin "e ri" Krujës, "Akçe Isar" (Kulla e Bardhë). Më 1430, shpërtheu një kryengritje e organizuar nga Gjon Kastrioti. Me kthimin në atdhe të Skënderbeut (1405-1468), më 28 nëntor 1443, Kruja bëhet qendra e epopesë shqiptare të shekullit XV, duke bërë që të dështojnë rresht tre rrethimet e Krujës (1450,1466,1467).

Kalaja e Krujës

















Kalaja e Krujës merret vetëm më 16 Qershor 1478, 10 vjet pas vdekjes së Skënderbeut nga Sulltan Mehmeti II. Tërmeti i vitit 1617 që ra në Krujë, dëmtoi dhe më pas rrëzoi disa prej strukturave të gurta të qytetit të lashtë, duke përfshirë edhe pjesë të fortesës. Sërish më 1832, ajo bie pre e shkatërrimeve përgjatë shtypjes së kryengritjeve shqiptare nga osmanët. Disa rregullime që iu bënë fortifikimit përgjatë shekullit XIX nuk mundën t'i kthenin shkëlqimin e dikurshëm. Gjatë shek. XVIII-XIX qyteti pati një gjallërim ekonomik dhe mori trajtën karakteristike të kullave krutane, ndërsa në gjysmën e dytë të shek. XIX, ajo ka një zhvillim të ri lidhur me kthimin në një qendër të mirëfilltë qytetare. Në kohën e mbretit Zog qyteti pati një ulje të popullsisë së Krujës. Nga 4800 banorë që kishte më 1930 zbriti në 4500 me 1938. Kruja në fillimet e saj njihet si vend blegtoral e bujqësor dhe më pas zejtar e tregtar. Ajo ka mbjellë grurin, ullirin e hardhinë, ka rritur dhentë, dhitë e lopët, ka mbajtur shpendë dhe bletë.

Me ndërtimin e pazarit të vjetër, fundi i shekullit XVII dhe fillimi i shekullit XVIII, morën zhvillim një sërë zejesh. Qyteti i Krujës njihet për mjeshtritë e punimit të gurit, për ndërtim banesash dhe prodhimin e ornamenteve për varre, oxhaqe etj. Është punuar edhe druri për dekoracione tavanesh, dyer, dritare dhe në objekte të tjera të përdorimit shtëpiak. Një nga zejet e vjetra është edhe regja ose përpunimi i lëkurës dhe proçeset që kalonte ajo. Është përpunuar hekuri për nevojat e tregut të Krujës, si dhe qeramika ku prodhoheshin tulla e tjegulla dhe objekte të përdorimit shtëpiak. Është prodhuar vera dhe rakia. Gjithashtu është përpunuar ulliri për nevojat e familjes dhe të tregut, si i konservuar dhe për vaj. Mënyra primitive e shtypjes me këmbë të ullirit në govatë dhe ajo artizanale ose presa janë të ekspozuara bukur. Të veçantë janë dhe amforat që janë përdorur për të mbajtur për kohë të gjatë vajin e ullirit që vendasit e quajnë “magrip".

Kruja



















KU SHTRIHET KALAJA E KRUJËS

Kalaja e Krujës është ndërtuar mbi një kreshtë shkëmbore të shkëputur nga mali Sarisalltëk dhe nga formacionet kodrinore përreth. Ajo lidhet me këto të fundit vetëm nga ana verilindore, ku ndodhet dhe hyrja kryesore për në kala. Anët e tjera janë shkëmbinj të thepisur, praktikisht të pangjitshtëm ose vetë kodra bie me pjerrësi të theksuar. Një nga veçoritë e kalasë së Krujës është mënyra e furnizimit të saj me ujë, gjë që e ka bërë të mos vuajë asnjëherë nga mungesa e ujit. Brenda territorit të kalasë, në shkëmb rrjedh një burim nëntokësor, i cili del në rrëzë të murit lindor të saj. Ky krua, që përdoret edhe sot në një çezmë, ka qenë rrethuar me një sistem muresh e kullash.

Kalaja e Krujës është një nga kalatë me të njohura në Shqipëri. Kjo kala me trajtë eliptike dhe me perimetër 804 m, zë një sipërfaqe prej 2.5 ha tokë dhe është ngritur në një kodër shkëmbore, e cila zbret fuqishëm nga lindja drejt perëndimit. Muri rrethues i Kalasë ndjek kreshtat e shkëmbit (me perimetër 804 m). Këto mure të trasha nga 0.8 deri në1.5 m, janë të përforcuar me 9 kulla. Kullat kanë formë të rrumbullakët ose katërkëndëshe, duke sunduar të parat. Kullat nuk kanë një largësi të barabartë prej njëra-tjetrës, por sipas kushteve të terrenit dhe rëndësisë së sektorit që mbrojnë, shohim një grupim të tyre në hyrjen kryesore, pranë burimit dhe në skajin jugperëndimor, ndërsa gjatë krejt murit verilindor dhe juglindor të ndërtuar mbi shkëmbin e thepisur ndodhet vetëm një kullë. Kullat përgjithësisht kanë qenë të larta e me diametër rreth 15 m.

Planimetria e Kalasë së Krujës.





















Oborri i fortifikuar i krojeve në Kalanë e Krujës

















Kalaja ka dy hyrje, njëra nga verilindja që është kryesorja dhe tjetra më e vogël, e dorës së dytë në forme tuneli është vendosur në skajin jug-perëndimor, që të çonte në oborrin e fortifikuar të krojeve. Hyrja kryesore përshkonte një korridor me kthesë dhe sigurohej në periudhën e parë të ndërtimit nga dy porta, prej të cilave e para ishte një portë rrëshqitëse (portkulis).

Në pjesën me të lartë të kodrës së fortifikuar, në shekullin XII-XIV u ndërtua selia e feudalit. Pranë rrenojave të kësaj selie janë ato të një kishe dhe lartësohet kulla e sahatit. Muret e anës veri-perëndimore të kalasë, janë të paisur edhe me frengji për armë zjarri.

Pranë kalasë është zbuluar një varrezë e madhe e kulturës arbërore. Përmendet me emrin e sotëm në shek e IX bashkë me qytetin e Krujës si qendër peshkopale. Në shek XIII-XIV ishte qendra e shtetit të Arbrit. Gjatë periudhës së Skënderbeut u bë kryfortesa e qëndresës së shqiptarëve kundër pushtimit osman. Në skajin jug-perëndimor të kalasë, afër teqesë së Dollmës ndodhet Hamami i Kalasë. Ky objekt përbëhet nga katër ambiente. Ambienti i zhveshjes sot ruhet i zbuluar pa çati. Përballë muzeut kombëtar Gjergj kastrioti Skënderbeu ndodhen rrënojat e një ish kishe që gjatë pushtimit osman u kthye në xhami. Ndërkaq në cepin më lindor të kalasë ekziston një kullë këmbanore e saj.

Kalaja e Krujës është shpallur monument kulture në vitin 1948 dhe është nën mbrojtjen e shtetit. Brenda kalasë së Krujës gjenden shumë objekte arkeologjike dhe historike të vizitueshme nga turistët. Të tilla janë: Muzeu Kombëtar "Gjergj Kastrioti - Skënderbeu", Muzeu Etnogrfaik, Kulla e Sahatit, Kisha pranë Sahatit, Teqeja e Dollmës, Hamamet, Tabet, muret rrethuese etj. Kjo kala është nga të paktat kala që ende banohet nga 20 familje.

MUZEU KOMBËTAR "GJERGJ KASTRIOTI - SKËNDERBEU" NË KRUJË

Në vitin 1959 ngrihet në Krujë monumenti i Gjergj Kastriot - Skënderbeut, ndërsa më 1968 Kruja shpallet Qytet-Hero. Më 1 nëntor 1982 (pas një pune disavjeçare) në të majtë të hyrjes në kalanë e famshme të Krujës u përurua Muzeu Kombëtar "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", i projektuar nga Arkitektët: Pranvera Hoxha dhe Pirro Vaso.

Në pamjen arkitektonike të jashtme të muzeut, shquhen dy vëllime kryesore, pjesa e shtrirë horizontale me sallat e mëdha kryesore dhe pjesa me theksim vertikal e trajtuar si kullat shqiptare të veriut. Hapësirat e brendshme janë ndërtuar në mënyrë që mjediset të ndërthuren duke krijuar një hapësirë të vetme të pandërprerë, ashtu siç është përmbajtja e historisë së paraqitur. Histora, arkitektura dhe arti përbëjnë një të vetme. Janë përdorur elemente arkitektonike historike, si trarë të rëndë e harqe guri. Muzeu hapet me një grup skulpturor që paraqet Gjergj Kastriotin - Skënderbeun në mes të popullit, të realizuar nga skulptorët Janaq Paço dhe Genc Hajdari.

Në këtë muze numërohen pavione të tilla si pavioni i antikitetit dhe mesjetës së hershme, pavioni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavioni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kanceleria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinokotekës dhe së fundi pavioni i trashëgimisë dhe i jehonës.

Në këto pavione janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronxi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, këmbanë e vitit 1462, shpata origjinale të shek. XV, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë.

MUZEU KOMBËTAR ETNOGRAFIK I KRUJËS

Në kuadër të Muzeut Kombëtar "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" brenda kalasë së Krujës ndodhet edhe Muzeu Kombëtar Etnografik. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 Nëntor 1989. Është një ndërtesë tradicionale (e tipit “çardak”) e ndërtuar në mesin e shekullit të XVIII (1764) nga Ismail Pashë Toptani. Arkitektura e saj është orientale me koridor të mbyllur, tip kulle, dy katëshe me mure guri me gjerësi 60-80 cm.

Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë e zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe pamje i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. Plot 90 për qind e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100% janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qendisma të ndryshme të ekspozuara me finese.

Që në hyrje të saj bien ne sy harqet e portave me gur të gdhendur dhe rrugët e shtruara me kalldrëm. Në oborrin e muzeut Etnografik janë të ekspozuara objekte origjinale si: furra e pjekjes, evolucioni i apikulturës (bleta në fillim qëndronte në gur pastaj në dru dhe më vonë në koshere). Është koteci i pulave, vendi i qenit. Janë të ekspozuara forma të ndryshme të krojeve të qytetit, të cilat dëshmojnë se Kruja ka patur disa të tilla madje mendohet se edhe prejardhja e emrit të qytetit vjen prej tyre si "kroje" = Krujë. Është gryka e pusit e cila është 300 vjeçare. Janë të ekspozuara objekte të tjera prej guri të cilat tregojnë për traditën që ka qyteti i Krujës në përpunimin e gurit.

Muzeu Etnografik në Kalanë e Krujës








Në katin e parë ndodhen ambjentet ku punohej
Këtu njihesh me veglat tradicionale të bujkut për punimin e tokës, mekanizmat e blojës së drithit me dorë dhe me ujë, mekanizmat e pastrimit të grurit për hashure etj. Një nga zejet e vjetra të ekspozuara është edhe regja ose përpunimi i lëkurës dhe proçeset që kalonte ajo. Gjithashtu në ambjentet e banesës njihesh me përpunimin e kashtës së kënetës dhe prodhimin e hasrave për tu ulur ose për të fjetur.

Në katin e dytë ndodhen ambjentet ku banohej
Këtu bie në sy dhoma e grave ose e nuses ku dallohen objektet e pajës, veshjet me stolitë e qendisura me kujdes me fije ari, argjendi dhe inxhi. Të veçanta janë punimet e dritareve të dritës dhe ato për ajrosje me punime gipsi e druri. Koridori i madh shërben si ndërlidhës i dhomave ku më e bukura është ajo e burrave e përdorur për dasma dhe kuvende. Interesante është mënyra e vendosjes në të dy anët e oxhakut dhe qoshku si dhe dhoma ku rrinin vajzat e shërbimit. Ekspozimi i armëve tregon elemente të traditës. Në dhomën e ndenjes dallohet qoshku ku rrinin fëmijët, për të mos u ulur bashkë me të rriturit për të ngrënë. Edhe guzhina ka të veçantat e saj si enët e përdorimit prej qeramike, druri e bakri, magjia e gatimit dhe oxhaku në formën e një aspiratori të madh. Banjo me avull ose “Hamami” familjar, është një nga objektet më të rralla të kësaj banese. Ajo është me një kupole me ngrohje, në të cilën në një ambjent të ngrohtë avulli bëhej masazh. Në koridor në dalje të banesës janë veglat e marangozit dhe rozeta e tavanit që është prej 300 vjet më parë e punuar në dru të rrallë selvije, gjithashtu qilari ose dhoma e konservimit të frutave e perimeve me dritare të vogla. Në një dhomë të madhe gjumi janë ekspozuar veshje të traditës katolike dhe myslimane të përdorura nga krutane ose nga banore të zonave të tjera të ardhur në Krujë.

TREGU I VJETËR I KRUJËS

Tregu i vjetër i Krujës, që nga vendasit (krutanët e hershëm) njihet me emrin Pazari i Derexhikut, është i vetmi i këtij lloji në Shqipëri - i shtruar me kalldrëm, dhe shtrihet nga hyrja e kalasë së Krujës e deri te Hani i Picorrit, aty ku është vendosur Bashkia e sotme e këtij qyteti. Sipas historianëve, tregu është ndërtuar përpara pushtimit osman, është djegur tërësisht dy herë dhe në të dyja rastet është rindërtuar nga e para. Në shekullin XVII, qyteti mori një zhvillim ekonomik dhe rrjedhimisht dhe zejet e vendosura në treg patën një zhvillim. Tregu historik i Krujës është përshkruar dhe nga udhëtari austriak, Von Han, në shekullin e XIX-të, kohë kur ai vizitoi Shqipërinë. "E vendosur në një rrugë të ngushtë që të çon drejt kështjellës dhe në të dy anët me dyqane. Me një atmosferë aq të lashtë të duket se nuk ka pësuar asnjë ndryshim që nga koha e Skënderbeut…", shkruan Han në përshtypjet e tij. Dyqanet e tregut të vjetër i kanë muret, tavanet dhe qepenat prej druri. Në këtë treg vizitorët mund të gjejnë artikuj të ndryshëm të artizanatit si punime në argjend, bakër, alabastër, qëndistari, bizhuteri, filigrame, qylyma etj. Pazari i Krujës u mor nën kujdesin e shtetit në vitin 1961, kurse më 1966 u krye ndërhyrja e parë serioze për rikonstruksionin e tij. Me kartolinat e koleksionistit Nikolla Xharo ne këtë herë udhëtojmë në Krujë, ku përmes viteve të ndryshme, që nga 1900 shohim evoluimin e qytetit hero të vendit.

Pazari i vjetër në Krujë




























Bibliografia:

1. Merita Dollma: Trevat shqiptare, Tiranë 2008,
2. Gjerak Karaiskaj: Pesë mijë vjet fortifikime në Shqipëri,

http://letersi.com/karaiskaj_gjerak/kapitulli_v.htm
3. Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu (wikipedia),
4. Kalaja e Krujës (wikipedia),
5. Nga shënimet e mija, gjatë vizitës në Kalanë e Krujës, më 18 gusht 2010,
6. Udhërrëfye i muzeve kombëtare shqiptare,
7. Muzeu etnografik i Krujës (wikipedia),
8. Beton edhe në Kalanë e Krujës (Top-Channel, 18.08.2012)
9. Si ka evoluar qyteti hero i Skënderbeut "Kruja".


Ndërtimi i objektit në portën e Kalasë së Krujës




















Tabela, për leje ndërtimi nga Bashkia e Krujës!


















Autori pranë Kalasë së Krujës
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Sheradin Berisha
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 72 vizitorë
Lexuar: 8,263 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi