Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Ramiz Cernica, hero i kombit
Publikuar më 28 maj, 2015 në orën 01:29 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Ramiz Cernica, hero i kombit me “shqiponjën e artë”, me punën patriotiko-atdhetare e përkushtuese të Ismet Sylejmanit

Të flasësh për heroin e kombit, për këtë tribun të rrallë të kombit shqiptar, për njeriun që e kam thënë në një fjalim të mbajtur në Sallën e Kuqe në Prishtinë se: “Nëse në flamurin kombëtar do të pikturoheshin dy koka, në njërën anë është Abdyl Frashëri, në anën tjetër Ramiz Cernica”. Prandaj, për të folur për Ramiz Cernicën është edhe e lehtë, edhe e vështirë. Figura të tilla mbeten në imazhin popullor për një kohë të gjatë si figura historike e mobilizuese dhe reflektojnë mobilizim në një kohë mobilizuese, sjellin të renë dhe u hapin dyer të reja kombit, japin modelin e prijësit duke përballur me guxim sfidat.

Autori Ismet Sylejmani në librin e tij: “Akademi politike kombëtare dhe shkrime për tribunin e kombit Ramiz Cernica” ia ka arritur qëllimit, duke na dhënë një pasqyrë të plotë të veprës dhe hijeshisë së këtij personaliteti, duke na sjellë atë saktësisht në kohë, si një njeri i madh i kombit, duke na dhënë figurën e tij në dimensione që plotësojnë dhe madhërojnë figurën e tij.

Libri është i ndërtuar si një tërësi i veprimeve të kryera nga vetë autori për t’iadhënë vendin e merituar këtij heroi si dhe në pasqyrimin e mendimeve të intelektualëve me vlera për të. Është meritë e padiskutueshme e autorit IsmetSylejmani, që të na japë heroin, jo vetëm me vështrimet e veta, po edhe me vështrimet e të tjerëve, e në çdo vështrim duke dhënë madhështinë e merituar të tij. Emri i Ramiz Cernicës lidhet pazgjidhshmërisht me emrin e qytetit të Lidhjes së Prizrenit, të këtij qyteti, i cili, si në kohën e Abdyl Frashërit më 1878-n, edhe tani më 1945, do të buçiste zëri kumbues i Ramiz Cernicës për t’u bashkuar me Shqipërinë. Në këtë vizion shkon bukur figura e Ramiz Cernicës, këtij martiri të guximshëm për ta sjellë të renë. Dikush duhet të bëhet fli për të renë dhe RamizCernica u bë i tillë. Personalitete të tilla dalin në kapërcim kohërash dhe kanë ngjashmëritë e tyre historike. Ramiz Cernica përfaqësonte në atë mbledhje një vullkan të ndezur shqiptarie të rrallë që, si bir i popullit, ai u bë nismëtar i realizimit të aspiratave të popullit. Në këtë kuptim kjo figurë na flet edhe sot, e na përcjell mesazhin për sot e për nesër për t’u përballur me sfidat e reja siç u përball kjo figurë atë kohë. Personaliteteve të mëdha në histori u rrezatojnë veprat e tyre dhe mbartin në vetvete bërthama filozofike prej nga mund të mbjellësh shumë pemë ëndrrash dhe të inspirohesh prej tyre.

Autori Ismet Sylejmani ka bërë një punë fisnike duke ia dhënë lexuesit këtë libër. Mund të shkruhen edhe libra të tjerë për të, të shihet ai në kënde të ndryshme primtimi dhe figura e tij do të plotësohet më shumë. Këtë libër do ta quaja një libër me shumë vlerë, ku mjaft personalitete të rëndësishme janë shprehur për të, personalitete që merren çdo ditë me studimin e figurave atdhetare dhe plotësojnë një kuadër njohës të rëndësishëm në zbulimin e vlerave. Figura e Ramiz Cernicësgjeneron dritë e shkëlqim për t’u orientuar edhe sot për tek e ardhmja e lirisë dhe e zhvillimit. Nga libri i Ismet Sylejmanit mësojmë atë se si duhet të jetë një tribun popullor, që diti të depërtojë në zemrën e njerëzve dhe të mësonin prej tij. Në këtë pikëpamje, Ramiz Cernica na jep modelin e njeriut që di dhe mundohet të dijë, që kërkon dhe zbaton, model që duhet përqafuar nga masat e gjëra të popullit sepse ai e dinte se çfarë donte populli.

Në librin e vet Ismet Sylejmani na sjell Ramiz Cernicën si një figurë që u flet kohëve. Ai nuk është figurë e vetme, po është një ndër ata bij të Cernicës, kësaj treve të lashtë, që dhanë shumë për ta bërë kombin shqiptar për ta bashkuar atë.

Ky libër fillon me një parathënie të botuesit të gazetës prestigjioze “Epoka e re”, Muhamet Mavraj, thëniet më pikante të të cilit po përpiqem t’i shpalos. Ai e fillon këtë parathënie duke u shprehur: “Në cilindo vështrim projektues që ta marrim, nga perspektiva e zogut sipër apo e shqiponjës në distancë përballëse, formula e jetës së Ramiz Cernicës përmban ide larghedhëse më shumë se një këngë në bisht të lahutës, nën hije mrizi gjatë verës a prapa stufës gjatë dimrit”.

“Ishin dy anë të kundërta, Shqipëria ideale dhe Serbia reale”, do të shkruante Muhamet Mavraj. Shumë lapidare është edhe një shprehje e Muhamet Mavrajtnë këtë parathënie kur shprehet: “Shqiptarët në dy shtete e gjysmë dhe disa copëra të tjera etnike në shtetet e tjera po synojnë të integrohen ndërkombëtarisht pa u integruar kombëtarisht. Jo, s’ka integrime ndërkombëtare pa integrime kombëtare! S’ka integrime të shëndetshme evropiane pa integrime shqiptare! E ka thënë në rrethana të tjera dhe me pasoja të tjera, ai, Ramiz Cernica, por edhe në vitin 2500 ‘me Shqipërinë Po’, kuptimi dhe rëndësia do të jetë e njëjtë... Me Shqipërinë ‘Po’ është ruajtje e kompaktësisë kombëtare të stërnipave tanë të vitit 2500 e më vonë... Ramiz Cernica ishte vizionar dhe meriton nderimin e Kombit”.

Libri i Ismet Sylejmanit fillon që me shkrimin e tij të parë të shkruar në gazetën “Bujku” të datës 25 prill 1993, kohë që ishte shumë e vështirë të shkruaje por, siç duket, edhe autori i librit frymëzohej nga guximi dhe heroizmi i RamizCernicës që të shkruante e të vepronte ashtu. Në atë shkrim me titullin “Personalitet larguamës dhe popullor”, ndër të tjera, do të shkruajë: “RamizCernica u lind më 25 maj 1903 në fshatin Cernicë të Gjilanit. Në vitet 1934-1944 do ta ushtronte detyrën e kryetarit të Komunës... (në përbërje të së cilës përfshiheshin 10 fshatra me qendër Parteshin)…. Ramiz Cernica është ndër ata bij të rrallë të popullit shqiptar, madhështia e personalitetit të të cilit shkëlqeu në mënyrë të veçantë në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës në korrik të vitit 1945 në Prizren, kur me vendosmëri e heroizëm të pashembullt iu kundërvu në mënyrë të hapur diskutimeve dhe vendimeve tradhtare e antishqiptare të atij Kuvendi… mbylli sytë më 25 maj 1979...

Është detyrë e historianëve dhe e të gjithë atyre që e kanë njohur, e bashkëluftëtarëve dhe e bashkëmoshatarëve, ta japin kontributin e tyre nënndriçimin sa më të plotë e të gjithanshëm të kësaj legjende të Kuvendit të Kosovës”.

Nuk do të kalonin as dy javë dhe më 9. 5. 1993 do të mbahej nën drejtimin e IsmetSylejmanit një akademi politike dhe autori do ta mbante një fjalim me titull “Tribun i kombit” dhe në krye të materialit ishte thënia lapidare e RamizCernicës “Kosova është e Shqipërisë dhe asaj duhet e do t’i takojë patjetër”.

Autori në këtë akademi do të thoshte: “…Ramiz Cernica është e do të mbetet simbol i luftëtarit pa kompromis për bashkim kombëtar”.

Do të duhej të vinte viti 2007, kohë në të cilën Ismet Sylejmani drejtonte Klubin Politik “Afrim Zhitia” që të organizonte një akademi madhështore dhe do ta fillonte punën e tij, pikërisht në ato ditë të Vitit të Ri, e pikërisht më 3.1.2007, ku mban një fjalim të gjatë e të zjarrtë, ku unë nuk do të trajtoj këtu se çfarë u tha në atë akademi, por do të ndalem në atë thirrje që do ta quaja testament të fuqishëm për të gjithë ata që kanë sy e veshë për të parë e për të dëgjuar, që thotë: “...Për Ramiz Cernicën meriton të bëhet shumë më shumë. Ia kemi borxh. Prandaj, politikanë dhe historianë, Klubi Politik ‘Afrim Zhitia’ ju kërkon që kjo figurë të ketë trajtim special. Shpejtoni! Sot o kurrë, figura e tribunit RamizCernica duhet të vendoset edhe zyrtarisht në panteonin e kombit”.

Autori me një mjeshtëri të rrallë ka vendosur në libër edhe një artikull të shkruar në gazetën “Epoka e re” në 107-vjetorin e lindjes së Ramiz Cernicës me titull “Ramiz Cernica e mban të gjallë ëndrrën e bashkimit kombëtar”.

Më 27.9.2011 mbahet një akademi përkujtimore për ta promovuar librin e shkruar nga Ibrahim Kadriu me titull “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar”.

Edhe këtu autori do ta mbante një fjalim të zjarrtë, duke shtruar edhe detyra për zgjidhje. Titulli i fjalimit ishte “Hero i Kuvendit të Prizrenit”.

Autori e mbyll librin me fjalën e tij të zjarrtë e me detyra konkrete në kuadër të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë që u mbajt në Gjilan në nëntor 2012 me titull “Besnik i interesave të atdheut”.

Në fund të kësaj akademie u vendosën 100 kurora me lule në vendin ku u propozua që t’i ngrihet shtatorja gjigante Ramiz Cernicës.

Do të dëshiroja të theksoja se në dy akademitë e fundit kam qenë edhe unë jo vetëm pjesëmarrës, por kam pasur privilegjin të mbaj edhe fjalë rasti. E veçanta që doja të theksoja është se në këto akademi kanë folur shumë personalitete të Kosovës, por dhe nga trojet e tjera shqiptare.

Siç thashë që në fillim, se në këtë libër janë hedhur dhe vlerësime nga personalitete e figura të spikatura, si profesorë e doktorë shkencash, rreth librit me autor IsmetSylejmanin, por fati më qëlloi edhe mua të jepja vlerësime rreth këtij libri, e fati më shoqëroj edhe më tej duke qenë i pari në vlerësimet që do të jepja. Dhe unë vlerësimet e mia i titullova “Libri juaj, vëlla Ismet Sylejmani, është një zë i fuqishëm dhe i lartë e që dialogun vetëm me atdheun e në shërbim të tij”. Pasi kam dhënë mendimet e mia, të cilat janë quajtur vlerësime si për librin dhe për heroin e kombit Ramiz Cernicën, ndër të tjera, kam thënë: “...Ai vdiq në ditën e lindjes për të mos u kujtuar kurrë mes të vdekurve, por për t’u kujtuar gjithmonë mes të lindurve të këtij kombi.

Sot me këtë libër që Ismet Sylejmani po sjell para nesh, po na sjell të gjallë edhe heroin e madh, tribunin e kombit, Ramiz Cernicën.

E kush më mirë se vëllai e miku i tërë shqiptarëve, Ismet Sylejmani, mund t’i ringjallë heronjtë. Ky trim që, edhe mbi kokë i tundej kamxhiku i Serbisë, pa iu dridhur qerpiku, doli e mbajti fjalime madhështore, zgjoi ndërgjegjen kombëtare, ia hapi sytë popullit të tij, i tregoi regjimit serbo-sllav se ky vend ka zot, e zoti i këtij vendi jemi ne, ne populli i thjeshtë shqiptar që një ditë nuk do të jemi më të ndarë, por do të jemi të lirë në trojet që të parët tanë na lanë...

...I uroj nga zemra shumë suksese të mëtejshme në të mirë të tij e të kombit, duke përcjell atdhedashuri edhe në brezat e rinj që nesër do të jenë e ardhmja e vendit e do ta realizojnë bashkimin kombëtar. Në vlerësimet e librit ka shkruar edhe prof. dr. Nusret Pllana me titull: “Ideali kombëtar i Ramiz Cernicës dhe koha jonë”. Midis të tjerave ai shkruan: “…Autori i veprës kushtuar Ramiz Cernicës, luftëtari i lirisë, Ismet Sylejmani, mëton t’i gjejë disa nga pikat thelbore të idesë së bashkimit kombëtar...

…Këto dy rrafshe të njohjes së figurës së Ramiz Cernicës janë dy çështjet thelbore për të cilat ia vlen të sakrifikohet njeriu, qoftë në faltoren e Kuvendit të Prizrenit më 1945, qoftë në luftë me armë në dorë, si ushtar i Adem Jasharit, i cili edhe në programin e luftës së tij, por edhe me aktin e rënies së tij, e kishte bashkimin me Shqipërinë, pra bashkimin kombëtar...

...Shkrimet e autorit Ismet Sylejmani, që datojnë që nga viti 1993, atëherë kur terrori i pushtuesit serb kishte dalë hapur kundër pranisë fizike të shqiptarëve në këtë pjesë të tokës shqiptare, e deri në njëqindvjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, që u kremtua më 2012, aktualizojnë përherë kërkesën e madhe të thënë që më 1945, në Kuvendin e Parë të Kosovës, në Prizren, për nevojën e realizimit të së drejtës historike, se një popull i ndarë me dhunë, është vlerë historike dhe jetësore që të bashkohet. Pra, akti i bashkimit kombëtar, në rrugë politike apo në rrugë ushtarake, është e drejtë e natyrshme e popujve. Këtu e tutje varet nga populli i ndarë, që t’i gjejë mënyrat e realizimit të kësaj të drejte të natyrshme”.

Do të duhej një kapitull i veçantë për të shkruar e për të folur për vlerësimet që jep për librin, si për autorin dhe për heroin e Kombit, Isa Ferizaj, me titull: “Librat për heronjtë nuk kanë ‘mbyllje’ kurrë”, por unë do të shkëpus një fragment fare të shkurtër ku thotë: “Ai zë ishte vazhdimësia e zërit e vendimeve të Konferencës së Bujanit (31. 12. 1943 e 1-2. 01. 1944), ku në rezolutën e asaj konference me rëndësi kombëtare theksohej se: “Me përfundimin e LANÇ-it populli i Kosovës e i Rrafshit të Dukagjinit kanë të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputjen e bashkimin e tyre me Shqipërinë”.

Vlerësime shkencore ka bërë edhe profesori i Fakultetit Juridik të Prishtinës,Flamur Hyseni, me titull: “Vizioni politik i Ramiz Cernicës dhe guximi politik për vendime të mëdha”, i cili thotë: “...sikurse kishte vendosur Ramiz Cernica në atë kuvend, është de fakto dhe de jure: ‘Jo me Serbinë’”. Dhe libri përmbyllet me një shkrim të djalit të heroit të kombit Ramiz Cernica, Abdyl Hoxha, me titull “Ismeti ringjalli veprimtarinë dhe shëmbëlltyrën madhore të babait Ramiz”, i cili thotë: “...Në fazën e pjekurisë, Ismeti, si anëtar i Komitetit Drejtues të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), por edhe në kohën më të vështirë të Kosovës, organizoi akademinë e parë politike për babanë tonë. Vite më pas i organizoi edhe dy akademi të tjera kombëtare. Kontribuoi edhe për dekorimin e Ramiz Cernicës me ‘Shqiponjën e Artë’ nga presidenti i Shqipërisë…”.

Ndue Dodaj

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 49 vizitorë
Lexuar: 644 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi