Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
SANIJE GASHI - ZONJA E MADHE E KULTURËS SHQIPTARE
Publikuar më 28 tetor, 2017 në orën 11:38 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
PJESA E PARE

Në vend të hyrjes

“Ka disa vjet që njohim jo pak emra gazetaresh shqiptare, të denja për respektin më të madh edhe të meshkujve. Një nga të parat dhe më të njohurat në të gjitha trojet shqiptare, është pa dyshim, Sanije Kushevica, dje, Sanije Gashi, sot, bashkë me ndonjë shoqe të saj të vjetër, dikur, nga më të parat gazetare në fletorarizmën shqiptare këtu.
Njësoj si Parashqevi Qiriazi në kohën e saj, që drejtoi dy revista për femra, kur ishte editore e revistës “Yll’ i Mëngjesit” (1917) dhe e gazetës “Albania” (1920), edhe Sanija në ditët tona ishte kryeredaktorja më jetëgjatë e “Kosovares” dhe, aktualisht, editorja e vetme dhe kryeredaktore e revistës për femra - TEUTA.”
(Ramiz Kelmendi, shkrimtar, publicist. Në përvjetorin e 80-të të gazetarisë femërore shqiptare, 15 janar 1997)

“Sanije Gashi, ti je një Zonjë e Madhe. Si përherë ke arritur të na japësh një libër tronditës, të mrekullueshëm. E lexoja dhe shumë pjesë të tij ia lexoja edhe Ismailit me zë. Gjithë Kosova duhet të të jetë mirënjohëse për atë punë të hatashme, të palodhur dhe plot devocion që e ke bërë dhe vazhdon të bësh…
(Mikja jote e gjithëhershme, Helena Kadare)

“Sanija është një nga njerëzit më interesantë, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën time. Është nga ai lloj diamanti që shkëlqen edhe në errësirën më të plotë, për ta ndriçuar.”
(Eglantina Mandia: Fytyrë e dashurisë)

“Sikur Prishtina të kishte, jo shumë, por dhjetë shkëndija aq dritëdhënëse, si Sanije Gashi, do të ishte më e bukur, më fisnike, më e pasur.”
(Amik Kasoruho)

“E keni bërë Prishtinën që të jetë e paharruar edhe për gjeneratat e reja. E përmendëm më herët librin Gjurmë ndër vite, që ju keni shkruar për njerëz që kanë lënë gjurmë, por në fakt, mund të themi pa modesti, që ju jeni ajo që po leni gjurmë në historinë tonë.”
(Lumira Kelmendi)

Fragmente nga libri “Sanije Gashi ose Parashqevi Qiriazi”

I
NJË PORTRET QË RREZATON DRITË


Një portret që shfaqet në një sfond librash të renditura nëpër rafte si ca kujtime kohësh, portret që shpalos një fytyrë e cila rri e menduar dhe njëkohësisht me një buzëqeshje fisnike që rri si një emblemë ilire në truallin e Etlevës dardane; një botë librash që nuk ka se si të mos na e kujtojë atë thënien e njohur të Zeusit të Vajmarit - Gëtes së madh, për më shumë dritë; një botë mendore dhe shpirtërore e cila nuk ka se si të mos na e kujtojë thënien e njohur të Naimit të Frashëllinjve: Dhe dritë e diturisë përpara do të na shpjerë!, një pozicion duarsh që dëshmon për një natyrë sa intelektuale po aq edhe skofiare, një veshje elegante që sa dëfton për shijen si rregullator i talentit (siç do të shprehej Rene Shatobriani) po aq flet edhe për një pedantëri e përkushtim në tavolinën e punës, një medalon që rri i varur në simbolikën e tij për t’iu falur simotarve të dijes e të kulturës -si një Medalje Kujtimi (siç e ka thënë vetë); një portret që flet shumë, si me heshtjen e vet ashtu edhe me kujtimet e kredhura në gjurmë vitesh, një portret që rrezaton dije dhe dritë, kulturë, fisnikëri dhe bujari, paqe dhe bardhësi, mbarësi dhe mirësi; një buzëqeshje e cila në sfondin e këtij portreti rri si një emblemë e kohëve nëpër të cilat publicistja shpalos kujtime e ushqen shpresa; gjithsesi një botë në vete me dashurinë e saj ndaj librit dhe ndaj dijes, një përkushtim gjithë punë dhe vrull, një dhunti e lindur, një frymëzim i rrallë ushqyer nga edukata familjare si dhe nga tradita kombëtare; një intelektuale e zonja e cila flet hapur dhe shkruan bukur, qartë, e rrjedhshëm; një stiliste brilante e cila me ligjërimin e saj krejtësisht origjinal (si një mishërim i llojit të veçantë publicistiko-poetik) i bën për vete lexuesit e saj të shumtë; një gazetare veterane e një emblemë e publicistikës shqiptare, një penë kaq e denjë e gjithë hire, një shkëlqim mendor dhe një përjetësim shpirtëtor, një dorë që lë gjurmë në faqet e gazetave dhe revistave, një humaniste e rrallë e një luftëtare e përbetuar e dritës dhe e mbrojtjes së të drejtave të femrës, një zonjë e cila shquhet me modestinë e saj por e cila pikërisht në këtë modesti shpalos madhështi, një ikonë e vërtetë dhe një doajene e fletorarizmës shqiptare e cila për gjysëm shekulli rresht nuk e lëshon penën nga dora, një shembëlltyrë pune e përkushtimi, një urti që u flet brezave me zërin e arsyes e me shembullin e së mirës, një motër e denjë që udhëzohet dhe frymëzohet nga një vëlla i rrallë, një bashkudhëtare e palodhur në rrugën e simotarve të saj pararendëse në përkrahjen e përparimit të femrës shqiptare, një zë në tribunë të demokracisë e një luftëtare e paepur në rrugën e dritës e të diturisë, një zë gjithë autoritet në shpalosjen e së vërtetës, një kroniste e denjë e kohëve të përgjakshme por edhe një biografe prej shembëlltyre më fisnike e simotrave për të cilat gjithmonë e shfaq atë krenarinë e saj të ligjshme e të njohur (“Për këto gra, pra, mendoj se çmimi më i mirë do të ishte - Medalja e Kujtimit.”), një bashkudhëtare e qytetit të saj të fëmijërisë (por siç e ka thënë vetë edhe e qytetit të rinisë së saj), të cilin ajo me flatrat e fjalës shqipe e ngriti aq bukur si një qytet të përjetësisë së dashurisë së saj kaq të veçantë për të - për Prishtinën (“Prishtina ka qenë një relaksim për gazetaren, për shpirtin”), një eminencë par excellence, një portret që flet aq shumë tek shpalos tipare dhe virtyte të një gruaje intelektuale e të një zonje gjithë dinjitet, Sanije Gashi përmes së kaluarës i flet së ardhmes, përmes penës i falet të bukurës dhe të madhërishmes, përmes yllësisë së fjalës shqipe gjakon dhe krijon perla të një publicistike në të cilën ajo ka krijuar stilin e vet të njohur sanijean, duke u bërë kështu me shembullin e saj të punës e të përkushtimit një simbol gazetarie, por gjithsesi edhe një zonjë e madhe jo vetëm e publicistikës por edhe e kulturës shqiptare, të cilës ajo ka nderin dhe krenarinë t’i shërbejë.
Në gjithë këtë portret rrezatonjës, mbi të gjitha shquhen ca sfonde balli që në vete mbajnë gjurmë kohësh, sy drite e kristale mendimesh, sfonde që shpalosin gjurmët e pararendësve që frymëzuan dhe ndikuan aq shumë në këto kristale mendimesh: Gjyshi, babai, nëna, vëllai…një familje e tërë e ushqyer me zjarrin e shenjtë të atdhedashurisë, me gjakimin për dritën e dijes e të diturisë, me tiparet dhe virtytet më të shquara të bujarisë e të finsikërisë së kombit.
Sanije Gashi është gazetarja e cila për publicistikën e ka braktisur politikën. Ajo është publicistja e cila në gazetarinë si profesion ka parapëlqyer dhe parapëlqen asnjanshmërinë. Ajo është humanistja e cila në përballje me tiraninë dhe me ligësinë, me terrin dhe me ferrin, ka mbrojtur lirinë dhe ka parapëlqyer mirësinë e drejtësinë, paqen dhe barazinë, përparimin dhe arsimimin.
Ajo është gazetarja e cila ka pasur fatin dhe privilegjin, kënaqësinë dhe gëzimin për ta pasur në krah e për t’u frymëzuar nga bardi i letërsisë shqiptare, Esad Mekuli.
Është domethënës fakti se bardi i paharruar, e deshti aq shumë dhe e përkrahu aq shumë gazetaren premtuese sa dhe prijatare, sepse te Sanije Gashi ai pa penën e njomë e cila një ditë doemos do të bëhej e denjë për flatrat e fjalës shqipe, sepse tek ajo ai pa dhe njohu një shpresë të re për një rrugë të re dhe për një jetë të re, pa një rreze drite e cila me punën dhe me përkushtimin e saj, me talentin dhe me vrullin e saj, do të linte gjurmë ndër vite.
Te Sanije Gashi, Esad Mekuli njohu jo vetëm zërin e rinisë por edhe zërin e ardhmërisë së asaj rinie, po sa gazetaren po aq edhe kosovaren e cila do të linte gjurmë të pashlyeshme tek “Kosovarja”, pa dhe njohu një gazetare sa krenare po aq edhe prijatare, e cila duke u vënë me gjithë qenien e vet në përkrahjen dhe emancipimin e femrës shqiptare, do të gjakonte gjithë jetën që t’i shihte simotrat e saj ashtu siç do të predikonte dikur princi i gjuhës shqipe Faik Konica, në po atë shkëlqim që Ilirisë i dha Teuta.
E thënë shkurt dhe qartë, Esad Mekuli pa te Sanije Gashi atë që pa Naim Frashëri tek Sevasti Qiriazi (Dako), dhe koha i dha të drejtë këtij bardi të madh të këtij trualli të përgjakur kaq shumë.
Këtë ndjenjë admirimi dhe respekti, ndjenjë të mirënjohjes dhe të frymëzimit, e ka shpalosur vetë publicistja Sanije Gashi:
“T’u kthehem viteve të para në gazetari: Pranë një njeriu, siç thashë, çfarë ishte bardi i letërsisë shqiptare, Esad Mekuli, njeri me shumë kulturë, kishe çfarë të mësoje, veç diturisë - urtinë, mirësinë, kurtuazinë…Deri në fund, edhe pas pensionimit, do të mbetet mik i sinqertë imi, ndonëse me dallim të madh në moshë.
Ndaj këtij njeriu kisha respekt të veçantë. Ç’është e drejta, respekti ishte i ndërsjellë.”
Po kjo ndjenjë respekti dhe mirënjohjeje është shfaqur në plotni edhe në librin e saj publicistik Gjurmë ndër vite:
“Kujtesë
Prishtinë, 6 gusht 1993
* * *
Në Shoqatën e Shkrimtarëve mbahet mbledhja komemorative me rastin e shuarjes së poetit. Në atë shumësi njerëzish, të ardhur për t’i bërë nderimet e fundit z. Esad Mekulit, hyn e shoqja, Dr. Sehadete Mekuli, intelektuale e shquar, ecën drejt meje, zëshëm më drejtohet burrërisht:
-A t’u dhimbs njeriu që të deshi aq shumë!
E pranoj, më la pa frymë!”
Është njëkohësisht po kaq domethënës edhe fakti tjetër se doajeni i gazetarisë Ramiz Kelmendi, qe i pari që e krahasoi Sanije Gashin me Parashqevi Qiriazin.
Sokol Halili i letrave shqipe, kreshniku i fjalës së ëmbël e mjeshtri i rrallë i kësaj fjale, edhe këtej trasoi rrugë e na hapi shtigje që vetvetiu nënkupton se një nderim të tillë të filluar nga ai, duhet çuar deri në fund…
Ithtare e parimit iluminist të shpalosur aq bukur nga ajo vetë se: “Të emanciposh një grua, do të thotë të emanciposh një shoqëri”, gazetare e cila në sfida dhe në sakrifica të shumta e ka thënë hapur se: “Qëllimi i shkrimeve të mia ka qenë të ndikoja në emancipimin shoqëror të femrës”, ithtare e parimit empirik të formuluar nga ajo vetë se: “S’ka libër në jetë që ta mëson atë që ta mëson përvoja jetësore”, ithtare e parimit të mirësisë dhe të njerëzisë - të shprehur sërish nga ajo vetë se: “Modestia është kulturë, është edukatë”, ithtare e parimit kaq aktual e aq programatiko-publicistik të Gabriel Garsia Markezit se me gënjeshtra nuk bëhet gazetaria, si dhe ithtare aq e devotshme e parimit të madh të At Zef Pllumit: Rrno për me tregue, Sanije Gashi është njëkohësisht edhe ithtare e nderimit dhe e përkujtimit të veçantë të simotrave të saj:
“Zonjës Musine, ndërkaq, koleges, editores së parë shqiptare, ndonëse nuk u njohëm kurrë, i përkulem dhe i falem gjithë dinjitet!”
Nuk ka dyshim se një shprehje e tillë e respektit dhe e mirënjohjes përpara kujtimit të Musine Kokalarit, përpara këtij engjëlli të dritës që aq shumë e deshti Shqipërinë, por që mjerisht aq pak ia lejuan Shqipërinë që ta gëzonte ashtu siç e meritonte, flet vetvetiu për një ndjenjë madhështie.
Gjithmonë një ndjenjë madhështie, sa herë që Sanije Gashi me fjalë miradije ka përkujtuar simotrat e saj, të cilat me punë dhe me penë ushqyen idealin e një Shqipërie të përparuar e të begatuar, që nga Elena Gjika, Parashqevi e Sevasti Qiriazi, Selfixhe Broja e Urani Rumbo, Nermin Vlora, Iffete Agushi, dhe sa e sa të tjera.
Prandaj, të thuash Sanije Gashi do të thotë të thuash Parashqevi Qiriazi.
Të thuash Sanije Gashi do të thotë të thuash: Zonja e Madhe e kulturës shqiptare.
Duke gëzuar për një shekull rresht, të qenunit nën privilegjin e dritës së letrave, Sanije Gashi është bërë kështu vetë Teuta e publicistikës shqiptare.
Duke qenë “emblemë e gazetarisë sonë” (Ramiz Kelmendi), dhe “zë i fuqishëm i atyre që heshtin” (Bekim Muhaxheri), ajo ka ngritur zërin për ngritjen e një shtatoreje (Një Pllakë Përkujtimore në Shenjë Nderimi), për gratë e përvuajtura, si “një reminishencë për gratë që përjetuan dhunën në luftën 1998-1999! Për ato që përjetuan kalvarin më prekës, më përbuzës, më çnjerëzor që mund të përjetojë një qenie njerëzore!” (Gjurmë ndër vite, f. 232)
Duke cituar zonjën Ollbrajt që gratë t’iu ndihmojnë grave, ajo me të drejtë ka ngritur zërin kundër ambasadave mashkullore, ka shpalosur Ide për një emërtim njerëzor, për ta pagëzuar Klinikën Gjinekologjike-Obstetrike të Prishtinës, me emrin e prijatares Dr. Sehadete Mekuli, dhe ka kërkuar me forcë “kthimin e dinjitetit të qytetarit” nga vetë shteti, sepse siç është shprehur më tej: “tani lyp edhe plismbajtësi! Lyp edhe shamibardha, apo kryeshtrumja.” (Gjurmë ndër vite, f. 242)
Publicistja emblemë ka bërë thirrje të vazhdueshme që “të lartësojmë këtë figurë njerëzore, duke i kënduar kësaj krijese fisnike” (Gjurmë ndër vite, f. 255), për të pasur një përkujtimore: “Që së paku një herë në vit të përkulemi para dhembjes së GRUAS, që do të ishte një fllad për shpirtin e lënduar?” (Gjurmë ndër vite, E Sheshi i Gruas, ku mbeti? F. 259.)
Pa dyshim, një kauzë kaq e denjë e mbrojtur me devotshmëri, kauzë për të cilën Viktor Hygo pat shkruar: “Ngjitur me të Drejtat e Njeriut, fare pranë tyre, janë të Drejtat e Shpirtit. Këmbëngulja është sekreti i të gjitha triumfeve…Paqja është virtyt i qytetërimit. Lufta është krim.”
Në rrugën e sfidave të shumta, por edhe në rrugën e suksesit të dëshmuar, publicistja e penës prijatare është treguar sa modeste po aq edhe e përkushtuar:
“Është fakt se jam natyrë që nuk imponohet, nuk futet, që nuk shkon prej studios në studio ose në redaksi mediash të shkruara, siç po ndodh, për ta “afirmuar” punën e bërë e të pabërë!...Njeriu, pra, duhet të ketë pak modesti edhe në këtë pikëpamje. Se, modestia është kulturë, është edukatë! Mbase, kjo mund të jetë arsyeja e rënies “në hije”, siç thoni ju. Unë vazhdoj të punoj, veç revistës “Teuta”, që tubon rreth vetes mijëra lexues, veç librave të botuar, jam në përgatitje dhe të librave të tjerë publicistikë dhe vazhdoj të shkruaj, që domethënë me punë e ‘thyej hijen’!” (Gjurmë ndër vite, f. 395-396).
Pa dyshim, një portret që flet vetë. Gjithsesi edhe një portret që flet me kohët: dje, sot dhe nesër. Një personalitet i publicistikës dhe i kulturës shqiptare që meriton respekt dhe admirim, sepse në formimin e saj njerëzor dhe intelektual kanë ndikuar në mënyrë të veçantë babai (“në burgun e Prishtinës do të ndodhej edhe im atë, i dënuar me pushkatim në vitin 1945”), gjyshi Rexhep Tërpeza (“i shquar për urti e burrëri”), si dhe vëllai Shyqri Kushevica, korrektor në gazetën Rilindja (“e kam pasur mbështetës gjatë gjithë kohës dhe udhëzues në jetë.”)…
Sanije Gashi është Oriana Falaçi shqiptare. E ky është edhe një epitet që ia dha përplot meritë, kush tjetër pos dora vetë Ramiz Kelmendi. Gjurmë ndër vite e gjurmë kohësh, shoqëruar me kalldrëme kujtimesh për pikturën dhe artet, veçmas për kitarën: “Më pëlqente koha e kaluar nën tingujt e instrumenteve muzikore…Kitara, instrument i dëshiruar (dashuri e munguar)”, për shoqet e fëmijërisë të shpërngulura në Turqi, për jetën gjithë vija dhe vragë e plot stuhi dhe vrull të bashkëkombësve të vet.
Një portret që rri menduar mes librash dhe gazetash, mes faqeve të dorëshkrimeve dhe revistave, duke kujtuar rrugëtimin e gjatë dhe përplot sfida që nga fillimi, duke qëndruar mes një ëndrre të paplotësuar (“Veçse, instrumenti që sot e atë ditë më mbetet ëndërr e parealizuar, është-kitara!”), dhe një profesioni të paëndërruar: “Gazetarinë, ndonëse e pëlqeja, nuk e kisha ëndërruar.”
Pjesëmarrëse e pandalshme në tubimet dhe protestat e viteve të vrullshme ’90, politikisht “e angazhuar në kohë të rrezikshme” e përplot sfida dhe ndeshtrasha, pjesëmarrëse në demonstratat e organizuara brenda dhe jashtë Kosovës (si fjala vjen në Bon të Gjermanisë e gjetiu), dhe gjithashtu mjaft aktive në takimet dhe tribunat politike, e arrestuar dy herë dhe e burgosur, si gazetare që shkruante për aktualitetin e rëndë kosovar si dhe anëtare aktive e Forumit të Gruas të Lidhjes Demokratike të Kosovës, humaniste e cila pyetjes: Çka më vret?, i është përgjigjur: “Varfëria e njerëzve, më pikëllon një dorë e zgjatur. Më lëndon braktisja e fëmijëve!…O Zot?!”, Sanije Gashi është gazetare emblemë e cila pyetjes: Ç’më dha gazetaria?, i është përgjigjur:
“Profesioni që e ushtroj gjysmë shekulli, bëri që të njihja shumë njerëz dhe karaktere, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyera në jetën time. Gjatë gjithë jetës kam skicuar portrete njerëzore, kam ngritur figura grash. Në fakt, gjithmonë kam qenë në mbrojtje, në mbështetje të dinjitetit të gruas. Gruaja e ka afirmuar personalitetin e saj në të gjitha fushat e jetës.
Gazetaria e ka pasuruar jetën time. Profesioni të formon si njeri. Çdo njeri duhet të lërë pas vetes diçka të veçantë, për të mos u harruar…Lum ai që lë përshtypje me punën e tij, me karakterin, me njerëzinë e vet.”
Duke qenë kështu një personalitet që beson fuqishëm se: “Vetëm puna e mban njeriun. Guximi është ai që të mban në çdo punë”, Sanije Gashi e çmon shumë kulturën e mendjes dhe bukurinë e kësaj kulture: “Tani, pas gjysmë shekulli gazetari, me gojën plot mund të them se kam kryer - Universitetin e jetës!”

II
NJË LIBËR POEMË PËR PRISHTINËN


Veprat dramaturgjike të Henrik Ibsneit janë quajtur nga bashkëkombësit e tij si ca simfoni hyjnore. Fjalori i Kontsantin Nelko Kristoforidhit (babait të gjuhë shqipe) në tërësinë e tij, është quajtur një poezi në vete. Së këndejmi mund të thuhet se libri i Sanije Gashit Prishtina e fëmijërisë sime, është një libër poemë për Prishtinën.
Në një cep të Ilirisë së Poshtme, siç do të thoshte Mitrush Kuteli, e në një sfond të Shqipërisë së Jashtme, siç do të thoshte Lasgush Poradeci, publicistja e prirjeve të veçanta krijuese, e vendos Prishtinën si një emblemë ilire në sfondin e një gjeografie - pajisur jo vetëm me pamje të fotografive por edhe stolisur me kujtime të një fëmijërie, me të cilat ajo qytetit të saj të lindjes dhe të rritës ia falë përmasat e një përjetësie.
Duket sikur që të dyja kanë bërë një marrëveshje të pashkruar, një pakt të heshtur mes tyre. Duket sikur Prishtina i ka thënë qytetares së vet se do ta marrë për dore që në fëmijëri të saj, e do të ecë ashtu së bashku me të derisa ajo të vijë në ditën kur do t’ia kthej borxhin këtij qyteti: duke e marrë tani për dore Prishtinën e fëmijërisë së saj dhe duke ecur së bashku dorë për dore: në shpalim të viteve të fëmijërisë e të dashurisë së madhe që ka për të!
Në këto kalldrëme kujtimesh, tek ecin ashtu së bashku dhe dorë për dore, Prishtina dhe publicistja, sikur shkrihen me njëra-tjetrën, sikur mishërohen mes tyre tek ndjekin njëra-tjetrën në rrugëtimin e tyre të përhershëm.
Që të dyja, duke ecur në shtegun e kujtimeve të fëmijërisë së publicistes, fillimisht ecin si dy motra binjake, e pastaj bëhen një.

Në kujtimet e fëmijërisë së saj, e në mënyrë të veçantë në shpalimin e këtyre kujtimeve si gazetare emblemë, autorja e librit e ka shfaqur në sfond Prishtinën, sa të dashur po aq edhe të bukur: herë si një kukull, herë si një shtojzovalle, e herë si të veshur me një vello nusërie!
Në këto kalldrëme kujtimesh, në këto fletë fëmijërie, në këto kronika kohësh, në këto qëndisje gjithë mall e frymëzim, gjithë dashuri e përkushtim, të projektuara në prizmin dje dhe sot, publicistja vihet në mbrojtje të vlerave kulturore e arkitektonike.
Ajo lëshon kështu zemër-klithjen e saj që ato të ruhen, por njëkohësisht lëshon edhe zemër-thirrjen e saj që Prishtina të jetë ajo që meriton.
Në poetikën e ligjërimit të saj publicistik, ajo ngjitet tek maja e Veternikut dhe kundron nga kodra e Arbërisë, shikon dhe sodit - siç e thotë vetë “me sytë e kujtesës” pamjet që i shfaqen përpara, pamjet e qytetit të dikurshëm të fëmijërisë së saj, dhe sheh “imazhe përplot diell”.
Në këto pamje dhe në këto imazhe me ngjyra ylberi shpaloset Prishtina, një emër të cilin publicistja e mbanë thellë në zemër që nga fëmijëria e saj.
Ajo bëhet bashkudhëtare e saj në rrugën e madhe të jetës dhe të dritës.
Me një memorie të freskët, me një kujtesë të habitshme, me një dashuri të rrallë, autorja e monografisë për Prishtinën hyn sërish në lagjet dhe rrugicat e fëmijërisë së dikurshme, përshkon sheshet dhe bulevardet, shuan etjen tek krojet dhe gjen paqe tek gjelbërimet (“oaza gjelbërimi e bukurie”), kujton çezmat e shumta e rrjedhën e krojeve, nxjerr në sfond konceptin e shtetit përmes bashkëbiseduesve dhe kujtimeve të tyre, zbret në lashtësinë e shekujve dhe shpalos përballjen e vendasve me pushtuesit, kujton përpjekjet titanike të shqiptarëve për të mbijetuar dhe për t’u çliruar nga të gjithë ata që sa padrejtësisht po aq edhe mizorisht ua kishin zënë frymën; rikthehet në kujtesë e përpara i shfaqen “sepetet me ushqime”, flet gjithë mbresa për “buzëmbrëmjet idilike te shatërvani”, ndalet me shumë finesë tek: “Kapali Çarshia, hijeshi e qytetit”, kërkon gjurmë të humbura dhe ndjenë mall për ato kohë të lumtura, përshkon rrugicat e shtruara me gurë e kujton me nostalgji tek ecte në fëmijëri atje tek Zona e Pazarit të Vjetër ose Mëhalla e Tregut, ndalet tek ato shtëpi të vjetra e që i shfaqen dhe rishfaqen në kujtesë si ca kaike të vockla por aq shumë të dashura, dhe me ca buqeta fjalësh përshkruan vatrën e ngrohtë familjare shoqëruar me një poetikë përmallimi: “Në këtë rrugicë, të shtruar dikur me guralecë, vende-vende edhe pa ta, çdo gjë i takon së kaluarës. Në fillim të sokakut, në të majtë ishte shtëpia e vjetër e prindërve të mi…” (PFS, f. 66), flet për pamjet e brendshme dhe të jashtme të shtëpive (kujton mangallin me prush apo edhe “dronjat e punuara në vek/tezgjah” (PFS, f. 75), kapixhikët dhe sabah-qejfet e zonjave të Prishtinës - kur “laheshin shtigjet e shtruara me gurë” (PFS, f. 77) dhe kur “dinin të bënin pikën e sefasë” (PFS, f. 77), kujton aromën dehëse të lule-shebojës si dhe “trëndafilat llojesh e sojesh të ndryshëm” së bashku me “zambakët erëkëndshëm”, duke u shprehur me krenari të ligjshme se: “Ishte një kolorit mahnitës.” , vë në pah tendencën e njohur për t’i konvertuar shqiptarët në turq si dhe shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, dhe aty-këtu edhe kthimin e ndokujt; kujton zanatçinjtë e mrekullueshëm e gjithë përkushtim, dhe rishfaq në kujtesën e brezave dy Marigo Postjet e Prishtinës, qëndistaret e flamurit kuqezi: “Gruaja e familjes së Alibegëve-Remzia, si dhe Nixhare Batalli (e tjetrës lagje), do t’i qëndisin, me sa dihet, flamujt e parë kuqezi në Prishtinë.” (PFS, f. 81)
Sakaq, në gjithë këtë kolorit përshkrimesh, në të cilin buqetat e fjalëve shkrihen në një me buqetat e luleve, të cilat ajo i përmend me një kujtesë të habitshme e një nga një: “sardonët (mëllagat), menekshetë (lulevjollcat), meshet (krizantemat), lulezjarrin lulebombone, lulevathi, lulekënat, zymbylet, jargavanët, feslixhenët…, lule këto që po i mbushnin oborret e qytetit, varësisht nga stina.” (PFS, f.77), duke përshkruar më tutje edhe ditën e pazarit plot gjallëri e ngjyra jete.
Duket sikur këto lule i ka ruajtur me aq kujdes në rrugëtimin e saj me qytetin e lindjes, sa të bëhet sikur i ka premtuar kryeqytetit se do t’i marrë e do t’i ruajë tërë jetën, për t’ia kthyer një ditë në formën e një tufe lulesh, tufë të cilën rrallëkush ia ka falur Prishtinës si publicistja Sanije Gashi.
Në një mishërim si ky, zë vend edhe shkëlqimi i rrezeve të diellit në kohën e fëmijërisë:
“Sa shumë kujtime janë të palosura në atë mëhallë, në atë oborr të Emixhikëve, me gjithë lojërat e fëmijërisë së pastër, të pagajle, me atë shkëlqim të diellit, që nuk ndodh në vitet e pjekurisë.” (PFS, f. 80)
Ajo kthehet mbrapa në kohë për të ecur sërish në Mëhallën e Kullës së Sahatit, prej ku ka shumë kujtime dhe përjetime, kujton dyert dhe dritaret e Gjimnazit (“Gjimnazi që rrezaton kulturë”), renditë fotografitë e përfshira një nga një me aq kujdes dhe shije, shpalos kujtime gjithë mallëngjime, sjell në kujtesë ecjen nëpër sokakët e dikurshëm, gjallërinë në shëtitoren e qytetit, pastërtinë dhe rendin, rregullin dhe dashurinë që kishin njerëzit për njëri-tjetrin, vë përballë kohët mes tyre: dashurinë që kishin njerëzit dje dhe mungesën e ngrohtësisë njerëzore sot, vë kundruall njëra-tjetrës: Prishtinën e vjetër “në ato kohë të perënduara” (PFS. F. 48) dhe Prishtinën e re në këto kohë të moderuara, arkitekturën e vjetër dhe ndërtimet moderne, thekson plagët e qytetit si pasojë e ndërtimeve pa plan (“ngulfatjen që po i bëhet qytetit” (PFS, f. 68)…
Publicistja e dhuntisë së dëshmuar krijuese shprehet gjithë pietet dhe respekt për intelektualët dhe atdhetarët e kryeqytetit, si profesorët Vasil Andoni, Lirak Dodbiba, Ymer Berisha, Lorenc Antoni, Abdurrahim Buza, Ahmet Gashi, Rauf Zajmi, Dr. Rexhep Krasniqi; kujton me krenari dhe nostalgji “kohën e Shqipërisë” (1941-1944), bashkëbisedon me njerëz të cilët mbajnë mbi supet e tyre peshën e viteve, por me një kujtesë tepër të freskët dhe me një dashuri gjithë mall tek flasin për qytetin e tyre, dëshmon për përplasjet shqiptaro-serbe, për konfiskimin e pasurive dhe të pronave të atdhetarëve shqiptarë pas marrjes së pushtetit nga ana e komunistëve (si shtëpia e Iljaz Agushit, sot ndërtesa e RTK-ës: “Gruaja e Iljazit, Fatimja, një vajzë e bukur e beglerëve të Prishtinës, vdes e re, në shtëpinë te Televizioni i sotëm. Të dy kanë qenë një çift i bukur…Iljazi nuk qe martuar kurrë më.” - PFS, f. 90.), e flet edhe për shtresat e shoqërisë…
Në kujtimet që shpalosen palë-palë e me një mall shpesh të valë, ajo kujton njerëzit eminentë dhe begaton kështu galerinë e protagonistëve të qytetit, galeri që përbëhet nga njerëzit e thjeshtë a zanatçinjtë (furrat e qytetit) e deri tek ministrat.
Në një kapitull të veçantë, gazetarja emblemë ndalet tek figura rrezatonjëse e atdhetarit Iljaz Agushi (Personalitete kohe. Shtëpia dhe veprimtaria e të shquarit Iljaz Agushi), duke theksuar meritat e tij të mëdha në ngritjen e pushtetit shqiptar në Prishtinë:
“Aty nga mesi i prillit 1941, pasi gjen përkrahjen e personaliteteve të shquara të Prishtinës e të rrethinës, e ngriti Flamurin Kombëtar dhe nën valëvitjen e tij e shpalli përbërjen e udhëheqjes së Prefekturës së Bashkisë së Prishtinës.” (PFS, f. 87)
Publicistja e përkushtimit të veçantë krijues përkujton me krenari të ligjshme se Iljaz Agushi ishte një atdhetar i pandalshëm:
“Pa vonuar themelon komunat shqiptare, vendos kryetarët në komuna të mjediseve fshatare dhe shtron kërkesat që Kosova të bashkohej me Shqipërinë londineze - drejt Shqipërisë tërësore.” (PFS, f. 87)
Pasi përkujton se: “KPJ-ja merr vendim që të likuidohej. Kështu, më 27 tetor 1943, në orën 18 hyjnë në shtëpinë e tij në Tiranë dhe e qëllojnë me 6 plumba.” (PFS, f. 88), ajo gjithashtu dëshmon për dashurinë që ushqente populli për një nga bijtë e tij më të devotshëm, me rastin e varrosjes së tij në Prishtinë::
“-Nuk ka mbetur burrë pa qarë e pa shkuar në përcjellje të Iljaz Efendisë, tregon sot Rashid Krasniqi.” (PFS, f. 91)
Një vend të veçantë i ka kushtuar autorja edhe simotrës së saj Iffete Agushi (Poetja e veprimtarja Iffete Agushi. Edhe një histori, tashti gruaje, nga kjo mëhallë)
Pasi ka pohuar kështu se: “Iffetja njihet si veprimtare e organizatës “Lëvizja për lirinë e tokave shqiptare”, por edhe e NDSH-së së njohur.” (PFS, f. 94), ajo gjithashtu ka përkujtuar se si vogëlushe Iffetja ishte mjaft e zgjuar, dhe se për të: “porosia e Iljazit do të jetë:
-Iffet, vetëm mësimi i shqipes të bën shqiptare!” (PFS, f. 98)
Nuk ka dyshim se Iffete Agushi për Sanije Gashin është një nga princeshat e rralla të letërsisë, prandaj në fund jep edhe një fragment nga poezia e saj kushtuar Kosovës, shkruar në Shkup më 25 shtator 1945 (“përkthyer nga poeti Arif Bozaxhi”), poezi e cila për nga motivi përkon me poezinë e Asdrenit apo edhe të Mehmet Akifit, kushtuar Kosovës:
“Oj Kosovë, oj fushë krenare,
e përgjakur në çdo anë.”
(PFS, f. 99)

Një poezi të poeteshës Iffete Agushi, publicistja Gashi e ka përfshirë edhe në kapitullin Rruga e Burgut. Hapsana e Prishtinës, poezi e titulluar Hapsana e Prishtinës, shkruar në Shkup, më 30 tetor 1945, e cila paraqet në sfond pamjet e shqiptarëve të burgosur ‘grumbuj-grumbuj’ dhe ‘faj e pa faj, me pranga në duar’, e që përfundon me vargjet:
“një muzg e ka kapluar krejt qytetin.
Çdo gjë hesht, vetëm toka dhe qielli lotojnë.”

(PFS, f. 135)

Duke e kujtuar në retrospektivë Prishtinën e fëmijërisë së saj, ajo ndalet tek Rruga e pajtonxhinjve (“taksi” të kohës, siç shprehet autorja) dhe gjithsesi një “luks” për kohën. Sakaq kujton dimrin: “Bora ishte pjesë e pandashme e Prishtinës edhe kur reshtte” (PFS, f. 102), e paskëtaj shfaqet fare natyrshëm malli për një krua të kryeqytetit si dhe dhimbja për betonizimin e zonave të gjelbëruara:
“Edhe një krua tjetër ndodhej në anën jugore, jashtë oborrit të kësaj shtëpie, aty në kënd, që flet për pasurinë e qytetit me këto burime freskuese.
Tani, në atë shtëpi oficerësh jo vetëm që është zhdukur ai gjelbërim e ata drurë të lartë (kanë mbetur vetëm disa në hyrje), veçse në atë hapësirë janë ndërtuar e hapur jo më pak se 50 zyra!” (PFS, f. 105)
Duke përkujtuar se Iffeti ishte një “prishtinase e guximshme”, Sanije Gashi përmes fjalëve të bashkëkohanikëve të Iffetes (Dr. Muratit) ka dëshmuar se populli e deshi me gjithë zemër, bijën e vet atdhetare:
“-Iffeti na kishte lënë një amanet, i cili duhej përmbushur patjetër. Që trupin e saj ta mbulonim me flamur kombëtar!” (PFS, f. 99)
Me një mallëngjim të theksuar autorja e monografisë për Prishtinën ka shpalosur fletë kujtimesh edhe për Mëhallën e Divan Jollit (në kapitullin Mëhalla e Divan Jollit. Shtëpitë e prishtinasve e dyqanet e hebrenjve): “Divan Joll (rrugë e drejtë), në të dy anët me drurë të gjelbër, që sajonin shtëpitë e bukura dollma” (PFS, f. 112), për t’u ndalur më tej tek përshkrimi i detajuar i shtëpive karakteristike:
“Të gjitha këto shtëpi kanë qenë me oborre, por më e bukura ishte ajo e zonjës Nazmie Tatari (e ëma e Bejtullah berberit), një zonjë e kamur, me bahçe të rregullt, përplot trëndafila të bukur, të cilit i paraprinte dishëravlia (jashtavlia), siç ndodhte te shumë oborre, kryesisht pasanikësh.
Ja pse i përshkrova këto shtëpi të kësaj pjese të fillimlagjes së Divan Jollit.” (PFS, f. 115)
Një veçori tjetër e këtij libri unik është të shpalosurit e kujtimeve të banorëve të Prishtinës, të atyre më të moshuarve, nëpërmjet të cilëve sillet në kujtesë rishtazi e kaluara e Prishtinës: “Për lagjen Divan Jolli kanë kujtime të pashlyeshme banorët e saj.” (PFS, f. 119) Këta banorë rrëfejnë në copëzat e kujtimeve të tyre, në mes tjerash edhe për Tauk Bahçen “ku regjimet serbe i pushkatonin shqiptarët me gjyq e pa gjyq” (PFS, f. 120), për konvertimin e shqiptarëve në turq, për shpërnguljet e tyre për në Turqi, për kurset pedagogjike dhe mësuesit e paharruar, për sjelljen e veturës së parë në Prishtinë, për hapjen e barnatores së parë, për këngëtaret e para, për kohën e Shqipërisë, si dhe për shpresën e shprehur me aq dashuri nga prishtinasi Rashid Krasniqi, se: “prapë do të jemi Shqipëri…” (PFS, f. 127)
Në kapitullin Rruga e Burgut. Hapsana e Prishtinës, nëpërmjet kujtimeve të shkrimtarit Qamil Batalli, rrëfehet për lumin Vellusha dhe gojëdhanën “e trishtueshme, se Vellusha ishte një lumë i mallkuar, që për çdo 32 vjet përmbyste dhe rrëmbente çdo gjë që gjendej përpara. Mu për këtë, prishtinasit janë kujdesur që në të dy anët e Vellushës, të kishte plepa. Gojëdhana thotë se mbi ata trupa plepash të lartë kanë shpëtuar jetën shumë qytetarë, kur Vellusha kishte gufuar e çmendur fare.” (PFS, f. 139)
Ndërkaq, në fund të këtij kapitulli shpaloset edhe ana tjetër e qytetit:
“Prishtina, ishte mbi të gjitha, qytet zejtarësh. Në Çarshi, po e zhvillonin zejtarinë e tyre qytetarët e vjetër, zanate, që tani si të thuash, kanë perënduar, si: sermaxhinj, kallajxhinj, saraçë, fuçixhinj, nallbanë, bakërxhinj, kazanxhinj, këpucëtarë…, prandaj dhe qytetin e përshkonte fryma esnafe.” (PFS, f. 140)
Në kapitullin Mëhalla e Llokaqit. Qendër e Çarshisë, përmendet një e dhënë interesante, që dëshmon se autorja ka regjistruar në kujtesën e saj gjëra të shumta të Prishtinës së fëmijërisë së vet:
“Strajat njihen si familje të kamura, pasuri që vlerësohej nga sasia e arit. Këtë pasuri e kanë ruajtur në qypa të futur në dhe. Tregojnë se si një herë në vit i kanë nxjerrë qypat për ta pastruar arin.” (PFS, f. 144)
Shpalosen kështu rite e festa fetare, malli për të djeshmen e zhgënjimi për të sotmen (në kapitullin Mëhalla e Vellushës, kroi i Katër Llullave. Gëlqerosja e shtëpive, paqllëku, kroi), kujtohen kohët kur “shtrohej sofra me të mirat e Zotit” (PFS, f. 154), nderimi për shpirtrat e të vdekurve dhe lutjet drejtuar Zotit, por edhe përkujdesi i duhur: “Kur është fjala për fukarenjtë, prishtinasit gjithnjë kanë shprehur kujdes të duhur për ta”… (PFS, f. 158)
Në kapitullin tjetër, Proceset shkombëtarizuese. Aksioni i Armëve, shpërngulja për në Turqi, përkujtohet gjithashtu zbatimi “i planit të hershëm të Çubrilloviqit” (PFS, f. 172), e që më vonë do të pasonte edhe me “pësimin e të kamurve”:
“Regjistrimet e vitit 1953 tregojnë se shumë shqiptarë u detyruan të deklaroheshin si të kombësisë turke, madje edhe nëpër katunde, që s’e dinin një fjalë turke! Kështu, deri në vitin 1959 për në Turqi shpërngulen rreth 400 mijë shqiptarë…Me shpërnguljen, shpëtonin nga terrori.” (PFS, f. 172)
Ndërkaq, në kapitullin Mëhalla e Kacallarëve. Rrugë të përbaltura, pa trotuare, kujtohet me krenari se: “Prishtina e ka furnizuar tërë Kosovën me perime! Prishtinasit kanë qenë bahqevanxhinj (kopshtarë) të njohur.” (PFS, f. 169)
Në kapitullin Itineraret e padëshiruara. Nostalgjia për vitet e ikura, publicistja e penës së denjë ka shpalosur një realitet tepër të dhimbshëm të shpërnguljes së shqiptarëve nga vatrat e tyre, plagë kjo e cila mjerisht po vazhdon edhe sot të mbetet e hapur.
Në këtë shpalosje ajo ka gdhendur me një zotësi të rrallë portretin e një prishtinase e cila kishte qenë dikur normaliste, portretin e zonjës Pervin Muhaxhiri - Acarkan (Axharkan), për të cilën pohon se e kishte braktisur qytetin e fëmijërisë më 1958, dhe e cila do të kthehej prapë tek vatra stërgjyshore:
“Pas gjysmë shekulli, Pervini, në një vizitë nostalgjie Prishtinës, rrëfen për këtë itinerar të padëshiruar, për ato vite të ikura jete, për lektisjen që s’iu shua kurrë për tokën e të parëve.” (PFS, f. 180).
Dhembshuri e nostalgji përzier bashkë, malli për kroin në një kënd të rrugicës, nisja e të tri motrave për në shkretëtirën e panjohur, ndarja me dy djemtë e tezës - që të dy të burgosur politikë, shpalosen kështu dalëngadalë në poetikën e publicsitikës së autores së librit për Prishtinën, madje shpalosen në atë mënyrë sa duke gdhendur portrete të tilla e duke shfaqur fragmente të një jete gjithë stuhi dhe vrull, ajo të lë përshtypjen sikur krijon faqe të një novele apo diku-diku edhe të një romani me fate njerëzish e me pamje turmash, që përpëliten sa andej e sa këtej:
“Kadri, me zinxhirë në këmbë, që mezi po i tërhiqte zvarrë! Provova t’i hidhesha në përqafim, kur ndjeva dorën e hekurt të policit të më zbrapste, me britma e sharje.
Ja, kjo qe përshëndetja jonë! U larguam nga burgu të zhgënjyera.” (PFS, f. 184)
Me një përqëndrim të theksuar në rrëfim dhe me një përkushtim të dëshmuar në shpalim të një kohe zezonë, përmes kësaj figure të realizuar aq bukur, publicistja paraqet fatin e një populli të tërë:
“Ndarjet sillnin pikëllim. Të shpërngulurit, ndërkaq, përgjithmonë mbetën jabanxhinj, ardhacakë, arnautë, të cilët do të jetojnë gjatë me peshën e fjalëve të thëna në ato çaste ndarjeje. Edhe sot, pas gjysmë shekulli. Pervini e kujton gjithë emocion një përjetim:
-Zakonisht, nisjet bëheshin nga stacioni i trenit, në Prishtinë. Kisha një shoqëri shkolle, e cila erdhi të më përcillte. Njëra nga shoqet, që quhej Tefta Sedllari, e që e dinte mirë peshën e kurbetit, ngaqë e kishte të atin në mërgim, në atë shtrëngim lamtumire, më lëshoi në dorë një dhuratë, porse, më porositi që të mos e hapja derisa të mbërrija në Stamboll! Treni u nis, njerëzit tanë mbetën poshtë me shtangje fytyre e me valëvitje duarsh, në shenjë përshëndetjeje, mbi të cilat duar m’u bë se ra një tis mjegulle. Po, ç’ishte ajo që nuk munda ta harroja kurrë? Ishin tingujt shpues të asaj sirene treni që depërtuan thellë në qenien time, që dëftuan rrugën e ikjes së përjetshme…Ai udhëtim në atë tren përplot shqiptarë nga e gjithë Kosova, zgjati diku 12-13 orë. Jehona e rrotave vinte gjithnjë e më e rëndë. Nuk fliste njeri, heshtje varri. Herë pas here sillja ndër mend dhuratën e shoqes, a thua ç’kishte brenda saj?! Kur, më në fund, treni hyri në Stamboll, në atë qytetin zulmëmadh, që po lavdëronin - Stambolli kështu, Stambolli ashtu, unë mbeta e nemitur: Kuuuku, thashë, ku erdhëm! Pamje e shëmtuar, me ato shtëpi përdhese në atë periferi të qytetit, mirëpo edhe sikur të kishte pamje parajse, mua s’do të më dukej gjë! E vetmja që atëherë dëshirova të kisha, ishte një kamerë, të xhiroja ato pamje dhe shqiptarët tek po zbrisnin nga treni kujdesshëm, humbshëm, ftohtë…që t’ia tregoja botës - ja ç’na bëri serbi, Zoti mos ua faltë!” (PFS, f. 184-185).
Nuk ka dyshim se me magjinë e fjalës shqipe, autorja e veprave antologjike krijon një nga perlat e një publicistike e cila e nxjerr në sfond dhimbjen dhe mallin, por që njëkohësisht e risjell në kujtesë trenin, e treni dhe rrugëtimi me të si detyrim, do të përsëritet aq shumë në fatin tonë tragjik!
Sanije Gashi në gdhendje të portretit të Pervinit dhe në shpalosje të fatit të hidhur të mërgimit, e shkrinë gjithë dhuntinë e saj dhe pa dyshim krijon një nga portretet më të realizuara, më të dashura, por edhe më të dhimbshme.
Kundruar nga ky prizëm, me një vërtitje të lehtë të penës së saj të mprehtë, autorja dëshmon për një fat tepër të hidhur, të zonjës Pervin:
“Punësimi edhe i motrave të mitura, ishte me shumë vuajtje: “E dini çfarë do të thotë të punojë fëmija 10 vjeç?! Motra ime, Semia, si 10 vjeçe u punësua në një fabrikë! Edhe tjetra, Seria, në të 12-tat nisi, po kështu punë fabrike!” (PFS, f. 186).
Gjuha e nëntekstit është mëse e qartë: Kush nuk e ka provuar sirenën e hidhur të trenit në ndarje nga vatra dhe sofra, kush nuk e ka provuar bukën e hidhur në mërgim sikurse zonja Pervin?!
Me gjuhën e një nënteksti të tillë, Sanije Gashi doemos sa na e kujton thënien e njohur të Gëtes: “Jo Gjermaninë ta çojmë në Amerikë, por Amerikën ta sjellim në Gjermani!”
Por publicistja e shquar nuk mjaftohet vetëm me kaq. Ajo e çon edhe më tutje fillin e rrëfimit që lidhet me dashurinë ndaj Prishtinës, për të dëshmuar për të satën herë, atë thënien e njohur se “Arbëreshi, ngado vete di dhe bën”:
“A thua, si e gjen Prishtinën?
-Si? Ja, po ju tregoj si: s’doja të kthehesha më në Stamboll! Se, lumturi nuk është pasuria, lumturi është të qenit në vendin tënd dhe me njerëzit e tu…Në këtë kthim, Pervini takohet edhe me ish-shoqet, normaliste të dikurshme, me të cilat asnjëherë, për gjysëm shekulli, nuk i ndërpreu kontaktet, qoftë me letra, qoftë me telefonata, ose me vizita tashmë të rregullta që ia bën Kosovës, “kjo është krenari imja”, shprehet. Sikurse edhe gjuha shqipe, të cilën nuk e anashkaloi kurrë! Takohet edhe me Teftën e poezisë së dhimbshme e të dheut të çmuar, tek i cili gjeti lotët, gjeti qeshjet, gjeti ‘kuvendimet’ e ngrohta…
Sot, rrëfen Pervini, jemi një grup shoqesh prishtinase të hershme prej 25 vitesh, që në Stamboll kemi sajuar atë rrethin tonë të ngushtë, që mbajmë ndejat e rregullta çdo muaj, ndërsa në ato ndeja krejt muhabeti ynë është e kaluara jonë në Prishtinë! Ndonëse, kanë ikur vitet, kanë ndryshuar kohët, ka shkuar mosha…” (PFS, f. 187-188).
Plagën e madhe të braktisjes së atdheut, autorja e ka përfshirë edhe përmes një letre të shkruar prej Adrian Islamit nga Bursa e Turqisë, dhe të dërguar në revistën “Teuta”, në të cilën sërish shquhen notat e dhembjes së madhe:
“Kaq i pazëvendësueshëm të ishte vatani? Kush do të ledhatonte trarët e shtëpisë, kush ujiste për herë të fundit trëndafilat, jargavanët në bahçe. “Mos lëshoni aromë pa ne, na prisni” - u vinte t’u thoshin, por fjalët u mblidheshin në fyt, sepse të gjithë e dinin se nuk do të ktheheshin më. Për herë të fundit lanë fytyrën në çezmë, i mbushën kacitë me ujin e tyre, me ndjenjën se ai ujë do të mjaftonte për tërë jetën. Mbetën pa mangallet, ku nënat piqnin kafe, e gjyshi e gjyshja tymosnin duhanin e ia thoshin këngës “Çohu, more Rexho”…Sahatet e mureve, që binin çdo orë, mbetën pas.” (PFS, f. 192)
Në kujtimet e Pervinit, ky udhëtim nuk do të harrohej kurrë: “me ata trena futë, sirena e të cilëve do të jehonte gjatë-gjatë, derisa i hidhnin diku, veç Stambollit, Bursës, Ada Pazarit…, në anët e Anadollit prapanik.” (PFS, f. 181-182), ndërkaq për Adrianin shpërngulja do të ishte një “dhimbje e padurueshme”:
“Mbërritëm në Stamboll, disa ikën tutje, në Bursa, në Izmir, në Samsun, në Ankara, në Eskishehir e në shumë qytete të tjera të Anadollit.
Kësaj Osmanët i thoshin ‘va-esefa, va-esefa’ - sa keq, sa keq…” (PFS, f. 195)
Në përmbyllje të këtij kapitulli, në pjesën e titulluar Plisi në vend të fesit, përshkohet sërish edhe një shteg i një rruge të gjatë, nëpër të cilën kanë ecur banorët e kryeqytetit:
“Prishtinasit mbanin mbi kokë kryesisht fesin, kurse katundarët që vinin për t’u furnizuar, mbanin plisa të bardhë. Me ardhjen e gjermanëve, së pari e pamë flamurin kombëtar dhe të rinjtë, ata pak intelektualë, filluan të kuptonin se ishin shqiptarë. Përmes bursave të ndryshme dhe mësuesve të ardhur nga Shqipëria, prishtinasit filluan të mësonin gjuhën shqipe. U ndërrua fesi me plis.” (PFS, f. 196)
Në libër, nëpërmjet arsimtares në pension-Melihate Turku, përshkruhen gjithashtu edhe vuajtja e muhaxherëve të shpërngulur nga Toplica e Nishi, peripecitë dhe përbuzja që hasën ata (në pjesën Mëhalla e Muhaxherëve. Lagje e të përndjekurve), kurse në kapitullin Mëhalla e Xhamisë së Llapit. Një lagje me bagëti, përshkruhet në mjaft detaje rendi i dyqaneve, ditët e tregut, flitet për barnatoret e qytetit, për intelektualët prijatarë prishtinas si dhe për familjet e njohura prishtinase: ato me ndikim dhe me veprimtari patriotike; vihet përballë njëra-tjetrës e djeshmja dhe e sotmja, mallëngjimi për të djeshmen dhe zhgënjimi me të sotmen, gjë që shprehet mjaft bukur përmes Rashid Krasniqit:
“-Secila gjeneratë e ka kohën e vet! Secili i kthehet me mallëngjim e dashuri.” (PFS, f. 207)
Në kapitullin Jeta kulturore. Teatri profesional dhe shfaqja e parë në Prishtinë, nëpërmjet kujtimeve të z. Vehap Shita, kritiku më i njohur i teatrit, që nga ditët e para të themelimit të tij, gazetar shumëvjeçar dhe përkthyes, (PFS, f. 214), përshkohet trajketorja e zhvillimit të teatrit dhe kujtohen me krenari nismëtaret e tij:
“E para aktore e Teatrit të Prishtinës ka qenë Meriban Shala, mandej Katarina Josipi, më vonë prishtinasja Melihate Ajeti, Mysherefe Preka…Ç’është e drejta, prishtinas nuk ka pasur thuaja asnjë, se kanë qenë shumë inaktivë.
Veç institucionit të teatrit, në vitet e mëvonshme, do të themelohet edhe Shtëpia filmore - Kosova filmi, nga aktori i shquar Abdurrahman Shala. Ky personalitet komplet i artit, ka qenë edhe aktor, edhe regjisor, edhe dramaturg.” (PFS, f. 216)
Duke e shpalosur të djeshmen dhe të sotmen, elegancën e veshjes dhe trendet e saj, dëshmohet njëkohësisht edhe kalimi nga një kulturë arkaike në një kulturë më të avancuar:
“Me heqjen e perçes e të çarçafit, por me zëvendësim të manteleve dhe të shamisë deri vonë, ose me jemen (shami koke grash, zakonisht e zezë, për ato më në moshë), në vitet ’50 dolën dhe çorapet kajzer e të najlonit, ndërsa gjatësia e fundeve ishte nën gjunjë. Preferoheshin materialet për fustane si - zhorzhet, krebanja, mëndafsh, kadife, organdin, taft, tyl, atllas…Tashti, veshja allafranga po dominonte në qytet.” (PFS, f. 219)
Në mënyrë të veçantë, në këtë kapitull, në pjesën e titulluar Stili i viteve ’50 të shekullit XX, paraqitet në mënyrë mjaft të detajuar shija mjaft e sofistikuar e modës së prishtinaseve të asaj kohe, gjë që publicistja Gashi e bën sa me një memorie të shkëlqyer po aq edhe me një stil të përkryer:
“Mirëpo, kur është fjala për veshjen dhe modën, prishtinaset mundoheshin ta ndiqnin stilin e viteve ’50, që ishte dekadë e glamurit, e femërsisë dhe e kthimit magjik të modës së lartë evropiane, ndikuar nga veshja (allafrënga) e Francës.
Në ato vite gratë ishin të uritura për krijimin e stilit, kështu që i frymëzoi liria e modës së epokës. Vitet 1960 të modës dhe veshjet e 1970-ës, më shumë kanë qenë të fokusuara në stilin eklektik dhe të vetëshprehjes.” (PFS, f. 219)
Nuk do mend se një qasje e tillë me kaq vëmendje ndaj trendeve të së djeshmes, mes tjerash dëshmon më së miri se përse revista “Teuta” është një revistë kaq prestigjioze, ndërkaq që vetë stili sanijean të bën të kujtosh sikur je duke lexuar faqe të romaneve të shkruara nga shkrimtarët francezë për jetën e saloneve të Parisit:
“Njëri nga trendet e atyre viteve ishte - fundi i fryer, me gjatësi nën gjunjë, dhe fustani i ashtuquajtur ‘bustier’. Glamur i viteve ’50 ishin dorashkat e gjata nga dantella, që kombinoheshin me këpucë takash të larta. Ato vite sollën edhe trendin e sofistikuar dhe joshës të stileve të flokëve, që duhej të ishin me shkëlqim dhe të fryra. Kjo u jepte grave pamjen e zonjave të vërteta. Prishtinaset e asaj kohe kanë provuar të ndjekin modën e kohës, sidomos sa i përket gjatësisë së fundeve dhe stilit të fryrë të flokëve. Në fillim të viteve ’60, po kështu dalin edhe zhyponat që i mbanin të fryrë fustanet (pjesën e poshtme), e që përdoreshin me kënaqësi, sidomos nga vajzat.” (PFS, f. 220-221)
Në kapitullin Shëndetësi. Mjekët e parë të Prishtinës, autorja e monografisë së rrallë për Prishtinën shpalos mermerin e emrave të mjekësisë kosovare, duke folur mes të tjerash me një pietet të veçantë për Dr. Sehadete Mekulin:
“Doktoresha Sehadete është një nga personalitetet më të njohura në mjekësinë kosovare, intelektuale e ditëve të hershme, gjinekologe dhe shkencëtare e parë shqiptare, jo vetëm në Kosovë.” (PFS, f. 225)
Në mënyrë të veçantë, ajo përkujton gjithë krenari e respekt treshen e madhe të mjekësisë kosovare, duke dëshmuar për të satën herë se ajo di të nderojë prandaj edhe meriton të nderohet:
“Prishtinasit-Dr. Daut Mustafa e Dr. Izedin Osmani, bashkë me ohriasen, Dr. Sehadete Mekuli, janë tre nga themeluesit e mjekësisë kosovare, të cilët nuk duhet të harrohen.” (PFS, f. 225)
Pasi ka sjellur në sfond poezinë e Esad Mekulit, të titulluar Perdja e robnisë, poezi në të cilën poeti i ka thurrur himn femrës si qenie e bekuar: “Femën, ti hymn i përjetshëm i përtërimjes, i/ gëzimit njerëzor, i vet jetës.”, autorja Gashi ka përshkuar historikun e floktarëve të parë në qytet, duke nxjerr në sfond frizeren e parë - Qamile Tyrbedari, “me 58 vjet përvojë pune” si floktare; e pastaj ka kujtuar se fotografi i parë shqiptar në Prishtinë ka qenë: “Ramadan Beqiri-Gilanlia, i biri i Ahmet Agës së njohur në qytet, i cili ka punuar para Luftës së Dytë Botërore, deri më 1955, kur shpërngulet për në Turqi.” (PFS, f. 229).
Në pjesën e këtij kapitulli, pjesë e titulluar Tyrbja e Sulltan Muratitdhe Tyrbedarët, publicistja e cila shquhet për përkushtimin e saj krijues, është ndalur tek historiku i kësaj tyrbeje, duke theksuar se:
“Të shkruash për Prishtinën, duhet përmendur edhe një ‘pjesë’ e saj, që është Tyrbja e Sulltan Muratit, 700 vjet e vjetër, si dhe kujdestarët e saj.” (PFS, f. 231)
Duke u ndalur tutje tek tradita e së djeshmes, në pjesën Nuset e Prishtinës dhe Hyrije telexhia, ajo në të vërtetë ka gdhendur portretin e një gruaje, e cila njëlloj sikurse Kako Pinua e romanit Kronikë në gur e Ismail Kadaresë, (e cila përgatiste pajën e nuseve në Gjrokastër), përgatiste pajën e nuseve të Prishtinës:
“Vajzat kishin rroba speciale të nusërisë: çitjanet ‘xhanfes’, kështu u thoshin, kur i prekje, sikur të shkriheshin ndër gishtërinj. Edhe këmbëzat i kanë pasur të qëndisura me fije ari. E kanë pasur edhe mitanin kadife, të butë. Kjo veshje kishte ngjyrë të kuqe. Nusja stolisej në kokë dhe në qafë me rrathë dukatesh. Të gjitha këto i sillte Hyrie telexhia e njohur e Prishtinës, e cila ua bënte edhe dyzenin, domethënë, kujdesej për teleisjen e fytyrës së nuses: e mbulonte të tërën me tel e zbukurime speciale ose vetëm gjysmën, ballin dhe dy faqet, sipas kërkesës.” (PFS, f. 238).
Një vëmendje të veçantë i është kushtuar edhe pastërtisë së qytetit, si aludim i drejtpërdrejtë dhe krejtësisht me vend për mungesën e saj sot:
“Në Prishtinë, dikur, ishte një traditë e mirë, çdokush e fshinte pjesën para derës së vet - dyqanxhinjtë para dyqanit, vajzat para shtëpisë. Dhe, sokaku, sa çel e mbyll sytë, merrte pamje pastërtie, freskie!” (PFS, f. 240)
Ndërkaq, duke iu kthyer emrit të Prishtinës, “një nga tri qytetet e rëndësishme dhe të fortifikuara të Dardanisë” (FS, f. 241), autorja i referohet pohimit të historianit Mr. Qazim Namanit: “shumë studiues emrin e Prishtinës (Pristina castra) e lidhin me gjuhët e lashta indoevropiane, që ka kuptimin - i lashtë, i fazës fillestare, diçka e vjetër.” (PFS, f. 241).

Prishtina si vatër e qëndresës atdhetare

Në kapitullin Mëhalla e Kullës së Sahatit. Gjimnazi që rrezatonte kulturë, intelektuali prishtinas, Islam Mumxhiu, në moshën 84 vjeçare kujton me mallëngjim dhe krenari:
“Kjo ka qenë periudha e viteve 1941-1944. Domethënë, po flas vetëm për atë periudhë, për kohën e Shqipërisë. Në Prishtinë, kjo ka qenë kënaqësia më e madhe! Kur dilnim në qytet, të gjithë nxënësit ishin të veshur me një uniformë, pedant, nga tre veta në rresht, dhe duke kënduar këngë kombëtare-patriotike kalonim qendrës, ndërsa i gjithë qyteti dilnin të na shihnin, tërë çarshia, dyqanxhinjtë! Them, atë kënaqësi nuk e kam përjetuar kurrë më, kam bërë këtë moshë!"”(PFS, f. 41)
Ndërkaq, duke shpalosur kujtimet palë-palë, një bashkëqytetar tjetër do të shprehet po me të njëjtën krenari dhe kënaqësi:
“-Falë Xhafer Devës dhe Zotit, Kosova u bashkua me Shqipërinë!-shprehet prishtinasi tjetër Rashid Krasniqi. Erdhën punëtorët e arsimit, qyteti tashti kishte 25 mësues, ndërsa Iljaz Efendia i Prishtinës qe emëruar zv. Kryeministër.” (PFS, f. 42)
Në kapitullin tjetër, të titulluar Personalitete kohe. Shtëpia dhe veprimtaria e të shquarit Iljaz Agushi, një vend meritor zë familja atdhetare e Agushëve:
“Të shkruash për Zonën e Pazarit të Vjetër, patjetër duhet të ndalesh te familja e njohur e Haxhi Xhemajl Agushit. Mbase historitë e lagjeve (e të qytetit) e bëjnë personazhet që me veprimtarinë e tyre lënë gjurmë në kohë. Kjo mëhallë, prandaj, mbetet e njohur sipas personaliteteve të shquara të Prishtinës, të një familjeje has prishtinase, me veprimtarët - Haxhi Xhemajl Agushin (1865-1938), dhe të birin - Iljaz Agushin (1903-1943), vatër kjo në zë për çlirim e bashkim kombëtar.” (PFS, f. 84)
E duke përfshirë më tej një detaj shumë domethënës, publicistja Sanije Gashi shpalos një ëndërr të madhe të të gjithë brezave atdhetarë:
“-Veçse, Haxhi Xhemajl Agushi e ka hëngër veten, thjesht ka vuajtur deri në vdekje, pse më 1912, nuk e ka ngritur flamurin e shqiptarëve në Prishtinë! Ka qenë njeri me shkollë, të gjithë kanë qenë të shkolluar në Turqi, edhe i biri, Iljazi, - kujton z. Mumxhiu.” (PFS, f. 91-92)
Në kapitullin Poetja e veprimtarja Iffete Agushi. Edhe një histori, tashti gruaje, nga kjo mëhallë, në sfond shfaqet roli i konsujve serbë dhe sfida që u bënin atyre shqiptarët atdhetarë:
“Në rrugën që çon tek Televizioni i sotëm publik, e emërtuar ‘Xhemajl Prishtina’, ende ndodhen dy shtëpi të vjetra, thuaja të rrënuara fare dhe të mbetura pa kurrfarë përkujdesjeje. Objekti, ndër më të vjetrit në Prishtinë, i njohur si Shtëpia e Savës, ndërtuar para dy shekujsh, që duhej t’i takojë Trashëgimisë kulturore të qytetit, thuhet të ketë qenë ish-Konsullatë serbe, e hapur në vitin 1897, ndërsa në vitin 1890 vritet konsulli serb.” (PFS, f. 106)
Në kapitullin Mëhalla e Divan Jollit. Shtëpitë e prishtinasve e dyqanet e hebrenjve, në pjesën hyrëse Rrënimi i shtëpive, ndërtimi i objekteve të reja, autorja e librit emblematik për Prishtinën, kujton me një memorie tejet të freskët gjyshin e saj, shtëpinë e lindjes, si dhe shtëpinë e një zonje të kamur, duke ofruar kështu njëkohësisht një tablo sa interesante po aq edhe mbresëlënëse:
“Përskaj rrugës, shtëpia e parë, bashkë me dyqanin ishte ajo e usta Rexhepit (Rexhep Tërpezës), pastaj vinte e Jakup Emetit, e Bejtullaht, e Hallës së Madhe, siç po e quanin një zonjë shkodrane në fqinjësi, që sot nuk i kujtohet emri i saj zonjës Mybera Emeti, 80 vjeçe. Këto shtëpi përfundonin (nga ana jugore), me objektin e Prefekturës në kohën e Shqipërisë, më pastaj zyra të garnizonit të ushtrisë, objekt që edhe sot ekziston, i vjetëruar, si dhe me objektin e Kadastrës së dikurshme. Veçse, ajo që dihet mirë, është se gjyshi im, usta Rexhepi, i dalluar për urti e për burrëri, këtë shtëpi (sipas tapive poseduese që ruhen sot), e kishte blerë në shtator të vitit 1927, në kohën e ‘kralevinës’. Ç’është e drejta, ndonëse shtëpi e lindjes, e mbaj mend fare-fare pak, veç një mani të madh në oborr, me fruta të zeza. Si duket, kjo pemë po kultivohej në të gjitha oborret e qytetit të vjetër.
Edhe në pjesën Korzoja e Divan Jollit, përmes kujtimeve të shpalosura të arsimtares “Xhyzide (Hasani) Hasan Beu, 86 vjeçe, e familjes së njohur bejlerësh prishtinas, mbesë e Sylejman Pashës.” (PFS, f. 119), shprehet malli dhe krenaria për të kaluarën historike gjithë përpjekje të parreshtura atdhetare:
“-Ama, në kohën e Shqipërisë, ishte lezet, nuk di ta përshkruaj atë kënaqësi! - shprehet zonja Xhyzide me memorie shumë të kthjellët. - Ne, robërit, ishim zgjuar, kishim shpëtuar! Pastaj e tërë Shqipëria erdhi këtu të na shkollonte. Ne nxënësit, kishim garderobë të bukur shkollore: fund të zi, xhaketë të bardhë, shall kuq e zi, edhe në gërshetë vinim fjongo kuq e zi! Prof. Luan Gashi, na e mësoi himnin- Rreth flamurit të përbashkuar…Ah, sa bukur ishte!
Bile, Luani, djalë i ri, para se të ikte në Amerikë, ka qenë fshehur në Gërmi, se aty ka qenë ‘selia’ e Ballit Kombëtar…” (PFS, f. 127)
Në kapitullin Rruga e Burgut. Hapsana e Prishtinës, kujtohet e kaluara e hidhur gjithë vuajtje e sakrifica të breznive orëmira:
“Eh, ky objekt flet shumë për heqjet e gjithhershme të shqiptarëve, sikurse edhe muret e përgjakura!
-Meqë shtëpia ime ndodhej në qendër të qytetit, kujtonte arsimtarja Aktere Gjikolli, në rrugën ku banoja ishte edhe burgu i Prishtinës, që mori shumë jetë shqiptarësh! Kjo ndërtesë më vonë u shndërrua në ambulancë, pastaj në Shtypshkronjën Rilindja, e tani është gjykatë komunale.” (PFS, f. 130)
Nga po ky prizëm, kujtohen shqiptarët e pushkatuar nga pushtuesi:
“Edhe te “Strelishtja”, afër Tauk Bahçes, i ekzekutojnë 3.500 burra patriotë, ballistë e qytetarë të tjerë.” (PFS, f. 130)
E, së këndejmi, nëpërmjet të motrës Ymihane Shala, me të drejtë përkujtohet merita e aktorit të njohur Abdurrahman Shala, në parandalimin e pushkatimit të 117 shqiptarëve në këtë burg.
Ndërkaq, nëpërmjet kujtimeve të Fehmi Bahtiarit, shpalosen faqe të tjera të viteve të trishta:
“Në këto ditë vjeshte, kërkohet pikërisht ai plep me tërë ato histori mizorie…Ama, vendi është i zbrazët! Plepi i ’45-tës nuk është më!” (PFS, f. 136)
Gjithashtu, me një krenari të ligjshme përkujtohen ditët festive të një periudhe të shkurtër por ripërtëritëse:
“Qendra dhe sheshi kryesor i Prishtinës ishte sheshi Skëndërbeu, te Teatri Kombëtar sot. Te ky shesh, tregojnë të moçmit, mbaheshin manifestime të ndryshme dhe bëhej parakalimi i ushtrisë shqiptare në të kremtet e fitoreve.” (PFS, f. 140)
Në kapitullin Proceset shkombëtarizuese. Aksioni i Armëve, shpërngulja për në Turqi, paraqitet mjaft bindshëm rruga e kalimit të shqiptarëve si në mes Scillës dhe Haridbës:
“Për kohën e aksionit të armëve, flet edhe rrëfimi i Islam Mumxhiut:
Më 1956 erdhën të na keqtrajtonin, së pari gjyshin, Haxhi Abdyl Abdylin. Vinin çdo mbrëmje, e çonin në burg, i lypnin armë. Gjyshi e ka pasur një kobure argjendi, e ka fshehur. E nxori dhe e dorëzoi. Pastaj vendosi të shpërngulej në Turqi, me gruan dhe me dy fëmijët. Ne nuk shkuam. Pas gjashtë muajsh ndërroi jetë në Stamboll! Kështu, u shpërngulën thuaja shumica e prishtinasve.” (PFS, f. 177)
Në kapitullin Mëhalla e Muhaxherëve. Lagje e të Përndjekurve, shpaloset edhe një e vërtetë e hidhur, e përsëritur shpesh në tokat tona:
“Prishtina e vjetër, siç u tha, përbëhej nga shumë mëhallë dhe secila ishte atraksion me vete. Po, ama, Mëhalla e Muhaxherëve ka një histori të dhembshme, ngaqë në këtë lagje vendoseshin shqiptarët e dëbuar nga trojet e tyre etnike, në vitin 1878.” (PFS, f. 199)
Ndërkaq, në kapitullin Mëhalla e Xhamisë së Llapit. Një lagje me bagëti, nëpërmjet “kryepersonazhit” të kësaj lagjeje, siç e quan autorja Rashid Krasniqin, në pjesën Fillimvitet dyzet të shekullit XX, vite të lumtura, në retrospektivën e rrëfimit sërish kujtohen vitet e lumtura:
“Po ktheve te fillimvitet dyzet të shekullit XX, secili i ri i atëhershëm të rrëfen me nostalgji:
-Ah, periudha më e lumtur e fëmijërisë sonë ka qenë koha e Shqipërisë! Kështu e përshkruan edhe Rashid Krasniqi:
-Kur ishte 28 Nëntori dhe Shën Gjergji, këto dy festa i mbanim ne atëherë, kënaqeshim me Himnin e Flamurit! E kemi mësuar që në ditën e parë kur kemi hyrë te zotni Dervishi, mësues, te Reshat Bajraktari, po kështu mësuesi ynë, te mësuesja Vezire Gjiraku e mrekullueshme…” (PFS, f. 206)
Në kapitullin tjetër, Shëndetësi. Mjekët e parë të Prishtinës, duke përkujtuar se Objekti i Dispanserisë i Sëmundjeve të Mushkërive, dikur ka qenë qeli burgu, autorja ka përkujtuar me dhembje:
“Mirëpo, pakkush e di sot se kjo dispanseri fillimisht ka qenë objekt i xhandarmërisë serbe, seli e UDB-së, bodrumi i së cilës ka qenë përplot-qeli burgu, ku janë torturuar shqiptarët, sidomos në kohën e aksionit famëkeq të armëve!” (PFS, f. 226)

Kronikë në gur

Në prologun e titulluar Prishtina…, autorja e librit autobiografik për qytetin e fëmijërisë së saj, ka përmendur në mënyrë të shkurtër historikun e atyre që kanë shkruar për Prishtinën, gjë që korrespondon aq natyrshëm me kronikat e Evlia Çelebiut si dhe me shkrimet e Sami e Mithat Frashërit:
“Po zbritëm nëpër shekuj, do të shohim se Prishtina ka një histori të gjatë përmes lokaliteteve antike, të cilat, për fat të keq, ende nuk janë zbuluar si tërësi gjeografike; Se Prishtina qysh më 1807 ishte e fortifikuar me ledhishte mbrojtëse dhe me rrethoja druri e me hendek të thellë…Mund të përfytyrojmë ambientin e qytetit sipas përshkrimeve të gjeologut francez, Ami Bue (Ammie Boue), i cili thotë se më 1830 shtëpitë ishin përdhese, rrugët të gjera, me trotuare të ngushta, se ishte Kulla e madhe e Sahatit (që është edhe sot), që dominonte mbi qytet, dhe se ishin 12 xhami, kurse çarshia zinte pjesën qendrore të qytetit…Mund të fitojmë imazhin për zjarret e viteve 1859 dhe 1863, që goditën rëndë çarshitë…e të tjera imazhe.
Ndërsa, udhëpërshkruesi Gammer, në shekullin XIX shkruan se në Gadishullin Ballkanik, përgjatë rrugës për në Selanik, gjendet një qytet relativisht i madh, i quajtur Prishtinë. Në një dokument nga shekulli XVII, Prishtina përmendet si ‘konaku i tretë’ në rrugën prej Stambollit për në Pazar të Ri (Novi Pazar). Porse, gjejmë edhe këtë të dhënë se, Prishtina ishte qyteti më i madh që gjendej ndërmjet Selanikut e Sarajevës.” (PFS, f. 19-20)
Vijon...

Xhemail Peci

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 31 vizitorë
Lexuar: 530 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi