Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Ta ngrisim hasanizmin në piedestalin më të lartë
Publikuar më 20 qershor, 2016 në orën 00:29 ( ) Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
(Intervistë e gazetarit Qazim Doda, pronar i TV amerikan ALBANIAN-Vision ne New York SHBA me Mehmet Prishtinën, realizuar në TV ILIRIA në Viti, transmetuar në mars 2016).

Të nderuar teleshikues përshëndetje.
Sot para jush do të nxjerrim një emision special me një njeri që nuk e kemi të ftuar në studion tonë, por kemi ardhur mysafir në Kosovë, në një studio të shqiptarëve të Vitisë, pra studio Iliria, pra është një televizion shqiptar dhe radio po ashtu i cila ka një rrjet të gjerë këtu të gazetarëve dhe merret me informacionin e ana Moravës dhe Karadakut po edhe me emisione të ndryshme. Pra sot kemi ardhur mysafir në këtë studio me një njeri special për neve, edhe për juve të dashur teleshikues. Është Mehmet Prishtina. Menjëherë me mbiemrin sapo ta dëgjoni ju e dini se për kë e kam fjalën, e kam fjalën për një person, një intelektual i shquar në Kosovë i cili po merret me ndriçimin e historisë, me ndriçimin e të vërtetës së heroit kombëtar Hasan Prishtina.

Qazimi: Kthehemi tek qëndrimi i Hasan Prishtinës pas largimit nga Shqipëria ai qëndronte më shumë në Selanik.

Jo vetëm në Selanik, Hasan Prishtina, më duket se fillimisht shtëpinë në Selanik e ka blerë, sepse inspirimi i tij ka qenë se shihte ose Selanikun ose Shkupin si kryeqendër shqiptare dhe ai ka pasur vizione të veta, qëllime të veta aty pati dhe një shpifje që është anketuar nga shteti grek ka pas përpjekje të njëpasnjëshme, më vonë vëllai i tij, Omeri dhe nga e bija e Omerit, Elma Prishtina.

Qazimi: Omeri është Ymeri apo?

Po kështu në dokumentE është shkruar Omeri, por në fakt Ymeri. Ymer Prishtina ka qenë vëllai i vetëm i Hasan Prishtinës, i biri i Ahmet Berishës.

Qazimi: Por i ka pasur edhe motrat.

Motrat kanë qenë Shehidja dhe Hajrija.

Qazimi: Njëra në Marinë tjetra në Kosterc.

Kjo pjesë e historisë njihet më së miri nga dokumentari dhe libri i Nystret Pllanës “Motrat e Hasan Prishtinës“ botuar ne vitin 2000.

Qazimi: Kur ka qenë për herë të fundit në Kosovë ose në Prishtinë?

Hasan Prishtina vazhdimisht ka lëvizur përherë e kur ka qenë në Kosovë këtë nuk mund ta them me kompetencë, mendoj dikunga fundi i vitit të tridhjetë -tridhjetë e një.

Qazimi: Mos më herët, sepse derisa ka qenë Isa Boletini gjallë që e merr Hasan Prishtinën nga familja dhe shkojnë dikund sigurisht në zonat e luftës dhe motra e vetë e quan ai i ziu për Isa Boletinin thotë ma mori Hasanin.

Ajo aty e quan dreq i zi dhe kur autori e pyet disa herë se kush është ai, ajo thotë Isa Boletini se ai e shihte se Isa Boletinin dhe Bajram Currin, i fajësonte për mungesën e Hasan Prishtinës, sepse nga momenti që largohet nga familja duhet kuptohet ajo gjë se Hasan Prishtina ka qenë vazhdimisht në Kosovë por nuk ka pasur kontakt të shpeshtë me familjen për mos me i rrezikuar ata kjo ka qenë ideja.

Qazimi: Në rregull.

Kjo ka qenë arsyeja pse Hasan Prishtina nuk ka qenë në shtëpi.

Qazimi: Ai nuk ka lindur fëmijë.

Fatkeqësisht ai nuk ka pasur pasardhës biologjik. Hasan Prishtinës dhe Igballe Prishtinës zoti nuk i ka falur fëmijë, por ata shkuan në fshatin Taraxhë, komuna e Vushtrrisë dhe kanë birësuar një djalë nga familja e Drevinjve, paskan qenë dhe vazhdojnë të jenë një familje me emër në atë zonë. Selim Drevinja, baba i Rexhep Drevinës, është gjallë dhe jeton në Kanada. Unë kam në vazhdimësi komunikim dhe kontakte me këtë burrë sa herë të vjen në Kosovë më lajmërohet dhe takohemi për dreka dhe kjo familje ka trashëguar njëzet-tridhjetë hektarë tokë që i kanë nga hisja e Hasan Prishtinës në Taraxhët ë Vushtrrisë. Ka bijësuar një vajzë në Shqipëri me emrin Sadaka, në fakt ajo vajzë është bijësuar në Stamboll dhe Sadakaja vetë emri Sadaka kur ta përkthesh është e falur d.m.th. ai fëmijë është rritur me Hasan Prishtinën dhe Igballe Prishtinën, ajo ka jetuar dhe sot ka lënë trashëgimtarë dhe sot i ka fëmijët të cilët sot janë të rritur janë të moshuar është Skender Kastrati me të vëllain dhe tri motrat e tij që janë gjallë.

Qazimi: Jetojnë në Shqipëri?

Jetojnë në Tiranë. Kemi kontaktuar me rastin e njëqindvjetorit të përurimit të shtatoreve dhe dekorimit të Hasan Prishtinës nga presidenti Nishani, vazhdimisht i kemi bërë këto aktivitete së bashku dhe kemi kontakt kohë pas kohe kur shkoj në Tiranë unë i takoj dhe bisedoj me ta, drekojmë si familje. Në vitin 1933 pikërisht me trembëdhjetë gusht tridhjetë e tre Hasan Prishtina vritet në qendër të Selanikut në rrugën Cimiski, në kryqëzimin e rrugës Vogaxhiku.

Qazimi: Por a nuk e ka mbajt këtë shtëpi nja dy javë ditë Ibrahim Qelën.

Ibrahim Qela ka qëndruar te Hasan Prishtina afërsisht dy javë ditë, është shumë e vërtetë se Hasan Prishtina ka qenë strateg habiteshin se si ka arrit që Ibrahim Qelo të arrijë aq thellë te Hasan Prishtina dhe ka dhe besimin në fakt Ibrahim Qelo deklaron vetë se mbasi që e fitova besimin e tij ai kërkoi prej meje që ta vrisja Ahmet Zogun dhe kjo është, këtu duhet studime kjo punë, sepse këtu në fakt kur Ibrahim Qelo e vret Hasan Prishtinën, mbrapa shpinës me pesë plumba flitet se disa plumba për së vdekuri ia ka shkrepur në kokë ai me një transkriptë dërgesë një faks në Maqedoni që atëherë është quajtur territor i Jugosllavisë dhe e dërgon atë telefaks me emrin e një gruaje kinse e dërgon një femër por ai ka qenë personi kontaktues i cili ka thënë Hasan Prishtina mbaroi unë jam shëndoshë e mirë, domethënë ai lajmëron në vendin sipas marrëveshjes paraprake e kreva detyrën në xhepin e tij është gjetur një pasaportë diplomatike e mbretërisë SKS.

Qazimi: Është arrestuar ai?

Sigurisht pas vrasjes ka pasur tendenca që të largohet nga vendi i ngjarjes, por është arrestuar. Përgjigjen më të mirë mund ta gjejmë tek autoritetet greke, nëpër arkivat e dokumenteve të tyre dhe deklaratave që ai ka dhënë kur Ibrahim Qelo arrestohet. Ai në burg vizitohet edhe nga konsulli i mbretërisë shqiptare është vizituar në burg por nuk dihet se për çfarë bisedash kanë zhvilluar edhe për kë. Unë këto që po i them, i them për herë të parë, sepse kam shumë dokumente arkivore, unë jam duke i hulumtuar dokumente të Bashkimit Sovjetik, të Vjenës, se i kam si pjesë material të studimeve, studime që jam duke i zhvilluar dokumente bullgare besoj që në një të ardhme të afërt do realizojë qasjen në dokumente komplete të Perandorisë Osmane, të asaj kohe do kemi shkrime dhe përkthime të osmanishtes së vjetër, por që kjo punë do studime dhe punë jo vetëm me fol përafërsisht dhe mos të habitemi se nuk e dimë as ne se si do të duket rezultati, por një gjë dihet se interesi ka qenë edhe i Ahmet Zogut edhe i Serbisë që të vritet Hasan Prishtina.

Qazimi: Kuptohet se rivaliteti me Ahmet Zogun, prandaj unë u mundova që dy–tri herë të futem në këtë temë ndërmjet tij dhe Ahmet Zogut. Vritet në Selanik, por nuk varroset në Selanik, një qytet shqiptar në atë kohë sot mjerisht është i deshqiptarizuar, nuk varroset në Tiranë, nuk varroset në Vlorë, në qendër ku është dashur të varroset, nuk sillet në Polac, nuk sillet në Shkodër, nuk sillet në Vuçitërnë, si i thoshin atëherë, por sillet në Kukës. A ke mundësi të ma shpjegosh se cila është arsyeja pse e kanë sjellë në Kukës dhe jo në këto vende tjera?

Po mirë, fillimisht është varrosur në Selanik dhe figura e Hasan Prishtinës pas Luftës së Dytë Botërore, varësisht nga interesi i politikave të kohës s'ka pasur ndonjë prioritet absolut, sepse dihet se vendi ka dalë prej luftës unë e shoh ashtu si e shoh unë sot mundohem ta kuptoj dhe të ia jap publikut jam duke u marrë në mënyrë intensive me këtë çështje. Diku, pas vitit gjashtëdhjetë e dy- gjashtëdhjetë e tre, kur prishen marrëdhëniet me sovjetikët kur më herët janë prishur edhe me Jugosllavinë e Titos, atëherë Enver Hoxha i përkushtohet edhe sistemi i atëhershëm i përkushtohet kryekëput i rivlerësimit të figurave të rilindësve dhe me një vendim të këshillit të ministrave në vitin 1977 ndermirët iniciativa, përcaktohet një delegacion ku ai delegacion shkon në Selanik dhe e gjejnë varrin e Hasan Prishtinës ku është varrosur, bijnë në kontakt me vorraxhiun e vjetër ne Selanik dhe me atë të riun dhe gjejnë saktë varrin se ku gjendej Hasan Prishtina. I nxjerrin eshtrat dhe i bartin me një ceremonial zyrtar në pikën e kufirit ku janë futur në Shqipëri iu është bërë një pritje madhështore, ekziston dhe një dokumentar i kohës dhe për mua është enigmë dhe pikëpyetje ka qenë ai një taktizim politik apo si në Varrezat e Dëshmorëve në Kukës ka plot të rënë të Luftës së Dytë Botërore që kanë qenë partizanë, atdhetarë apo ku ta di unë. Unë mendoj se Hasan Prishtina nuk e kishte vendin aty, Hasan Prishtina është një figurë poliedrike një personalitet, i cili do të duhej të varrosej nëse jo në Polac, nëse jo në Prishtinë, nëse jo në Vushtrri, nëse jo në Shkup, sepse Shkupi për mua do të ishte vendi adekuat për të sepse aty ai bënte përpjekje që ta shpallte pavarësinë e shtetit shqiptar, atëherë pse jo në Tiranë, ai ishte kryeministër, më falni Kukës, Hasan Prishtina në Malësi të Kukësit dhe të Tropojës ka qenë si në shtëpi të vet, sepse gjithmonë kur e kishte jetën në rrezik, aty gjente strehim.

Qazimi: Gjithmonë Kukësi dhe Tropoja kanë qenë shtyllat kurrizore për çlirimin e Kosovës.

Nuk dua të keqkuptohem nga këto zona, sepse unë me mburrje dhe krenari do ta leja aty, por simbolika e tij, pesha e tij është në Tiranë. Dhe unë pikërisht për këtë arsye më shtatëmbëdhjetë janar i drejtohem një grupi intelektualësh nga Universiteti i Prishtinës dhe Tiranës, i Shkupit i Tetovës, Instituteve albanologjike dhe i drejtohem qeverisë Rama, kryetarit të kuvendit, kryetarit të gjykatës kushtetuese, presidentit Nishani që ta kenë parasysh që të nisin një iniciativë për rivarrimin e eshtrave të Hasan Prishtinës në Tiranë. Mirëpo, gjatë asaj kohe Hasan Prishtina s’kishte qenë as i dekoruar, një parakusht për me ndërmarrë një aktivitet të tillë nevoja e dekorimit të kësaj figure dhe këtë edhe pse me shumë vonesë e realizuan me kërkesa të tilla pranë presidencës dhe presidentit Nishani me 2 maj 2014 e dekoroi figurën e Hasan Prishtinës me dekoratën më të lartë të shtetit shqiptar, me Urdhër flamuri. Kërkesat e mia zyrtare ia kam përcjellë edhe kryeministrit Thaçi e kabinetit qeveritar, presidentes Jahjaga, kryekuvendarit të Prishtinës Shpend Ahmeti, me kërkesë që këto kërkesa tona të sensibilizojnë t'i përkrahim, t'i fuqizojmë, si institucione të merren me to, sepse është detyrë e shtetit shqiptar, i shtetit të Kosovës që të merren me figura të tilla si është Hasan Prishtina e jo individi apo personi. Unë mendoj se disa figura edhe janë rehabilituar në një masë, por për Hasan Prishtinën shteti ka bërë fare pak. Tash po del se qeveria e Enver Hoxhës, një sistem monist, i cili i ka pas obligime dhe nevoja ka pas qasje komplet tjetër të bëjë më shumë në këtë njëqind vjetor brenda kësaj periudhe kohore se sa Shqipëria apo Kosova.
Krejt në fund dua të sqarojë opinionin se pas injorimit te kërkesave te mia nga ish kryeministri Hashim Thaçi qe ai vete te vinte e ta pranonte Dekoratën, u detyrova qe te beje Marrëveshje me Komunën e Prishtinës, ku ishim te pranishëm Ndriçim Kulla, Mehmet Prishtina, Shpend Ahmeti, Liburn Aliu dhe Dardan Sejdiu. Në këtë Marrëveshje, me motivacion se Hasan Prishtinën ne Parlamentin Osman e quanin Luani i Prishtines, ishte paraparë shkëmbimi dhe vendosja e dy shtatoreve, Hasan Prishtina në Vlorë e Ismail Qemali ne Prishtinë. Përderisa vlonjatet, kryesuar nga Bujar Leskaj, në vitin 2015 e përjetësuan Ismail Qemalin në qendër te Prishtinës, komuna e Prishtinë e Shpend Ahmetit nuk e realizoi premtimin.
Megjithatë, Hasan Prishtina, se shpejti, do te përjetësohet në qytetin e Pavarësisë, në Vlorë.

Qazimi: Kanë pasur nacionalizëm më shumë të organizuar.

Si duket po.

Qazimi: Po kthehemi tash të shohim një video kur keni shkuar tek shtëpia që është quajtur rezidenca e Hasan Prishtinës në Selanik.

Po.

Qazimi: Dua që të ma komentosh këtë video, sepse i kishit mbledhur ca njerëz të mirë që kanë domethënie për kombin tonë e mrekullueshme keni shkuar në Selanik e keni parë shtëpinë e Hasan Prishtinës ndoshta një ditë do ta merrni në pronësi do t’ia jepni shtetit të Kosovës.

Do ishte mirë që shteti Shqiptar apo shteti i Kosovës të bëjë një kërkesë të tillë, pse mos të jetë ajo një ambasadë, një konsullatë apo një qendër kulturore e shqiptarëve. Selaniku ka mjaft shqiptarë unë mendoj se Hasan Prishtina nuk ka qenë vetëm i familjes dhe pronat e tij ai gjithçka që pat i investoi në shkollë, shtet dhe pronat e tij nëse janë diku në vend për t'u marr ai kishte me ia dhënë vetë shtetit. Kështu që unë personalisht as një familjar nuk do të duhej të guxojë të mendonte ta qëllonte rrugën e Hasan Prishtinës që të trashëgojë prona për vete. Por ato prona që janë të Hasan Prishtinës t'i kthehen shtetit, t'i kthehen popullit dhe të shfrytëzohen për nevoja. Ka qenë një emocion i papërshkruar pas tetëdhjetë viteve për herë të parë të identifikohet shtëpia e Hasan Prishtinës me një grup intelektualësh, nën organizimin e Institutit të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoni, udhëhequr nga Skënder Hasani, nën organizimin e iniciativës sime personale dhe sponsorimit të këtij aktiviteti kemi shkuar me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Tetovës dhe shumë dekanëve të fakultetit filozofik si Bujar Dugolli etj, ka pasur plot personalitete dhe aktivistë të shquar. Aty dërguam kurore lulesh pranë vendit ku është vrarë, ishim në shtëpinë e tij, folëm nga oborri i tij, i dërguam mesazhet tetëdhjetë vite pas vrasjes së tij ishte një emocion i pa përshkrueshëm dhe unë uroj dhe jam duke punuar që përmes Bashkisë së Selanikut të paktën të vendos sa më shpejt një pllakë ku shënohet se kjo është shtëpia e Hasan Prishtinës ish kryeministrit të Shqipërisë në këtë periudhë kohore.

Qazimi: Po kthehemi tash te familja, Hasan Prishtina e ka pasur një djalë te birësuar meqë e përmende më herët, por edhe vajzën Sadakanë që e ka pasur, ajo është në rregull me sa merret vesh, por ata nuk janë fëmijë biologjik të tij, por prap se prapkanē qenë të birësuar, por familja e tij është nga Polaci, edhe duhet pak në pika të shkurtra se brez pas brezi në këtë familje është bërë rezistencë kundër armikut. Më fol pak për gjyshin tënd,Mehmetin. Ai e ka pasur emrin Aliuka a po? Është njohur si Mehmet Ali Ukaj. Ai është vrarë në vitin 1945, sepse ka qenë edhe bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës dhe i Mehmet Gradicës, më fol pak për të dhe si... ndërkohë të dashur teleshikues mund të shikoni ca inserte të rivarrimit të tij, prandaj po flasim rreth kësaj çështje

Gjyshi im, MehmetAliuka së bashku me të vëllain Miftarin dhe disa bashkëfshatarë tjerë, ndër ta edhe një Bilall Hoti dhe 50 burra gjithsej, janë pushkatuar pasi që është prerë Shtabi i partizanëve në Prekaz, në kullën e Sheshivar Alisë- Kodrës (Shih Muhamet Mjeku "Lufta e Drenicës” ku e gjeni edhe emrin e gjyshit tim libri i botuar njihet, aty e gjeni edhe emrin e gjyshit me të vëllain 70 vjet pas vrasjes e tij). Unë në vitin 2013, edhe kjo ishte dëshirë e flaktë e babës tim, i cili po ashtu është vrarë në prill të '99 me të vëllain Idrizin. Baba im e ka pas emrin Feriz Mehmet Aliuka, edhe Idriz Mehmet Aliuka të dy së bashku me kushërinjtë Enver Aliukën dhe Avdyl Aliukën dhe disa të tjerë mbas katër ore rezistencë në luginën e Polacit afer "Lugu i lajthisë" janë vrarë nga forcat serbe, por ata kanë arritur të shpëtojnë mbi 58, mos t'i quajmë qytetarë, refugjatë të zhvendosur dhe fjalët e tij pas një deklarate të Sadri Muharrem Xanit, bashkëfshatar nga Polaci, i cili thotë: : Ferizi na tha ikni deri sa ta dëgjoni pushkën dhe mos mendoni se ka me depërtuar dikush këtu, kur nuk dëgjoni më krisma bëjani qarën vetes”. Pra, ata janë vrarë që të shpëtojnë jetën të tjerëve dhe kështu kanë vazhduar traditën familjare. Dhe deri sa ne unë kam shkuar në moshën 9 vjeçare në Gjermani dhe gjithmonë gjatë udhëtimeve dhe dëshira e tij e flaktë ishte që një ditë të guxojmë që të zhvendosim ato eshtra dhe t'i varrosim me dinjitet, sepse i ka pushkatuar sistemi komunist atëherë.

Qazimi: Më thuaj diçka drejt tash. Ku e gjete varrin e gjyshit tënd dhe të bashkluftëtarëve të tij?

Halla ime, halla Sherife, ka qenë e martuar në Prekaz. Polaci është fshat fqinj i Prekazit, në lagjen e Lushtakëve, e martuar me Hajrullah (Hajrë) Lushtakun dhe unë si fëmijë kur kam ecë këmbë halla ime më ka thënë se ky është varri i gjyshit tënd, ky është varri i babës tim dhe gjithmonë vajtonte disa minuta aty dhe vazhdonte rrugën. Kur jam kthyer pas luftës nga Gjermania, 30 vjet kemi qëndruar në Gjermani. Jam kthyer sepse edhe kjo ishte një plotësim i amanetit që të kthehem dhe mos ta lë Kosovën shkret, sepse gjithë familja ime është në Gjermani, vetëm unë u ktheva me familje atëherë kur e kam vlerësuar pjesën e parë të rivlerësimit të figurës Hasan Prishtina dhe të gjithë kontributeve që i kemi dhënë duke i ngritë me iniciativë dhe sponsorime private tri shtatore në tri kryeqendrat shqiptare e që në fakt duhet të ishin detyra të shtetit por s’bëri shteti asnjë gjë dhe s’është duke bërë, përkundrazi ata janë duke na penguar që ta zbardhim këtë figurë.
Si pjesë e dytë e këtij amaneti ishte që t'i gjejë eshtrat e babagjyshit tim, Mehmetit, emrin e të cilit unë e mbaj dhe arrita që diku në korrik 2013 të marrë dy ekskavatorë, gjithë atë luginën e lagjës Veliqi e lëvrova, sepse gjyshi im me vëllain Miftarin dhe 5 vetë tjerë kanë qenë të mbajtur peng në kullën e HasanVeliqit deri sa i kanë nxjerrë dhe i kanë pushkatuar nëpër atë luginë. Dhe Veliqtë nuk kanë bë mirë sepse nuk është për mburrje, por është për turp që mbi këto varre kishin hedhë pleh dhe mbeturinat e krejt fshatit që të humben gjurmët se planifikonin çorientimin dhe shantazhimin e gjenealogjisë së Hasan Prishtinës, sepse ne jemi pasardhës dhe ata për interesa të shtyrë nga strukturat politike në pushtet, sepse nuk bënë asnjë gjë për këtë figurë e hajde tash të shantazhojmë me një që arriti ta ngritë këtë emër dhe gjenealogjinë ta falsifikojmë. Dhe unë paralajmëroj se do marrë edhe hapa konkret dhe juridik ndaj personave të caktuar për këto akte makabre, krimminale që janë duke i zhvilluar ndaj nesh.

Qazimi: A e kanë ditur ata se aty ka qenë varri i gjyshit tënd...?

Po si s'e kanë ditur, edhe fëmijët e kanë ditur. Ne kur kemi shkuar për ekshumim (zhvarrosje) i kemi ftuar pleqtë dhe ata na i tregonin vendet, “jo është atje, jo është këtu" dhe ne për fat të mirë mund ta përcillni në dokumentarin e xhiruar unë me duart e mia e kam gjetur, e kam kapë kafkën e gjyshit tim, dhëmbët e tij dhe krejt skeletin e trupit, Miftarin, vëllain e gjyshit tim Mehemtit si dhe të Bilall Hotit dhe s’kam qenë vetëm unë kanë qenë lagjja e Hotëve, kanë qenë lagja e Kabashëve, ka qenë imami, hoxha i fshatit aty prezent. Vinin rregullisht dhe na dezorientonin; “Jo është ma poshtë, jo është më lart, jo këtu, jo s’është këtu”. Duhet pushuar me këto shantazhe të këqija, sepse për hatër të personave të caktuar që janë sot me pozicione të larta në pushtet, siç është për shembull Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit te Republikes se Kosoves, i cili ka një teze te Veliqtë, te Sheremet Veliqi e për hatër të tezës së Kadri Veselit nuk mund të çohet e të falsifikohet gjenealogjia e trashëgimia e familjes. Kjo po ndodhë, sepse ata nuk ishin në inaugurimin e shtatores së Hasan Prishtinës në oborr të rektoratit të Universitetit, sepse ata nuk erdhën në Shkup, sepse në Tiranë kur u inaugurua shtatorja e tretë, sigurisht nga frika se po iu humb kariera politike dhe mbikeqyrja nga te huajt sipas deklarimeve te tyre personale (Shih aferën e pergjimit Pronto te bisedes Kadri Veseli e Adem Grabovci) . Ata gjetën të gjithë kohë që të shkojnë në mëhallën në lagjen e Veliqëve, në strukturat e familjeve që gjithmonë gjenetikisht kanë qenë bashkëpunues të UDB-së, që gjithmonë na e kanë pirë gjakun dhe të identifikohen dhe ja u gjet tash gjenealogjia e familjes kjo është turp. Unë paralajmëroj se do të marr shumë shpejt sepse jemi duke jetuar në shekullin 21 dhe sot një krahasim gjenetik i definon gjërat. U kam bërë thirrje publike që të mos e çojnë punën deri aty po tash e tutje do të jam i hapur dhe do e çoj, do të shkoj deri në skaj sepse nuk më frikojnë as shantazhet, as hetimet, as kanosjet, as kërcënimet sepse unë amanetin tim ndaj babës tim e kam realizuar bukur mirë për Hasan Prishtinën. Kështu që sot Universiteti i Prishtinës quhet “Hasan Prishtina”, sot në tri kryeqendrat është shtatorja e Hasan Prishtinës.

Qazimi: Tash po kthehem këtu. Si përfundim po më vjen keq këtë që po e dëgjoj në fund, sepse ke punuar shumë vite dhe je duke vazhduar këtë punë edhe më vjen keq sepse gjithmonë sherri vjen nga i afërmi nga i yti...

Ndoshta dua me shkua edhe më larg, çka gjithmonë nga modestia, andaj më vjen keq me thënë, por e vërteta duhet me u thënë dhe duhet me peshuar në vendin e vet. Më vjen keq edhe për familjen Jashari, më vjen keq edhe për Murat Jasharin, por nuk mjafton që e ke mik Veliqin, që e ke mik Ujup Milicin, i cili s’ka qenë burrë i mirë hiç, gjatë sherbimit si milic ne sistemin jugosllav, sepse e njohim ne të gjithë vetëm se është mik i Murat Jasharit tashti Hasan Prishtina qenka gjenealogji e Veliqëve?! Po kjo është turp, me të vdekur e me figura poliedrike nuk bëhet pazare politike dhe kjo duhet të gjykohet, dhe kjo duhet të dënohet dhe kjo po ndodhë.

Qazimi: E kam përcjellë edhe përcjelljen e shtatores prandaj erdhëm këtu në Viti për ta bërë këtë intervistë, sepse përmes Vitisë i ke rënë edhe ilegalisht e ke dërguar shtatoren e Hasan Prishtinës në Shkup. Dhe sa për përfundim vetëm duam ta dimë se ku janë shtatoret e Hasan Prishtinës dhe ta përfundojmë këtë bisedë?

Hasan Prishtina sot ka filluar që të rivlerësohet me një inisiativë personale, private. Jam sponsor i çmimit Hasan Prishtina, i cili iu nda Adem Demaçit në komunën e Vushtrrisë. Vushtrria më përkrahi, më mbështeti dhe në fund filloi me më shantazhua për interesa politike, është gabim. E kam sponsorizuar monografine e Bedri Tahirit “Hasan Prishtina- Truri i Levizje Kombetare Shqiptare”, pastaj “Veprimtaria atdhetare e Hasan Prishtines- Dokumente”, i Konferences shkencore “Hasan Prishtian” dhe botimit te te gjitha Kumtesave nga Shtepia botues SCUPI 2012. Jam sponsor i shtatores Hasan Prishtina në oborr të rektoratit të Univeristetit të Prishtinës, ku munguan të gjitha këto personalitete e që në fund shkuan te Veliqët, e që është gabim. Jam sponsor i shtatores Hasan Prishtina në qendër të Shkupit, të cilën me vështirësi e futëm në Kosovë se kishim pengesa dhe ishin bërë planet që të pengohet dhe të mos lejohet depërtimi i shtatores në Maqedoni, në Shkup dhe ne u detyruam që në mënyrë ilegale, duke rrezikuar edhe jetën ta fusim nëpër malet e Tanushës deri në Shkup. Ajo ka ndodh në prezencën time dhe të një mikut tim, të cilit nuk ia harroj tërë jetën veprimin e tillë që e ka bërë. Dhe jam iniciator, përkrahës edhe kam hise edhe në realizimin e shtatores edhe në Tiranë. Është realizuar edhe vizita dhe akademia e parë përkujtimore në Selanik, është bërë edhe dekorimi i Hasan Prishtinës nga Presidenca, ku vetë presidenti Nishani deklaroi publikisht se vulën e mbajmë edhe ne si familje duke më përmend edhe mua si emër, të cilin e falënderoj, sepse është ndër të rrallët i cili s’na e ka hëngër hakun.
Dhe ne po vazhdojmë me kërkesat tona që hasanizmi, kur të bëhet vulosja e hasanizmit përmes një punimi të doktoraturës në Universitetin e Vjenës dhe në universitete të tjera të implementohet edhe në shkolla fillore e të mesme e pse jo edhe pse lëndë universitare që të edukohet ky popull si të kontribuohet për shtet, si bëhet shteti e jo si ç’bëhet, si vidhet, si shkatërrohet. Jam shumë i emocionuar por ju falënderoj shumë për këtë intervistë, ju falënderoj për ardhjen tuaj nga Shtetet e Bashkuara për të realizuar këtë intervistë dhe i përshëndes të gjithë shqiptarët e Amerikës sepse ata ia dhanë shpirtin shtetit të Kosovës, ata e bënë shtetin e Kosovës së bashku me të gjithë diasporën dhe shpresa mbetet prapë tek shqiptarët e Amerikës dhe gjithandej që të futemi njëherë e mirë në binarë të fuqizimit të kombit tonë sepse ky popull e meriton ta ketë një të ardhme të ndritur njashtu siç e kishte në plan, në mendje, në shpirt, në zemër nga lindja deri në vdekje Hasan Prishtina. Pra ta ngrisimhasanizmin në piedestalin më të lartë.

Qazimi: Faleminderit shumë Mehmet, me të vërtet jam mirënjohës për punën që po e bën edhe po na bënë neve me u ndie krenarë. Të urojmë shumë suksese.

Falemnderit.

Ishte pra biseda me Mehmet Prishtinën, anëtar i familjes së Hasan Prishtinës dhe thonë se në çdo dy gjenerata përsëritet një karakter i njeriut në atë familje dhe po ndodhë pra kjo që një njeri që po e harxhon pasurinë e tij për ti ndihmuar çështjes kombëtare dhe në këtë rast për ta ngritur figurën më të çmueshme të kombit shqiptar, Hasan Prishtinën. Nuk po e bën vetëm për të, po e bën për kombin po e bënë edhe një gjë shumë të mirë që të gjitha familjet që kanë pasur heronj kombëtar siç janë prej Isa Boletinit, Bajram Currit e me radhë po i mbledh së bashku shqiptarët që të ndihen krenarë dhe këta do të ndikojnë në bashkimin e shqiptarëve. Pra, ndihuni krenarë për të parët tanë, bëni edhe ju siç bënë ata nëse nuk mundeni më shumë.
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 57 vizitorë
Lexuar: 1,554 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi