Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
MURAT TOPTANI, FIGURË POLIEDRIKE E RILINDJES KOMBËTARE
Publikuar më 17 nntor, 2009 në orën 23:01 ( ) Shevki Sh. VOCA | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
PJESA E DYTË

"Jetën time ia kam falur Shqipërisë dhe vëllezërve shqiptarë.
Sa të kem edhe një pikë gjak do ta derdhë për mëmëdheun
e dashur, kudo që të jem, si do që të jetë"

Murat Toptani

Në Bukuresht Murati botonte shkrimet e tija në gazetën “Shqiptari”. Kjo gazetë shkruante: “Prej tri javësh gjendet midis vëllazërisë së shqiptarëve të Bukureshtit, mëmëdhetari Murat Bej Toptani nga Tirana, një nga të shkëlqyerit fare të paharruarit burrë Skenderbeg.”
Murat Toptani ngjalli te shqiptarët e mërguar shpresën se po trokiste ora e çlirimit të atdheut. Madje jehona e veprimtarisë së tij si emigrant i shquar politik e vunë Muratin në qendër të vëmendjes edhe të shteteve të huaja të interesuara për ngjarjet në Shqipëri.
Në Bukuresht, në sallën “Amiçicia” (Miqësia) më 13 nëntor 1898, u mbajt Kongresi i Shqiptarëve të Rumanisë në të cilën u trajtua hollësisht gjendja e atdheut nën sundimin osman. Në këtë Kongres morën pjesë edhe përfaqësuesit e kolonive të tjera shqiptare të mërgimit.
Në fjalimin që e mbajti Faik Konica thuhej se qëndrimi i Kongresit është që të mendojmë shoqërisht dhe vëllazërisht për çështjen tonë shqiptare. Në vazhdim të fjalimit të vetë F. Konica përsëriti kërkesën kryesore të Lëvizjes Kombëtare: “të njihemi si komb në vete, si komb i vjetër, plotfuqi e gjallëri, të kemi shkollat kombëtare në gjuhën shqipe.” Faik Konica në këtë fjalim pohon se në Shqipëri gjenden vetëm katër shkolla shqipe, kurse të huaja përmbi 5.000, të cilat punojnë në dëm të qeverisë turke dhe kundër shqiptarëve, nga se ndjekin politikën e shteteve të tyre. Kjo gjë-shtoi Konica-na bënë që të zgjohemi dhe medoemos të kërkojmë hapjen e shkollave shqipe dhe autonominë nga Turqia, kur dihet se 1/6 e vergisë ndahet nga Qeveria për institute publike...”51
Në këtë Kongres foli edhe Murat Toptani, i cili dhe nënshkroi Thirrjen drejtuar Portës së Lartë, për të drejtat e mësimit të gjuhës shqipe. Telegrami u shkrua në gjuhën frëngjishte.52 Duhet cekim se një ndihmesë të veçantë në përgatitjen dhe organizimin e këtij Kongresi Shqiptar dha Dervish Hima. Përveç Faikut, Muratit dhe Dervishit në këtë Kongres folën edhe Visar Dodani, Janaç Meksi etj.
Murat Toptani gjatë qëndrimit të tij në Bukuresht ishte vendosur te atdhetari dhe veprimtari Dervish Hima. Ky gjatë vitit 1898 pati disa takime me ambasadorin turk në Rumani, por i shfrytëzoi ato në të mirë të çështjes kombëtare, për të paralizuar veprimet dhe prapaskenat e tij kundër shqiptarëve të Bukureshtit. Në njërën nga takimet me të hershme me te, Dervishi protestoi për arrestimin e Murat Toptanit. “Në qoftë se do të vazhdojë kjo punë kështu,-i tha ambasadorit,-do të jetë keq-dhe kërkoi të ndërmjetësonte për lirimin e Muratit.
Në fund të vitit 1898 (dhjetor), Dervishi u detyrua të shkonte përsëri te ambasadori turk për të marrë një letër që i kishte ardhur Murat Toptanit nga i ati,53 (kjo letër nuk ka mund me qenë nga i ati, siç shkruan Kristaq Prifti në librin “Dervish Hima, kushtuar këtij atdhetari, të cilës iu kemi referuar disa herë gjatë këtij shkrimi, nga se dihet se i ati i Muratit kishte vdekur si e kemi cek më lartë shumë vite më parë, Sh. V. ). Nga një letër që Hima ia dërgon Ibrahim Temos, kuptojmë se ambasadori turk ishte interesuar që Murati vetë të shkoi te ai. Dervishi pasi ia përcjell të falat nga Murati, ambasadori e pyet: “Pse nuk erdhi edhe Murati? Këtu është dera e shtetit. Ai ka të drejtën e vjetër të Naimit dhe të Samiut për të bërë vizitë.”(Ambasadori e mbante veten si mik i vjetër i Naim dhe Sami Frashërit dhe e përsëriste këtë sa herë që i nevojitej).54









Në Bukuresht, Murati zhvilloi një aktivitet mjaft të dendur politik Nga këtu Murati mbante lidhje me shoqëritë patriotike dhe atdhetarët brenda dhe jashtë vendit. Ai nëpërmjet kontakteve personale, letrave dhe thirjeve që dërgonte në të gjitha anët e Shqipërisë dhe jashtë saj, kontribuonte në të mirë të zgjerimit të ideve kombëtare. Murati dhe bashkëpunëtorët e tij e sidomos Dervish Hima mbanin lidhje edhe me Hazhi Zekën, dhe atdhetarët tjerë në Shqipërinë e Veriut. Në një letër që Murati i dërgonte në mars 1899 Kadri Fishtës, e vlerësonte formimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës, dhe kërkonte që ajo të përhapej në tërë Shqipërinë për të bashkuar gjithë shqiptarët pa dallim feje.55 Me këtë rast është interesant ti referohemi një letre që Faik Konica i drejtonte më 7 prill 1899 Ministrisë së Jashtme austro-hungareze me ç’rast e njoftonte Vjenën se Murat Toptani i kishte shkruar një letër nga Bukureshti Mulla Zekës (Kryetarit të Lidhjes së Pejës), në të cilën e nxiste atë që të ngrihej kundër Turqisë, dhe që gjithashtu ishte i gatshëm që të vinte edhe ai në Shqipëri për të marrë pjesë në këtë kryengritje. Mulla Zeka, iu përgjigj me një letër të shkruar gjysmë shqip, gjysmë turqisht tekstualisht me këto fjalë: “Nuk ka ardhur akoma koha për këto gjëra.”56 Me që jemi te Faik Konica është e udhës të përmendim se ç’shkruan ai në pjesën e katërtë të “Parashtresës mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” që përfshin vitet 1895-1899, për arritjen e tij dhe të Muratit në Bukuresht. “Lidhur me këtë unë kamë bërë vrojtime interesante me rastin e udhëtimit tim në Bukuresht, thotë Faiku duke vazhduar, atje neve na u bënë një pritje madhështore dhe entuziaste sikurse të ishim shpëtimtarë të Atdheut. Ky manifestim do të merrte përmasa edhe më të mëdha, sikur unë të mos isha ftohur dhe zemëruar pak, duke dërguar nga stacioni hekurudhor i Vjenës një telegram me të cilën lajmëroja ardhjen tonë, jo komitetin greko-sllav, po “Dritën” e Naços. (Në Bukuresht vepronin dy shoqëri shqiptare pak sa të përçarë mes veti, “Drita” dhe “Dituria”, në krye të dytës ishte Kostaq Duro, të cilit ia mbanin anën Naim dhe Sami Frashëri, vër. SH. V.).
Duke ardhur në Bukuresht dhe duke parë këtë entuziazëm, i thashë vetes: “Ja një gjë e çuditshme, gjë që më habit nga ana e këtyre tregtarëve të thjeshtë dhe indiferentë. Sigurisht se aty do të ketë diçka...”Dhe me të vërtet nuk u gënjeva. Disa ditë më vonë, më propozuan të vazhdoj “Albaninë” në Bukuresht; (“Shqipëria” do të pushonte të dilte), se do të m’i jepnin të gjithë lexuesit, ndërsa një komitet i redaksisë do t’i siguronte gazetës 10.000 frankë në vit. Ky ishte një propozim që të vazhdoja gazetën nën ndikimin e partisë ortodokse. Kurthi ishte i rëndë. Kërkova të mendoja dhe nuk fola më për këto.”
Më pas shkruan Faiku, në njërën nga mbledhjet e shumta që mbajtëm, Murat Toptani, paraqiti një projekt për propagandën e përgjithshme. Ata shfaqën rezerva të hapëta për sa u përket çetave kryengritëse: ata ishin partizanë të kësaj, por me kusht që çetat duhej të sulmonin vetëm funksionarët turq, e të mos i preknin bullgarët dhe grekët, siç propozonte Murati. Me këtë rezervë ata pranuan, dhe u mor vendimi për një fond prej 150 deri në 250 mijë franga. Mirëpo, kur Murat beu preku çështjen e selisë së propagandës, dhe tha se Dalmacia ose Bosnja, i duken më të përshtatshme, menjëherë mbretëroi një heshtje e ftohtë akull. Në fund, P. Evangjeli tha se, për sa u takon atyre, nuk shohin gjë të papëlqyeshme në këtë, mirëpo ekziston rreziku të mos formohet fondi në kushte të këtilla, “sepse shqiptarët e tjerë të Bukureshtit janë fanatikë dhe nuk do të pranojnë që qendra e propagandës të ndodhet në një shtet katolik”. Unë mora një qëndrim krejt të pritur, sepse kuptova që çdo gjë është e kotë dhe që fondi nuk do të formohet kurrë. Dhe nuk u gënjeva. Qe katër muaj që ata e mbajnë Murat Toptanin me shpresa që s’do të realizohet kurrë. E vetmja gjë që fitova, ishte nënshkrimi i një depeshe, në një mbledhje publike, tekstin e së cilës e përgatita unë dhe që iu dërgua Sulltanit.”57
Me dispozita të tilla shpirtërore, natyrisht se ishte e lehtë të bëhet antanta (marrëveshja) midis shqiptarëve të Bukureshtit dhe atyre që paraqiten si shqiptarë në Itali. Marrëveshja qe aq më i fortë, për shkak se Italo-shqiptarët janë katolikë, po të ritit grek, që lejon martesën e priftërve (gjë që i afron posaçërisht me ortodoksët), marrëveshja qe më e fortë për shkak se ata janë ndoshta partizanë të Malit të Zi në Shqipëri, pse mungonte fuqia e Italisë. Me mendimin tim në lidhje me këtë pikë u pajtua plotësisht edhe Murat Toptani.
“Nëpërmjet shqiptarëve të Bukureshtit, Italianët bëjnë propagandë në Shqipërinë Jugore, kurse në Shqipërinë e Veriut me anë të konsullatave italiane. Kolegjet e seminaret shqiptare në Shën Dhimitër Koronë (San Demetrio Corone) dhe në Sicili, ku nga ana tjetër nuk mësohet asnjë fjalë shqip,(në shkollën e Makit në Kalabri ka një kurs të shqipes që e mban Jeronim de Rada, shënim i Konicës), tërheqin një numër të njerëzve të rinj dhe ushtrojnë kështu në Shqipëri një opinion të favorshëm për koloninë shqiptaro-italiane.
Të shënojmë kalimthi që:
1) Sido që të duket nga jashtë, ekziston marrëveshja e plotë midis të gjithë shqiptaro-italianëve, siç e provojnë alfabetet e tyre identike me shifra;
2) Ata nuk dinë të flasin shqip (Murat beu ka vërtetuar këtë pas të tjerëve), fund i citatit nga pjesa e katërtë e Prashtr... Lëv.. Komb... të F. K.58
Faik Konica mendonte se çështjes shqiptare do t’i shërbente një lëvizje e hapur politike për krijimin e një vilajeti shqiptar autonom, si kundërvënie ndaj përpjekjeve të shteteve fqinje, të cilat synonin aneksimin e trojeve shqiptare. Andaj, Faiku i propozonte Muratit që të qëndronte në emigracion, si figurë politike që tashmë ishte i njohur edhe në arenën ndërkombëtare dhe të vihej në krye të lëvizjes politike shqiptare. Madje shqiptarët e Misirit (Egjipti), kishin marrë obligim që të dalin me një organ periodik me program krijimin e një principate shqiptare. Drejtimin e organit ata qenë të gatshëm t’ia ngarkonin Murat Toptanit.



Ndërkaq që, Naim dhe Sami Frashëri nuk e shikonin me sy të mirë, një bashkëpunim aq të afërt të Muratit me Faikun, gjë që do të shohim më poshtë në një letër që Naimi dhe Samiu ia dërgojnë Muratit, si dhe që atyre nuk iu pëlqente propozimi që ofronte Faiku, nga se kishin bindje se ende nuk ishte koha e përshtatshme për një lëvizje politike, të cilën e quanin madje edhe të dëmshme. Sipas Naimit dhe Samiut, në këtë moment, çështjes shqiptare i shërbente ende shumë më mirë lëvizja kulturore shqiptare në përgjithësi dhe hapja e shkollave shqipe në veçanti. Midis Faikut dhe vëllezërve Frashëri pos kësaj ekzistonin divergjenca edhe në dy pika tjera.
E para kishte të bënte me cilin alfabet duhej të shkruhej gjuha shqipe, sepse Faiku ishte kundër alfabetit të Shoqërisë së Stambollit të miratuar më 1879, mbi parimin për çdo zë një germë, me të cilën ishin botuar gjatë 20 viteve të fundit veprat e Naimit dhe Samiut. Në revistën e tij “Albania” që ai kishte filluar të botonte në Bruksel (1897) përdorte një alfabet të mbështetur krejtësisht mbi germat latine dhe me kombinimin dy germash për disa zëra të veçanta të shqipes. Madje kishte filluar të botonte si shtojcë të “Albanisë” disa faqe shqip të shkruar me alfabetin turko-arab.
E dyta, pas botimeve të numrave të parë të revistës duke vënë re se ajo nuk përhapej në Shqipëri, Naimi dhe Samiu i kishin propozuar se ishin të gatshëm t’i ndihmonin me mbledhje subvencionesh dhe me shkrime në rast se Faiku do ta botonte revistën në Shqipëri ku do të përhapej lehtë, natyrisht duke kursyer sulmet ndaj sulltanit, mbasi në rrethanat e asaj kohe shqiptarët kishin më tepër nevojë për lëndë kulturore patriotike, se sa për polemikë politike. Për të gjitha këto arsye ata mendonin se Murat Toptani do t’i shërbente më mirë çështjes kombëtare duke u kthyer në atdhe. Përkundrazi Faiku ngulte këmbë se revista e tij e shkruar pjesërisht në shqip, pjesërisht në frëngjisht, do të kontribuonte në popullarizimin e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, për të cilën kishte aq nevojë Shqipëria.59
Me një letër të përbashkët dhe mjaft të gjatë (rreth tetë faqe) që Naimi dhe Samiu i drejtohen Murat Toptanit më 8 janar 1899 në atë kohë në Bukursht, i parashtruan një varg argumentesh për ta bindur të shkëputej nga platforma e Faik Konicës dhe të kthehej në shtëpi. Naimi dhe Samiu e siguronin se po të jepte pëlqimin për të kthyer do të ndërhynin me anën e Ali Beut (vëllai i gruas së parë të Samiut), funksionar i lartë pranë Sekretariatit të Pallatit Sulltanor (Majbej) për të nxjerrë dekretin e faljes në bazë të lutjes që vetë Murati i kishte drejtuar valiut të Manastirit, (për këtë lutje kemi shkruar më lartë Sh. V).
Nga ajo letër tepër e gjatë ne me këtë rast do të japim një version të shkurtë aq sa disponojmë me literaturë përkatëse.
Letra diku fillon me “Drita e syve tonë bejefendi”,60 ndërsa në një vend tjetër “Drita e syve tanë Murat”.61
...Faiku është një erudit, e sidomos kundërshtar i rrugës sonë...62 U mor vesh përse Faiku nuk pranon alfabetin tonë që zuri rrënjë dhe u përhap...Armiqtë e kombit tonë prej kohësh kanë dashur të na gënjejnë se gjuha shqipe është një gjuhë e prishur dhe trashamane, se nuk shkruhet e nuk mund të shkruhet, se s’ka gramatikë, se shkencat nuk mësohen me të etj. Por më në fund panë se shqipja u bë, u shkrua, u krijua alfabeti i saj (është fjala për alfabetin e Stambollit), u hartua gramatika, u shtypën librat e shkencës, u përkthyen poezi të bukura prej çdo gjuhe të huaj. Me një fjalë, u kuptua se ç’gjuhë e përsosur dhe e rregullt është shqipja. Na thonin se shkrimet tuaja s’i pranon askush. Por, panë se myslimanë, katolikë e ortodoksë, të gjithë i pranuan. Shkrimet e saj u përhapën. U çelën shkolla. Për armiqtë tanë ka shumë rëndësi t’i dalin përpara një orë e më parë kësaj lëvizjeje, ta shembin këtë ndërtesë, që u ngrit dhe ta shkulnin këtë pemë, që ka lëshuar pemë. Për të arritur këtë qëllim armiqtë s’po lënë gurë pa lëvizur. Të thuash se tani shqipja s’bënë nuk ta vë veshin kush...Biri ynë, jeni ende i ri, gënjeheni shpejtë. A e mbani mend kur më shkruanit prej Brukselit se Rpçildi deshi ta shpëtojë Shqipërinë? Vazhdimin e kësaj letre s’e patë. E ç’do t’i bënte Roçildi Shqipërisë? Shumë-shumë një lëmosh prej 100-200 lirash e asgjë më tepër. Pastaj thoni se në Bukuresht për çdo vit do të mblidhen 150.000 lira. Këto fjalë janë vetëm një kështjellë në erë. Jo për çdo vit, po sikur të japin shqiptarët menjëherë gjithë pasurit e tyre, s’dimë a plotësohet shuma e 150.000 lirave. Këto janë ëndrra. Ta zëmë se u mblodh një shumë e madhe. Nga ne tani për tani s’pritet shërbim tjetër, veç atij që të hapim shkolla e të shtypim libra. Evropa sot s’dëshiron të bëhet potere në Rumeli, po të vërtetohet një gjë e tillë, Evropa do ta shtrëngojë qeverinë ta shtypë menjëherë. Pastaj thoni se me këtë e atë do të shkoni në Dalmaci dhe atje do të hapni shkolla e shtypshkronjë e s’di ç’ka tjetër. Mirëpo personat që numëroni janë, që të gjithë,të dyshimtë. Asnjë prej tyre s’mund ta ketë cilësinë e mësuesit. Do ta merrni aty, siç po thoni edhe familjen. Po a nuk mendoni se qeveria nuk iu lejon ta sillni aty familjen? Pastaj me se do ta mbani? Njeriu nuk e ponë familjen në vende të huaja duke u mbështetur në ndihma. Aq më tepër, se na kanë urdhëruar që ta sjellim këtu familjen ose me vullnet ose me dhunë, ose ruana zot, mund ta internojnë diku. Me një fjalë, mos u bëni skllav i fantazisë dhe mendoni gjëra që vlejnë të mendohen. Mos hartoni për çdo javë nga një projekt. Megjithëse ambasadori i atyshëm është trembur nga nisma juaj dhe i ka bërë të tremben të tjerët, duhet të përfitoni nga ky rast dhe të vini këtu duke u lidhur me kushte të forta. Sepse nesër ose më vonë ambasadori do ta kuptojë se çfarë themelesh foshnjarake ka nisma juaj, e do të raportojë. E atëherë do të luteni, por nuk do t’jua vërë veshin askush. Ka edhe një gjë: duke qëndruar në vende të huaja për një kohë të gjatë, do të shtrëngohesh ta shesësh pjesë-pjesë çifligun për të ngrënë. Nuk rrohet me ajër. Mendoni se keni përpara një jetë e një të ardhme, keni kalamaj. Në është për t’u bërë aty ndonjë punë, mund të bëhet edhe pa ju. Mund të bëhen edhe me korrespodencë. Këto shkrime e këto shkolla ne i çuam deri në këtë shkallë pa luajtur vendi e pa dalë në shash. Kështu mund të punohet më lehtë e më me siguri. Ju i keni bërë lutje nga Brindizi valiut të Mnastirit duke u lutur të ndërmjetësonte për faljen tuaj. E tani ju propozon vetë padishahu të vini dhe ju bëni naze. Mendoni mirë dhe ashtu veproni. Ky rast nuk vjen më në dorë. Kur ta marrë vesh sa e kotë është nisma juaj, ambasadori do të raportojë dhe pastaj s’jua vë kush veshin sa do të luteni. Prandaj, siç iu kemi shkruar përpara, na dërgoni një letër turqisht por një letër që mund ta tregojmë aty ku duhet. Në këtë letër shtroni kushtet që të mos pësoni ndonjë dënim, t’u sigurohet e ardhmja dhe po të doni, shtoni se edhe dëshironi të jeni i lirë të shkoni në Shqipëri për t’u marrë me punët e çifligut. Mund të kërkoni edhe falje e sigurime para se të vini këtu. Në këtë letër do të thoni se keni marrë letrën tonë të dytë me anë të filan tregtarit...Ne politikisht nuk mund të bëjmë gjë, vetëm me anë të gjuhës dhe të letërsisë...63
Në këtë letër Naimi dhe Samiu, ia tërheqin vëmendjen Muratit, që të ketë kujdes edhe nga doktor Ibrahim Temo, mbasi ky ishte një “xhonturk” siç kemi thënë më lartë.
Ata shkruanin se ky është një djalosh patriot, shqiptar por xhonturk, që kërkon ta bëjë lëmsh Shqipërinë...64
Murat Toptani nguronte të shkoi në Stamboll, sepse dyshonte se mos ndoshta nuk do ta lënë të lirë të shkoi në Tiranë. Si duket në ngurrimin e tij patën ndikim këshillat që i merrte nga disa shokë, njëri ndër të cilët me një letër që mbanë nënshkrimin L. Lami i thoshte haptas se kthimi në Stamboll “do të ishte një marrëzi që s’e ka shoqen.”
Për të thyer ngurrimin e Murat Toptanit, Sami Frashëri, Mehmet Frashëri (vëllai i vogël i tij dhe kunati i Muratit) dhe Ali Beu me 16 prill 1899 i dërgojnë një letër në të cilën mes tjerash shkruajnë:
“... Këtu nuk ka asnjë rrezik për ju. Ne garantojmë se nuk do të pësoni as ndonjë të keqe...Prej atyre që janë kthyer deri tani askush nuk ka pësuar ndonjë dënim. Pra, ju çfarë po bëni aty? A keni mundur të gjeni ndonjë punë? Natyrisht jo. Nëse nuk do të ktheheni, me se do të jetoni? Apo duke marrë hua, apo duke e shitur pasurinë tuaj? A iu përshtatet kjo juve? A mendoni se ku do të jetë fundi i këtij qëndrimi? Shkatërrimi! Ju kërkoni nga Sulltani përpara se të vini akt sigurimin dhe një dëmshpërblim prej 25000 frangash ari. Kërkesa të tilla të natyrës së akt sigurimeve dhe dëmshpërblimeve i lejohen vetëm një shteti fitimtar t’i diktojë një shteti të mundur, por që një person t’i diktojë një shteti, nuk është dëgjuar deri më sot. Në rrethanat e tanishme, juve iu takon që të vi menjëherë...Edhe sikur ambasadori të mos ju japë asnjë shpërblim për borxhet tuaja, madje as shpenzimet e udhëtimit, ju përsëri nuk duhet ta lini varur çështjen e nisjes tuaj...Po e sorollatët nisjen tuaj edhe për disa kohë, atëherë kthimi juaj do të bëhet e pa mundur. Nëse sot po na luten ata, nesër do të detyrohemi t’u lutemi ne atyre dhe atëherë ne nuk do të fitojmë gjë. Mos kini dyshim se kur të vini këtu do të merrni një punë të përshtatshme.”65
Murat Toptani vazhdoi të qëndronte në Bukuresht edhe për disa muaj. Më vonë, ai u lirua dhe pas një qëndrimi të shkurtër në Stamboll, kah fundi i vitit 1899, arriti që të kthehet në Tiranë. Kuptohet që ky lirim i tij u arrit në saje të përpjekjeve të Naim dhe Sami Frashërit. Para nisjes për Stamboll, Murati ishte disa ditë mysafirë në shtëpinë e Ibrahim Temos, i cili e përcolli dhe ndihmoi në shkuarjen e tij atje.
Meqenëse, vetë për nga natyre ishte i gjallë, dinamik, sy pa trembur, plot energji dhe elan, për të zhvilluar aktivitete dhe veprimtari në interes të çështjes kombëtare, ai nuk mundi të qëndroi duarkryq, por duke qenë në kontakt me popullin e vetë, ai i nxiti fshatarët që të mos paguanin taksat, dhe kjo u bë shkaktar që persekutimet ndaj tij të mos ndalen. Gjatë një kontrollimi që i bënë policia shtëpisë së tij gjetën libra të mësimit shqip, vjersha dhe Historinë e Skënderbeut, që të gjitha ishin shtypur në vitin 1881me lejen e autoriteteve të kohës, nga komisioni shkencor “Dituria” 66. (Viti 1881 qëndron në Kujtimet e Eqrem bej Vlorës I, dhe sipas gjitha gjasave është gabim sepse, “Dituria” u themelua në vitin 1886, në Bukuresht pas shpërndarjes së shoqërisë së më parme “Drita”, SH.V.)67. Pas saj pasoi internimi i Murat beut me gjithë familje në Konja të Azisë së Vogël. Kështu pas një kohe të shkurtë të qëndrimit në Tiranë Murati u internua sërish. Por me ndërhyrjen e sërishme të vëllezërve Frashëri, ai prapë u lirua dhe u vendos në shtëpinë e tyre në Stamboll. Mirëpo sipas të dhënave që i kemi, pas vdekjes së Naimit, Murati prapë u internua.
Në Konjë, aso kohe vali ishte Ferid Pasha, i cili e ngarkoi Muratin në detyrën e punëve komunale dhe zbukurimin e qytetit. Nga këtu mbante korrespodencë me kolonit shqiptare të Bukureshtit dhe Egjiptit. Pas qëndrimit disa vjeçar në Konje, dhe pas lirimit nga internimi Murati qëndroi në Stamboll. Në vitin 1908 kur fitoi revolucioni xhonturk ai u kthye në Tiranë. Këtu bashkë me patriotë tjerë, u angazhua në përshpejtimin e mundësive që të përfitonin sa më shumë nga premtimet për të drejtat kulturore. Si hap të parë këta patriot në krye me Muratin, vendosën të hapnin një shkollë shqipe të shkëputur nga institucionet fetare klerikale, dhe pa financimin e fuqive të huaja, përfshirë edhe Austro-Hungarinë. Por duhet thënë se një hap më i rëndësishëm ishte krijimi i klubit “Bashkimi” në muajin tetot 1908, me të cilën lëvizja kombëtare doli më në fund nga ilegaliteti dhe filloi të zhvillonte veprimtarinë e saj haptas. Kryetari i klubit “Bashkimi” u bë Refik Toptani, ndërsa selia saj u vendos në shtëpinë e Murat Toptanit. Vendimi i parë i klubit “Bashkimi”, ishte hapja e shkollës shqipe, caktimi i arsimtarëve, pajisja e saj me orendi dhe me tekste shkollore etj. Meqenëse, për një funksion të tillë ndërtesa e mëparshme e shkollës së Ashikut që kemi përmend më herët nuk mjaftonte, atëherë Murat Toptani propozoi që shtëpia e tij krahas selisë së klubit “Bashkimi” të shërbej edhe si ndërtesë shkollore...



Hapja e kësaj shkolle shqipe u vonua nga që klubit “Bashkimi” i erdhi ftesa për të marrë pjesë me një delegat në kongresin që do të mblidhej aty nga mesi i nëntorit në qytetin e Manastirit për të caktuar alfabetin e përbashkët për shkrimin e gjuhës shqipe. Klubi vendosi të niste delegat Refik Toptanin. Si rrjedhim për hapjen e shkollës priteshin vendimet e kongresit. Caktimi nga kongresi i Manastirit (14-22 nëntor 1908) i alfabetit kombëtar për gjuhën shqipe u prit me entuziazëm nga të gjithë patriotët e trevës. Murati u vu menjëherë në aksion të punës. Ai vuri kontakte me ish nxënësit e tij. Në lidhje me këtë konsulli austro-hungarez në Durrës, në relacionin e tij të datës 12, maj 1909, dërguar Vjenës shkruante se Ymer Deliallisi dhe Ali Shahini nga katundi Shijak kanë marrë nga Murat Toptani letra dhe libra shqipe. Ndërkaq që aktiviteti dhe veprimtaria e patriotëve të klubit “Bashkimi”, filloi të ngjallë reagime në mesin e partizanëve xhonturk. Ky shpërthim i patriotizmit shqiptar me të madhe shkaktoi shqetësimin e xhonturqve andaj ata organizuan në Tiranë degën e partisë “Ittihad ve Terakki”,(Bashkim dhe përparim) selia e së cilës u vendos në ndërtesën e hotelit “Stamboll” Në këtë mënyrë pa kaluar shumë muaj nga fitorja e revolucionit xhonturk, u krijua një hendek midis të së quajturës “Ittihadist” dhe atyre që quheshin “Bashkimxhinj”. Në këto rrethana të reja fusha e luftës e patriotëve shqiptarë u ndërlikua mjaft, sepse xhonturqit përveç që e kontrollonin pushtetin, administratën, ushtrinë, policinë, financat, në dorën e tyre ishte edhe një armë shumë e fuqishme, programi social. Ata e konsideronin veten e saj si një parti konstitucional antifeudale, që synonte në përmbysjen e sulltanit, por që kërkonte ta shpëtonte Perandorinë Osmane nga copëtimi. Meqë disa bejlerë shqiptarë kishin kaluar në anën e lëvizjes kombëtare, ata lëshuan kundra tyre motivet antifeudale, me qëllim të përvetësimit të fshatarësisë. Kështu që sipas xhonturqve bejlerët shqiptarë, kërkonin shkëputje nga Perandoria Osmane. Në një situatë të tillë kohore pas nëntorit të vitit 1909 jeta në Tiranë karakterizohej nga një luftë e ashpër politike midis dy palëve; patriotëve shqiptar që në anën e tyre kishin vetëm aspiratën për të përfituar të drejtat kombëtare të premtuara nga kushtetuta, dhe xhonturqve të cilët e shkelën brutalisht kushtetutën duke kaluar në një terror policor mjaft të egër. Si pasojë e këtij çrregullimi politik në Tiranë klubi “Bashkimi” u mbyllë, dhe Murat Toptani u internua sërish-për herë të katërtë dhe të fundit në jetën e tij, me ç’rast u dërgua larg Shqipërisë në Anadoll, prej nga nuk pati mundësi të kthehet deri pas dorëheqjes së qeverisë xhonturke të Haki Pashës më 17 korrik 1912 e cila qe detyruar të jap dorëheqje nga përmasat e mëdha që patën ndërmarrë kryengritjet në Kosovë, dhe të amnistisë së përgjithshme, të shpallur më 5 gusht 1912 nga qeveria turke e Qamil Pashës. Ndërkohë që në Tiranë shumë patriot u burgosën, me kërcënime që të heqin dorë nga “shqiptarizmi” i tyre. Refik Toptani, i porositi anëtarët më të spikatur të organizatës “Bashkimi”se kush kishte mundësi, të arratisej jashtë Turqisë. Vetë ai shkoi në Itali dhe u vendos në Napoli, aty ku ishte strehuar disa vite më parë vëllai i tij Murat Toptani. Gjatë një kontrollimi të bërë nga ana e policisë në shtëpinë e tij janë gjet një shumicë fletoresh të “dëmshme”(sipas vlerësimit të aktvendimit të
Gjykatores Ushtarake të Jashtëzakonshme në Elbasan), një libër i shkruar nga Sami Frashëri mbi pavarësinë e Shqipërisë, i përkthyer nga Shahin Kolonja, dhe portreti i një shqiponje, që kishte të shkruara fjalët Rroftë Shqipëria dhe fjalët gegë e toskë në anën e një luleje të vizatuar. Policia arriti ta burgos sekretarin e Refik beut, Mahmut Fortuzin, në shtëpinë e të cilit gjetën disa flamuj të Shqipërisë, kalendarë etj. (është fjala për Kalemdarin Kombiar, që e botoi Mithad Frashëri prej vitit 1897-1928, në formë të revistës-libër që i ngjasonte një enciklopedie të vogël letrare e kulturore SH. V.) ku u provua se ai, ishte shpërndarës i librave dhe i broshurave të “dëmshme”. Krahas Mahmut Fortuzit, janë burgosur edhe Hafëz Ibrahim Daliu, Jusuf Sylejman Elezi, Mustafa Mara, Beqir Luga dhe Qamil Biçaku i Jusuf Beut nga Elbasani etj 68.
Dorëheqja e Haki Pashës shënonte fundin e politikës arrogante xhonturke. Pamundësia e saj për të shtypur kryengritjen shqiptare, e cila ndodhi pas disfatës së luftës me Italinë rreth Tripolit, të filluar me 27 shtator1911, në të cilën Turqia pësoi, për shkak ngjarjeve të shfaqura në Shqipëri dhe rrezikut të luftërave të tjera në Ballkan. Kështu që turqit u detyruan të hynë në bisedime me italianët dhe në tetor 1912, u nënshkrua traktati në Lozanë, ku Italia mori pasurinë e Afrikës Veriore, të cilën e pagëzoi Libi.69 Në këtë luftë Italia përdori edhe aviacionin dhe bëri bombardimin e parë nga qielli në historinë e luftërave, me ç’rast i solli dëme mjaft të mëdha ushtrisë së Perandorisë Osmane, e sidomos shkaktoi viktima të shumta popullatës civile arabe myslimane të Libisë. Kjo ishte ajo që e zhyti Perandorinë Osmane në një krizë të thellë politike. Ndërkaq që dorëheqja e Haki Pashës i inkurajonte më tepër kryengritësit shqiptarë të cilët pas sukseseve të vazhdueshme që kishin korrur pothuajse çdo ditë, më 22 korrik çliruan Prishtinën, kryeqytetin e vilajetit të Kosovës, ndërsa me 12 gusht kryengritësit hynë dhe e çliruan Shkupin. Është interesant me këtë rast të cekim se çka kishte deklaruar Haki Pasha në parlamentin turk më 1911 për shqiptarët:
“Prej të gjitha kombësive që jetojnë nën administrimin tonë, rrezikun më të madh për Turqinë e paraqesin shqiptarët, nga të cilët duhet të frikohemi...që mos të arsimohen në gjuhën e tyre...Me ndihmën e shkrim leximit në gjuhën shqipe ata kanë filluar vendosjen e bazave kombëtare, dhe një ditë do munden ta nënshtrojnë tërë Turqinë; shqiptarët kanë një gjuhë të pasur dhe të letë, e cila shumë shpejtë mësohet...Evropa ka një simpati të madhe për këtë popull; Shqiptarët kërkuan arsimim, hapën shkolla-të mëdha dhe të vogël, hapën klube, shtypshkronjën, mbajtën kongrese dhe kryen aq punë sa që për ne është vështirë që t’i bindemi gjithë kësaj.”70
Ndërsa shtypi i kohës shkruante për lodhjen e Perandorisë Osmane nga luftërat dhe kryengritjet e organizuara të një pas njëshme, të zhvilluara në dekadat e fundit të regjimit të vjetër, e sidomos në dy vitet e fundit të regjimit xhonturk.
Vendet aleate të Ballkanit, si Bullgaria, Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, e nënshkruan një traktat me çka u kristalizua aleanca e këtyre katër shteteve ballkanike. Qëllimi kryesor i këtyre shteteve aleate ishte pushtimi i Maqedonisë, por si duket ata nuk ranë në ujdi për ndarjen e territoreve; meqë ndërmjet Bullgarisë dhe Greqisë ekzistonte ndarja, e po ashtu ndërmjet Bullgarisë e Serbisë, fati i Maqedonisë, si një tokë që nuk i përkiste askujt, iu la në dorë carit të Rusisë. Ky kalim i problemit territorial mund të thoshte konflikt mes anëtarëve të aleancës pas përfundimit të luftës me Turqinë.
Megjithëse nuk u përcaktua data e sulmit mbi Turqinë, më 1912 vendet aleate po prisnin me padurim. Ato ndiheshin të fortë nga bashkimi, donin të përfitonin nga turpi i Kostandinopojës, i krijuar nga lufta me Italinë dhe së fundi ato ishin të ndjeshme nga fitorja e shqiptare, pasi tani Shqipëria duhet të konsiderohej si një shtet autonom i përbërë nga katër vilajetet e Shkodrës, Janinës, Manastirit dhe Kosovës. Nëse problemi shqiptar do të zgjidhet përfundimisht, atëherë vendet aleate do t’i gjenin dyert të mbyllura në perëndim. Të alarmuar nga gjendja e krijuar, ministrat e jashtëm të vendeve aleate, e fiksuan sulmin në vjeshtë. Ndër shtetet e vogla ballkanike, Mali i Zi u bë pararojë, pasi mbreti Nikolla më 8 tetor i shpalli luftë sulltanit. Disa ditë më vonë, monarkët e vendeve aleate i dërguan një ultimatum Kostandinopojës dhe lufta filloi.71
Nga kujtimet e Ismail Qemalit kuptojmë se mbreti Nikolla e ftonte ta vizitoi në Tivar, për të diskutuar rolin që Shqipëria kishte pas mundësi ta luante, në një luftë kundër Turqisë, dhe dobitë që ndoshta mund t’i kishte përfituar.72 Megjithatë kjo vizitë nuk u arrit me që Ismail Qemali një takim të tillë e shihte si të parakohshëm duke menduar se ndoshta do të ishte më mirë, nga çdo drejtim, siç i shkruante në telegram Mbretit Nikoll, që në radhë të parë të kontaktoja me qeverinë e re turke, ministrat kryesorë të së cilës ishin miq personal të tij. Mbreti Nikolla kishte për qëllim të arrijë një marrëveshje me Ismail Qemalin, në lidhje për mënyrat dhe kohën e rreshtimit të Shqipërisë përkrah aleatëve.73
Lufta e Parë ballkanike filloi duke i shpallur Mali i Zi luftë perandorisë osmane siç thamë me 8 tetor dhe pastaj Serbia, kurse Bullgaria me 17 tetor dhe Greqia me 18 tetor, me nisjen e veprimeve luftarake duke marshuar në territoret e perandorisë. Tri prej tyre, ushtritë malazeze, serbe dhe greke si të droguar filluan të pushtonin viset shqiptare. Me përparimin e tyre ato ushtruan një terror mbi shqiptarët e viseve të pushtuara. Ushtria turke tërhiqej nga të gjitha frontet. Në fund të tetorit, malazezët po e rrethonin Shkodrën, serbët po pushtonin Kosovën, ndërsa ushtria greke e pushtoi Çamërinë dhe po e rrethonte Janinën.
Tani, në rrethana dhe kushte të tilla që u paraqitën në Ballkan, për kombin shqiptarë shtrohej pyetja e ekzistimit politik të tyren. Me humbjet e ushtrisë Turke, njehsoheshin ditët e sundimit të saj në Evropë. Si duket kishte ardhur momenti për të cilën shkruante dikur Sami Frashëri, se do të vjen koha kur shqiptarët duhet të vendosen se a do të shkatërrohen bashkë me Turqinë apo do të ndahen prej saj.74 Kjo gjende mjaft e ndërlikuar i shtyri patriotët shqiptarë që të marrin masa që të mos lejonin copëtimin e tokave shqiptare. Këtë iniciativë e morën Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi. Ata u nisën nga Stambolli në Bukuresht dhe më 5 nëntor 1912 organizuan mbledhjen e Kolonisë Shqiptare, ku formuan Komitetin Drejtues, që do të merrte në dorë qeverisjen e vendit. Po kështu u formua një komision për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar para Fuqive të mëdha. Nga Bukureshti Ismail Qemali shkoi në Vjenë ku zhvilloi biseda me ambasadorin anglez dhe atë italian. Prej Vjene nëpër Trieste arriti më 21 nëntor në Durrës. Midis personaliteteve që kishin dalë për ta pritur ishte edhe Murat Toptani, fytyra e të cilit ndriçonte nga kënaqësia dhe gëzimi i madh. Kështu i shoqëruar nga delegatët e Durrësit, Shijakut, Tiranës, Krujës, Kavajës, Lushnjës, Fierit dhe të Kosovës, më 25 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemqli arriti në Vlorë.75 Kishte pas vështirësi për të arritur deri në Vlorë, nga se rrezikohej që të mbyllen rrugët nga ushtritë serbe dhe greke, të cilat po përparonin me shpejtësi, mbasi ushtritë turke përveç garnizoneve të Shkodrës, Janinës dhe Selanikut ishin shthurur gjithandej. Për këtë arsye me qëllim të kapërcimit të kësaj vështirësie të pa pritur Refik Toptani grumbulloi jashtë qytetit, brenda pak orësh numrin e domosdoshëm të kuajve dhe karrocave, dhe kështu më 22 nëntor një grup jo i vogël i delegatëve, ndërmori nga Durrësi udhëtimin e vet historik për në Vlorë.
Në prag të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë ushtria e shteteve të Aleancës Ballkanike depërtonte thellë e më thellë nëpër tokat shqiptare nga të gjitha anët. Patriotët shqiptar nëpër qytete vendosën që sa më parë të shpallnin pavarësinë me qëllim që autoritetet ushtarake të ishin para aktit të kryer. Ushtritë serbe kishin arritur në Krujë dhe me ngulm të madh donin të shtinin sa më parë në dorë Tiranën. Patriotët shqiptar të Tiranës të tubuar rreth Refik Toptanit vendosën të shpallnin vetëqeverimin e Shqipërisë dhe qëndrimin e saj si vend asnjanës. Vendimin historik e shpalli publikisht nga hyrja e ndërtesës Refik Toptani përpara popullit të tubuar në miting.
Patrioti dhe atdhetari i pa epur Hafëz Ibrahim Dalliu, aktor i ngjarjeve të kohës dhe pjesëtarë i çetave patriotike në kujtimet e tij “Patriotizma në Tiranë” na e ka dhënë fjalimin historik të Refik Toptanit në këtë mënyrë:
“Or vllazën! Me hidhrim të madh po ju tham se e pru puna me u nda prej vllaznish t’onë Tyrq, dhe m’e zbrit bajrakun (flamurin) e atyne qi ka valu me qindra vjetsh, edhe me ngref qeverin komtare e me ngrejtë flamurin e Shqipnis. Dhantë Zoti e u puqshim si sod goj ndër gojë q’ashtu të mundemi m’e rujtë atdheun t’onë nga të shkelunit e anmikut. Rroftë Shqipnija në vehte, Rroftë flamuri kombtar!”76
Hamit Borishi oficer i xhandarmërisë e uli flamurin e Perandorisë Osmane dhe e ngriti flamurin shqiptar-një flamur i pikturuar sipas modelit që kishte botuar kolonia shqiptare e Sofjes. Me këtë rast iu dërgua një telegram personalisht Ismail Qemal Vlorës ku thuhej :
“Tani shpallëm Pavarësinë në emër të Shqipërisë. Kërkojmë dhe lutemi të ruhen të drejtat e pamohueshme të Pavarësisë tonë.”
Përfaqësuesit e Tiranës u dërguan telegrame edhe qyteteve shqiptare, që nuk ishin pushtuar ende nga ushtritë serbe dhe greke. Mirëpo ndodhi që ushtritë serbe si çdo herë, të etur në gllabërimin e territoreve shqiptare, duke mos e respektuar Pavarësinë e shpallur me vullnet të lirë nga banorët e Tiranës, hynë në qytet, e përdhosin flamurin kombëtar shqiptar, ngritën flamurin e mbretërisë serbe dhe shpallën gjendjen e jashtëzakonshme të pushtimit. Me atë rast Refik Toptani hartoi me nguti një protestë drejtuar konsullit të Austro-Hungarisë në Durrës dhe e njoftoi Ismail Qemalin në Vlorë.77
Siç po vërehet situata bëhej gjithnjë e më e nderë, prandaj në mbrëmje të 27 nëntorit 1912 delegatët që ndodheshin në Vlorë vendosën, edhe pse nuk kishin arritur përfaqësuesit e disa krahinave, që të nesërmen të mbahej Kuvendi Kombëtar. Kështu më 28 nëntor 1912 në Vlorë (i vetmi qytet në Shqipëri ende i pa pushtuar nga forcat e aleancës ballkanike)78, delegatët numri i të cilëve arrinte në 37 (diku qëndron 41) u tubuan në shtëpinë e Xhemajl Bej Vlorës e mbajtën Kuvendin Kombëtar. Kuvendi zgjodhi kryetar Ismail Qemalin, me urdhrin e të cilit Murat Toptani ngriti flamurin duke kënduar bashkë me përfaqësuesit korçarë të Kolonisë së Bukureshtit këngën “O flamur i Shqipnisë” që e kishte thurur vetë, ndërsa ishte muzikuar nga korçari Floqi Thanasi (1884-1945).
Aktin e shpalljes së pavarësisë përveç pjesëmarrësve të tjerë e nënshkruan edhe Murat e Abdi Toptani si delegat nga Tirana.
Disa ditë më vonë pas shpalljes së pavarësisë, më 4 dhjetor 1912, u formua qeveria e parë shqiptare nën kryesinë e Ismail Qemalit. Po këtë ditë krahas formimit të qeverisë u krijua dhe pleqësia e shtetit shqiptar si një organ ndihmës dhe kontrolli për qeverinë shqiptare. Njëri ndër 18 anëtarët e Pleqësisë ishte edhe Murat Toptani.
Pa dyshim, se vendimi i shpalljes së pavarësisë është një akt historik me të cilin Shqipëria bëhet e pavarur dhe shtet sovran, por vetëm me kaq nuk u zgjidh kjo çështje. Se pse, njëra ndër çështjet themelore që mbeti e pa zgjidhur ishte çështja e njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë dhe caktimi i kufijve. Megjithëse hapësira mbi të cilën shtrihej pushteti i shtetit të posa shpallur shqiptar ishte tepër e ngushtë. Pushtuesit e rinj që e zëvendësuan Perandorinë Osmane në trojet shqiptare-Serbia, Greqia dhe Mali i Zi bënë përpjekje, ushtarake dhe diplomatike, që në zanafillë ta shuajnë atë.79
Përpos fqinjëve ballkanikë, në njërën anë, dhe shqiptarëve, në anën tjetër, konceptin e tyre për zgjidhjen e çështjes shqiptare tani e kishin edhe Fuqitë e Mëdha. Pas rënies së Perandorisë Osmane, në Ballkan u krijua një zbrazëti e madhe, të cilën Aleatët Ballkanik po e plotësonin me pasoja tepër të mëdha për ardhmërinë ballkanike! Ishte e qartë se me synimet e tyre zgjeruese ato do ta zgjasin krizën ballkanike. Por shtetet e Fuqive të Mëdha Evropiane, duke vështruar dhe parë situatën mjaftë të ndërlikuar në Ballkan e thirrën Konferencën e Ambasadorëve në Londër, me qëllim të zgjidhjes së krizës ballkanike. Në këtë Konferencë e cila i filloi punimet me 17 dhjetor 1912, dhe përfundoi me 12 gusht 1913, morën pjesë këta ministra: nga Austro-Hungaria, Mensdorfi; nga Gjermania, Lihnovski; nga Italia, Imperiali; nga Franca, Kamboni; dhe nga Rusia, Bekendorfi, kurse mbledhjet e Konferencës i kryesonte Ministri i Punëve të Jashtme Angleze, Eduard Grei.
Qeveria e përkohshme e Vlorës në këtë konferencë kishte caktuar delegacionin prej katër anëtarësh. Por, në Londër vajtën vetëm tre: Rasim Dino, Mehmet Konica, dhe Filip Noga. I katërti ishte caktuar Sotir Kolea por që nuk shkoi nga se, si duket nuk dëshironte ta merrte një përgjegjësi nga pesha e rëndë e historisë.81
Gjashtë ministrat e punëve të jashtme të shteteve të përmendura, si dhe përfaqësuesit e Shqipërisë, Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi, gati tetë muaj do ti kalojnë duke biseduar rreth ndarjes së “trashëgimisë ballkanike turke”, por më së shumti rreth kufijve të Shqipërisë me fqinjët e saj. Gjatë kësaj kohe siç shkruante akademiku jonë i shquar Rexhep Qosja, ata do të lexojnë memorandume, shtesa të memorandumeve, procesverbale, përkujtesa rezoluta, deklarata, peticione, demarshe, do të shikojnë harta gjeografike të Evropës e të Ballkanit, e më së shumti projekt harta, në të cilat paraqiteshin kufijtë e Shqipërisë së porsakrijuar.82 Dhe më në fund vendimet e nxjerra nga kjo konferencë Shqipërinë e lanë të gjymtuar, sepse më tepër se gjysma e territorit dhe e popullsisë shqiptare mbetën nën pushtimin Grek, dhe Serbo-Malazez.
Është interesant me këtë rast të cekim se çka i tha përfaqësuesi shqiptar Mehmet Konica, kryesuesit të konferencës ministrit britanik Eduard Grei-t, kur konferenca në mars të1913 vendosi të copëtonte rëndë trojet shqiptare. Mehmeti kërkoi të bëjë një takim me ministrin dhe kryesuesin e mbledhjeve të konferencës Eduard Grei. Protokolli për këtë takim parashihte vetëm15 minuta kohë. Të shohim si vijoi ky takim. Kur Mehmet Konica hyri brenda (në zyrën e z. E. G.), atij nuk iu ofrua të ulet, ndërsa ministri britanik qëndronte pranë dritares me shpinë të kthyer kah ai. Mehmet Konica nuk e filloi bisedën në lidhje me caktimin e kufijve, por e zëri ngoje se në Shqipëri është zbuluar një minierë e pasur e arit dhe për këtë qeveria e Ismail Qemalit ka shpreh dëshirën që koncesionet për eksploatimin e saj ta marrin Anglezët. Z. Eduard Grei menjëherë kthehet me fytyrë kah bashkëbiseduesi dhe i ofron të ulet. Atëherë, Mehmet Konica i tregon se kjo nuk është e vërtet, por dëshira e tij ishte të shohë se si kishte me reagua Britania e Madhe në rast se do të ishte e interesuar drejtë për së drejti për Shqipërinë.83
Mehmet Konica dhe Filip Noga qëndruan në Londër deri në fillim të gushtit 1913. ndërsa Rasim Dinoja, si duket u largua nga fundi i marsit apo fillimi i prillit, pas lajmit për caktimin e kufijve që u vendosën më 20 mars.
Nuk duhet harruar se Shqipëria u bë viktimë e mbajtjes së ekuilibrit ndërmjet fuqive të mëdha, gjë të cilën e kishte pohuar edhe vetë ministri britanik Eduard Grei, kur u përgjigj në Dhomën e Komunave, me 12 gusht 1913, për çështjen e kufijve të Shqipërisë: “Jam i bindur se, kur të dihen të gjitha, ky vendim do të kritikohet me të drejtë nga shumë anë, prej çdo njeriu që e njeh vendin dhe që e shikon çështjen vetëm nga pikëpamja e popullsisë së tij. Por duhet të kemi parasysh se, në bisedimet rreth kufijve të Shqipërisë, qëllimi kryesor ishte që të mos hapej konflikt midis fuqive të mëdha. Prandaj në qoftë se marrëveshja mbi Shqipërinë u arrit duke mbajtur harmonin ndërmjet fuqive të mëdha, mund të themi se ka qenë një sukses i plotë për interesin jetësor të paqes n,Evropë.”84
Sipas vendimeve të dala nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës, Shqipëria do të bëhej një principatë autonome e sovrane që do të kishte në krye një princ me të drejta trashëgimore, i cili do të caktohej prej fuqive të mëdha, me ç’rast shteti i ri do të shkëputej fare nga Turqia, dhe do të ishte asnjanës, nën garantin dhe kontrollin e gjashtë fuqive të mëdha. Administrata civile dhe financat e Shqipërisë, për një periudhë dhjetëvjetëshe, dot jenë nën mbikëqyrjen e një Komisioni ndërkombëtar, i përbërë prej delegatëve të gjashtë fuqive të mëdha dhe prej një delegati shqiptar. Ky komision do të organizonte të gjitha degët e administratës shqiptare, dhe afati i kontrollit të tij mund të zgjatej edhe për dhjetë vjet të tjerë në rast nevoje. Princi i Shqipërisë do të zgjidhej brenda gjashtë muajve. Por deri sa të vinte ky dhe deri sa të formohet një qeveri definitive, autoritetet dhe xhandarmëria e vendit do të viheshin nën kontrollin e Komisionit Ndërkombëtar. Rendi dhe qetësia publike do të siguroheshin nga një xhandarmëri e organizuar prej oficerësh të huaj, që parashihej të ishin Suedezë. Me që Suedia nuk pranoi të dërgonte oficerë në Shqipëri, atëherë në vend tyre fuqitë e mëdha dërguan Holandezë.
Pra sikurse po shihet konferenca e Londrës nuk e pranoi qeverinë e Ismail Qemalit, por ajo formoi një Komision Ndërkombëtar të Kontrollit të cilës ia dha disa kompetenca, (administratë, financa, “drejtësi” dhe xhandarmëri) me çka tashti në Shqipëri u mundësua krijimi i disa rrymave separatiste-krahinore, apo formimi i një mozaiku qeverish lokale, të cilat shkaktuan pështjellime të mëdha në lëmshin e çështjes së përgjithshme kombëtare. Kështu pos qeverisë së Vlorës dhe të Durrësit me Esat Toptanin, u formuan edhe qeveri në Lezhë me Dod Cokun në krye; pastaj në Shën Gjin të kryesuar nga Vat Marashi; në Mirëditë me Prenk Bib Dodën; ndërsa në Shkodër ishin forcat ndërkombëtare në krye me anglezin Filips. Si rezultat i tërë kësaj ishte dorëheqja e Ismail Qemalit me 22 janar 1914, duke ia dorëzuar pushtetin KNK, me çka u shpartallua Qeveria e Përkohshme e Vlorës, dhe si pasoj e saj disa ditë më vonë edhe largimi i tij nga Shqipëria duke marrë rrugën e mërgimit, si dhe emërimi i princ Vilhelm Vidit, qeveria e të cilit nuk solli asgjë të re.85 Të shtojë se Ismail Qemali nuk shkeli më në Shqipëri. Vdiq më 26 janar 1919 në Peruxhi të Italisë, por u varros në Elbasan më 17 shkurt 1919. Gazeta “Koha e Re” e Shkodrës, shkruante: “Na mbërrini lajmi i zi si korbi, i ftohtë si akulli e i preftë si shpata e mejdanit. Vdiq Ismail Qemali i Vlonës.” , Shkodër, 31 janar 1919.86
Largimi i Ismail Qemalit dhe rrëzimi i Qeverisë së Vlorës ishin padyshim goditja më e rëndë që merrte vepra e ngritjes së pavarësisë shqiptare mbi themele kombëtare.
Më 21 shkurt 1914 një delegacion shqiptar prej 14 vetash, i caktuar nga KNK dhe i kryesuar nga Esat Pashë Toptani, shkoi në Gjermaninë Jugperëndimore dhe i ofroi zyrtarisht princit Vilhekm fon Vid kurorën e Shqipërisë. Pas disa ditësh princi u nis për në Shqipëri dhe, i shoqëruar gjatë lundrimit në Adriatik nga disa luftanije të Austro-Hungarisë, Anglisë, Francës dhe Italisë, zbriti më 7 mars 1914 në Durrës.
Princ Vidi u ndodh shpejt përpara një gjendjeje politike mjaft të vështirë të brendshme e të jashtme. Brenda vendit ai u gjend përball lëvizjes “vorio-epirote dhe kryengritjes që shpërtheu në Shqipërinë e Mesme. Ndërsa në planin ndërkombëtar Princ Vidi u soll në Shqipëri nga Fuqitë e Mëdha, në një kohë kur ato kishin kontradikta ndërmjet tyre dhe po përgatiteshin për t’u ndeshur ushtarakisht me njëra-tjetrën. Përveç këtyre, Princ Vidi nuk i kishte mjetet e duhura për ta nxjerrë vendin nga ku ndodhej.87
Ndërsa një vështirësi tjetër për princ Vidin krijoi kryengritja që shpërtheu në Shqipërinë e Mesme, më 1914. Kryengritja e Shqipërisë së Mesme ose e rebelëve, siç u quajt në atë kohë, filloi në rrethin e Tiranës, më 17 maj 1914, me një sulm kundër batalionit të vullnetarëve tek Ura e Limuthit afër Tiranës, me ç’rast kryengritësit hynë në qytet. Të nesërmen më 18 maj, grumbuj fshatarësh të armatosur zunë Shijakun dhe iu drejtuan Durrësit. Kryengritësit dolën hapur kundër princ Vidit dhe kërkuan një princ turk.88
Në të gjitha viset që ranë në duart e rebelëve u ngrit flamuri i gjysmëhënës turke, dhe e para qe Kavaja ajo që ngriti këtë flamur. Kush u gjet me flamurin kombëtar u rrah me kërbaç. Gjuhë zyrtare u shpall turqishtja, ndërsa për shkolla shqipe as që bëhej fjalë. Patriotët shqiptar u burgosën në masë, si asnjëherë më parë. Hafëz Ibrahim Dalliu na jep plot emra patriotësh tiranas, që u burgosën nga rebelët, natyrisht duke mos qenë të bindur se janë përfshirë të gjithë. Këtyre arrestimeve nuk u shpëtuan as klerikët e njohur myslimanë, si Hafëz Ali Korqa, i cili kishte predikuar fenë në gjuhën shqipe, ose Haxhi Vehbi Agolli myfti i Dibrës, delegat në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare dhe kryetari i Pleqësisë Kombëtare të Vlorës, i cli më vonë u shqua si një nga organizatorët e kongresit të parë mysliman shqiptar (1922) dhe i pari kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar të Pavarur. Nga ana tjetër shumë patriotë i shpëtuan arrestimit, mbasi u arratisën jashtë vendit ose u fshehën jashtë qytetit nëpër fshatrat e thella. Dy prej tyre që i shpëtuan arrestimit ishin edhe Murat e Refik Toptani të cilët me ngutësi të madhe shkuan në Durrës, për të treguar gjendjen alarmante dhe për të kërkuar fuqi.
Rebelët apo xhonturkistët për hakmarrje dogjën shtëpitë e disave prej atyre që u arratisën, ndër të cilat atë të Murat Toptanit që kemi cekë më herët, vëllait Refikut dhe kushëririt të tyre Fuat Toptanit, po edhe shtëpitë dhe pronat e të tjerëve, si për shembull atë të Isuf Elezit.
Në këto kushte dhe rrethana mjaft kaotike, që tashti dominonin jo vetëm në Shqipërinë e Mesme, por edhe në hapësira tjera të Shqipërisë, Murat Toptani emigroi në Vjenë të Austrisë, pasi që kishte besim të madh tek politika dhe diplomacia e Austro-Hungarisë ndaj Shqipërisë.89
Edhe pse shpejtë pasi filloi Lufta Parë Botërore, Shqipëria u gjend nën pushtimin Austro-Hungarez, Murat Toptani nuk u kthye në atdhe. Ai shërbente si oficer në ushtrinë Austro-Hungareze, larg gruas dhe fëmijëve. Nga një letër e Muratit drejtuar prej Vjene gruas së tij, Asijes në Tiranë, më 18 prill 1917, të cilën do ta paraqesim më poshtë kuptojmë se ajo kishte vuajtur mjaftë shumë pa të shoqin pranë. Sa mund të kuptohet nga letra, z. Asije e kishte “qortuar” Muratin, ndoshta sepse ai , i angazhuar si oficer në ushtritë Austro-Hungareze vazhdonte të qëndronte larg në Vjenë, edhe pse tani këtu vendi ishte nën pushtimin e Austro-Hungarisë. Murati thotë se është hidhëruar fort nga këto qortime”. Por, përpiqej të shfajësohej me gjuhë të kulturuar. Sado që letra ka karakter intim, ajo na tregon kalvarin politik, që kishin pësuar çifti patriot, Murati dhe Asija. Letrën do ta riprodhojmë sikurse është e shkruar në gjuhën e kohës, pa ndërhyrje ortografike dhe gjuhësore, nga se ashtu është botuar edhe në librin “Historia e Tiranës” të cilës iu kamë referua në disa raste, gjë që është evidentua në fusnotë. Ai e fillon letrën:
“Ime shoqe fort e dashme...Shpirti i im, të di qi je ma trimnesh’e grave dhe zoti ma din sesa dashni e sesa respekt ndjen zemra ime për ty. Po metohu pak. Thue që kini hek keq. E di, por jo edhe sa më shkruani, ani i zam qi të jen të vërteta. Po moj zonja ime. Fati ynë i të dyve, që kur u martum jetën nëpër mërgime e në të zezat e shkretëtirat e Anadollit, e kemi shku me kaq përpjekje. U shpall konstitucioni i Turqisë me atë hyrjet të bukur që na dhanë. Se ç’hoqëm në atë kohë zoti e zemra jonë e din. Lufta e Ballkanit! T’hyjmet e gjith ç’mursh armikut në Shqipnië. Të përpjekurit për Shqipni e për shqiptari. Më së fundi lufta e tmerrshme, lufta botore. Po e lexoni vet se në ç’ditë gjendet gjithë faqja e dheut. Ku m’i kini ato kokë mekurona? Serbë, Mal i Zi, Belgjikë, Rumani. Po Rumanofët, ajo shtëpi gjakësore e despotëve t’errët të Rusisë? Këto po t’i shkruaj sa për shembull. Nuk mund të përgjasim hallin tonë me ta tynve mbasi ata ishin tepër nalt, e prej asaj naltsije kan ra! Mejtohu që dhe kombet i vërejnë si tradhtarë e gjakpirës e kujtdo s’u dhimbset halli i tyne. Por ne bija ime hoqëm për të mirën e atdheut të dashun. Kini hek e jeni përpjek, ani pa vesh e pa mbathur, mir ashtu si ju duket ndër sy, po Perëndia me madhninë e vet a nuk ka me na e pagua me të mira?...Mos m’u idhnoni u lutemi, se kështu jam mbjell e kështu kam me u korr se qeni plak nuk ze ma më të gjuaj. Perëndia të dhanë shëndetin, të falt e të rujt me gjith fëmin, njësh e ja mrifsh asaj dite të bardh e i martofsh.”90



Fjalët e fundit të letrës të krijojnë përshtypjen sikur Murat Toptani mos kishte ndërmend të kthehej në Tiranë. Por nuk doli ashtu. Nga se kah fundi i vitit 1917, ai u kthye në gjirin e familjes së vet në Tiranë. Mirëpo fati i tij ashtu si ia kishte caktuar zoti nuk deshi të jetoi gjatë pranë familjes. Dy muaj më vonë më 20 shkurt 1918, Murati duke kalëruar si në rini, vdiq pa pritur nga pushimi i zemrës dhe u rrëzua nga kali. Vdiq në moshën 51 vjeçare. Vdekja e Muratit pikëlloi mbarë qytetin. Për këtë bir të shquar nga Tirana, qytetarët e saj e shprehën me një varrim madhështor, të cilën Tirana nuk e kishte parë asnjëherë deri atëherë.
Gazeta “Vllaznia e Vjenës” me rastin e vdekjes së Murat Toptanit shkruante: “Murat Toptani tregoi pa frikë në të tanë rastet se ishte gjithmonë në anë të kombit të vet, e me zell të pa shoq u përpoq për të mirën e tij...”91 Ndërsa gazeta “Posta e Shqypnis”, që botohej në Shkodër nën drejtimin e Gjergj Fishtës, ja se si e njoftoi vdekjen e Murat Toptanit:
“Me dhimbje të zemrës marrim vesh se këto ditë ka vdekur nga një vdekje e papritur Murat Bej Toptani, zotni i ndershëm dhe atdhetar i vlefshëm. Murat Beu ka mbaruar mësimet në liceun e Gallatës dhe doli fort i zhdërvjellët nga mendja. Sidomos doli mjeshtër në skulpturë. Vepra e fundit, që ka kryer ishte shëmbëllesa e Skënderbeut, e cila i pati dalë për bukuri. Ka shkruar edhe vjersha dhe për ato që na ka rënë rasti t’i dëgjojmë nga goja e tij, kanë qenë të shkruara me aq ndenja sa do të ishte dëm të humbnin. Murat Beut i qëlloi të heqë shumë nga qeveria e Stambollit. Por, si në fat të mirë, si në fat të keq, gjithmonë i la nder vendit e kombit për njerëzi, bujari e dashuri ndaj atdheut. Pasi krisi lufta e Evropës, hyri si vullnetar në ushtrinë austro-hungareze, ku shërbeu si Leutenant deri ditën e vdekjes. Shtëpisë dhe vëllazërisë së tij i urojmë prej zotit forcë për këtë vdekje të mjerueshme.”92
Krijimet poetike të tij janë përmbledhur në vëllimin “Vjershat e Murat Toptanit”, Tiranë 1924.

Ky material u botua para ca kohe në të përditshmen “ZËRI”.
FUND

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Shevki Sh. VOCA
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 32 vizitorë
Lexuar: 5,421 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi