Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
PATLIXHANAT (Tregim)
Publikuar më 28 maj, 2014 në orën 02:37 ( ) Sami Islami | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Ishte ditë pranvere. Mala ishte zgjuar heret si zakonisht, po sot, për ndryshim nga ditët e tjera, që shkonte në ara, ai ia kishte mësyer qytetit. Ai shkonte atje pothuaj çdo ditë tregu, sepse, hlbete, do të punonte, e ndoshta do të fitonte diçka. Atë ditë fitoi pak të holla, veç sa për mos me u kthy me duar bosh, si thonë. Me t’u kthyer në shtëpi i bleu dy kilogramë patlixhana. Ishte mesi i sezonës së pranverës. Patlixhanat s’kishin dalë ende në Lugajë, po as në rrethinë. Ato mund të gjendeshin vetëm në treg. E vërteta ishte se në atë mesosezonë patlixhanat konsideroheshin, si të thuash, “luks” për një pjesë të madhe të popullsisë.

Mbrëmja po afrohej. Mala me një frymë arriti në stacion të autobusëve, e mori biletën dhe u fut disi në të, i cili pothuaj ishte mbushur. Vende të lira për t’u ulur as që mund të bëhej fjalë. Përveç kësaj edhe korridori në mes të dy rendeve të karrigave ishte plot. Megjithatë, autobusi vazhdonte të mbushej. Mala po qëndronte në korridor në mes të rreshtave, duke i mbajtur në duar patlixhanat që mos t’ia shtypnin udhëtarët. Autobusi u mbush aq shumë, sa kishe përshtypjen, se udhëtarët s’do të mund të lëviznin dot, as majtas, as djathtas; as para, as prapa! Njerëzit qëndronin afër njëri- tjetrit si peshqit në konzervë, si thonë! Edhe pse disa dritare ishin të hapura, nga numri i madh i udhëtarëve, të zihej fryma! Shumë afër, aty ku ishte Mala, e pa Can tyxharin, kusheririn, të cilin e quanin “aga”. Ai, me gjasë kishte ardhur më heret, prandaj kishte zënë vend dhe po bisedonte rehat me një zotëri, i veshur rroba të zeza, plis të bardhë e jelek, ku vërehej ora e xhepit me çystek.
Aga Can e shikoi fluturimthi Malën dhe vazhdoi bisedën. Ai e kishte zakon që kur fliste, ta dëgjonin edhe të tjerët, prandaj edhe fliste me zë të lartë. Në një moment, derisa ishte duke biseduar me mikun aga Can e vërejti nga afër Malën se po mbante me kujdes në duar një qese me patlixhana dhe sigurisht për t’u lavdëruar te miku, nga mendjemadhësia, apo thjesht për t’u treguar si njeri bamirës, iu drejtua atij:
- A po e shef këtë njeri këtu?
- Po.- i tha miku.
- E kam akraba, prandaj ia bleva këta patlixhana, se s’ka hangër ende sivjet!
- ?!
Miku e shikoi me habi agën Can, sikur donte t’i thoshte “Po kjo çfarë lidhje kishte me bisedën, pastaj edhe nëse ia paske ble, pse po më tregon ti mu? “, po nuk foli gjë. Mala e lexoi qartë në fytyrën e mikut sikur donte t’i thoshte „Or zotni kjo që po ban ti nuk asht njerëzore! Edhe në qoftë se vërtetë e paske ndihmu, ndihmë quhet kur i jep dikujt diçka me dorën e djathtë, pa e pa dora e majtë, e jo me ia thanë atij dhe neve kështu publikisht!“

Mala e dëgjoi Canin çfarë i tha mikut, por edhe të tjerëve për patlixhanat. U ngushtua shumë. Iu errësuan sytë. Iu duk sikur gjithë autobusi i ra mbi kry. Thjesht u bllokua nga ky rast i papritur. Kurrë s’ia kishte marrë mendja se kusheriri do ta fyente ashtu, edhe pa asnjë arsye se! Një mendje i thoshte: „Jepja për fytyrë të gjithë patlixhanat Can tyxharit, se ky këtë e meriton“. Një tjetër i thoshte: „Jo, ma mirë me ia heq maskën në sy të mikut dhe të gjithë të tjerëve në autobus, e me ia qitë rrenën në fushë, se patlixhanat nuk i kishte ble ai, por i kisha ble vetë me paret e mia!“. Po Mala nuk e bëri as njëren e as tjetrën. E la. E dinte që ai ishte bashkëpunëtor i pushtuesit dhe ku ta dijsh, ndoshta reagimi i tij do ta acaronte më shumë situatën. Se ky kishte fuqi t’i bënte ndonjë të keqe pastaj. Ashtu mendoi. S’i tha gjë, edhe pse nga ky poshtërim veç timi sa nuk i dilte. Mala i vërejti se edhe udhëtarët që ishin përreth e vështronin tregtarin me shikim përbuzës, po për çudi askush nuk reagoi. Nuk reagoi as ai zotria.
Në autobus bëhej vapë e padurueshme, po për Malën vapa më e madhe po i vinte nga brenda! Djersët i shkonin vadë. Mezi priste të ndalonte autobusi, të dilte në ajër të pastër dhe të çlirohej nga ky ankth.

Më në fund autobusi arriti në stacion. Në mesin e shumë udhëtarëve zbriti edhe Mala. As vetë nuk e mori vesh se si u gjend në rrugën e fshatit. Hapat i ndërronte me shpejtësi, sikur të ishte vonuar për ndonjë takim të rëndësishëm. Një energji e papërshkruar po e shtynte përpara! Nuk shikonte as majtas as djathtas. Shikimin e kishte fiksuar diku dy-tre metra përpara...

Dielli veç sa s’kishte perënduar, por nga nxehtësia që po ndiente në trup, i dukej sikur të ishte mesi i ditës! I ngarkuar emocionalisht as nuk shihte as nuk dëgjonte! Nga nervoza madje nuk i dëgjoi që e kishin përshëndetur as disa fshatarë. Ata madje, sikur u habitën me të, nga se nuk kishte ndodhur përpara që dikush ta përshëndeste e ky të mos i përgjigjej.
U fut në shtëpi i djersitur, i lodhur, por mbi të gjitha i nervozuar sa s’ka. Gruas ia dha patlixhanat dhe vetë u ul për pak në pragun e shtëpisë përdhese. Freskia e mbrëmjes dhe një gotë ujë e sollën pak në vete. Gruaja e vërejti se diçka nuk ishte në rregull me Malën, po aty për aty nuk deshi ta bezdiste. E la të pushonte pak. E vërteta ishte se Mala kishte nevojë të madhe t’i tregonte dikujt atë histori, e cila rëndonte mbi të sikur ta mbante kodrën e Lubotenit mbi supe! E kujt do t’i tregonte? T’i tregonte gruas nuk deshi, vëllait poashtu. Vendosi t’i tregonte djalit tij të madh, Fatmirit, që shkurt e thirrnin Miri, me të cilin bisedonte hapur për shumë gjëra. Ai u prek gjithashtu dhe deshi të shkonte e ta bënte për një pare tyxharin, po Mala nuk e la.
-„Hajt se do t’i vjen rendi se tash për tash nuk ban- i tha. Ai ende punon për pushtuesin dhe mund t’ju baj ndonjë të keqe juve, se mu s’ka çka më ban tjetër përveç kësaj që bani- e këshilloi djalin. Se po të ishte ashtu unë vetë kisha me ia thanë në autobus! A e keni pa se sa shpesh shkojnë policia vetëm në shtëpi të tij? Krejt fshati e dinë punën e tij po nuk po guxojnë me folë për te.“
Pas kësaj bisede me djalin Mala u qetësua pakëz. Pasi piu edhe një ujë të ftohtë, u shtri mbi shtratin gjysëm shtruar me kashtë e gjysëm tokë, që e ndante një dru i gdhendur dhe i lëmuar. Qëndroi ashtu për një kohë sa të çlodhej pak.
***
Vitet po kalonin. Mala vazhdonte jetën e tij. Bashkë me gruan i kishin rritë, ashtu si mundën, fëmijët, të cilët tashmë nuk ishin fëmijë. Ishin bërë burra. Dy djemtë e mëdhej kishin mbaruar universitetin, të tjerët vijonin shkolla të larta ose të mesme. Me një fjalë të gjithë fëmijët e Malës shkonin në shkolla. Ishte koha kur në Dardani filluan të frynin erëra demokracie...
Në anën tjetër klasa e agallarëve, së cilës i përkiste edhe aga Can tashmë po i takonte të kaluarës. Me një fjalë filloi të ndryshonte gjithçka. Can tyxharit dalë nga dalë filloi t’i binte autoriteti. Koha e tij s’ishte më. Nuk ishte më ai Cani që luante me para duke i mashtruar njerëzit e varfër! Nuk ishte më ai Cani që bënte para, duke bërë be rrejshëm në kuran e në zot. Nuk ishte më ai Cani që nëpër dasma u hedhte këngëtarëve njëmishe për kënaqësinë që i jepnin ata kur atij ia përmendnin emrin, me „iu rritë ndera Can tyxharit“ ! Shokët iu larguan. Tani filloi të shkonte më shpesh në xhami. Aty nisi të gjente ngushëllim! Nisi të bëhej i rregullt. Lutej dhe falej ndoshta për t’i larë gjynahet, që i kishte të panumërta!.

***
Mala kishte shpirt të çiltër. Edhe pse ia dinte të këqiat e Canit, nuk kishte dashur të hakmerrej. „Zoti do të hakmerret në te „ i thoshte shpesh herë vetes. Po djali i madh i Malës, Miri, ishte betuar se pa ia marrë fytyrën Canit nuk do ta lente. Se nuk bënte që ai të shkonte nga kjo botë pa i la borxhet.
Një ditë bëhej dasëm në Lugajë. Ishin fuar miq nga gjithë rajoni. Në odën e burrave kishte plot mysafirë. Ishte edhe Can tyxhari. Dikush nga të pranishmit i foli:
-Pa na trego diçka aga Can se ti din shumë, se ke dalë shumë!
-Paj s’po di çka me thanë, valla bre burra, po ju e dini se puna e tyxharit të jep mundësi me shetitë gjithandej vilajetit. Kam pa e kam përjetu gjana te ndryshme, po edhe i kam ndihmu këtij populli, sa kam pasë mundësi! -tha.
Mirit i erdhi në shteg t’ia thoshte atë që aga Can ia kishte bërë babës së tij. Ai e mori fjalën atje nga fundi i odës dhe tha:
-Mirë e ka aga Can se i ka ndihmu njerëzit, po ndihmën ma të madhe ia ka ba kusheririt të tij e babës tem! Ia ka pasë ble një herë dy kilogramë patlixhana!?
Të gjithë u kthyen kah djali si me çudi. Çka ishte puna e patlixhanave? Kurse aga Can , sikur të donte ta përhupte këtë, tha:
-Leje ti punën e patlixhanave. S’asht kurgja ajo! Te je i ri e nuk i din kurgja për mu! Sa të mira kam ba, ju e dini vetë, mu nuk më kujtohen se sa besa?
- Për ty, ndoshta edhe nuk asht kurgja, ose nuk të kujtohen, po mbasi ra fjala po i tregoj të gjithëve këtu „bamirësitë“ e agës Can! Të kujtohet, atëherë kur e skuqe Malen, babën tem, ndër sy të mikut tand dhe udhëtarëve të tjerë në autobus kur ti the „ Ia kam ble këtij akrabasë këta patlixhana se sivjet s’i ka kërku hala. Ti din shumë mirë se ata patlixhana i ka pasë ble ai vetë e jo ti. Paj bre edhe me ia pasë ble, një njeri i ndershëm si ti që po thue se ke ba shumë të mira, këto gjana s’i ban! Dhe kujt ia bane një kusherini, që askujt dreq me gojë kurrë s’i ka thanë! Marre të kesh!
-A ty të doli rendi me folë a?!- tha Cani, sikur nuk dëshironte të shkonte më gjatë kjo punë. Po nga turpi një qehre i shkonte e një tjetër i vinte.
-Po, tha Miri, dhe do të flas t’iu tregoj të gjithve se kush asht Can tyxhari?!
Pas këtyre fjalëve të gjithë çka ishin prezentë, mbeten si të shtangur. Edhe pse shumica në odë e njihnin se kush ishte Cani, e shikonin njëri-tjetrin sikur nuk mund të besonin se edhe këtë e kishte bërë ai?
-A për nime kështu ia ke ba Males, i tha ai që e pyeti për herë të parë për të folë diçka?
Aga Can i zënë ngusht vetëm e lëvizte kryet herë majtas, e herë djathtas dhe po mendonte „Po edhe kjo m’u desht! Kurrë s’kam besu se ky ka mujt me ma thanë këtë në fytyrë, bile edhe në prani të gjithë këtyre burrave! Ky nuk po më njohka hala“
-Po veç kam ba hajgare,- tha!
-Kjo nuk asht hajgare aga Can!- i tha Miri.
Tani Can tyxhari e pa veten edhe më ngusht. Ishte skuqur në fytyrë. Nuk shikonte më njeri në sy. Uli kryet dhe e ndezi një cigare. Mollëzat e faqeve plot rrudha dhe të lëshuara teposhtë i dridheshin. E humbi krejt kontrollin dhe duke tërrfatur iu drejtua një të riu që shërbente në odë:
-M’i sjell këpucat se dola! Kam një punë!

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Sami Islami
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 29 vizitorë
Lexuar: 689 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi