Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
VRASJA E VËLLEZËRVE BYTYQI ËSHTË AKT GJENOCIDAR
Publikuar më 30 maj, 2015 në orën 14:27 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Aleksandër Vuçiqi dhe fshehja e gjenocidit

Deklarata e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçit në OKB se Kosova do ta padisë Serbinë për gjenocid dhe se do të kërkojë dëmshpërblim për krimin më të rëndë kundër njerëzimit që aplikoi shteti serb në Kosovë nxiti reagime të menjëhershme të palës serbe. Nga të gjitha reagimet serbe po veçoj reagimin e Kryeministrit serb Aleksandër Vuçiqit, i cili deklaroi se gjoja “Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e kupton se çfarë është gjenocidi sepse ai nuk është jurist dhe deklarata e tij nuk është e bazuar në fakte”.

Çështjen e “domosdoshmërisë” për të qenë jurist apo “për t’u bazuar në fakte” për krimin e gjenocidit serb në Kosovë, e kam trajtuar në librin «Mashtrimi i Madh». Kryeministrit serb nuk po i citoj juristë të huaj apo fakte nga pala shqiptare për të dëshmuar se në Kosovë ka ndodhur gjenocidi dhe se falë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s përmasat e gjenocidit ishin më të vogla se sa kishte paraparë shteti serb. Në këtë rast po përmendi vetëm deklaratën e ministrit serb të Punëve të Jashtme, Goran Svilanoviqit, i cili në zyrën e Carla Del Ponte-s, më 3 tetor 2003, përpiqej të arsyetonte shkaqet e refuzimit të dorëzimit të arkivit të Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë. Në këtë takim, Goran Svilanoviqi theksoi haptazi se “nëse ua dorëzojmë arkivin e Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë ju do ta dënoni Millosheviqin për gjenocid, Serbia do të dënohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për gjenocid dhe do të duhet t’i paguajmë miliarda dollarë dëmshpërblim...”
Besoj se Aleksandar Vuçiqi nuk ka harruar se Ministrit i Punëve të Jashtme të Serbisë, Goran Svilanoviqit ishte jurist i diplomuar dhe magjistruar në Fakultetin Juridik të Beogradit. Goran Svilanoviqit e dinte fare mirë, madje edhe nga këndvështrimi i juristit, se të gjitha faktet dëshmonin në mënyrë të pakontestueshme se në Kosovë shteti serb ka kryer gjenocid kundër shqiptarëve. Prandaj, ai refuzonte ta dorëzojë arkivin përplot dëshmi për gjenocid.
Të gjithë ata që kanë pasur mundësi ta lexojnë Konventën Ndërkombëtare për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit, qofshin juristë, politologë, historian apo të disiplinave tjera shkencore dhe që kanë njohuri me atë që ka ndodhur në Kosovë e dinë fare mirë se krimi i shtetit serb në Kosovë nuk ka emër tjetër pos GJENOCID!
Edhe Aleksandër Vuçiqi, jurist i Universitetit të Beogradit, që bënte pjesë në aparatin shtetëror që kreu këtë gjenocid, është plotësisht i vetëdijshëm, në cilësinë e juristit, se Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi ka plotësisht të drejtë në qëndrimet e shprehura në OKB. Aleksandër Vuçiqi e di fare mirë se të gjitha faktet e krimeve serbe në Kosovë dëshmojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se Serbia ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve. Por sot, në cilësinë e Kryeministrit, përpiqet të mohojë vërtetësinë e krimit me qëllim të dekurajimit të shqiptarëve që të mos akuzojnë Serbinë për gjenocid.
Në funksion të kësaj strategjie dhe me qëllim të krijimit të një imazhi të ri, dy ditë para se të niset për në SHBA, Kryeministrit serb Aleksandër Vuçiqit paralajmëroi se do të formojë një komision lidhur me vrasjen e shtetasve amerikan me origjinë shqiptare, tre vëllezërve Bytyqi (Yllit, Agronit dhe Mehmetit).
Në vijim, duke u bazuar vetëm në faktet serbe, do të nxjerr në shesh se vrasja e vëllezërve Bytyqi është akt gjenocidar dhe se Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi është pjesëmarrës në strategjinë e fshehjes së kryerësve të gjenocidit ndaj shqiptarëve.

Si u vranë dhe kush i vrau vëllezërit Bytyqi?

Goran Radosavljeviq Guri, që ishte drejtpërsëdrejti i implikuar në krimin e kryer kundër civilëve shqiptarë në fshatin Reçak pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova u emërua komandant i Qendrës Mësimore në Petrovo Selo. Kjo qendër ishte njëra nga qendrat më të njohura për trajnime të forcave speciale të Policisë së Serbisë. Me gjithë avancimet në funksion, gjurmët e krimit e ndiqnin gjithkund.
I pyetur nga gazetari i gazetës serbe «Blic», se si ishte e mundur që një bashkëpunëtor i ngushtë i Nebojsha Pavkoviqit, Sreten Lukiqit dhe Vladimir Lazareviqit, që kishin përfunduar në Hagë për krimet e bëra në Kosovë, ende nuk ishte arrestuar, komandanti i aksionit policor në Reçak, Goran Radosavljeviq Guri, përgjigjet:
“Lukiqi dhe Pavkoviqi janë në Hagë për shkak të përgjegjësive komanduese. Ata nuk kanë mundur ta dinë se cilët janë autorët e vrasjeve! Unë në Kosovë kam qenë zëvendës i Sreten Lukiqit dhe funksioni më ka shpëtuar nga Haga.”
Goran Radosavljeviq Guri mendon se nuk dihet se “cilët janë autorët e vrasjeve” në Kosovë dhe përpiqet të fshihet prapa fun¬ksionit që ka pasur në zinxhirin komandues. Kur është fjala për përgjegjësitë komanduese në kryerjen e krimeve kundër shqip¬tarëve dhe “shpëtimi nga dënimi vetëm për shkak të funksionit”, po sjell për lexuesin vetëm një shembull: «Rastin e vëllezërve Bytyqi».
Krahas vazhdimit të krimeve të këtij gjenerali të policisë serbe, ky rast do t’i mundësojë lexuesit të shohë mungesën e vull¬netit të autoriteteve të Beogradit për të nxjerrë kriminelët përpara drejtësisë.
Në përshkrimin e «Rastit të vëllezërve Bytyqi» do t’u refe¬rohem kryesisht burimeve zyrtare serbe. Aktakuza e Prokurorisë për Krime Lufte në Beograd, Vendimi i Gjykatës së Lartë, Seksioni për Krime Lufte dhe Vendimi i Gjykatës së Apelit përmbajnë informata të mjaftueshme për të kuptuar se çka ndodhi në Qendrën Mësimore të Petrovo Selo-s, të komanduar nga Goran Radosavljeviq Guri.
Në vijim po sjell për lexuesin pjesë nga këto vendime.
Sipas të dhënave që përmenden në Vendimin e Gjykatës së Lartë të Serbisë, të Seksionit për Krime Lufte, të datës 9 maj 2012 “çdo gjë filloi më 26.06.1999”.
Në këtë ditë qershori, tre vëllezër: Yll Bytyqi (1974), Agron Bytyqi (1976) dhe Mehmet Bytyqi (1978), shtetas amerikanë me origjinë nga Kosova, duke dashur t’u ndihmonin dy familjeve rome që udhëtonin për në Serbi, i marrin në veturat e tyre dhe në vend që të ndaleshin në afërsi të kufirit, duke mos njohur vendin, kishin kaluar kufirin administrativ të Kosovës dhe kishin hyrë në territorin e Serbisë. Ndalohen nga pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, në një checkpoint në vendin Rudar. Dënohen nga Gjykata për Kundërvajtje e Kurshumlisë me nga 15 ditë burg për kalim ilegal të kufirit shte¬tëror. Më 27 qershor dërgohen në Burgun e Qarkut të Prokuples për të vuajtur dënimin. Për shkak të sjelljes së mirë gjatë vuajtjes së dënimit, u pranua kërkesa për lirim me kusht dhe u parashikua të liroheshin para kohe, më 8 korrik. Megjithatë, për rastin e tyre u njoftuan instancat më të larta në Beograd, madje edhe ministri i policisë, Vlajko Stojiljkoviqi.
“Një ditë para se vëllezërit Bytyqi të liroheshin nga burgu, gjenerali Vlastimir Gjorgjeviq Rogja, shef i Resorit për Siguri Publike në MPB të RS-së, nëpërmjet telefonit kontaktoi me Qendrën Mësimore në Petrovo Selo. Në mungesë të komandantit Goran Radosavljeviq Guri në linjën telefonike u përgjigj Sreten Popoviqi, zëvendëskomandant i kësaj qendre. Gjenerali Gjorgjeviq e urdhëroi të akuzuarin, Popoviqin që të angazhonte disa pjesëtarë të njësisë së vet, të shkonin në Prokuple dhe sapo të dilnin nga burgu vëllezërit Bytyqi të arrestoheshin dhe të dërgoheshin në Qendrën e Petrovo Selo-s. Sipas të njëjtave udhëzime, vëllezërit Bytyqi duhej të mbaheshin në këtë qendër deri sa të vinin pjesëtarë të MPB-së të RS-së që t’i merrnin. Për këtë operacion ishin të informuar shefi i Seksionit Policor të Prokuples dhe Drejtoria e Burgut të Qarkut të Prokuples. Të gjithë së bashku koordinuan aksionin dhe kjo dëshmon se kishim të bënim me një aksion të organizuar mirë”, theksohet në vendimin e lartpërmendur.
Duke vepruar sipas urdhrave të eprorëve të tyre, Sreten Popo¬viqi, Milosh Stojanoviqi, qi, Dejan Stamen¬koviqi dhe pjesëtarë të tjerë të MPB-së të RS-së arrestuan tre vëllezërit Bytyqi, i dërguan në Qendrën Mësimore në Petrovo Selo, i mbajtën të lidhur në një lokal me derë të hekurt dhe me 9 korrik ua dorëzuan personave të panjohur (!!!) të MPB të Serbisë. Këta pjesëtarë të policisë serbe, që në dosjen e vëllezërve Bytyqi përmenden si persona NN (të paidentifikuar!), “i lidhën me tel këta shtetas amerikanë me origjinë shqiptare, i dërguan rreth 500 metra nga Qendra Mësimore, hapën zjarr nga armët e tyre dhe i goditën në pjesën e pasme të kokës.”
Me kërkesë të vazhdueshme të SHBA-ve, autoritetet e Beogradit urdhëruan hapjen e hetimeve. Kjo detyrë iu ngarkua Gjykatës së Qarkut në Negotin. Për të hedhur dritë mbi këtë krim u ngarkua ekipi i ekspertëve nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Nishit, nën udhëheqjen e dr. Vujadin Otasheviqit. Kohë pas kohe, hetimet u monitoruan nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, nga Qendra Juridike Humanitare dhe nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.
Në afërsi të Qendrës për trajnimin e njësive speciale të for¬cave policore serbe, që ishte nën komandën e Goran Radosavljeviq Gurit, u zbuluan dy varreza masive.
Zhvarrosja nga varreza e parë, që hetuesit e emëruan «Petrovo Selo I», përfundoi më 26 qershor 2001, kurse në varre¬zën e dytë, të emëruar «Petrovo Selo II», hulumtimet përfunduan më 28 qershor 2001.
Të njëjtën ditë, më 28 qershor 2001, Qeveria e Serbisë emëroi Goran Radosavljeviq Gurin në detyrën e shefit të Xhandarmërisë së Republikës së Serbisë. Ngritja në funksionin e ri, që ishte si shpërblim për krimet e kryera kundër shqiptarëve, bëri që të heshtej përgjegjësia e komandantit të Qendrës Mësimore në Petrovo Selo për dy varrezat masive.
Sipas ekspertizës së Mjekësisë Ligjore serbe për të dy varre¬zat masive në Petrovo Selo u konstatua se “në 60 raste vdekja ishte shkaktuar nga plagët me të shtëna armësh, 9 persona kishin vdekur nga plagë prej mjeteve jo të mprehta, kurse në 8 raste shkaktari i vdekjes ishte i panjohur.” Në mesin e kufomave të varrosura në këto varreza ishin edhe tre vëllezërit: Mehmet Bytyqi (21-vjeçar), Agron Bytyqi (23-vjeçar) dhe Yll Bytyqi (25-vjeçar).
Kjo ekspertizë dëshmoi se Goran Radosavljeviq Guri e kishte shndërruar Qendrën Mësimore të forcave speciale të policisë serbe në Petrovo Selo, në një qendër të “mësimit praktik” se si të ekzekutoheshin shqiptarët.
Zhvarrosja “hoqi dheun” me të cilin autoritetet politike, ushtarake dhe policore të Beogradit ishin përpjekur t’i mbulonin krimet. Një vendim të rëndësishëm në drejtim të ndriçimit të rasteve miratoi edhe Kuvendi i RFJ-së. Më 11 prill 2002, ky kuvend miratoi Ligjin për bashkëpunim me Gjykatën Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Në ditën e miratimit të këtij ligji, ish-ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Vlajko Stojiljkoviqi, ndaj të cilit Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë kishte ngritur padi penale për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës, vrau veten me plumb në kokë! Vetëvrasjen e bëri publikisht para ndërtesës së Kuvendit të RFJ-së, në orën 19:10.
Sado shpresëdhënës që ishte vendimi për bashkëpunim me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, praktika dëshmoi se realizimi konkret i tij hasi në pengesa të mëdha, që janë të lidhura me logjikën e moçme të “fshehjes së krimit në rrugë institucionale.”
Pesë vjet pas zbulimit të kufomave të vëllezërve Bytyqi, më 23 gusht 2006, Prokuroria për Krime Lufte në Beograd ngriti aktpadi penale kundër zëvendëskomandantit të Qendrës Mësimore të Petrovo Selo-s, Sreten Popoviqit dhe pjesëtarit tjetër të policisë serbe, Milosh Stojanoviqit. Akuza i ngarkoi “për krim lufte ndaj robërve të luftës.” Ndërsa, dy pjesëtarët e tjerë të MPB-së të RS-së, Aleksandar Nikoliqi dhe Dejan Stamenkoviqi, përkundër asaj se përmenden në faqen 2 të aktakuzës si bashkëpjesëmarrës në rrëmbimin e vëllezërve Bytyqi, ndaj tyre nuk u ngrit akuza. Në vend të përgjegjësive penale, me të cilat duhej të ballafaqoheshin, ata u ftuan në cilësi të “dëshmitarëve”, në të njëjtën mënyrë siç u veprua edhe ndaj “Milenko Arsenijeviqit, Aleksandar Gjorgjeviqit, Marjan Mijatoviqit, Milovan Vuçiqeviqit, Milisav Vuçkoviqit dhe policëve të tjerë të implikuar në këtë krim.”
Për të humbur gjurmët e implikimit në këtë krim, “më 17 gusht 2004, Goran Radosavljeviq Guri largohet nga posti i shefit të Xhandarmërisë Serbe dhe transferohet si këshilltar në MPB-së të RS-së. Por, në dhjetor të vitit 2006, me urdhëresë të Gjykatës për Krime Lufte, ndaj tij u lëshua një urdhër arresti për shkak të implikimit në vrasjen e vëllezërve Bytyqi.”
Më 14 shkurt 2007, gazeta qeveritare e Beogradit, «Politika» solli në ballinën e saj artikullin e titulluar «Guri në arrati», në të cilin jepeshin detaje për motivet e kësaj arratie. Në të njëjtën kohë, gazeta informoi se Goran Radosavljeviq Guri ndodhej në Libi, ku trajnonte forcat speciale të Mouammar Khadhafit. Ikja e tij nuk ishte e papritur, theksohej në këtë artikull.
Krahas komandimit të forcave speciale të policisë serbe në krimet e bëra në fshatin Reçak dhe në Petrovo Selo, Goran Rado¬savljeviq Guri komandonte edhe forcat famëkëqe “paramilitare” «Tigrovi», të krijuara nga krimineli i njohur Zheljko Razhnatoviq-Arkan. Këtë informatë e pohoi Aleksandar Vasiljeviqi, zëvendësshefi i Drejtorisë së Sigurisë së Ushtrisë Jugosllave. Megjithatë, as funksioni i komandantit në strukturat që u dëshmua se kishin kryer krime në Petrovo Selo, nuk ndikoi që ky kriminel të përgjigjej për veprat e kryera.
Në shkrimin lidhur me proceset gjyqësore në Serbi për krime lufte, Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd përmend mungesën e vullnetit për të ndriçuar krimet e bëra dhe për të dënuar ata që ishin implikuar në krime. Në këtë kontekst, ky fondacion serb theksonte: “Karakteristika kryesore e këtyre gjykimeve është fakti se nuk ndërmerret asgjë kundër urdhër¬dhënësve e as kundër ekzekutuesve të drejtpërdrejtë të krimeve. Ka indikacione se udhëheqësi i Kampit në fshatin Petrovo Selo, Goran Radosavljeviq Guri, ka ikur jashtë vendit dhe me dijeninë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Qeverisë së Serbisë dhe të Prokurorisë për Krime Lufte, para fillimit të procesit edhe pse është ditur se dyshohej për përgjegjësinë e tij për këtë krim.”
Pas procesit gjyqësor që zgjati pesë vjet, me vendim të Gjykatës së Lartë të Serbisë, të Seksionit për Krime Lufte, të datës 9 maj 2012, Sreten Popoviqi dhe Milosh Stojanoviqi u liruan nga aktakuza si të pafajshëm.
Edhe Gjykata e Apelit në Beograd, Seksioni për Krime Lufte, në seancën e 18 janarit 2013 hodhi poshtë ankesën e prokurorit dhe vërtetoi vendimin e Gjykatës së Lartë të Beogradit të datës 12 prill 2012.
Sipas këtyre vendimeve “nga ana e Gjykatës së Lartë të Beogradit janë dhënë mjaft arsye të argumentuara, ku nuk ka asgjë të paqartë, asgjë jologjike dhe asnjë kundërthënie se vëllezërit Bytyqi nuk kanë qenë robër lufte:

 sepse lufta kishte përfunduar më 9 qershor 1999, me nënshkrimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Ku¬ma¬novës;
 edhe pse kanë qenë pjesëtarë të «Batalionit Atlantiku», në momentin e arrestimit nuk kanë qenë pjesëtarë të asnjë njësiti ushtarak ose policor dhe nuk kanë qenë duke kryer ndonjë detyrë ushtarake ose policore;
 në ditën e arrestimit nuk kanë qenë në ndonjë mision të armatosur luftarak, por misioni i tyre ishte skajshmërisht humanitar dhe bamirës;
 në momentin e arrestimit nuk kanë qenë të armatosur, nuk kanë pasur uniformë ushtarake ose policore;
 kanë qenë të veshur me tesha civile (bluza, këmisha, pan¬ta¬llona, xhinse...) dhe rrjedhimisht nuk mund të konsi¬derohen robër lufte që kanë rënë në duart e armikut.”

Nga ana tjetër, u vërtetua se:
 “të akuzuarit, Sreten Popoviqi dhe Milosh Stojanoviqi, nuk kanë mundur ta dinë se personat NN, pjesëtarë të policisë, do t’i vrasin vëllezërit Bytyqi. Askush nuk u ka thënë një gjë të tillë dhe se ata kanë zbatuar urdhrat e eprorëve të tyre;
 në bazë të ekspertizës së profesorit të Mjekësisë Ligjore të Nishit, dr. Vujadin Otasheviqit, vëllezërit Bytyqi kanë mundur të dërgohen në Beograd dhe pas një kohe të konsiderueshme të vriten e pastaj të sillen në varrezën masive të Petrovo Selo-s; “Ata kanë mundur të jenë vrarë një ditë, dy ditë, tre ditë, pesë ditë, një muaj, dy muaj, tre muaj para se të varroseshin këtu. Këtë gjë, në aspektin mjekoligjor, nuk mund ta konstatoj. Por, është i e sigurt se nuk janë vrarë pranë varrezës masive!”
 Në bazë të ekspertizës së këtij profesori të Mjekësisë Ligjore u “vërtetua se eshtrat e thyera që u konstatuan gjatë autopsisë së viktimave, nuk kishin qenë pasojë e torturës dhe se në aspektin mjekësor nuk mund të thuhet se si ka ndodhur. A janë shkaktuar nga ekskavatori apo në ndonjë formë tjetër, nuk mund ta dimë.” “Janë gjëra që ndodhin. Nuk duhet të kesh shumë njohuri nga mjekësia për ta ditur se edhe njeriut që ecën rrugës, kur i rrëshqet këmba, rrëzohet në diçka të fortë e thyen këmbën. E lëre më të hidhet nga lartësia e kamionit ose nga ndonjë lartësi tjetër dhe të bjerë në ndonjë dru, në ndonjë gur ose në ndonjë send të fortë”, deklaroi dr. Vujadin Otasheviqi gjatë procesit gjyqësor kundër Sreten Popoviqit dhe Milosh Stojanoviqit. Në vend të ekspertit mjekoligjor, ai u shndërruar në avokat të këtyre dy të akuzuarve.

Në fund të këtij procesi, meqenëse nuk u konstatua se kur ishin vrarë vëllezërit Bytyqi dhe këmbënguljes së dr. Vujadin Otasheviqit se vëllezërit Bytyqi nuk janë ekzekutuar pranë varre¬zave masive, gjykata liroi Sreten Popoviqin dhe Milosh Stojanoviqin si të pafajshëm! Ata i liruan nga akuza dhe ua kthyen pasaportat që u ishin marrë më parë.
Në vendimin e 9 majit 2012, Gjykata e Lartë e Beogradit, Sek¬sioni për Krime Lufte, theksoi se “Prokurorisë i mbetet një detyrë e rëndë ta zbulojë se kush, pse dhe me urdhër të kujt u vranë këta tre të rinj. Jemi thellësisht të bindur se askush, madje as tre vëllezërit Bytyqi nuk e kanë merituar që jetën e tyre të re ta përfundojnë me plumb në kokë, me sy të mbyllur, me duar të lidhura me tel dhe të varrosen në varrezë masive në periferi të Serbisë.”
Sado revoltuese të jetë një vendim i tillë dhe tallës “keqardhja” e lartpërmendur për fundin e jetës së tre të rinjve “me plumb në kokë, me sy të mbyllur dhe me duar të lidhura me tel” kjo dëshmon se sa thellë janë të rrënjosura në strukturat politike, ushtarake, policore, gjyqësore dhe mediatike format e mentalitetit të vjetër ku “tjetri” shihet si “objekt që duhet asgjësuar!”
Nga të gjithë të implikuarit në këtë krim, vetëm shefi i Resorit për Siguri Publike në MPB të RS-së, gjenerali Vlastimir Gjorgjeviqi, që u arrestua në bazë të akuzës së ngritur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës, u dënua me 27 vjet burg.
Gjatë procesit të gjykimit të tij, ai, për rastin e vëllezërve Bytyqi fajësoi ministrin e Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, Vlajko Stojiljkoviqin. Eprorin e vet, që bëri vetëvrasje publike para ndërtesës së Kuvendit të RFJ-së!
Është me rëndësi të përmendet fakti se gjenerali Vlastimir Gjorgjeviqi e pranoi akuzën, pranoi se ndihet fajtor për pjesë¬marrjen në krimet kundër shqiptarëve të Kosovës dhe u kërkoi falje familjarëve të shqiptarëve të vrarë të Kosovës.
“Në Kosovë, në vitin 1999 u bënë krime. Ato krime nuk i kam dashur dhe sikur të kisha pasur mundësi ta kthej kohën prapa do të kisha vepruar krejt ndryshe. Nuk kam pasur fuqi dhe mundësi t’i kundërvihem ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme, Vlajko Stojiljkoviqit. Nuk i jam kundërvënë fshehjes së krimit. Për këtë ndihem fajtor. Ndjej keqardhje të thellë për të gjitha viktimat në Kosovë dhe vuajtjeve që kanë përjetuar familjarët e tyre. Në veçanti u kërkoj falje të gjitha familjeve të shqiptarëve të Kosovës, që kanë humbur jetë. U kërkoj falje edhe personave të shpërngulur dhe ndaj dhembjen e tyre...” - deklaroi Vlastimir Gjorgjeviqi në Hagë.
Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Serbisë dhe shefi i Resorit për Siguri Publike, Vlastimir Gjorgjeviqi, pranon publikisht se në Kosovë, me urdhër politik, janë bërë krime kundër shqiptarëve të Kosovës dhe deklaron se ndihet përgjegjës pse nuk i është kundërvënë strategjisë së fshehjes së krimeve të bëra në Kosovë.
Nuk mund të gjykoj për sinqeritetin e pendimit të këtij kryepolici! Le të mbetet e drejta e secilit lexues!
Ajo që nxit të theksohet në këtë rast ka të bëjë me etikën profesionale të mjekëve ligjorë, që ishin ngarkuar të ndriçonin vrasjet e kryera me urdhër të strukturave politike, ushtarake dhe policore të Serbisë.
Profesori i Mjekësisë Ligjore të Universitetit të Nishit, dr. Vujadin Otasheviqi, tenton të na bindë se “eshtrat e thyera që u konstatuan gjatë autopsisë së viktimave të varrezave masive në «Petrovo Selo I» dhe «Petrovo Selo II» nuk kishin qenë pasojë e torturës (...), por ishin shkaktuar nga ekskavatori ose në ndonjë formë tjetër. Edhe më neveritëse janë banalizimet e tipit se nuk duhet të kemi shumë njohuri nga mjekësia për ta ditur se edhe njeriut që ecën rrugës, kur i rrëshqet këmba, rrëzohet në diçka të fortë dhe e thyen këmbën (...).”
Këmbënguljet e tij se vëllezërit Bytyqi nuk ishin vrarë pranë varrezës masive kishin për qëllim të vetëm të shfajësonin Sreten Popoviqin dhe Milosh Stojanoviqin, që ishin vetëm dy të akuzuar nga tërë zinxhiri komandues në kuadër të policisë serbe që rrëm-byen, keqtrajtuan dhe ekzekutuan vëllezërit Bytyqi. U ekzekutuan për të vetmen arsye se këta amerikanë ishin me prejardhje shqiptare dhe qëllimi i shtetit serb ishte shkatërrimi i tërësishëm apo i pjesshëm i shqiptarëve, si të tillë.
Po përmend rastin kur avokati kërkoi sqarime nga ky “ekspert i Mjekësisë Ligjore”, se pse kufomat i kishin pasur të lidhura duart me tel dhe sytë e mbyllur me shirit, nëse nuk janë ekzekutuar në atë vend, dr. Vujadin Otasheviqi u përgjigj me arrogancë: “Jo, nuk e di! Kjo nuk ka të bëjë me profesionin tim!” Atë që ai mundi të pohonte në përputhje me “fushën e tij profesionale”, në mënyrë të ngjashme si të Slaviša Dobriçaninit në Rastin e Reçakut, ka të bëjë me “faktet” se “gjatë zhvarrosjes u zbulua se njëra kufomë kishte uniformë me shenjën e UÇK-së, te tjetra u gjet e vizatuar harta e Kosovës, te i treti ishte harta e Gjermanisë në një bluzë e kështu me radhë...”
Sikur të mos ishte bërë publike se vëllezërit Bytyqi në ditën e arrestimit “nuk kishin qenë as me uniforma, as të armatosur e as në ndonjë mision luftarak”, profesori i Mjekësisë Ligjore të Universitetit të Nishit, dr. Vujadin Otasheviqi, do ta kishte përgjigjen e gatshme, në të njëjtën mënyrë, siç veproi anëtari tjetër i ekipit serb të Mjekësisë Ligjore për “Rastin e Reçakut”, profesori i Mjekësisë Ligjore i Universitetit të Beogradit, dr. Dushan Dunjiqi, në «Rastin e Srebrenicës».
Në pyetjen e njëjtë, por në kontekst tjetër, si dëshmitar në mbrojtje të liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiqit, në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, dr. Dushan Dunjiqi deklaroi se “në Srebrenicë janë ekzekutuar vetëm 400 njerëz, përderisa shumica e njerëzve që janë gjetur në varrezat masive të Srebrenicës nuk janë aspak viktima të ekzekutimeve të kryera në korrik të vitit 1995. Shumë prej tyre kanë mundur të kenë qenë vrarë pas korrikut të vitit 1995 ose para korrikut 1995. Shumë plagë kanë mundur t’u bëhen viktimave pos mortem dhe nuk kemi arsye t’i konsiderojmë si viktima të rastit të njëjtë. Madje, vetëm një numër shumë i vogël nga 400 të vrarët mund të konsiderohen si viktima të ekzekutimit. Ata që, kur u zhvarrosën, u konstatua se kishin duar të lidhura me tel ose me konop mund të konsiderohen të ekzekutuar. Ndërsa, për ata që kishin sy të mbyllur me shirit nuk mund të pohohet nëse u janë vendosur këto shirita, por se shiritat e këtillë janë shenja që i kanë mbajtur viktimat për t’u dalluar dhe pasi janë vrarë u kanë rënë mbi sy! ”
Po e përsëris! Sikur të mos ishte bërë publike se vëllezërit Bytyqi në ditën e arrestimit më 26 qershor 1999 nuk kishin qenë as me uniforma, as të armatosur e as në ndonjë mision luftarak dhe se kishin qenë në një mision humanitar, dr. Vujadin Otasheviqi do të kishte përsëritur atë që kishte thënë kolegu i tij, Dushan Dunjiqi për “shiritat që u kishin rënë nga balli dhe ua kishin zënë sytë!” Së paku ky është mendimi im. I mbetet lexuesit të gjykojë për etikën profesionale të këtyre profesorëve të Mjekësisë Ligjore që minimizojnë krimin dhe tentojnë ta paraqesin nga një kënd¬vështrim ideologjik dhe propagandistik!
Shfajësimi i kriminelëve që urdhëruan rrëmbimin, keq¬trajtimin dhe ekzekutimin e vëllezërve Bytyqi, është revoltues. Po aq revoltues është fakti se për viktimat e tjera të zhvarrosura nga varrezat masive «Petrovo Selo I» dhe «Petrovo Selo II» nuk u bë fjalë aspak! Është revoltues kur dihet se nuk u dënua askush nga zinxhiri komandues i kësaj qendre “mësimore”, ku njësitë speciale të policisë serbe kishin civilët shqiptarë si “lëndë të parë” për trajnimin praktik të ekzekutimit me duar të lidhura me tel dhe me sy të mbyllur me shirit!
Shpërthimi i revoltës që njihet si «Pranvera arabe» e detyroi Goran Radosavljeviq Gurin që të kthehej nga Libia në Serbi. Në vend të arrestimit për implikimin e tij në krimet e kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, ai u prit si hero në Serbi! Nga ofertat e shumta, ai zgjodhi të bëhej anëtar i Komitetit që kryeson Partinë Përparimtare Serbe, të kryesuar nga Kryeministri aktual i Serbisë, Alеksandar Vuçiqi.
Po i sjell për lexuesin, që nuk është i informuar se bëhet fjalë për partinë politike të themeluar nga presidenti aktual i Serbisë, Tomislav Nikoliqi, që ka qenë nënkryetarë i Partisë Radikale Serbe të Vojislav Sheshelit.
Edhe në cilësinë e anëtarit të Komitetit që kryeson këtë parti qeveritare të Serbisë, Goran Radosavljeviq Guri nuk mundi t’u ikte pyetjeve të gazetarëve lidhur me «Rastin e Reçakut».
Aleksandar Vuçiqi e di fare mirë se nën udhëheqjen e anëtarit të Komitetit Drejtues të partisë së tij, Goran Radosavljeviq Gurit, shqiptarët ishin shndërruar në “lëndë të parë” në Qendra “mësimore” në Petrovo Selo ku njësitë speciale të policisë serbe trajnoheshin praktikisht se si ekzekutoheshin shqiptarët me duar të lidhura me tel dhe me sy të mbyllur me shirit! Qëllimi i këtyre vrasjeve ishte që të shkatërroheshin shqiptarët tërësisht ose pjesërisht si të tillë. Ky akt gjenocidar, si të gjitha vrasjet tjerra të orkestruara dhe të kryera nga shteti serb në Kosovë janë në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare për parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit. Këtë gjë e di edhe Kryeministri i Serbisë dhe juristët serbë që reagojnë ashpër sa herë që përmendet ngritja e akuzës së gjenocidit në Kosovë.
Pa arrestimin e anëtarit të Komitetit Drejtues të partisë së tij, Goran Radosavljeviq Gurit dhe të gjithë të përfshirëve në këtë akt gjenocidar dhe pa pranimin publik se në Kosovë shteti serb ka kryer gjenocid, të gjitha deklaratat për “krijimin e komisioneve gjoja për të ndriçuar rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi” nuk janë asgjë tjetër pos deklarata tani më të njohura që kanë për qëllim të fshehin kriminelët e vërtetë dhe gjenocidin kundër popullit shqiptar të Kosovës.

Bardhyl Mahmuti

(Të gjitha të dhënat për citatet e mësipërme gjenden në librin tim «Mashtrimi i Madh», f.162-177)

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 50 vizitorë
Lexuar: 621 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi