Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
MARRËVESHJA PËR DEMARKACIONIN NUK DUHET TË RATIFIKOHET!
Publikuar më 08 janar, 2018 në orën 22:24 ( ) Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Edhe mbledhja e radhës e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Kosovës nuk dha asnjë rekomandim për datën se kur do të paraqitet në Parlament Marrëveshja për Demarkacionin dhe as mendimin e tij rreth saj. Viti 2017 po mbyllet dhe në 2018 po bartet një problem i rëndë për shpatullat e brishta të Kosovës së re.

Mendoj se ka fakte dhe argumente të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje në gusht të vitit 2015 ishte i gabuar dhe ratifikimi i saj nuk do të bëntë gjë tjetër, veç do ta legalizonte këtë gabim, me pasoja të dukshme, negative, për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës.

Të gjitha pseudoargumentet e përdorura deri tani, në favor të ratifikimit, nuk qënrdojnë në këmbë përballë ballafaqimit me të drejtën ndërkombëtare.

Sipas ligjit ndërkombëtar, kur ka mospërputhje midis kufijve kadastralë dhe administrativë, si në rastin Kosovë- Mal i Zi, atëherë duhet korrigjuar kufiri kadastral në atë mënyrë që të vijë në përputhje të plotë me atë administrativ dhe jo e kundërta. Në raportin midis tyre, përcaktues, parësor është kufiri administraitv. Në bazë të këtij ligji, kufiri kadastral, që pretendohet të jetë në favor të Malit të Zi, duhet të korrigjohet dhe të vijë në përputhje me kufirin administrativ, i cili që nga viti 1945 nuk ka lëvizur nga Qafa e Çakorrit.

Gjithnjë, sipas ligjit ndërkombëtar, pronësia private e qytetarëve të një vendi mbi një tokë të caktuar, nuk është e barasvlefshme me pretendimet për territorin, nga ana e shtetit të tyre. Historikisht, shqiptarët nuk i kanë pasur fort mirë punët me letrat. Kjo mund të jetë e vërtetë edhe për pronat e tyre në Çakorr e Kuqishtë. Por mungesa e dokumenteve të pronësisë, nga ana e shqiptarëve, nuk i jep të drejtë Malit të Zi që këtë territor ta konsiderojë si pjesë të shtetit të tij. Ligji ndërkombëtar kërkon që të ndahet e drejta e pronësisë nga procesi teknik i delimitimit dhe demarkimit të kufirit.

Nuk i qëndron logjikës as referimi tek marrëveshja e Kumanovës (09.06.1999), sipas së cilës, u vendos një zonë sigurie, 5 km jashtë kufijve të Kosovës, në pjesën tjetër të territorit të ish-Jugosllavisë, përfshirë Malin e Zi. Përse, në të gjithë gjatësinë e kufirit, zona e sigurisë shtrihet 5 km larg kufrit administrativ të Kosovës, në brendësi të territorit ish-jugosllav, ndërsa në pjesën e Malit të Zi, përkundrazi, 5 km në brendësi të territorit të Kosovës? Mbi çfarë kriteri, standardi, logjike a të drejte është vendosur kjo shmangie? Në bazë të kësaj logjike, mund të nxirret përfundimi se zona e sigurisë midis Kosovës e Serbisë, u vendos për të mbrojtur Kosovën nga Beogradi, ndërsa ajo midis Kosovës dhe Malit të Zi, qenkërka vendosur për të mbrojtur këtë të fundit, nga Kosova.

Ndryshe, nuk ka si shpjegohet zhvendosja e kufirit, 5 km nga Qafa e Çakorrit, në thellësi të territorit kosovar.

Në gjykimin tim, edhe sikur argumentet të flisnin krejtësisht në favor të delimitimit dhe demarkimit të kufirit, siç e kërkon Podgorica, Prishtinës do t’i duhej t’i kërkonte Malit të Zi negociata, për të arritur në një marrëveshje që do të fiksonte vendosjen e kufirit në Qafë të Çakorrit. Sepse Marrëveshja e Demarkacionit e vitit 2015, i siguron avantazhe të qarta gjeostrategjike, ushtarake dhe ekonomike, fqinjit tonë. Kur këto argumente janë në favorin tonë, përse u dashka që të heqim dorë prej tyre, duke dëmtuar rëndë interesat tona? Dhe ç’është më e keqja, pa marrë asgjë, në këmbim?
Shtetet serioze përpiqen që vendosja e kufirit të mos jetë, apriori, në disavantazh të tyre. Edhe praktika ndërkombëtare e delimitimit dhe demarkimit të kufijve, zakonisht, ndjek qafat e maleve, lumenjtë, etj. si kufij natyrorë me avantazhe a disavantazhe të njejta për të dy palët.
Janë naive sugjerimet që të ratifikohet një herë Marrëveshja e Demarkacionit, pastaj të shihet mundësia e ndryshimit të saj. Sipas të drejtës ndërkombëtare, Kosova nuk ka asnjë detyrim ligjor që ta ratifikojë këtë marrëveshje, por, nëse ajo hyn në fuqi (ratifikohet), si rregull, nuk mund të ndryshohet, ose ndryshimi i saj bëhet tepër i vështirë.
Së fundi, nuk ka asnjë garanci që, nëse ratifikohet Demarkacioni, Kosova fiton liberalizimin e vizave. Ne, tashmë, jemi mësuar që, sapo plotësohet një kriter, BE i imponon Kosovës të tjera kritere, edhe më të padrejta, edhe më diskriminuese.

Për të gjitha arsyet e lartpërmendura, por edhe për shumë të tjera, që i solli në vëmendje të institucioneve shtetërore dhe të publikut, Komisioni i drejtuar nga z. Shpejtim Bulliqi, mendoj që Marrrëveshja për Demarkacionin nuk duhet të ratifikohet. Sugjerimi im është që në mbledhjen e parë të Kuvendit të Kosovës, në janar 2018, kjo Marrëveshje të hidhet poshtë si e gabuar dhe e dëmshme për interesat tona themelore. Më mirë t’i thuhet “ndal” së keqes tani, se sa të mbetemi peng i saj, përjetësisht. Kosova nuk do të jetë vendi i parë, as i fundit, me probleme të pazgjidhura kufitare. Për të mos shkuar shumë larg, Ballkani ka plot vende të tjera të tilla, përfshirë edhe vet Malin e Zi.

Midis mësimeve që duhet të nxirren nga rasti i Demarkacionit, mendoj se duhet të jetë edhe ky: përfaqësuesit më të lartë shtetërorë të Kosovës duhet të mendohen mirë, para se të hedhin firmën në dokumente që kanë të bëjnë me interesat jetike të vendit. Më jetik dhe më të shenjtë së kufiri, vështirë se ka gjë tjetër për shqiptarët, të cilët e kanë larë atë me gjak, në shekuj.
Kriteri për firmosjen e çdo marrëveshjeje a traktati ndërkombëtar nuk duhet të jetë këshilla a sugjerimi i këtij apo atij partneri, qoftë edhe strategjik, por përputhshmëria e tyre me interesat tona themelore. Ideologjitë, aleancat, partneritetet shkojnë e vijnë, ato që mbeten të përjetshme janë interesat tonë kombëtare dhe shtetërore. Kush nuk e kupton kështu politikën e jashtme, në rastin më të mirë është naiv, në rastin më të keq, u shërben jo interesave tona, por të të tjerëve.

Islam LAUKA

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 46 vizitorë
Lexuar: 349 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi