Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
“SHQIPËRIA, DESHËN S’DESHËN TRADHTARËT, DO TË BËHET!” (5)
Publikuar më 23 nntor, 2016 në orën 12:34 ( ) Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
Këtë intervistë po e organizojmë dhe po e bëjmë në 65-Vjetorin e tij të lindjes dhe në 42-Vjetorin e krijimtarisë së tij në fusha të ndryshme të artit politik e letrar, vjershëtor e prozator. Multidimensionaliteti i tij krijues shtrihet në shumë fusha të kulturës e të letrave tona shqiptare: në politikë, në letërsi, në prozë, poezi e dramaturgji.

Afrim Morina
Unin tënd luftarak e largpamës politik, pos publicistikës, e shtrini edhe në poezi, rrëfime, drama romane historike etj, por, ajo bërthamë uni kombëtar e atdhetar, kombkrijues e atdhebërës, sikur del më e theksuar te intervistat e imagjinuara, me personalitete të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe fytyra të njohura të historisë shqiptare. Çka mund të na thoni, duke e barasvlerësuar me kontekstin kohor? A jemi unik konform situatës, si faktor njerëzor e kombëtar?

Ke të drejtë, shoku Tafil. Duke i parë rrjedhat e politikës plangëprishëse, i jam kthyer kohës së krijimit të bërthamës kombëtare, që të arrij, pakashumë, ta zgjojë ndërgjegjen e intelektualëve, sidomos, të atyre në arsim dhe të studentëve, të cilët thirren në këtë ajkë të kombit, e, në anën tjetër, nuk i përfillin mesazhet e ajkës. Duke bashkëbiseduar me ta, kuptohet, përmes veprave të tyre, kam ngritur zërin për t’u trokitur edhe në ndërdijen e fjetur e amullore të pushtetarëve, të paktën, tek ata të cilët edhe kanë arritur ta mobilizojnë luftën për shlirim e bashkim kombëtar. Ky bashkëbisedim me ta, e ka edhe mesazhin tjetër, për ta zgjuar ndërgjegjen e një kategorie të ish të burgosurve politikë, të cilët, për para e kulltuqe, kanë harruar kush janë e nga erdhën.

Përmes tyre, jam munduar t’i bëjë edhe krahasimet kohore të tyre me tonat, sepse, atëbotë, as që flitej për shqiptarët si etni, e, lëre më si komb. Kushtet në të cilat kanë vepruar ata dhe kushtet në të cilat kemi vepruar e veprojmë ne, as që mund të merren me mend, mirëpo, ata ishin bërësit e historisë dhe të krijimit të shkollës kombëtare. Mundësitë e komunikimit të tyre mesvete dhe mundësitë tona kanë dallime shumë, shumë të mëdha, sa nuk mund të imagjinohen. Ata komunikonin përmes lajmëtarëve, përmes shtypit të huaj, përmes gjuhëve të huaja, në e nga të gjitha vendet e botës. Ata bënë hapa të mëdhenj për çështjen kombëtare, duke e bërë atë si çështje që duhet zgjidhur në qarqet ndërkombëtare, të cilat edhe e ngatërruan. Ata arritën që Evropa ta pranojë çështjen kombëtare shqiptare, që do zgjidhje, dhe, deshi nuk deshi, Kongresi i Berlinit u detyrua ta pranojë. Thënë thjesht, përkundër shumë vështirësive, në çdo segment, ata arritën ta përafrojnë një platformë kombëtare, shtetformuese e kombkrijuese. Ata arritën ta bëjnë alfabetin shqip (1908) dhe atë politik (1878-1912). Ne, në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të kaluar, i mohuam, të parën dhe të tretën. Madje, edhe sot, kur po flasim. Ne, jo që nuk u morëm me platformë politike, por, nuk ditëm të krijojmë as alfabet politik kombëtar, të cilat mosveprime, edhe mëtutje, do ta dëmtojnë kombin, të cilat, edhe mëtutje, do t’i rreshtojnë bashkëkombasit në vija e taborre politike armiqësore, të cilat, përmes kësaj politike që bëhet në të gjithë atdheun, nuk do të lejojnë të ulen njerëzit e pendës, me dinjitet kombëtar, për ta bërë një platëformë kombëtare, mbështetur në atë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe në atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sepse, ajo është kapërthyer nëpër programe e satatuse partiake e bajraktarllëke. Kësaj i thonë, zgjidh e merr, akëcilin subjekt politik dhe kjo ka bërë që shumë intelektualë të dalin nga radhët e partive, por, e keqja është, që nuk ulen së bashku, për të bërë diçka në këtë drejtim.

Ne, sot, duhet, përmes veprave, përmes jetësimit të tyre, të krenohemi, por, edhe të turpërohemi që nuk kemi arritur, të paktën, aty ku ishin ata dhe nuk di se si, disa, kanë fytyrë ta gënjejnë në këto pëmasa kombin, madje, ky sorollop, as që duhet të dalë para kombit, t’i flasë atij. Ata e patën mendjen, guximin dhe i shkrinë të gjitha pasuritë që patën, për çështjen kombëtare, ndërsa, ne, ende pa u tharë gjaku i dëshmorëve, filluam t’i mbushim xhepat me para dhe këtë e spjegon mëse miri Ali Asllani, te “Hakërrima”.

Po ta analizosh punën e tyre, veprën e tyre, ne duhet t’i themi tokës: Hapu e na përpij. Ne, ende i duartokasim tradhtisë. Çfarë bëri më shumë Abdullah Pashë Dreni, sesa “elita politike”, nga viti 1990, në gjithë hapësirën kombëtare?! Me heqjen e tij, hoqën kancerin nga trupi i shëndoshë i Lëvizjes. Çfarë bëri Esati më shumë se Sali Berisha, e këta të sotmit me “Zajednicën” e kufijtë me Maqedoninë e me Malin e Zi?! Ata, e dënuan aktin dhe mbeti pa u nënshkruar ndarja dhe copëtimi i tokave shqiptare. I pandëshkuar mbeti Zogu, por, zogollët po veprojnë dhe i ngritën permendore në Tiranë. A mund ta mbajë, ky truall, këtë turp, që i dhanë qeveritarët e Shqipërisë londineze dhe liderucët e subjekteve politike nga trevat e tjera kombëtare? Ndërsa, pinjollit të tij, qytetar Durrësi, i krijohen favore, sa vetëm që nuk kanë guxim t’ia vënë kurorën mbretërore. Erjon Velijaj u shndërrua në ofiçar, para një hiçi, dhe, po ta pyesësh atë (Erjonin), kishte kurorëzime në Tiranë gjatë mandatit të tij, që e meritonte t’i bëhej ofiçar, madje, edhe ta kishte për nder për tërë jetën? Ky stërnip Kaini mbështetet edhe nga dallkaukët, pa e ditur se çfarë po bëjnë, për nder apo për inat të kujt!
Të intervistuarit, e kanë pasur të qartë se për çfarë kauze luftonin. E kanë pasur dhe e ka të qartë “elita politike”, për çfarë vepruan dje dhe sot? Në këtë plan, sondazhet do të na e pasqyronin minusin!!!

Si ndodhi që të këqijat na erdhën vargevi, njëra pas tjetrës, sidomos, pas luftës së lavdishme të UÇK-së, ku, patriotët, kontribuan madhorisht dhe ndihmë të pakursyer keni dhënë edhe ju, personalisht, e, edhe familja e Juaj?

Në këtë pyetje jam përgjegjur, pjesërisht, më lart. Ne të dy, shoku Tafil, i takojmë gjeneratës që ka lindur dy e tri kohë dhe kemi ecur bashkë me njerëzit që i ka lindur koha. Kur e kemi parë se nuk kanë vazhduar në mënyrë të merituar, duke mohuar njerëzit që e kanë lindur kohën, thënë shqip, njerëzit që e kanë bërë historinë, jemi ndarë me ta dhe kemi ecur përpara, duke mos u mashtruar pas lakmive që na i ka mundësuar ajo kohë, se, në plan të pare, kemi pasur dhe e kemi çështjen kombëtare. Najadat nuk kanë arritur të na ndalin, por, as kërcënimet e armikut bashkë me emisarët e tyre. Ne kemi arritur të ecim nëpër tehun e shpatës dhe besoj se jemi promoterë të çështjes kombëtare. Këtë vlerë nuk kanë ditur ta çmojnë edhe protagonistët e dalë nga UÇK-ja, mirëpo, i diktuam menjëherë dhe jemi munduar ta emancipojmë popullin, duke i treguar edhe grackat e ndërskamcat që po i vendosin ndërkombëtarët bashkë me gjakpërzierit. U kemi treguar për misionin që kanë sllavoortodoksët dhe kush po u ndihmon, qoftë nga ndërkombëtarët, qoftë nga vendorët.

Duhet urti, guxim dhe njohuri për të qëndruar përballë këtyre rrebesheve, sepse, ndryshe është kur je i organizuar në një subjekt politik, ndryshe kur u vihesh përballë të gjitha të këqijave që i ndodhin kombit, i vetmuar, por, ngadalë i krijon mbështetësit e tu dhe kjo ta shton edhe më tepër guximin për përballje edhe më të mëdha, e, me shumë rreziqe. Të tilla kam pasur edhe pas lufte, por, ja ku jam, edhe më i fortë, edhe më i përgatitur për ballafaqim me këdo, e kurdo.

A nuk ishte dhe nuk është në gjendje intelegjenca shqiptare që t’i (para)ndalojë a t’i ndërpresë ato e këto të këqija? Nëse po, pse po ndodhë e kundërta?

Intelegjenca!

Varet se si e merr intelegjencën e një kombi. Të thirrurit, pra, ASHAK, kanë humbur në humnerat e armikut, se ende nuk kanë arritur të dalin nga gëzhoja e vet, ndoshta kanë mëkate shumë më të mëdha sesa mund t’i dimë ne. Kjo është ajo zyrtarja, për të cilën edhe paguhen. Por, edhe në Shqipërinë londineze kemi një akademi të heshtur dhe nuk e tregon veten në kohët kur kërkon shpëtim atdheu, këto njëzetegjashtë vite. Që të dyja, janë jashtë misionit që e kanë.

Intelegjenca, edhe kjo është e ndarë dhe e përçarë. Një pjesë ka kaluar në subjekte politike, një pjesë, fatkeqësisht, në ato fetare. Ata dinë të shkojnë aq larg, të kushtëzuar nga politika ditore e feja, sikurse në Kuvendin e Kosovës, kur i drejtojnë gishtin njëri-tjetrit. Kjo është mëkatare sikurse e para, sepse, e mbështetë kursin qytetar, e, jo atë kombëtar.

Një pjesë e intelegjencës e dinë se ka ardhur koha e tyre, por, për shkak se i duhen buxhete për promovimin e vetes, përmes librave, paraqitet indiferente për ngjarjet që po ndodhin me ne e rreth nesh. Ata janë të vetëdijshëm për misionin e armikut dhe të të huajve, por, janë një lloj narcisoidësh dhe frikësohen se pas vdekjes do t’u harrohet emri, por, pse jo, edhe për së gjalli të krekosen para qytetarëve, se “ka kush merret me çështje kombëtare”.

Kategoria e fundit e intelegjencës, që çështjen kombëtare e ka vu mbi të gjitha çështjet e interesat, është e shkapërderdhur, pa mjete financiare, dhe vështirë e ka ta bëjë punën kolektive. Sado që vepron, në të gjitha planet, si individualiste, vështirë e ka ta kryejë misionin e vet, por, pakashumë, ka arritur ta zgjojë ndërgjegjen kombëtare, dje e sot. Të tillët edhe përbuzen, nën moton, se ju nuk po bëni asgjë, por, realiteti thotë ndryshe. Nëse arrin t’i shkëpusi njëqind veta nga gjahu që i bëhet kombit, ai ka arritur ta përgatit një kohë tjetër, që do të lindë njerëz të rinj.

Besoj, se këta njihen mesvete dhe domosdo, një ditë, do të ulen për ta binarizuar veprimin kolektiv kombëtar. Koha nuk pret për këtë, sa më shpejt të gjendën mundësitë, aq më mirë për çështjen kombëtare.
Këtë moment jemi duke e pritur edhe ne të dy.

Po ashtu, kontribut shumë madhor dhanë edhe ushtarakët dhe luftëtarët nga atdheu amë, Shqipëria londineze, të cilët erdhën t’ia falin jetën Atdheut të tyre shqiptar, pa kursyer as familjet e tyre. Pse e gjithë kjo mosmirënjohje për ta dhe për kontributin e tyre dhënë Kombit e Atdheut?

Po, i njoh disa dhe e di në çfarë pozite janë. Edhe më lart e kam thënë, se kur filloi i gjithë kombi të luftojë për ta kryer misionin e dëshmorëve të shumë gjeneratave, ndërhyhet në Serbi, për ta shpëtuar atë, në të kundërtën, sot, do të ishim shtet-komb. Kjo edhe do t’i ketë pasojat e veta, sepse, një veprim të tillë nuk ta falë armiku me mbështetësit e tij dhe natyrisht se do të marrë veprime konkrete për të gjithë. Së pari, u morën me ata të cilët nuk i takonin Kosovës administrative, atyre nga trojet shqiptare në ish Jugosllavi, duke iu kthyer pastaj atyre të Shqipërisë londineze. Kemi shumë luftëtarë lirie që janë nëpër shtete të perëndimit, madje, edhe përtej Atlantikut, të cilëve nuk iu dha ndihmë, qoftë në punësim apo strehim.

Rastin e Dilaver Goxhajt (Shpëtim Golemit) e kam bërë publik, kur, me ndërhyrjen e Ismail Kadaresë, Rugova e largon nga Kosova, veç sa ishte stabilizuar me gruan, në Prishtinë.

Ka edhe të tjerë, por jo edhe të aso përmasash, por, që nuk iu shtri dora për kyçje në jetën publike e institucionale, duke qenë të gjithë specialistë të fushave të ndryshme ushtarake. Këtë e kanë bërë nga gjelozia e njohjes së problemeve, në njërën anë, e, në anën tjetër, për t’i fshehur nga syri i popullit, edhe i tyre, koketimet me ndërkombëtarët, për fatin e ushtrisë. Kjo, veç doli në shesh, më në fund, nga Ministri i FSK-së.

Cili prej ushtarakëve dhe luftëtarëve shqiptarë të UÇK-së ju ka lënë mbresa atdhetare e kombëtare, kur dihet, pa asnjë dyshim, se të gjithë (nuk) ishin të tillë? A mund ta veçojmë ndonjërin?

Ka disa që i kam njohur personalisht, që sot janë dëshmorë, të cilët, në supet e tyre, e kanë bartur misionin e shlirimit dhe të bashkimit dhe jam i bindur, se, ata, po të ishin gjallë, nuk do të ishim në këtë gjendje të mjerë. Ende kombi nuk ka arritur t‘i vlerësojë siç e kanë merituar, se, njohja e statusit të dëshmorëve të Kosovës është përçmim, kur ata i kanë qëndruar besnik kauzës kombëtare, për të cilën kanë luftuar edhe më herët, siç janë: Adem dhe Hamëz Jashari, Fehmi Lladrofci e Xhevë Krasniqi-Lladrofci, Ismet Jashari, Tahir Sinani, Remzi Ademi, Shaban Shala, Zahir Pajaziti, Xheladin Kurtaj, Mensur Zymberi, etj.

Edhe nga të gjallët, i kam njohur disa, para lufte, por, e kisha veçuar Alush Shalën dhe Ramiz Qeriqin, e ndonjë tjetër, por, me sa kam dëgjuar e hulumtuar, Ramush Haradinaj ka qenë Komandant me plotkuptimin e fjalës, në vijë fronti, duke ecur në ballë të kolonës, edhe gjatë luftimeve. Të tillë kanë qenë, pa dyshim, edhe Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, etj.

Na shkuan dhe po na shkojnë punët krejt tarapushk, kush po na tarapushkatë kësisoji dhe pse po lejohen këto tarapushkatje, në kurriz të kombit e të Atdheut. Një komb jemi, një Atdhe e kemi!?

Një atdhe?! Një pjesë bukur e madhe (ajo që ka qenë kundër luftës) ka filluar ta quajë atdhe Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Kjo paksa është e rëndë dhe, për ta, fyese. Ky është moment. I di kohët në të cilat këndohej flamuri kombëtar e betohej në po atë flamur. Ku jemi sot? Jemi shkapërderdhur si zogjtë e qyqes, nëpër foletë e huaja dhe na e vështirësojnë jetën, e, diku, edhe mbijetesën kombëtare. Njerëzit e etshëm për pushtet e para, luajnë me ndjenjat kombëtare, me flamurin e kombit, me hymnin e kombit dhe këta e tarapushkatin të djeshmen, të sotmen, e, nëse u lejohet ky komoditet, edhe ardhmërinë e të nesërmen tonë.

Mu për këtë, misionarët e çështjes kombëtare, duhet të punojnë në të gjitha frontet, për ta parandaluar këtë katrahurë dhe për t’i shpjeguar popullit se çfarë misionarësh janë dhe në cilin mulli e dërgojnë ujin. Edhe më herët e kam thënë, duhet të mësohemi me punë kolektive, ta binarizojmë çëshjen në drejtimin e duhur, pastaj, me pak punë të mençur, ajo ecën vetvetiu.

Si ndodhi që u shiten idealet tona kombëtare te shqiptaro-titistët dhe të kategoria e tyre e të “burgosurve politikë shqiptarë”, e cila kategori është shkaku, shkaktari kryesor dhe pasoja që lufta shqiptare për Shqipëri të degjenerojë në këtë derexhe?

Demokracia në kushte robërie e dëmton çështjen kombëtare. Ky ka qenë mendimi im që në fillim dhe i kam qëndruar besnik kësaj motoje deri më sot. Armiku, përmes kësaj loje politike, e ka kontrolluar lëvizjen tonë dhe, këtë, mëse miri e shpjegon Veton Surroi, në një artikull për “Borbën”, më 04. 7. 1990, ku e sygjeron Beogradin të mos e përjashtojë LDK-në nga loja, sepse, shqiptarët kanë ekspeseriencë të madhe në ilegalitet, prandaj, vështirë është të gjendet udhëheqja e saj, kur të gjithë janë në lëvizje.

Ky ishte hapi i parë dhe mjaft efikas, për zvogëlimin e bërthamës kombëtare, duke i përfshirë në rrethin e vet, me joshje të nduardurta, edhe një kategori të të “burgosurve politikë”, që u bë një levë bukur e fortë për ta topitur ndjenjën e revolucionit kombëtar. Efektet e saj, tashmë, janë të njohura për të gjithë, por, e keqja, as Azem Vllasi nuk e kritikon titizmin, e millosheviçizmin, por, edhe këta nuk e kritikojnë rugovizmin dhe mundohen që për të dyja epokat (rugovizmin dhe UÇK-në) të nxjerrin merita, kohë të cilat e luftuan njëra-tjetrën. Duke qenë në këtë pozitë, mundësuan dhe e shtrinë rugovizmin në një kategori të ish-luftëtarëve të UÇK-së, dhe, tash, jemi më zi sesa atëherë. Këta ditën ta luajnë lojën bukur, dhe, edhe sot, nuk janë pa hise në legjislatura e beneficione.

Ata të cilët u qëndruan besnikë idealeve kombëtare, janë të paktë dhe për kombin e vet kanë vetëm të drejtën morale, edhe pse vështirë e kanë t’i përhapin idetë e tyre, t’i përcjellin mesazhet e tyre, se, në radhë të parë, do të sulmohesh nga bashkëvuajtësit dikur, nga bashkëluftëtarët dikur, ngase, armiku e përdorë mashën për ta kapur gacën. Këtë punë e bëjnë edhe rugovistët. Populli, edhe për një kohë të gjatë ka për t’i parë në arenë përplasjesh ata që dikur ishin nderi i kombit. Kur të arrijmë ta zbërthejmë këtë enigmë, besoj se, do ta kemi këndelljen kombëtare.

Madje, idealet e të burgosurve politikë shqiptarë, u kompromituan keq, me marrjen e një “dëmshpërblimi” prej atyre shqiptaro-titistëve që ishin shkaktarët kryesorë dhe veglat kyçe të pushtetit për përndjekjen dhe burgosjen e shqiptarëve? Pse ndodhi kjo shëmti?

Kanë thënë, çka ta bën i yti nuk ta bën askush, sepse, vetëm ai di të të çmojë dhe përçmojë. Me “Dëmshpërblimin” jemi përçmuar dhe ky përçmim vjen nga Shoqata e të burgosurve politikë. Ne, asnjëri nuk kemi qenë mercenarë, siç ka ndodhur gjatë luftës. Mercenarët (bashkëpunëtorët), janë diktuar menjëherë dhe vetë të burgosurit politikë i kanë larguar nga rrethi i vet. Por, këtë lloj shpërblimi, unë dhe disa shokë, e kemi kundërshtuar, sepse, asnjëri nuk e kemi ditur, në radhë të parë, do të mbesim gjallë apo jo, sepse, edhe aty bëhej luftë për jetë a vdekje. Kemi shumë shokë që janë vrarë gjatë torturave, cilën kohë do t’ia llogaritim për “shpërblim”, atë kohë që përjetoi torturat dhe nuk ka arritur t’i bëjë mbi dy muaj, siç është rasti i Xhemaili Berishës (për 24 orë)! Shumë shokë kanë mbetur invalidë për gjithë jetën, nga torturat e bëra ndaj tyre, prandaj, shtrohet pyetje, mund të shpërblehet gjendja e tyre shëndetësore, që, brenda dy mujave ka dalë i paaftë për jetë e punë, kur, ata, nuk janë trajtuar fare, pas lufte?! Rastin e kemi me Metush Krasniqin, cilat shuma do t’ia dëmshpërblenin torturat e pësuara dhe vdekjen e tij prej tyre, pas daljes nga burgu, apo, kohën e regjistruar në vuajtje dënimi?!

Pastaj, shuma e “dëmshpërblimit” është shumë poshtëruese! Pothuaj, jemi trajtuar sikurse sot të pafajshmit, kur lirohen. Krahaso gjendjen e të burgosurve politikë në Burgun Qendror në Beograd, Goli Otok, Gospiq, Stara Gradishë e në shumë burgje të tjera dhe krahaso ato të sotmet. Me një fjalë, këto vuajtje nuk mund të mbulohen me asgjë, e, aq më tepër me mënjanimin e torturave gjatë fazës së hetuesisë.

Këtë “dëmshpërblim” nuk ka pasur nevojë ta bëjë Qeveria e Kosovës, por, kjo çështje ka mundur dhe është dashur të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Strazburgut, e, të zgjidhet sipas konventave e ligjeve ndërkombëtare. Siç duket, ndërkombëtarët me qeveritarët dhe Shoqatën janë marrë vesh dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka garantuar paratë, kjo ka ndodhur për ta hequr nga përgjegjësia penale e juridike Serbinë, për fashizmin që e kanë ushtruar në kurriz të të burgosurve politikë shqiptarë.

Në këtë lojë i kanë futur edhe robërit e luftës dhe këta i kanë ndihmuar shumë Serbisë, duke mos ia dhënë tretmanin e duhur kësaj kategorie, e cila do ta kishte nxjerrë dëmshpërblimin të merituar, siç e nxori Afrim Zeqiri.

Do të mirëpritej dëmshpërblimi, të cilin edhe e kam propozuar publikisht, kur të dalë NN në pension, të merr pagë sa gjysma e pagës së Presidentit, ose njëzetepesë euro për njëzetekatër orë qëndrimi në burg.

Në fund, jemi trajtuar si mercenarë, ne që dolëm parzmore para armikut, për ta mbrojtur dinjitetin kombëtar, për ta përgatitur terrenin për shlirim dhe bashkim kombëtar dhe në fund ta gëzonim të gjithë njësoj këtë liri, por, kjo u bë për të na e mbyllur gojën të flasim për epoka kombëtare. Edhe po deshëm, ne, të heshtim, nuk e lejon historia këtë, sepse, në fund të fundit, jemi bërësit e historisë, dikush në vazhdimësi e dikush është lodhur dhe është larguar nga rrugëtimi maratonik. Por, një gjë duhet ta kenë parasysh, të gjithë lojtarët e kësaj maskarade, penda dhe gjuha e misionarit për çëshje kombëtare, nuk do të ndalen kurrë!
(Vijon...)

Për albaniapress, Intervistoi: Tafil DURAKU

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 63 vizitorë
Lexuar: 1,188 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi