Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
KRIMOKRACIA
Publikuar më 28 tetor, 2017 në orën 11:25 ( ) Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Si politika ashtu edhe drejtësia në Shqipëri janë të kriminalizuara. Kur ambasadori amerikan u bënte thirrje shqiparëve në Shqipëri para zgjedhjeve që “ mos i votoni kandidatët me rekorde kriminale”, kjo a nuk do të thotë se këta kandidatë i kishin zgjedhur partitë e lidershipëve dhe të prijsave të tyre të kriminalizuar.

Deputetja aktuale e Partisë Socialiste znj. Vasilika Hysi duke iu referuar fjalimit të ambasadorit amerikan u shpreh në të njëjtën linjë me të kur ajo deklaroi se : janë 4 klane dhe 20 familje mafioze që po mbajnë peng Shqipërinë dhe pengojnë VETTING-un. A nuk është kjo një rezyme katrastofike për demokracinë, për drejtësinë dhe për shtetin shqiptar sot.
Kur deputeti aktual i Partisë Socialiste, Ministri i Diasporës dhe ishkryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, deklaron në parlament një të vërtetë të madhe: se krimi na zgjedh ne dhe vazhdon me faktin e cituar po prej tij se: “në Shqipëri është krijuan një shtresë njerëzish që e shesin votën”. A nuk do të thotë kjo pra se në Shqipëri sundon krimokracia zgjedhore elektorale e cila zgjedh pastaj edhe qeverinë, edhe administratën, edhe gjyqësorin kriminal dhe të korruptuar.
Realisht kriminalizimi i politikës dhe i drejtësisë ka për autor regjimin e Berishës, i cili pasi humbi Referendumin e vtit 1994, ngriti sistemin e krimit elektoral, atë të vjedhjes votave në vitin 1996, e pastaj me krimin e sistemit dhe korrupsionit financiar piramidal që e çoi Shqipërinw në katastrofwn e vitit 1997. Berisha është edhe autori i montimit të këtij sistemi korruptiv e kriminal edhe në drejtësi. Ai në vend që të ndëshkohet për këto dhe për trauma e tragjedi të tjera të shkaktuara nga ai Shqipërisë dhe shqiptarëve, sot çuditërisht flet dhe na bën moral më shumë se kushdo tjetër.Berisha është edhe autori edhe i rrënimit të PD-së dhe të së Djathtës Shqiptare.
Gjyqësori i korruptuar dhe i kriminalizuar në Shqipëri është i përmasave të tilla të padëgjuara ndonjëherë as në rang botëror. Për ta ilustruar këtë fakt mjafton të citojmë zgjidhjen e propozuar për gjyqësorin shqiptar prej kreut të EURALIUS- it, z. Rainer Deville kur në Nëntor 2015 në Tiranë deklaronte se: “ka një zgjidhje- tha ai- shkarkimi i menjëhershëm i 400 gjyqtarëve dhe 400 prokurorëve”.
Pra ky është korrupsioni i gjyqësorit në Shqipëri sa që kërkohet shkarkimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë.
Ky do të ishte një VETTING real dhe i duhur
“Aty ku asfiksohet drejtësia: aty kapet shteti dhe ligjin e bën e paligjshmja, e palejuara, antiligji dhe antishteti, pra aty sundon krimi dhe kusaria e organizuar për të shtypur, varfëruar e rjepur popullin e vet, të cilit i vjedh pushtetin, pasurinë, pronën dhe i grabit dinjitetin e krenarinë, madje i shkatërron shëndetin e shpirtin dhe ia humb shpresën për të ardhmen në atdheun e vet”. ( Nga Libri im “TRIUMFI I KOMBIT” faqe 83, kapitulli “Shteti dhe Drejtësia”, botuar në vitin 2010)
Edhe djalli, edhe hajduti, edhe tradhëtari, edhe krimineli i çdo kalibri dhe çdo lloji kërkojnë të mashtrojnë, të shfajësohen e të justifikohet në emër të drejtësisë.
Kështu vepron edhe “GJYQËSORI” në Shqipëri i cili ka marrë shume e shumë vendime krimi në dëm të shtetit dhe sidomos në dëm të qytetarëve shqiptar në emër të Drejtësisë dhe të Republikës.
I gjithë sistemi i drejtësisë në Shqipëri është dhe funksionon si një sistem piramidal politik i cili legjitimon e mbron krimet dhe korrupsionin; sistem vendimmarrës i cili nxjerr në ankand liritë dhe të drejtat pronësore të shqiptarëve dhe të drejtën shtetetërore; sistem i cili nga shkalla në shkallë kooperon dhe mbron tërë sistemin zinxhir të krimit dhe të padrejtësive të Gjyqësorit kundër lirive dhe të drejtave të individëve, kundër interesit publik dhe imazhit kombëtar.
Drejtësi për faje të së cilës shqiptarët po e braktisin atdheun dhe u janë drejtuar Gjykatës së Strazburgut pë të fituar të drejtat e tyre.
Drejtësia në Shqipëri është bërë pra një problem shumë i madh edhe ndërkombëtar për botën moderne e të civilizuar perendimore, për shërimin e së cilës dhe për çprangosjen e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare prej prangave skllavëruese të saj janë angazhuar vetë politika, diplomacia dhe administrata e SHBA-së dhe e BE-së me ligjin e VETTING-ut.
Kudo krimi ka shtrirë kthetrat e tij, kudo sundon ai. Flitet e përflitet kudo, nëpër faqet kryesore të gazetave dhe të televizoneve kombëtare dhe atyre prestigjoze ndërkombëtare për krimin elektoral, për vjedhje dhe shitblerje votash, për krimin politik, gjyqësor ,ekonomik, për krimin e organizuar, atë ordiner, krimin e korrupsionit gjithinstitucional, për krimin akademik e intelektual të shitblerjes së diplomave, për atë arkeologjik, mjedisor, për ekomafien, për krimin e prostitucionit dhe trafikimit të qënieve njerëzore dhe sidomos për krimin e organizuar nga strukturat shtetërore e qeveritarët e shtetit, nga mafia politiko-gjyqësore e kultivimit, përpunimit dhe e trafikimit të drogës, ku Shqipëria është etiketuar nga politikanë, diplomatë dhe media të ndryshme perendimore si Kolumbia e Europës dhe si Kanabistan.
Por për çudi deri më sot nga drejtësia në Shqipëri pothuajse jo vetëm asnjë pushtetar por dhe asnjë gjyqtar e as prokuror nuk është ndëshkuar as minimalisht për ta pushuar të paktën nga puna për dëmet shumë të rënda që u kanë shkaktuar qytetarëve shqiptarë si atë ekonomik, psikologjik, moral dhe financiar; askush nuk është përgjigjur për dëmin e madh financiar të miliona e miliona eurove për shtetin shqiptar si dhe as për dëmin e rëndë dhe shumë negativ që sistemi gjyqësor i ka shkaktuar imazhit të Shqipërisë, ku mosfunksionimi i shtetit ligjor është arsyeja kryesore e mosintegrimit të Shqipërisë në BE.
Kjo drejtësi dhe kjo politikë e kësaj drejtësie që sundon Shqipërinë në këtë tranzicion është një sundim krimokracie dhe tradhëtie.
Dhe fatkeqësisht ky model politik dhe kjo lloj drejtësie është importuar, instaluar dhe funksionon edhe në Kosovë
Por tani ka ardhur koha edhe ta themi troç, direkt dhe pa mëdyshje atë që është më se e vërtetë: atë se politika dhe sistemi i Drejtësisë në Shqipëri janë dhe identifikohen si vetë krimi.
Sistemi i Drejtësisë në Shqipëri gjeneron krimin, korrupsionin, degradimin moral e shpirtëror, urrejtjen, përçarjen, vetëgjyqësinë, varfërinë dhe dëbimin e shqiptarëve nga atdheu.
Krimi dhe padrejtësia e politikës dhe e drejtësisë mbi qytetarët e saj ka detyruar edhe shumë shqiptarë që duke mos pasur mundësi që të realizojnë dhe të mbrojnë të drejtat e tyre ata kanë ndryshuar edhe kombësinë e tyre duke bërë të mundur krijimin edhe të minoriteve të huaja në Shqipëri si boshnjak , malazes, bullgar e serb pasi duke u pajisur me pashaporta e duke u deklaruar si të të tillë ata mendojnë se janë më të sigurt, më të përkrahur dhe më të mbrojtur nga padrejtësia e drejtësisë në Shqipëri, pasi për ta dhe të drejtat e tyre si “minirotarë” tashmë interesohen edhe ambasadat e atyre shteteve kombesinë e të cilave kanë deklaruar nga imponimi i padrejtësive që u bëhen në Shtetin shqiptar. Dhe mënyra tjetër për t’i shpëtuar padrejtësisë atë që kanë zgjedhur shumë e shumë shqiptarë është largimi i tyre nga atdheu drejt shteteve të BE-së.
Dhe a ka krim më të madh se sa ky që bën drejtësia dhe politika antikombëtare në Shqipëri duke ua imponuar shqiptarëve që të ndërrojnë emrin, identitetin dhe kombësinë?
Pra, padrejtësia e sistemit të drejtësisë është krimi më i madh kundër individit, shtetit dhe shoqërisë e që përbën kërcënimin më të madh për Sovranitetit Kombëtar.
Prandaj e tërë politika, qeverisja qendrore e vendore, drejtësia si dhe media ishin kundër dhe pengonin e bllokonin hapur dhe me hipokrizi miratimin e ligjit të VETTING-ut, sepse kjo do të përbëntë një nismë vetëndëshkimore për vetë ata, ndëshkimin për krimet e tyre.
Edhe shoqëria civile e shumica e OJQ – ve nuk u dukën gjëkundi, nuk u panë gjëkundi as solidariteti dhe as përkrahja e tyre në dobi të miratimit të këtij ligji.
Kjo për faktin se edhe lidershipet e shoqërisë civile janë të zhytur në korrupsion, në servilizëm e tradhëti të cilët për interesa personale i kanë tradhëtuar e mashtruar gjithmonë kolektivitetin e shoqatave të drejtuara prej tyre duke i përdorur ata si mjete e vegla presioni dhe për numra votash në shërbim të pushtetit prej të cilit ata kanë vjelë përfitime personale e familjare.
Krime janë edhe manipulimet, mashtrimet dhe hipokrizitë të cilat shkaktojnë trauma, mjerim dhe fatkeqësi. Krime janë edhe skandalet e shkaktuara nga ata prej të cilëve vijnë ato. Skandalet kriminale me korrupsionin, me krimin e organizuar, me vjedhjen dhe grabitjen e pasurive të qytetarëve dhe të shtetit, skandalet dhe abuzimet me tenderat, investimet, me paranë publike dhe me drogat janë me pasoja katastrofike të mëdha për vendin dhe shoqërinë të cilat vijnë nga pushteti dhe padrejësia .
Kjo korporatokraci apo më sakt kjo korporato-krimo-hajdutokraci korruptive dhe e kriminalizuar e montuar në sistem vepron në lidhje simbiotike duke mbajtuar dhe mbrojtuar komponentet përbëres të saj që janë politika,pushteti,drejtësia, OJQ-t dhe media.
VETTING-u do ta çlironte së pari drejtësinë dhe paralelisht do ta pastronte edhe politikën, administratën dhe shoqërinë nga vargojt e krimit, të korrupsionit si dhe shtetin e shoqërinë nga pengmarrja dhe prej kthetrave të politikës , të krimit të organizuar, të atij ordiner dhe nga korrupsioni.
Me miratimin e VETTING-ut dhe me fillimin e funksionimit të tij, do të binin në rrjetë peshkaqentë e mëdhenj të politikës, pushtetit dhe gjyqësorit të cilët kanë bërë batërdinë me korrupsionin, vjedhjen, me drogën dhe grabitjen e pasurive publike, të qytetarëve dhe me pasuritë kombëtare dhe me paranë publike në tendera dhe në investime.
Me dëbimin nga politika dhe gjyqësori të individëve me rekorde kriminale, me konfiskimin e pasurive të tyre të grumbulluara me vjedhje, korrupsion dhe me krim, si dhe sidomos ndëshkimi ligjor penal i tyre do t’ua kthente qytetarëve shpresën dhe besimin e humbur te shteti dhe te drejtësia ligjore.
Kjo korporatokraci që e ka kapur shtetin nuk njeh dhe as nuk është fare e interesuar për zhvillimin dhe progresin e Shqipërisë si nga pikpamja ekonomike, politike, demokratike, kulturoro-akademike dhe as për punësimin dhe kundër varfërisë, dhe as për vlera e standarte, por si antivlerë që është, kjo korporatokraci politiko-ligjore kriminale, hajdute dhe parazitare, ajo është e interesuar vetëm për interesin e vet personal të pasurimit dhe të zhvatjes së shoqërisë dhe të shtetit.
Me VETTING-un do të fillonte çmontimi i këtij sistemi dhe përveç të tjerash do të çlirohej edhe ekonomia e kapur nga kthetrat e krimit ekonomik, e kapur prej monopolit të importit të produkteve dhe mallrave dhe të kontrabandimit të cilat pengojnë dhe bllokojnë zhvillimit e biznesit dhe të ekonomisë kombëtare.
Kontributin real në efikasitetin e punës së VETTING-ut do ta bënin qytetarët e lirë duke denoncuar te organet e tij të gjitha aferat korruptive të pushtetarëve si dhe vendimet skandaloze kriminale dhe korruptive të gjyqtarëve dhe prokurorëve .
VETTING-u për nga rëndësia për Shqipërinë përbën ngjarjen e dytë më të rëndësishme pas rënies së komunizmit, pas rënies së drejtësisë skllavëruese komuniste. VETTING-u në Shqipëri do ta çlironte shtetin dhe shoqërinë shqiptare nga krimi dhe korrupsioni i drejtësisë së krimit dhe korrupsionit “demokratik” të përmasave më se të jashtëzakonshme që ka mbërthyer politikën drejtësinë, shtetin dhe shoqërinë në Shqipëri.
Një VETTING në Kosovë do të ishte fitorja e dytë më e madhe pas Pavarësisë së Kosovës, do të ishte një çlirim i dytë i madh prej krimit dhe korrupsionit politik dhe prej drejtësisë së krimit dhe korrupsionit edhe atje. Në zgjedhjwet lokale votuesi në Kosovë të flasë dhe të reagojë për interein e tij, që të mos i votojë për kryekomunarë dhe për këshilltarë individët e korruptuar, të kriminalizuar dhe që kanë rekode kriminale. Pra vota e tyre të bëjë VETTING-un.

Skënder S. KAPITI

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 39 vizitorë
Lexuar: 505 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi