Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
AZEM BEJTË GALICA ( PJESA - IV )
Publikuar më 08 korrik, 2009 në orën 18:58 ( ) Prof. Bedri Tahiri | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Në 85-vjetorin e betejës së fundit të Azem Bejtë Galicës

SHOTË GALICA KRYESON ÇETËN

Historia e popullit shqiptar është përplot data dhe ngjarje në të cilat, krahas burrave, morën pjesë edhe gratë shqiptare. Ato me forcën dhe fuqinë e vet, kur kërkohej mbrojtja e atdheut, nuk i përfillnin zakonet e vjetra dhe kanunet e mykura, por dilnin maleve, përkrah vëllait, burrit apo djalit dhe luftonin për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Pothuajse s’ka luftë a betejë që e kanë zhvilluar shqiptarët kundër armiqve të ndryshëm e ku të mos kenë marrë pjesë edhe ato.
Popujt më të vjetër të Ballkanit, ilirët dhe grekët e çmonin shumë gruan. Plaku i mençur Midani thoshte: “Aty ku mungon gruaja, asaj duhet bërë një shtatore prej druri”. Ndërsa të parët tanë, ilirët aq shumë e çmonin atë saqë qysh në shekullin II p.e.s. pranuan që në krye të shtetit të vëhet një femër, mbretëresha TEUTË.
Gjatë kohës së mesjetës raportet shoqërore ndaj gruas ndryshuan. Zakone dhe kanune të ndryshme rënduan mbi supet e saj. Rendi shoqëror feudal e detyronte gruan të mbante në duart e saj jo armën dhe parmendën, por djepin dhe furkën, pa të cilat ajo nuk mund të justifikonte praninë e saj në familjen e burrit.
Roli i gruas shqiptare do të vlerësohet drejt dhe do të çmohet lart gjatë Rilindjes Kombëtare. Kështu ideologu dhe shkrimtari ynë i njohur Sami Frashëri duke folur për gruan shkruante: “Lumturia e një kombi varet nga edukimi i femrës së tij”.

Shote Galica




Rilindësit shqiptarë, në përgjithësi e çmonin gruan. Ajo në veprat e tyre del e bukur si Helena, që ishte bërë shkak i luftës së Trojës, besnike si Penelopa, që aq vjet e priti Odiseun dhe inteligjente si Minevra, që aq zellshëm e ka ndihmuar Prometheun.
Pjesëmarrja e femrave tona në beteja tregon se luftërat tona kanë qenë të drejta dhe kanë pasur karakter mbrojtës e çlirimtar. Këtë e dëshmon edhe mendimi i Sami Frashërit: “Në cilën anë të luftës sheh se gratë kanë rrokur armët, mos dysho në të drejtën që ka ajo anë, sepse gruaja nuk i kap armët pa qenë gjendja e padurueshme”.
Gruaja dhe vajza shqiptare më parë e ka përqafuar vdekjen se sa turpin dhe robërinë. Ajo, kur është gjetur ngushtë dhe e pambrojtur, në pamundësi për t’u mbrojtur, me armë i ka dhënë fund jetës para se të bjerë në dorë të armikut. Këtë e dëshmojnë toponimet dhe emrat e shumë vendeve si: “Kuvendi i gocave” në Martanesh, “Shkëmbi i vajzës” në Vuthaj të Gucisë, etj., të cilat janë të lidhura me flijimet e vajzave të rrethuara nga turqit.
Pos vetëflijimit gruaja shqiptare u dallua edhe si luftëtare. Kështu qysh më 1639 kur Vuçi Pasha, bejlerbeu i Bosnjës e rrethoi Kelmendin dhe në dimrin e egër u mundua t’i gjunjëzojë kelmendasit, bija më e bukur e tyre NORA apo siç do të quhet më vonë Judita shqiptare, vendosi të sakrifikohet për vendin e vet. Ajo shkoi në tendën e beut dhe e theri me briskun që e kishte fshehur në gji. Rrugën e saj e vazhduan edhe shumë malësore të tjera. Tringë Smail Ivezaj (1780 - 1917) nga Gruda, që nga fëmijëria vishet si djalë (i ati Samil Martini nuk kishte djalë) 113dhe lufton trimërisht në betejat e Malësisë së Madhe. Përkrah saj shquhet edhe reja e Degë Gjon Lulit - Nore Kolja nga Hoti. E kësaj periudhe është edhe Bikë Alija nga Shtupeqi i Madh, e cila më 1909 i preu shtatë nizamë turq. Luftëtare të dalluara janë edhe: Mire Tërbaqja nga rrethi i Vlorës, Hasimja nga rrethi i Lipjanit, Hajria e cila e pret burrin nga Shkodra për vëllezërit e vrarë, Myslimja, Ajetja e Demë Ahmetit nga Mavriqi, etj.
Në mesin e gjithë këtyre fyrtyrave historike të grave dhe vajzave shqiptare, që u përmenden dhe atyre që nuk janë përmendur, qëndron si një mal me kurorë NUSJA E MALEVE, heroina e popullit, amazonja shqiptare Qerime Halil Radisheva, e skalitur në faqet e hisotrisë me emrin SHOTË GALICA (1895 - 1927). Ajo veçohet nga të tjerat se ishte edhe udhëheqëse luftarake dhe dymbëdhjetë vjet nuk e lëshoi pushkën nga dora. Krahasimi më i qëlluar është ai me Zhan D’Arkën franceze. Zhan d’Arka 17-vjeçare, kur Franca sulmohej prej anglezëve, i vesh rrobat e burrave dhe u prin francezëve në luftë, duke korrur fitore disa vjet me radhë. Kur burgoset, para gjyqit anglez, në pyetjen se çka e shtyri t’i marrë malet ajo u pëgjigj: Dashuria për Francën. Edhe Shota 19-vjeçare doli maleve e shtyrë nga një dashuri e vetme: Dashuria për Kosovën.
Fshati më verior i Drenicës së Kuqe, në kufi me Koloshinin, është Radisheva. Ky fshat ka bërë emër në historinë tonë kombëtare. Sa e sa herë është djegur dhe rrafshuar me tokë nga armiqtë e ndryshëm dhe prapë është gjallëruar. Ajo shtrihet në një luginë, përgjatë një lumi të kulluar që qetas rrjedh nga bjeshkët e larta.
Banorët e Radishevës janë njerëz të vyeshëm dhe të ndershëm. Bujaria dhe trimëria e tyre përmenden kudo. Pasuria e tyre kryesore është bjeshka që i rrethon, e pasur me drunj e kullosa.
Në kodrën mbi fshat, andej kah Runiku, jetonte Smajl Tahiri me djalin Sejdiun. Edhe Sejdiu e kishte një djalë, Halilin. Halil Sejdiu si gjithë moshatarët e vet u rrit në varfëri dhe skamje. Por nga të tjerët e dallonte një zgjuarësi dhe trimëri e veçantë. Babai e martoi me Salën, bijën e Mujës nga Klina e Poshtme. Këtyre dy bashkëshortëve u lindën shtatë fëmijë, gjashtë djem e një vajzë. Djemtë, secili më i zoti se tjetri, i pagëzuan me emrat: Nezir, Beqir (Beqë), Salih, Mehmet (Met), Mujë dhe Rexhep (Rexhë).
Vajzën e vetme e pagëzuan Qerime. Ishte e bukur si zanë mali. Babai e donte më shumë se djemtë. Gjithmonë e merrte me vete nëpër kuvende burrash dhe nga dashuria nuk e thërriste në emërin e vet, por e quante SHOTË. Ky emër përkëdhelës dalëngadalë do ta zëvendësojë emrin e saj të vërtetë dhe do të mbetet i shkruar me shkronja të arta në altarin e historisë sonë kombëtare. Kur u rrit pak nisi t’i bjerë çiftelisë dhe të këndojë këngë trimërie. Nuk kishte kuvend a gazmend që mbahej në Radishevë e rrethinë që nuk merrte pjesë edhe vajza me gërsheta të gjatë e me zërin e saj melodik që edhe gurët i bënte të lotojnë.
Familja e Halil Sejdisë është e njohur edhe për trimëri. Qysh më 1909-10 kur ushtria turke e dogji Radishevën, anëtarët e kësaj familjeje u dalluan për rezistencë. Edhe Shota e la çiftelinë dhe bashkë me vëllezërit dhe burrat e tjerë iu rrek maleve. Heronjtë e këngëve, që deri dje i kishte kënduar dhe heroizmi i burrave të Radishevës, e frymëzuan që edhe vetë të vepronte si ata. Nga ky moment e la çiftelinë dhe e rroku pushkën.
Që nga periudha e Skënderbeut familjet e trimave dhe dyert bujare kanë lidhur krushqi midis tyre. Ato, sado larg mes veti, i lidhnin shumë gjëra e mbi të gjitha lufta e përbashkët kundër armikut të përbashkët. Kështu edhe familja e Halil Sejdisë lidhi miqësi me familjen e Bejtë Galicës. Bejta ia dha vajzën Mihanën për djalin e madh - Nezirin. Kjo miqësi do të forcohet më shumë, më 1915, kur Shota martohet me djalin e Bejtës, Azemin.
Ç‘është e vërteta, Azemi dhe Shota ishin fejuar më parë, më 1912. Dashuria e tyre kishte filluar edhe më herët, kur Azemi djalosh shkonte në Radishevë dhe me ëndje dëgjonte këngët e bukura që i këndonte Shota me zë shtojzovalleje. Mirëpo ngjarjet rrodhën ndryshe. Azemi u burgos dhe u dërgua thelë në burgjet serbe deri më 1915. Shota besnike e priste të fejuarin.
Kaluan muaj e vite. Trimi po vuante në burgjet e Serbisë, ndërsa Vasha po e përgatiste pajën e nusërisë. Dhe, një ditë u thyen dyert e burgjeve, u vranë rojat, u kapiten malet dhe Trimi u gjend në Radishevë. Ishte fundi i vitit 1915. Azem Galica dhe Halil Sejdia u morën vesh me dy fjalë: Martesa e tyre të bëhej pa dasmë, pa bujë. Ishte kohë lufte dhe armiku priste te pragu i vatrave tona. Shota, shpejt e shpejt, u bë gati, lidhi gërshetat, e vuri plisin e bardhë në kokë dhe i hipi gjogut. Babai e rroku ngryk dhe ia dhuroi nagantin e vet (revole me mulli), duke i uruar jetë të gjatë e luftë të mbarë. Trimi dhe Vasha, hipur mbi kuaj e të përcjellë nga shokët besnikë u nisen për në Galicë.
Galica, edhe pse pa dasmë, u bëri pritje madhështore. Breshëritë e pushkëve çlirimtare e përshëndeten nusërinë e Shotës. Azemi u tha shokëve e bashkëfshatarëve: ”Çetës sonë iu shtua edhe një pushkë!”
Në emër të luftëtarëve u përgjigj më i moshuari:
“Mirë së na erdhe, o Nusja eTrimit, por ne do të të thërrasim NUSJA E MALEVE, se ti qenke burrë e shkuar burrit. Këto male do ta ruajnë hijeshinë tënde, se ti ua fale nusërinë atyre”. 112
Me këtë emër, Nusja e Maleve, do të thirret nga të gjithë. Edhe në krijimet e ndryshme poetike dhe në këngët që i kushtohet asaj do ta gjejmë me këtë emër. Poetesha kosovare, Dritë Azemi-Kelmendi, në poezinë “Nuse e panusëruar” pos tjerash shkruan:

A e mbanmend Qyqavicë plakë?
Nusen e Maleve mbi kalë
E bukur me plisin e bardhë,
A e mban mend Radishevë?
Bijën tënde syshpatë
A të kujtohet moj Galicë?
Nusja trime në Drenicë…

Muajt e parë të martesës, pak a shumë do të kalojnë pa luftime dhe trazime të mëdha. Pas një viti, më 1916, atye do t’u lind një djalë. E pagëzuan SADRI dhe të gjithë u gëzuan. E mori vesh Drenica dhe mbarë Kosova. Por, pas gjashtë muajsh, djali vdes. Ky ishte fëmija i parë dhe i fundit i Shotës. Fëmijë të saj do të bëhen jetimët e mbetur pas betejave, të cilët i donte shumë.
Në verën e vitit 1916 Shota u betua se kurrë nuk do t’i ndahet burrit në luftërat dhe betejat për liri dhe pavarësi të Trojeve Etnike Shqiptare. Dhe, që në betejën e parë, që u zhvillua në Galicë, të dy bashkëshortët vendosen ta marrin mbiemrin e përbashkët- GALICA. Me këtë mbiemër i gjejmë kudo. Ata edhe në biseda dhe krijime artistike përmenden të pandarë. Ashtu që në jetë, ashtu mbetën në zemrat tona. Poeti do të thotë:
Azemi - sokol djali
Burrë me Besë e Trimëri
Shota - Nuse Mali
Rreze mbi Arbëri.

Dalja e Shotë Galicës nëpër male, në fillim u prit keq dhe hasi në reagime të shumta. Ka pasur njerëz që janë larguar nga çeta për shkak të saj. Ajo ishte e vendosur në rrugën e saj të drejtë dhe e kishte përkrahjen e burrit e të familjes. Dalja në mal, e veshur si burrë, kishte rëndësi të dyfishtë: e luftonte armikun, që ua kishte marrë lirinë dhe, në anën tjetër i luftonte zakonet prapanike, të cilat femrën shqiptare e kishin robëruar dyfish.
Trimëria dhe heroizimi i saj shpejt ua mbyllën gojën atyre që flisnin dhe mendonin ndryshe. Ata që në fillim, ishin larguar nga çeta dhe kishin folur keq për te, ktheheshin të turpëruar dhe i kërkonin falje. Krahas burrit edhe emri i saj u bë tmerr për armiqtë. Heroizmi i saj u pa, posaçërisht, në vitin 1921, kur pa i treguar Azemit, e veshur si grua i hyn brenda në shtëpi naçallnikut të Mitrovicës dhe e nxjerr jashtë qytetit. Në Shipol e vret duke i thënë:

Naçallnik, he fytyrzi
Boll ke dalë shpi për shpi
Boll me gra ke ba mahi
Ke vra fëmi tuj pi n’gji
Tash po sheh grua me sy
e djeg veten të vret ty.
Rreptë po qet Shota allti
Duken n’tokë e ka shtri.

Shotë Galica nuk iu nda burrit deri në vdekje. Mori pjesë në çdo aksion e në çdo betejë. Nuk harrohet lufta e saj heroike në fshatin Obri, më 6 mars 1917 dhe kujdesi që tregoi për 6 muaj rresht derisa shërohet Azemi.
Krahas luftës me armë, Shota e çmonte edhe luftën me penë. Ajo thoshte: “Shtylla e kombit është shkolla në gjuhën e nënës”.116 Shoqërohej shumë me Igballe Prishtinën dhe librat që ua sillte Hasani nga mërgimi i shpërndanin në popull. Edhe vetë sa ishe në “Zonën Neutrale të Junikut” e kishte mësuar shkrim-leximin nga mësuesi patriot Nimon Ferizi. Nga natyra posedonte një virtyt të lartë, oratorinë. Fjala e saj peshonte në çdo kuvend. Shumëherë ndërhyrja e saj i ka penguar ngatërresat ndërvëllazërore, siç ka ndodhur me rastin e vrasjes së Beqir Vokshit dhe Zefit të Vogël. Disa herë ka kryesuar dhe ka pritur delegacione të ndryshme në bisedime. Gjuha e saj e ëmbël, kur e kërkonte puna, nxirrte edhe fjalë shpotitëse. Kështu, njëherë, kur Zenel Çaushi i Gradicës i pati thënë: “Gjynah âsht me bajtë grueja tesha t’burrave”, ajo ia kishte kthyer: “Edhe ti Zoti Çaush, kishe bâ ma sevap dhe ishe dok mâ i mirë me i pas vesh teshat e grave”.
Edhe ditën e 15 korrikut 1924, në Betejën e Galicës, ajo u shqua me trimërinë e saj. Pasi e ndihmoi burrin për ta çarë rrethmin i grumbulloi familjet e Galicës (gratë dhe fëmijët) dhe nëpër tym e flakë i përcolli jashtë rrethimit. Qëndrimi i saj burrëror shihet në takimin me xhandarët shqiptarë: Bajram Selacin dhe Kosum Gërdocin, të cilët pa të keq, interesohen për gratë e Azem Bejtë Galicës. Ajo, edhe pse e veshur si grua dhe nuk njihej, lajmërohet dhe i drejtohet turmës: “Oj motra, mos harroni, kur të kruhet lufta i tregoni Azemit se gratë e tij i kanë arrestuar Bajram Haliti nga Selaci dhe Kosum Gërdoci nga Llapi”. Ata të frikësuar i betohen se u intresuan për t’u ndihmuar që të dalin jashtë rrethimit. Vërtet ata u prinë, duke i çuar andej ku s’kishte ushtarë, deri në Kozhicë.
Edhe kur e gjen Azemin e plagosur, të shtrirë në vig, Shota mban qëndrim stoik dhe burrëror. Nuk ligështohet por i jep zemër atij dhe shokëve. Natë e ditë i qëndron te koka. Edhe kur i vdes burri në prehër ajo bëhet e fortë. Pasi i derdh dy pika loti, që nuk i përmbajti dot, u jep gajret shokëve dhe nuk i lejon të ligështohen e të hutohen. Vetë e udhëheq përgatitjen për ta lëshuar në shpellë. Me duar të veta, e ndihmuar nga shokët, e varros në thelëlsinë e tokës, për ta ruajtur sekretin dhe betohet se do ta vazhdojë luftën, në ballë të çetës, nën emrin e tij dhe thirrjen: “O, prite, prite, Azem Galicën!”. Pas varrimit do të kalojë në Shkodër, bashkë me trimat e mbetur gjallë nga çeta kreshnike dhe me disa fëmijë të mbetur jetima.
Me vrasjen e Azem Galicës pothuajse mori fund edhe Lëvizja Kaçake e Kosovës. Ato pak çeta të mbetura luftonin aty-këtu nën thirrjen e njohur “O, PRITE, PRITE, AZEM GALICEN!” Ende nuk dihej për vrasjen e tij. Ajo kishte mbetur enigmë, jo vetëm për armikun, por edhe për shumicën e popullsisë shqiptare. Armiku interesohej për ta marrë vesh vdekjen e tij. U paguan njerëz për të hulumtuar në terren. Pyetnin kudo dhe përgjigjet ishin të ndryshme: “disa po, disa jo, e disa nuk dimë gjë”. Edhe krimineli i njohur nga Istogu, çetniku Miliq Kërstiqi e kishte ndalur, kur po shkonte të bluajë në Istog Ajet Paliqin e Qubrelit dhe e kishte pyetur: “A u vra Azem Bejta?” Ky ia kishte kthyer: “Më shumë janë asi që po thonë nuk u vra se asi që u vra”.
Shotë Galica, pasi qëndroi disa ditë në Shkodër dhe pati takime me Hasn Prishtinën, Bajram Currin dhe anëtarët tjerë të Komitetit të Kosovës, u kthye në Kosovë për ta vazhduar rezistencën e armatosur kundër pushtuesve serbë. Për ta dërguar në vend amanetin e Azemit dhe për ta përfocuar bindjen se ai nuk ka vdekur, çeta e saj bashkë me çetën e Mehmet Delisë (Mehmetit të Vogël) e zhvillojnë një luftë të ashpër në Prekaz, në lagjen Mehaj. Aty i zënë ngushtë edhe vetë naçallniku i Deviçit ishte trishtuar dhe kur e shpëtoi kokën pohonte se me sy e kishte parë Azem Bejtë Galicën që e udhëheqte betejën. Këto fjalë patën efekt te armiku dhe ngjallën tmerr e panik.
Në muajin janar 1925 ajo me çetën e vet e ndihmoi Bajram Currin në bjeshkët e Dragobisë. Atje qëndroi deri në fillim të marsit, kur kthehet në Drenicë. Plaku i Maleve ngjitet në Majen e Hekurave dhe strehohet në Shpellën e Dragobisë. Më 29 mars 1925 forcat mercenare në krye me Kadri Mehmetin e likuidojnë këtë kreshnik (e vret veten me fishekun e fundit). Vrasja e Bajram Currit e demoralizoi Shotën, por nuk u ndal nga lufta për liri. Zëri i saj po dëgjohej kudo në Kosovë.
Pas shkatërrimit të “Zonës së lirë të Drenicës” qeveria serbe, me shumë me dredhi e pabesi, sesa me forcë e ushtri, po i likuidonte luftëtarët e çetave. Kështu në Kotorr u dërgua prifti Angjelko Neshiqi për bisedime dhe në besë u vra Xheladin Luboveci dhe Beqir Azemi. Po atë ditë, në Belicë, u vra trimi i Padalishtës Kamber Loshi. Kështu brenda 7-8 muajve u vranë shumë udhëheqës të çetave kaçake - kryengritëse.
Luftën e fundit Shotë Galica me çetën e vet e zhvilloi në Llaushë. Në vjeshtën e vitit 1926 shkon në këtë fshat. Sipas taktikës së Azemit edhe kjo çetën e ndan në dy grupe. Natën i hetojnë dhe i rrethojnë xhandarët. Në mëngjes fillon lufta. Dikur pas dite u vjen në ndihmë edhe ushtria me një top malor. Fillon betej e përgjakshme. Shota plagoset rëndë, por qëndron. U ndihmojnë edhe burrat e fshatit dhe dikur kah mbrëmja dalin jashtë rrethimit. Asaj rruge, pasi i mori disa fëmijë të shokëve të vrarë, niset për në Shqipëri. Po shkonte për të mos u kthyer më kurrë. Ishte kjo lmtumira e saj e fundit për Kosovën e dashur, për këtë tokë qëdymbëdhjetë vjet e mbrojti me pushkë në dorë.
Kur kaloi në Shqipëri, në fillim u vendos në Shullaz e më vonë në Derven të Fushë-Krujës, në një shtëpi përdhese. Me vete e kishte Allçin e Azemit dhe armët e tij që ia pati hequr kur e varrosën në shpellë. Aty pranë i mbante edhe disa fëmijë jetimë, për të cilët mezi siguronte bukë. Plaga e rëndë që e mori në betejën e Llaushës, mërzia për Kosovën e robëruar e të lënë në mjerim, dhembja për jetimët kosovarë, që po hiqnin të zitë e ullirit e dobësuan shumë. Gishtat e dorës së djathtë ia prenë mjekët se iu kishin ngrirë nëpër male duke e mbajtur pushkën. Ta shikoje këtë luaneshë të dikurshme qysh ishte tretur, të prekte në zemër. Ishte bërë asht e lëkurë dhe po përjetonte çaste të vështira. Mezi e siguronte kafshatën e bukës për vete dhe për jetimët që i rriste. Nga skamja u detyrua ta shes ëdhe pasurinë e fundit që e kishte, kalin e Azemit. Kalin e kishte qitur në treg Plaku i Çetës, Bekë Hyseni. Një kosovar e kishte njohur kalin dhe e kishte paguar dyfish duke thënë se do ta kthej në Kosovë. Edhe nipi i Azemit, Bejtushi (djali i Seferit) që gjatë sundimit nolian e kishte regjistruar në shkollë, në Tiranë, një kohë i sëmurë nga malarja qëndroi te Shota (edhe ai ka vdekur pak pas saj).
Në gjendje mjeruese jetonin të gjithë kosovarët. Ata detyroheshin të punonin gjithëfarë punësh të rënda për të jetuar. Dy vëllezërit e Shotës nuk kishin mundësi t’i ndihmonin motrës asgjë, se edhe vetë jetonin për gazep. Edhe ata, Mehmeti dhe Salihu, i mbanin nga dy-tre fëmijë jetimë.
Më 14 dhjetor 1926 ajo u drejtohet organeve qeveritare ku u shkruante: “Unë jam shoqja e Azem Galicës nga Kosova. Gjendem në katundin Shullaz të Krujës. Ndodhem me katër jetima e jam tue vdek nga uria”.
Ahmet Zogu, jo që nuk i ndihmoi, por vendosi që të t’i hakmerret. Ai Azemin e kishte pas dënuar me vdekje, në mungesë. Tash i erdhi rasti të hakmerret në gruan e tij të sëmurë. U përpoq ta gjejë ndonjë mjek që do ta helmonte në spital ku ishte shtrirë për t’u shëruar. Një ditë jetimët kosovarë i grumbulluan pak lekë dhe pa e pyetur askënd i kërcyen telat e jetimores dhe shkuan ta vizitojnë “nënën e tyre” - SHOTËN. Ata e lajmëruan për qëllimin e Zogut. Atëherë Shota e lënduar në shpirt dhe e dërrmuar fizikisht e braktisi spitalin e Tiranës.
Ditët e fundit të jetës i kaloi në Derven, në atë shtëpinë e vogël përdhese. Ishte lodhur dhe dobësuar shumë. Kishte mbetur kockë e lëkurë.
Më 10 korrik 1927, në moshën 32-vjeçare, në gjendje të mjerueshme, i mbyll sytë njëherë e përgjithmonë heroina shqiptare Shotë Galica. Kur po jepte shpirt, te koka i qëndronin: fëmijët jetimë që ajo i kishte mbajtur, e që në heshtje po qanin, dy vëllezërit e saj dhe disa kosovarë të tjerë.
Varrimi i saj nuk u bë në heshtje, siç dëshironte qeveria e Ahmet Zogut. Në përcjelljen e saj të fundit erdhën shumë njerëz nga rrethe të ndryshme. Sipas porosisë së saj varrimi u bë në Fushë-Krujë.
Në vitin 1962, Shteti Shqiptar ia ngriti lapidarin në Fushë-Krujë duke e nderuar edhe me titullin e lartë HEROINË E POPULLIT. Kjo ngjarje, pos tjerash u përcoll edhe nga kënga jonë. Kështu rapsodi i njohur kosovar, që jetonte në Shqipëri Dervish Shaqa - Muça ia kushtoi një këngë, ku pos tjerash thuhet:

Mblidhen burrat n’log t’kuvendit
E po i pysin bjeshkët e Kelmendit
- Ku është Shota e Azemi?
Ushtuan malet larg u ndienë
Në Shqipëri është heroinë.
Këndon Kosova, këndon Drenica
Heroinë Shotë Galica
Shqipe mali me dy fletë
Dymbëdhjetë vjet luftoi në çetë...

Një tjetër përmendore i është ngritur edhe në qytetin e Kukësit, punuar nga skulptori i njohur Kristaq Rama.

Shote Galica në Kukës



Edhe në Kosovën martire kujtimi për këtë heroinë nuk u shua kurrë. Emrin e saj e mbajnë shumë shkolla, rrugë e institucione kosovare. Në oborrin e shkollës fillore të Obrisë, e cila që nga viti 1968 e mban emrin “Shotë Galica”, qëndron krenar busti i kësaj heroine, i punuar nga skulptori i njohur Aziz Islami nga fshati Murgë. Ekzistojnë shumë këngë e hartime letrare për të. Shkrimtari i njohur drenicar, Mehmet Kajtazi, më 1995 botoi romanin historiko- letrar “Shotë Galica”.
Më 1997, në 70-vjetorin e vdekjes së saj, Instituti i Historisë së Kosovës, në Prishtinë, organizoi Sesionin Shkencor me titull; ”Shotë Galica- Heroinë e Kombit”, ku u lexuan shtatëmbëdhjetë kumtesa, të cilat, në vitin 2003 edhe u botuan në një vëllim të veçantë.
Por, edhe sot e kësaj dite, urimi më i dashur që u bëhet vajzave kosovare është t’u thuash “U BËFSH SI SHOTË GALICA!”

AZEMINE BEJTA - PINJOLL I FUNDIT I FAMILJES QË U SHKRI PËR KOSOVËN

Njerëzit e mençur nëpër odat tona shpesh e kanë përsëritur mendimin se “Trimat nuk është mirë të lënë djem”. Ata e thoshin këtë duke i pasur parasysh dy gjëra: e para, shumë herë ka ndodhur që djemtë e trimave të dalin të këqij dhe t’i përdhosin veprat famëmëdha të etërve të vet, siç tregon edhe thënia e moçme shqiptare “Prej Skënderit del beteri” dhe dyta, kohët ndryshojnë e njerëzit prej tyre kërkojnë edhe të pamundëren, ata që nuk mund të realizohet. Të dyja këto raste i ka provuar historia. Mirëpo është interesant se shumica e trimave shqiptarë s’kanë lënë djem fare.
Edhe kryetrimi i Kosovës, Azem Bejtë Galica, nuk la djalë. Dy i pati, Sadriun me Shotën, në vitin 1916 dhe Ademin me Zojën, në vitin 1923, por nuk i jetuan më tepër se nga gjashtë muaj. Si gjithë njerëzit, edhe ai e dëshironte një trashëgimtar, jo për pallate e pasuri, por për pushkë e trimëri. E dëshironte një djalë që ta vazhdonte luftën për çlirimin e tokave shqiptare që ende po vuanin nën thundrat e okupatorit serb. Ai, para se të vdiste disa herë e kishte shqiptuar fjalinë: “Edhe një mijë vjet po të jetoja, për lirinë e Kosovës do të luftoja!” Këtë dëshirë e pati edhe mbarë populli shqiptar. Këngëtari këtë dëshirë e shprehu me vargje:

Azem Bejta trim i rrallë
kurr s’iu tremb syri atij,
të kish lanë bile një djalë
at vend të vetin me e përtri.

Ai, një javë para se të ndërronte jetë, emrin e vet e la peng për fëmijën që do të lindte, për pinjollin e fundit të gjakut të vet. Në Qyqavicën legjendare, te Kroi i Ftohtë, ku dikur moti freskoheshin Zanat e Malit, u pagëzua fëmija ende i palindur. AZEM - po qe djalë, AZEMINE - po qe vajzë. Tok me emrin e la edhe qelibarin, që edhe sot jetojnë bashkë, të pandarë, si dëshmitarë besnikë të një ideali të pashuar e plot optimizëm.
Fati e deshi dhe Zoja lindi vajzë. Emrin e kishte të gatshëm - Azemine. Edhe qelibarin ia vunë në djep, bashkë me emrin. Ishte gushti i vitit 1924. U lind, jo në shtratin e butë të lehonisë, por në dushqet e maleve të Drenicës, në Shkozë të Vërbocit. Ajo erdhi në këtë botë vetëm pak ditë pasi babai i saj ishte varrosur në fundin e errët të shpellës enigmatike “Çuku që kërset”.
Në të vërtetë, kur Azemin e plagosur e nisën për në Shqipëri, deri diku me ta shkuan edhe dy gratë e tij, Zoja dhe Hata. Në malin e quajtur Shkoza e Vërbocit u ndalën për të pushtuar. Zoja shtatzënë ishte lodhur shumë. Azemi urdhëroi që ajo mos të vazhdojë më tutje por të ndalet aty, në shtëpinë e Zenë Hajrës (i ardhur nga Gllareva në Vërboc) që ishte e vetmja pranë malit...
Zoja me vajzën e vogël, Azeminën, dy-tri vjet i kaloi në fshehtësinë më të madhe, duke jetuar sa këtu sa atje, pa pasur vend të caktuar. Pushteti ende ishte në kërkim të Azemit dhe të familjes së tij. Nuk ishin të sigurt për vdekjen e tij. Në Përçevë e kishin hapur “varrin” e tij, që shokët e patën improvizuar për ta mashtruar armikun (ide e Mehmet Konjuhit), por nuk kishin gjetur asgjë brenda dhe shërbëtorin që i kishte informuar e kishin çmendur, duke e rrahur me dru. Kjo e shtoi dyshimin se ai është gjallë. Edhe banorët e “Arbërisë së Vogël” ende nuk ishin kthyer në vatrat e tyre të djegura. Ata jetonin ndër shokë e ndër miq.
Më 1927 u ringjall jeta në fshatrat e djegura. Ata që i kishin shpëtuar masakrës u kthyen në trojet e veta. Hashimi i Bahtirit me nënën e Abdylit (Fatën) shkojnë e marrin vajzën e Azemit dhe e sjellin në Galicë. Ajo vendoset në shtëpinë e Hashimit dhe rritet me nënën Ajshe, siç e quante ajo nënën e Hashimit.
Në vitin 1943, në moshën 19-vjeçare, Azeminja martohet në Llaushë, me Sefer Haxhinë. U bë dasmë e madhe. Erdhën mbi 300 krushq për ta marrë nusen, në mesin e tyre edhe Mehmet Gradica. Më 1945 kur u bë ploja me Drenicë, ia likuiduan burrin. Kjo nuse e re e pa fëmijë, rimartohet në Klinë të Poshtme me Alush Bilallin. Prej vitit 1989, kuri vdes edhe burri i dytë, meqë nuk pati fëmijë, jeton në Galicë, te djemtë e Hashimit, aty ku është rritur. I gjithë fshati e do dhe e nderon. Të gjithë e thërrasin Dada Azemine. Edhe ajo i respekton të gjithë dhe i konsideron vëllezër e motra.
Azeminja gjithmonë është nderuar dhe respektuar. Më 1971 kur u nxorën eshtrat e Azem Bejtë Galicës, ajo vendosi për rivarrimin e tyre. “Dëshira ime - tha ajo - është që eshtrat e babait të pushojnë aty ku e bëri luftën e fundit, te themelet e kullës, që më 1924 u përballoi topave të kralit serb”. Edhe pse ai vend, trualli rreth kullës, ishte bërë pronë e tjetërkujt (e Hajriz Halitit) dëshira e saj u plotësua pa pengesa. Aty u bë rivarrimi. Edhe në manifestimet e tjera kushtuar këtij heroi si në zbulimin e bustit në Prekaz (1974), në Dubovc (1990), ajo ishte në krye të vendit.
Edhe më 25 korrik 1989, kur u bë zbulimi i obeliskut në Galicë dhe u mbajt tubimi i madh popullor, ajo ishte tok me turmën që e përfaqësonte mbarë Kosovën. Ajo, sa e gëzuar, aq edhe e mallëngjyer thoshte: “Më kurrë nuk them se jam e vetme dhe babai nuk më ka lënë vëllezër. Gjithë këta njerëz: burra e gra, të rinj e të reja, janë fëmijët e babës dhe vëllezërit e motrat e mia. Të gjithë kanë ardhur ta përgëzojnë përmendorën e babës dhe të tregojnë se kurrë nuk e harrojnë. Kurrë s’kam qenë më e lumtur se sot kur tërë Kosovën po e shoh në Galicë”.

Azeminja-vajza e vetme e Azem Galicës


Tash i ka mbushur 70 vjet. Ende është e fortë dhe vitale. Një ditë, në shenjë përkujtimi për 70-vjetorin e luftës heroike të Azem Bejtë Galicës dhe Epopenë e Arbërisë së Vogël si dhe 70-vjetorin e lindjes së saj, shkuam dhe biseduam me të. I erdhi mirë që e shtruam këtë temë. Pasi e ndezi një cigare, kaherë e pinte duhanin, e nisi rrëfimin:
-“Babain nuk e njoha - vëllai im - se vdiq para se të lindesha unë. Ai ma la emrin. U rrita fshehurazi, pa e gëzuar fëmijërinë. U rrita me nënën Ajshe, të cilën për çdo mbrëmje kur shkonim për të fjetur, e lodhja me pyetje rreth familjes sime. Sa isha e vogël ajo m’i fshehte gjërat. Kur i mbusha 10 vjet vendosi të më tregojë për të gjitha. Një pasdarke, kur shkuam në dhomën e fjetjes, ajo m’u drejtua mekëto fjalë:
“Dëgjo me kujdes, bija ime. Si gjithë njerëzit edhe ti ke pasur familje. Familja jote u shkri për lirinë e Kosovës. Nga dera juaj dolën trima që nuk e duronin të huajin të votra dhe nuk pajtoheshin me robërinë. Të gjithë ranë për atdhe. Babëgjyshi yt, BEJTA, u vra në Deviç më 1907, në luftë kundër turqve osmanlinj. Dy mixhallarët e mëdhenj, Seferin dhe Zenelin, t’i pushkatuan austrohungarezët më 1917 në malin Gamna, afër Mikushnicës. I treti, Ademi, vdiq në Gradicë, pas plagëve që i mori në betejën e përgjakshme që e zhvilluan më 1917 kundër forcave bullgare në fshatin Obri. Gjyshën Sherife me bija e mbesa t’i pushkatuan serbët në malet e Dubovcit, më 1920. Babai yt mbi 12 vjet u priu çetave kaçake - çlirimtare të Kosovës. U detyruan ta rrethojnë me ushtri e me topa. Luftuan gjithë ditën dhe u plagosën. Vdiq pas disa ditësh, pak para se të lindëshe ti. Emrin ta la bashkë me qelibarin. Tash flej bija ime dhe nderoje emrin që e mban, i cili çdoherë do t’u ngjallë frikë armiqve”.
…Kështu e pata mësuar për herë të parë historinë e familjes sime. Më vonë këtë histori e dëgjova kudo në trojet shqiptare” - e përfundon rrëfiminj Azeminja.
Dhe ne u ndamë të kënaqur nga ky përkujtim historik duke i uruar shëndet dhe jetë të gjatë sa malet tona…
Dada Azemine, siç e thërrisnim të gjithë, e përjetoi edhe luftën e lavdishme të UÇK-së. Hoqi mjaft e shkreta, sepse nuk kishte kurrfarë dokumenti, nuk kishte qenë fare e regjistruar. Ditën që u kthyua në Galicë e takova në rrugë. Më përqafi fort dhe e përmalluar mezi më tha: “ Edhe të shkatërruar e të bërë hi e pluhutr, kur e shoh Galicën time se si më ripërtërihet fuqia. E gëzofshi LIRINË!
Pra, ajo e priti lirinë, por e gëzoi fare pak.
Një ditë, më 2 gusht 1999, na e la lamtumirën. E varrosem pranë të atit, Azem Galica, ku, sigurisht, do të prehet e qetë!

Në nderim të Azem e Shote Galicës

Historia na mëson se, zakonisht, të gjitha punët e mëdha fillin e kanë në një pikë fare të vockël. Kështu ngjau edhe me rastin e përkujtimit të heronjve tanë të mëdhenj Azem e Shotë Galica. Ata, vite me radhë, nga regjimet e huaja okupuese e ato antipopullore, ishin menjanuar e anatemuar mu si heretikët e Mesjetës, por madhështia e të bëmave të tyre sfidoi të gjitha prapësitë e kohës zezonë dhe triumfoi suksesshëm.
Dhe, paskëtaj, sërish, çdo gjë nisi aty ku duhej, aty ku ata dy bashkëluftëtarë dhe bashkëshortë, lidhën fatin e jetës e të luftës, aty ku u nanurisen me këngë trimërie e aty ku, për herë të fundit, më15 korrik 1924, thurën Epopenë e lavdisë, pra në Galicën trime të Drenicës heroike.
Fillimviti 2003. Posa u rikëmbem pakëz nga shkatërrimet e luftës së fundit, Pllaka e Azem Galicës, e thyer copë- copë nga demonët karpatianë, të cilën e kishim bërë me mjete vetanake e me plot rreziqe që para luftës, për çdo ditë po na i vriste sytë e po na i cyste mendjet. Një ditë, pikërisht më 10. 09. 2003, u tubuam nën Lisin trenjakë dhe kuvenduam shtruar për të bërë diç të mirë në 80-vjetorin e Epopesë së Arbërisë së Vogël. Në atë tubim formuan Këshillin nismëtar në Galicë. Edhe Vushtrri na kuptuan drejt dhe pa humbur kohë, më 19. 11. 2003, me përkrahjen e pakursyer të drejtorit të DAKS-it, dr. Zenun Gjicaj, formuan edhe Këshillin Komunal me këtë përbërje:

1. Bedri Tahiri,
2. Zenun Gjocaj,
3. Sabit Kadriu,
4. Melihate Basholli,
5. Remzije Zekolli,
6. Miran Halili,
7. Izet Miftari,
8. Ahmet Shuku,
9. Esret Uka
10. Avdullah Mulaku dhe
11. Azem Bekë Hyseni.

Mirëpo, që të ecte puna edhe më mirë, Këshilli, kohë pas kohe, u përtëri, duke inkorporuar brenda vetes njerëz të dijes, të vullnetit të mirë, të kulturës, të niveleve më të larta. Fillimisht, Këshilli doli me kërkesat drejtuar KK të Vushtrrisë:
1. Ndërtimi i Kompleksit Përkujtimor “Azem e Shotë Galica” në Galicë,
2. Shënimi i 80- vjetorit të betejës së Arbërisë së Vogël,
3. Oraganizimi i një Akademie Përkujtimore në Vushtrri

Në ndërkohë, ky Këshill, krahas plotësimit me njerëz (janë të shumtë ata që na ndihmuan kohë pas kohe, por dr. Liman Rushiti nuk na u nda kurrë), i zgjeroi edhe kërkesat. Prej tyre dy ishin kryesore:
1. Bartja e eshtrave të Shotë Galicës nga Fushë- Kruja dhe rivarrrosja e tyre në Galicë, pranë bashkëluftëtarit dhe bashkëshortit Azem Galica dhe
2. Organizimi i një Simpoziumi Shkencor në Prishtinë.

Dhe, derisa, shumica e atyre që i planifikuam u realizuan ashtu siç i kishim paraparë:
- U rregullua ambienti i Kompleksit,
- U bënë dy varrezat e kryeheronjve, madje edhe varri Shotës, i cili mbeti si një kenataf bashkëkohor,
- U rregullua varri i përbashkët dhe Pllaka me emrat e të gjitha të rënëve në atë betejë,
- U bë rrethoja e Kompleksit etj.
Kjo e fundit, bartja e eshtrave të heroinës Shotë Galica, sot e atë ditë ngeli ënder e parealizuar, e që ka një histori të gjatë e të çuditshme.
Siç theksuam në fillim, krahas Këshillit të Përgjithshëm, u formuan edhe Komisione të posaçme për punë të caktuara. Kështu për Zhvarrosjen dhe rivarrosjen e eshtrave të Shotë Galicës u formua një Këshill që në muajin mars 2003, i cili kishte këtë përbërje:
1. Bedri Tahiri
2. Dr. Liman Rushiti,
3. Dr. Zenun Gjiocaj,
4. Sabit Kadriu,
5. Remzije Zekolli

Këtë aktivitet e nisem përmes Zyrës së Shqipërisë, gjegjësisht përmes shefit të Misionit, z. Bashkim Rama dhe shefit për kulturë, z. Ahmet Lala. Aty ishim me dhjetëra herë, ku lamë kërkesa më shkrim dhe morem premtime të mëdha, por pa rezultate konkrete.
Grupit tona iu kanë bashkëngjitur edhe shumë të tjerë, si: Muharrem Shabani, kryetari i Vushtrrisë, Sefer Pasha, oficer i lartë nga Tirana etj. Ky process zu të pengohej e po pengohet ende edhe sot, në forma të ndryshme, sa këtu, në Kosovë, sa atje, në Fushë- Krujë, nga individë që hiqën sit ë afërm të heroinës Shotë!!!
Kërkesat e Këshillit të përhershëm: Dr. Liman Ruashiti, Berdi Tahiri dhe Dr. Zenun Gjocaj, mbushnin arkivin. Pos Zyrës së Shqipërisë në Prishtinë, ku ishim shumë herë, ato ua parashtruam edhe:
- Kryeministrit Bajram Rexhepi (15. 01. 2004),
- Ministrisë së Kulturës, Sportit dhe Rinisë, Prishtinë (15. 01. 2004),
- Ministrit Jakup Krasniqi (5 maj 2004),
- Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë (30. 04. 2004),
- Ministrisë së Kulturës në Prishtinë (4. 05. 2004),
- Ministrisë së Shërbimeve Publikë në Prishtinë (4. 05. 2005),
- Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë (20. 05. 2005),
-Komisionit për zhvarrosjen e eshtrave dhe lapidarëve të dëshmorëve dhe heronjve të kombit (20. 05. 2005),
- Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Alfred Moisiut ( 15. 06. 2005),
- Kryeministrit të Kosovës z. Bajram Kosumi (28.06. 2005) etj.
Këmbëngulësisë sonë të drejtë e plotësisht të arsyeshme, iu bashkangjitën edhe Poeteshat Shqiptare nga të gjitha trojet tona, të cilat, më 6 qershor 2008, ishin në Galicë dhe, kur panë varrin e zbrazët të dadës Shotë, hartuan dhe nënshkruan një Peticion, drejtuar Institucioneve më të larta shtetërore të Kosovës dhe të Shqipërisë, me të vetmen kërkesë: Lejimin e bartjes së eshtrave të heroinës Shotë Galica nga Fushë- Kruja dhe rivarrimin e tyre në Galicë, pranë bashkëshortit dhe bashkëluftëtarit Azem Galica!
E njëjta kërkesë, më 10. 07. 2008 (01 Nr. 406/08) është aprovuar edhe në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë dhe e nënshkruar nga kryetari z. Bajram Mulaku u është dërguar: z. Fatmir Sejdiu, President i Kosovës, z. Jakup Krasniqi, Kryetar i Paralamentit të Kosovës dhe z. Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës.
Pra, tashmë, problemi është shtruar në nivele dhe rrugë institucionale, andaj presim dhe shpresojmë që të përfundojë ashtu siç duhet e siç meriton, duke i bashkuar këta dy shpirtëra luftëtarësh e bashkëshortësh, bashkim ky që nënkupton bashkimin tonë moral e kombëtar!

* * *
Të nderuar dhe shumë të respektuar lexues!
Më 14 korrik 2004, në 80-Vjetorin e Betejës së Galicës nën udhëheqjen e Azem Bejtë Galicës dhe të heroinës Shotë Galica, Këshilli i lartëshënuar, në bashkëpunim me KK të Vushtrrisë, organizoi Simpoziumin shkencor kushtuar kësaj ngjarjeje historike dhe kryetrimit Azem Bejtë Galica, të cilin ia besoi Institutit të Historisë. Në Simpozium u lexuan 22 kumtesa nga referues të ndryshëm shkencorë nga Kosova, nga Shqipëria dhe nga Maqedonia.
Më 15 korrik 2004, ditën kur u zhvillua beteja para 80 vjetësh, u mbajt Tubim popullor në Galicë, ku morën pjesë mijëra qytetarë nga mbarë trojet shqiptare. Në Manifestim ishin të pranishëm edhe strukturat politike e ushtarake të vendit, përfaqësuesit e Zyrës së Shqipërisë, në krye me Bashkim Ramën, profesorë e akademikë nga dy Institutet tona, studiues nga Maqedonia etj. Në foltore dolën Bedri Tahiri, i cili e lexoi edhe referatin kryesor, z. Hashim Thaçi, z. Bashkim Rama (ky premtoi se shumë shpejt eshtrat e Shotë Galicës do të kthehen në Galicë), z. Hajriz Demaku, bashkëluftëtari i Shaban Palluzhës etj.
Në këtë rast u bë edhe përurimi i fazës së parë të Kompleksit “Azem e Shotë Galica”, ku u zbuluan dy vepra monumentale: Varret dhe Pllaka e Azem e Shotë Galicës (Hashim Thaçi, Muharrem Shabani, Bedri Tahiri dhe Abdyl Krasniqi) si dhe Varri masiv me Pllakën përkujtimore ku janë skalitur emrat e të gjithë të rënëve të asaj beteje (Dr. Liman Rushiti, Ramadan Gashi, Azem Hyseni dhe Bashkim Rama).
Në fund, në lokalet e shkollës fillore “Azem Bejta” në Gjytet u shtrua një drake për mysafirët.
Pasdreke, në orën 17, në sallën e Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri u mbajt Akademi Përkujtimore, ku, pas fjalës së drejtorit të Institutit, dr. Jusuf Bajraktari dhe fjlaës përmbyllëse të dr. Zenun Gjocajt, për herë të parë u paraqitën gjësende personale të Azem Galicës (Ora e xhepit, qelibari dhe mulliri i kafesë).
Mirëpo, paskëtaj sikur gjërat morën në thua. Edhe pse kaluan plot pesë vjet, ato materiale nuk e panë dritën.
Në mungesë të mjeteve materiale, Institituti i Historisë nukarriti t’I botoj ato kumtesa.
Ne, Këshilli nismëtar, që ishim të interesuar t’i shihnim të botuara këto materiale, nuk na mbeti tjetër veçse të kërkonim ndihmë nga donatorë të mundshëm. Duke e ditur vlerën e këtyre punimeve dhe rolin e madh historik të kryekomandantit të Çetave Kaçake Çlirimtare, Azem Bejtë Galicës, formuam Këshillin redaktues (Liman Rushiti, Zenun Gjocaj, Bedri Tahiri ) dhe, pasi i shoshitëm të gjitha mundësitë, u përcaktuam që t’i drejtohemi PTK-së, gjegjësisht Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, Prof. Dr. Shyqyri Haxhës. Ai, me stafin e tij drejtues, na kuptoi drejt dhe, pa u hamendur, na e shtriu dorën, në mënyrë që ky libër i rëndësishëm të mos mbetet nën pluhurin e harresës, por, sa më pare, të arrijë në duart e lexuesve .
Ata gjykuan me logjikën e shëndoshë se Azem Galica dhe heronjtë e tjerë meritojnë edhe më shumë, andaj me këtë sponzorim nderuan gjakun e lirisë, nderuan historinë, nderuan dëshmorët.
Edhe ne, në emër të referuesve, në emër të lexuesve dhe në emër atyre që fituan pavdekësinë i falënderojmë nga zemra për një gjest të tillë njerëzor e kombëtar!
Sivjet, në 85-Vjetroin e Epopesë së Arbërisë së Vogël, pra më 15 korrik 2009, parashohim shumë realizime:
1. Më 26 mars 2009 Liman Rushiti dhe Bedri Tahiri i kanë bërë propozim Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës, gjegjësisht Kryeministrit z. Hashim Thaçi dhe Presidentit z. Fatmir Sejdiu, që më 15 korrik 2009 të shpallen Hero të Kombit Azem e Shote Galica.
2. Të përurohet libri “Azem Bejtë Galica”, ku janë përfshirë kumetesat e lexuara në Simpoziumin kushtuar këtyre dy kryeheronjve, organizuar nga Instituti i Prishtinës, botimin e të cilit e mundësoi PTK-ja.
3. Të vëhet gurëthemeli i Kullës- Kala në Galicë, ku këta dy bashkëshortë e bashkëluftëtarë thuren Epopenë e Lavdisë.
4. Të bëhët prezantimi i sekuencave të para nga filmi artistik “Azem Bejtë Galica” i regjisorit Halil Budakova, bazuar në monografinë “Azem Bejtë Galica” të Bedri Tahirit.
5. Të sjellen eshtrat e heroinës Shote Galica nga Fushë- Kruja dhe të rivarrosen në Galicë…

Kompleksi "Azem e Shote Galica" në Galicë (2004)


Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Bedri Tahiri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 112 vizitorë
Lexuar: 15,473 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi