Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
SHERADIN BERISHA: UKSHIN HOTI, EMBLEMA E FILOZOFISË POLITIKE SHQIPTARE (II)
Publikuar më 19 maj, 2013 në orën 17:52 ( ) Sheradin Berisha | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
(PJESA E DYTË)

Ukshin Hoti tashmë është shndërruar në histori

Studiuesi i shquar Moikom Zeqo, në parathënien e librit "Filozofia politike e çështjes shqiptare" të Ukshin Hotit shkruan: “Kam ndjerë një tronditje të madhe, të pazakontë, tërësisht njerëzore, kur më sollën dorëshkrimin e kompjuterizuar të librit "Filozofia politike e çështjes shqiptare" të Ukshin Hotit. Kam ndjerë krenari të vërtetë duke e lexuar këtë libër. Kam përjetuar në largësi një ndërlidhje të shumëfishtë, një shqisim dhe përfytyrim universal dhe të pashpërbërshëm me autorin, i cili ishte konvertuar fuqishëm dhe thellësisht në çdo ind të librit, në këtë pasaportë emblematike dhe tipike përfaqësuese të vetvetes dhe të kombit që e përfaqëson denjësisht…Libri i mençur dhe kurajoz i Ukshin Hotit është libri i një tribuni popullor dhe kombëtar. Ukshin Hoti, intelektual dhe politolog i klasit të parë, njeri i kompletuar fuqishëm për nga dijet, për më tepër një trim i pafrikshëm, ka shpalosur në këtë libër kryetemën vigane të çështjes shqiptare… Hoti nuk qëndis ornamente fjalësh. Nuk bën stolira të kota retorikash luksoze e krejt të padobishme. Për Hotin çështja shqiptare nuk është një mit i rrugës. Po as edhe një fantazi e kabinetit intelektual.

Duke e lexuar këtë libër m'u kujtuan fjalët e mrekullueshme të dijetarit të madh shqiptar Frang Bardhit, i cili qysh me 1636 shkruante: "Përkrahni lirinë e natyrshme të njerëzve dhe diturinë e tyre me liberalitetin më të madh. Sepse vetëm kështu, - shton ai, - do ta paraqesin para syve të tu të vërtetën lakuriqe dhe të panjollosur, sepse e vërteta nuk ka nevojë të lyhet dhe të stoliset me fjalë të bukura." 350 vjet pas Frang Bardhit, Ukshin Hoti ecën në të njëjtën hulli të filozofisë politike të histories… Ukshin Hoti e di mirë thelbin e politikës, duke e refuzuar politikanizmin e stilit barok, dogmatik, apo të llojit folklorik e të vulgarizuar. Ukshin Hoti në analizat e tij të guximshme dhe aspak konformiste i shikon realitetet politike në optikën shqiptare, por edhe në atë globale-botërore. Për të bota evro’amerikane nuk duhet t'i kundërvihet çështjes shqiptare, pavarësisht nga pengu tragjik i së kaluarës, pavarësisht nga luhatjet dhe marrëzitë e sotme të politikave të liderëve të përkohshëm shqiptarë. Ukshin Hoti e shtjellon tezën e një demokracie autentike, si tezën e një integrimi universal, ku nuk zhduket dhe nuk humbet identiteti i kombit shqiptar, po afirmohet në bazë të një të drejte ndërkombëtare të përbashkët për të gjitha subjektet etnike të botës, ashtu siç ka një barazi funksionale për elementet e gjuhës të garantuara përjetësisht nga një gramatikë e brendshme e padeformueshme. Demokracia autentike është një gramatikë e lirisë dhe e dinjitetit, e kulturës, por edhe e kulturave, e së veçantës, por edhe e së tërës. Në një Evropë, apo në një botë dialogjike, kombi shqiptar nuk ka pse të jetë shurdhmemec, një komb handikapat, ose një manekin i skenës… Ukshin Hotin kam pasur rastin ta njoh më 23 nëntor të vitit 1992 në Tetovë gjatë një tubimi mbarëkombëtar për çështjen shqiptare. Ai ishte me trupin plot plagë nga të rrahurat e policisë serbe. Po erdhi në tubim, sepse në të shihte një shprehje të ideve të tij politike dhe të jetës…Ukshin Hoti është shndërruar tashmë në histori.“

Ukshin Hoti - është simbol i qëndresës së pamposhtur shqiptare

Akademik Rexhep Qosja në një intervistë (1998) për Ukshin Hotin thotë: “Ukshin Hoti po bëhet ajo që ishte dhe është Adem Demaçi sot: simbol i martirizimit për lirinë e Kosovës, e kjo domethënë, simbol i qëndresës shqiptare. Kur është burgosur Ukshin Hoti, para disa vjetësh, gazetat tona e kanë botuar lajmin me disa ditë vonesë. Mbasi që është burgosur Ukshin Hoti, edhe pse kuadër universitar, Universiteti ynë nuk e ka ngritur zërin kundër mbajtjes së tij në burg. Sot kanë ndryshuar punët. Sot Ukshin Hoti përmendet shpesh në shtypin tonë. Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës është mbajtur promovimi i librit të tij. Për të shkruhet gjithnjë e më shpesh. Diçka ka ndryshuar në shtypin tonë dhe në Universitetin tonë. Diçka po ndryshon në jetën tonë, në politikën tonë. Kemi filluar të vijmë në vete dhe këtë e dëshmon edhe qëndrimi ndaj Ukshin Hotit. Ne po jetojmë "të lirë" nën pushtimin e Serbisë e Ukshin Hoti po vuan burg! Ne po bëjmë "të lirë" politikë, nën pushtimin e Serbisë e Ukshin Hoti po vuan burg! Ne po stolisemi me stoli pushtetore -"president", "deputet', kryetar partie, e të tjera, nën pushtimin serb, e Ukshin Hoti po bën burg Serbie! Ne për lirinë e Kosovës po "luftojmë", duke marrë rroga, duke u vozitur me vetura luksoze, duke pritur e përcjellë mysafirë me dreka e darka zyrtare - si parardhësit tanë politikë komunistë, e Ukshin Hoti po dënohet me burgje, për shkak të përpjekjeve për lirinë e Kosovës! Me mbajtjen në burg të Ukshin Hotit dhe të te burgosurve të tjerë politikë, regjimi serb dëshiron ta arrijë sot, atë që synonte ta arrinte me mbajtjen në burg të Adem Demaçit dhe të të burgosurve tjerë politikë! Mbajtja e Ukshin Hotit dhe e bashkëmendimtarëve të tjerë në burgjet e Serbisë e rëndon shumë ndërgjegjen e njeriut tonë politik sot, dhe i qet hije të rëndë politikës që bëjnë bashkimet tona politike. Deshëm s'deshëm ta pranojmë, Ukshin Hoti - ky sot është simbol i vetëdijes historike, i ndërgjegjes dhe i qëndresës së pamposhtur shqiptare. Nuk është e çuditshme pse ky është emri më i kuptimshëm, më domethënës, më frymëzues në jetën tonë politike sot. Dhe kjo tregon se populli ynë e çmon ashtu siç duhet njeriun e gatshëm për sakrifica. Dua të besoj se Ukshin Hoti do të dijë ta mbajë si duhet domethënien gjithëkombëtare që e rrezaton sot emri i tij.

Njerëzit e zotë si Ukshin Hoti janë princat e vërtetë të një kombi

Shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare në një intervistë të vitit 1996, për Ukshin Hotin thotë: ”Emrin e Ukshin Hotit e kam ndeshur aty-këtu në shtypin e Kosovës, por përherë në mënyrë të paqartë. Edhe kur merret në mbrojtje, edhe kur kërkohet lirimi i tij, kjo bëhet në mënyrë disi të ftohtë, si për një hije. Së paku në atë lloj shtypi që unë kam pasur rastin të lexoj. Duke e ndjerë veten fajtor për një mosnjohje më të saktë të këtij personaliteti të rëndësishëm të popullit shqiptar, e vetmja gjë që për mua ka qenë e qartë sapo kam lexuar fragmentet e para nga mendimet e tij, ka qenë përgatitja e lartë profesionale. Kam frikë se pikërisht ky nivel i lartë ka qenë edhe burimi i fatkeqësisë që e ka ndjekur hap pas hapi këtë martir. Ka qenë tragjedi e vjetër e popujve ballkanikë, veçanërisht e shqiptarëve, përpjekja për të mënjanuar nga udhëheqja e një lëvizjeje, e një populli apo shteti, njerëzit më të zotë. Kur mungon tigri, majmuni bëhet mbret, - thotë një proverb kinez. Kjo logjikë e mbrapshtë, logjika e triumfit të mediokritetit, i ka shkaktuar, e, me sa duket do t'i shkaktojë ende dëme të ndjeshme çështjes shqiptare. Ukshin Hoti duhet të dalë sa më parë nga burgu. Është e papranueshme që një personalitet i një populli, pavarësisht se ç'partie i përket ose nuk i përket, të mbahet në zinxhirë. Është fyerje për krejt atë popull. Më fort se kurrë kombi shqiptar ka nevoj për njerëz të aftë e me nivel të lartë. Njerëzit e zotë janë princat e vërtetë të një kombi. Për fat të keq, princat goditen shpesh në mënyrë të vdekshme.“

Unë nuk kam lexuar ndonjë të dytë që të jetë më i zoti se Ukshin Hoti

Shkrimtari e poeti ynë i madh Dritëro Agolli, në një intervistë dhënë në Radio Televizionin Shqiptar, në mars 1998, për politologun e shquar Ukshin Hoti, ka deklaruar: ”Unë vë re një gjë, që për daljen e Ukshin Hotit nga burgu nuk është bërë shumë në Shqipëri, as në Shqipërinë këtej Drinit, ku jemi ne, dhe as në Shqipërinë përtej Drinit, ku janë vëllezërit tanë. Ukshin Hoti është një nga politologët më të shquar të popullit tonë. Ai vetëm me këtë libër (Filozofia politike e çështjes shqiptare” - vërejtja ime Sh.B) e ka treguar që është një filozof i vërtetë në problemet e politikës, por jo të një politike vulgare. Ai e shikon politikën në prizmin e filozofisë, dhe nxjerr konkluzione në bazë të fakteve konkrete dhe të historisë së popullit tonë. Ai nuk i trajton problemet historike dhe kombëtare thjesht në mënyrë deskriptive. Duke lexuar librin e Ukshin Hotit ti ndjen një thellësi të madhe të mendimit të tij, por njëkohësisht ndjen edhe një krenari që ka njerëz të tillë të shquar vendi ynë në të gjitha fushat e jetës. Por këtu, në këtë fushë, dmth. të filozofisë politike, unë nuk kam lexuar ndonjë të dytë që të jetë më i zoti se Ukshin Hoti. Problemin e çështjes kombëtare ai e vështron në prizmin filozofik, në prizmin historik dhe në prizmin politik. Nuk thotë vetëm se si është Shqipëria, si është kjo çështja jonë kombëtare, por edhe se si mund të zgjidhet. Dhe kjo është nga meritat më të mëdha, sepse në shumë shkrime për problemet tona kombëtare tregohet vetëm se si ka qenë, sa i vjetër është populli ynë, me kë ka patur të bëjë, me përplasjet me fqinjët, me Evropën etj., por nuk jepen koordinata të sakta se ç'mund të bëhet që populli ynë të bëhet një popull i bashkuar, një komb jo i ndarë, jo i prerë me shpatë siç është sot Shqipëria. Dhe këtu qëndron merita më e madhe e Ukshin Hotit, pra në faktin që jep perspektivën se si duhet bërë... me një fjalë, ky libër është një program, nuk është thjesht një libër për filozofinë politike, por është si një program për shqiptarët, se si duhet të bëhet Shqipëria një vend me të vërtetë i evropeizuar. Ne flasim e themi se do të hyjmë në Evropë, do të evropeizojmë Shqipërinë, etj. Të gjitha këto janë fantazira, janë gjysmake. Shqipëria evropeizohet kur të jetë një, e plotë, dhe jo kështu dy copësh, se kështu nuk evropeizohet kurrë. Kë do të evropeizosh ti, tre milionë banorë do të evropeizosh? Po tre milionë të tjerë? Dmth. problemi është tepër i ngatërruar për sa i përket evropeizimit të Shqipërisë, civilizimit të saj etj. Civilizim do të thotë kur të jesh një. Po s'qe një nuk je i civilizuar plotësisht. Dhe Ukshini e trajton këtë problem. Pastaj dhe një tjetër gjë: unë mendoj që njeriu mund të nxjerr konkluzione jo vetëm nga libri që kemi këtu përpara, po dhe nga gjithë aktiviteti i Ukshin Hotit, se ai nuk është vetëm një filozof, politikan i kabineteve, i zyrave e i arkivave, por ai është një njeri i aksionit, një njeri i luftës për një ideal të madh. Se ka lloj lloj filozofësh, politikanësh, historianësh, edhe ata kanë të drejtën e ekzistencës dhe nuk mund të them se nuk janë të shquar, por tek Ukshin Hoti bashkohen dituria, zgjuarsia filozofike me aksionin, me njeriun aktiv, me patriotin e vërtetë, jo thjesht një patriot librash, po një patriot i madh, që i vë supet Shqipërisë. Dhe fakti që gjëndet në burg, dhe ka kohë që vuan burgimin e nuk del dot nga burgu, tregon se sa patriot dhe se sa njeri i lavdishëm është ai. Po ne shqiptarët fatkeqësisht njerëzit e shquar i kemi pak mëri, nuk i kemi aq shumë në përkrahje, ndonjëherë duam dhe t'i spostojmë nga politika ose nga aktiviteti, siç është puna me Ukshin Hotin. Unë nuk munt të flas me kompetencë të madhe lidhur me mënjanimin e tij, por unë vë re një gjë, që për daljen e tij nga burgu nuk është bërë shumë në Shqipëri, as në Shqipërinë këtej Drinit, ku jemi ne, dhe as në Shqipërinë përtej Drinit, ku janë vëllezërit tanë.“

Ukshin Hoti është njeri që ka «Unin» e vet me «U» të madhe!

Prof.Agim Vinca, në një mbrëmje proteste për lirimin e Ukshin Hotit nga burgu, të mbajtur në Prishtinë, më 24. 09. 1994, (vetëm 4 ditë para mbajtjes së gjykimit kundër tij në Prizren) par Ukshin Hotin thotë: ”Me njeriun që na ka tubuar sonte këtu (sikurse edhe mbrëmë dhe në netët që do të vijnë), Mr. Ukshin Hotin, nuk kam pasur raporte të afërta miqësore, por kam pasur respekt - e kam çmuar gjithmonë - për qëndrimin e tij dinjitoz e konsekuent në jetë dhe në krijimtari. Them edhe në krijimtari, sepse Ukshini është publicist, eseist, politolog... Është hera e tretë që Ukshin Hoti bie në burg (herën e parë pas vitit 1981), kurse «ndeshjet» e tij me policinë serbe kanë qenë edhe më të shpeshta. Përse? Për shkak se policia serbe dhe pushteti të cilit i shërben ajo e dinë fare mirë se cilët janë kundërshtarët e tyre të vërtetë në mesin e shqiptarëve. Miku dhe kolegu ynë, Ukshin Hoti, tash sa muaj ndodhet në burg. Së shpejti pritet gjykimi dhe ndoshta (me siguri) edhe denimi i tij dhe jemi mbledhur të protestojmë kundër këtij gjykimi absurd e të kërkojmë lirimin e tij. Po prej kujt? Prej gjyqit serb, që është instrument në duart e okupatorit. Kështu e kemi ne. Ndodh që të kujtohemi për njerëzit tanë kur ikin, kur bien në burg, kur largohen (jo rrallë as në raste të tilla!), ndërsa kur i kemi pranë i fyejmë, i rrethojmë me heshtje, i injorojmë, i nënçmojmë, i linçojmë... Edhe pse nuk kam pasur kontakte të shpeshta me të, Ukshini më është dukur viteve të fundit disi i vetmuar, i izoluar, i braktisur, i harruar dhe ngapak i frustruar. Ukshin Hoti është nga ata njerëz që i stolisin karakteri, krenaria, kryelartësia. Ai është njeri që ka «Unin» e vet me «U» të madhe. E kjo nuk është pak. E vlen të jesh i tillë në jetë, edhe pse kushton shtrenjtë. Intelektual me koncepte të qarta e përkushtim të lartë ndaj kombit, shtetit, politikës, demokracisë, në shkrimet dhe paraqitjet e tij, veçmas në revistën «DeA», ai u angazhua me të drejtë, siç e thoshte edhe titulli i saj, për një demokraci autentike; për një demokraci në kushtet shqiptare, ashtu siç u angazhua edhe për një politikë unike e me strategji të qartë kombëtare. Për intelektualët dhe veprimtarët si Ukshini ekziston patria (dmth. Atdheu) pastaj partia; ekziston kombi pastaj demokracia. Sepse, demokracia pa kombin është si lulja në trupin e të vdekurit, ka thënë një poet.“

Ukshin Hoti - intelektual që sugjeron guximin politik

Akademik Esat Stavileci, në qershor të vitit 1998 në një dokumentar televizivë kushtuar Ukshin Hotit, deklaron: „Kemi të bëjmë me një emër të intelektualit që sugjeron guximin politik, një emër të një eseisti politik që sjell shprehjen kompetente profesionale, që nxit fuqinë e të menduarit, ndërsa kur flasim për veprën e tij, kemi të bëjmë me një vepër të një njohësi të mirë të sistemeve politike e të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për një vepër të historianit të çështjes shqiptare. Me këtë rast do të theksoj angazhimin e Ukshin Hotit për t'i dalë zot kauzës kombëtare, me gjerësinë e shtruarjes së çështjes së Kosovës dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi. Pastaj më duhet të theksoj argumentimin e tij të bollshëm e profesional me themelësi politike, pse Kosova është dhe duhet të jetë republikë. Theksoj mbrojtjen e tij brilante, në mënyrë të veçantë, që i bëri para gjyqit qënies së Kosovës republikë mbi parimin e së drejtës së vetëvendosjes. Theksoj premisat e filozofisë politike në veprën e tij, dhe më në fund theksoj mendimin e tij të mëvetësishëm, autentik, në rrahjen e çështjes kombëtare shqiptare që emrin dhe figurën e tij e bëjnë sui generis, dmth. të një lloji të veçantë. Prandaj është fjala për një emër dhe një vepër të cilën duhet ta përkujtojmë.“

Heidelberg - Gjermani, 21 Maj 2011

* ) Kjo kumtesë u lexua në Tribunën, kushtuar 30 vjetorit të demonstratave të pranverës 1981, Heidelberg - 21. 05. 2011 )

Literatura:

1. Ukshin Hoti: Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare, Sh.B-“Rozafa”, Tiranë 1995.
2. UNIKOMB: Hoti dhe çështja shqiptare.
3. Mehmet Hajrizi: Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Botimet Toena - Tiranë 2008, fq. 198 - 1999.
4. Mbrojtja e Ukshin Hotit në Gjykatën e Qarkut në Prizren - 28. 09. 1994
5. Aktakuza Kt. br. 107 / 94 dt. 30. 05. 1994 dhe Aktgjykimi K. Br. 28 / 94 dt. 28. IX. 1994.
6. Dr.Sabile Keçmezi - Basha, Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë 1981 - 1989, Prishtinë 2003 f.179-180.
7. Faqja www.pashtriku.org
8. Ekskluzive - Revistë e ilustruar mujore…, Nr.5, Maj - Qershor 2000, Dosja: Ku është Ukshin Hoti?! fq.52 - 65.
9. Sheradin Berisha: Realpolitika e Ibrahim Rugovës, Pashtriku.org, Maj 2008.
10. „Kosova Sot“ - 31 Mars 2000, Serbia kushtëzon lirimin e Ukshin Hotit, fq.3.
11. Deklarata politike e UNIKOMB’it - Maj 1994.
12. Ukshin Hoti: “Bëje ose vdis, për ta vrarë vdekjen” - Janar 1992.
13. Bisedë me U.Hotin, Revista “Gurra”-Prizren, Nr. 2 viti I, Maj 1992, fq.7/9.
14. Rexhep Qosja: «Pa demonstratat e ‘81’shit ne nuk do të ishim këtu ku jemi sot», Intervistë e botuar në «Epoka e Re», 4 Maj 2006 fq.10.
15. Bajrush Xhemaili „Në burg me Ukshin Hotin“ Prishtinë, më 12 maj 2000.
16. Shemsi Reçica, Intervistë - «Epoka e Re» 31 mars - 1 prill 206, fq. 9 -10.
17. Stephen Larrabee, USA - Letër e lexuar në Akademinë përkujtimore - në 10 vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit, më 16. 05. 2009.
18. Sheradin Berisha: Vlerësimi i figurës së Ukshin Hotit nga intelektualët tanë të shquar, pashtriku.org , 17. 05. 2008.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Sheradin Berisha
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 50 vizitorë
Lexuar: 1,741 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi