Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
IKJA
Publikuar më 06 janar, 2015 në orën 18:38 ( ) Prof. Bedri Tahiri | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Problemore

Një fjalë vetëm me katër shkronja: IKJA. E vogël në të parë, por me domethënie shumë të madhe në jetë. Ka llojlloj ikjesh. Ikje nga rreziku. Ikje nga e keqja. Ikje nga fatkeqësia. Ikje nga beteja. Ikje nga belaja. Ikje nga shtëpia. Ikje nga shkolla. Ikje nga puna. Ikje nga marrëzia. Ikje nga nga vdekja. Ikje e ikje...
Dhe, që të gjitha këto, kur ua gjurmon gjenezën, ndoshta disi edhe mund të arsyetohen.
Po ikja nga atdheu?!

Ah, të keqen vëllai, kjo është histori në vete që kërkon studim më të hollësishëm. Po, po, studim analitik, përmbajtjesor, psikologjik e sociologjik. Një fenomen i vjetër sa vetë njerëzimi. Zë fill qysh me dëbimin e Adamit e Evës nga parajsa. Paskëtaj, pasuan: ikjet kolektive e individuale, të dhunshme e të vullnetshme, të largëta e të afërta, të kthyeshme e të pakthyeshme, normale e jonormale...

Shqiptarët këtë mynxyrë e përjetuam më rëndë se të tjerët. Fatin e patën të tillë, gjithmonë nopran, që ua hodhi me të pabesë. Ikja e tyre qe e dhunshme dhe masive. Bukuria e trojeve të tyre të begata u bë kob për vetveten. Të gjithë e lakmonin dhe, kur u jipej rasti, vërsuleshin pamëshirshëm, si bisha të pangopura, duke i shqyer pjesë të dhimbshme nga shtati. Kështu, ata, nga zullumi e barbaria, u detyruan të iknin e të iknin, duke u tkurruar, sa u bën lëmsh e tërkuzë në cepin e poshtëm të Ilirisë hireplote.
Edhe kjo sikur nuk mjaftoi. Lëvozhga e tendosur e kësaj Mbretërie të zvogëluar skajshmërisht, nuk arriti t’i mbajë zogjtë e vet. Ajo u çjerr nga brenda e nga jashtë dhe ikjet vazhduan. Në çdo kohë e në çdo periudhë. Nga zori e nga qejfi. Për mirë e për keq. Vetëm e me familje. U degdisen larg e larg. Një farë shpërndarëse që u quajt Diasporë. Një emër jo i këndshëm, mbase edhe përbuzës e fyes. Kohëve të fundit, besa edhe në fillimet e hershme, është parapëlqyer pagëzimi Mërgatë e Mërgimtarë.
Sidoqoftë, ata gjelluan e mbijetuan faqebardhë, duke ruajtur për mrekulli qenësinë kombëtare e duke u bërë pjesë e pandarë dhe shumë e rëndësishme e mëmëdheut.
Ikjet na përcollën edhe më vonë. Për këtë u hartuan edhe elaborate e u nënshkruan konventa. Ato kulmuan gjatë luftës sonë të fundit çlirimtare në Kosovë. Një ikje biblike që tmerroi botën e civilizuar. Gjithë arsenali luftarak i një perandorie të qujatur Jugosllavi u zbraz në Kosovë dhe, natyrisht, popullata vendëse u shtrëngua ta marrë botën në sy. U boshatis sa nuk mbahej mend ndonjëherë tjetër. Shumica vajtën tek vëllezërit, në Shqipëri e në Maqedoni. Brenda ngelën luftëtarët e lirisë që i bënin ball kësaj lubie shfarosëse dhe pak familje që lëviznin nën hijen e vdekjes. Veçse, edhe kthimi i tyre në vatrat e bëra shkrumb e hi, qe mahnitës, u bë jashtë çdo parashikimi, saqë bota ngeli gojëhapur.

Po ikja e sotme?!!!

Kjo, vërtet është një kafshatë migjeniane që nuk kapërdihet dot. Sot, pesëmbëdhjetë vjet pas çlirimit, kur kemi Shtetin dhe Pavarësinë, e gjithë kjo zbrazje si me gurgule, nuk mund të përthekohen me mendjen e atij që ka një trohë logjikë.
Dorën në zemër, Dita e Bardhë, nuk solli gjithë ato që i pritëm. Dhe, lindën edhe pakënaqësi e zhgënijme. Edhe shkaktarët po dihen hapur: varfëria, papunësia, mosperspektiva e të rinjve, në njerën anë dhe, pasurimi, depërtimi e mospërfillja e disave që, siç shprehe një rilindës yni, të pa brekë i gjeti nata e milionerë i çeli dita, në anën tjetër.
Mirëpo, varfëria të rrëzbit, por nuk të korit, thotë populli ynë përvojëhidhur. Apo ta kujtojmë Çajupin tonë të madh që thoshte, më e ëmbël balta se mjalta! Jo, more nuk ka nevojë të lodhermi aq shumë e të shëtisim nëpër histori. T’i kujtojmë djemtë e vashat tona që lanë luksin perëndimor dhe rrokën armët e erdhën me i dalë zot atdheut të sakatosur. Me gjakun e tyre mbëltuan lirinë që ne sot po e gëzojmë, por edhe po e nëpërkëmbim, po e përbuzim, po e braktisim. Edhe ne jemi ma hallet e atyre që ia kthejnë shpinën trojeve të veta, por, më e madhe është gjëma e mëkatit ndaj gjithë atyre sakrificave që sollën lirinë e pritur me shekuj.

Andaj, mos ikni! Qëndroni, se do të bëhet mirë!

Vallë, çka ua merr mendja, a do të lejonte një gjë të tillë Serbia, po të ishte në të mirën tonë?! Kurrë e kurrë! Ajo është mplakur vetë dhe ashtu kërcune e do edhe vendin tonë. Ardhmëria e çdo vendi është rinia, atëherë ç’na duhet Kosova, pa ardhmërinë tonë? Asgjë fare! Politika e saj perfide reflekton përtej kodrash. Karemi i hedhur, për lumturi përrallore përtej atdheut, është shndërruar në një verbëri të babëzitur. Një ëndërr e parealizuar. Rrushi sheh rrushin dhe piqet. Dikur, po kjo Serbi, na rrahte, na burgoste, na torturonte, na vriste, na digjte, vetëm e vetëm që të iknim larg, e ne, përkundrazi, qëndronim të palëkundur në vatrat tona stërgjyshore. E sot, mjerisht, po ngjet e kundërta!

Obobo, sa keq!
Mjerim fare!

Kjo është një kambanare që duhet të tingëlloi ashpër në ndërgjegjjen a atyre që kanë mundësi të bëjnë diç në parandalimin e kësaj kataklizme mbytëse. Aman, aman, një e keqe, që në heshtje e pa shumë zhurmë, po na gërryen si kanceri, e sikur nuk po i bëjmë turr vençe e pa hile që ta ndalojmë.
Nesër, sigurisht, do të bëhet vonë dhe, kot, mund të çirremi:
Ore, po ku ishim dje?!

Galicë, 28 dhjetor 2014
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Bedri Tahiri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 36 vizitorë
Lexuar: 624 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi