Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Kemi hapësirë për të vepruar
Publikuar më 24 qershor, 2015 në orën 20:39 ( ) Afrim Morina | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
U bënë gjashtë muaj që nuk kam dhënë mendim publik, mbi gjithçka që ndodhi në hapësirën kombëtare, por gjatë kësaj kohe kam përfunduar një projekt, i cili do të arsyetojë gjithë këtë.
Shumë ujë rrodhi nën këtë urë Ballkanike, sa interesat e të huajve ishin që të shembët kjo, kur ne nuk kemi qenë të përgatitur, sepse ende vazhdojmë me, dikush thumbit e dikush patkoit. Kjo ka bërë që armiqtë tanë të dikurshëm e të sotëm, miqtë tanë të dikurshëm e të sotëm, të parët që të marrin timonin e të ardhmes tonë, e të dytët të lodhën me papjekurinë tonë dhe pa përgjegjësisë tonë, në kohë e hapësirë.


Jemi thumbuar e provokuar gjatë kësaj kohe, por kjo vazhdon ende, jemi shtrydhur e shtrydhemi nga të dyja palët dhe pa përllogaritur gjërat, vetën e kemi lejuar të jemi sandviç për të tjerët dhe atë duke ua përshtatur edhe shijen.
Se kemi një liderthship të Kosovës të pa përgjegjshëm, këtë e kemi konstatuar herët, menjëherë pas lufte, se kemi një liderthship të papërgjegjshëm në viset e okupuara të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, edhe këtë e kemi konstatuar menjëherë pas luftës, por fatkeqësia është se, nuk kemi arritur të kemi një zë të përbashkët, një veprim të përbashkët, një artikulim të përbashkët, si komb, si akademi, si intelektual, e si ushtar pararojë e dinjitetit kombëtar.
Të gjitha këto kanë bërë që armiqtë tanë e miqtë e tyre të na marrin erë në qafë dhe të na rrinë mbi kokë, si shpat Demokleu, që nuk jemi të zot as të ngrehim qepallat, të paktën të shikojmë se çfarë forma kanë, çfarë ngjyre kanë, çfarë fytyre kanë, por kemi mbyllur sytë dhe presim që ndonjë Dajë Hill të na shëtitë për dore, pa guxuar të shohim djegien, greminat, se kemi frikë të madhe për të sotmen vetjake më tepër se për të nesërmen kombëtare.
Çdo qytetar parashtron pyetjen, pse gjendemi në një situatë të tillë? Çdo qytetar parashtron pyetjen, kemi forcë mendore, biologjike dhe financiare për t’u përballur me gjitha këto të këqija? Çdo qytetarë parashtron pyetjen, çfarë trashëguam dhe çka po lëmë për trashëgimi fëmijëve tanë? Çdo qytetar parashtron pyetjen, pse bash në trojet tona thyhen heshtat e të mëdhenjve, duke mos kursyer mjetet financiare? Dhe një pyetje që duhet secili ta bëjë dhe të mundohet të japi përgjigje, pse Rusia dhe Kina të merren me ne, t’i kundërvihen Amerikës e të tjerëve që janë mbështetës tanë? Pyetje e fundit për këtë trajtesë analitike është, pse shumë shtete që na kanë njohur luajnë vallen e Serbisë e Rusisë?
Të gjitha këto pyetje kanë të bëjnë me jetën tonë si komb dhe problemet me të cilat ballafaqohemi dhe rrjedh domosdoshmëria se pa tjetër duhet të përballemi, por, duhet, që ne të jemi ata të cilët duhet orientuar zgjidhjen e problemit në kohën e duhur, prandaj edhe duhet parapërgatitur terrenin për pasoja më të vogla.

Ne i kemi paraprirë krijimit të kësaj gjendje

E kam theksuar shumë herë, që nga pas lufta, se ne i kemi paraprirë të gjitha të këqijave që na kanë ndodhur, e që përgatitën të ndodhin dhe që do ta vuajmë me lëkurën tonë. Kam dhënë edhe sugjerime se si duhet ndërpre dhe rrugët e ndërprerjes së të këqijave, por gjithë ato kanë hasur në vesh të shurdhër, por me një anë gëzohem se analizat e mia kanë dal të vërteta, e në anën tjetër, sikur të ishin marrë veprime siç kam sugjerua, sot nuk do të ishim në këtë gjendje të mjerë çfarë jemi.
Duke u nisur që nga Rambuile-ja, e deri sot, nuk kam heshtur së kritikuari dhe sugjeruari për veprim kombëtar, të paktën në hapësirat e pushtuara, qoftë nga armiqtë dhe mbështetësit e tyre, por sot edhe nga një varg shtetesh që i kemi llogaritur si miqtë tanë, të mos gjendemi në pozitën e sotme. Këto dikur ishin edhe konstatime, por qenësorja është rruga e zgjidhjes së problemit, pasi të konstaton se ekziston.
Kam bërë edhe me gisht, se kush na e ka sjell këtë mortajë kombëtare, arsyen pse po na e sjell, mundësinë e eliminimit të bartësve të kësaj mortaje, pra mbylljen në karantina, që mos të shtohet virusi i saj. Bartësit e këtij virusi, duke menduar se vet janë të vaksinuar dhe mund t’i rezistojnë kësaj lëngate, sot janë mu në shënjestër dhe po mundohen që të luftojnë me grahmat e fundit, duke menduar se ende kanë imunitet. Ky imunitet jo vetëm që ka rënë për ta, por ky imunitet po i bie edhe kombit. Preparate të shumta ka për shërim të kësaj mortaje, specialist të shumtë ka që dinë si të përdoren preparatet, por mungon veprimi intelektual e qytetar, sepse të gjithë janë para dilemës, me kë dhe a do t’i përballojë deri në fund kësaj lufte?
Arsyeja e humbjes së shpresës qëndron edhe në zhgënjimet që janë krijuar te qytetari i ndershëm, intelektuali i mirëfilltë, se më të marrë pozitën e dëshiruar po humbasin në lakmi, mitomani, nepotizëm, veprim klanor, e çka jo tjetër, sepse më e preferuar po del sasia në kontonumra, se sa cilësia e punës dhe ecja përpara. Edhe kjo është një nga fenomenet që po na ndodhin sot, e që bëjnë pjesë në parapritjen e zbehjes vepruese për perspektivën e së ardhmes kombëtare.

Kumanova dhe shqiptarët

Kumanova ishte rastësi apo veprim i koordinuar? Po të analizohet në tërësi ngjarja e Kumanovës, qoftë si ndodhi, qoftë si vend, qoftë si kohë, atëherë duhet të jemi syqel dhe të analizojmë situatën reflektuese në gjithë hapësirën kombëtare, por edhe regjionale, se me një guri mbytën dy zogj thotë një falë e urtë, por në këtë rast sllavomaqedonët e përdorën guri për të rihapur luftë në mes shqiptarëve dhe sllavëve e pansllavistave.
Pse ky skenar u bart në Kumanovë e jo diku tjetër, ta zëmë në Tetovë, Gostivar e gjetiu. Kumanova është qytet me laryshmëri kombëtare, ku më së paku janë sllavomaqedon, prandaj edhe problemi duhet bartur atje, se do të prekej grerëza Serbi, e cila do të alarmojë miqtë e vet në veri e jug, lindje e perëndim, se po rrezikohet etnia serbe. Ky skenar i sllavomaqedonasve ishte i bekuar nga shqipfolës me “pedigre” vote apo ishte rastësi? Ky rast nuk është i rastësishëm, ishte i përgatitur shumë mirë, nga të gjitha anët, e dikush heshti, dikush ndërmori veprime, e pësuan një pjesë e shqiptarëve, që kishin idealin kombëtar. Pra na paraqiten tri kategori:
1. Skenaristët për të nxjerr përfitime politike e monetare në dy taborët: a. Sllavomaqedonase dhe b. Shqiptare në gjithë hapësirën kombëtare;
2. Tradhtia që prishi qëllimin dhe bërthamën e veprimit dhe mbështeti skenarin për në Tetovë, për t’i dhënë krediblitet skenaristëve;
3. Të pafajshmit, që për ideal kishin ndërgjegjësimin kombëtar, tregimin e rrugës vepruese, padjallëzinë, por që ishin të prirur vetëm të besonin e të vepronin, pa analizuar se ku do të arrinin me këto veprime.
Nga Kumanova duhet të nxjerrim mësim, se me vrasjen e Harun Alit me shok, skenari ishte i tejdukshëm dhe arritën të dyja palët ta fshehin dorën me mjeshtri. Skenari i dënimit të pesëshes për “vrasje me paramendim të sllavomaqedonsave” ishte një hyrje në lojën për përgjakjen e Tetovës, për të treguar forcën e vet, për të treguar gatishmërinë e vet dhe për të treguar, si dikur Lazar Mojsovi, për shtabin e ushtrisë, atëherë dhe sot, shqiptare.

Gjykata speciale

Formimi i gjykatës speciale nuk duhet shikuar vetëm si një gjykatë që do të merret me një kategori njerëzish. Themelimi i kësaj gjykate ka një fushë të gjëri veprimesh, prandaj kuvendarët duhet vënë gishtin kokës, pa marr parasysh orientimin e tyre politik, se bartin përgjegjësi historike e kombëtare, sepse në bankën e të akuzuarve do të ulën:
a. Shqiptarët;
b. Luftën çlirimtare
c. Luftëtarët e lirisë;

a. shqiptarët

Aty është përcaktuar edhe etnia, pra pa marrë parasysh se çfarë pozite ka pasur i vrari, pa marrë parasysh hierarkinë policore, ushtarake e paramilitare ka pasur i vrari, shqiptari duhet dhënë llogari për jetën e tij, se ai ka ardhur apo ka qenë në truallin tonë, për ruajtur integritetin territorial të Serbisë, Malit të Zi, etj. Ai është vrarë në kryerjen e detyrave “mbrojtëse” për Serbin dhe gjykatën speciale, ndërsa shqiptarët kanë bërë krim duke vrarë një “paqeruajtës” dhe mu për këtë duhet dhënë llogari. Këtë logjikë e mbështetin e dhe SHBA-ja, që për marrëdhëniet ndërkombëtare paraqet një faktor të ri, e cila duhet të sanksionohet me ndonjë Konventë, se për herë të parë kemi krijimin e një gjykata ku do të dënohet një komb çlirimtar, pse ka marrë armën për të shporr pushtuesin, të vetmin e këtij lloji në kapërcyellin e ndërrim shekujve.

b. Luftën çlirimtare

Lexojeni me kujdes, që nga sot do të dënohen të gjitha luftërat çlirimtare, sepse ato do të marrin përmasa të mëdha, nëse nuk do të dënohen shqiptarët. Luftërat çlirimtare po prishin harta gjeografike, po prishin baraspesha politike e ekonomike, po bëjnë përçarje ndërshtetërore e etnike dhe kjo praktikë duhet ndaluar. Me tregimin e dhëmbëve të ujkut shqiptarëve, mundohen të ndalin revolucionet e çlirimit kundër nazi fashizmit dhe shfrytëzimit kolonial, që ka mbërthyer sot botën. Janë përdor të gjitha marifetet për të vepruar kundër luftërave çlirimtare në akëcilin vend të botës, kjo tash na ka ra edhe neve në hise, se nuk arritën ta bëjnë këtë me ndërrimin e terminologjisë nga UÇK në Konflikt, edhe pse në të gjitha aktet juridike kanë arritur ta bëjnë, por në jetën e përditshme dhe histori nuk po kanë suksese, sepse ushtria nuk është krijuar me dekret dhe lufta nuk është bërë e yshtur nga të tjerët, por që të dyja janë burimore, që kanë dal nga e drejta për jetë, jo vetëm kombëtare.

c. luftëtarët e lirisë

Luftëtarët i kishim i kemi gjithnjë në bankat e të akuzuarve që nga mbarimin i luftës. Luftëtarët u nxorën me piceta fillimisht, nga rugovistët e surojët, kur u bë konstatimi për gjenocid e krime nga ushtarët çlirimtar, e deri te Karlla del Ponte e Dik Marti. Kjo nuk është risi për ne. Do të befasoheshim që ky sorollop dhe financuesit e mbështetësit e tyre të heshtin apo të vepronin ndryshe, por neve po na befason këmbëngulja e të etiketuarve dhe miqtë e tyre që pranojnë një lojë të ndytë. Si do të arsyetohen bartësit e shumë mekanizmave ushtarak e politik gjatë luftës, si do të arsyetohen disa shtete mbështetëse e kësaj lufte çlirimtare?
Bartësit duhet të civilizohen dhe të kenë guximin intelektual e luftarak, e sot institucional, për të vënë vijën e kuqe për temat rreth luftës dhe për luftën, që të mos njolloset më tepër dhe mos të gjykohet i gjithë kombi. Ata duhet dëshmuar të kaluarën e vet me punë e jo në nga banka e të akuzuarve, duke mbrojtur realitetin që ka ndodhur, e jo sot lakminë e tramakut, se do t’i mbetët në fyt dhe nuk mundët për ta kapërdirë as ai, e as familja. Këta duhet të jenë parzmore e realitetit sikur dikur, e jo pakurrizor e ushejza dhe të lejojnë edhe këtë gjysmë pavarësie ta vënë në treg për hesape të veta, kur dihet se humbësit janë ata, por dhe kombi.
A do të përfitojnë edhe trumbetuesit e krijimit të kësaj gjykate, SHBA-të dhe Britania e Madhe? Bashkë me ne do të humbin edhe ata vetë. Humbja është rrjedhojë e logjikës, sepse ishin zëdhënësit më të mëdhenj kundër shtypjes që na bëhej neve nga pushtuesi, por edhe vepruesit më të devotshëm për të vënë në veprim mekanizmin ushtarak – NATO-n. Këta duhet ta dinë mirë, se edhe Karlla Del Ponte, edhe Dik Marti, që prapa tyre qëndron Serbia dhe Rusia bashkë me aleatët e tyre, qëllim parësor e kanë që ata të japin llogari në emër të NATO-së, por në radhë të parë të marrin mbështetjen për të ulur në bankën e të akuzuarit shqiptarët, luftërat çlirimtare dhe luftëtarët e lirisë.
Krijimi i Gjykatës speciale ka edhe një modifikim më vete, që edhe kjo duhet të normohet me ndonjë konventë ndërkombëtare, se për herë të parë shteti që krijon këtë mekanizëm nuk ka të bëjë fare me të arrestuarit. Kujt i takojnë kjo kategori, aparthejdëve, se kosmopolizmit nuk kanë mundës t’i takojnë. Aparthejdi (pashtetësia) të krijohet me akte juridike, për qytetarët e vet, pa i pyetur ata fare, por në fund të fundit shqiptarët janë shndërruar në tufë eksperimentale duke marr eksperimentuesit mbështetje nga të “përzgjedhurit” e popullit.
Edhe për këtë duhet të kenë kujdes kuvendarët, se nuk luhet me gjakun e dëshmorëve edhe pse ky gjak u nëpërkëmbë nga Komisioni për vlerësimin e luftëtarëve.

Haradinaj dhe shtatëmilion shqiptarët

Arrestimi në Lubjan i z. Haradinaj nxori në pah shumë gjëra. As ai, as mbështetësit politik në Kosovë, nuk dinin për ta zgjidhur enigmën e problemit, edhe pse për këtë kam shkuar disa herë. Sjellja me fodullëk e Tij dhe mbështetësve të Tij, duke menduar se rrit kredibilitetin politik, e varfërojë atë, për njohësit e politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, por besoj se me këndelljen e qytetarëve edhe këta do të dinë se cila lojë është luajt.
E para, Sllovenia dhe shumë shtete tjera nuk e kanë bërë njohjen e plotë të shtetit të Kosovës, por kanë bërë një njohje formale, që të veprojnë sipas dashjes, simpatisë dhe në një moment të caktuar edhe mund ta tërheqë njohjen.
E dyta, nëse z. Haradianj ka fituar pafajësinë në Hagë, kjo pafajësi duhet të njihet si e plotë, që nënkupton, shlyerjen e emrit të Tij nga “libri i zi” i policisë dhe policisë doganore, me insistimin e vet gjykatës, deri sa ka lëshuar një vendim pafajësie. Ky vendim pafajësie ka edhe një element qenësor, dëmshpërblimin e kohës së vuajtjes së dënimit, plus kompensimin moral që i është bërë Atij, familjes dhe UÇK-së nga i akuzuari. Me sa kam informata, asnjëra nga këto nuk ka ndodhur, prandaj kot ka akuzuar të tretin pa argumente.
Shtatëmilionshi shqiptar i z. Haradinaj, nuk është serioz dhe këtë e dinë të gjithë. Ai është lider partie, si gjithë liderët tjerë në hapësirën kombëtare dhe nuk e ka të drejtën ligjore e morale për t’u thirr në emër të shtatë milion shqiptarëve, madje edhe t’i kërcënohet një shteti anëtare e OKB. Këtë të drejtë e kanë vetëm Presidenti dhe Kryeministri i Shqipërisë, sepse këta i obligon Kushtetuta e saj. Ne kemi pasur hapësirë në kohë dje e sot dhe shkak për të thirr shtatë milionët shqiptarë kundër pushtuesve, e jo tash kundër një shteti që edhe zyrtarisht të ka treguar se mund të flasim për ekonomi, tregti etj, siç po veprojnë edhe odat ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por për të tjerat duhet përcjell trendët e Bashkimit Evropian. Prandaj duhet pasur kujdes për ultimatume, e sidomos kur je në zgrip për vet.

Ultimatumet

Ultimatumi është fjala e fundit në diplomaci. Ultimatumi jepet në raste të jashtëzakonshme, prapa së cilës qëndron forca ushtarake, policore, apo në boks krosheu. Ultimatumi kur jepet e nuk realizohet, dhënësi humb kredibilitetin për të vepruar më vonë, sepse merret si shkelës i fjalës së vet.
Ultimatumet politik mund të jepen më lehtë se ato shtetëror, se shtetërorët përcillen nga të gjithë, lëvizim edhe mekanizma ushtarak, ndërsa ultimatumet politik jepen dhe pak kush mund të vërej se ndërmerren veprime për realizimin e tyre
Kujdes për dhe rreth ultimatumin, fjalës së fundit, siç do të shprehet populli, pas saj “lluga përgjysmë”, dikush duhet ta merr se nuk mundën të qëndrojnë të dyja palët.
Kohëve të fundit patëm ultimatume, kërkuam ultimatume, prandaj duhet pasur kujdes për këto, nuk jemi fëmijë derisa udhëheqim parti politike, nuk jemi fëmijë derisa po mundohemi të krijojmë shtet dhe të hyjmë në marrëdhënie të barabarta me më të fuqishmit e botës.

Këto e përbëjnë një pjesë tërësie

Të gjitha këto që u thanë më lartë, e përbëjnë një pjesë tërësie të problemit kombëtar, që edhe më herët e kam thënë, ende ka hapësirë veprimi, por jo duke rrahur gjoks për të zënë pozitën e liderit kombëtar pa pasur kaçikë intelektual,e elektorat sasior e cilësor. Gjithçka duhet peshuar mirë e në kohë, gjithçka duhet peshuar mirë për kombin e jo për vete, gjithçka duhet peshuar për të nesërmen e jo të sotmen, gjithçka duhet llogaritur mirë për të arritur edhe të pamundurën, gjithçka duhet llogaritur me seriozitet, me vetëdije, me mundësi veprimi në kohëzgjatje, e jo për momentin, për grupimin politik, për kredibilitet politik duke i hedhur hi syve të qytetarëve.
Promotorëve askush nuk mundët për t’ua ndërprerë rrugën si të shkapërderdhte, por nëse janë të bashkuar ata do të shtinin në veprim masat e gjëra dhe e shndërrojë problemin në revolucione, e revolucioni ka vetëm një përfundim – fitoren.

Prishtinë, 24.06.2015

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Afrim Morina
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 46 vizitorë
Lexuar: 774 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi