Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
VIZIONI REAKSIONAR I NJË ANALISTI PACIFISTO - RUGOVIST!
Publikuar më 31 tetor, 2009 në orën 01:53 ( ) Fadil Shyti | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
TANI KY, NEXHEMDIN SPAHIU, PO KANDIDON PËR KRYETAR TË MITROVICËS, - ËSHTË "LARGPAMËS", DO TË DËSHIROJA TË RIBOTOHET KY SHKRIM, ME PYETJEN: A MBROHET KËSHTU KOMBI SHQIPTAR, DUKE E NDARË NË COPA-COPA SIPAS OREKSEVE TË PUSHTUESVE SERBOMËDHENJ?! Autori‏
Duke shfletuar librin e Nexhmedin Spahiut "Drejt kombit kosovar", lexuesi aty do të gjejë "zbulime epokale", që jo rrallë i ka lexuar e dëgjuar nga elaboratet famëkeqe të kishës dhe të shkencës historike serbomadhe, në raport me kombin shqiptar.

Vet titulli i librit paralajmëron që "analisti i famshëm", paska marrë mundimin që prej një kombi shqiptar siç ekziston në shekuj, t´i bëjë dy kombe, por siç e shkruan edhe vet pa dorashka, këtë do ta arrijë me ndihmën e pushtuesve, sigurisht dje të okupatorëve serbo-malazezë e maqedon, ndërsa sot me pushtimin e Kosovës nga ushtritë e NATO-s.

Nga kjo objektivë "vizionare" analisti po del hapur me qëndrimin se robëria paska qenë fatlume për shqiptarët, sepse si burim i saj tani i kemi mundësitë që nga një komb sa ishim, tani të bëhemi dy, ose "në dhashtë Zoti e me na prirë fati"- që kjo robëri të zgjatet më tej, shikuar nga kjo optikë "shkencore", ne do t´mundemi të bëhemi tri e më shumë kombe, kuptohet për aq sa jemi të copëtuar nga shtetet fqinje të Ballkanit, po aq kombe do të krijojmë!!!

Ide tragjikomike e vizionarit reaksionar rugovist, apo jo?!...

Autori i këtij libri, që s´ka redaktor as lektor, vetëm tregon vendin e botimit dhe vitin; Mitrovicë, 2004.
Në librin "Drejt Kombit Kosovar" - siç thotë autori, " kam përmbledhur në rend gadi kronologjik disa analiza dhe komentet e mia politike të botuara në shtypin shqiptar e të huaj në periudhën Maj 1999- Korrik 2004,

analizat dhe komentet politike shprehin shqetësimet e mia për rrjedhat politike në Kosovë dhe përpjekjet e mia për të kontribuar drejt një vizioni kombëtar, libri u kushtohet njerëzve të vizionit dhe të sakrificës, veprat e të cilëve përbëjnë themelet e Kombit Kosovar".

Secili ka të drejtë t´i shprehë pikëpamjet e veta mbi të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e kombit tonë, por në emër të kësaj lirie demokratike, sot po bëhen shkelje flagrante jo vetëm mbi të gjallët por edhe mbi dëshmorët e kombit tonë.

Dëshmorët tanë nuk ranë si vizionarë të Kombit Kosovar, ata ranë si vizionarë të Kombit Shqiptar.

Asnjëherë, në historinë e kombit tonë, ne nuk i kemi ndarë heronjtë në heronj kosovarë e në heronj vlonjatë, në heronj dibranë apo në heronj ulqinakë, por i kemi përfshirë me një emër madhor, ata/ato ishin heronj e heroina të Shqipërisë Etnike, ishin dëshmorë të lirisë kombëtare.

Jam i bindur që për këtë ndarje, dëshmorët do ta mallkonin autorin dhe prijatarët e tij "vizionarë" të kombeve të reja nën ombrellën e robërive...
"Kosova ç´ka qenë, ç´ është e ç´do të bëhet dhe si do të bëhet"

(Editorial në "Kohën Ditore", 26 shtator, 1999.

F. 2:
"Në qoftë se synimi shqiptar në Kosovë është Kosova të jetë shtet i Pavarur, atëherë kjo nuk mund të arrihet për pa u formësuar kosovarët si komb.

Kushtet ekzistuese pas okupimit të saj nga ushtritë e NATO-s, janë ideale për këtë. Vetëm se duhet ditur të shfrytëzohen"- shkruan N. Spahiu.

Unë, do t´i thosha "analistit ndërkombëtar", a nuk po të lejon verbësia e "politikës së hollë", ta shikosh se shqiptarët e Kosovës, prej kohësh i kanë plotësuar karakteristikat e formësimit si komb, por jo të një kombi të veçantë i "shpikur" nga elaboratet reaksionare, por një komb me të gjitha atributet shqiptare.

Komb- I, 1 m.sh -E, -ET. 1. Bashkësi e qëndrueshme njerëzish, e formuar historikisht në bazë të bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike dhe të formimit psikik, që shfaqet në bashkësinë e kulturës.

Kombi shqiptar, E drejta e kombeve për vetëvendosje, Baballarët e kombit. vjet. deputetët reaksionarë në parlamentin e regjimit zogollian.

Fjalor i Gjuhës së sotme Shqipe, f.852

Kombëtar, - E mb.1. Që ka të bëjë me kombin, që i përket kombit, i kombit që ka të bëjë me kombësinë, i kombësisë. Pavarësia kombëtare, Zgjimi (çlirimi) kombëtar. Çështja kombëtare, Festë kombëtare, Flamuri kombëtar.

2. Që shpreh veçoritë e një kombi që karakterizon pjesëtarët e një kombi, që është krijuar nga pjesëtarët e një kombi. Kultura kombëtare, Gjuha kombëtare, Arti kombëtar, Valle (veshje) kombëtare, Vetëdija kombëtare, Veçori (tipare) kombëtare.

Fjalor i Gjuhës së sotme Shqipe, Prishtinë, 1981, f.853

Ndërsa, siç shkruan sociologu dhe juristi ynë Rexhep Ahmeti, i cili bukur gjatë është marrë me çështje të kombit tonë, Ay konstaton:

1. "Kombi është grup i madh njerëzish me karakteristika të përbashkëta si janë prejardhja (gjenetika), historia, gjuha, zhvillimi ekonomik, psikologjia, kultura, territori, organizimi "etj.

2. "Kombi është populli në shkallën më të lartë të zhvillimit ekonomik, social, shtetëroro-juridik, kulturor" etj.

Pastaj, del me qëndrimin e tij programatik, i bazuar nga përvoja jetësore individuale dhe kolektive se:

3. "Siç po e tregon përvoja, parakusht për zhvillimin normal të kombit qenka edhe organizimi adekuat shtetëror i tij, ashtu siç dëshiron të vendosë ai vetë për jetën dhe fatin e tij".

4. "Kur të piqet kombi e realizon organizimin, vetveten". (R. A.)

Nga këto sqarime modeste që i parashtrova, lexuesit e nderuar le të logjikojnë dhe të konstatojnë drejt se a jemi ne shqiptarët e Kosovës me karakteristika të tjera, kombëtare siç dëshiruan e do të dëshironin të na paraqesin armiqtë tanë shekullorë dhe vasalët e tyre të hapur e të maskuar prapa tezave të tyre "kombëtare"?!

Po, Kosova mund të bëhet shtet edhe pa ndryshimin e këtyre karakteristikave, që e përbëjnë Identitetin e saj shqiptar, tipare kombëtare që i barti në shekuj, pa përçudnimet gjuhësore, tradicionale, kulturore, vetëdijësimore etj.

Autori, më tej shkruan:

F.131; "Kombi është projekt politik. Projekti i rilindasve shqiptarë është realizuar vetëm pjesërisht. Pavarësia e Kosovës e përkohshme apo e përjetshme, është shmangie nga ky projekt".

Nga këto teza mund të konstatoj:
E sqarova më lartë, duke iu referuar fjalorit tonë shkencor dhe sociologut e juristit tonë të nderuar, se ç´është Kombi.

Por, nëse nga aspekti teoriko-politik, autori i referohet vizionit të rilindasëve, të cilët luftuan për një Shqipëri Etnike në Ballkan, sipas të drejtës natyrore, ashtu siç Zoti na krijoi, këtu ka të drejtë; sepse nuk është i kënaqshëm as i drejtë krijimi i Republikave shqiptare në Ballkan, kjo dihet nga të gjithë se vërtetë është një tërheqje nga presionet e faktorëve të jashtëm; nga diplomacia ndërkombëtare, nga ata që të parët e tyre e krijuan dhe tani e konsiderojnë si të pazgjidhur Çështjen Shqiptare, pra është një devijim ( me kompromise politike) nga projekti madhorë kombëtar.

...Dhe, pikërisht për këtë po na hakmerret çdo ditë e në çdo orë, historia!

Shikuar, nga ky prizëm historiko-politik, ( nëse s´po kemi mundësi tani për tani të bëjmë ndryshe) a nuk do të ishte më mirë që tani të përkrahet Unioni Shqipëri-Kosovë, kur politika shqiptare edhe me fajin e vet, momentalisht s´po ka mundësi që ta çojë përpara deri në fund, parimin e vetëvendosjes deri në shkëputje nga shtetet e huaja.

Shqipëria londineze, është shteti amë, përse të mos bëjmë atë që do të ishte më e mundshme përkohësisht, Unionin, e kjo do të çonte drejt Ribashkimit territorial të kombit; populli ynë thotë: "prej borgjlisë të keq, merre bishtin e sëpatës".

Edhe kombi gjerman e "gëzoi" një okupim gjysmëshekullor nga fuqitë e huaja, por tek ai komb me histori dhe me kulturë të madhe, nuk doli asnjë analist i hollë politik e të kërkoj "krijime kombesh" të reja gjermane.

Përkundrazi, në Kushtetutën e parë gjermane, të vitit 1949 shkruan:

Kushtetuta e Bonit 1949 Preambel (prijfjala) * I vetëdijshëm për përgjegjësinë para Zotit dhe njerëzimit, i cytur nga vullneti për ruajtjen e tërësisë së vetë kombëtare dhe shtetërore dhe si pjesëtar i barabartë në një Europë të bashkuar për t`i shërbyer paqes në botë populli gjerman në krahinat: Baden, Hamburg, Hesen, Nidazaksen, Nord-hain-Vestfalen, Rainland-Falc,Shlesvih-Holshtain, Vytemberg-Baden dhe Vytemberg-Hohencollern në saje te dhunës ligjvënëse me qellim që jetës shteterore për një kohëkapercyell t`i jipet një rend (krahim) i ri, ka bestuar (vendosur) këtë kushtetutë të Republikes Federative Gjermane. Ai ka vepruar edhe për ata gjermanë, bashkëndikimi i të cilëve ishte ndrydhur. Prej gjithe popullit gjerman kërkohet në një vetëvendimmarrje (vetevendosje) të lirë të përfundojë bashkimin dhe çlirimin e Gjermanise. *Das Bonner Grundgesetz, Dr. Hermann von Mangold, ripërpunuar nga Dr. Friedrich Klein, Vëllimi i Parë, botuar nga Franz Vahlen GmBH, 1966, faqe 39. Dr. Dr. Miahel Saks vë në dukje se vetëm pas 03.10.1990 u bë i nevojshëm një ndryshim i kësaj prijesfjale, shih Dr. Miahel Saks, Grundgesetz, Komentar, faqe 65, botuar nga C.H. Beck`sche Verlagsbuchhandlung München 1996. Ndërsa verzionin i ri të kësaj prijesfjale në kushtetutën e tashme gjermane po e dhëmë këtu me poshtë. Preambel (Prijfjala) *I vetedijshëm për përgjegjësinë para Zotit dhe njerëzimit, i cytur nga vullneti si pjestar i barabartë në një Europë te bashkuar për t`i shërbyer paqes në botë populli gjerman në saje të dhunës ligjvënëse ka dhënë (qitur) këtë kushtetutë. Gjermanët në krahinat: Baden, Vyrtemberg, Bajern, Berlin, Bradenburg, Bremen, Hamburg, Hesen, Meklenburg-Vorpomen, Nidazaksen, Nordhain-Vestfalen, Rainland-Falc, Zaarland, Zaksen,Zaksen-Anhalt, Shlesvih-Holshtain dhe Tyringen në një vetëvendimmarrje te lirë kanë përfunduar bashkimin dhe çlirimin e Gjermanisë. Kështu që kjo kushtetutë vlen për gjithe popullin gjerman. *Dr. Miahel Saks, Grundgesetz, Komentar, faqe 63, botuar nga C.H. Beck`sche Verlagsbuchhandlung München 1996.

Politikanët shqiptarë, do të duhej të mësonin nga kjo kushtetutë, do të duhej ta respektonin kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, e pse jo edhe në kushtetutën e ardhshme të Republikës së Kosovës, kjo duhet të sanksionohet dhe të zbatohet, nëse kjo objektivë historike arrihet me sukses, pra nëse Kosovës do t´i njihet Pavarësia, nga shtetet e botës.

Jo, okupimi i gjatë shekullor, kurrsesi nuk i jep të drejtë autorit, N. Spahiu dhe prijatarëve të tij, që tani të përfitojnë politikisht nga kjo fatkeqësi gjithëkombëtare, e të dalin me "teza historike", për krijimin e kombeve të reja brenda kombit shqiptar.

Këta, siç po shihet, po fitojnë poste të larta "pushtetore" dhe çmime ndërkombëtare, "Saharov", ëndërrojnë pastaj edhe për çmimin "Nobel" për paqe, nga të huajt, por mos të harrojnë se dëme të pallogaritshme po i shkaktojnë Kombit Shqiptar.

Prandaj, të mos harrojnë se për këtë, do t´i dënoj historia!

Nisur nga kjo ide madhore e rilindasve do t´jua përkujtoja "analistëve kozmopolitikë", vargjet poetike të dy atdhetarëve të mëdhenj rilindas; Ndre Mjedjes dhe të Luigj Guarkuqit.

Qoftë mallkue, kush qet ngatërrime,
Te këta vllazën shoq me shoq,
Kush i ndanë me gjuhë e shkrime,
Çka natyra vet i përpoq!...
(Ndre Mjedja).

...Dhe më tej, atdhetari, "vigani liberator" siç do ta quante Noli, do të shkruante:
Kur e humb gjuhën një popull shqim mbaron,

Në njëmijë çeta ka me u shpërnda,
Gjuha njerëzit i bashkon,
I lidhë si vëllau me vëlla!...
(Luigj Gurakuqi).

I mllefosur nga rrethanat e reja që u krijuan në Kosovë, pas luftës së lavdishme të UÇK-së, aparatçiku rugovist, nuk harron pa i akuzuar padrejtësisht, udhëheqësit kryesorë të kësaj lufte, Thaçin dhe Haradinajn.

Ky trumbeton, kinse janë Thaqi dhe Haradinaj ata që e ndryshuan Flamurin tonë kombëtar!!!

Kjo miopi politike s´ka aspak bazë të vërtetë.

Po, a nuk e di i tërë opinioni kombëtar dhe ndërkombëtar se Ibroja, tërësisht pa mbështetje ligjore, prej vitesh po e mbanë në rezidencën e tij presidenciale, një tjetër flamur, do të thosha një flamur krahinorist, flamur që se ka mbështetjen as të Parlamentit as të Qeverisë së Kosovës, sepse atë flamur nuk e ka votuar, asnjëra palë.

Për këtë shkelje ligjore, sikur Kosova të kishte kushtetutë e të zbatoheshin ligjet, presidenti teknokrat do të duhej të nxirrej para gjyqit.

Unë, do t´i pyesja lexuesit e nderuar; kur i ka parë dikush nga shqiptarët apo ndërkombëtarët, liderët e partive të dala nga lufta çlirimtare, të jenë paraqitur me këtë flamur apo me ndonjë flamur tjetër, pa qoftë edhe partiak, nga zyret e tyre apo në vende publike ( përveç me rastin e zgjedhjeve) hera tjera jo, kurrën e kurrës?!

Këta burra të mëdhenj të kombit e nderuan dhe i dolën zot Flamurit Kombëtar që sot e përfaqëson shtetin shqiptar.

Kush po luan me fatet e këtij populli, kush janë përçarësit e vërtetë të tij, tani po shihet si në dritën e diellit...

Mjerisht, që edhe ti z. Spahiu, ke hyrë prej kohësh në këtë valle të rrezikshme e cila çon në përçarje të thellë kombëtare, sipas motos politike berishjane, kinse jugu e urren veriun dhe anasjelltas, por lufta çlirimtare e Kosovës me Vise të robëruara tregoi se këto ishin vetëm "gjepura politike", por fatkeqësisht kombi ynë nga ato sllogane partiake, nuk kaloi pa pasoja...

Po i rikthehem citimit nga libri ,"Drejt Kombit Kosovar"

F.2:
"Sado që pjesa e popullit (etnisë) shqiptare që mbeti jashtë kufijve të shtetit shqiptar të vitit 1913 u përpoq ta injoroj si fakt lënien jashtë kufirit shtetëror gjatë kësaj kohe dhe ta kuptoj të qenët jashtë kufijve si okupim të përkohshëm, zgjatja e madhe e kësaj "përkohësie", bëri të krijoheshin themelet edhe për një komb tjetër, nga gjiri i popullit shqiptar, pra themelet e kombit kosovar".

Siç vlerësova edhe më lartë, do të shtoja se:

Në teorinë politike të pulicistit dhe "ekspertit për çështje ballkanike", të z. Nexhmedin Spahiut, okupimi dhe përshtatja ndaj tij krijojnë kombe të reja!

Rasti i Kosovës, sipas tij nuk paska nevojë fare të hiqet okupimi, pasi që ai po bëka "që të krijohen themelet edhe për një komb tjetër, nga gjiri i popullit shqiptar, pra themelet e kombit kosovar".

Sipas kësaj teorie reaksionare, shqiptarët paskan bërë gabime historike, me përpjekjet dhe luftërat e tyre që prej vitit 1913 e deri më 2004, se kanë luftuar për çlirim e Ribashkim kombëtar!

Paska qenë dashur ta shfrytëzonin (shqiptarët) kushtin ideal për formimin e kombeve të reja-okupimin dhe ja mbaroi puna e kombit!...

Ironi e teorisë alla nexhmedinspahiane, apo jo?!

Por, ja që shqiptarët e Kosovës dhe të Viseve të tjera të robëruara nuk e dëgjuan "analistin ndërkombëtar" dhe dirigjuesit e tij pacifisto-rugovistë, por i bënë tri luftëra çlirimtare nën emblemat famëmëdha të UÇK-së, UÇK-re dhe UÇPMB-së, të cilat u betuan për Ribashkimin e trojeve shqiptare, ndërsa, z. N. Spahiu, edhe pas këtyre luftërave po teorizon se themelet e robërisë-okupimit, duhet shfrytëzuar për formimin e Kombit të ri Kosovar!

A nuk e kishte dalë dikur para këtyre luftërave edhe Serbia me këtë ide, me parullat: "Albanci" e "Shiptari", kur aludonte se të tjerë janë "Albancat", shqiptarët e Shqipërisë londineze dhe të tjerë janë "Shiptart", shqiptarët e Kosovës.

S´ka dyshim se për ringjalljen e kësaj ideje dhe të tjera teorive të saj antishqiptare Serbia, mesiguri një ditë, z. N. Spahiun, do ta shpërblejë me titullin "shiptar i ndershëm"!...

F. 5:
Çështje të strategjisë!!!

E para:
"Nëse synimi shqiptar në Kosovë është që Kosova të jetë një shtet i pavarur, atëherë kjo nuk mund të arrihet për pa u formësuar kosovarët si komb. Kushtet ekzistuese në Kosovë pas okupimit të saj nga ana e ushtrive të NATO-s, janë ideale për këtë. Vetëm se duhet të shfrytëzohen".

F. 6:
" E dyta, klasa e mesme e shoqërisë... Forcimi i kësaj klase do të thotë forcim i kombit kosovar dhe përkrahje e interesave strategjike të Kosovës".

Këtu, z. Spahiu mund të ketë kuptuar intelektualët mikroborgjezë klasën e vet dhe të Ibro "trimit", që aq shumë po lufton për identitetin kosovar, apo më saktë për përçarjen e kombit shqiptar, e të cilëve si duket "analisti ndërkombëtar", ua kushton edhe librin, kuptohet tek parathënja e vet autorit për librin e tij "të famshëm".

F. 129:
"Cilin standard të shqipes do ta mbrojë ligji kosovar?

Krijimi i standardit kosovar të shqipes do të ishte ndoshta më praktik në këtë drejtim.

Në fakt ky do t´mund të ishte standardi themelor për Pavarësinë e Kosovës.

Druaj, që në pritje të një standardi gjuhësor të përbashkët nga Tirana, Prishtina dhe Shkupi, do të zë rrënjë akoma më thellë anarkia gjuhësore e bashkë me të edhe anarkitë e tjera në shoqërinë shqiptare".

Nga kjo mund të konkludojmë që sa frikë e paska ky pinjollë politik i pacifistëve, hapin madhor të njësimit të gjuhës shqipe, vepër kjo madhore e formuluar shkencërisht, qysh në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë, (1972), kjo kërkohet të pasurohet më tej, por jo me "ndarje gjuhe kosovare" por me bashkim të gjuhës shqiptare, sipas parimit "njësim gjuhe, bashkim kombi"!

Kështu, s´ka rrezik fare për kurrfarë anarkie gjuhësore, përkundrazi!
Profesor, Isa Bajçincës, i lumtë për nismën e tij , që standardi gjuhësor të mbrohet me ligj.

E, kjo nuk do të thotë që ligji do ta mbrojë pikërisht standardin gjuhësor që e parashikon "analisti gjuhësor".

Uroj, që kurdoherë dhe në çdo rrethanë të mbrohet standardi gjuhësor që shpie nga uniteti gjithëkombëtar e jo standardet politike gjuhësore, që shpien drejt përçarjeve dhe përçudnimit të gjuhës sonë të bukur shqipe.

Për t´i sqaruar lexuesit për prapësitë e këtij "analisti", për përpjekjet e tij për të hedhur mjegullnaja rreth krijimit të kombit kosovar, do t´ju referohem ca të dhënave të thukëta të politikologut atdhetar, Ukshin Hoti, i cili midis tjerash shkruante:

...historikisht, që nga vetëdijësimi politik nacional për shkak të pozitës gjeopolitike - në dyert e Otrantit, shqiptarët ishin ndodhur midis synimeve strategjike të dy grupacioneve të popujve: të sllavëve që e synonin Persinë si treg dhe Adriatikun si rrugë dhe italo-gjermanëve që dikur e synonin të njëjtën gjë dhe të njëjtën rrugë.

(Republika dhe lufta në kontekst të Evropës, Shkup, 22 Dhjetor, 1991, "Filozofia politike e çështjes shqiptare", f.158).

Herët datojnë fatkeqësitë tona të ndarjes së territoreve shqiptare, ndërsa tani disa po e hedhin vallen së prapthi për ndarje të kombit...

Pastaj, mendimtari ynë i madh, Ukshin Hoti, vijon:
"Shqiptarët në kohën moderne, në thelb kishin mbetur të ndarë për shkak të konfrontimit të interesave strategjike të këtyre dy grupacioneve të mëdha dhe perspektiva e bashkimit të tyre qëndronte te zëvendësimi gradual i botëkuptimeve të tilla gjeopolitike me botëkuptimet mbi maksimalizimin e fuqisë në mbështetje të përsosjes së resurseve të brendshme dhe të avancimeve teknologjike që do t´i zhvlerësonin botëkuptimet gjeopolitike mbi kontrollin e urryer të territoreve të huaja dhe të pikave strategjike".

(Republika dhe lufta në kontekst të Evropës), Po aty.

Këtu janë rrënjët famëkëqia por me këto ide madhore mund të gjenden shtegdaljet e ndritura në perspektivën historike, e jo tek akuzat e ndërsjella brenda shqiptare, tek përçarjet lokaliste e krahinoriste, madje tek përpjekja e disa mjeranëve politikë që ta thellojnë më tej ndarjen kombëtare, kur dihet që nga kjo përfitojnë vetëm armiqtë.

Krejt ndryshe do të ketë vizione në librin e tij N. Spahiu, kur thotë:
"Kosova duhet të bëhet e Pavarur nga Serbia dhe nga Shqipëria".

Me konstatime të tilla jo rrallë paraqitej edhe Ibroja, kur deklaronte:
"Kosova duhet të jetë e hapur si ndaj Serbisë ashtu edhe ndaj Shqipërisë".

Pastaj, me rastin e zgjedhjeve në Kosovë, pa menduar gjatë deklaron:
"Ne, i kemi zgjedhjet nacionale, shpresojmë do të kalojnë mirë" etj, etj.

Jo, nuk mund të quhen zgjedhje nacionale, zgjedhjet kur mbahen në Kosovë, sepse në këto zgjedhje nuk përfshihen të gjitha territoret shqiptare, pra nuk përfshihet tërë kombi shqiptar.

Derisa, dihet shkencërisht që fjala nacional,-e mb, shih kombëtar- E Çështja nacionale, Problemi nacional. Lëvizja nacionale. "Fjalori i Gjuhës Shqipe", Prishtinë, 1981, f. 1195.

Paralelizma të tilla antikombëtare, mund të bëjnë veç maniakët e verbuar të politikës ditore, me "vizione të larta"...

Ndërsa, i madhi atdhetar, Ukshin Hoti, do të konstatonte:

...Prandaj, Republika e Kosovës në njërën anë, pastaj statusi i përmendur i bartësit të shtetësisë së shqiptarëve të sanksionuar me Kushtetutë në Maqedoni si dhe të drejtat e shqiptarëve të garantuara në Republikën e Malit të Zi, paralelisht me zhvillimin e proceseve integrative në Evropë do të duhej t´i krijonin kushtet e nevojshme për bashkimin e popullit shqiptar, veçse jo për inatin e të tjerëve por për hir të vetvetes dhe të interesave të përbashkëta.

Një gjë e tillë presupozon harmonizimin e politikës së faktorëve të interesuar politikë dhe urojmë që kjo të shpejtohet.

(Republika dhe lufta në kontekst të Evropës) Po aty, f. 160.

Kështu, shkruante me optikën largpamëse atdhetari demokrat, Ay i cili doli me moton e qëndresës: "bëje ose vdis", Ay i cili u hodh pa rezerva për ta realizuar vërtetë Ribashkimin territorial të kombit.

Ndërsa, për katrahurat e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë Etnike, Ukshin Hoti do të shkruante:

"Sindromi sadist dhe kompleksi i Prishtinës ishin nus-produkt të presionit të jashtëm por edhe i vlimeve brenda faktorit politik shqiptar".

Vallë a nuk mund të konstatojmë me të drejtë që edhe sot s´ kanë pushuar së qeni këto presione; kur tani në Kosovë, po shfaqet si hienë faktori "brahimist", gjegjësisht i ngjashëm me atë të pashallëkut të Durrësit.

Derisa, pashai i toptanëve po dekorohej me grada, nga Serbia dhe Evropa plakë, a nuk ndodhi kjo edhe me "pashain" nihilist Ibron.
A nuk flasin për këtë shumë dëshmi, shumë privilegje që ia krijoi Serbia, (madje edhe gjatë luftës) këtij "politikani", mallkuesi më i mjerë i luftës çlirimtare, nën ombrellën e pacifizmit, kuptohet në bashkëpunim me ca vende të Evropës; të Italisë, Francës etj?!

Ideatori i vlerave të mëdha, Ukshin Hoti, më tej do të konstatonte:

"Shqiptarët me fjalë të tjera për shkak të pozitës së tyre gjeostrategjike në dyert e Otrantit vazhdimisht ndodheshin nën presionin e synimeve strategjike të dy grupacioneve të popujve: sllavëve dhe italo-gjermanëve që e synonin Persinë (Iranin) si treg dhe Adriatikun si rrugë".

(Më 5 Nëntor, 1992 në Prishtinë organizuar nga forumi i Intelektualëve Shqiptarë u mbajt një tryezë e rrumbullakët, kushtuar çështjes shqiptare,

Ukshin Hoti, doli me qëndrimin e tij në artikullin "Politikën e drejtojnë interesat e jo emocionet), Po aty, f.164.

Nga të gjitha këto sa u theksuan, le të shpresojmë se lexuesit e nderuar do ta kuptojnë kthjellësisht se përpjekjet e kota të "politikanëve modernistë" nuk janë aspak shpikje të tyre të reja, ato janë përpjekje të nxitura nga qarqe të huaja që të fusin pyka brenda trupit shqiptar, sepse një fjalë urtë jona popullore thotë: "Lisi (Shqipëria), më së miri çahet me pykën e vet"!...

Uroj, që këto pyka të jenë të dobëta, të kalbura nga të reshurat e stuhive historike që kurrë s´ju përballuan, apo të mykura nga qëndrimi i tyre brenda bodrumeve dhe barakave të instaluara enkas nga të huajt për të përhapur tymnaja në rrugën e gjatë dhe të vështirë të popullit tonë, drejt konsolidimit të tij si komb i lirë dhe i Ribashkuar, e për këtë janë përpjekur atdhetarët e mëdhenj të të gjitha periudhave të historisë, që nga koha e Rilindjes kombëtare e deri në ditët tona.

Uroj, që kjo ide madhore të bëhet realitet; sa më parë aq më mirë, për të gjithë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që janë të interesuar për stabilizimin e kësaj pike neorologjike në rajonin e Ballkanit, Shqipërisë Etnike.

Suedi, 05.01.2005
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Fadil Shyti
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 51 vizitorë
Lexuar: 4,999 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vetÃ...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllazÃ...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi