Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
INTERVISTË ME KRYETARIN E LKSHMSË Z. HASAN QYQALLËN
Publikuar më 01 janar, 2017 në orën 05:45 ( ) Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
Z.Qyqalla ky është viti i tret, nga themelimi i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM), ju si do na përshkruani shtegtimin e këtij asociacioni, mbase shquhet si i vetmi, gjer më tani?

Qyqalla:Tani, kujtoj se u dëshmua vet niveli i ngritjes intelektuale e shpirtërore, të mbledhur rreth bërthamës më fisnike, pra artit dhe preambulës së unifikimit kombëtar. Me këtë dua të them, jemi asociacioni i parë dhe i qëndrueshëm funksional, që dita ditës po sistemohemi drejt intensifikimit dhe avancimit të vlerave në të gjitha gjinitë letrare dhe fushat tjera të artit. Si kryesi jemi shumë kompakt e të harmonizuar, ku dhe e plotësojmë gjithmonë njëri-tjetrin. Natyrisht barra më e madhe na bie neve në Gjermani, si mua, Fran Tanushit dhe Mentor Thaqit, po gjithnjë duke u mbështetur në gatishmërine e krijuesve tjerë nga Austria, Belgjika, Suedia, Franca, Anglia, Italia, Greqia etj.

Z. Qyqalla sipas pohimit tuaj lë të nënkuptohet se jeni më kompakt se më parë, domethënë keni më pak sfida rreth organizimeve dhe rrugëtimit të mëtejmë si LKSHM?

Qyqalla: Realisht po; ne jemi gjithnjë në kërkim të segmenteve në hapësirë, ku mund të shpalosim vlerat tona krijuese-artistike. Shih për këtë, në disa raste u gjendëm në situata të pakëndshme, konkretisht pas negociatave të para me Qendrën Letrare (Literatur Haus) në Këln, ishim në prag të nënshkrimit të bashkëpunimit më këtë Qendër Letrare, ku aktivitetin e vet e zhvillojnë, jo vetëm krijuesit gjermane, por edhe krijues të nacionaliteteve tjera, që jetojnë këtu në Gjermani. Për fat të mirë, kjo mbeti vetëm një dëshirë, pasi Ministria e Diasporës nuk tregoi një interesim të duhur, sikur as Ministria për Kulturë, Rini e Sport, e Republikës së Kosovës. Pra, me sfida ballafaqohemi gjithnjë, vetëm për mungesë të gatishmërisë, apo mungesës së nivelit të strukturave politike që gjenden në krye të Ministrive tona! Me këtë rast, do vë në pah ngrirjen e bashkëpunimit mes LKSHM dhe Ministrisë së Diasporës, pa pëlqimin tonë, ngrirje që vazhdoi deri në Nëntor të këtij viti.

Më tutje z. Kryetar, Hasan Qyqalla?

Po, siç e ceka edhe më lartë, mërgata në përgjithësi është institucionaliste dhe respektive, përkundër qëndrimit të marrë nga Kryesia e LKSHM, për bojkotimin e të gjitha aktiviteteve që organizon Ministria e Diasporës, ne prapë kërkuam takim me zyrtarët e kësaj Ministrie. Kjo edhe ndikoi në ri-vijimësinë e bashkëpunimit tonë me respekt të ndërsjellë. Natyrisht vet prania e Ministrit të Diasporës Z. Valon Murati, në takimet tradicionale "Nëntori Poetik" në Mynhen, hapi një kapitull të ri. Për këtë, më në fund puna, aktiviteti i jonë dhe këmbëngulësia gjithashtu ishin identiteti ynë i pathyer si bashkësi do thosha. Pra, ne jemi ata që jo vetë m’i thyem mitet se "shqiptarët nuk mund të jenë në harmoni funksionalë si grup apo bashkësi", por ishim dhe jemi forma më e mirë organizative, apo imazhi emblematik kombëtar!
Një urti filozofike thotë: "Në jetë njerëzit ju ngjajnë fjalëve; nëse nuk i vë në vendin e vet, e humbin kuptimin"!

Z. Qyqalla cilat ishin aktivitetet e LKSHM gjatë këtij viti?

Qyqalla: LKSHM vazhdon aktivitetin e vet, përkundër vështirësive që kemi, mbase krijuesit mërgimtarë janë të shpërndarë në tërë globin. Kështu që, kur kihet parasysh puna, familja e disa faktorë tjerë, është e pamundur në çdo aktivitet të marrin pjesë gjithë krijuesit. Megjithatë, shumica prej tyre bëjnë çmos që të na bashkohen, siç bie fjala, aktiviteti ynë fillon që në janar, siç dhe kanë filluar përgatitjet për takimet e rrodhes për 2017-ës, pasi kemi një memorandum bashkëpunimi me Shoqatën "Kadri Zeka" në Kirchheim Shoqatën "Bardhosh Gërvalla" në Ludvigsburg, ku organizojmë Takimet Flaka e Janarit, që ju dedikohen vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës. Me këtë rast, organizohet program i pasur kulturor e sportiv dhe Ora Letrare me karakter garues. Shpërblimet i dhuron Familja Gërvalla, pra një komplete librash të Jusuf Gërvallës. Pastaj Takimet tradicionale "Pavarësia Poetike", që këtë vit u mbajtën në Hamburg të Gjermanisë, falë gatishmërisë së veprimtarit, humanistit, patriotit e afaristit të njohur Xhelil Musa (i cili, më 23.11.2016, në Pallatin Presidencial në Tiranë, pritet nga Presidenti Bujar Nishani ku dekorohet me Dekoratën "Nënë Tereza"). Pastaj të ftuar ishim në TAKIMIN TRADICIONAL POETIK -“GURI I HYJNESHËS ILIRE-THANA”, USKANË(Kërçovë), 2016; me ç'rast u nderuam me MIRËNJOHJE, për të vazhduar me Mallin Poetik në Fushë Kosovë, organizim i Shoqatës së Shkrimtarëve "Naim Frashëri" nga Fushë Kosova. Këtu, nga Juria profesionale në një konkurrencë të denjë, u vlerësova me ÇMIMIN E PARË. Tradita e LKSHM vazhdon edhe me Takimet e krijuesve nga bota mërgimtare "Promenadë Mërgimtare", që këtë vit u mbajtën në "Mondial Park" afër Prishtinës, ku interesimi dhe pjesëmarrja e krijuesve ishte për lakmi. Kjo, ndoshta se është i vetmi takimi ku gërshetohen vlerat, shkëmbehen përvojat mes krijuesve nga mërgata dhe hapësira jonë etnike. Natyrisht, aktivitetet verore nuk kanë të ndalur. Ftesat nga më të ndryshmet, na shtyjnë shpesh herë të ndahemi në grupe, të nderojmë organizatorët për kujdesin e vëmendshmërinë që tregojnë për krijuesit e mërgatës. Kështu, të ftuar, ku edhe morëm pjesë në Takimet tradicionale “GOST FEST” në Gostivar, me koordinimin e poetes së mirënjohur (bijës së kësaj ane) z. Miradie Maliqi, që do mbahet gjatë në kujtesën e pjesëmarrësve, qoftë për organizimin, pritjen dhe gatishmërinë e përzemërsinë, jo vetëm të artdashësve këtu por edhe të parit të Komunës z. Nevzat Bejta. Krybashkiaku i qytetit të bukur të Gostivarit, na priti në Kabinetin e tij me bashkëpunëtorët e tij. Ma atë rast, patëm edhe një konferencë për shtyp në media. Karvani i LKSHM, vazhdoi me Takime edhe në Tetovë, Shkup etj. Këto ishin aktivitetet verore të përmbledhura ngushtë. Tash, kthehemi prapë në mërgim. “Nëntori Poetik 2016”, këtë vit u organizua në Mynhen, falë angazhimit të Sekretarit të LKSHM Fran Tanushit dhe Shoqatës Kosovare-Bavareze. Këtu u përkujtua edhe piktori Akad. Gjelosh Gjokaj, me një fjalë rasti të krijuesit Mentor Thaqi dhe Halil Kçiku. Megjithatë, kujtoj suksesi më kulminant për LKSHM këtë vit, është padyshim botimi i Antologjisë VARGJE PËR NËNËN, me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës. Me këtë rast falënderojmë këshillin redaktues në përbërje: Prof. Nehas Sopaj, Anton Marku, Migena Arllati, Demir Gjergji dhe Sadik Krasniqi, sikur edhe recensentët: Prof. Dr. Zejnepe Alili-Rexhepi dhe Prof. Frrok Kristaj, si dhe autorin e pikturës së Nënë Terezës në ballinë Prof. Miftar Memeti.

Z. Qyqalla si u prit Antologjia nga lexuesi dhe kritika?

Qyqalla: Kujtoj, pas fushatës së ngarendjes për botime sot, qoftë si individ apo edhe forma të quajtura Antologji, sikur është krijuar një amulli tek lexuesit. Kjo, e ka edhe arsyen e vet të qëndrueshme besoj. Duhet të jemi real...! Shih për këtë, na dolën si kërpudha pas shiut poet e shkrimtarë. Disa iu qepen heronjve, dëshmorëve, etj. që të bëjnë "emër". Ca sikur përpiqen të përfitojnë në këto situata, gjersa pati edhe raste të dalin vrushkuj titujsh të rinj poetik, tregime apo edhe romane. Prandaj, s’do mend se nuk i rezistojnë dot kohës, por megjithatë akoma dominon njëfarë mjegullnaje. Këtu, s’do harruar se në rrjetet sociale, sikur edhe portale të ndryshme, nuk ka asnjë kriter vlerësimi apo sintetizimi të vlerave kundrejt antivlerave, për botim. Ju bie në sy në profile, ku vetëquhen poet, shkrimtarë, artist, etj, etj. Megjithatë, nga volumi aktual krijues përgjithësisht, kujtoj, jemi larg vlerave. Bile sipas mendimit tim arti poetiko-letrar, po degjeneron skajshëm, ose sikur po i bënë karshillëk muzikës tallava, drejt degradimit. Nisë nga kjo dukuri e shëmtuar, ne edhe ngritëm një Këshill Redaktues, vetëm e vetëm për të shkoqitur apo kristalizuar vlerat. Prandaj, kujtoj që kemi arritë synimet e prenotuara, mbase erdhën shumë poezi, ndërkaq ne ishim përcaktuar për 87-të poezi, që koincident me vitet e jetës tokësore të Nënë Terezës. Prandaj edhe u vlerësua lart nga kritika, po ashtu edhe u mirëprit mrekullueshëm nga lexuesi i pasionuar.

Keni bërë promovimin e kësaj Antologjie, dhe nëse po, në cilat vende?

Qyqalla: Sigurisht, ajo që ceka më lartë, pati jehonë të madhe. Antologjia VARGJE PËR NËNËN, nisi promovimin në Shtutgart, për të zbrit në vendlindjen e Nënë Terezës në Shkup, në Tiranë e në Prishtinë. Kërkesat për promovime ishin shumë më të mëdha, por ikën shpejt 500 kopje. Mos t’i mbetem borxh, pa përmend, paralelisht edhe pa falënderua, spozorin e kësaj Antologjie, intelektualin, veprimtarin e afaristin e mirënjohur nga Bad Neuenahr-i i Gjermanisë, z. Ramiz Muharremi, që është President i Firmës “R.M. Bau GmbH”! Pra, këto ditë, kemi porositë shtypshkronjën edhe për botimin e 500 kopjeve tjera. Më pastaj, do vazhdojmë më tutje. Ndryshe, i mbesim borxh Nënë Terezës krahasuar me shtegtimin e saj të gjatë e human, sikur edhe krenarinë kombëtare që na dhuroi. Ne duhet të dimë ta duam, ta çmojmë, ta përkëdhelim, qoftë me artin poetik, muzikor, pamor e pse jo edhe forma tjera të mundshme. Ne u nisëm nga një urti që thotë: “bëre atë që mundesh, për atë që do, aty ku je”! LKSHM është nyja mes shpirtit, ndjenjës dhe dellit. Prandaj, sfidojmë çdo furtunë, sikur edhe largësitë gjeografike, që padyshim, rezulton të dalim më fisnik dhe më unik.

Si e shihni gjendjen kulturo-sociale e politike në hapësirën tonë kombëtare, mbase në një intervistë tuajën të mëhershme, keni shprehë hapur pakënaqësitë tuaja?

Qyqalla: Po ta them unë tani! E para, nuk është fare në artin tim kritika apo shprehja në këtë formë. Nuk më pëlqen të them gota është përgjysmë, por them gota është gjysmë e mbushur. Jo se nuk i kemi të njohura zhvillimet rrethanore në hapësirat tona, por se nuk më pëlqen të jem njeri pesimist apo dekurajues. E dyta, nuk është në artin tim të shoh vetëm njërën anë të medaljes apo vetëm të zezën, për të nxjerrë helme e vrerë! Po, ama më thuaj, të lutem, vetëm një segment apo shtyllë zhvillimore tek kombi ynë drejt integrimeve e strukturimeve perëndimore, që do mbështesja forcën e shpresës! Bile, ta them troç, Shqipëria ka bërë ca hapa breshke para, ama Kosova dhe viset tjera shqiptare përreth, janë si mos më keq! I përcollët zgjedhjet e fundit në Kosovë, Mal të Zi, në Lugin, e tash së fundmi në Maqedoni! Është e tmerrshme fare. Prandaj, nuk do merrem fare me këtë temë, mbase Lasgushi (e kam dëgjuar në Tiranë nga një miku im gazetar), kur e pyetën, si kalon me regjimin e kohës (komuniste, është fjala), ndërkaq ai paska thënë: “sikur mos të ishte poezia (arti, pra), ndonjëherë më vije të shajë”! Prandaj, as unë nuk e parapëlqej fare tani të diskutojmë për këtë temë. Sot do flasim për artin. Mbase, ndonjëherë tjetër, pse jo. Fundja është brengë kombëtare.

Si e shihni Samitin e parë të Diasporës, që u organizua nën patronatin e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edin Rama? Ishte i vonuar, sipas jush!? Pati jehonë? Solli efektin e pritur?

Qyqalla: Dëgjo me kujdes, tani të lutem, mbase konsideroj është pyetje shumë me vend! Ky nuk ishte Samit as që kishte të bënte fare me te! Ky ishte një fizkulturë e radhës drejt promovimit të platformës politike (aktuale), nga i pari i Qeverisë Shqiptare me stafin e vet. Pos kësaj, u krijoi mundësi promovimi edhe stafit politik të Kosovës. Ndërkaq, pyetjes suaj do i përgjigjesha me pyetje relevante: Cilat ishin kriteret në përzgjedhjen e të ftuarve (pjesëmarrës)!? Kë përfaqësonin ata!? Me se merreshin ata "delegat" mërgimtarë të ftuar në “Samit”!? Ku dhe si u sistemuan!? Fundja, veç shfaqjeve retorike, që i dëgjojmë çdo ditë përmes ekranit, asgjë konkrete për mërgatën dhe organizmat atje. Pra, ishte një formë “mençurie”, e për mua potezë dinakërie, e kësaj klase të dështuar politike kombëtare. Pra, sikur stafit të Qeverisë së Shqipërisë, po ashtu edhe asaj të Kosovës. Eh, kinse po merremi me bashkatdhetarët tanë me seriozitet të theksuar, apo jo!? Vendosu ku të duash, si të duash,.. eja ku e kur të duash, dëgjo demagogjitë e tyre të përditshme! Prandaj, isha edhe unë atje (në Tiranë), takova ca miq, kaluam çaste të këndshme, e kështu me radhë. Mbase vetëm ky ishte efekti që do vë në pah për sa i përket përjetimeve me “Samitin e parë të Diasporës”! Kjo formë “Samit(i)-(ë)zi”, edhe rezultoi i dështuar, sikur edhe ishte e njohur! Thirrje bombastike, pa hiç gjë!

Për fund z. Qyqalla na flisni për veten tuaj, vitin që po e lëmë pas dhe porosi keni për këtë fund vit?

Qyqalla: Unë nuk jam i predestinuar të flas për vete. Po, do dal nga modestia, për hir të pyetjes suaj dhe lexuesve, padyshim. Jam i kënaqur me ato që kam arritur në këtë vit. Jam laureat i Shpërblimit vjetor për POEZI nga redaksia e revistës prestigjioze e mbarëkombëtare "Mirdita", e në krye Pjetër Markun-Drejtor, pastaj Çmimi i parë në Takimet tradicionale "Malli Poetik" në Fushë Kosovë, Dekorimi nga Komuna e Korçës, pastaj Emblema e Komunës së Gostivarit nga Kryebashkiaku i Gostivarit Z. Nevzat Bejta, nga Kryesia e LKSHM, me rastin e 40-vjetorit të krijimtarisë letrare dhe 55 vjetorit të lindjes u nderova me një DHURATË (Stilolaps), etj., që ishte befasi e këndshme për mua, mbase treguan kujdesin e tyre.
Në fund, ju uroj gjithë krijuesve, artdashësve, të botës mërgimtare shqiptare dhe gjithë bashkëkombëseve tanë VITIN E RI 2017, me dëshirën e shpresën që të vazhdojnë përkrahjen, mbështetjen dhe avancimin e artit si forma më sublime e identitetit shpirtëror. Uroj, gjithashtu jetëgjatë LKSHM-së dhe të vazhdojnë kështu unik, homogjen, mbase jemi të vetmit që i thyem tabut e liga drejt riformatizimit të unifikimit tonë kombëtarë...!
Gëzuar 2017!

Intervistoi: B. Krasniqi

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 49 vizitorë
Lexuar: 2,541 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi