Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
“SHQIPËRIA, DESHËN S’DESHËN TRADHTARËT, DO TË BËHET!”
Publikuar më 08 nntor, 2016 në orën 11:55 ( ) Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
Afrim Morina është emër i njohur edhe në letrat shqipe e, edhe në politikën shqiptare. Është atdhetar, ngase rrjedh prej një familjeje atdhetarësh të devotshëm. Është veprimtar, sepse, veprimin për atdhe e komb e pati detyrë parësore prej të gjitha detyrave që shtroi e kërkoi koha e tij dhe e brezit të tij, sepse, e kishte amanet prej të parëve. Kur shqiptarët në trojet e tyre të pushtuara kishin vetëm dy rrugë për t’i zgjedhur: Rrugën e Titos dhe të titizmit e të shqiptaro-titizmit antishqiptar, atë të “bashkim-vëllazërimit” me shkie; apo, atë të Enver Hoxhës e të Shqipërisë, Afrimi u rreshtua aty, ku, zakonisht, rreshtuan të gjithë shqiptarët që e ndiejnë veten shqiptarë në trojet etnike shqiptare, të pushtuara nga ish-Jugosllavia e Serbia, nga Mali i Zi e Bullgaria, e, edhe të Çamërisë nga Greqia. Ai, zgjodhi rrugën e Enver Hoxhës dhe të Shqipërisë së shqiptarëve, paravrësisht se ai rreshtim i kushtoi shumë shtrenjtë: me përndjekje, keqtrajtime, burgosje të njëpasnjëshme, siç u kushtoi edhe shqiptarëve të tjerë si ai. Por, Afrimi, dallon shumë prej të burgosurve të tjerë politikë shqiptarë dhe, sidomos, prej kategorisë së të “burgosurve politikë shqiptarë” që kanë kapur majat e “pushtetit”, pikërisht, për vendosmërinë e pathyeshmërinë e tij. Për largpamësinë e tij njerëzore, intelektuale, politike, kombëtare e atdhetare. Parimësisë shqiptare, ai, i ka qëndruar gatitur! Thjesht, thënë me një fjalë: Është parimor për çdo kohë, i gatshëm për ta thënë të vërtetën kudo, kur e kërkon njerëzorja dhe kombëtarja.

Afrim Morina
Këtë intervistë po e organizojmë dhe po e bëjmë në 65-Vjetorin e tij të lindjes dhe në 42-Vjetorin e krijimtarisë së tij në fusha të ndryshme të artit politik e letrar, vjershëtor e prozator. Multidimensionaliteti i tij krijues shtrihet në shumë fusha të kulturës e të letrave tona shqiptare: në politikë, në letërsi, në prozë, poezi e dramaturgji.

Afrim Morina qe në disa lëvizje, si LRBSH, LPRK e FRBK (Fronti i Rezistencës dhe Bashkimit Kombëtar - Organizatë e parë politiko-ushtarake, e pranuar ligjërisht nga Qeveria e Shqipëisë) etj., e, edhe zëvendëskryetar i UNIKOMB-it dhe ushtroi detyrën e kryetarit, në mungesë të profesor Ukshin Hotit. Edhe para se të dilte publike UÇK-ja, e mbështeti atë dhe me daljen publike të saj, lëshoi kushtrimin publik, se “aty ku vendosen Pikat e UÇK-së, ajo degë, menjëherë, të kalojë në radhët e saj”. Këtë mbështetje publike, dhe në takime me subjekte politike e qytetarë, e bëri deri në mbarimin e luftës.

Ishte aktiv në drejtimin e luftës për liri e bashkim kombëtar, në jetën e përditshme dhe në “jetën” nëpër burgjet serbomëdha të Jugosllavisë së “painkuadruar” dhe “vetëqeverisëse” të kryesatrapit Tito, ku qëndroi stoikisht, në parimet e tij shqiptare.

Afrim Morina u lind në katundin Reshtan të Therandës, më 12 qershor 1951. Shkollimin fillor dhe të mesëm (Gjimnazin) i kreu në Therandë dhe studio për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Jetoi, punoi e veproi në katundin e tij të lindjes, në Reshtan, në Therandë dhe në Prishtinë. Veprimtaria e tij atdhetare u shtri kudo në trojet e pushtuara e të copëtuara shqiptare nga ish-Jugosllavia, për t’ia bashkuar ato Shqipërisë, Mëmëatëjonës.

Ka botuar këto vepra letrare e publicistike, të cilat kulmuan, në vitin 2015, me një komplet prej mëse18 sosh dhe u përuruan dënjësisht, në Prishtinë, me titullin simbolik ARKA E KUJTIMEVE, të cilit komplet veprash, në 2016, iu bashkëngjit edhe libri “Filloi e mbaroi me Jabllanoviçët”, e, ato janë: Arka e kujtimeve (Mendime/Anekdota); Peshorja (Poezi), Dosja e hapur 1, Në emër të pesë kontinenteve (romane); Një monodramë dhe një dramë (Strajca e gabelicës, Familja në perspektivë); Dy drama (Shpërthimi i errësirës, Dhoma numër 24); Gjurmë kohe 1, 2, 3, 4 (publicistikë); Të merituarit hyjnë në histori (Kujtime); Meditime (Filozofi politike); Mohimi (Analiza); Emancipimi politik (publicistikë); Bëjeni Shqipërinë – Shqipëri! (intervista të imagjinuara, etj.

Që të mos e lodhim lexuesin e nderuar, fjalën ia kalojmë shokut Afrim Morina, të na thotë atë që ka për të na e thënë në pyetjet tona, për jetën, veprimtarinë, krijimtarinë letrare, burgosjen, luftën për bashkim kombëtar e liri të popullit shqiptar, për aktualitetin politik në rrethana të “reja”.

Hapësira për ju, shoku Afrim, na e hap horizontin, mundësisht, me një maksimë tënden, që ty të flenë mëse shumti, për kohët që po na mbërthejnë kështu e kësisoji!

Në fillim, ju falenderoj për intervistën që bëni, në këta dy përvjetorë!

Është një realitet i hidhur për ne shqiptarët, sepse, një pjesë e kombit ka jetuar në robëri me mijëra vjetë dhe sot te kjo hapësirë kemi mentalitetin e robit dhe vetëm të na flitet me një gjuhë tjetër, ne bindemi, dhe, fatkeqësisht, kuptojmë! Kjo jetë robi na ka përcjellur që nga romakët, e deri te sllavët, me theks të veçantë ajo nën Serbi, njëherë, nën ombrellën e SKS dhe më vonë të Jugosllavisë artificiale. Po të shikohet sot, kemi po të njëjtën ndjenjë të mentalitet të robit, por, tash, duhet të dëgjojmë vetëm anglisht, gjermanisht, frëngjisht, etj., sepse, vetëm ata dinë të mendojnë për ne! Ndërsa, në pjesën tjetër të Adheut, kemi pasur përmbysjen e këtij mentaliteti, që nga viti 1945 e deri në vitin 1990, kur, për gjithçka është menduar e vepruar shqip, deri sa nuk u mundësua, prej “miqve” tanë, për të ardhur në pushtet pinjollët esadistë e zogistë, bashkë me puthadorët e të huajve, që kishin dy porta mbështetëse: Beogradin dhe Athinën, për të shkuar në shtetet e perëndimit dhe tej Atlantikut, duke e vënë në shërbim të tyre gjithë potencialin mendor, fizik dhe monetar, për zhbërjen e Shqipërisë. Operacioni i njohur si 1001, gjatë viteve 1950-1953, nxjerr në pah edhe portën e tretë - Romën. Kur e them këtë, nisem vetëm nga Konferenca e Paqës, në Paris (1945-1947) dhe argumentet historike që dalin prej dosjeve të shteteve pjesëmarrëse në këtë operacion. Kur i përmendi këto porta, kam parasysh që “baballarët” e kombit kishin nisur ta kërkonin shpëtimin përmes këtyre portave, që nga viti 1939, dhe po rikthimin e tyre nga këto porta, për operacione të ndryshme, madje, me të madhe, në vitet e “demokracisë”.

Poqëse e marrim këtë moto për trajtesë të çështjes kombëtare, në kohën e sotme, atëherë, edhe nuk duhet të befasohemi shumë, se, të huajt kanë misionin e vet, qoftë në gjeopolitikë, qoftë në gjeostrategji, por, edhe për pasuritë e pashterrshme të nëntokës shqiptare, lumenjve, fushave, maleve dhe deteve. Misionet investojnë para të shumta, sepse, kanë elaborate për çdo segment te ne, ndërsa, misionarët shqipfolës, ato para i fusin në kuletat e veta dhe tumirin gjithçka, për të qenë borizanë të tyre. Thënë shqip, ata që janë përcaktuar për të mirat tona, madje, edhe për moshën e popullsisë, kohën e masin me sekonda, ndërsa, ne, si kolektivitet, kohën e masim me orë.

Marrë në tërësi, në kohën e sotme, promotorët kombëtarë, duhet ta bartin në supe barrën e lëvizjes kombëtare, sepse, sot, nuk kemi akademi apo akademikë që do të ulen për ta bërë një platformë kombëtare, për ta mbuluar dhe përshpejtuar kohën e njësimit të politikës kombëtare, përkundër zërave prosllavë të ortodoksisë e të politikës antishqiptare, për të na ndarë në dy kombe, dhe, të ecim drejt së ardhmes si komb i dinjitetshëm, dikur.

Shoku Afrim, mund të na thoni cili është Afrim Morina?

Sa për ta plotësuar hyrjen. Kam qenë ndër organizatorët e nxënësve të shkollave të mesme (gjimnazi dhe normalja), në demonstratën e vitit 1968. Jam ndër themeluesit e Grupit letrar “Rafell Gasper Sopi”, 1974, në katedrën e fakultetit të “Zhurnalistikës: Diplomaci-Gazetari”, themeluesi i grupit letrar “Elena Gjika” në Therandë, në vitin 1975 dhe kryetar i saj deri në maj të vitit 1981. Aty kam zhvilluar aktivitet letrar, interpret e regjisor, e, në vitin 1980, kam shfaqur dramën time “Horizonte të reja” dhe, në vitin 1995, e kam ekranizuar dramën e Ismet Rashit, “Tokë e përgjakur”.

Kam udhëhequr aksionin e pajtimit të gjaqeve në Therandë, deri kur jam burgosur, më datën 16. 12. 1991. Kam qenë nënkryetar i KMDLNJ-së për një vit dhe sekretar i shkollës “Flamuri i Arbrit”, në vendlindje.
Menjëherë pas luftës, e kam krijuar Shoqatëm e të pagjeturve dhe kam arritur, përmes rregullores, t’i bashkojë të gjitha shoqatat simotra, që, sot, veprojnë përmes një Këshilli Koordinues. Gjithashtu, jam edhe ndër themeluesit e Sindikatës së Shërbyesve Civilë dhe kryetar i parë i saj.

Kam filluar me publikime në vitin 1974 dhe në vitin 1976 më është marrë e drejta e publikimeve nga “Zëri i Rinisë”; “Rilindja” dhe revistat e kohës. Që nga fillimi i publikimeve, më kanë mbetur disa poezi dhe romani “Në emër të pesë kontinenteve”, të tjerat janë të viteve të nëntëdhjeta e këtej.
Jam burgosur më 02. 4. 1974; 26. 5. 1981; 09. 5. 1990 dhe 16. 12. 1991, gjithsej, i kam mbajtur gjashtë vite e gjysmë burg.

Pas luftës, jam tërhequr nga strukturat partiake të UNIKOMB-it, me moton “Po nëpërkëmbën njerëzit që e kanë bërë historinë”. Partia, të cilën e udhëhiqja, nuk kishte mundësi ta bënte këtë, por, këtë filluan ta bënin të tjerat. Që nga atëherë, merrem me analiza politike e shkrime letrare dhe nuk i takoj asnjë subjekti politik.
Gjatë gjithë kohës, si i burgosur dhe i papunë, ndoshta, nuk do të isha ky që jam, pa mbështetjen e prindërve, vëllezërve, motrave, nipave dhe gruas, bashkë me fëmijët e mi.

Na thuaj diç më shumë për poezinë, monodramat, dramat, publicistikën. Ç‘porosi përçoni te lexuesit shqiptarë, përmes tyre?

Me poezi kam filluar të merrem që në shkollë të mesme, ku, edhe i lexoja nëpër orë letrare. Publikimin e parë e kam pasur më 1974. Kjo më dha kurajo dhe fillova të shkruaj edhe më tepër. Në vitin 1975, fillova të merrem me gazetari, fillimisht në “Zëri i Rinisë”. Me drama dhe prozë kam filluar të merrem po nga mesi i atij viti. Jam marrë edhe me hulumtime toponomastike, me histori ilegale, duke mbledhur shënime nëpër fshatra të ndryshme, në hapësirën e Shqipërisë së robëruar. Mbi dymijë (2000) faqe të shkruara me dorë e makinë, ose më janë marrë gjatë bastisjeve, ose më janë djegur gjatë luftës. Më është zhdukur “Ploja e Tivarit”, që, asnjëri deri më sot nuk e thotë të vërtetën. Këtë e them me bindje, duke u nisur nga anketat e bëra, të rreth dyzet pjesëmarrësve, nga komuna të ndryshme (1974), e, që, i trajtoj pak në romanin “Dosja e hapur 1”. Kam shkruar dy radiodrama, dy romane, një poemë, një analizë studimore “Familjet e mëdha, si rezultat i marrdhënieve ekonomike” (1976), monografinë “Liridashësit” (1986-1991, për therandasit) dhe një përmbledhje poezishë. Mjerisht, që, këto janë zhdukur dhe nuk mund të riprodhohen më.

Nga vetë titujt e të gjitha veprave del porosia. Çrrënjosja e robërisë përmes organizimit dhe propagandës së shëndoshë kombëtare, emancipimit kombëtar të brezave; bërja e platformës kombëtare, mbytja e frikës, mbytja e lakmisë për pushtet e pasuri, kthimi i dinjitetit kombëtar, por, e gjithë kjo nuk bëhet, pa këtë porosi:

“Vetëm unë, askund. Vetëm ti, si anjë. Vetëm ai, as te skaji. Ne të tre, përnjëmend, plot shend, me guxim, për atdheun tim, japim kushtrim”. (Vetëm, shtator 1975). Kjo, sepse, “Duket se, do të jem më i rëndë.” (Peshorja, 1974).

Jeni njeri i njohur i letrave shqipe dhe i politikës, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare, si ndodhi që të shkojë kështu huq e gjithë puna, mundi dhe gjaku i dëshmorëve të kombit në luftën tonë për bashkim kombëtar?

Lufta për bashkim i ka rrënjët thellë në histori. Por, ne, këtë duhet marrë si trajtesë vetëm nga koha e titizmit deri sot, pra, periudhën 71-Vjeçare. Nëse i referohemi motos, lufta është vazhdim i politikës, del se ne jemi munduar me politikë ta bindim kombin tonë, pushtuesin, ndërkombëtarët, se jemi të robëruar, por politika kuislinge, shtypi i verdhë dhe kolona e pestë, janë ato që kanë bërë që zëri i ynë liridashës e atdhebërës të mos dëgjohet larg, por, të mbetët përbrenda familjeve e miqësisë, që, here-herë, edhe ato kanë heshtur, ose janë ushqyer nga këto elemente që i theksova më lart, qoftë përmes përjashtimit në punë e studime dhe leçitjes, si forma më e vrazhdë e ndëshkimit. M’u duk sikur më shikove ndryshe, shoku Tafil, kur e mora këtë periudhë 71 vjeçare? Të dy e dimë këtë, se ende nuk jemi të shliruar, kur rreth 30% e territorit tonë në këtë Kosovë administrative, kontrollohet nga serbët dhe tash bëhet luftë edhe për pasuritë tona, mbi e nën tokë, me ndihmën e Brukselit. Të kthehemi te pyetja që ma keni parashtruar. Vetëm në vitin 1968 filloi të dëgjohet zëri i ynë në publik. Ky zë u dëgjua edhe në vitin 1981 dhe gjithë periudhën deri në vitin 1990. Patëm një “heshtje” kur, në vitin 1992, mediat raportuan për një process gjyqësor, dënimin e themeluesve të ushtrisë, duke prezentuar uniformat dhe armët. Përsëri heshtje, derisa në vitin 1995, rifilloi të dëgjohet zëri i ynë, por, tash, përmes grykës së pushkës. Këto momente të dëgjimit të zërit tonë, në gjithë hapësirën kombëtare dhe ndërkombëtare, që arritën piemontin e politikës botërore, edhe pse, u munduan t’i heshtnin armiqtë dhe argatët e tyre, nuk arritën. Këto filluan ta zgjojnë ndërgjegjen kombëtare dhe ndërkombëtare, por, armiku, gjithnjë e më tepër i forconte mjetet shtypëse dhe kursin e prezentimit të çshtjes shqiptare, sikurse po na ndodhë edhe sot.

Derisa jemi ende të robëruar e copëtuar kështu, si mund të mendojmë shqip për dëshmorët dhe veteranët e rezistencës kombëtare, kategori për të cilën as që bëhet fjalë! Larot kanë bërë që gjaku i dëshmorëve dhe invalidëve të duket se ka shkuar huq, mirëpo, realiteti është tjetër, se mu ai gjak do ta mobilizojë gjeneratën pasuese, për ta vu drejtësinë në vend. Ne të dy e dimë se, kohëve të fundit, ka filluar me të madhe të shtrohet pyetja, çfarë të bëjmë? Kësaj, jemi ne, shqiptarët, që duhet dhënë përgjigjen, duke kontribuar në zgjimin e kombit nga letargjia, për ta arritur, të paktën e 20%, pastaj, liria do ta marrë rrugën e vet. Por, gjithë kjo energji duhet kanalizuar mirë dhe drejt, që të jetë i bashkuar potenciali mendor, fizik e ekonomik i kombit. Këtë, mund ta bëjmë me një çasje të drejtë dhe të guximshme, për të cilën edhe kemi biseduar, përmes letërkëmbimit, në vitin 2011. Shumë grupime politike e ushtarake kanë dalë në skenë viteve të fundit, por, misioni i themeluesve ka qenë vetëm për t’i vënë në pah të “rebeluarit”, që, pastaj, të jetë më lehtë të përcillen.

Derisa nuk fitohet liria, dëshmorët kanë për t’u trajtuar me testera partishë, kur dihet se mu përmes tasterash partiake është dëmtuar mëse shumti lufta shlirimtare, edhe gjatë viteve 1997/99.
(vijon...)

Për albaniapress, Intervistoi: Tafil DURAKU

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 65 vizitorë
Lexuar: 1,048 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi