Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
KONTRIBUTI I KULTURËS KOMBËTARE NË RRJEDHAT E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË
Publikuar më 23 nntor, 2009 në orën 01:23 ( ) Isuf B. Bajrami | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
PJESA E PARË

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor 1912 i dha fund sundimit shekullor osman duke shënuar një kthesë rrënjësore në fatet e Shqipërisë. Populli shqiptar, i dha grushtin e fundit ushtarako-politik Perandorisë Otomane, duke kurorëzuar ëndrrat dhe aspiratat mijëvjeçare të tij. Shqipëria u shpall sovrane, e pavarur jo vetëm ndaj zgjedhës otomane por edhe ndaj çdo zgjedhe e zinxhirëve të rinj që farkoheshin në kurthet e fqinjëve. Rilindja Kombëtare arrinte me këtë kulmin e vet, sepse pavarësia kurorëzonte luftërat e përpjekjet heroike të brezave të tërë për të kthyer lirinë e humbur, për të gëzuar të drejtat kombëtare dhe për t'i hapur vendit rrugën e zhvillimin e të përparimit.

Me vendimin historik të Kuvendit të Vlorës triumfonte edhe në Shqipëri parimi kombësisë i shpallur nga rilindësit tanë dha nga demokracia ballkanike e evropiane qysh në shekullin XIX. Vihej në vend kështu një e drejt imanente e një kombi të formuar në territorin e vet të banuar pa ndërprerje gjatë shekujve, me gjuhë, kulturë, histori e individualitet të vet, e drejt e fituar nëpër llogoret e një lufte të gjatë e të ashpër,e drejt që i takonte edhe për kontributin e vyer që kishte dhënë në procesin çlirimtar ballkanik dhe evropian.

Me gjithë kufizimet e saj, pavarësia, e parë edhe në prizmin e zhvillimeve të mëvonshme, e afirmoi me dinjitet idenë e madhe të kombësisë dhe të unitetit kombëtar edhe pse vendi ishte në pjesën më të madhe i pushtuar nga ushtri të huaja. Pavarësia e Shqipërisë nuk ishte thjesht vepër e një grushti patriotësh që ngritën flamurin në Vlorë. Ata sigurisht e kanë vendin e tyre të nderuar në histori. Por ata dhe Kuvendi Kombëtar i Vlorës sanksionuan juridikisht me një akt të nënshkruar nga përfaqësuesit e kombit atë që kishin përgatitur gjatë dhjetëra e dhjetëra vjetëve, me luftë, vuajtje e sakrifica masat e gjera popullore në të gjitha trevat shqiptare. Në themelin e pavarësisë kishte vënë gurë e gjithë shqiptaria.

Ngjarjet e shënuara përfaqësojnë vepra madhore të popullit. Ata marrin një vlerë të veçantë kur kanë karakter progresiv, i japin lëmshit të kontradiktave një zgjidhje të drejtë në përputhje me prirjet pozitive të zhvillimit historik. Shpallja e Pavarësisë bënë pjesë në ato ngjarje që shënojnë etapa në procesin historik. Ajo mbylli një epokë, epokën e shkëlqyer të Rilindjes për t'u çelur brezave të ardhshëm rrugë të reja. Si e tillë ajo ka rëndësi jo vetëm për kohën kur ndodhi e për kthesën që shënoi, por edhe për pasojat pozitive që la pas. Ajo ruan vlerën e saj edukuese e mobilizuese edhe për të ardhmen. Prandaj kremtimi i përvjetorëve të saj, evokimi i bëmave të të parëve tanë, vlerësimi i tyre në dritën e dialektikës përbën një detyrë jo vetëm për historianët, por për gjithë shoqërinë shqiptare. Dashuria dhe respekti për të kaluarën e ndritur janë një nga dëshmitë më shprehëse të patriotizmi t e të vitalitetit të popullit tonë. Kremtimi i ngjarjeve të mëdha historike bëhet nga ana tjetër një nxitje për t'u thelluar në studimin e tyre mbi bazën e fakteve të reja e të nivelit të arritur metodologjik të shkencës së historisë.

Trashëgimi shkencore për këto probleme, siç dihet, ka qenë relativisht i varfër. Duke u mbështetur në radhë të parë në dokumentet e botuara e të pabotuara, vendase e të huaja, në shtypin e kohës dhe në memorialstikën me vlerë të brezit të pavarësisë, që përveç fakteve të pa fiksuara në dokumentet na japin edhe opinionet, qëndrimet, gjykimet, aspiratat e pjesëmarrësve aktiv në ngjarjet.

Problemet e pavarësisë së Shqipërisë dhe të rrugëve që çuan te ajo kanë qenë objekt i një interesimi të veçantë edhe nga historiografia e huaj, sidomos ballkanike. Krahas përpjekjeve për një trajtim objektiv të ngjarjeve janë dhënë sidomos në vitet e Shpalljes së Pavarësisë, edhe trajtesa të sipërfaqshme e tendencioze, me vlerësime të pathemelta dhe aprioristike. Pas Luftës së Dytë Botërore filluan të duken në studimet e huaja për problemet e pavarësisë së shqiptarëve vlerësime të reja objektive që i detyrohen zhvillimit të historiografisë në përgjithësi, pozitave të pavarura demokratike e progresiste të autorëve, si edhe, në radhë të parë rolit aktiv të historiografisë re shqiptare në botën e jashtme. Megjithatë edhe sot e kësaj dite vazhdojnë t'i ofrohen lexuesit, por në formë më të të stërholluar e me disa "lëshime",shtrembërimet e vjetra tradicionale antihistorike dhe antishqiptare të nisura kryesisht nga interesat joshkencore.

Problemi kyç ku janë ndeshur e ndeshen pikëpamjet diametralisht të kundërta të historiografisë shqiptare nga njëra anë të një pjese të asaj të huaj nga ana tjetër ka qenë se Pavarësia e Shqipërisë ishte vepër e shqiptarëve apo e të huajve, ka qenë rezultat i luftës së pandërprerë të kombit shqiptar për çlirimin e vet dhe formimin e shtetit të pavarur, pra një kurorëzim i Rilindjes sonë apo ka qenë dhuratë e Fuqive një vendi që s'e priste, pra një zgjidhje koniukturore artificiale e përcaktuar nga interesat e këtyre fuqive, nëse shteti i pavarur shqiptar ishte vepër e forcave të brendshme kombëtare apo një krijesë ndërkombëtare e Fuqive të Mëdha.
Shpallja e Pavarësisë nuk ishte një akt i veçuar. Ajo u përgatit hap pas hapi, me kujdes, durim, guxim, me ndjenjën e përgjegjësisë për dhjetëra e dhjetëra vjet. Ashtu si protagonistit kryesor të saj Ismail Qemalit i vinte pas historia, ashtu edhe pavarësisë i priu një histori e tërë. Akti i 28 nëntorit nuk mund të kuptohet pa këtë histori. Ata që e nënshkruan dokumentin e pavarësisë nuk ishin njerëz të rinj që i nxori në skenë gjendja e ndërlikuar e krijuar nga Lufta e Parë Ballkanike dhe nevoja për të gjetur një rrugëdalje. Një pjesë e mirë atyre që u mblodhën në Kuvendin e Vlorës e kishin filluar veprimtarinë patriotike shumë kohë përpara dhe ishin dalluar si luftëtarë të pushkës e të penës për çlirimin kombëtar.

Pavarësinë e lidhin organikisht me Rilindjen jo vetëm protagonistët,por edhe mendimi e veprimi patriotik e revolucionar i tyre e në mënyrë të veçantë i masave popullore që panë te akti i 28 Nëntorit shpërblimin për gjakun e derdhur, për vuajtjet e sakrificat e bëra për të arritur atë ditë. Prandaj pavarësia dhe Rilindja jonë janë një e tërë dhe e pandarë.

Rilindësit luftuan kundër shtypjes kombëtare jo vetëm me mjetet materiale të qëndresës së armatosur, por edhe me mjete intelektuale, me idetë të cilat argumentonin të drejtat e popullit shqiptar për një ekzistencë të pavarur dhe e frymëzuan e mobilizuan atë në luftë. Kur patriotizmi i rilindësve u vesh me idetë e mëdha të iluminizmit dhe racionalizimit evropian mendimi politik e shoqëror i Rilindjes u ngrit në një shkallë më të lartë e mori një përmbajtje të re. Këto ide iu përshtatën realitetit shqiptar e iu përgjigjën kërkesave të shtruara nga vetë shoqëria shqiptare në zhvillim. Kështu idetë mbi lirinë e pavarësinë e atdheut e gjetën në penën e rilindësve argumentimin teorik të mbështetur jo vetëm mbi të drejtën natyrore të popullit shqiptar. Ata iu drejtuan edhe historisë për të vërtetuar lashtësinë e shqiptarëve në trojet e veta, individualitetin e tyre kombëtar, luftërat e pareshtura kundër sundimit të huaj, kontributin e dhënë në çështjen e përbashkët të çlirimit të popujve ballkanikë dhe evropian. Intelektualët gjallëruan kujtimet historike që populli i kishte ruajtur në këngët e legjendat e tij, ata vunë në dukje traditat e përbashkëta, ata e kuptuan dhe bënë të kuptonin të tjerët rëndësinë e bashkësisë gjuhësore, territoriale, shpirtërore, ata luftuan për të kthyer vetëdijen popullore në ndërgjegje kombëtare. Në një vend si Shqipëria ku bashkimi në lëvizjen për çlirimin kombëtar,i popullsisë së ndarë në tri fe të ndryshme, ishte kusht i domosdoshëm i suksesit, kjo ndërgjegje nuk mund të formohej veçse jashtë feve, mbi fetë, duke shpallur si parim themelor të Rilindjes-shqiptarizmin.

Idetë e reja u përhapën gjerësisht në rrethet e kulturuara brenda e jashtë vendit nëpër mjet librave e shtypit dhe depërtuan dora-dorës edhe në mendjet dhe në zemrat e njerëzve të thjeshtë nëpërmjet transmetimit gojor. Ato e ndihmuan popullin të zbulonte identitetin e vet historik dhe kombëtar, pavarësisht nga ndarjet krahinore, fetare, ta ndiente veten një bashkësi me të njëjtën histori, me të njëjtën kulturë e traditë, me të njëjtat shqetësime dhe shpresa, me të njëjtat kërkesa. Shqiptarët filloi ti bashkonte e kaluara e lavdishme, por edhe e dhimbshme dhe lufta për të siguruar të njëjtën të ardhme. Idetë e reja luajtën një rol shumë të rëndësishëm në shndërrimin e ndërgjegjes etnike në ndërgjegje kombëtare në të cilën filloi të shkruhej vullneti i kombit. Ishin këto ide që gjatë Rilindjes e sidomos me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, duke u rrënjosur thellë e në mënyrë të qëndrueshme në masat popullore i vunë ato në lëvizje si në vitet e krizave dhe të përleshjeve të armatosura me armiqtë, ashtu edhe në periudhat e zhvillimit relativisht të qetë. Lëvizja e Rilindjes që u shfaq në drejtimet më të ndryshme në rrafshin teorik, ideologjik, politik, kulturor, organizativ përshpejtoi procesin historik dhe i dha ritme zhvillimit që nuk i kishin njohur periudhat e mëparshme.

Ideologjia e Rilindjes u konkretizua në programet politike. Të ndërgjegjshëm për domosdoshmërinë dhe jo më pak për të drejtën për të qenë të lirë e të pavarur dhe për një zhvillim normal të vendit, ideologët e Rilindjes përpunuan në përputhje me kohën dhe rrethanat një strategji politike të qartë mbi rrugët drejt pavarësisë dhe mbi formën dhe përmbajtjen e tyre. Autonomia dhe pavarësia janë konceptuar gjithmonë si dy etapa në zgjidhjen e çështjes shqiptare të lidhur ngushtë me njëra-tjetrën. Platforma e autonomisë nën sovranitetin e sulltanit mbizotëroi gjatë Rilindjes deri në nëntorin e 1912-ës. Ajo lejonte të ngriheshin strukturat shoqërore-ekonomike dhe institucionet juridiko-politike që do të shërbenin si bazë për rendin shtetëror të pavarur, i cili do të vendosej me t'u krijuar kushtet e përshtatshme. Kjo shpjegohet jo me dëshirën e shqiptarëve, për të qenë nën hijen e sulltanit e as me papjekurinë e tyre për vetëqeverisje siç duan ta paraqesin këtë një varg autorësh të huaj. Kjo ishte rruga që kishin ndjekur edhe disa shtete të tjera ballkanike, përveç Greqisë. Por në rastin e shqiptarëve kërkesa e autonomisë shpjegohet kryesisht me konsiderata të karakterit ndërkombëtar. Në radhë të parë, vetë Porta e Lartë do të pranonte më lehtë, në raste se do të ishte e detyruar ta bënte këtë, një Shqipëri autonome duke ruajtur sovranitetin e saj në këtë zonë sesa një shkëputje të plotë të saj. Në fakt kështu ndodhi. Ajo e njohu autonominë e Shqipërisë, por pas Shpalljes së Pavarësisë. Faktori i jashtëm kryesor që kushtëzoi platformën e autonomisë ishte rreziku serioz e i vazhdueshëm i copëtimit të tokave shqiptare nga ana e monarkive fqinje, rreziku që kishte filluar të dukej qysh në vitet 40 të shekullit XIX. Në këto kushte Shqipëria autonome në kuadrin e Perandorisë Osmane mund të përfitonte për sa i përket tërësisë territoriale të atdheut, qoftë nga interesi i Portës së Lartë për t'i ruajtur të paprekur kufijtë e Perandorisë, qoftë nga garancitë e Fuqive të mëdha për të ruajtur paprekshmërinë e saj. Shqipëria autonome do të kishte mundësinë të konsolidohej në atë shkallë sa kur të dilte e pavarur të ishte në gjendje t'u qëndronte rreziqeve të jashtme që i kanoseshin.

Një mbështetje e jashtme, një aleancë luftarake, me fqinjët grek në luftën çlirimtare kundër Perandorisë Osmane ishte e mjaftueshme për Komitetin Qendror të Stambollit dhe udhëheqësin e tij Abdyl Frashrin që të projektonte qysh më 1877 krijimin e një Shqipërie të pavarur. Qëndrimi negativ që mbajti ndaj këtij projekti qeveria greke e përforcoi bindjen mbi drejtësinë e kërkesës për autonominë territoriale-administrative të vendit. Megjithëkëtë, kur Lidhja e Prizrenit e shpalli vetë autonominë dhe formoi qeverinë e përkohshme më 1881, Sami Frashri shpresonte se nuk do të vononin të krijoheshin rrethanat e favorshme që Shqipëria të bëhej, siç shprehej ai "me shkëputje fare". E parë me këtë sy, pavarësia e 1912-ës, e shpallur në kushtet e Luftës së Parë Ballkanike ishte rrjedhim logjik i vijës rilindëse. Rrjedhimisht mund të thuhet se çështja e pavarësisë së Shqipërisë, nga pikëpamja e forcave të brendshme politiko-shoqërore ishte shtruar për zgjedhje qysh në shekullin XIX, të paktën qysh në kohën e Lidhjes së Prizrenit, kurse nga pikëpamja e faktorëve politik ndërkombëtarë evropianë e ballkanikë ajo u shtrua për zgjidhje dhe u realizua në nëntorin e vitit 1912.

Ideja e autonomisë apo pavarësisë konkretizohej me kërkesën themelore që kishte qëndruar në bazë të të gjitha programeve politike jo vetëm gjatë Rilindjes, por edhe para saj në atë për krijimin e shtetit shqiptar. Kjo kërkesë pati evolucionin e vet, nga një principatë si ajo e Skënderbeut e paraqitur nga kryengritjet e shek, XIV-XVII, te pashallëqet e mëdha të shek. XVIII-fillimi i shek. XIX, nga vilajeti, provinca apo shteti shqiptar me autonomi politike administrative të kërkuar nga Lidhja e Prizrenit, Lidhja e Pejës dhe kryengritjet e viteve 1910-1912 deri te shteti i pavarur i 1912-ës. Ndryshe nga udhëheqjet kombëtare të disa vendeve ballkanike që kërkonin të formonin shtetet e veta në kufijtë e perandorive përkatëse mesjetare, në kurriz të popujve të tjerë të Gadishullit. Rilindja jonë e konceptoi Shqipërinë autonome ose të pavarur me një shtrirje të tillë territoriale që të përfshinte trojet, banorët e të cilëve ishin os e krejtësisht, ose në shumicën dërmuese shqiptare.

Drejtimi tjetër themelor që përgatiti pavarësinë ishte veprimi revolucionar i armatosur. Mendimi teorik, politik e kulturor i Rilindjes u shoqërua hap pas hapi me luftën e armatosur antiosmane. Në këtë fushë lëvizja jonë shënoi faqe të shkëlqyera që i bëjnë asaj nder. Është një meritë e madhe e rilindësve më të përparuar që e konsideruan lëvizjen e armatosur çlirimtare si një mjet të domosdoshëm për të fituar të drejtat kombëtare. Por është një meritë edhe më e madhe e masave popullore shqiptare e në mënyrë të veçantë e fshatarësisë që rrëmbyen armët sa herë që paraqitej nevoja dhe nuk ngurruan të mateshin me armiq të fuqishëm, edhe pse kjo luftë kërkonte shumë gjak e sakrifica. Kjo luftë që mbushë analet e shek. XIX-XX ishte ana më e fortë e Lëvizjes sonë Kombëtare. Që nga kryengritjet kundër reformave të Tanzimatit e deri më 1912 kemi një zinxhir të tërë lëvizjesh të armatosura antiosmane që pasuan njëra-tjetrën, me përmasa e intensitete të ndryshme, por me një qëllim të vetëm, të hiqnin zgjedhën e huaj dhe të siguronin lirinë. Ishin në radhë të parë këto ngjarje që përgatitën truallin e çelën shtigjet për shpalljen e pavarësisë. Mund të thuhet me plot gojën se flamuri u ngrit në Vlorë mbi një truall të larë me gjak e se pavarësinë e pagoi shumë shtrenjtë populli ynë liridashës.
Pavarësia u përgatit nga rilindja jonë në të gjitha drejtimet. Ajo e gjeti shumicën e popullsisë shqiptare në të gjitha trojet e saj me një ndërgjegje politike të formuar, të vetëdijshme për detyrat e të drejtat e saj kombëtare dhe të vendosur për t'i fituar e mbrojtur ato me çdo kusht. Pavarësia e gjeti Shqipërinë me rrethe të gjera drejtuese, të dala kryesisht nga shtresat e borgjezisë së mesme e të vogël dhe nga fshatarësia, me përvojë politike organizative dhe ushtarake të fituar në procesin e një lufte të ashpër me Portën e Lartë, Fuqitë e Mëdha dhe monarkitë ballkanike. Shqipëria duhej të ngrihej, të organizohej e të përparonte si shtet i pavarur.

KONTRIBUTI I KULTURËS KOMBËTARE NË RRJEDHAT E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

Epoka e Rilindjes Kombëtare që i parapriu Shpalljes së Pavarësisë ishte epokë e zgjimit kulturor të shqiptarëve. Shtratin e përgjithshëm ideologjik të këtij zgjimi e përbënte ai koncept i përparuar për kulturën që e përpunuan rilindësit. Për ta kultura ishte para së gjithash një vizion i ri për botën, një mënyrë e re e konceptimit të jetës, të historisë dhe të perspektivave të saj. Ajo ishte një lëvizje e fuqishme intelektuale që rivlerësoi gjithë vlerat, që i pasuroi botën shpirtërore të shqiptarit në frymën e saj kritike, që rrëzoi idhujt dhe mite të vjetra dhe formuloi kërkesa për vlera të reja kulturore. Kultura e Rilindjes Kombëtare ishte një ideal i ri shoqëror, politik, moral që barte me vete projektin e madh të krijimit të një realiteti të ri, projektin e Shqipërisë së pavarur e të lirë.
Ideologët e Rilindjes Kombëtare e kuptonin rëndësinë e dijeve për kulturën. Ata ishin pishtar të flaktë të iluminizmit dhe besonin në forcën e dijeve. Thelbin e këtij koncepti iluminist për kulturën e shprehu Naim Frashri me moton e tij të famshme: "Dhe drit'e dirturisë, përpara do na shpjerë ". Por kultura për ideologët e Rilindjes Kombëtare nuk ishte vetëm një depozitë dijesh, ajo ishte në radhë të parë aftësia për qëndrime aktive krijuese në histori në jetë. Akti dhe veprimi më i rëndësishëm i popullit si forcë kulturore për rilindësit ishte vetëm lufta për liri e pavarësi, qëndresa e tij e pamposhtur, kundërshtimi i shtypjes dhe i robërisë. Shpirti i gjallë i kulturës së re ishte ideja e shqiptarizmit që përfaqësonte aktin më kryesor të emancipimit të kulturës shqiptare. Ideja e shqiptarizmit ishte vatra nga shpërndaheshin gjithë erërat e reja ideologjike të kulturës së Rilindjes Kombëtare. Lufta për kulturë u bë para së gjithash luftë për kulturë kombëtare, për një sistem dijesh, vlerash dhe veprimesh që rrënjosnin unitetin e jetës materiale e shpirtërore të kombit shqiptarë, që i ruanin atij vetëqenien e origjinalitetit. Kultura është gjithmonë shprehje e vetëdijes së njeriut e të popujve. Pa kulturë kombëtare të Rilindjes shqiptarët në shekullin XIX nuk do të kishin mundësi të dallonin veten si komb të formuar nga gjithë të tjerët, të kuptonin gjendjen dhe rreziqet që u kanoseshin, të kuptonin ku të mbështeteshin e përse të luftonin. Kultura e Rilindjes Kombëtare ishte një zbulim i madh. Ajo zbuloi botën shqiptare me gjithë madhështinë dhe tragjizmin e historisë së saj, ajo zbuloi një të kaluar sa të lavdishme e heroike aq edhe të dhimbshme e të përvuajtur, ajo zbuloi ekzistencën në mjerim dhe prapambetjen e popullit, por edhe aftësitë e një populli që qëndronte i pamposhtur, i papërkulur përballë rrebesheve dhe furtunave më të rënda të historisë: ajo zbuloi jetën, traditat, zakonet, psikologjinë e një populli liridashës, luftëtar e punëtor, trim e guximtar të ruante shpresën dhe besimin në një të ardhme të ndritur. Kultura Kombëtare e Rilindjes zbuloi shpirtin dhe u dha një emër të përbashkët, emrin e Shqipërisë, trojeve ku nga kohët parahistorike kishin jetuar brez pas brezi gjyshërit e stërgjyshërit. Kjo kulturë ishte faktor zgjimi i vetëdijes kombëtare, i përgjegjësisë për faktet e kombit, ajo i dha një kuptim krejt të ri jetës së shqiptarit, i kultivoi krenarinë kombëtare, i dhuroi dinjitetin e përkatësisë kombëtare, së cilës Naimi i këndoi:"Ti Shqipëri më ep nderë, më ep emrin Shqipëtarë!". Kultura Kombëtare e Rilindjes solli ditën e madhe të daljes në arenën e historisë botërore të një kombi të ri, të kombit shqiptar dhe shprehu para botës aspiratat dhe idealet e tij për liri dhe pavarësi.

Nën regjimin otoman kultura jonë kombëtare ndeshej në çdo hap me pasojat e robërisë dhe me atmosferën mbytëse të obskurantizmit mesjetar. Duke i zgjuar ndjenjat kombëtare shqiptarit, kultura e Rilindjes e bënte atë t'i rëndohej edhe më shumë shtypja, t'i bëhej më e padurueshme robëria, të ndiente thellë zymtësitë e palirisë. Kultura e rilindjes zgjoi interesimin e shqiptarëve për historinë e kulturës, për traditat e tyre kulturore. Ajo sillte emancipimin e popullit nga fanatizmi, intoleranca e ndasitë fetare, duke fituar karakter laik mbifetar.

Ideja e shqiptarizmit u bë ai bosht kulturor rreth të cilit mund të bashkoheshin shqiptarët pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare. Konceptit të kulturave fetare iu kundërvu koncepti i qytetërimit.

Një akt tjetër i madh emancipimi i kulturës së Rilindjes sonë Kombëtare ishte shkëputja që ajo sillte nga ndikimet e tyre "antikulturave"që synonin për rolet dhe hegjemoni zonale apo botërore dhe që përbënin një kërcënim të madh për kulturën dhe për vet ekzistencën e kombit tonë. Kultura e Rilindjes Kombëtare guxoi të ngrihej kundër "shkëlqimit" të rremë të këtyre kulturave, duke iu bërë një sfidë të madhe. Kjo ishte një luftë e vështirë, sepse ndikimet e këtyre kulturave ishin ende të fuqishme në shtresa të caktuara të prapambetura të popullsisë, madje ajo ishte e vështirë, sepse bëhej edhe para vetes së secilit shqiptar që nuk ishte i çliruar ende prej këtyre ndikimeve. Kultura e re e Rilindjes kishte vitalitet t'u kundërqëndronte forcave kulturore reaksionare, sepse i kishte rrënjët thellë në tabanin kombëtar, në popull. Me karakterin e asaj kombëtar kultura jonë e rilindjes i mbyllte portat për rrymat ideologjike shkombëtarizuese dhe në të njëjtën kohë ajo shënoi një hapje më të madhe, hapje që kishte parë kultura jonë deri atëherë ndaj erërave të kulturës përparimtare botërore që mund ta pasuronim. Koha e Rilindjes u bë kohë kur kombi ynë vendosi e hyri në lidhje intensive me kulturën përparimtare botërore, kur përfitoi më shumë se çdo herë tjetër nga thesaret e saj, nga ajo e perëndimit, por edhe e lindjes, nga antikiteti dhe nga ajo e Rilindjes evropiane, nga klasicizmi, iluminizmi e romantizmi.
Përmes përpjekjesh e një lufte të vështirë e të gjatë, plot sakrifica, nga fundi i shek XIX, kultura e re kombëtare s'ishte më aspiratë, por përbënte një realitet i cili kishte provuar katërçipërisht identitetin e përveçëm kulturor të popullit shqiptar, por edhe vitalitetin, forcën krijuese kulturore të tij. Në këtë kohë përfundonin veprën e tyre kulturore prijësit e Rilindjes Kombëtare dhe largoheshin nga skena historike njëri pas tjetrit-Abdyli, Naimi, Samiu, Pashko Vasa, Jani Vreto, De Rada, etj. por ata largoheshin kur fara që patën mbjellë kishte lëshuar rrënjë të thella, mandej kur ishte afruar koha e të korrave. Një brez i ri mendimtarësh e veprimtarësh shoqërorë merrnin në duar veprën kulturore të Rilindësve dhe e shpinin më tej- Luigj Gurakuqi, Shahin Kolonja, Petronin Luarasi, Çajupi, Mjada, Sotir Peci, Mihal Grameno, etj. e midis tyre shquhej Ismail Qemali-simbol i lidhjes dhe i vazhdimësisë në lëvizjen çlirimtare.

Tiparet themelore që karakterizonin kulturën shqiptare të epokës së Rilindjes Kombëtare qëndruan në themel edhe të lëvizjes për kulturë kombëtare në fillim të shekullit XX. Megjithëkëtë, në kapërcyellin e shekujve XIX-XX kishin ndodhur ndryshime historike që e kishin futur Lëvizjen Kombëtare për kulturë në një fazë të re më të lartë, në kuadrin e së cilës spikatën edhe tipare dhe vlera të reja, të cilat e rritën forcën vepruese të kësaj kulture dhe kontributin e saj në luftën për pavarësi kombëtare. Në këtë kohë lëvizja për kulturë u fuqizua vatra e saj u zhvendos nga kolonitë shqiptare të mërgimit brenda vendit. Lëvizja për kulturë kombëtare u mpleks përherë e më tepër me luftën politike të popullit për liri e pavarësi. Gërshetimi i shumanshëm i veprimtarisë kulturore arsimore me veprimtarinë politike përbën një nga veçoritë më qenësore të kësaj faze të lëvizjes për çlirimin kombëtar.

Nga gjithë pjesët përbërëse të kulturës kombëtare në këtë fazë mori përparësi dhe zhvillim më të madh kultura politike, e cila u bë bërthama kryesore që u dha tonin e frymën e saj gjithë komponentëve të tjera të saj. Kjo veçori ishte pasojë e përparësisë që morën problemet politike, ushtarake e diplomatike. Nuk duhet menduar se idetë iluministe të rilindësve në këtë fazë u shuan, por aspekti iluminist i kulturës u ngushtua dhe u përforcua aspekti i saj politik. Ky politizim i kulturës u shpreh në pasurimin e vlerave të kulturës politike me vepra të tilla siç ishte libri i Sami Frashrit: "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të jetë", një testament i vërtetë politik i rilindësve dhe një platformë që frymëzoi gjithë luftën politike kulturore për liri e pavarësi të shqiptarëve në fillim të shek. XX. Të kësaj kohe e rëndësie kanë qenë platformat politiko-kulturore të shqiptarëve në revolucionin xhonturk, vendimet e Kongresit të Manastirit dhe programet memorandume të kryengritësve shqiptarë. Këto dokumente provojnë qartë sa kërkesat kulturore kombëtare u nënshtroheshin tashmë programeve politike të autonomisë dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

Politizimi i kulturës u shpreh edhe në lidhjen e ngushtë të veprimtarisë së vatrave kulturore me aktivitete politike. Shoqatat e Stambollit, e Rumanisë, e Egjiptit në shk. XIX. kishin më tepër karakter kulturor, kurse shoqatat kulturore, klubet që u krijuan në vitet e para të shek.XX në Shqipëri kryenin një veprimtari jo vetëm kulturore, por edhe drejtpërdrejt politike. Mjafton të kujtojmë klubet që u krijuan gjatë revolucionit xhonturk, të cilat ishin sa organizime kulturore aq edhe politike. Ato vepronin në lidhje të ngushta me komitetet e fshehta të kryengritësve dhe funksionin si forma të një partie ose të një organizimi politik. Klubet dhe shoqëritë kulturore, krahas përpjekjeve për hapjen e shkrimit dhe të shkollave shqipe, zhvillonin edhe një aktivitet të shumanshëm politik për organizimin e lëvizjes çlirimtare dhe bashkimin politik të popullit, për krijimin e një qendre drejtuese politike e kulturore të kësaj lëvizjeje në shkallë kombëtare. Këto synime u konkretizuan në veprimtarinë e klubit "Bashkimi" të Manastirit, në Kongrese e Manastirit (1908-1910),të Elbasanit (1909),të shoqërisë qendrore shkollore "Përparimi" (1909)në Korçë etj.

Pavarësisht nga masat represive që ndërmori qeveria gjatë kryengritjeve shqiptare të viteve 1910-1912, vrulli i lëvizjes kulturore e arsimore erdhi duke u rritur e pleksur me luftën e armatosur për liri. I bënë nder inteligjencës shqiptare që përfaqësuesit e shquar të kulturës së kësaj kohe-mësues, gazetarë, shkrimtarë etj.,- gjendën në radhët e qetave dhe të formacioneve kryengritëse si Çerçiz Topulli e Dervish Hima, Petro Nini Luarasi e Mihal Grameno, Themisitokli Gërmenji e Hil Mosi, Risto Siliqi e Luigj Gurakuqi etj.
Në rritjen e ngarkesës politike të kulturës në fillim të shek. XX një rol të veçantë luajti shtypi, sidomos publicistika, jo vetëm me numrin e madh të botimeve brenda e jashtë vendit, por edhe me përmbajtjen e tyre kryesisht politike. Po të krahasonim organin "DRITA"(1903-1910) të Shahin Kolonjës,"Kombi" e "Dielli"(SHBA) ose "Liria" (Manastir) etj. do të vinim re se në këto të fundit mbizotëroi publicistika politike.

Politizimi përfshin edhe letërsinë artistike. Mendimi shkencor pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka dhënë një përcaktim të plotë e të drejtë të vlerave të letërsisë sonë të kësaj periudhe. Ajo meriton të rivlerësohet për të njohur vlerat e qëndrueshme të saj. Politizimi më i thellë i poezisë së kësaj kohe nuk ishte kufizim i saj në betejat e luftërave politike të kohës. Këtë frymë kryengritëse bartnin vjershat e Çajupit, Mjedës, Asdrenit etj. Le të kujtojmë marshin e Asdrenit:

"Jo, s'duam tjatër nuk, veç armë e ca bukë.", ose këngën e pavdekshme " Për mëmëdhenë!" të Mihal Gramenos, që bartë mesazhe të fuqishme të frymës liridashëse të popullit shqiptar. Forcimi i karakterit politik të kulturës kombëtare në fillim të shek.XX luajti një rol shumë të madh për fatet e të ardhmen e lëvizjes për çlirim kombëtar. Me tendenciozitetin e saj të veçantë politik, kultura kombëtare ndihmoi për një kuptim të ri të problemeve të jetës politike të kombit, për një qëndrim të ri të masave të gjera ndaj politikës, sidomos ndikoi në formulimin e një politike shqiptare si veprimtari që shprehte dhe mbronte interesat kombëtare, që afirmonte ekzistencën dhe të drejtat e kombit shqiptar, që sillte emancipimin politik e kulturor të popullit. Me frymën e saj politike militante kjo kulturë zgjeroi aktivizimin e shqiptarëve në jetën politike, forcoi ndërgjegjen patriotike, i aftësoi si forcë më vete. Ajo i bindi shqiptarët se ata s'kishin nga e prisnin shpëtimin e tyre përveçse nga vetvetja. Duke njohur interesin kombëtar dhe duke vendosur në themel të saj politikën shqiptare, kjo kulturë e përgatiti popullin për ditën e lumtur të 28 nëntorit 1912.

VIJON...

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Isuf B. Bajrami
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 22 vizitorë
Lexuar: 3,589 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi