Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Një skaner i shpejtë pas-zgjedhor
Publikuar më 24 qershor, 2015 në orën 20:26 ( ) Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Një çerek shekulli më parë, si zor të ketë pasur njeri me mënd në kokë që të parashikonte se edhe tani, përsa i përket zgjedhjeve, do të ishte po ai polarizim i skajshëm, po ato ulërima të liderve, po ato premtime të gënjeshtërta, po ajo turmë që i ndjek pas nëpër mitingje, edhe pse në më të shumtën e rasteve në mos në të gjitha, e di se po e gënjejnë dhe po e marrin me të mirë sa për t’i rrëmbyer votën.

Dhe ja, më në fund, zgjedhjet përfunduan. Vlerësime entusiaste, nga liderët e partive, nga analistët tanë mendje-ndritur, nga ndërkombëtarët që nuk i zë gjumi për ne e kështu me radhë, se ato u kryen normalisht dhe pa incidente. Vetë fakti që të gëzohemi kaq shumë që mezi po bëjmë zgjedhje normale, si gjithë bota e qytetëruar, është anormaliteti ynë më i madh që tregon se sa larg jemi ndaj botës ku synojmë të shkojmë. Njëlloj si të kalosh rrugës, pranë një gangsteri e ta falenderosh që nuk të rrahu e të vodhi. Kaq poshtë kemi rënë!

Pjesëmarrja e ulët, sfidë ndaj politikës e politikanëve
Për pjesëmarrjen në këto zgjedhje ka dy tregues: KQZ-ja e zbret atë nën 50 përqind kurse të tjera institucione e analistë na thonë se kjo nuk është e vërtetë, me qënë se të regjistruar për të votuar janë dhe rreth një milion emigrantë. Ecë e merre vesh këtë punë.
Personalisht, jam ndër ata që pjesëmarrjen në votime, në pluralizëm, e kam vlerësuar jo vetëm si një të drejtë por dhe si një detyrë e përgjegjësi. E, megjithë se them kështu, qysh kur isha në Shqipëri, përveç dy-tre votimeve të para të Pas-Diktaturës, nuk votova më. Madje as këtu në Amerikë. Mos vallë ka një kontradiktë në mes asaj që thashë në fillim e asaj që kam bërë e po bëj konkretisht? Përgjigjen e dhanë qytetarët e fshatarët tanë, në këto zgjedhje: të zhgënjyer nga politikanët, si karrieristë, mashtrues, gënjeshtarë, mafiozë, deri edhe kriminelë në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës, ata prej kohësh janë ftohur ndaj tyre, por s’kanë ç’bëjnë. E vetmja armë e tyre është vota. Dhe nuk marrin pjesë në votime. Këtë bëra e po bëj dhe unë, ndaj iu jap të drejtë dhe e vlerësoj si një tregues emancipimi. Ata e shohin se nuk mund t’i lëvizin dot nga karrigia e çimentuar e qeveritarit, deputetit apo kryetarit të bashkisë, ndaj e sfidojnë atë me mos-votimin e tyre, paçka se kjo, siç do ta shtjellojmë më poshtë, mund të çojë ujë në krahun tjetër.

Fitorja e pamerituar e të ashtuquajturve “rilindas”
Parashikimet për këto zgjedhje qenë nga më paradoksalet. Kalonin nga një ekstrem në tjetrin, një tregues plus ky për stadin tonë se sa larg jemi ndaj lirisë e demokracisë. Megjithatë, unë prisja edhe ndonjë çudi më të madhe se kjo që ndodhi. Pse e them këtë? Kam parasysh kërcënimet e Ramës se do t’i linte deri edhe pa bukë “budallenjtë” që do të votonin për kandidatët e opozitës, të cilët, sipas tij, janë njerëz që nuk dinë të bëjnë asgjë e jo më të drejtojnë bashkitë. Mos u hiqni si trima: kur është fjala për bukën e gojës, për më tepër kur je familjar e ke fëmijë, nuk ka as trimëri, e aq më pak mund të bëhet fjalë për liri e demokraci. Kjo qe e para.
E dyta. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se në të gjitha zgjedhjet, PS-ja, pasardhëse e PPSH-së me emër tjetër, ka qënë përgjithësisht më e disiplinuar. Kam parasysh dy deklarata të O.Xhaçkës dhe deputetes Veizaj, të Shkodrës: “Ne i dimë, thanë pak a shumë ato, se kush do të votojë për ne dhe jemi të sigurtë se do të shkojnë në votime të gjitha ata që na ndjekin, se i kemi verifikuar një për një…” Dhe unë iu besoj këtyre zonjave. Tradita e PPSH-së, qoftë në kuptimin e mirë apo të keq të fjalës, ruhet e madje përforcohet. Për më tepër kur kemi parasysh atë që është në krye të kësaj partie që, për të mbajtur dy karriget, atë të partisë e të qeverisë, është gati të bëjë të gjithçka, të bashkëpunojë e të bëjë aleanca dhe me djallin, siç e ka treguar me fjalë e me vepra tërë këto vjet. Pra, fitorja e “Rilindjes” duhet lexuar vetëm nga pjesëmarrja më e madhe e militantëve të saj dhe ata që nuk votuan janë kryesisht në mos tërësisht nga opozita apo dhe të pakënaqurit e PS-së që nuk përfituan gjë, siç kishin shpresuar apo edhe që mund t’iu ishte premtuar.

Siluret e të pavarurve
Ata e dinin që nuk do të fitonin e, megjithatë, nuk hiqnin dorë nga gara. Teorikisht apo virtualisht, unë do të isha me ata: të dy krahët e politikës sonë e kanë treguar tashmë veten se nuk kanë asgjë të përbashkët me të majtën apo të djathtën europiane, asnjë ideologji por janë dy grupe oligarqike e që luftojnë vetëm e vetëm për pushtet e përfitime. Të pavarurit deklarojnë se janë kundër të dy krahëve. Bukur! Edhe në Perëndim apo SHBA, ka të pavaruar të tillë. Por, për Shqipërinë ky është një luks i parakohshëm. Këtë e dinë mirë edhe të pavarurit tanë ndaj, edhe ato vota që marrin, janë vetëm silure për t’i prishur punë njerit krah apo tjetrit. Konkretisht, mendoj se votat e tyre i takonin PD-së, nga që siç thamë më lart, militantër e PS-së nuk lëvizin kollaj nga istikami ku i ka caktuar komandanti i tyre.

Avazi i vjetër i ndërkombëtarëve
Ata vinë, mbushin xhepat me rrogat e fryra e me dietat e larta, bëjnë të ashtuquajturat vlerësime se “këto zgjedhje, përgjithësisht, ishin një hap përpara, por kemi dhe disa vërejtje” dhe ikin prapë andej nga kanë ardhur me xhepat e barqet plot. Ka ndonjë naiv që mendon se ata nuk i zë gjumi për Shqipërinë e shqiptarët. Fare rastësisht, kam qënë dëshmitar i një skene kur një syresh, vite të shkuara, shfaqi kënaqësinë e tij për turbullirat në Shqipëri se do t’i shtoheshin edhe disa ditë dieta(!). Nuk dua të përgjithësoj, por opinioni im për ta është tepër negativ. Pse e them këtë? Se nëse klasa jonë politike e ka treguar veten se kush është për 25 vjet me radhë, po Europa që ata përfaqësojnë, OSBE/ODHIR, etj. ç’kanë bërë në këtë çerek shekulli tranzicioni për të na nxjerrë nga kjo kënetë ku kemi rënë?

Media, analistët e soj e sorollopi i tyre
Unë kam një mendim krejt tjetër për ato që tha kryetari i bashkisë së Elbasanit. Siç shkruante në një editorial Mero Bazja, ai, me një sinqeritet tronditës i spjegon gazetarit, as më shumë e as më pak, një të vërtetë që ne nuk na pëlqen ta pranojmë, jo se nuk qëndron. Le të dalë një gazetar që i është kundërvënë shefit apo atij që jep paratë e që nuk ka pasur pasoja?! Fjalët e tij më kujtuan komedinë e famshme franceze “Topuzi” apo dhe dramën “Armiku i popullit”, të Ibsenit. Janë tërë ato të vërteta që ne i ndeshim përditë por, mos bësh gabim dhe i thua se e pësove. Dhe u bë gjithë ai alarm e u mbushën mediat me “mëkatin” që paska bërë ai?! Analistët tanë, me ndonjë përjashtim të vogël, janë radhitur në dy llogore. Për ta nuk ka fare rëndësi se si është e vërteta, mjafton të ruajnë pozicionin se iu ikën kocka që iu kanë hedhur e iu hedhin ata lart, pushtatarë e pronarë. Unë i kam njohur personalisht shumë syresh dhe më dhimbsen tek i shikoj se sa kanë ndryshuar. Po citoj prapë Mero Bazen: “Qazimi, me sinqeritetin e tij prej babaxhani, në fakt, na ka pështyrë të gjithëve në fytyrë për të treguar se na ka parë që kur vjen puna tek pushteti, pronarët i sakrifikojnë gazetarët Më shumë se sa ulërima ndaj Qazimit, vazhdon sinqeriteti i Meros, sot gazetarët duhet të ulërasin ndaj nesh, botuesve dhe pronarëve të shtypit, që kemi provuar se kemi bërë gjeste të tilla”. Kaq thotë Merua por unë do të shtoja se gjeste të tilla vazhdojnë të bëhen e do të bëhen, siç u pa turpërueshëm edhe në këtë fushatë që, analistë e gazetarë, në kundërshtim me ato që kishin në kokë, flisnin e shkruanin ç’t’iu urdhëronte shefi apo pronari. Turp e faqe e zezë jo vetëm për ata por për të gjithë ne ku e kemi katandisur të ashtuquajturin “pushtet të katërt”.

Haraçi i madh që do të paguajmë
Në shumë shkrime e blogje, kur flitet për problemet e Shqipërisë, lexuesit , me të drejtë, ankohen: “po mirë me kritikat, mund të jemi dakord, po ç’zgjidhje jepni?”.
Edhe pajtohem me këtë kërkesë, kthehem mbrapsht e iu them atyre: Nga kjo klasë politikanësh, që kanë uzurpuar pushtetin apo pushtetet, as mos prisni zgjidhje! Populli i thjeshtë, që e vuan tërë këtë, s’ka ç’bën. Kush i bën thirrje atij që t’i heqë përmes votës, veç gënjen veten, ata nuk i lëshojnë kollaj karriget. Grinden apo dhe përleshen në Parlament apo në media etj., por nuk është e vështirë të kuptosh se ka një marrëveshje të heshtur e të panënshkruar që të ruhet ky status-quo, se ata veç fitojnë e nuk humbasin asgjë. Ndaj as që mos iu shkojë në mendje se me votime do t’i lëkundni sadopak. Duke qënë kështu, haraçi që do të paguajë ai popull do jetë jo vetëm i madh por dhe do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Mjafton të shikoni të ashtuquajturit “të rinj” që janë shumë më të etur për pushtet e përfitime se mjeshtërit e tyre që i kanë ulur në ato karrige. Disa syresh edhe e pohojnë vetë këtë, madje me një farë krenarie, a thua se ai që i’ua ka dhënë atë post është Mesia dhe jo një poltikan i neveritshëm si gjithë të tjerët.
Mjerë populli gjorë!

Andon Dede

Nju York

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 38 vizitorë
Lexuar: 427 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi