Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
NUSJA E PRARUAR
Publikuar më 17 janar, 2021 në orën 20:18 ( ) Prof. Bedri Tahiri | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Në prag të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës

“Na ishte njëherë një Nuse e Praruar, e cila, e ndryrë në kullën e fildishtë, me dekada e shekuj, priste e priste dorën e fatit e të trimit që t’ia hiqte vellon e nusërisë. Për të u sakrifikuan breza e breza luftëtarësh e dijetarësh shqiptarë, por kot. Ajo, nuk vinte se nuk vinte dot, por qëndronte e mbyllur, larg syve të njerëzisë, mu si shtojzovallet në lugjet e Krojeve të Bardha. Kurmi i saj hirplotë kishte çmim shumë të lartë dhe kundërmonte veç erë gjaku. Dhe, një ditë, nga kreshtat e Drenicës, u fanit një Gjarpër i guximshëm e i zhdërvjelltë, i cili, pas përpjekjesh të shumta arriti ta marrë NUSEN E PRARUAR…”
Bedri Tahiri me portretin e tij realizuar nga Gazmend Freitag! Vushtrri, Kosovë
Kështu do të nis rrëfimi, pas ca e ca motesh, për ngjarjen më të madhe të historisë sonë. Dhe, ata që rrëfejnë, veçan ata që dëgjojnë, do ta marrin si ndonjë tregim imagjinues, me përmasa përrallore a biblike. Mbase, edhe nuk kanë shumë faj, sepse ashtu vajti puna e kësaj nuseje të shumëpritur. Fati i saj nopran qe aq i ndërlikuar saqë vërtetë kaloi caqet e reales. Velloja e saj, nga vonesa e stërzgjatur, e humbi bardhësinë e zakonshme. Nga rreket e gjakut të lirisë ndërroi edhe ngjyrën, e tëra u bë e kuqe…

E diela e madhe e shtatëmbëdhjetë shkurtit të vitit dymijë e tetë gdhiu pa futur gjumë në sy. Dasma e madhërishme kishte nisur edhe më herët. Atmosfera e saj mahnitëse po e tundte në themel gjithë vendin e shqipeve. Madje, jehu i saj dëgjohej edhe tej e tej, deri në skajet e globit. Këtë ditë, bashkë me njerëzit, po festonin edhe fushat e malet, edhe katundet e qytetet, edhe kodrat e lugjet, edhe brinjat e gërxhet. As kënga e zogjve nuk kishte të ndalur. Ah, për zogjtë mos të lodhemi fare, ata ia thanë këngës edhe atëherë kur gjëmonin grykëhollat tona çlirimtare.

Po dielli ç’kishte vallë që po vendnumëronte?! Çapat e tij në horizont nuk dukeshin që po lëviznin fare. Rrezet e arta, sado që ndrinin fuqishëm, nuk arrinin dot ta zbusnin acarin, që si me shpatë, grinte pamëshirshëm. Sidoqoftë, acarziu veçse koritej atë ditë, sepse nuk mundej ta pengonte dot kremten e jashtëzakonshme. Ata që suksesshëm patën sfiduar betejat dhe përleshjet e përgjakshme, ku ndjenin për të ftohtët ?! Jo xhanëm, jo, zjarri i zemrave të tyre, ngjashëm me krateret e vullkaneve shpërthyese, shkrinte çdo gjë para vetes.

Hija fascionuese e NUSES SE PRARUAR kishte mbuluar gjithë vendin, ku bukës i thonë bukë e ujit ujë. Bukuria e saj mahnitëse ende fshihej nën duvakun e bukur të nusërisë. Në fytyrën e saj engjëllore vërehej një buzëqeshje e bëftë ëmbëlsie. Ajo po e priste dorën e dhëndrit që t’ia nxirrte në pah hirin dhe gjithë shkëlqimin e bukurisë marramendëse.

Dhe, ora e madhe e historisë po afronte!
Toka e qielli shëmbëllenin në fazën e hershme të krijimit të gjithësisë, kur Hyji, me kandil në dorë, zbriste shkallëve të parajsës.
Erdhi edhe pasdreka.
Ora pesëmbëdhjetë e pesëdhjetë minuta.
Një akordim melodik me kohën e zonjës së nderuar Amerikë.

Çasti më vendimtar për shqiptarët, madje edhe për mbarë njerëzimin po trokiste si një kambanore ogurmirë. Akrepat e orës shënonin pikën kulmore që ndante dy epoka: të djeshmen dhe të sotmen, errësirën dhe dritën, robërinë dhe lirinë, egërsinë dhe civilizimin, dhunën dhe paqen, injorancën dhe diturinë, tiraninë dhe demokracinë…
Në atë çast solemn e të papërsëritshëm, aty, në Sallën e Parlamentit, po ngjiste mrekullia!
Sakaq, Dhëndri e Nusja, ballë për ballë:

Mirë se erdhe Nuse!
Mirë se të gjeta Dhëndër!
Shumë u vonove, Nuse!
Pata pengesa, Dhëndër!
E di, e di, ama paksa tepër më duket!

– Ehe, rruga ime qe tepër e gjatë dhe e vështirë. Është një histori në vete që nuk ia gjen dot shoqen në botë. Sa e sa herë u bëra gati të zbres në tokën arbërore, sidomos në Drenicën tënde të panënshtruar, por dallgët e ndryshme më largonin që andej fluturimthi…
– Gjatë të pritëm, Nuse!
– Ashtu është, dhëndër. Të gjitha peripecitë i di dhe i kam ruajtur thellë në gjirin tim të përvëluar. Para një shekulli isha edhe më e bukur dhe më e disponuar se sa sot. Kur të parët tuaj, si dragonjtë me fleta, pas pesë shekujsh hoqën xëcin mynxyros, mundën kuçedrën e gjakosur aziatike, unë u stolisa mirë e mirë dhe hipur mbi kalë të bardhë u nisa drejt jush. Doja të zija vend mu në gjirmë të vatrave tuaja stërgjyshore. Mirëpo, barbarët e Karpateve, që duke u zvarritur zunë vend dhe gjalluan me thonj thepave të Shumadisë, u vërsulen këtej, duke ma prerë rrugën. Në Vlorë arrita e gjymtuar fare…Etërit, gjyshërit dhe stërgjyshërit tuaj kurrë nuk i lëshuan armët e lirisë nga dora. Luftuan, qëndruan dhe kurrë nuk u dorëzuan. Gjaku i tyre më ushqeu si ambrozi energjik dhe më mbajti gjallë e të freskët përherë. Çdo plagë që merrja, më forconte, më frymëzonte, më përtërinte…
– Më pastaj, nuk provove për të ardhur më?!
– Po, si jo! Bile, në fund të Luftës së Dytë Botërore, në Malësinë e Bujanit, njërën këmbë e pata vënë në tokë. Edhe atëbotë isha e gëzueshme dhe shumë e gatshme për t’ia marrë valles së përjetësisë. Por, ç’e do, të shkretën, dëbora e madhe mbytëse dhe acari i pamëshirshëm shkatërruan lulet e porsaçelura dhe unë mora arratinë…
– Na ke bërë naze, Nuse!
– Jo, Dhëndër! Unë kam pritur me padurim të shkel në shtëpinë tuaj të begatë e përplot trimëri, bujari e ndershmëri. Këmbëngulësia juaj për të më fituar mua, më bëri të ndjehem e fortë dhe që gjithmonë të shpresojë në Ditë të Bardhë.
– A ke dyshuar ndonjëherë në gjakimet tona ?
– Po, atëherë kur u përpoqën t’ju mashtrojnë me një nuse shtrigë, me një gungaçe, e cila, nuk ishte gjë tjetër veçse një hije e kamufluar me synime asimiluese. Për fat, djalëria juaj symprehtë nuk e hëngri sapunin për djathë. Ajo, pa hezituar fare, vazhdoi ecjen në rrugën e lavdisë, në rrugën e të parëve të vet dhe nuk reshtën duke më kërkuar mua.
– Më në fund erdhe, Nuse!
– Jo, Dhëndër, as kësaj here nuk erdha vetë, por ju erdhët e më morët. Unë, siç thashë, këtupari isha përherë, sepse, që nga ilirët e lashtë ushqehesha me gjakun tuaj. Mirëpo, lufta Juaj e fundit çlirimtare, gjaku i dëshmorëve të UÇK-së dhe sakrifica e mbarë popullit, fituan përkrahjen e arsyeshme të botës së civilizuar dhe kështu mu hap rruga e sigurt për në shtëpinë tuaj. Më erdhi mirë, që kësaj radhe, të gjithë folët me një gjuhë, të gjithë ishit të një mendjeje dhe të një synimi, andaj edhe më fituat mua. Edhe sot, në këtë ditë të shenjtë, u treguat të denjë më shumë së kurrë. Dasmorë të tillë; të sjellshëm, të matur, të kujdesshëm, të disiplinuar, nuk kishte parë bota më parë. Kjo tregon se jeni popull i lashtë dhe me traditë. Zaten, kjo nuk do shumë mend, kur ju e kishit shtetin tuaj, ILIRINË, madje edhe një mbretëreshë, Teutën, shumica e popujve përreth qëndronin maje degësh pemësh e lisash…
– Të lumtë goja Nuse! Të gjitha, sa i the, janë të vërteta. Sot, pas kaq e kaq vuajtjesh e përpjekjesh, pas gjithë atyre sakrificash mbinjerëzore, po e kurorëzojmë ëndrrën shumëshekullore të të gjithë brezave. Për Ty dhamë shumë, më shumë se kushdo tjetër, andaj kjo ditë do të mbetet Dita më e Madhe e historisë sonë…

Dhe, NUSES SË PRARUAR me emrin PAVARËSI, i shkëlqente kurora në kokë, në të cilën, me shkronja të argjendta ishin stolisur dy fjalë: REPUBLIKA E KOSOVËS!
Dasmorët mbajtën iso dhe duartrokitën fuqishëm.
Popullit i ngriu loti në qepallë. Ishte një lot i përzier dashurie, gëzimi, mallëngjimi, dhembshurie, krenarie…
Kënga dhe vallja e detyruan edhe hënën të lakmonte dhe të zbriste në logun e haresë së madhe…

PAVARËSIA

Nëpër mote, dekada e shekuj
Për trojet tona u flijuam
Dhe pemën e ujitur me gjak
Asnjëherë nuk e shijuam

Brezi brezit amanet
Gjakimet për LIRI
Luftërat dhe sakrificat
Të dhanë shpirt PAVARËSI

Sot erdhe me këmbë të mbarë
Oj Nuse me shumë prikë
Në ballë të shkëlqyeka madhërishëm:
K O S O V A R E P U B L I K Ë!


Nesim Spahiu dhe Bedri Tahiri me portretin e tij realizuar nga Gazmend Freitag! Vushtrri, Kosovë.
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Bedri Tahiri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 247 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi