Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
SANIJE GASHI - ZONJA E MADHE E KULTURËS SHQIPTARE
Publikuar më 31 tetor, 2017 në orën 02:02 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
PJESA E DYTE

Poetika e shpalosjes së kujtimeve

Që në hyrje të librit, në prologun e titulluar Prishtina…, pasi ka përshkruar shkurt historikun e Prishtinës përmes përshkrimeve të gjeologut francez Ami Bue, si dhe udhëpërshkruesit Gammer, gazetarja e cila nuk e lëshon penën nga dora për gjysëm shekulli rresht, me qëndismën e penës së saj ia ka lënë vendin poetikës së shpalosjes së kujtimeve, dhe se e veçanta e kësaj qëndisme është se sa më shumë që kredhet në shpalosjen e kujtimeve të fëmijërisë, aq më e theksuar është kjo poetikë.
Pa dyshim se një soditje e tillë është një si nga ato soditjet e rralla të cilat publicistja do të kujtonte nga kryeqyteti shqiptar: “Fundkorriku 1991...Ishim vendosur në hotelin Tirana, prej nga po e sodisja qytetin edhe në ato net me shi.”

Doemos, një nga ato soditjet aq të rralla dhe po aq të dashura, për të cilat Viktor Hygo ka shkruar: “Të soditësh do të thotë të lodhesh, të mendosh do të thotë të bësh. Duart që rrijnë kryq punojnë, duart e mbledhura veprojnë. Sytë e drejtuar nga qielli janë një akt krijimi.”
Pra, për Sanije Gashin ta soditësh Prishtinën do të thotë ta përjetësosh atë:
“Soditja e panoramës së qytetit nga maja e Veternikut ose nga kodrat e Arbërisë, bëri që të rendja pas kujtimeve të vjetra e të kujtoja me sytë e kujtesës Prishtinën e fëmijërisë sime, shtëpitë e kasabasë së dikurshme, sokakët të shtruar me kalldrëm ose me gurë të mbetur aty-këtu nga vitet e hershme. Në këto soditje e ecje nëpër këta sokakë e sokaxhitë e Prishtinës, gjeta të kaluarën e fjetur e aq të shtrenjtë. Kur njeriu ecën rrugicave të fëmijërisë, patjetër do ta ndjekë hija e kujtimeve. (PFS, f. 20)
Kalldrëme kujtimesh e copëza mendimesh, të shpalosura fletë-fletë, sepse sërish siç e ka thënë Viktor Hygo, “mendimi është laboratori i intelektit, ëndërrimi është kënaqësia e tij. Të mendosh do të thotë që të jesh i dobishëm, e kjo gjithmonë e në të gjitha rastet është një përpjekje drejt Zotit. Të soditësh do të thotë të vështrosh hijet.”
Kënaqësia e kujtimeve të autores së librit për Prishtinën, bëhet kështu pjesë e pandashme e shpalosjes së tyre, por që në fillin e zgjatur të tyre ka edhe mall e dhimbje bashkë:
“Sa shumë shkëlqim kanë imazhet nga ajo moshë e nga ato vite që janë përplot diell. Me kalimin e kohës, sa herë rikthejmë në kujtesë atë periudhë të jetës (prishtinase), patjetër të dalin përpara aty dyqane zejtarësh me qepena, mëhallët me rrugë të përbaltura e me kroje, shtëpitë përdhese ose dollma, siç u thoshim, por të gëlqerosura bardhë si borë dhe shumë të pastra, ata njerëz që nuk janë më…Aty mbeti përgjithnjë fëmijëria, pjesë të së cilës morën me vete shoqet e vogëlisë, kur u degdisën detyrueshëm për në Turqi…” (PFS, f. 20-23)
Duke numëruar një nga një vendet dhe mëhallat, publicistja Gashi sikur numëron hapat me të cilët ajo sërish ecën menduar rrugëve të fëmijërisë së dikurshme:
“Kulla e Sahatit, Zona e Pazarit të Vjetër, Divan Jolli, Mëhalla e Llokaqit, e Xhamisë së Llapit, e Hyrjetit, e Katër Lullave, e Pirinazit, e Muhaxherëve…janë vetëm disa nga mëhallat e qytetit të shekullit të kaluar, shekullit XX, nëpër të cilat, po ece, si dikur, do të gjesh plot jetë, por me pak gjurmë të së kaluarës…” (PFS, f. 23)”
Ndërkaq në kapitullin Mëhalla e Kullës së Sahatit. Gjimnazi që rrezatonte kulturë, sërish shfaqen përmallshëm sokakët e djeshëm: “Edhe sot, ecja nëpër sokakët e dikurshëm, patjetër të ngacmon me nostalgjinë për qytetin e vjetër.” (PFS, f. 46)
E në kapitullin Mëhalla e Divan Jollit. Shtëpitë e prishtinasve e dyqanet e hebrenjve, shfaqet prapë po ai mall, po ajo dashuri me një ligjërim si në një poezi:
“Pak prehje: Asgjë s’është më bukur e më dehëse se kur lulëzon bliri e kur Prishtinën e pushton aroma e tij, ndërsa nën hijen e tyre kuvendojnë vajzat me fustane basmash, që fërshëllejnë nga puhia e lehtë e verës, me ‘balerinat’ mbathur, që ecin lehtë-lehtë trotuareve të qytetit…Kështu disi ishte në korzonë e rinisë sonë. Po, ama-ku mbetën shëtitjet romantike mbrëmjeve?
Netët e verës lënë vend për përsiatje të tilla dhe shumëkush nga brezat e dikurshëm me nostalgji kujton kohën kur korzoja e Prishtinës ishte vendi më i parapëlqyer dhe i vetmi ku takoheshin të rinjtë, ku zhvilloheshin miqësitë, lindnin dashuritë…Veçse, korzoja nuk është më, shëtitjet e atëhershme, që ishte një traditë e mirë, mbetën pasazhe të papërsëritura kujtimesh tek brezat e ardhshëm…” (PFS, f. 127-129)
Në kapitullin e fundit Shëndetësi. Mjekët e parë të Prishtinës, shprehet njëkohësisht sa malli po aq edhe dhimbja për të djeshmen dhe për të sotmen - pa ndonjë plan të mirëfilltë të arkitekturës së kryeqytetit:
“Po ece qetë-qetë nëpër rrugët e rrugicat e dikurshme, do të takosh prishtinas të moçëm, edhe mbi 90 vjeç, të cilët me kthjelltësinë e mendjes, rrëfejnë me kënaqësi për të kaluarën e përgjumur të qytetit…Njëmend, imazhe të pakta kanë mbetur nga Prishtina e vjetër, fatkeqësisht, shumëçka është shkatërruar. Zaten, tendencat për të eliminuar traditat e kulturës shqiptare, gjithmonë kanë qenë të pranishme. Shumëkush u gëzohet ndërtimeve të reja, por në Prishtinë janë bërë ndërtime të paplanifikuara, në vende të pa urbanizuara, lagje të ngulfatura. Nuk u konservua asnjë pjesë e qytetit, as u adaptuan vlerat e tij.” (PFS, f. 241-242).
Duke përshkruar më tej historikun e themelimit të institucioneve të larta arsimore e universitare, dhe duke theksuar me të drejtë se themelimi i Universitetit ishte “krenaria më e madhe” (PFS, f. 242), me poetikën e ligjërimit të saj publicistik, në pjesën nga më të bukurat e gjithë librit, pjesë e titulluar Malli për të kaluarën, emblema e publicistikës shqiptare dëshmon se Prishtina e fëmijërisë së saj, bëhet njëkohësisht Prishtina e përjetësisë:
“Nuk është çudi pse vendlindjet e fëmijërisë ushqejnë idil të veçantë, ngjallin ndjenjën e kohës së shkuar. E tillë mbetet Prishtina e fëmijërisë sime, kur qyteti ishte më i qetë, me më pak zhurmë e pa ngulfatje…E tillë jeton në mendjen e të moçmëve, të cilëve u pëlqen të enden nëpër ato xhadetë e dikurshme ose në rrugicat e ngushta, në kërkim të moshës së ikur. (P, f. 244)
Nuk ka dyshim se edhe Sanije Gashi parapëlqen një botë nga ajo të cilën poeti kombëtar Naim Frashëri, e quante në mënyrë aq domethënëse: “larg nga rrëmuja dhe rrëmeti”:
“E bukur është Prishtina, sidomos në mesnatë, veçan kur lulëzon bliri. Por, edhe të dielave, herët në mëngjes, kur nuk ka qarkullim të tepërt të veturave as të njerëzve, kur mund të bësh shëtitje e soditje për qejf tëndin… “(P, f. 244)
Kjo tablo e një bote të tillë është shpalosur mjaft bukur nëpërmjet një lëvizjeje tejet elegante të penës, e cila për një çast sikur kalon në dorën e një piktoreje:
“Po kaq bukur është të kundrosh buzëmbrëmjet kur lëshohen mbi qytet, jo vetëm në stinën e beharit. Edhe në muajt që lidhin vjeshtën me dimrin, kur gjethet e zverdhura të rëna mbi trotuare i bart era, shoqëruar me shirat që nuk kanë të ndalur…Prishtina nuk është më ajo e njëzet mijë banorëve, qytetit të sotëm i është shtuar njëzetfishi i tyre. As e lagjeve pa asfalt e pa trotuare. E tëra paraqet një ndërthurje me të kaluarën…Mirëpo, ndoshta edhe pajtohem me bindjen e z. Shita kur thotë se: Edhe në vitet ’60, qyteti ka pasur lezetin e vet! Bile, njëqind për qind më mirë atëherë se sa tash! Mbase.” (P. f. 241-245)
Me po kaq butësi fjale dhe me po kaq elegancë shprehjeje është paraqitur edhe ana magnetike e Prishtinës, një fuqi magjike sa dhe karakteristike, e cila është përherë e pranishme në jetën e kryeqytetit:
“Megjithatë, po deshe të të mbetet në kujtesë imazhi kur bardhësia qytetin e mbulon ‘dhe kafenetë mbushen plot’, vështroje nga kodra e Veternikut ose e Arbërisë, kur oxhaqet tymosin si dikur, e bora resh, resh…Kështu fitohet një peizazh i mrekullueshëm dimri. Ama, Prishtinën asnjëherë nuk do të mund ta shohësh të tërën, gjithëherë të mbetet diçka e paparë, ngaqë qyteti ka konfiguracion kodrinor. Anët e dikurshme të saj, tashti të populluara - Arbëria, Dardania, Ulpiana, Lakrishtja, Aktashi, Kodra e Diellit, Velania, Taslixhja, Sofalia…janë ato që tashmë e kanë zgjeruar, e kanë shtuar, e kanë rritur qytetin.” (PFS. f. 245)
Kujtesa shoqërohet me fotografi e biseda me nostalgji, një gërshetim ky kaq i natyrshëm dhe me po aq shije, që e përshkon librin gati në tërësinë e tij:
“Fotografitë e botuara në këtë libër paraqesin Prishtinën e dikurshme në pamje të ndryshme, të cilat nuk mund t’i shohim sot. Kryeqyteti i Kosovës këtu është paraqitur përmes kujtesës së personaliteteve të shumta prishtinase, me të cilët bisedova e të cilët rikujtuan dhe shpërfaqën mbresat e një kohe të perënduar, natyrisht, jo të harruar, të Prishtinës. Nëpërmjet kësaj monografie, pra, mëtova të rrëfeja një pjesë të së kaluarës së qytetit dhe të njerëzve që e jetuan atë kohë.” (PFS, f. 245).
Nuk është pra e vështirë të kuptohet se autorja e shikon Prishtinën - nga bardhësitë dhe nga lartësitë e atdheut. Ajo e do dhe e adhuron Prishtinën, sepse ngado shkon e ngado vete, Prishtinën e merr me vete. Sanije Gashi e do dhe e adhuron Prishtinën e fëmijërisë së saj, sepse në përmasën e dashurisë së saj që ka ajo për qytetin e lindjes, kryeqyteti bëhet epiqendra e të gjitha kujtimeve dhe njëkohësisht e të gjitha frymëzimeve, bëhet: Prishtinë e Përjetësisë!
Dhe nuk do mend se poenta sërish është mjaft e qartë: Ky qytet i cili i ka pasur karakteristikat e tij të veçanta, që i ka pasur bukuritë e shumta, krojet dhe gjelbërimet e shumta, që ka pasur lumenjtë e tij, që ka pasur florën dhe faunën, që ka pasur rend dhe rregull, qetësi e pastërti, respekt të ndërsjellët të njerëzve, etje për dije dhe gjakim për liri, ky qytet që e ka mbajtur të gjallë ëndrrën për pavarësi, ky qytet i cili e ka mbajtur të gjallë flakën e lirisë - duke e shfaqur herë si feniks prej hiri e herë si salamandër prej zjarri, ky qytet njerëzit e të cilit e kanë çmuar sa të bukurën po aq edhe të madhërishmen, sa zejet po aq edhe artet, meriton edhe më shumë.
Meriton shumë më shumë pastërti, rend dhe rregull, por gjithsesi meriton edhe më shumë dashuri.
Nuk është pra rastësi pse emrat të cilët mbarojnë kaq thekshëm në shqiptimin e tyre, si fjala vjen: Shqipëria, Kosova, Tirana, Prishtina, Dardania … secili veç e veç përbën një emër me zemër dielli.
E tillë është Prishtina edhe për Sanije Gashin.
Në mënyrë të veçantë, tek e lexon librin “Prishtina e fëmijërisë sime”, nuk ke si të mos kujtosh romanin e Ismail Kadaresë “Kronikë në gur”, kalldrëmet e gurta të Gjirokastrës, lagjet dhe sokaqet e saj, kronikat e gurit të shoqëruara shpesh me pika shiu.
Fjala vjen, Kafka mishërohet me Pragën, De Rada me Makin, Ismail Kadare me Gjirokastrën, Ramiz Kelmendi me Pejën, Parashqevi e Sevasti Qiriazi me Manastirin, Marie Shllaku e Luçie Serreçi me Shkodër Locen, Selfixhe Ciu-Boja me Gjirokastrën, Nermin Vlora Falaschi me Vlorën. Edhe Sanije Gashi, fare natyrshëm mishërohet me qytetin e saj të lindjes, me Prishtinën e fëmijërisë së saj.

Dashuria për Gërminë

Mëngjeset më të këndshme?
Më janë mëngjeset në mal, në Gërmi. Nuk ka përjetim më të këndshëm se agimi, rrezet e para të diellit mbi gjelbërimin e malit, se fresku i mëngjesit, aroma e malit. Kjo fazë e fillimit të ditës është aq relaksuese për punë të mëtejme të ditës...
(Eglantina Mandia: Fytyrë dashurie)
Po kjo ndjenjë që përshkon përgjigjen në pyetjen e shtruar si më lart, po kjo dashuri që ka publicistja për këtë vend, haset kudo që flitet për Gërminë.
Kështu, fjala vjen, në kapitullin Mëhalla e Kullës së Sahatit. Gjimnazi që rrezaton kulturë, nëpërmjet kujtimeve të “arkitektit prishtinas, z. Mustafa Shahini, 80 vjeç” (PFS, f. 48), është shpalosur dashuria për krojet që rrjedhin:
“Prishtina ka pasur familje të pasura, ka pasur edhe shumë kroje në oborret e tyre, në kohën time kish 36 sosh, uji i të cilave buronte nga mali i Gërmisë, e që nuk shteronte as ditë as natë.” (P. f. 48)
Në kapitullin Mëhalla e Divan Jollit. Shtëpitë e prishtinasve e dyqanet e hebrenjve, në pjesën Korzoja e Divan Jollit, përmes kujtimeve të shpalosura të arsimtares “Xhyzide (Hasani) Hasan Beu, 86 vjeçe, e familjes së njohur bejlerësh prishtinas, mbesë e Sylejman Pashës.” (PFS, f. 119), vihen në pah se profesor Luan Gashi ka qëndruar po aty.
Edhe në kapitullin Mëhalla e Llokaqit. Qendër e Çarshisë, në pjesën Kroje të kasabasë së dikurshme, shfaqet adhurimi për krojet të cilat rrejdhin shpesh edhe si këngë e ligjërime:
“Aq shumë këngë u janë thurur e u janë kënduar krojeve ‘të argjendta të vendit tim…’ me tërë freskinë që i sillnin qytetit.” (PFS, f. 144)
Autorja ofron kështu dëshmi të mëtutjeshme për kohën:
“Të dhënat tregojnë se nëpër qytet, në kohën e Perandorisë Osmane kishte mbi 60 kroje, ndërsa në vitet ’60 të Shekullit XX kishin mbetur rreth 24 sosh, të cilat do të shterojnë një nga një, me hyrjen e çezmave në sokak e në shtëpi…Uji nëpër këto kroje vinte kryesisht nga mali i Gërmisë.” (P. f. 144-146)
Në kapitullin Mëhalla e Kacallarëve. Rrugë të përbaltura, pa trotuare, nëpërmjet kujtimeve të mësueses veterane Nadire Dida, shpaloset - siç do të shprehej Lasgushi, malli për ujët e kulluar:
“Veçse, tregon zonja Nadire, nana ime nuk e pinte ujin e kësaj lagjeje, por vetëm të Kroit të Çeklikut, me ujë të Gërmisë, ‘ah, të kënaq, ky ujë’ - thoshte. Prej atje e mbushja enën e ia sillja nanës. Lagjia e Çeklikut ishte afër mëhallës sonë, domethënë të Kacallarëve.” (PFS, f. 166)
Edhe në pjesën Lumenjtë e Prishtinës dhe uji i Gërmisë, të po këtij kapitulli, dëshmohet për traditë dhe për kulturë:
“Shumëkush nga të moçmit mbajnë mend se Vellusha ka pasur ujë të pastër, të kthjellët si loti, nuk ka pasur bërllok, nuk ka guxuar kush të hedhë mbeturina në lumë! Dimrit bëhej akull i trashë, vinin e merrnin ëmbëltorxhinjtë, e copëtonin, e mbështillnin me kashtë, mandej verës e përdornin për ‘dondurma’ (akullore) e të tjera.
Uji i Vellushës ka qenë ujë i Gërmisë. Atje, deri te rrugët që ndaheshin majtas e djathtas, te Vila Gërmia, ka qenë një burim i madh! Aty, në livadhin e sotëm, ku po luajnë fëmijët, ka pasur shumë, shumë ujë! Uji nuk është tharë, por kanë bërë ‘kaptazha’, ku e mblidhnin, pastaj një pjesë vinte në qytet, një pjesë mbetej, siç ndodh edhe tash, te pishina, e cila mbushet prej atij burimi.” (P. f. 168)
Në kapitullin e fundit Shëndetësi. Mjekët e parë të Prishtinës, në pjesën Teferiçet e qytetit, shprehet njëlloj si më parë, adhurimi i vazhdueshëm për një vend të frekuentuar shpesh e ku frymëzimi nuk ka sesi mungon:
“Dikur, të dielat, por edhe ditët e tjera, zakonisht shfrytëzoheshin për dalje në teferiç, në natyrë. Tauk Bahçja ishte vend joshës, me gjelbërim të bukur e të pastër, më afër qytetit, ku shkohej këmbë, veçse Gërmia mbeti vendi më tërheqës dhe më i preferuar me bukuri natyrore, masivi malor i të cilit paraqet një pasuri natyrore shumë të rëndësishme jo vetëm për Prishtinën e rrethinën.” (PFS, f. 232-234)
Publicistja zbret kështu shkallë-shkallë nëpër vitet e kaluara, kujton idilën e një jete përplot bukuri dhe kënaqësi:
Në fëmijëri, kur familjarisht shkohej në Gërmi (zakonisht kryefamiljari e porosiste qerren e gjerë, pa kanata anash, me kuaj dhe njëri nga meshkujt e shtëpisë i shoqëronte gratë), nisej që në orët e hershme të mëngjesit dhe kthehej kur fillonte të binte muzgu. Në Gërmi, dikur kishte edhe kaproj (drerë e drenusha). Si fëmijë kureshtarë, kur shkohej për ujë në krojet e malit, sapo na vërenin, ndaleshin, “përforconin” ato këmbët e gjata e të brishta, t’i ngulnin sytë e mëdhenj e të bukur…Mjerisht, që prej dekadash, nuk shihen më, janë zhdukur… (P. f. 234)
Imazhet e papërsëritura të së djeshmes idilike, kanë mbetur të thadruara përjetësisht në kujtesën e kthjellët, e cila i shpalos ato sikur të ishin përjetuar jo më larg se dje:
“Gërmia ishte mal i padëmtuar, e vetmja “dorë” që linte gjurmë, ishin vendet e zjarreve, ku vendoseshin saxhajakët, ose kur vlohej uji në gjyma për çaj. Ende është ai imazhi kur prishtinasit, kush me qerre kuajsh e kush me biçikleta e saç në shpinë, rëndom djemtë e rinj, niseshin herët në mëngjes, pa dalë dielli. Dhe, aty nga mesdita tymonte zjarri…Familjet, më të afërmit, rrinin bashkë, tuba-tuba. Gratë merrnin me vete dhe defet, dhe këndonin, shprehnin në këtë mënyrë kënaqësinë e jetës, ashtu çfarë ishte atëherë. E, jeta nuk ishte e kamur, familjet kishin standard nën mesataren ose të ulët. Mirëpo, megjithatë, jeta kishte të bukurën e vet…Por, atë që duhet ta veçoj me këtë rast, është se - këto familje që dilnin në teferiç, ishin kryesisht familje kasabalinjsh. Dhe, ato zonjat pak më të vjetra, vinin nga një lule mbi vesh…”(P. f. 234)
Me poetikën e ligjërimit të saj të veçantë publicistik, Sanije Gashi gërsheton sërish në mënyrë të vetvetishme sfondet e një natyre gjithë bukuri me sfondet e një kënge gjithë dhembshuri:
“Në pranverë, sidomos, por edhe në stinët e tjera, natyra kishte bukurinë e vet. Lindja e diellit në majat e malit ose perëndimi në buzëmbrëmje, ishin bukuri e papërshkruar.
Ndërsa këngët që këndoheshin nga gratë e familjeve ku flitej shqipja, ishin ato të vaktit, që flisnin për kohë të rënda që po i kalonin djemtë e burrat jesirë (rob lufte), në kohën e ‘Krajlit’, si:
Vijnë vaporat, moj nanë, bregut të detit,
Dilni këqyrni, moj nanë, asqertë e mbretit…”
(PFS, f. 235)

Zonjat e Prishtinës

Duke përfshirë në kuadrin e jetës së qytetit edhe një dimension mjaft të veçantë të tij, në kapitullin Mëhalla e Kullës së sahatit. Gjimnazi që rrezaton dritë, nëpërmjet intelektualit prishtinas, Islam Mumxhiut - 84 vjeçar, autorja Gashi ka kujtuar emra dhe prirje:
“Ka pasur edhe vajza, por më pak, ka qenë, për shembull, Melihaja e beglerëve…Meliha Hasan Beu, e motra, Xhyzidja, mandej bukuroshja e beglerëve - Fitnete Haxhihamdibegu, Ymrane Nojani, mësuese, edhe ajo vajzë e hijshme. Bile, Melihaja këndonte shumë bukur, shtëpinë e ka pasur në Divan Joll…” (PFS, f. 41)
Nëpërmjet kujtimeve të zonjës Aktere Gjikolli, në pjesën Buzëmbrëmje idilike te shatërvani (në kapitullin Mëhalla e Kullës së Sahatit. Gjimnazi që rrezatonte kulturë), ajo sërish ka shpalosur idilën e kohës:
“Është edhe një mbresë e mbetur nga e dikurshmja që paraqiste kënaqësi shpirtërore për vajzat e lagjes, kur dilnin sidomos mbrëmjeve, për të mbushur kovat me ujë në shatërvan. Në afërsi të tij fillonin simpatitë e dashuritë… - kujtonte znj. Aktere. “ (PFS, f. 60)
Në kapitullin Zona e Pazarit të Vjetër. Ngjarje, histori, njerëz…, pasi ka theksuar se: “Zonjat e shtëpisë ishin ato që eglendiseshin me kultivimin” (PFS, f. 77) e luleve, në pjesën Sabah qejfet dhe sefatë egrave, të këtij kapitulli, autorja e librit ka përkujtuar gjithashtu se:
“Gratë, siç thuhej shpesh, dinin të bënin pikën e sefasë…Po ua përmende sot, zonjat e moçme tundin kokën: Eh, iku ajo kohë…” (PFS, f. 77)
Duke shkuar kështu deri në detaje domethënëse, ajo shpalos rendin dhe rregullin e një kohe që ka lënë gjurmë të pashlyeshme:
“Ndërsa kthimi për së mbari i këpucëve të mysafirëve, ishte shenjë respekti, nderimi ndaj tyre. Kjo ndodh edhe sot. Po kështu, thuhet nga të ardhurit, se gratë e Prishtinës i marrin papuçet me vete kur shkojnë në mysafirllëk!” (PFS, f. 78)
Por në po këtë sfond të zonjave të Prishtinës, ka edhe gra atdhetare, gjë që pasqyrohet në kapitullin Zona e Pazarit të Vjetër ose Mëhalla e Tregut. Ngjarje, histori, njerëz…, si dhe në pjesën Flamuri i Nixhares dhe Flamuri i Remzijes, ku përpos këtyre dyjave shfaqet edhe një zonjë tjetër:
“Qëndisjen e shqiponjës së mrekullueshme në teknikën “kabartma”, e ndihmon edhe Alije Batalli, motra e Jakupit dhe Magbule Mujko Batalli, e shoqja e të vëllait. Kështu, flamuri i qëndisur në natën e 9 prillit 1941, do të valojë plot 4 vjet në kafenenë e Salih Valës!” (PFS, f. 82)
Si një grua fisnike sa dhe bujare, shfaqet tutje në penën e publicistes Gashi edhe një grua e kamur, Feride Hanmi (në kapitullin Poetja e veprimtarja Iffete Agushi. Edhe një histori, tashti gruaje, nga kjo mëhallë): “një grua zonjë, nuse e familjes Haxhi Xhemajl Aga.” (PFS, f. 106
Nga po ky prizëm, kujtohen përmes shpalosjes së kujtimeve të bashkëbisedueseve edhe femra me talent, si: “Melihaja, ka pasur zë të bukur, këndonte në kohën kur ishim Shqipëri!” (PFS, f. 123).
Ndërkaq, nëpërmjet kujtimeve të arsimtares në pension, Xhyzide Hasan Beu, shpalosen dëshmi të tjera për fate njerëzish:
“-Halla ime, Fatimja, ka qenë e martuar me Iljaz Agushin e njohur. Ka pasur bukuri dynjaje. Mirëpo, ndërroi jetë herët, nga tuberkulozi. I la katër fëmijë.” (PFS, f. 124)
Po kështu, nëpërmjet retrospektivës narrative, bëhen të ditura detaje të një jete të përditshme:
“Në kohën e Shqipërisë, korzoja - shëtitorja ka qenë në rrugën e Divan Jollit, nën drurët freskues në të dy anët përgjatë rrugës. Aty dilnin meshkuj e femra, po jo edhe shqiptaret. Motrat Hasan Beu, meqë e kishin shtëpinë në atë rrugë, përskaj, po i sodisnin ato ecejake.” (PFS, f. 124)
Ndër këto zonja, ka edhe intelektuale atdhetare si Iffete Agushi, apo edhe arsimtare (në kapitullin Mëhalla e Kacallarëve. Rrugë të përbaltura, pa trotuare) si: “Nadire Dida, 82 vjeçe, e cila bëri emër dhe la gjurmë në arsimin shqip.” (PFS, f. 166)
E nëpërmjet kujtimeve të arsimtares veterane, shpaloset edhe një figurë tjetër e njërës nga zonjat e Prishtinës:
“Nana Rukije ka qenë një grua e bukur, e gjatë…gjithë jetën e kam pasur merak pse s’kam qenë e gjatë si ajo!” (PFS, f. 166)
Mes këtyre zonjave ka edhe sosh që kthehen tek qyteti i tyre i lindjes, shtyrë nga malli që kanë për Prishtinën e fëmijërisë së tyre.
Në kapitullin Proceset shkombëtarizuese. Aksioni i Armëve, shpërngulja për në Turqi, e tillë është edhe: “E bija e Asllan Begut, gjimnazistja e dikurshme, Nermine Jusufi, e cila sot jeton në Nju-Jork, tregon këto ditë vere ardhur për heqje malli në Prishtinë, se të atin po e hante meraku se ku e si po e linte familjen.” (PFS, f. 178)
Edhe në kapitullin vijues, Itineraret e padëshiruara. Nostalgjia për vitet e ikura, me ngjyra mjaft të gjalla e me mjaft përkushtim është shpalosur edhe portreti tjetër i një zonje nga Prishtina, zonjës Pervin Muhaxhiri-Acarkan (Axharkan):
“Pas gjysmë shekulli, Pervini, në një vizitë nostalgjie Prishtinës, rrëfen për këtë itinerar të padëshiruar, për ato vite të ikura jete, për lektisjen që s’iu shua kurrë për tokën e të parëve.” (PFS, f. 180).

Kultura e leximit me laps në dorë

Duke bërë një ndërthurje fare të natyrshme mes teksteve të ndryshme, përkatësisht mes fragmenteve të ndryshme - si epigrafi në ballë të librit (e që është një thënie e shkrimtarit John Steinbeck), dhe që flet për domosdoshmërinë e njeriut për të lënë pas tij “një kujtim të vetes, ndoshta një provë se ai ka ekzistuar, vërtet.”, publicistja Sanije Gashi dëshmon se mëton të lë jo vetëm “një kujtim të vetes” si dëshmi të ekzistencës, por në radhë të parë dëshmon se gjakon të lë një përmendore të kujtesës, shpalosur me gjurmë të fëmijërisë e të krenarisë së ligjshme.
E tillë është edhe poezia e përzgjedhur nga poetja Vilhelme Vranari Haxhiraj, e titulluar Rrugica e vjetër, e cila gjithashtu dëshmon për kalldrëmet e kujtimeve, për kthimin në fëmijëri plot dashuri, për lulet e shtëpisë dhe nostalgjinë për rrugicat e dashura sa dhe të paharruara.
Po këtë sfond e ka edhe kompozimi “Mallëngjimi” (i vitit 1960, kompozuar nga Rashid Krasniqi, e “të cilën do ta këndojë për shumë vjet Muharrem Qena, i shoqëruar me kitarë nga autori” - PFS, f. 188), dhe që shquhet për notat e një dhembshurie të thellë për vendin e lindjes: “O vendi im,/ përbuzje ku s’ka/si të lashë e/dola në mërgim.” (PFS, f. 189), kurse dy poezitë e Iffete Agushit (Oj Kosovë, oj fushë krenare dhe Hapsana e Prishtinës), sikurse edhe poezia e njohur Perdja e robnisë, e bardit Esad Mekuli, për sfond kanë shtegun e lirisë dhe shtegun e dritës.
Ndërkaq, në fund të librit, me një shije të rrallë të përzgjedhjes si dëshmi e një leximi me laps në dorë, autorja ka bërë një gërshetim sa të bukur po aq edhe të qëlluar, mes një thënieje të një shkrimtari të njohur si dhe mes një kënge të dashur të një këngëtareje të veçantë:
“Duke përsiatur për Prishtinën e vjetër e të re, në rafte ‘takova’ edhe një pasazh shkrimi të Ernesto Sabatos (shkrimtar i njohur argjentinas, me prejardhje arbëreshe), ku ai shpjegon përse kishte shkruar aq shumë për vendin e jetës së tij: “Aty ku jetoj, në tokën time, ashtu siç është, e pafat, me të meta, është imja. Sepse, aty kam lindur, aty kam qenë fëmijë, aty kam pasur iluzione, aty kam pasur ëndrra për të ndryshuar botën, aty kam dashuruar, aty kam vuajtur. Sepse, ajo tokë na mëkoi jo vetëm gëzimet dhe virtytet e saj, por, mbi të gjitha, edhe brengat e pasiguritë e saj…” Aty, aty…në vendin tënd çdo gjë është më e bukur, më e ëmbël, më e dhembshme, është dashuri që nuk pushon kurrë…Mbase këtë ndjenjë do ta plotësonin akoma më mirë vargjet e Matilda L. Shehut:
“Kam mall për miqtë e mi të vjetër,
për rrugët ku u rrita, vitet e fëmijërisë,
ah, kam mall për ditët e dashurisë…”
(PFS, f. 243-244)
Dhe tek shpalos kujtime nëpër kohë e shfleton libra nëpër rafte, autorja e njërit prej librave më emblematik të shkruar ndonjëherë për Prishtinën, lë kështu me mjaft elegancë, edhe një kronikë në gur:
“Këto përshkrime, mbresa, kthim kujtimesh të vyera, pjesëza të ‘historisë’ së qytetit, do t’i përmbyllja me refrenin nostalgjik të këngës së Artiola Toskës:
Gocë Tirone/Prishtine jom,
rrënjët këtu i kom,
në fund të botës me shku’
shpirtin e kom këtu! “
(PFS, f. 245)

Fotografi dhe faktografi

Në librin Prishtina e fëmijërisë sime, e vjetra i flet të resë, e djeshmja i flet të sotmes dhe që të dyja i flasin së nesërmes. Publicistja ka përdorur një leksik mjaft të pasur, përshkrime mjaft të gjalla e me ligjërime poetike, duke ndërthurur aq bukur dhe po aq natyrshëm tekstin me fotografi dhe me poezi të përzgjedhura, dëshmi e një kulture leximi për lakmi e gjithmonë me laps në dorë.
Në fotografitë e përfshira shpaloset Prishtina e vjetër, Prishtina e kalldrëmeve të shtruara me gurë, e sokaqeve të shumta, e rrugëve dhe e rrugicave, Prishtina e një arkitekture të gërshetuar me shekujt nëpër të cilët ka kaluar, me shtëpi karakteristike e me xhami dhe tyrbe, me objekte kulturore e fetare, si Kulla e Sahatit, godina e gjimnazit-normales “Sami Frashëri”, Xhamia e Madhe, Xhamia e Pashës, pamje rrugësh e pjesë të qytetit të vjetër, sfonde të një Prishtine në rrugëtim e sipër, dyqane të Çarshisë së vjetër, ndërtesa të së kaluarës të shndërruara në objekte të reja kulturore, rrënjët e manit 200 vjeçar (të Shamit-Damaskut), pamje nga rrënimet e shtëpive e nga hyrjet e ndërtesave, pamjet e qytetit në dimër, minderët dhe çardakët së bashku me interierin tjetër si pjesë karakteristike të shtëpive prishtinase, pamje të shtëpive të vjetra, pamje të veshjes së grave me çarçaf si pjesë e errësirës të së kaluarës, pamje të kubeve të Hamamit, pamje të “arkitekturës së moçme qytetare”, shtëpitë e familjeve të njohura prishtinase si ajo e Eminxhikëve: shtëpia e vogël dhe e madhe e tyre, si dhe ajo e Iljaz Agushit (“në oborrin e RTK-së sot”), gjurmë të jetës hebraike, sfondet e haneve të qytetit e pamje nga Çarshia e dikurshme, rrugë të shtruara me kubëza gurësh, rruga që shpiente për në shtëpinë e Haxhi Agushëve, “shtëpitë dollma të cilat aso kohe sajonin qytetin”, pamje nga sheshet e dikurshme të qytetit si Qendra e Çarshisë - sot sheshi Nënë Tereza, Pamje e Xhamisë së Llokaçit afër Teatrit Kombëtar, fotografi ku duken “pajtonët atraktivë” si “taksi” të kohës, pamje të dikurshme të Prishtinës në dimër; “Pamje hyrëse e Shtëpisë së vjetër të oficerëve, rrethuar me plepa (tashti rruga Ilir Konushevci)” si dhe: “Shtëpia e Oficerëve në afërsi të RTK-së”, godina e ish konsullatës serbe apo ndërtesa mjaft e bukur ku ndodhej “furra e bukës e Abdurrahim Furrunxhisë”, fillimet e ndërtimit të godinave të Kuvendit Komunal si dhe të Kuvendit të Kosovës, pamje me veshjet tradicionale të shqiptarëve në një ditë pazari në Çarshinë e Mbulueme, pamje e lagjes së Divan Jollit nga Kodra e Arbërisë (Dragodan) dhe pamje e rrugës së kësaj lagjeje; pamje nga rrënimi i shtëpive në rrugën “Trepça” si dhe pamje nga rrënimi i dyqaneve te Kuvendi i Kosovës, shtëpi me arkitekturë të vjetër tipike “pronë e Eshref Tatlixhisë-Kushës, i shpërngulur në Turqi”, si dhe: “Shtëpi e vjetër e familjes Glloboderi (në rrugën Meto Bajraktari, sot): Pamje e shtëpisë së Hasan Beut në Divan Joll (sot UÇK)”, pamje e një godine mjaft të bukur në të cilën vërehet mbishkrimi me shkronja të mëdha SKANDER BEG dhe nën të MALUSH KOSOVA, me sqarimin që jep autorja: “Në vitin 1923 arrijnë veturat e para në Prishtinë”, pamje e të njëjtës rrugë dje (Viti 1940: Pamje e rrugës “Trashëgimtari i Fronit”, me dyqanet e farkëtarëve, përballë Kuvendit Komunal”) dhe sot: E njëjta rrugë (2013); “Shtëpia e Sylejman Efendisë, e ndërtuar më 1930-bibliotekë e qytetit deri në ditët e sotme”, pamje nga: “Dyqanet e vjetra në Çarshinë e moçme”, fotografi me pamje të objekteve në lagjen Divan Joll, pamje të Prishtinës së hershme; “Korzoja e dikurshme e qytetit përgjatë rrugës “Nënë Tereza” si dhe: Libraria “Rilindja” përballë Unionit, pamje të rrugëve dhe të ndërtesave “ndërmjet së resë dhe së vjetrës”, pamje të viteve ’70: “Mbulimi i lumit Vellusha ndërmjet Unionit e Teatrit”, pamje të lumenjve Reka (Prishtevka) gjatë vërshimit dhe Vellusha që kalonte përmes qytetit, pamje nga: “Sheshi kryesor ku bëheshin parakalimet e ushtrisë shqiptare”, si dhe: “Korzoja e dikurshme, rrugë te posta e vjetër”, pamje të qendrës së qytetit, fotografi që në sfond shpalos lidhjen mes kulturës dhe arkitekturës, sfond të cilit publicistja i ka vënë këtë shënim: “Xhamia e Llokaqit u rrënua, në vend të saj u ndërtua hoteli ‘Bozhuri i Kosovës’. Në foto - qytetarë prishtinas, në të majtë, Ali Shala, gazetar, e Shyqri Kushevica, redaktor teknik (të Rilindjes), me pamjen e hotelit të sapondërtuar dhe me xhadenë e shtruar me kube gurësh”; pamje shatërvanësh e pamje e Çezmës së katër Llullave, pamje e një: “Mani dyqindvjeçar në oborrin e Koxhadishëve, pasuri natyre me “histori” kohe”, shtëpi e vjetër e prishtinasve me arkitekturë përkatëse si dhe me pamje nga tavani i shtëpisë së Koxhadishëve “dikur objekt i administratës së Vilajetit të Kosovës”, pamje nga: “Xhamia e Madhe, ndër objektet më të mëdha fetare në Ballkan, e ndërtuar në shekullin XV”, pamje ku duket: “Kisha Katolike Shqiptare, që gjendej te sheshi i sotëm-Zahir Pajaziti, e ndërtuar në vitin 1346-1387, u rrënua në vitin 1957, sipas planit urbanistik të arkitektit beogradas, më vonë u ndërtua në lagjen Ulpiana. Pranë kishës ndodhej edhe një krua”, si dhe fotografi me shënimet përkatëse: “Kisha Ortodokse në lagjen Taslixhe, Pamje e mëhallës së Çeklikut, te teatri ‘Dodona’ sot, Hyrje në Çarshinë e vjetër dyqanesh me qepena, Dyqane zanatçinjsh, Krojet e qytetit që nuk janë më, Ëmbëltorja më e njohur në Rrugën Divan Joll, Shtëpia e Oficerëve me pishinën në qendër të Prishtinës (që s’është më); Qendra e Prishtinës, Xhamia e Llokaqit, ku sot ndodhet hoteli “Swiss Diamond”; Me shpërnguljen, shtëpitë shiteshin fare lirë ose braktiseshin, Udha e vjetër e Veternikut, Shtëpia e Hynilerëve (te Shtëpia e Pleqëve), ndonëse që nga viti 1967 ndodhet nën mbrojtjen e Entit për Mbrojtje të Monumenteve, asnjëherë deri me sot nuk është riparuar; Rruga e Normales, sot ‘Nazmi Gafurri’; Viti 1970: Hapësira para shtëpisë së Mallrave, sot sheshi Zahir Pajaziti; Viti 1912: Shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi, Prishtina e viteve’20, rruga ‘Kral Petri’; Plisat në kokat e studentëve shqiptarë të kthyer nga Beogradi dhe e disa të tjerëve, i katërti nga e majta, në këmbë, Dr. Daut Mustafa (9 gusht 1941), Shtëpi të vjetra në rrugën për te Kulla e Sahatit, Mëhalla e Muhaxherëve, dikur djerrinë e papunuar, sot lagje e ndërtuar; Pamje e parkut të qytetit në Mëhallën e Muhaxherëve, Pamja e mëhallës së Xhamisë së Llapit, e shekullit të kaluar (XX), Lagje e njohur me bagëti, Rrënimi i pjesës së qytetit, ku ndodhej edhe barnatorja e madhe (karshi Xhamisë së Çarshisë), Pamje e rrugës ‘Beogradi’ sot Fehmi Agani, Objekti ndër më të bukurit e Prishtinës, i njohur si Hoteli Union (‘Skander Beg’), i ndërtuar më 1927 - I njëjti objekt i ndërtuar sot (Maj, 2013), Pamje e rrugës te bahçe ‘Kozara’, Programi i rregullt i Teatrit filloi më 1949; Prishtina në vitet e hershme, Spitali i parë i qytetit, objekt i trashëguar nga koha e Turqisë, sot Ministria e Shëndetësisë, Dispanseria e Sëmundjeve të mushkërive, sot, dikur seli e UDB-së famëkeqe (në rrugën ‘Fehmi Agani’), Fotografi i parë prishtinas i para Luftës së Parë Botërore njihet Ramadan Beqiri-Gilanlia (Familja Straja, foto e Gilanlisë), Tyrbja e Sulltan Muratit, e ndërtuar në vitin 1852-53, Gërmia mbetet vendi më i preferuar me bukuri natyrore: shteg mali, Nusja merrej me pajton, prapa shkonin krushqit me këngë e hare; Veshje me mitan e dimi, për ditë xhumaje, me teleisje nga Hyrie telexhia: Nexhmie Shala, foto e vitit 1959; Objekti i Rektoratit të Universitetit të Prishtinës sot, dikur hyrja kryesore për kazermat ushtarake të kohës së ish-Jugosllavisë”, shtëpi dhe ndërtesa që lidhen me periudha të caktuara kohore, fotografi personalitetesh atdhetare apo kulturore, si Iljaz Agushi, Iffete Agushi “me axhën, Jusufin veshur në fustan kuq e zi”; si dhe: “Aktoret e para të Teatrit: nga e djathta - Katarina Josipi, Meriban Shala, Melihate Ajeti, dhe Adelajde Sopi, Viti 1940: Elegancë e modës së lartë - prishtinaset Fevzije e Iffete Agushi”, cikël ky i fotografive që përfundon me një pamje të Prishtinës, të shoqëruar me fjalët nostalgjike: Kur Prishtinën bora e mbulon…
Me një përzgjedhje të tillë fotografish dhe faktografish, Sanije Gashi vë kohët përballë njëra-tjetrës. Në përfshirjen e një numri të tillë të fotografive, autorja në të vërtetë ka përfshirë një spektër mjaft të gjerë të pamjeve të Prishtinës dje dhe sot, ka përfshirë ecjen dhe rritjen e qytetit nëpër etapa të ndryshme kohore. Ka risjellur në kujtesë pamjet e së djeshmes, personalitet e së kaluarës sonë historike, ka nxjerrur nga pluhuri i harresës emra dhe fakte, doke dhe tradita, si dhe fragmete të biografive të njerëzve të shquar apo edhe të rëndomtë, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyera në jetën e kryeqytetit.
Ajo ka shprehur njëkohësisht edhe dhimbjen për “shkatërrimin e shtëpive të vjetra, edhe 200 vjet” (PFS. f. 48), ka ngritur zërin e protestës kundër ngulfatjes së qytetit dhe për mungesën e dukshme të gjelbërimit, si dhe ka bërë thirrje të vazhdueshme për ruajtjen e autoktonisë së Prishtinës.
Publicistja e prirjeve të theksuara atdhetare e do një Prishtinë, jo përplot beton dhe hekur por me gjelbërim e lulëzim, me kopshte e me lulishte, me ruajtjen e trashëgimisë kulturore e arkitektonike, me rend dhe me rregull, me pastërti e me dashuri të ndërsjellët mes njerëzve, sepse janë njerëzit ata që e hijeshojnë një vend dhe që me punën dhe përkushtimin e tyre, e lartësojnë dhe e çojnë atë përpara.
Pra, ta duam Prishtinën ashtu siç e do dhe Zonja e Madhe e kulturës shqiptare, Sanije Gashi.

Veçori stilistike

Publicistja e dhuntisë së rrallë krijuese shkruan me një kulturë të veçantë leximi, shkruan sa me prirje po aq edhe me përkushtim. Shkruan duke gërshetuar mjaft bukur stilin e saj të ligjërimit publicistik me atë poetik. Në këtë prirje, ajo shpalos kujtimet e veta por edhe të bashkëqytetarëve të saj, vë kohët përballë njëra-tjetrës, së bashku me dukuritë dhe fenomenet përkatëse.
Fjalia e shkurtë e mjaft domethënëse, shpesh është veçori e diskursit krijues të publicistes Gashi. Fjala vjen, që në hyrje të librit, në prologun Prishtina…, bie në sy një stil që shpalos herë një zemër-klithje: “Vlerat e mëdha të Prishtinës janë shkatërruar.” (PFS, f. 19), e here një zemër-thirrje: “Po zbritëm nëpër shekuj, do të shohim se Prishtina ka një histori të gjatë përmes lokaliteteve antike, të cilat, për fat të keq, ende nuk janë zbuluar si tërësi arkeologjike.” (PFS, f. 19).
Veçori tjetër e këtij stili mjaft origjinal është edhe poetika e evokimit të kujtimeve, si: “Sa shumë shkëlqim kanë imazhet nga ajo moshë e nga ato vite, që janë përplot diell.” (PFS, f. 20) “Edhe sot, ecja nëpër sokakët e dikurshëm, patjetër të ngacmon me nostalgjinë për qytetin e vjetër.” (PFS. f. 46), “Në këtë rrugicë, të shtruar dikur me guralecë, vende-vende edhe pa ta, çdo gjë i takon së kaluarës. Në fillim të sokakut, në të majtë ishte shtëpia e vjetër e prindërve të mi…” (PFS. f. 66), “laheshin shtigjet e shtruara me gurë, sikurse edhe pragu i derës së jashtme, shenjë vyeshmërie…” (PFS. f. 77), “Sa shumë kujtime janë të palosura në atë mëhallë, në atë oborr të Eminxhikëve, me gjithë lojërat e fëmijërisë së pastër, të pagajle, me atë shkëlqim të diellit, që nuk ndodh në vitet e pjekurisë!” (PFS.. f. 80), “Thuhet se pajtonxhiu i parë në Prishtinë ka qenë Faik Hydaverdi, i cili kishte kuajt më të mirë, që i mbante dhe i çmonte…Pajtonet me trokun e kuajve, me tingullin e burisë dhe me zilkat rreth qafe, qytetit i japin gjallëri.” (PFS.. f. 101)
Shpesh, përmes bashkëbiseduesve dhe shpalosjes së kujtimeve të tyre si kronika besnike të një kohe të shkuar, dëshmohet për të kaluarën e qytetit, për fate lagjesh (“Zakonisht, nga familjet e mëdha e merrte emrin edhe mëhalla.” - PFS. f. 55, “- Çarshia e Mbulueme ose e mbyllur, e njohur si Kapali Çarshi, ka qenë pjesa më atraktive e qytetit, diçka fantastike! - kujton z. Islam Mumxhiu…Qëllimi i prishjes, i rrënimit të Çarshisë më 1946 e këtej, ka qenë humbja e gjurmëve të Prishtinës, ndërsa qendra e qytetit ka qenë pikërisht aty, me të gjitha begatitë.” - PFS. f. 61, “Ajo që zgjon kujtimet e banorëve të dikurshëm të kësaj pjese të qytetit, është rrënimi i shtëpive në krye të mëhallës, para 64 vjetësh.” - PFS. f. 112, “Prishtina ishte, mbi të gjitha, qytet zejtarësh…prandaj edhe qytetin e përshkon fryma esnafe. - PFS, f. 140), e fate njerëzish (“Ka shumë qytetarë që kanë ikur, ka prishtinas te të cilët është bërë presion i madh politik për t’u bërë turq, e që nuk janë bërë.” - PFS. f. 55), “Mjerisht, asgjë më nuk përsëritet nga e shkuara…” - PFS. f. 72), “Eh, ky objekt flet shumë për heqjet e gjithhershme të shqiptarëve, sikurse edhe muret e përgjakura!” (PFS. f. 130), “Prishtina e vjetër, siç u tha, përbëhej nga shumë mëhallë dhe secila ishte atraksion më vete. Po, ama, Mëhalla e Muhaxherëve ka një histori të dhembshme, ngaqë në këtë lagje vendoseshin shqiptarët e dëbuar nga trojet e tyre etnike, në vitin 1878.” - PFS. f. 199), apo edhe histori të institucioneve kulturore: “Objekti i teatrit, në fakt, fillimisht është ndërtuar si shtëpi kulture, mu në qendër të qytetit, në hapësirën bosh ndërmjet Unionit e Xhamisë së Llokaqit, që ishte një zbrazëtirë. Veçse, së pari, teatri ka nisur punën në Prizren, më 1945, mirëpo shfaqja e parë është dhënë në Trepçë, më 1948.” (PFS, f. 214).
Në strukturën shkrimore hasen edhe digresione të tilla si: “Pak histori:” (PFS. f. 26), “Pak romancë kohe.” (PFS. f. 37), “Rikthim kujtese:” (PFS. f 58), “Ç’është karakteristikë tjetër nga ajo kohë?” (PFS. f. 76), “Kthim i shkurtër në histori:” (PFS. F. 87), “Pak histori veprimtarie:” (PFS. F.. 96), “Si dukej kjo mëhallë fëmijërie e rinie për zonjën mësuese?” (PFS. f. 168), “Një kujtim i rëndë: “ (PFS. f. 182) etj.

Prishtina e fëmijërisë dhe Prishtina e përjetësisë

Në një nga shkrimet e saj, e që lidhet me udhëpërshkrimet, titulluar Parisi i një fillimvjeshte, përfshirë në librin Gjurmë ndër vite, gazetarja emblemë e përshkruan Parisin po aq bukur sa edhe Mithat Frashëri e Ramiz Kelmendi, sa po të bëhej një antologji e shkrimeve për Londrën apo Parisin, shkrimi i publicistes Gashi do të ishte si kokrra e qershisë mbi tortë.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për librin kushtuar Prishtinës, sepse Sanije Gashi ngado shkon e ngado vete, Prishtinën e merr me vete. Ndërkaq, fjala vjen, Helena Kadare - simotra e saj, e merr poezinë e Lasgush Poradecit, si pjesë të kulturës shpirtërore të kombit të vet.
Sanije Gashi e do Prishtinën, po aq sa e ka dashur Nermin Vlora Falaski Vlorën! (Kurrë nuk ia lë lamtumirën Vlorës, Gjurmë ndër vite, f. 284)
Në shkrimin e titulluar Në metropolin britanik, publicistja Gashi shkruan: Ecin motet, ndërrojnë kohët (Gjurmë ndër vite, f. 130)…, duke shtuar se: “Mëngjes i bukur në Londër, ngjason në ditë prilli në Prishtinë.” (Gjurmë ndër vite, f. 136), sepse edhe Prishtina, ashtu sikurse Londra, kanë një forcë magjike e magnetike, që sa më shumë mendon se i soditë a i shijon, aq më shumë të rrëmbejnë dhe të ftojnë!
Me po kaq dashuri dhe frymëzim, po me kaq mirënjohje dhe admirim, ajo shkruan edhe për Vlorën: Natë vlonjate, ditë kuvendi, por edhe për Gjirokastrën: Ditë me shi në Gjirokastër, shkrime të përfshira në librin publicistik Gjurmë ndër vite.
Prishtina e fëmijërisë së Sanije Gashit bëhet kështu Prishtina e përjetësisë.
Prishtina e fëmijërisë së saj, bëhet qytet i shpalosur në tri rrafshe: Prishtina ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet?
Prishtina e fëmijërisë së publicistes emblemë, bëhet kështu Prishtina e mijëvjeçarit të ri.
Prishtina e fëmijërisë së bashkudhëtares së saj, bëhet kështu Prishtina e përshëndetjeve të engjëjve për yjet, siç do të shprehej Viktor Hygo.
Prishtina e fëmijërisë së doajenes së gazetarisë sonë, bëhet kështu një kukull: gjithmonë e bukur, gjithmonë e dashur, gjithmonë e përsosur në sytë e kujtesës me gjurmë kohe.
Prishtina e fëmijërisë së ikonës së fletorarizmës shqiptare, shpalosur edhe në sfondin e historisë së saj të përpjekjeve të pareshtur për dritë e dituri, për liri dhe pavarësi, Prishtina e atdhetarëve më të devotshëm të kohës, si profesor Ahmet Gashi, Dr. Rexhep Krasniqi, profesor Ymer Berisha, profesor Vasil Andoni, Prishtina e Agushëve atdhetarë (Haxhi Xhemajl Agushi, Iljaz Agushi, Jusuf Agushi, e Iffete Agushi) dhe e sa e sa të tjerëve, bëhet kështu njëlloj sikurse Prishtina e luftëtarit të penës dhe të pushkës Hil Mosit, në vjershën Kosova në luftë:
Se n’Prishtinë atje pikë s’parit,
rrahu topi me duhi,
atje gjaku i shqiptarit,
ra në tokë me mbi përsëri!
Prishtina e fëmijërisë së autores së veprave unike publicistike, bëhet kështu vetvetiu sikurse Prishtina e profecisë së Mithat Frashërit: “Do të vijë koha kur politikat ndërkombëtare do të verifikojnë dhe do ta ndreqin veten në Kosovë. Qendër e tyre do të jetë Prishtina, fjalën e fundit do ta thotë Tetova.”
Prishtina e fëmijërisë së humanistes dhe editores së pandalshme, bëhet kështu edhe Prishtina e historisë së vrullshme, në të cilën breznitë orëmira rendin, siç e thotë aq bukur vetë publicistja - “drejt Shqipërisë tërësore”, rendin sipas ritmit të këngës së njohur popullore:
Unë marr nga zemra jote,
ti merr nga zemra ime,
dhe dora-dorës ecim,
e shtrenjta jeta ime!

Prishtina e fëmijërisë së luftëtares së papepur për të drejtat e femrës, bëhet kështu Prishtina e poetikës së përkushtimit dhe Prishtina e poetikës së pagëzimit.
Prishtina e fëmijërisë së Sanije Gashit, bëhet kështu Prishtina e dashurisë për natyrën e saj, për krojet e saj, për atdhetarinë e saj, për historinë e saj, për pastërtinë dhe për freskinë e saj, për gjelbërimin e saj, për florën e saj, prej së cilës ajo edhe do të përzgjedhë dy emrat e dy vajzave të saj: Blerina dhe Blinera (të cilave edhe ua ka kushtuar librin publicistik Ecje nëpër kujtesë. Tregime jete të grave me karrierë, botimi i parë, 2010, Prishtinë).

III
INTERVISTAT


Në intervistat e shumta dhënë mediave të shkruara dhe elektronike lidhur me publikimin e librave të saj, publicistja Sanije Gashi ka folur për tema dhe çështje të ndryshme aktuale bashkëkohore, duke shprehur dhe mbrojtur konceptet dhe parimet lidhur me gazetarinë, demokracinë, trashëgiminë kulturore, vlerat e luftës, traditat kombëtare, por edhe duke ndarë mendimet dhe gjykimet e saj me peshë nga përvoja mjaft e pasur në punën prej gjysmë shekulli si gazetare, humaniste, veprimtare, editore dhe publiciste e dëshmuar.
Nga po ky prizëm ka folur edhe në intervistat dhënë gazetares Shqipe Dervishaj, në emisionin Kafeja e Mëngjesit, të Radio Televizonit Dukagjini; në intervistën dhënë gazetares Arieta Seferaj të Radio Televizonit të Kosovës (në kuadër të emisonit KultArt), si dhe në intervistën tjetër dhënë gazetares së Radio Televizonit të Kosovës, Lumira Kelmendi (të po të njëjtit emision: KultArt).

1. Intervista dhënë gazetares Shqipe Dervishaj,
Radio Televizioni Dukagjini: 17 dhjetor 2013


Në intervistën e zhvilluar në shtëpinë e saj, publicistja Sanije Gashi ka folur për një varg çështjesh, duke filluar së pari me Prishtinën: “Unë kam lindur në Prishtinë, jam rritur në Prishtinë, vazhdoj të jetoj në Prishtinë, dhe natyrisht do të plakem në Prishtinë.”, pastaj për rrugëtimin e saj si gazetare, për vështirësitë dhe sfidat, për një figurë mjaft frymëzuese për të: “duke lexuar, kam pasë si idol të thuash një gazetare italiane, Oriana Fallaçi, në atë kohë që bënte gazetari shumë të suksesshme, dhe atëherë kur m’u dha rasti që të filloja gazetarinë, mundohesha të ndiqja rrugën e një gazetareje të thuash të shkëlqyer.”, për kënaqësinë që i sjellë ky profesion: “kënaqem do me thënë me këtë profesion, jam rritë si të thuash, jam pjekur me të dhe kam çastet, momentet më të këndshme në këtë profesion.”, për Mire Kelmendin të cilës ia ofroi dorën e ndihmës e të përkrahjes për t’u shkolluar dhe e cila me kalimin e kohës, një ditë i bëri një befasi të këndshme duke e vizituar për ta falënderuar; për problemet me të cilat ballafaqohej femra shqiptare dikur (mosshkollimi) dhe me të cilat përballet sot (trafikimi)…

Në bisedë janë përfshirë dhe aspekte të tjera si emancipimi i femrës shqiptare, duke kaluar pastaj tek libri testament “Histori të tmerrit 1998-1999. Dosje krimesh të luftës, rrëfime të grave”:
“Mandej, muaj pas muaji, nëntë vjet punova me këto gra, që ishin përjetime shumë të rënda. Edhe vetë gazetari ose publicisti në kontaktet e tilla merr shumëçka prej tyre, i përjeton shumë rëndë të gjitha ato heqje, edhe pse të gjithë ne e kemi parë se çfarë ndodhi me ne në Kosovë, gjatë luftës. Pas nëntë vitesh, e përmblodha librin dhe i botova rrëfimet e këtyre grave. Të gjitha janë rrëfime aq të tmerrshme që kanë përjetuar burrat e tyre, që kanë përjetuar fëmijët e tyre, e sidomos vajzat e tyre të dhunuara. Kjo ishte e tmerrshme, dhe secila shprehej me gjithë shpirt.”
Me thekse të veçanta, publicistja Sanije Gashi është ndalur edhe tek jehona që bëri libri në qarqe të ndryshme, brenda dhe jashtë Kosovës:
“Ky libër zgjoi interesim të madh tek të gjithë, ndërsa parathënien e tij e bëri ish-ambasadori amerikan në Kosovë, William Walker, që ishte këtu në fillim të luftës së vitit 1999, kur ndodhi masakra në komunë të Shtimjes. E përshkruajti aq mirë çështjen e librit, të gjitha këto rrëfime, dhe ishte qëllimi - thotë, që të mos harrohet, se jo të hakmerreni ju ndaj tyre, por të mos harrohet çfarë ndodhi me popullin e Kosovës, me gratë e Kosovës, me djemtë e vajzat e Kosovës. Kështu që ky ishte njëri nga librat që them zgjoi shumë interesim, dhe që nuk ishte lehtë të punohej, nuk ishte lehtë të përshkruheshin të gjitha ato çka i kishin përjetuar.”
Në mënyrë të veçantë, emblema e gazetarisë ka tërhequr vërejtjen që ngjarjet e tmerreve makabre të mos harrohen kurrsesi:
“Mirëpo sikur po fillon të zbehet ajo çfarë ka ndodhë me ne, sidomos te brezat e ri. E kjo duhet të ribotohet disa herë, të dalë, të shkojë sidomos në mesin e të rinjve, sepse ata që ishin dy vjeç tani janë 16 vjeç, duhet ta dinë çfarë ka ndodhur me ne.”
Në një bashkëbisedim tepër miqësor e i cili rrjedh fare natyrshëm, gazetarja Shqipe Dervishaj ka shtruar pyetjen e radhës, duke shpalosur kështu vetvetiu qëllimin e një interviste të realizuar mjaft bukur dhe me shumë përkushtim, qëllim që nënkupton përfshirjen në plotni të krijimtarisë publicistke të Sanije Gashit:
“Zonja Gashi kam këtu pranë vetes një libër tjetër tuajin. Është ‘Ecje nëpër kujtesë, tregime jete të grave me karrierë’. Pra ndërruam pak atë pjesën e trishtuar, nëse mund të themi të jetës sonë, të një lufte e cila nuk duhet harruar dhe nuk do të harrohet, natyrisht nga populli. Mirëpo, do të flasim pak për këtë pjesë të librit, çka përfshinë ai, personalitetet që keni përzgjedhur, femrat e suksesshme ndoshta të jetës shqiptare?”
Duke folur me shumë takt dhe me një vëmendje të përqëndruar tek dallimet mes dy librave të saj, publicistja ka shpalosur ecurinë krijuese, por edhe është ndalur tek emra të veçantë dhe tek fate të përjetuara të simotrave të saj, dëshmi e një përkushtimi dhe një profesionalizmi të lartë e gjithë kompetencë:
“Këtu janë marrë disa gra tonat, që domethënë se nuk janë përfshirë të gjitha, se kemi mjaft gra të arritura, të ngritura, që kanë krijuar karrierë, që kanë bërë profesion të vyeshëm, përvojë të vyeshme, mirëpo i kam marrë disa, se, unë jam nisur nga mosha, nga ato që janë më të shtyra në moshë, të jenë pjesë e librit dhe të rrëfejnë për jetën e tyre, për rrugën e tyre, për sukseset e tyre në punë. U takojnë profesioneve të ndryshme. Ndryshon natyrisht prej librit të luftës tërësisht, por edhe këto i kanë përjetimet e tyre, janë të Kosovës dhe të Shqipërisë. Një integrim, që zonja Helena Kadare e quan shumë të suksesshëm. Ka atje që kanë kaluar mirë, edhe tek ne, por ka edhe që kanë pasur vuajtje të shumta. Ta zëmë, gazetarja Kozeta Mamaqi, ka kaluar 17-të vjet në internim, nënë e ndarë nga të dy fëmijët e saj. Mirëpo, kemi edhe tek ne heqje grashë: Hyrije Hana, për shembull, ka vuajtur shumë në atë kohë, e cila i mbylli sytë pa e parë tamam Kosovën çfarë e ka dëshiruar! Sehadete Mekuli, është gjinekologia e parë tek ne në Kosovë. Edhe ajo ka një jetë, por të begatë, që ka punuar, ka krijuar famë, është e njohur gjithkah. Aktorja Melihate Ajeti, këngëtarja Nexhmije Pagarusha, shkrimtaret Eglantina Mandia e Helena Kadare shumë të zonjat. Përshtypje tepër të mirë mua më ka lënë me shkrimet e saj, me punën e saj, edhe Nermin Vlora Falaschi, stërmbesa e Ismail Qemalit. Mirëpo nga të gjitha këto, prej 31 grave, tashmë 13-të ka ndërruar jetë, nuk janë në mesin tonë. Me punën e tyre, me gjurmët e tyre, kanë lënë një pasuri. Prandaj them që, edhe e vlerësojnë të tjerët, se ky libër është begati e kombit, me gratë që kanë bërë karrierë, karrierë të vyeshme, kështu që do të ishte mirë që të vazhdonim me shkrime të këtilla, se kemi mjaftë gra të tjera si këto.”
Në një intervistë si kjo, gazetarja Shqipe Dervishaj e ka pasur të pamundur për t’iu shmangur njërit prej librave nga më të veçantët, të shkruar nga Sanije Gashi:
“Zonja Gashi ashtu siç na u prezantuat edhe në fillim të emisionit, keni lindur në Prishtinë, jeni prishtinase. Po shoh se edhe përmbledhja apo libri i juaj i fundit ka të bëjë me Prishtinën. Si arritët deri te ky libër, si ishte ideja që të pasqyroni ato shkrimet tuaja në të?”
Edhe lidhur me këtë libër e me procesin krijues të tij, publicistja Sanije Gashi ka folur me një kujtesë brilante, me një dashuri dhe adhurim të pafund për qytetin e saj të lindjes, të punës e të dijes, si dhe për historikun e këtij qyteti, për peshën e viteve që ka bartur ai mbi vete, për rritjen dhe zgjerimin e tij, por gjithsesi edhe për misionin dhe vizionin të cilin historia ua ngarkoi mbi shpatulla, banorëve të këtij qyteti:
“Deri më tash, ky është një libër krejt tjetër nga tre të parët. Këtë e kam punuar me kënaqësi, pa mundim. Edhe pse edhe të tjerët i kam punuar me përkushtim, por tema ka qenë e rëndë, sidomos ajo e luftës. Ndërsa, të shkruaj për qytetin tim ku kam lindur, ajo shtresohet me vite tek njeriu. Ta zëmë, që nga fëmijëria unë ato kujtime që i kam bartur me vete, që nuk shlyhen kurrë, se është pjesa, faza më e këndshme e njeriut. Njeriu, sa herë i kthehet fëmijërisë, gjen pastërti, gjen jetë pa hile, i kujton ato shoqe të lagjes, të mëhallës, të komshinjve; dhe të gjitha ato mbeten, regjistrohen, deshe s’deshe. Tani kur mbërriva në këtë moshë, iu ktheva me kënaqësi, i kam regjistruar gjithë ato mëhallë, gjithë ato lagje, shoqet që më ikën për në Turqi (në atë kohë ishte një fazë shumë e rëndë) te njerëzit që e sajojnë Prishtinën e dikurshme. Edhe atëherë ka pasur vuajtje, vuajtje të mëdha, madje! Janë disa faza që kujtohen jo me kënaqësi. Ta zëmë koha e Aksionit të Armëve. Ajo ka qenë e tmerrshme, kur i merrnin meshkujt, i detyronin t’i dorëzonin armët që nuk i kishin. Ishte edhe faza tjetër e konvertimit të shqiptarëve në turq, për t’i larguar sa më shumë nga Kosova. Turq i regjistronin edhe ata në fshat që s’e kishin dëgjuar asnjë fjalë turke! Kjo mbetet, sidomos ato vajet, ndarjet, largimi nga vendi i tyre. Pastaj, erdhën njerëzit që punuan për çështjen kombëtare, për çështjen shqiptare në atë kohë. Janë: Iliaz Agushi, janë profesorët Ahmet Gashi, një drejtor i shkëlqyer i Gjimnazit të Prishtinës, janë edhe të tjerët bashkë me të. Erdhën mjekët e parë, të Prishtinës, doktor Izedin Osmani, doktor Daut Mustafa-Spahiu, që në atë kohë kanë qenë të detyruar t’i ndërrojnë mbiemrat, se kanë qenë të ndjekur; janë ata që them se i sajojnë këto mëhallë, këto lagje, këto ndërtime, persona të cilët i kam zënë të gjallë, janë edhe 90-të vjeçar. Shpesh nuk janë të kënaqur me ndryshimin e qytetit, mirëpo qyteti vazhdon të zhvillohet, është rritur: nëse atëherë qyteti ka qenë me tetëmbëdhjetë mijë banorë, tani me katërqind mijë ose pesëqind mijë, që ende nuk dihet saktë numri i tyre. Kanë ndryshuar shumë gjëra, për të mirë. Sa u përket ndërtimeve, jo aq mirë, se ka ngulfatje në qytet, ndërtime të banesave vend e pa vend, leje pa leje. Mirëpo në libër është përfshirë një kohë e kaluar e qytetit.”
Një këndvështrim tjetër nga i cili ka folur bashkëbiseduesja në këtë intervistë, është edhe ai i kundrimit të qytetit nga prizmi dje dhe sot, gjë që është bërë në një mënyrë mjaft të detajuar:
“Një ditë e bëri një shkrim Shefki Stublla, edhe ai një studiues, në Kohën Ditore. Ai tha - unë e kam prerë atë shkrim, edhe e kam futur në libër, e do t’ua lë brezave, nipave e stërnipave, se Prishtina po ndërron, po zhduket nga ajo që ka qenë dikur, le ta kenë ata, le të lexojnë për gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre, le të lexojnë për Prishtinën e dikurshme, le të lexojnë për ato kroje që kanë qenë... Kështu që libri ka zgjuar te prishtinasit edhe nostalgji, edhe kënaqësi, por edhe lotë, nganjëherë.”
Ndërkaq, shqetësimit të drejtë të shtruar në pyetjen e gazetares Dervishaj: “Natyrisht. Zonja Gashi, çka mund të themi se ka mbetur nga ajo Prishtina e vjetër në këtë Prishtinën e re që sot jetojmë?”, autorja e librit Prishtina e fëmijërisë sime, i është përgjigjur duke përshkruar fatin e objekteve të ndryshme si dhe duke sqaruar sërish për punën e saj gjithë përkushtim, që fotografitë e kohës të mos mbeteshin nën pluhurin e harresës:
“Pak, pak! Ka mbetur ta zëmë, objekti i Unionit që ka qenë një bukuri e qytetit, në qendër. Ka mbetur godina e Gjimnazit, që është ndërtuar në vitin 1938, një godinë e madhe që ka nxjerrë breza e breza të shkolluar. Aty ka filluar shkollimi shqip në vitin 1941 deri më 1944.
Këtë nuk e harrojnë pa e thënë prishtinasit: Ani që ishte koha e okupimit, me ardhjen e italianëve dhe gjermanëve u hap shkolla shqipe. Në administratë filloi të flitej shqip. E quanin, siç tregojnë të vjetërit, edhe gjimnaz fashist. Por aty filloi shkollimi. Në vitin 1945 ne kemi pasur një përqindje shumë të madhe të analfabetëve. Kështu kishte qenë, me sa kam lexuar, madje edhe në Shqipëri, edhe atje në kohën e Zogut kishin qenë 90-të % e kusur analfabetë! Edhe tek ne thonë 95% analfabetë!
Kështu që gradualisht ajo ishte një fazë e mirë, Gjimnazi i Prishtinës ‘Sami Frashëri’ nxorri breza të ardhshëm, të shkolluar. Kanë mbetur edhe disa pak objekte të shtëpive të vjetra, që s’kanë mbërri t’i rrënojnë të gjitha. Deri vonë ka mbetur edhe shtëpia e Tefik Mirashit, ku më vonë u vendos Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ka mbetur Biblioteka e Qytetit, që kishte qenë pronë e Sylejman Efendisë, që në në vitin 1945 e kanë konfiskuar dhe e kanë vendosur Bibliotekën deri në ditët e sotme. Ka aty-këtu shtëpi të vjetra që jam munduar t’i fotografoj. Kam gjetur fotografi edhe në muze, edhe tek njerëzit që i kanë ruajtur më herët. Fotot janë dëshmi e kohës. Nga Tirana më kanë shkruar: Bravo për ato fotografi të shkëlqyeshme të Prishtinës së moçme! ”
Duke folur në përmbyllje të intervistës edhe për revistën “Teuta”, drejtuesja e kësaj reviste prestigjioze ka kujtuar sërish arritjet e kësaj reviste, si dhe për raportet e krijuara me lexuesit:
“Duhet të kemi sa më shumë lexues, mendimet e tyre i përfillim shumë. Na shkruajnë, na paraqiten edhe me e-maile, japin propozime. Lëvdata japin mjaft, femra e meshkuj. Teuta është revistë e familjes, ku marrin pjesë, bëjnë pjesë edhe burri edhe gruaja, edhe vajza edhe djali. Kështu që në këtë aspekt mundohemi t’i edukojmë. E tash sa ia arrijmë, mendoj se po.”
Duke vlerësuar drejt dhe lart përkushtimin dhe profesionalizmin e stafit i cili e ka ngritur “Teutën” në stadin aktual, publicistja e cila nuk rresht së shkruari për më shumë se gjysëm shekulli, ka paralajmëruar për të botuar edhe vepra të reja në fushën e publicistikës:
“Tani kryesisht jam orientuar në publicistikë. Në revistë, në redaksi të Teutës kam një staf, një ekip të shkëlqyer, të femrave dhe të meshkujve, që punojnë me shumë përkushtim. Po, unë punoj edhe në dy libra të tjerë, që duhet të dalin vitin e ardhshëm. Por, të shohim e bëjmë.”
Më shumë se çdo gjë tjetër, kjo intervistë është një bashkëbisedim mes brezash, një bashkëbisedim që ka për qëllim jo vetëm të shpalos të vërtetat e mëdha të veprave të një publicisteje emblemë, por në radhë të parë kjo intervistë ka të veçantat e saj: shprehjen e mirënjohjes e të falënderimit, si dhe të respektit reciprok që kanë breznitë orëmira për njëra-tjetrën, gjë që është shprehur me një elegancë të rrallë dhe me një kulturë që meriton admirim të veçantë:

“Zonja Gashi, po më vie shumë mirë që arritëm t’i prezantojmë të gjitha këto para teleshikuesve. Natyrisht që ju keni edhe shumëçka tjetër të prezantoni, mirëpo për ne ishte nder të jemi në shtëpinë tuaj, të pimë së bashku Kafenë e Mëngjesit me ju, dhe për teleshikuesit e Televizonit Dukagjini, ne ju dëshirojmë suksese në projektet tuaja të ardhshme, dhe natyrisht një jetë të mirë.
Sanije Gashi: Ju faleminderit shumë! Ishte kënaqësi e imja që erdhët, dhe të them se ishit televizion pak i privilegjuar që ju pranova, se ju thashë se jam tip i tillë që nuk imponohem, nuk futem, nuk thërras! Kam qejf të punoj, jo në zhurmë, po në heshtje. Kështu që faleminderit edhe prej juve, që prezantuat me punë, me libra, gazetari e publicistikë bashkë. Ju faleminderit!
Faleminderit edhe juve, dhe çdo të mirë!”
Vijon...

Xhemail Peci

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 32 vizitorë
Lexuar: 734 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi