Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Jam krenar që i takoj kombit shqiptar dhe e mbaj krenarisht plisin e bardhë
Publikuar më 19 prill, 2017 në orën 04:13 ( ) Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
Intervistë me artistin e teatrit e të filmit të Kosovës, humoristin, studiusin serioz të evenimeteve të shumta, kritikun e artit letrar e pamor, Ismet Krasniqin-Lalën, nga Drenoci i Komunës së Malishevës, i cili jeton në Klinë.
Meqë ndodhet në Zvicër, pas Promovimit të veprës së fundit „ARTI I DALTUAR“, në mbrëmjen e ekzpozitës personale të aktorit e piktorit Arsim Berishës, në Zvicër, me 18.03.2017, ne e shfrytëzuan rastin që të bëjmë një intevistë origjinale dhe të pathënë deri më tani.
Intervista bëhet me dy qëllime: për revistën mujore të QSHKI-së, “BESA”, në Kreuzlingen të Zvicrës, dhe për opinionin e gjërë shqiptar e botëror. Në revistën mujore “BESA” do të jepet në vazhdime, prej mumrit në numër…

HYRJE:
Ismet Krasniqi-Lala na kujtohet kurdoherë, qoftë nga njohja e jonë; nga filmat e vdeokasetat; nga fëmijët e nipat tanë; dhe nga më të vjetrit...

Ai është i lindur më 16 mars 1951, siç e thamë më lartë, në Drenoc të Kumunës së Malisheves dhe jeton në Klinë të Kosovës, si pensionist.
Është i diplomuar në Fakultetin Filozofik, Dega Filozofi-Sociolgji, pranë Universitetit të Prishtinës, ku e ka mbaruar edhe me sukses të plotë Akademinë e Arteve, Dega e Aktrimit, klasa e Enver Petrovcit, prandaj është aktor porfesionist i teatrit, filmit e humorit. Pra, u takon atyre dekadave që më së shumti dhanë kontribut të veçantë në lëminë e kulturës; në lëminë e shfaqjeve publike, të festivaleve, të artit, në lëminë e teatrit.
U takon atyre krijuesve që e kanë krijuar të gjithë krijimtarinë artistike, prej fjalës së shkruar e deri në shfaqjet publike; prej humorit e deri te teatri e filmi; prej festivaleve, e deri te botimet e shumta.
Punën e filloi që heret, në gazetën e studentëve, “Bota e re”; por ka punuar si profesor i gjimnazit “Luigj Gurakuqi” e deri në Shtëpinë Kulturës në Klinë, ku ka qenë Drejtor, e deri në udhëheqjen e teatrit.
Veprimtarinë e gjërë teatrore e ka zhvilluar në Klinë, në Skenderaj, në Prishtinë, në Mitrovicë; në Vushtri, në Pejë, në Malishevë; në Gjillan; në pjesën kryesore të qyteteve të Shqipërisë, prej Tirane e Vlorë deri në Përmet; pastaj në Shkup e disa qytete tjera në Maqedoni; Në Tuz e Malësi të Madhe; sikurse në Gjermani, Kroaci dhe Slloveni. Është themelues i festivalit “Mujë Krasniqi”, në Klinë; i Festivalit të Grupeve Amatore Teatrale të Fëmijve (FGATF), në Klinë.
Ka marrë po aq shumë mirënjohje, diploma, çmime e faleminderime, në të gjitha trevat ku ka qenë pjesëmarrës apo edhe organizatorë, si dhe me role të ndryshme e teatrore apo hartus i dokumentarit “Dueti legjendar Salih e Feriz Krasniqi”, i cili u shfaq nga RTK dhe prit me dinjitet...
Botoi shumë vepra esesitike, letrare (poezi, dramë, komedi), monografi, këndvështrime kulturore, recensione letrare, shkrime për profile kulturore e letrare, kronika, repotazhe e kumtesa, etj. etj.
Me reputacion ndërkombëtar mund të merret edhe mirënjohja e UNESKO-s, me rastin e ndarjes çmimit “Aktori më i mirë i festivalit”, në Sarandë, me 2015, në festivalin e atjeshëm “Art pa kufi”.
Në Zvicër, e pritëm me padurim ardhjen e tij për promovimin e librit „Arti i daltuar/ Arsm Berisha: gjurmë arti, kulture e jete“, SHB „Rozafa“, Prishtinë 2017, me rastin e ekspozitës përsonale të artistit e piktorit Arsim Berisha, në Schullhaus Mattenbach, 8400 Winterthur, ku u prit nga të gjithë mërgimtarët e organizatorët me brohoritje të mëdha, por edhe nga Ansanbli „Trojet“, që i ekzektuan disa pika vallëzimi dhe këngëve të pianos, nga e reja gjakovare, artistja Flutura Bytyqi.
Ka vepra të botuara në mënyrë origjinale, por edhe si bashkautor. Deri më tani, ka botuar gjithsejt 17 vepra.

Erdhe papritur në Rapperswil, para ditës së caktuar të ekspozitës dhe promovimit të librit tuaj të fundit, „Arti i daltuar/ Arsm Berisha: gjurmë arti, kulture e jete“, SHB „Rozafa“, Prishtinë 2017. Unë isha në Zürich, kur ju, nëpërmes të Zvicrës, prej Hinwillit, ku e keni djalin tuaj, Arianitin, dhe Winterthurit, ku e kishit promovimin e veprës suaj, e zgjodhët Kalanë e Rapperswil-it. I pashë të gjitha fotografitë tuaja, të bëra këtu. Njëren, nga Kalaja e Rapperswil-it, po e zgjedhi për këtë intervistë. Po të pyes: çka të shtyri pikërisht të vizitoni njëren ndër qendrat e para të Zvicrës, që të lëne mbresa, qytetin e Rapperswil-it?

Nuk e di pse më shtyri të kërkoj ta vizitoj vendin e parë posa mbërrina në Zvicër, qytetin e Rapperswil-it? ... Sikur kisha lexuar dikund se ka të bëjë ky vend diçka me popullin shqiptar, gjegjësisht me paraardhësit tonë. Emrin nuk e kuptoja mirë, por ky vend ishte vend i bukur, vend turistik. U kënaqa me atë pamje të bukur e veçmas kur hypa në kala.

Sigurisht nuk e dini së më pranë kalasë, poshtë, në fund të shkallëve të Manastirit dhe Kishës KAPUZINER, në fund të rrugës, ndodhen shtëpitë e familjes CURTI. Më kryesorja, është shtëpia pranë liqenit e pasardhësve të Familjes Curti, me „C“ në vend të „K“, por me I-në shqipe në fund të fjalës. Janë njëra prej familjes së përplasjes së Rapperswil-it me Zürich-un dhe një prej familjes së Komunës së Rapperswil-it. A e keni parë këtë shtëpi, derisa shetisnit pranë saj? A e keni kuptuar këtë çështje?

Po, e kam parë, por me ju thënë të vërtetën nuk e kam kuptuar mirë edhe pse më reflektonte me një mbiemer apo emër shqip “Kurti”. Por, më gjërësisht e lexova kur u ktheva në shkrimet e tuaja z. Brahim Avdyli dhe më lejoni të citoj një pjesë të asaj që e lexova:
“Në Rapperswil, të St. Galles, familja Kurti (Curti) shohim se ka dhënë në disa breza udhëheqës në komunën e Rapperswil-it dhe të Konfe-deratës së Zvicrës. Fshati Jahkurti është në Shqipërinë e veriut, ndërsa familjet Kurti ndodhen në Smolicë të Kosovës. Prej aty, kanë kaluar në Itali. Familja “Curti” e ka origjinën shqiptare. E vetmja trashëgimtare e familjes Curti është Elvira, në të cilën a-ja është mbaresë shqipe për emrat e gjinisë femërore. Ky është emër tipik i gjuhës shqipe. Familja “Burri” e shpërndarë në tërë Zvicrën është po ashtu mbiemër shqiptar. E tillë është edhe mbiemri ”Rasi” apo “Rrasi” në Basel apo në Turgau, në Erlenbach apo në Wängi. Ka dhe emra të tjerë, që sot tingëllojnë shqip…„

-Po, kam bërë prova që të jap edhe unë pak këtë linjë, në veprën time „Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj“, botuar nga „Brezi `81“, Prishtinë 2011. Ajo ka dalë me disa gabime të vogla. Me kohën, do të dalë sërish, në një vepër të dytë, për mëgimtarët këtu apo për Zvicrën. Në këtë shtëpi është shënuar „Sheshi Curti“, dhe pllaka e 8 brezave CURTI. A do të thuash ndonjë gjë për këtë çështje dhe për këtë familje?

Përgjegjia më e plotë sigurisht se do të delte pasi që ta lexoj librin tuaj që ma dhuruat. Për mua mjafton që kam njohuri më të plota për këtë familje e do ti plotësoj njohurit e mia, duke lexuar e duke vizituar këtë vend e duke e studiuar edhe 8 brezat Kurti. Herën tjetër kur të vi në Zvicër do ta vizitoj këtë vend, po sigurisht jo thjesht si një vizitor, por si një studius i kësaj çështje, që ju e keni parashtruar.

-Shumë mirë e thatë!... Në fund të KAPUZINER (lexo: Kapuçiner), ndodhet një shkrim i ardhjes së familjes Curti, në Zvicër, prej Milanos. Atje kanë ikur pas vdekjes së Gjegj Gjon Kastrioti-Skenderbeut, ndonëse këta ende nuk e dinë, edhe pse i kanë dhënë merita të mëdha mbretit tonë… A e ke parë këtë tabelë të ngritur?

Edhe pse gjatë vizitës në qytetin Rapperswil-it, të St. Gallës, tërë kohën e përdora fotoaparatin dhe nuk paskem arritur që ta shoh dhe ta fotografoi këtë tabelë. Sigurisht njeriu kur vjen thjesht në vizitë, pa një plan të përcaktuar, i ikin edhe shumë gjëra me rëndësi, pa i vrejtur.
Më la përshtypje shqiponja që ishte përball portit, në një objekt të vjetër dhe e vërejta se ishte identike me shiqonjën në flamurin tonë kombëtar, me një dallim: në mes kishte një shirit i verdhë.

-Përveç se ka të tjera dhe të gjithëllojshme, por edhe me kulturë, është njëra ndër to «Schweizer National-Circus KNIE», të cilën, sa herë e kam vizituar. Po ta jap edhe ty një reklamë, i cili i shfaqë mbrekullitë e cikusit, këtu, me 23.03.-deri më 26.03.2017. Në Rapperswil është edhe «Knie-Kinderzoo», i cili është i vizituar nga anët e ndryshme të Zvicrës dhe nga bota. Këto të dy gjëra, që lidhen me Zvicër e me Kosovë, nuk ke mundur që ti përmendësh, sepse nuk e ke ditur, por shëtitoren e liqenit të Zürich-ut, ku defilojnë turistë të shumtë. Arësyeja e qëllimshme e imja, po të drejtohem me një pyetje, që i lidhë këto dy shtete të Evropës, nga biologjia dhe njerëzit. Nëse e keni të qartë, në qendër të tokës së Knie, qëndronte një ftua i madh, me ftonjë të përkryer, i cili, vjet u rrëzua, sepse ishte i vjetër, por ka ftonj të ri, përskaj tij. A i keni ruajtur ata ftonj në shtëpi tuajën, dhe në faqen tënde të FB, sepse edhe unë, moti të kam shkruar ?!...

Unë e konsumoi ftonin, sikuse mjaft të tjerë nëpër Kosovë dhe e dua shumë. Thjesht është njëra ndër pemtë që e adhuroi më së shumti.
Jamë i lindur në Krahinën e Llapushës në Kosovë (Llapusha kufizohet me Drenicën, Dukagjinin e Podrimen), ku janë shumë ftoi. Edhe sot është tradite ftoni. E kam trashigun afër shtëpisë dhe i mbjell ftoijtë.
Sipas bystytnive ftoi është një pemë e bereqetshme që sjell shumë të mira dhe nga shtëpia i largon shumë të liga. Plakat ftoin e mbanin nëpër arka me rroba, e ata lëshonin një erë të këndshme.
Kam bindjen se populli shqiptar ftoin e konsumon më shumë se popujt e tjerë, në rajon e më gjërë.
Pasi unë jetoi në banesë, ftoin e ruaj edhe në foto, sepse nuk i rezistojnë kohës, si dikur. Është karakteristike se të gjitha këto po lidhen edhe me ftonjë të përkryer, në qendër të tokës së Knie.
Me rëndësi ka kjo thënie: plaket pema e vjetër, mbillet fidani i ri!...

Faleminderit, Ismet Krasniqi-Lala! Dua të kalojmë te arti e kultura dhe shkrimet tuaja. Vepra „Arti i daltuar“, sikurse e the atë ditë, se “do të thotë më shumë, sapo ta lexoni, gjatë faqeve të veta, prandaj unë nuk e shoh të arësyshme të flas më tutje për veprën time, por do të flasim për gjëra të tjera”... Ne kemi marrë të gjithë pjesë dhe të gjitha fjalët e tubimit i kemi dëgjuar. I kemi parë të gjitha pikturat. E kemi përpirë një nga një të tëren. Aktori dhe piktori Arsim Berisha është me ne e për ne, me të gjithë dramën e Kosovës… Çfarë ka mbetur pa u përfshirë në këtë libër, „Arti i daltuar“?

Në librin “ARTI I DALTUAR-Arsim Berisha: Gjurmë arti, kulture e jete”, i promovuar në Winterthur të Zvicrës, me 18.04.2017, në bashkautorsi, unë, Ismet Krasniqi e Idriz Berisha, arrtëm ti tubojme shkrimet, shënimet, edhe me autorsi të personave të caktuar, shokë miq të krypersonazhit të këtij libri, Arsim Berisha, valltar, aktor e piktor, por edhe një veprimtar i çështjes kombëtare. Ishte kënaqësi për ne, autorët e këtij libri, që u muarëm me veprimtarin e gjërë të këtij punëtori të palodhur, Arsim Berishës, i cili jeton e vepron në Zvicër, në kantonin e Zürich-ut. Për ne dhe ata që muarën pjesë në këtë promovim, vlenë të theksohet se ai është si një ambasador i vërtetë i artit e kulturës shqiptare në mërgatë, sepse ai dhe mërgata lidhjet e tyre i kanë të rregullta me vendlindjen.
Sigurisht në libër ka mbetur pa u përfshirë ajo që nuk e kemi ditur ta shënojmë; nuk e kemi pasur para vetes si matrial apo si shkrim.
Krijuesit ecin përpara dhe shikojnë vitet dhe krijimet. Ajo që nuk është thënë sot, thuhet nesër. Edhe të tjerët bëhen dëshmitarë të kësaj krijimtarie.

Mjaft tituj, mirënjohje, diploma, çmime, që i keni marrë nga të gjitha qendrat e mëdha shqiptare, të Kosovës; Shqipërisë; të Maqedonisë; të Mal të Zi; të Kroacisë; të Sllovenisë; të Gjermanisë, etj. Gjatë këtij udhëtimi sibolik, çka të ka lënë mbrasa më të çmuara dhe çka të ka mbetur peng?

Udhëtime relativisht kam pasur nëpër të gjitha këto vende të cilat i përmende. Në Kosovë, kam qenë pothuajse në çdo mes, përpos qendrave komunale; edhe nëpër fshatra, organizata punuese, fabrika, spitale, qendra administrative. Këtë punë ma ka mundësuar puna ime në cilësinë e foto-reporterit, në gazetën studentore “Bota e re”, në vitet 1974/77, deri sa isha student, por i kam vizituar edhe të gjitha shtëpitë e kulturës dhe jo vetëm vizituar, por pothuajse në të gjitha ato vende kam dhënë shfaqje.
Punën më të madhe të jetës sime e kam zhvilluar në kulturë. Fillova aktivitetin në teatrin amator, në shtëpin e kulturës “Jehona e Dukagjinit”, si nxënës i gjimnazit “Luigj Gurakuqi”, në Klinë, në vitin 1969, dhe në të njëjtin vend pune, në cilësin e përgjegjësit të teatrit “Osman R. Gashi”, që vepron në kuader të Qendrës se Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, në Klinë. U pensionova me 16 mars 2016.
Gjate punës sime dhe gjatë vizitave e shfaqjeve të programeve artistike, qoftë në Kosovë, Shqipëri e viset tjera shqiptare, por edhe nëpër mërgatë apo diasporë, peng më ka mbetur pamundësia matriale për të marrë pjesë nëpër ato vende ku kemi qenë të ftuar.
Pas lufte, në Kosovë, kulturës shumë pak i kushtohet kujdes. Artistët konsiderohen shërbyes civil me paga minimale. Të përgatitesh me muaj të tërë, e në fund, në mungesë të përkrahjes nga organi kompetent, mbetes pa e realizuar programin e caktuar. Kjo mbetet peng për jetë! Po të mos vendos njeriu të bazohet edhe në forcat e veta, shumë gjëra i mbesin peng në jetë.
Pse kam punuar pas luftës sonë, e shpesh herë edhe me katër vite, pa kompenzim nga lojërat politike në Komunën tonë, i kam lënë anash të gjitha punët tjera, e kam punuar sa kam mundur e sa kam ditur të punoj.
Arësya është e theshtë. Kur na ka larguar nga vendi i punës me dhunë regjimi serb, ia kam pas dhënë fjalën vetes, se nëse e mbërrij në jetën time edhe njëherë të kthehem në vendin e punës, në shtëpi të kulturës, kam për të punuar shumë më tepër e rigorozisht, se që kam punuar më parë.
Nuk duhet të punohet për të holla e mirënjohje. Mirëpo, pas punës të cilën e bënë, shpërblimi me mirënjohje, me faleminderim apo çmim, etj. është vërtetë kënaqësi.
Në karrierën time të punes, këto nuk më kanë munguar.

-Nga profili i juaj i të kaluarës familjare, padyshim është rrespekti i posaçëm për veprimtarinë folklorike të këngëve folklorike. Keni shfaqur edhe dokumentarë në televisione, keni marrë pjesë edhe më festivallin folklorik, në pozicione të ndryshme, “I këndojmë lirisë”, në Klinë, në të cilin kam marrë heret pjesë. Por, ajo që më preokupon, e që është edhe figura e të parëve tuaj, që i rrespektoj, është dueti Salih e Feriz Krasniqi.
A mendoni se ka edhe detaje në këtë drejtim, por edhe të proflit të duetëve Salih dhe Feriz Krasniqi për të sqaruar dhe për të spikatur profilin e tyre të gjërë e të rëndësishëm folklorik?


Prej se jam i lindur e deri me sot më ka përcjell kënga folklorike epike e më pak lirike. Kur jam i lindur me 16 mars 1951, në Drenoc të Malishevës, axhallaret e mi, Feriz e Ali Krasniqi, kishin bërë aheng. Ferizi ma kishte dhënë emrin Ismet. Kënga ka jehuar në lagje dhe ofiqari i gjendjes civile në atë kohe, Murtez Krasniqi, pyt çka ka të re? I thojnë, Sylës i ka lindur djalë. Dhe ai u përgjigjet, ejani nesër për ta regjistruar. Dhe, mbaroi puna. Kjo më ka mundsuar që ditëlindja ime të jetë plotsisht e saktë. Asnjëherë nuk kam pas ndonjë problem me certifikat të lindjes.
U rrita në mes të këngëtarëve më në za, siç ishin vëllezërit Feriz e Ali Krasniqi dhe kushëriri Salih Krasniqi. Si i ri shërbeja në odë me çaja, kafe, uji dhe oda mbushej me mysafir. Rapsodët këndonin. Sikur ma mbollen në zemër këngën folklorike. Pregatita librin “SHEKUJ ZGJOJNË NGA GJUMI-dueti Salih e Feriz Krasniqi”, dhe botues ka qenë “Epoka e re”, 2012. Libri u prit mirë nga publiku. Vitin e kaluar konkurova në MKRS (Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve), Departamenti i Kulturës, për pregatitjen e dokumentarit kushtuar duetit legjendar Salih e Feriz Krasniqi. Projekti u përkrah. Pas një pune shtatë mujore, dokumentari u promovua në Malishevë dhe u prit mirë e vlersua nga kompetentët, si: prof. Dr. Mehmet Rukiqi, prof. Dr. Adem Zejnullahu, prof. Dr. Zymer Neziri, Daut Demaku, Fadil Hysaj, Nexhmije Pagarusha, Hashim Shala etj.
Premiera e dokumentarit u shfaq në RTK 1 dhe tani shpesh reprizohet në RTK 4. Këtu, në Zvicër, për bashkadhetarët tonë, dokumentarin ia dhurova RTV “Syri Blue”, drejtorit z. Saiti dhe i është dhuruar publikisht, në intervistën e atjeshme, pa kurrfarë komenzimi. Merita për kualitetin e dokumentarit kanë edhe regjisori & montazheri Alban Gashi; skenaristja Vlora Zhutaj Gashi; kameramani Martin Kabashi dhe konsulltantet: prof. Dr. Adem Zejnullahu dhe prof. Dr. Mehmet Rukiqi.
Për Salih e Feriz Krasniqin, sa do te flitet e shkruhet, mund të thuhet ajo që ka potencuar Prof. Dr. Xhavit Aliçkaj (tani i ndjerë):
„GJITHMONË MBETET DIÇKA PA U THËNË“.
Tani jam në pregatitje të ribotimit të librit “SHEKUJ ZGJOJNE NGA GJUMI-dueti Salih e Feriz Krasniqi”, me plotësime. Besoi se do të pritet mirë nga dashamirt e folklorit dhe nga lexuesit.

-A mund të flitet, me këtë rast, më mirë, cilat janë ato plotësime dhe si e plotësojnë veprën për duetët Salih e Feriz Krasniqi?

Po, sigurisht është fakti se në vitin 1966, Ansambli Rugova nën udhëheqjen e Ramë Kapllan Nikçit dhe Rapsodët Salih e Feriz Krasniqi, me besnikëri e përkushtim të pa shoq, në mënyrën më origjinale të paraqitjes, u prezantuan para publikut në Angli, ku edhe e zunë vendin e parë, pra ishin ambasador të vlerave të folklorit shqiptar duke mundësuar që bota ta njehë Kosovën dhe shqiptarët. Kjo gjë nuk bënë kurrsesi të harrohet, madje asnjëherë. Jane edhe disa gjëra të vogla që do të bëhen më mirë.

Meqë jemi te folklori, dhe festivali folklorik “I këndojmë lirisë”, një festival gjithëkombëtar dhe mjaft i mirë, ku keni qenë disa herë në pozicione të ndryshme, çka mund të thuani, a mos ka edhe gjëra që mendoni ju se nuk janë përfshirë sa duhet, dhe si duhet, në këtë eveniment?

Festivali Folklorik “I këndojmë lirisë” i cili mbahet nga qershori i vitit 2001, në Klinë, organizohet në ditëlindjen e Komandant Mujë Krasniqi dhe u këndohet të gjithë dëshmorëve të kombit. Është i veçantë edhe për nga karakteri i festivalit për arsye se në skenën e festivalit paraqiten vlera kulturore e artistike të nivelit të lartë. Pastaj u këndohet luftëtarëve dhe dëshmorëve të kombit shqiptar që kanë luftuar për liri e pavarësi të trojeve shqiptare, në të gjitha periudhat historike, me theks të veçant për luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në festival marrin pjesë rapsodë, valltarë e instrumentistë nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga diaspora ose më mirë të themi, edhe mërgimtarët janë pjesë e festivalit. Në festival mbi 80 përqind dominon kënga dhe vallja epike, ndërsa 20 përqind ajo lirike.
Për shkak të pjesëmarrjes masive të pjesëmarrësve në festival dhe publikut shumë të interesuar, festivali mbahet në ambient të hapur. Hapja e festivalit bëhet në fshatin Qabiq, te kulla e Komandant Mujë Krasniqi, dhe vazhdon me një defilé (parakalim) artistik nëpër sheshet e Klinës. Në mbrëmje, për tri netë me radhë vazhdon festivali.
Festivali ka karakter garues, çmimi më i madh i festivalit është çmimi “Muje Krasniqi”. Festivalin e përcjellin edhe shume aktivitete të tjera letrare, sportive, tribuna shkencore, ekspozita etj.
Sigurisht se gjithmonë ka vend për të organizuar edhe më mirë dhe besoi se Këshilli Organizativ gjithnjë e ka parasysh për të futur elemente të reja e përcjellëse të këtij festivali.
Për fund të pytjes suaj po them se festivali është i profilizuar dhe i vlerësuar edhe nga ekspert të folklorit, si nga prof. Dr. Zymer Neziri, prof. Dr. Sabahajdin Cena, prof. Dr. Ramazan Bogdani, prof. Dr. Rexhep Munishi, prof. Dr. Adem Zenullahu, etnomuzikologu Bajram Lapi, Ermir Dizdari etj.

-JU keni qenë i angazhuar edhe në teatër, si aktor, dhe në shfaqje të ndryshme. Keni marrë edhe shpërblime, si ajo e festivalit rajonal të teatrove të Pejës, të Skenderajit; apo të teatrit në Vushtri, apo edhe në festivalin ndërkombëtar “Arti pa kufi”, në Sarandë, ku je shpallur si aktori më i mirë, etj...
Çka mund të na thuani në këtë drejtim?


Në pamundësi për të studiuar artin dramatik më parë, i vazhdova studimet në Fakultetin Filozofik, në Prishtinë, në vitet `70-ta, degën Filozofi-Sociologji. Pas studimeve punova si profesor në gjimnazin “Luigj Gurakuqi”, në Klinë. Përkundër kësaj, me teatrin isha shumë i lidhur. Merrsha pjesë në organizimet e ndryshme kulturore, e veçmas me dramën e skenën e teatrit. Në vitet `80-ta u emrova drejtor i shtëpise së kulturës “Jehona e Dukagjinit”, në Klinë. Kjo më mundësoi të jem edhe më afër skenës së teatrit. Më vonë, vazhdova edhe Akademinë e Arteve, në Prishtinë, klasa e profesor Enver Petrovcit. Unë, më herët e kisha zhvilluar aktivitetin tim, në teatër, si amator por pas kryerjes së Akademisë së Arteve, në cilësin e profesionalistit, mu ofruan edhe oferta të ndryshme nga regjisorë të njohur, për të luajtur role në teater, film e humor, si nga Enver Petrovci, Kastriot Saqipi, Adem Mikollovci, Halil Budakova, Jeton Ahmetaj, Arsim Haliti, Sunaj Raca, Enis Limani, Burim Haliti, Ekrem Xani, Sylejman Lokaj, Alban Gashi; pastaj në projekte humori, Nexhmi Mehmeti, Cima, Lalushi etj.
Jam i kënaqur me vlersimet që mu kanë bërë nga njerëzit kompetent të artit, në paraqitjet e mija në skenën e teatrit, ndër to po i përmendi, veçmas festivalin e teatrove në Pejë, Vushtrri, Mitrovicë, Prishtinë, Gjilan, Kamenicë, Drenas, Klinë, Skenderaj, Strugë, Gjakovë, Tropojë, Gjirokaster, e veçmas çmimin më të mirë: aktori më i mirë, në festivalin ndërkombëtarë “Art pa kufi”, i mbajtur në Sarandë, në maj të vitit 2015. Kjo është siç e theksuat ju, një mirënjohje e UNESKOS së Shqipërisë.
Skena e teatrit për mua është e shenjtë. Hyn në skenë si një aktor i zakonshëm, por nëse i pëlqen publikut, del si i shenjtë.
Aktori shpërblimin me të madh e ka duartrokitjen e publikut. E përjetova këte para disa ditëve, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, në Gjakovë, me rastin e përcjelljes në “banesën” e fundit aktorin e madh të skenës së teatrit e filmit, të ndjerin Hadi Shehu.
Ai u nderua jo me heshtje, po me duartrokitje!
Do të shtroja pytjen: cili aktor nuk do të dëshironte këte?!...

-Ashtu është: e cili aktor dhe cili punëtor i fushës së kulturës nuk do ta dëshironte këte?

-Natyrisht. Të gjithë e dëshirojnë këtë. Lum ai që i mbërrin!...

Keni botuar vepra të ndryshme. Në vitin 2016 keni botuar edhe librin me recensione letrare dhe të profileve kulturore e teatrore, “Në hapësirat e artit”, SHB “Rozafa”, Prishtinë 2016, e cila fillon me Prend Buzhalën, të botuar në Klubin e Shkrimtarëve (KSH) “Vorea Ujko”, në Klinë, e deri te Shaqir Foniqi. A keni diçka që u ka shqetësuar më së shumti me praninë e saj në këtë kuadër kulturor, apo që nuk ke pasur mundësi që ta përfshijshë?

Pasi mu dha mundësia të bëjë disa vlerësime recensioni për disa vepra të krijueve, të cilët unë i vlersoi shumë, si Prend Buzhala, Kristaq Shabani, Shaqir Foniqi, Gjon Gjergjaj etj. Vendosa që ti botoi apo më mirë të themi ti publikoi edhe për lexuesit. Këtu falenderoi të gjithë ata që më ndihmuan ta përpiloi librin, sepse ishte një zhandërr shkrimi, i cili përherë të parë po e punoi. Përpos shkrimit letrar në dramaturgji, në letërsinë për fëmijë, në zhanrin e satirës, përpos shkrimit monografik dokumentar e publicistik, së fundi e provova penën si autor i shkrimit me anë të diskursit, por edhe me anë recensionesh e shkrimesh kritiko-letrare. Dy pamje janë ashtu si ndahet edhe libri. Në pamjen e parë apo në pjesën e parë përfshihen recensione autoriale, që janë shkruar në raste të recensuesit të teksteve dramatike. Në pjesën e dytë , profilet, me nëntitullin komentues të autorëve, intelektualëve, veprimtarëve, puna me aktrimin, ku përfshihen shkrimet e lexuara nëpër përkujtimore për figura të shquara klinas, si p.sh. Osman R. Gashi, Hamit Krasniqi e Gjergj Rrapi, si dhe shkrime e kumtesa që i kushtohen teatrit, aktrimit, veprimtarive bashkëpunuese me Mirditën e Rozhajën; mandej dhe profile krijuese e jetësore, për Ali Dacin e Arsim Berishën.
Sigurisht se në një libër nuk mund të përfshihen të gjitha ato që autori i dëshiron. Por, më vjen mirë që vetë autori nuk e pregatit librin për botim, sepse nuk kishte mundur asnjëherë ta përfundoi.
Ata që janë pjesë e pregatitjes se librit si p.sh. redaktori, recensenti e lektori, e krasitin librin dhe atëherë e merr kuptimin e duhur.
Unë për librin tim nuk mund të flas. Fjalën le ta thonë lexuesit. Me këtë rast, edhe ju z. Brahim Avdyli, po sa ta lexoni librin. U faleminderoi nëse e bëni një vlerësim ashtu siç e përjetoni matrialin në këtë libër.

Në profilet kulturore, në pjesën e dytë, keni disa autorë; intelektual e veprimtar; nga kultura dhe aktrimi. Nga titulli i veprës, “Në hapësirat e artit”, ne kuptojmë shumë. P.sh. gjërësinë e temave; shtrirjen e tyre, lëmin e tyre, por edhe gjërësinë territoriale të tyre. Dhe, shtrirja territoriale e trojeve apo viseve shqiptare është më e madhe se sa shtrirja e shtetit shqiptar të Shqipërsisë, ndonëse quhen “shtete multinacionale”, si psh. Kosova...
A ka mbetur diçka ende pa u thënë plotësisht?


Pa mëdyshje se kanë mbetur shumë tema e ngjarje pa u përfshirë. Tani, po bëhen mbi 20 vepra të botuara, e marrë në tërësi, në këto vepra janë përfshirë të gjitha ato që kam pasur dëshirë. Por, gjithmonë mbetet diçka pa u thënë! Të gjithë autorëve u shpëtojnë dikund 10% të pikëpamjeve të tyre pa i thënë dhe i anashkalojnë. Ndonjëherë, pa e ditur këtë çështje.

I kam përcjellur të tri librat tuaja për plisin: “Dita e Plisit” 1 e 2, së bashku me Prend Buzhalën, KSH “Vorea Ujku”, në Klinë, 2014 e 2015 dhe “Dita e Plisit” 3, SHB “Rozafa”, Prishtinë 2017. Mes miqësh të shumtë edhe të mitë, keni psh. Mag. Muhamet Rogovën dhe Fahri Xharrën. Unë kam një shkrim për plisin në internet, por edhe një poezi në përmbledhjen poetike, “Shtegtimi i lirisë”, me titull, “Shpejtësi e ndritshme”...
Çka mund të shtoni edhe më tutje për plisin, apo për Ditën e Plisit, që nuk e ke përfshirë aty?


Unë mora pjesë në shume role, në aktrim, me plis, sikur roli i Lalës në serialin “Cimerat” , të cilin e transmetonte RTV 21; pastaj filmi “Gomaret e kufirit”; pastaj filmi “Azem Galica”, në të cilin e luajta rolin e Kurt Selacit, dalja i Azem Galicës, që për mua është një dër shumë rolet më të mira, që i kam luajtur deri më tani në film.
Mandej, dasma tradicionale shqiptare, në Isniq; dasma tradicionale në Etno Fest Kukaj, ku isha në rolin e zotit të dasmës; pataj edhe në rolin e Kërkuesit, në monodramën “Obelisku pa adrese”, të autorit Sejdi Berisha, etj. Vinë edhe nga tradita familjare, me veshje kombëtare e me plis...
E tërë kjo më shtyri që ta jap idenë për të organizuar manifestimin nga trashëgimia kulturore “Dita e Plisit” dhe gjeta mirëkuptim e përkrahje në Klinë, edhe nga Prend Buzhala, Idriz Berisha, Hajdin Morina, Gjon Gjergjaj, Mikel Gojani, Alban Gashi, Vlora Zhutaj Gashi, Kujtim Millaku; pastaj përkrahje gjeta edhe nga Mag. Muhamet D. Rugova, mag. Migena Arllati, publicisti e historiani Fahri Xharra, nga prof. Dr. Bashkim Lajci, prof. Dr. Zymer Neziri, shkrimtari Sejdi Berisha, Tahir Bezhani, Lulzim Logu, Gjon Necaj, Anastas Nika, Agron Isa Gjedia, Ndue Sanaj, Fadil Hysaj, Rasim Beqa, por edhe nga diapora, Mentor Thaqi, Musa Jupolli, Hasan Quqalla, Shaban Lajci e shume të tjerë. Me disa, keni edhe ju bashkëpunim.
Unë, në cilësinë e ideatorit, e kam dhënë propozimin që “Dita e Plisit” të mbahet në Kulla, Oda, Muze, dhe aty ku ka trashëgimi. Ka filluar në tetor 2014, edicioni i parë, dhe kanë vazhduar edicioni i dyte dhe i tretë, në tetor 2015 dhe 2016. Janë botuar librat “Dita e plisit” 1, 2 dhe 3 dhe kështu do të vazhdojë. Në edicionin e parë, e keni shkrimin tuaj “Evropa e Bashkuar dhe Shqiptarët”, faqe 128-141. Në edicionin e katërt, u premtoi se kjo poezi dhe shkrimi i juaj për plisin, do të botohen.
Asnjëherë nuk do të përfshihen të gjitha në libra për PLISIN, sepse plisi është aq i vjetër, sa që njeriu me dy, tre, apo 4 edicione nuk mund ti thotë të gjitha. Gjatë edicioneve nëpër vite, do të ketë edhe risi, të cilat do të jenë në favore të afirmimit të plisit, e përmes plisit edhe rrobet kombëtare.

Në këto vepra “Dita e Plisit”, 1, 2 e 3, janë përfshirë kumtesa; konika; reportazhe; poezi; komente dhe fotoalbume të veçanta...
A ka edhe ndonjë gjë tjetër që u zgjon simpati apo antipati gjatë përgaditjes së “Ditës së Plisit”?


Po ka më shumë simpati e me pak antipati. Po, po, ka simpati. Simpatia është që njerëzit të vijnë sa më solemn, me plis të bardhë mundësisht dhe me rroba kombëtare. Antipatia rrjedh kur vijnë pjesëmarrës të pa pregatitur; pa plisa ose me plisa me simbole e shkronja të ndryshme.
Plisi është i bardhë; ai duhet të shkelqejë; ai është simbol i të gjithë shqiptarëve, prej albanëve të parë, 3500 vite përpara se të përtërihen nëpër “Greqi”, pellazgët e ilirët. Plisi me shenja është i grupeve të caktuara politike apo edhe ideologjike.
Ndihem krenar kur në manifestimin kulturor “Dita e Plisit” marrin pjesë pjesëmarrës me plisa të tillë siç bëhen në Kosovë e Shqipërinë veriore; pastaj me plisa të krahinës së labërisë; dhe me plisa të rrafshit nga pjesa e Dibrës, etj. Këto janë vlera kulturore nga trashëgimia e jonë shumë e lashtë.
Kënaqem kur i vërej simpatizantët e futbollit me plisa; kremtimi i festave fetare me plisa; festimi i ditës së flamurit kombëtar “28 Nëntori”, me plisa, etj. Sigurisht se edhe në diasporë plisi është prezent. Asnjëherë kah do emigrojë shqiptari, dashurinë për atdhe, flamurin dhe plisin nuk do ti shuaj. E ka peng në shpirtin e tij PLISIN.
Më vjen mirë edhe me ndërkombëtarët, sepse ka të tillë që ruajnë apo dalin në fotografi nëpër shekuj, e veçmas me trurist, se më kujtohet si fëmijë e i ri. I vëreje në Prizren e në Pejë, apo kahdo me plis të bardhë në kokë.
Në këto vitet e lirisë, në Kosovë, plisin si simbol të kombit shqiptar e bartin simbolikisht edhe shumë burra shtetërorë me peshë në politikën botërore. Kjo gjë më krijon shumë simpati.

Nga fotografitë tuaja, në vitin 2013, ma tërheqë vemendjen edhe një Lis i Madh, me degë të shtrira, si punët tona. Ai është rrapi shekullor, që i sfidoi furtunat e mëdha të shekujve. Je vet i rritur në Malishevë dhe pensionist në Klinë; prej të parëve tuaj e deri më sot. Edhe vet dukesh gjerësisht si rrapi, me shëndet e punë...
A mund të më thuash me çka u sfidon shtërgatave të viteve?


Më lejoni z. Brahim Avdyli tu përgjigjem me disa rreshta të mi, marrë nga libri im më i ri, i cili është në proces të pregatitjes për botim, me titull “FOLEJA E SHQIPEVE”.
Kjo është poezia ime, “LË PENG KOKËN, E JO TOKËN”:

S`më ndal dimri/S`më ndal bora,/Jam në tokën time./
Temperaturat/E erërat/Vijnë e shkojnë,/
Ato mund t`më dëmtojnë/Lulen e frytin,/A rrënjët kurrë!/
S`ka fuqi t`mi shkulë/Nga atdheu im,/
Ruaje tokën/Ajo prodhon/Ekzistencën tënde/E të pasardhësve tu,/
Kokën lë peng/E tokën jo!

Pra, aty ku Rrapi i ka lëshuar rrënjët deri në thellësitë më të thella, nën tokë, aty ku edhe degët janë lëshuar për tokë, gjërë e gjatë, s`ka fuqi as fortunë që ta largoi nga toka e vet.
Popullin tonë e kombin tonë nga Iliria, nga koha e Skenderbeut e deri te Adem Jashari, i përcollën furtuna dhe acari i madh; e ujitën tokën tonë me mjaft gjakë; gjaku i tyre është flijuar gjithëkund për atdhe; kombi shqiptar ndër shekuj mbeti rrap me rrënjë e me degë, të shtira anë e përtej.
Ai është në tokën e vet. Qëndroi vertikalisht dhe i pa përkulur, para të gjitha furtunave shekullore. Kjo më bënë krenar që i takoi kombit shqiptar.
Nëse e vlerësojmë të kaluarën e kombit tonë, edhe personalisht, atëherë e dimë se secili prej nesh e ndien vehten të fort e krenar, dhe u përballon më lehtë apo i sfidon shtërngatat gjatë jetës së tij. Duhet pasur besim, guxim, trimëri, bamirësi dhe mendjehollësi. Ne, në një shkrim timin e kam thënë se mjafton që të kemi trimërinë e Skenderbeut, bamirësinë e Nënë Terezës dhe sakrificën e Adem Jasharit. Atëherë, Atdheu është i sigurtë.
Ne, si komb shqiptar, i kemi punët mirë atëherë vetëm kur punojmë si nuk ka dëshirë armiku i ynë shekullor- Serbia. Po qe se punojmë si kanë dëshirë serbët, atëherë i kemi punët keq.
Iu besoj vlerave të kombit shqiptar; u përulem me respektin më të madh para dëshmorëve e martirëve të kombit; i vlersoi të arriturat e përgjithshme dhe i gëzohem bashkimit kombëtar, që do të ndodh një ditë.

-Në përgjithësi, si aktor, si humorist, dhe ndër të tjera i kam sjellur vetë në Zvicër 4 a 5 CD e komedive apo humoreksave që keni luajtur JU, për nipat e mbesat. Njëren ndër to, po e përmendi: CIMË PATKONI. E kam marrë me vete. Shikoje po të duash...
Çka dëshironi t`i përfshini nëpërmes lojës, të cilat nuk ke mundur t`i thuash në veprat tuaja?


Në projektet e humorit nuk ka mundësi të jetë diçka vetëm “personale”. Arsya është e thjesht. Dikush e pregatitë skenarin, dikush tjetër regjinë, e aktori këtu e ka përgjegjësinë e vet, d.m.th. sa di ta luaj rolin dhe ta bëjë sa më të pëlqyer nga publiku.
Ai krahasohet me kuzhinieren e ushqimit. Është më i shijshëm sa të dijë kuzhinierja ti qesë kryp, veget, biber etj.
Edhe humori ka rëndësi si interpretohet, sa është diksioni i qartë dhe sa zhvillohen lëvizjet në harmoni me tekstin e të folurit, me një qëllim të vetëm: për të pasur një qëllim të mirë dhe për të kaluar sa më thellë në zemrën e shiquesit të pjesës, dramës, filmit e humorit. Mund të jetë një tekst i dobët e një lojë të mirë, por ndodhë edhe e kundërta, mund të jetë një tekst i mirë e një lojë jo e mirë, skenike apo filmike.
Ndër komeditë që janë pëlqyer nga publiku janë: “ Cime Patkoni”, “Cim Taksisti”, “Dren Kurumlia”, “Policët”, “Martesa e Lalushit”, “Ilaqi”, ”Dren Kurumlia nga Bugonja”, e deri te komedia e fundit, për vitin e ri 2017, “Mysafiri i vitit të ri”.
Për pregatitjen e këtyre projekteve shpesh ka të angazhuar nga njerëz të shumtë të profileve të ndryshme, pas kamerava; por sikur që ka edhe aktorë përpara kamerave.

Kur u përmbysa, herën e fundit, mbeta pa gojë. I mendova të gjitha... Gjithmonë e kisha pranë vetes vajin dhe gazin (të qeshurën). Ato janë të pandara në rrugën krijuese të artit dramatik, filmor e letrar. Në sfidat jetësore, në sfidat tuaja vjetore, çfarë roli ka luajtur humori në jetën tuaj?

E thashë më herët se jam i rritur në familjen e shahirave-rapsodeve dhe qysh si fëmijë isha i interesuar ti përcjellë kur bëhej humor. Ndonjëri prej të pranishmëve dilte në “trapazan” dhe bënte humor, pasi këndoheshin disa këngë. Dhe, prej atëherë me lindi ideja që të merrem me humor, lojë skenike, më vonë edhe me filmin...
Humori ta kënaq shpirtin. Personi që merret me humor kënaqet vetë, por edhe publikun e kënaq. Humori e zgjatë jetën.
Në skenat e teatrit edhe në ekranet televizive, herë pas here ka humor, por shumë na mungon humori i shkruar, si dikur. Në Shqipëri ka qenë revista “Hosteni” dhe në Kosovë “Thumbi”. Nuk nuk di pse mungojnë sot?!!
Pjesë e humorit është edhe te vaji, sepse shpesh humori përcillet me të qeshura të mëdha, sa të mbushen sytë me lot. Vaji dhe kënga janë të lidhura gjithmonë. Pasi përfundon humori, njeriu e ndien veten mirë e të qetë.
Gjatë gjirimeve, edhe ne qeshim. Shpesh ndodh që të ndërprehet gjirimi, derisa të kthehemi në gjendje për të vazhduar, edhe nga e qeshura....
Po më vjen mirë që me batudat e mia humoristike edhe ju po u bejmë të qeshim. Sa simpatike ishte kërkesa e juaj kah të vozitni me makinë për në Solothurn/CH, mundësisht, për të mos detyruar të qeshësh në autostradës, sepse nga e qeshura mund ta shkelni vinë e bardhë e të dilni nga udha...
Nga kjo që e the, mu tani kah po e jap intervistën time, po më qeshet... madje mjaft... hahahahaha....

Së fundi, ndodhemi në mërgatë. Mërgata është polivalente; me vajtje, me dhembje, me vetmi... Me një fjalë, me të qeshur, kur nuk mundet as edhe të qajmë...
Çka u thua në përfundim lexuesve e shikuesve tuaj të shumtë të mërgatës?


Mërgatën e përshëndes! Kudo që jetojnë e veprojnë, ju jeni pjesë e jona; e në jemi pjesë e juaja! Më vjen mirë nëse sadopak me punën tonë artistike u bëjmë të ndiheni mirë, sado që keni dhembje, ndonjëherë vetmi...
Ju jeni edhe me projektet tona!
U kërkojmë falje nëse ndonjëherë nuk i plotësojmë kriteret e duhura. Por na kuptoni se gjithëherë jemi në kërkim të asaj më të duhurës; kërkojmë të mos keqkuptohemi, se nuk e përqeshim askend, as nuk e kemi si qëllim të fyejmë ndonjërin, por për të paraqitur dukuritë negative të shoqërisë sonë.
Aktrimi është pasqyrë, reflekton dukuritë negative e pasqyrja reflekton ate që ndodhë përball saj.
Diaspora ka dhënë shumë për Kosovën e lirinë e saj; ka dhënë shumë dhe jep kurdoherë për shqiptarinë e shqiptarin.
U paqim me jetë e qofshi shëndosh e mirë; me familjet tuaja, e mirë ardhshi sa herë doni, në atdheun tonë të përbashkët e shqiptar!
Ju, kur vini, në Kosovë, i jepni kuptim e kënaqësi jetës; në sheshet e odat e Kosovës.
U faleminderoj për intervistën, z. Brahim Avdyli!
Mirë u takofshim herave të tjera, këtu në Zvicër e në Kosovë, e kudo në trojet shqiptare!...

-EDHE NE, JU FALEMINDEROJMË PËRZEMËRSISHT!
-PAÇI SHËNDET E JETË TË GJATË, SA MALET TONA!
-TË JESH EDHE MË I GJËRË SE RRAPI!

Ne, do të shihemi prap...
-FALEMINDERIT EDHE PREJ JUVE!...

Intervistoi: Brahim Ibish AVDYLI

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 52 vizitorë
Lexuar: 1,405 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi