Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
RRËFIME TË GJALLA PËR LUFTËN E DRENICËS
Publikuar më 01 janar, 2010 në orën 21:29 ( ) Prof. Bedri Tahiri | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Kujtesë historike

Në 65 -vjetorin e Luftës së Drenicës (1945- 2010)

Lufta e Drenicës, e udhëhequr nga tribuni popullor, Shaban Palluzha dhe strategu Mehmet Gradica, është një kaptinë e veçantë e historisë sonë të lavdishme, e cila, edhe pse është trajtuar nga shumë historianë e studiues, ende lë për të dëshiruar. Ajo qe e rrufeshme, e përgjakshme dhe shumë kompleksive, andaj pasqyrimi i saj real, gati-gati bëhet i pamundshëm. Pjesëmarrja aq masive e njerëzve në të, jep mundësi për vështrime nga kënde të ndryshme të saj. Secili luftëtar i atyre betejave, paraqet histori në vete dhe është pjesë e asaj lavdie kombëtare që mund të jap detaje të asaj drame heroike e tragjike njëherësh..
Në këtë përvjetor, të 65-in me radhë, mendova të bëjë një shënim të vockël përkujtues të kësaj ngjarjeje të madhe. Dhe, orientimin e kisha të qartë, e kisha një bisedë të lënë përgjysmë, që nga 28 Nëntori i vitit 2005. E kisha bashkëluftëtarin e Shaban Palluzhës, plakun 86- vjeçar, Asllan Jasharin e Prekazit të Poshtëm, i cili në kujtesën e tij brilante ruan të freskëta ato ndodhi që i ka përjetuar vetë. “Asllani, padyshim, ishte njëri ndër luftëtarët më të dalluar të Lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar”,- konstaton edhe Azem Hajdini- Xani.
Madje, jo vetëm kaq, ai është në gjendje të të rrëfej edhe për histori të mëhershme, të trashëguara nga gjyshi e stërgjyshi, nga goja e odave e kuvendeve drenicase. I lindur gjashtë muaj para se të shkonte në atë botë Azem Galica, në fillim të janarit 1924, xha Asllani rrëfimet e veta i ka si të incizuara dhe shumë të sakta. Ai flet vetëm për ato që i ka përjetuar vetë dhe i ka parë me sy, përndryshe, e ka zitë të flas prej shpati. Në odën e tij, në një dollap të veçantë, janë renditur librat më të rinj, që flasin për historinë tonë, të djeshmen e të sotmen. Ai i lexon vetë, ashtu ngadalë, por me ëndje e interesim të shtuar. Para luftës ka pasur edhe më shumë, një bibliotekë të vogël, mirëpo piromanët mesjetarë ia dogjën.
Në mesin e tyre dominojnë ato që flasin për luftën e fundit çlirimtare, të cilës kjo familje i dha shumë. Djali i madh i tij, Smajl Jashari (1951- 1998), zbrazi pushkën lajmëtare ditën e 5 marsit 1998 dhe, i vetmuar, me italianen e tij besnike, për orë të tëra luftoi e qëndroi mu në pragun e shtëpisë së vet. Paskëtaj armët çlirimtare i rrokën edhe të tjerët. Djali i dytë, Hasani, deri në fund qe në Policinë Ushtarak të Brigadës 111 e paskëtaj nuk ndalet kurrë në sendërtimin e fryteve të luftës së UÇK-së. Rast i veçantë është edhe djali i Hasanit, Esati, i cili si 16 -vjeçar, ishte ushtari më i ri i UÇK-së në Brigadën 114 ”Fehmi Lladrovci”.
Mirëpo, të gjitha këto nuk ishin befasi për luftëtarin e vjetër e me përvojë, xha Asllan Jasharin, sepse as vetë nuk e hiqte revolen nga brezi dhe kishte ndarë mendje për ta paguar veten...

Fisi KUÇ është fisi më luftarak

Fisi më luftarak është fisi KUÇ- nis rrëfimin Asllan Jashari, i cili, në bazë të asaj që ka mbajtur mend nga pleqtë e më parmë, mjaft bindshëm e shpjegon gjenealogjinë dhe degëzimin e familjeve kuçjane, të cilat sot kryesisht jetojnë në: Prekaz të Poshtëm e në Prekaz të Epërm, në Galicë, në Tërnavc, në Abri të Epërme e në Abri të Poshtme, në Lutogllavë e me pakicë edhe në ndonjë vendbanim tjetër. Këtë e arsyeton, duke përmendur trimat me radhë që nga Ahmet Delia e Ramë Islami, Azem Galica e Mursel Ahmeti, Emin Lati e Rifat Galica, Nebih e Tahir Meha e deri tek Adem Jashari dhe Jasharët e tjerë, të cilët kurorëzuan përpjekjet tona për liri.

Autori me plakun Asllan Jashari (Prekaz, 2007)


Edhe Jasharët, të cilët, më herët jetuan në Tërnafc (për këtë dëshmojnë edhe toponimet: Arat e Jasharit, Trualli i Jasharit etj.,që edhe sot ekzistojnë në atë vendbanim), janë të vjetër dhe mbi gjashtë breza nuk i lëshuan armët nga dora. Jashari i moçëm, fillimisht ishte vendosur te Kodrajt. Ai kishte tre djem: Mehen, Kadriun dhe Jasharin. Kur u ndanë, Meha u vendos në Baltak, ashtu quhej ai vend atëherë dhe u formua lagjja MEHAJ, Kadriu mbeti aty ku ishte, andaj kemi lagjen KODRA ose KADRIU dhe Jashari erdhi këtu në Llugë, siç quhej atëherë dhe u formua lagjja jonë-JASHARI.
Këtu ndalet pakëz dhe merr frymë thellë, mbase përmallohet diç. Edhe unë bëhem sikur nuk po e vërej dhe zura të bisedoj me djemtë e tij në odë. E kuptoj që është plakur dhe herë-herë ngulfatet dhe ngashërehet...
- Eh, shoqi im,- vazhdon pasi e merr veten, siç thashë Jashari u vendos këtu ku jemi sot. Ai pati tre djem: Hasanin, Muratin dhe Hajdarin. Ato vite kishte plasur lufta ruso-turke dhe njëfarë Osman Pasha kishte kërkuar ushtarë për të luftuar kundër Rusisë. Dy të parët, Hasani e Murati, shkuan në atë luftë dhe mbetën atje, në Pleme të Vogël. Stërgjyshi im, Hasani, la pas vetes katër djem: Smajlin, Fetahun, Hazirin dhe Azemin. Ndërsa stërgjyshi i Shabanit, Murati, la një djalë të vetëm, Fazliun. Hajdari që kishte mbetur në shtëpi pati pesë djem: Maliqin, Hysenin, Jasharin, Rushitin dhe Hajzerin.
Për nja tri vjet (1909-1912) shqiptarët e patëm njëfarë si lloj lirie që i thoshin Hyrjet. Hasan Prishtina e la la Stambollin dhe erdhi këtu në Prekaz, te Ahmet Delia, dhe e nisi luftën kundër turkut që nuk na i dha të drejtat. Mirëpo, kur turku e lëshoi Kosovën, të Gardhi i Shkaut u lajmëruan barbarët serbë, të cilët më parë i kishin dëbuar mbi 600 fshatra shqiptare nga Toplica, Nishi e Vranja. Kësaj here Serbinë e prunë Rusia e Anglia dhe dredhia e disa krerëve shqiptarë, të cilët nuk e dëgjuan Hasan Prishtinën. Atëherë erdhi lajmi se duhet me i dalë shkaut përpara. Trimi i Polacit ishte i lodhur nga luftërat që i zhvilloi deri në Shkup, por prapë i mlodhi disa luftëtarë besnikë dhe ia mësynë andej. Atje shkoi edhe babagjyshi im, Dibrani. Po çka me pa se, ushtria serbe, e organizuar mirë lëvizte si bjeshka. Këta me do pushkë të vjetra e të veshur dobët, i kishin zënë pritat në Mërdar, në Prepallac e përgjatë kufirit deri në Bujanoc e Kumanovë. Ata ecnin lirshëm, sepse nuk besonin se shqiptarët u kishin dalë në pritë. Pushkët e para kishin krisur nga ana jonë. Por, kot. Ata ishin larg dhe fill ua kishin kthyer me topa të rëndë, duke bërë kërdinë. Granatat binin mbi ta e nëpër istikame. Një copë e kishte marrë edhe Dibranin në bark, duke ia këputur rripin e pushkës. Shokët mezi e kishin tërhequr nga vija e frontit...
Për ta plotësuar më mirë këtë ngjarje të hidhur, po e shfrytëzoj dr. Tahir Abdylin, i cili, në librin “Hasan Prishtina”, citon një korrespodent të një gazete kroate, i cili, pos tjerash, shkruan: ” Ushtria serbe kaloi kufirin në Mërdar më 18 tetor 1912. Por, nëntë mijë shqiptarë, papritur u sulen kundër këmbësorëve serbë...Askush nuk kishte pritur se lufta do të fillojë aq papritur. Madje disa shqiptarë kufitarë në natën para kësaj biseduan me ushtarët serbë. Lufta ishte e tmerrshme. Shqiptarët trimërisht vërsuleshin përpara, duke kaluar mbi kufomat e shokëve të tyre dhe gjithnjë e më shumë u afroheshin radhëve të para të ushtrisë serbe. Dhe në momentin kur batalionet serbe nisen t’i zmbrapsin shqiptarët, komandanti i operacionit urdhëroi tërheqjen e ushtrisë serbe. Shqiptarët sulmonin, kurse serbët tërhiqeshin. Kur këmbësoria serbe u tërhoq për një gjysmë kilometri, u urdhërua për tërheqje të shpejt. Tërheqja e shpejt e këmbësorëve serbë i solli shqiptarët para topave serbë të fshehur. Dhe sa çil e mbyll sytë, predhat e topave bënë kërdi lemëritëse në radhë të shqiptarëve. Dhe kur u ndërpre shtënia e topave, fushëbeteja nuk ishte e mbuluar me kufoma, por me mish të gjymtyrëve të shtypura dhe kocka, gjë që e tëra dukej si një masë e karmit, e fortë, me ngjyrë gjaku të njeriut...”.

Të zezat nuk na u ndanë as më vonë. Kur plasën luftërat ballkanike, në anët tona erdhën austrohungarezët. Pas një kohe, austriakët i regjistronin njerëzit tanë për të shkuar gjynli (vullnetarë) diku në Spanjë, ata që kishin paguanin bedelë. Edhe meshkujt tanë shkuan në ato luftëra dhe shumë mbetën diku në Galici a nuk di si thoshin atij vendi. Nga familja jonë shkoi mixha im, Hasani, me dy kushërinj më të largët, me Zenelin e me Salihun dhe asnjëri më nuk u kthye.
Babai ynë, Dibrani, mezi na rriti për gazep ne tre vëllezërve: Behramin, Islamin dhe Asllanin...

Lufta kundër bandave çetnike në Artakoll

Gjatë viteve 1941-44, përreth Kosovës vepronin banda të shumta çetnikësh. Në afërsi të Mitrovicës vepronte Divizioni Çetnik i Ibrit nën komandën e Zhika Markoviqit. Më 15 nëntor 1941 ata provuan për të depërtuar edhe në trojet shqiptare. Mirëpo, populli ynë, me kohë kishte formuar grupe të mëdha luftëtarësh vullnetarë dhe iu kundërvu së keqes. Ata, të udhëhequr nga tribuni Shaban Palluzha arritën t’i dëbojnë hordhitë e egra deri në Rashkë.
Në të vërtetë, tri ditë pasi gjermania dhe Italia sulmuan Jugosllavinë monarkiste, pra më 9 prill 1941, Paria dhe intelektualët e njohur të Drenicës dhe të viseve të tjera shqiptare, duke parandjerë rrezikun që u kanosej nga këto banda shfrenuese, thirren Kuvendin e Palluzhës, i cili u mbajt në Kullën trikatëshe të Shaban Palluzhës. Në Kuvend morën pjesë 112 delegatë, të cilët morën vendime të rëndësishme. Aty u formua edhe Shtabi Luftarak, në krye të të cilit u emërua Shaban Palluzha e i cili kishte këtë përbërje:

1. Miftar Bajrakatari nga Llausha,
2. Azem Aruçi nga Makërmali,
3. Ferat Draga nga Mitrovica (në mungesë),
4. Sadik Lutani nga Turiqvci,
5. Halil Haxhia nga Tërnavci,
6. Zukë Xani nga Polaci,
7. Jetullah Rezalla nga Rezalla,
8. Isë Zymeri nga Prekazi,
9. Mulla Iliazi nga Vitaku,
10. Mulla Ibrahimi nga Polaci,
11. Sadik Zeneli nga Abria,
12. Bajram Dërguti nga Drenasi,
13. Rexhep Vojvoda nga Llausha,
14. Qazim Bajraktari nga Astrazubi,
15. Colë Bajraktari nga Burimi,
16. Hysen Bajraktari nga Plluzhina,
17. Ahmet Selaci nga Selaci,
18. Hazir Gjaka nga Ashlani,
19. Fejzullah Saraçi nga Bivolaku,
20. Feriz Boja nga Kërnina,
21. Shaban Gashi nga Mitrovica dhe
22. Bajram Zuka nga Likoshani.


Që punët të shkonin edhe më mirë, u formuan edhe Shtabet Regjionale. Kështu, Shtabi numër 5, për Galicë, Ashlan e Dubovc kishte këtë strukturë komanduese: Ahmat Galica, Hazir Gjaka, Sefer Dubovci, nën udhëheqjen e Rifat Galicës. (Azem Hajdini-Xani, Lufta e Artakollit, Prellocit, Skënderajt…Prishtinë, 2006, fq.28-38).
Të gjitha këto i ka të freskëta edhe xha Asllani, i cili, pasi piu një çaj, vazhdoi rrëfimin:
“Në fillim të vitit 1941 u bë një Pajtim Kombëtar përmes një Gjyqi Pajtues, që në popull njihet me emrin ISLIHATI. Çdo katund kishte këshillin e vet dhe të gjithë i udhëheqke Shaban Palluzha. Nga katundi ynë u caktua Sherif Bajram Jashari. Si gjyqtar suprem ishte Rexhep Halili i Kostërcit (i biri i atdhetarit Halil Haxhia, të cilin bashkë me krerët e Drenicës i patën pushkatuar tek Ura e Podrançës në Vushtrri). U caktuan edhe tarifat e pagesës për gjaqe, për ngatërresa, për vjedhje etj. Kështu një gjak kushtonte 75 napolona, një gjysmë gjaku përgjysmë e kështu me radhë. E gjithë kjo u bë me qëllim që kur të hynim në luftë të ishim të bashkuar, të pajtuar, të vëllazëruar, të besatuar. Para se të shkonim në luftë duhej edhe të organizoheshim mirë në formacione luftarake. Këtë përvojë e fituam edhe nga sulmi i çetnikëve në Artakoll. Të mos harrojmë se Artakollin e patën shpëtuar Mehmet Gradica e Shaban Palluzha me trimat e Drenicës. Kur luftëtarët e Artakollit, të prirë nga Fejzullah Sraraçi e Sadri Klinaku kërkuan ndihmë në Drenicë, të parët që shkuan atje ishin trimat e Njësitit ushtarak “SHQIPONJA”, nën komandën e Zukë Xanit dhe Rifat Galicës...
Me të hyrë gjermanët në Kosovë, shqiptarët u organizuan dhe filluan të vendosin administrimin e vet sunduese. Kështu, edhe kjo punë së pari nisi në Drenicë, më 15 prill 1941, kur u sulmua stacioni i xhandarmërisë në Prellofc, me ç’rast vriten njëzet e tre xhandarë serbë e disa kolonë të armatosur. Nga tanët u vra Dan Prellofci (Ramadan Sejdiu) dhe u plagos Ahmat Galica.
Të njëjtën kohë, sa më kujtohet ishte data 18 a 19 prill 1941, u sulmua edhe Garnizoni ushtarak dhe ai xhandarmërisë në Skënderaj, për t’u spastruar nga forcat militare e paramilitare serbo- çetnike dhe nga malazezët e mobilizuar. Në këtë aksion mora pjesë edhe vetë dhe më kujtohet fort mirë kur Zukë Xani dhe Qazim Lushtaku, brenda pak kohësh i çarmatosën thuajse të gjithë. Ata arritën të hyjnë edhe brenda në spital dhe e zunë tërë personelin mjekësor, bile doktorin kryesor malazez, e zunë në krevat, por një infermiere lajmëroi gjermanët në Mitrovicë se kinse komunistët i kanë rrethuar. Gjatë atyre luftimeve, armiqtë lanë shumë të vrarë e të plagosur. Ne nuk patëm të dëmtuar. Komanda gjermane intervenoi dhe tri ditë qëndroi në Skënderaj. Pastaj, të zënit robër, i mori me vete në Mitrovicë. Ndonjë edhe shpëtoi, sepse gjatë atyre ditëve, disa njerëz tanë, shumica nga Klina e Poshtme, i përcollën ata nëpër Kodër të Kuajve, Kërligatë e drejt në Kolashin...

Në ndihmë të myslimanëve

Çetnikët e Drazha Mihajloviqit, duke mos pasur sukses për të depërtuar në Kosovë, u vërsulën egërsisht mbi shqiptarët dhe myslimanët e Sanxhakut, Tutinit, Bihorit e Pazarit të Ri, Sjenicës, Bellopojës etj. Nga andej erdhi lajmi se ajo popullatë gjendej para një shfarosje totale. Atëbotë edhe në Kosovë u dha kushtrimi: o sot, o kurrë!
“Po, ashtu është, pohon me kokë plaku Asllan Jashari dhe pasi ka pushuar pakëz, nis rrëfimin qetë-qetë dhe me një përpikëri të çuditshme. Shaban Palluzha ishte strateg i luftës. Kur u bënë gati për të shkuar drejt Pazarit të Ri, bajraktarit të Llaushës i tha që të rrinte këtu, në trojet tona, sepse armikut sllav nuk i besohet, ai mund të na bie pas shpine. Ashtu edhe u veprua, Shabani u priu trimave të Drenicës e Xajë Kosova (Zija Kosova- vërejtja ime, B.T.) atyre të Rrafshit të Kosovës. Atje u luftua fyt më fyt me çetnikët dhe po mos të na ndalnin gjermanët patëm me shkue deri në Rashkë...

Shaban Polluzha


Fjalimi i Shaban Palluzhës në Duga- Pollanë afër Jeni Pazarit qe i zjarrtë dhe trimërues: “Vëllezër, jemi tubuar për të kryer një mision të shenjtë, për t’i mbrojtur familjet e rrezikuara nga bishat e egra çetnike, që po bëjnë terror të rëndë mbi popullatën e pafajshme të Sanxhakut. Prandaj, nuk duhet kursyer as jeta, por duhet luftuar me nder si i ka hije një populli të vjetër që diti të luftojë sa herë u gjend në rrezik vetë dhe i pambrojturi. Pra, t’i mbrojmë fëmijët dhe gratë, në emër të njerëzisë ( Muhamet Mjeku: Lufta e Drenicës dhe Shaban Palluzha, Dielli, Prishtinë, 1991, f.15).
Për ato luftëra e beteja, ka rrëfime të hidhura e mjaft trishtuese. Masakrat çetnike mbi myslimanët dhe shqiptarët e atyre anëve kishin qenë ndër më çnjerëzoret në histori.
Kemi parë gjithçka, por në katundet e Bihorit e të Bellopojës, gati jemi çmendur. Aty, një natë dimri i kishin sulmuar befasisht, duke i djegur rrafsh me tokë shtëpitë e 18 katundeve, ku i kishin masakruar mbi katërmijë burra, gra, pleq e fëmijë. Kurse, dyqind e pesëdhjetë vajza e nuse të reja i kishin marrë me vete. Aty kemi gjetur arka të mbushura me sy, vesh, duar, koka, tru, zemra të nxjerra.Medet, medet!...
Prej luftëtarëve të Drenicës heroizëm të madh kanë treguar Ahmat e Rifat Galica. Kurrë nuk harrohet momenti kur ndahej municioni. Rifat Galicës i thanë ty nuk të takon municion, atë duhet ta kërkosh përmes Bajraktarit të Shtuticës, Ai u nervozua dhe e mori pa i pyetur hiç, duke u thënë:”Unë nuk jam bajraktar, por jam nipi i Azem Galicës dhe askush nuk mund të ma shkel këmbën. Ashtu edhe ndodhi, ai me trimat e vet e mori manastirin e Gjorgjeve Stubën, pikën më të rëndësishme,- rikujton xha Asllani, pasi e kemi ngrehur për gjuhe me ca pyetje paksa ngacmuese.

Kthimi nga Podujeva

Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore Kosovën e gjeti në kaos të vërtetë. Gjermanët ecnin andej e çetnikët e kamufluar me lëkura qengjash u vërsulën mbi trupin e saj të gjakosur e drobitur nga luftimet katërvjeçare. Fatkeqësisht këndejpari arritën edhe Brigadat partizane të Shqipërisë. Ah, të zitë ata, u besonin fjalëve të sllavëve, kinse për një vëllazërim-bashkim dhe, herë- herë, më vështir merreshim vesh mes veti ne shqiptarët se sa me armiqtë shekullor...
Po si e vlerëson këtë periudhë zezonë (21. I. 1945- 21. II. 1945) luftëtari i atyre betejave, xha Asllani?
“Ishte kohë e vështirë. Nuk e njihte qeni të zotin. Na thanë të shkojmë për Serbi, për me i ndjek gjermanët. Atë bindje e patëm edhe ne në fillim. Por, shpejt e morëm vesh hilen e tyre. Më keq e kishim me vëllezërit nga Shqipëria, të cilët besonin në “besën” e serbit. Edhe nga ana jonë kishte partizanë, por ata e dinin punën dhe shpejt u kthyen mbarë. Plani i Serbisë ishte që ne të shkonim, kishe për ta ndjekur armikun e çetnikët të bëjnë çka të donë nëpër vatrat tona. Sipas atij plani, Shaban Palluzha me ushtarët e vet duhej të shkonte për në Serbi, ndërsa Shaban Hoxha me pjesën tjetër për në Kurshumli. Mirëpo, Shaban Palluzha, pasi mori vesh për ngjarjet trishtuese që kishin nisur po atë natë në Drenicë dhe pasi u konsultua edhe me ndihmësit e vet, me Brigadën e vet vendosi të kthehej prapa.
“Shokë, gjendemi para një sprove të rëndë: ose të çarmatosemi e të vritemi të gjithë, ose të kthehemi e të luftojmë në trojet tona!- tha ai luftëtarëve të vet.
Me të u pajtuan të gjithë luftëtarët. Ai na urdhëroi që të nesërmen, në orën 7, të merrnim rrugën për në Prishtinë. Atë natë bujtëm si mundem nëpër katundet e Llapit. Posa zbardhi drita e 21 janarit 1945, morëm rrugën. Çka me pa, kudo përgjatë rrugës ishin vu prita nga serbët. Në çdo dhjetë metra grupe çetnikësh me nga një mitraloz të madh, të cilët edhe na provokonin. Më kujtohet, kur e panë Avdin e Rexhës së Kodralive duke çaluar (ishte i gjymtë) i thanë, lëri këta, po ti çka po mendon?! Edhe më parë, si përanësh, gjithë na ka ardhur një batalion i përzier me serboçetnikë. Në Lluzhan na dolën përpara udhëheqësit partizanë të luftës.
- Pse u ktheve, o Shaban Palluzha?- i thanë ata.
- Qysh mos me u kthye, kur ende pa dalë prej Kosove, filloi kasaphana në Drenicë. Siç më lajmëruan, mbrëmë i kishin marrë dhe i kishin pushkatuar në Mitrovicë tre burrat më të mirë të vendit: Halil Bajraktarin e Llaushës (vëllanë e Miftarit), Halil Haxhinë e Tërnavcit dhe Sadik Zenelin e Abrisë. Këta burra as vetë nuk po donë me shkue për Serbi e vatrat e veta me i lënë në gojë të ujkut. Unë po kthehem deri në Prishtinë me i tregue Fadil Hoxhës si është puna e ai nëse i bind lë t’i nis përsëri andej.
Këto fjalë i tha Shabani, sa për të kapërcyer më lehtë atë kurth. Kur erdhëm në Fusha të Barilevës, u rreshtuam të gjithë sipas formacioneve ushtarake. Bora kishte mbuluar gjithçka. Unë isha në grupin e Rifat Galicës dhe bënim pjesë në Batalionin II, të udhëhequr nga Isë Zymeri i Prekazit, iu cili kishte mbi pesëqind ushtarë.


Shaban Palluzha, hipur në kali, na kontrolloi të gjithëve nëpër rreshta dhe kur doli përpara na u drejtua me këto fjalë:
“Vëllazen, deri dje ishim partizanë dhe luftuam kundër gjermanëve për me e çlirua Kosovën tonë të dashur. Sot e tutje jemi luftëtarë të lirisë dhe do të luftojmë kundër bandave çetnike që janë lëshuar mbi trojet tona. Sot po i shpallim luftë Serbisë dhe komunistëve që po këqyrin me na farue. Tash po nisemi për Vushtrri. E vetmja rrugë për të dalë në Qyqavicë është Ura e Pestovës. Na priftë e mbara!”
Luftëtarët, që ishin mbi 7000-8000 veta, e kanë miratuar vendimin e tij dhe kanë brohoritur:
Rroftë Shaban Palluzha!
Rroftë Drenica!
Rroftë Kosova!
Rroftë Shqipëria!
Raketën e parë, si shenjë e fillimit të luftës, e ka shkrepur Rifat Kotorri, truproja e Shaban Palluzhës (më parë ishte truproje e Xhafer Devës).
Të njëjtën kohë na kanë sulmuar edhe shkjet nga një kodër e Llapit. Granatat dhe predhat binin si fara në arë. Aty, në Babimofc, ra edhe dëshmori i parë, Imer Sheshivari nga Dubofci dhe u plagos Xhemë Lutani i Turiqefcit. U shpërndamë asaj rrafshine. Terreni ishte i papërshtatshëm, nuk kishe ku me e shti kryet. Me njëqind mundime e kaluam Silnicën. Atë natë bëmë konak nëpër katunde të ndryshme të Artakollit. Unë me disa shokë u strehova në Shallc...

Luftimet në Qyqavicë

Vargmali Qyqavica gjithmonë ka qenë strehë për luftëtarët e lirisë. Aty gjetën ngrohtësi komitët dhe kapedanët, që nga Milosh Nikollë Kopiliqi, Azem e Shotë Galica, Lec Gradica etj. Kështu ngjau edhe janarin e egër të vitit 1945.
“Nuk e di si po shkruajnë disa historianë, por unë, si pjesëmarrës i atyre betejave, e di se në Qyqavicë është luftuar disa herë brenda atyre ditëve. Lufta e parë është ajo e asaj ditës së parë që u kthyem nga Podujeva, pra më 22 janar 1945. Lufta me partizanë filloi në Kollë ku u vranë disa luftëtarë tanë (Man Perçuku nga Cecelia dhe Isuf Veseli e Ramadan Hetemi nga Kolla- plotësim i autorit B. T.) dhe vazhdoi derisa dolëm në Tërdefc. Raporti mes forcave luftuese ishte pabarabartë, 1: 10 në llogari të pushtuesve.
Dimri i vështirë na pengonte shumë. Mungonin të gjitha: ushqimi, armatimi, veshmbathja. Betejat barteshin nga katundi në katund. Pasi shëtitëm gjithë Drenicën, kaluam në Kotorr dhe mendonim të kalojmë në Kolashin. Mirëpo prapë ndërruam mendje dhe ia mësymë edhe njëherë Qyqavicës. Aty takuam edhe Zukë Xanin. Kaluam nëpër Tërrnafc dhe dolëm në Lubovec. Ju vazhdoni dhe sa më shpejt kapeni Qyqavicën e unë po ndalem këtu në Lubovec,- tha Shabani. Bora e madhe dhe të ftohtit mezi na linin të ecnim. Atë natë erdhi nga Shala edhe Mehmet Gradica...
”Njësitet ushtarake nën komandën e Rifat Galicës, Bajram Zukës, Rifat Avdylit dhe Ajet Qirezit, në orët e vona të mbrëmjes, më 9 janar 1945, u përqendruan në rajonin e ashtuquajtur Fusha e Bjeshkës, në Qyqavicë...Derisa ata po bënin plane për t’i sulmuar forcat armike, papritmas, aty arrin Mehmet Gradica, i cili kishte vendosur të bashkohej me Shaban Palluzhën në frontin e Drenicës (Azem Hajdini- Xani: Shaban Palluzha...Buroja, 2002, f.142-143).
Ishte java e dytë e shkurtit të vitit 1945. Lufta e dytë e Qyqavicës u zhvillua kryesisht në lugjet mbi Krasmirofc e Gradicë e deri te Stacioni i xhandarmërisë, në Majen e Zezë. Shtabi i Luftës dhe komandanti suprem, Shaban Palluzha, ishin vendosur në odën e hoxhës atdhetar, Jonuz Mehmetit, në Krasmirofc. Tashmë ishim më të fortë, sepse na u bashkua edhe Mehmet Gradica. Në fakt, Mehmeti e Shabani u pajtuan në Gradicë, në odën e Nasuf Dërvishollit nga Gradica.
Shaban Palluzha kishte besim te madh në trimin Rifat Galica, andaj gjithmonë kishte dëshirë ta mbante pranë vetes. Rifati, në grupin e vet, kishte tre trima besnikë të Prekazit: Nebih Mehën, Avdi Hasanin dhe mua, Asllan Jasharin. Ne nuk ndaheshim kurrë. Ai me kohë na kishte treguar se unë kurrë nuk e kam ndërmend me ia kthye shpinë shkaut! Edhe sa qëndruam në Krasmirofc, ditën rrinim në male e natën në Krasmirofc, tek një bijë e Galicës, e cila kujdesej për ne dhe na ndihmonte me ushqime, me veshmbathje e me strehim.
Një ditë kur dolëm në Fushë të Madhe të Qyqavicës hasëm në bandat çetnike-partizane. Gjatë luftimeve të rrepta, Rifat Galica plagoset dhe mbetet në rrethim. Unë vrapova deri në Shtab për me e lajmëruar komandantin. Kur hyra në odë, mixha Shaban ishte krye oxhaku dhe një lëkurë të regjur po ua ndante luftëtarëve në pjesë- pjesë, për opinga. Sapo i tregova, kapi martinën dhe, edhe pse i kishte mbushur të shtatëdhjetat, u ngjit bjeshkës përpjetë. Edhe disa të tjerë erdhën prapa. Rifati ende po luftonte. Iu bashkëngjitëm edhe ne. Rrugës e takojmë një rom me një qerre plot bukë që ua kishte sjellë partizanëve. Kishte qenë rrogëtar në Strofc. Ia morëm bukën dhe e liruam. Ishim të uritur dhe hanim bukë në një luginë e plumbat na shkonin mbi krye...
- O burra, shpejt nxani kullat e Dërvishollëve në Gradicë!- lëshoi kushtrimin Shaban Palluzha, kur e pa se lufta nuk po ndalej. Ashtu vepruam. Atje ishte edhe Mehmet Gradica. U pozicionuam nëpër kulla e përreth tyre. Edhe shkjet na u rrasën deri të dyert. Bile një oficer, si i pirë, bërtitke sa mundej: Dorëzohuni! Dorëzohuni!
Mirëpo Shaban Palluzha dhe Mehmet Gradica, me taktikë e strategji , e çan rrethimin dhe na prijnë drejt majës së Qyqavicës. U bë rrëmujë. Nga lart lëshohej ushtria serbe. Zeqir Lutani dhe Nebih Meha kanë piskat në kupë të qiellit sa ushtuan lugje e kodra një copë herë. Terri e mbuloi vendin. Ne mbetëm të shpërndarë...Mos të harroj, se në bjeshkë të Krasmirofcit na ka vdek edhe Miftar Bajraktari i Llaushës. Atje e varrosëm dhe Shaban Palluzha iu drejtua me këto fjalë:”Eh, more bajraktar, mos të koftë i rëndë dheu i kësaj toke! Shumë lufta e beteja i bëmë bashkë. Ti shkove, re dëshmor, unë jo. Për ty po e di ku mbete, por unë nuk e di ku do të mbes! Dhe faqeve i shkuan dy pika loti.
Ky plak babagjan mban mend edhe shumë ngjarje. I ka mbetur thellë në kujtesë momenti më i gëzuar në jetën e tij, kur Shaban Palluzha, si komandant suprem, më 29 janar 1945, në Rezallë u bëri një rivistë luftëtarëve të rreshtuar dhe para tyre shpalosi planin operativ të luftës për çlirimin e Skënderajt dhe të Mitrovicës. Mirëpo ky plan, na dështoi...
...Sa ishim duke luftuar në Bezheniq, Likofc, Rezallë e Marinë, komandanti suprem Shaban Palluzha e tërhoqi Shtabin luftarak në Palluzhë, në kullën e tij trekatëshe. Unë isha i ri, njëzet vjeçar dhe nuk më takonte shumë të përzihem në ato punë, por Milazim Meha më mori me vete dhe shkuam në Shtab. Aty u vendos që të filloi zbatimi i planit për çlirimin e Skënderajt. Plani ishte kështu: Batalioni IV i Hazir Gjakës të kapte vijën Gryka e Navalanit, Kodra e Galicës e deri të Gryka e Brobaniqit, në mënyrë që të pengoheshin forcat, të cilat mund të vinin nga Vushtrria e Mitrovica. Batalioni II i Isë Zymerit, ku bënim pjesë edhe unë e Rifat Galica, duhej të niseshim nga Prellofci, Dubofci, Mikushnica e të dilnim në Prekaz të Epërm, të Deliajt e t’i sulmonim forcat serbe të koncentruar në Skënderaj. Ndërsa Batalioni I, që ishte në Drenicën qëndrore të depërtonte drejt në Skënderaj, ku po mbaheshin shumë të burgosur tanë. Bile, në fund, Shaban Palluzha e mbylli fjalimin me fjalët: Ai që ikën, varrin ia pshurrsha!
Mirëpo, punët nuk na shkuan qysh e planifikuam. Pa pritë, pa kujtua, ne u gjendem të rrethuar në Zabelin e Shkollës, ndërmjet Mangjollëve e shkollës së Prekazit të Epërm. Pas një sulmi të rreptë i thyem shkjet. Ata morën ikën drejt komunës së Prekazit. Por, çka ndodhi? Nëpunësit e komunës; Xhemë Tërnafci, Isuf Rexha e Sejdi Meha ua kthyen pushkët dhe ua përgjakën trupat. Aty u vranë shumë serboçetnikë...

Kalimi në Shalë të Bajgorës

Dita e re, nafaka e re! Të nesërmen u tubuam. Pas nesh edhe plot të plagosur e plot refugjatë. Numri i luftëtarëve po pakësohej dita- ditës. Mehmet Gradica printe. Ecnim ngadalë e me kujdes. Kur të ndalem unë, ndaluni edhe ju. Nëse kërcet pushka ime, të gjithë qëlloni!- na urdhëroi ai. Ende ishte mëngjes, kur ia mësymë Urës së Pestovës. Nja pesë metra afër saj ka piskat. Na u shtrimë përtokë. Tre veta ishin kanë në roje. Mehmeti si vetëtima qëlloi me mashinkën e tij, të cilën kurrë nuk e hiqte nga gjoksi. Kemi gjuajtur edhe ne. Tre trupa i kam parë duke notuar në ujë. Në mesditë arritëm në bjeshkët e Cecelisë. Këmbët me gjithë zhalloga na ishin ngrirë akull. Aty na pritën mirë. Pasi hamë e pimë, u nisëm për Bajgorë. Në fund të Bajgorës bora mbi një metër. Brigadat partizane sero-çetnike një natë përpara kishin zënë prita. Na sulmuan në befasi. Lufta u zhvillua e ashpër nëpër ato ahishta. Bora u bë skllotë nga gjaku...
Xha Asllani ndalet dhe hedh sytë anash. Kërkon një gotë ujë dhe heziton të flas. Unë fill ia kap mendimin dhe i them që të vazhdoi rrëfimin. E kuptova se kishte për të thënë diç jo të këndshme.
“Populli shqiptar është si gruri, gjithmonë qet pak edhe egjër. Historikisht kjo e keqe na ka përcjellë. Në Bajgorë i gjetëm ata dy spiunet që kishin pas shkuar me e vra Mehmet Gradicën. Edhe kësaj here kishin ardhur me qëllim t’i likuidonin Mehmetin e Shabanin. Mehmet Gradica nuk ua fali minutën, ua hoqi flamën menjëherë...
Në Shalë tentuam të binim në kontakt me Ahmet Selacin, me Ukshin Kovaçicën e me trimat e tjerë, por kot, ata ishin strehuar nëpër bunkerë. U detyruan të kthehemi prapa. Në Gumnishtë na qëlluan me minahedhës serbët e pabesë. Pa u terruar mirë zbritëm në Gojbulë. Aty u ndalëm për të pushuar. Shaban Palluzha e kërkonte një kriminel dhe zullumqar të njohur serb të atij katundi që ia kam harruar emrin. I zgjodhi dymbëdhjetë vet, në mesin e tyre edhe mua. Filluam t’i kontrollonim shtëpitë me radhë. E gjeti Shabani të ngujuar në një bodrum dhe vetë e ka pushkatuar...

Plagosja në Urë të Pestovës

Ishte dita e 14 shkurtit 1945. Na lajmëruan se tri Brigada serbe e kanë bllokuar Urën e Pestovës. Shabani e Mehmeti u konsultuan kah të shkonim. Sillu mbështillu, tjetër rrugëdalje nuk ishim, vetëm përmes asaj ure. Me hy nëpër ujë kishim njerëz të plagosur që gjallë nuk mund ti qitnim matanë.
-Po i biem për urë, kush e ka ymrin shpëton, kush e ka vdekjen, mbetet!- na tha Mehmet Gradica dhe kemi mësyrë andej.
Mirëpo, na hasi sharra në gozhdë. Me breshëri të pandërprera na sulmuan dhe na detyruan të zmbrapsemi. Atëherë Mehmet Gradica e ka marrë komandën dhe e ka bërë planin tjetër. I ka caktuar ushtarët në grupe, i zgjodhi më të mirët, dhe i ka mësuar si të veprojnë, si të qëllojnë, si të lëvizin. Ata që dalin matanë, lë të vazhdojnë pa shikuar mbrapa, - na ka thënë dhe vetë ka pri i pari.

Mehmet Gradica


Unë e Zeqir Lutani ishim në anën e majtë. Zeqiri ishte para meje dhe u plagos në krah, pasi ua kishte lëshuar bombën në istikam. Nga krisma e bombës serbët u hutuan. Djali i tij, Hetemi, ia lidhi plagën diqysh dhe e ndihmoi të tërhiqej. Pak pa e kapërcyer urën u plagos edhe Tafa i Shabanit. Shaban Palluzha e thirri dy herë: O Tafë! O Tafë! Ai nuk i shihte. Ishte terri i natës. Kur e pa iu hodh sipëri. Kur menduam se e kaluam urën, na kanë sulmuar nga të tri anët. Ne ngelëm në rreth. Mehmet Gradica edhe njëherë ka lëshuar kushtrimin dhe ka komanduar: Burra, qëlloni në tri drejtimet dhe kush të shpëtojë takohemi në Maje të Qyqavicës. Vetë ka mësyrë andej ku ishte vendosur një mitraloz i madh dhe, me bomba dore e atomatik, ka arritur ta largoi nga pozicioni. Unë u lodha duke ecur zhagas dhe mbasi ishte terr thashë të ngritëm pak, kur fap më kapi një plumb në kërdhokull të majtë. Trupi më krisi si lisi dhe u përplasa në tokë. Një shoq imi, një Avdia i Hasanit më ndihmoi për t’u tërhequr. Deri në Shallc kam ecur vetë. Aty u ftoha, sepse hëngra borë, për ta shuar zjarrin që më kishte kapur nga plaga. Një hallë më ka ndihmuar dhe na futi brenda. Na i solli disa dardha turshi. Të plagosurit mos të hanë se kanë zarar, na tha. Ne na solli qumësht...
Në Qyqavicë qëndruam deri në mbrëmje. Pak kohë pushuam edhe në malet mbi Kozhicë. Aty na sollën pak bukë e djathë. Në Kralica u ndamë, ne (Asllani, Nebihu e Avdia) u kthyen për në Prekaz e grupi i Lutanëve vazhdoi për Turiqefc...

Beteja e Tërstenikut

Lufta e Drenicës, me gjithë golgotën lemeritëse, nuk po shuhej dot. Edhe pse mbi njëzet e pesë Brigada serbe ishin lëshuar këndejpari, trimat e vendit nuk i lëshonin armët nga dora. Prijësit e saj, dy viganët e pamposhtur, Shaban Palluzha e Mehmet Gradica, ende qëndronin si shkëmbinj graniti. Edhe ushtarët e tyre besnikë kishin ndarë mendje të mos i linin vetëm komandantët e tyre... Sërish e merr fjalën Asllan Jashari:
“Kur u kthyem nga Shala u tubuam në Shtuticë. Shabani e Mehmeti na mbajtën fjalë dhe na thanë, ata që janë të plagosur, le të shkojnë nëpër shtëpitë e tyre, të pushojnë, të arrnohen e të shërohen. Edhe të tjerët mund të pushojnë nga dy-tri ditë e kujt ia merr mendja me luftua, ne na gjen në bjeshkët e Vasilevës. Mirëpo depërtimi në malet e Vasilevës u bë i pamundur dhe aty u zhvillua një luftë e rreptë...
Brigadat serbe ishin lëshuar pas nesh si llava me ujq. Na ndoqën deri në Çikatovë. Ne mësymë për Kosmaç. Rifat Galica na printe me sukses. Ushtarët e Lubovecit ishin në Bezheniq. Një Rifat Maloku i çoi fjalë Rifat Galicës për një spiun të Brigadave partizane, i cili po depërtonte tek luftëtarët tanë. Por, shpejt e zbuluam dhe e izoluam. U bëmë merak se në Tërstenik kishte ndodhur një masakër, ishin vrarë 72 burra e dy gra. Rifat Galica e kishte lënë me Lah Lubovecin me u takue në kohë të caktuar në Tërstenik. Lahu ishte vonuar e Rifati i foli rëndë.
Shaban Palluzha po qëndronte në kullat e Zymerajve të Likocit. Mua më dërguan për ta marrë parullën, të cilën e ndërronim çdo natë, sepse na e zbulonin armiqtë dhe depërtonin në radhët tona e na sakatonin. Kur hyra në odë, të gjithë ishin nxehur e po lavdëroheshin. Komandanti veç po i dëgjonte dhe nuk po fliste. Dikur, e mori fjalën e u tha: “O burra, për luftë nuk ia marrë dorën askujt, por për në luftë të Pazarit ma ka kaluar Ali Fazlia i Prekazit. Unë shkova aq larg në fushëbetejë, sa mendoja se s’ka më kush më tutje. Edhe më larg se unë kishte qenë Alia me një shoq tjetër. Ishte ballë për ballë me një çetnik. Aq afër ishin sa nuk patën kohë me i mbush pushkët, veç u kapën fytas. Mjaft i gjatë ishte Alia, por koka e çetnikut i dilte përmbi. Ky shoqi nuk dinte si të vepronte, ta qëllonte armikun, frikohej se po i vret të dy. Më në fund, shfrytëzuan rastin dhe ia hoqën flamën. Atë pushkë të çetnikut, të praruar me argjendtë, e ka bartur gjithmonë ky trim i Prekazit...
Beteja vendimtare e Luftës së Drenicës u zhvillua në Tërstenik, në tri kullat e Dvoranëve. Lufta u bë e vështirë, u vranë nga të dy palët. Armiqtë nuk kishin çka të na bënin më me armë të lehta. U detyruan të sillnin edhe topa të rëndë nga Prishtina. Me ta erdhi edhe vetë Milladin Popoviqi. Togeri Mehmet Gradica e heton dhe e plagos nga një frëngji e kullës. I plagosuri detyrohet të merr ikën drejt spitalit të Pejës. Një gjyle topi i bie kullës ku ishin prijësit tanë. Muri i rrëzuar e dëmton rëndë në këmbë Mehmetin. Plagoset edhe Shabani, një tra i kullës i bie sipëri. Vritet edhe djali i Shabanit, Tafa. Mehmet Gradica, edhe i plagosur, hipur mbi kalë, qëllonte pa ndërprerë mbi armiqtë dhe vazhdoni n tutje...
“Në një tregim thuhet: Shaban Palluzha e Mehmet Gradica vendosën të vdesin si Oso Kuka në Kullë të Barutit në Vraninë, më 1862. Zatën, Shaban Palluzha e Oso Kuka ishin kushërinj fisi Kastrat. Fjalët e fundit të Shaban Palluzhës ishin: Sa t’i bjen dielli tokës, besë me shka nuk ka" ”(Dr. Mehmet Rukqi: Shaban Palluzha në tregimet popullore, E djathta shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë Etnike, Prizren, 2007, f. 330).
“Edhe kjo kryengritje u shua me top. Gjenerali Petar Brejoviç, me 28 predha i rrënoi dy kullat e Dvoranëve mbi dy heronjtë kombëtarë, Shaban Palluzha e Mehmet Gradica, duke i plagosur për vdekje të dy. Mehmetit predha e topit ia këputi këmbën, por edhe Mehmeti duke shpërthyer rrethin, ashtu me një këmbë, ia këputi këmbën gjeneralit, më 21 shkurt 1945” (Hajriz Demaku; Drenica as që u përkul as që u shpërngul nga trojet e veta, E djathta shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë Etnike 6, Prizren, 2007, f. 47).
Për me mbet enigmë si Azem Galica, edhe trupat e tyre të pajetë, përpiqen t’i fshehin: Mehmetin në një arë bri malit në Gllanasellë e Shabanin nën akullin e lumit të ngrirë...
Bishat e tërbuara po vazhdonin masakrimin mbi popullatën. Ata ende nuk po e dinin se krerët e luftës ishin vrarë. Hamit Neza nga Gllanasella, edhe pse ballist, për ta shpëtuar Drenicën nga zullumi, vendosi të lajmërohet e të tregoi për ta. Fill pasi i identifikojnë trupat e tyre, Fadil Hoxha e lajmëroi Titon dhe kështu mori fund edhe Lufta e Drenicës..U bë edhe njëfarë amnistie, por nuk u besohej shumë. Njerëzit ende mbetën maleve. Lufta jonë frontale u kthye në luftë guerile Likuidimi i njerëzve vazhdoi tinëz deri më 1947. Shoqin dhe komandantin tim, Rifat Galicën, ma vranë në Galicë, më 1945.
Shtëpia jonë mbeti me shenjë, mbeti shtëpi ballistësh, gjithmonë e hapur për atdhetarë e për luftëtarët e lirisë, dhe kurrë nuk pamë ditë të bardhë, kurrë nuk patëm përkrahje nga pushteti antipopullor komunist. Edhe pse i plagosur, nuk më liruan. Vllada i Vitomiricës që ishte në Skënderaj më quajti ballist dhe më dërguan ushtar në Zagreb...
Unë me plakën time, Gjylën nga Vojniku, me mund e për gazep i rritëm e i shkolluam të gjashtë djemtë: Smajlin, Hasanin, Dibranin, Tahirin, Hysenin dhe Fadilin. Një pushkë na e morën gjatë aksionit famëkeq të mbledhjes së armëve. Vëllai im, Behrami, vdiq si rob lufte në Gjermani. Por, kurrë pa armë nuk kam ndejë. Gjithmonë më ka pëlqyer italiania, sepse është e fortë dhe shumë precize. Atë e kam ruajtur deri në luftën e fundit, me të ka luftuar djali, Smajli, derisa ra dëshmor mu të dyert e oborrit, në përkrahje të kushërinjve, Adem e Hamzë Jashari.

Betimi i Tahir Mehës

Rrëfimet e plakut Asllan Jashari vazhdojnë edhe tutje, deri në ditët e sotme. Ai ka parë e ka përjetuar shumë. Tregon për aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve, në dimrin e egër të vitit 1956, kur, krimineli me shpirt satanai, Aleksandër Rankoviqi, shfreu gjithë dufin sadist mbi shqiptarët e panënshtruar, siç i quante ai. Dhe, qetë- qetë, si lumthi i vogël që përshkon përmes lagjen Jasharaj, rrjedh edhe rrëfimi i tij...
“Nebihun e Emin Latit, siç të tregova më lart, e kisha shoq të mirë gjatë gjithë luftës. Me të edhe më vonë ishim të pandarë. Shkoja tek ai e ai vinte tek unë si me qenë të një shpije. Edhe djemtë, sidomos Tahiri, i kishin ngjarë për trimëri e burrëri. Kur i vdiq Nebihut gruaja e dytë, e bija e Isuf Vojvodës nga Llausha, shkova më e pa. Në një odë të vogël i gjeta të tre: Nebihun me dy djemtë: Tahirin e Beqirin. Dera e odës i kishte dy ngujore dhe ne filluam të qeshim me të. Por, ai na e shpjegoi arsyen: ditën e mbylli me ata lart e natën me ketë poshtë, në mënyrë që, nëse më sulmon dikush, e hapi pa u ngrit në këmbë dhe nuk mund të më vras. Të gjithë mbetëm gojëhapur.
Dikur erdhën edhe mysafirë të tjerë. U mbush plot oda. Dikush i propozoi që të shkoj haxhi. Ai dëgjoi e dëgjoi dhe në fund u kthye e po thotë:
“O burra, djali i Emin Latit, bashkëluftëtarit më të ngushtë të Azem Galicës, me shkue në Çabe, nuk shkon. Nëse më gjen vdekja me krye në jastëk, vajtomëni më mindil, nëse vdes duke luftuar me shkja, mos më qani. Me vdek në luftë i biri Emin Latit është adet, me vdes me krye në jastëk, është adalet”.
Kurse i biri, Tahiri, që po na shërbente me çaj e kafe, e plotësoi, duke thënë: “Asllan, ty të njoh se ke qenë luftëtar dhe trim, ke qenë shok i babës, andaj mbaje mend mirë, nëse nuk luftoi me shtatë stacione policie, mos më thoni Tahir Meha!”

Tre breza luftëtarësh


Nuk shkoi kohë e gjatë e vërtet ashtu edhe doli. Në rrethimin e tyre morën pjesë forca të shumta policore nga të gjitha republikat e Jugosllavisë. Trimat banë gajret dhe e mbajtën fjalën e dhënë. Në varrimin e tyre shkuam edhe ne Jasharët. Aty, mbi varret e tyre, u betuan edhe Hamza e Ademi. Edhe ata e mbajtën betimin dhe kështu u përsërit historia jonë brez pas brezi...

Djali nuk më la t’i qëndroja pranë...

Kërshëria ime prej hulumtuesi shkon edhe më larg. Më intereson të di se a ishte në dijeni xha Asllani edhe me rrjedhën e ngjarjeve të reja, të cilat bënë kthesa historike dhe ndërruan ecjen e globit.
“Po, qysh jo, ore shoqi jem! Qysh prej fillimit e kam ditur se në lagjen tonë po bëhen përgatitje për t’ia krisur zullumqarit të pashpirt. Kulla e Shaban Jasharit moti ishte shndërruar në çerdhe atdhetarizmi. Aty hynin e dilnin luftëtarë nga të gjitha anët. Të gjithë e dinim se ishim në prag të shpërthimit. Por, të gjithë ishim besatuar për të qëndruar në vatrat tona, për ta mbrojtur pragun e shtëpisë, siç na këshillonte mësuesi Shaban Jashari. Nuk shkoi gjatë dhe, ditën e hënë, më 30 dhjetor 1991, rreth orës 5 të mëngjesit, milicia serbe provuan t’i kapnin të gjallë djemtë e Shabanit: Rifatin, Hamzën dhe Ademin. Por, ata nuk u dorëzuan dhe e shpërthyen rrethimin. Pati ndihma edhe përreth. Një nip imi, Shefqeti, me një revole qëlloi helikopterin, i cili zbriti këtu në lëndinë për të marrë policët e plagosur. Barbarët u hakmerren në pleq, gra e fëmijë. Pati edhe maltretime e arrestime. Me morën edhe mua dhe gjithë ditën më mbajtën në rrugë. Shumicën i dërguan në burg. Atë ditë pati edhe dy të plagosur; Vesel Selimi nga Açareva dhe një djalë i ri i Gani Mehajt.
Ky organizim shtohej e rritej çdo ditë. Ia filluan me dalë edhe në roje djemtë e lagjes sonë. Sulmi kundër komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit, u përsërit shumë herë, derisa ndodhi ajo që ndodhi dhe e mori vesh gjithë bota...
Dhe, bëjmë pakëz pushim. Ashtu na pëlqente të gjithëve, unë isha lodhur duke shkruar, ai ishte lodhur duke folur, të tjerët ishin lodhur duke dëgjuar e kurrë pa folur. Më se shumti më dhimbsej plaku, i cili kur erdhi te momenti i betejës përfundimtare, më bëhej se ndjehej disi më i ligështuar...

Shtëpia e Asllan Jasharit, ku i biri, Smajli, ra dëshmor më 5 mars 1998, e cila tashmë ka hyrë si monument historik në mbrojte te Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor


“Djali i madh, Smajli, vitet e fundit ishte duke punuar në Gjermani. Që kur u sulmuam më 1991, shpirti i tij luftarak, as atje nuk gjeti qetësi. Një ditë iu mbush mendja dhe i la të gjitha. Zëri i atdheut të robëruar ia çukiste kokën. Erdhi pranë kushërinjve e pranë vëllezërve të vet sypatrembur dhe përfundimisht u përcaktua për rrugën e nderit.
- Në fillim, edhe pse kudo vinte erë vdekjeje, unë ngula këmbë të qëndroja me të, sepse të tjerët ishin larguar më herët. Babë, sikur të dilje edhe ti nga shtëpia, mua do të më liroheshin duart,- më tha – rinis rrëfimin Asllan Jashari, duke përkujtuar ditët e lavdisë jashariane, 5, 6 e 7 marsin 1998. Unë një kohë u kujtova, sepse më dhimbsej me ia kthye shpinën. Por, me luti aq shumë, sa u detyrova të largohem mjaft i pikëlluar. Ai mbeti fillikat në kullë, veç me italianen e shkurtër besnike, që moti e kishim sigurua dhe e mbante si djalë hasreti...
Dy pika loti i rrodhen faqeve thatuke dhe një si gulçim mbytës e shtrëngoi në fyt. Ardhja e një mysafiri na shpëtoi nga ajo atmosferë ngulfateshe.
-Kur jam kthyer pas atij tufani të tmerrshëm çdo gjë e kam gjetur shkret. E tërë lagjja ishte në tym e flakë. Të dyert e oborrit, një si lese, një najlon i lidhur me shpagë, që me gjasë u ka shërbyer për të bartur kufoma e të plagosur deri te kamioni poshtë në lëndinë. Djalin nuk e gjeta. As pushkën jo. I gjeta gëzhojat e pushkës së tij, gati një buçuk, dhe kur i numërova e mora me mend ç’kishte ngjarë. Zemra gati më tradhtoi, por u forcova dhe qëndrova...Jam krenar që Atdheut ia fala një dëshmor të lirisë!
- Ku po shkon, o Smajl Jashari, mos edhe ti po na e lë shëndenë?!- sikur u çudit Hamza, i cili me armë krahut po vëzhgonte përreth kullës në të aguar të ditës së re, e cila shënonte fundin e natës shekullore, ditës që do të ndërronte historinë...

Smajl Jashari (1952-1998)


- Ah, mos e dhëntë Zoti një gjë të tillë, o Hamzë trimi! Burrat njëherë flasin, njëherë vendosin. Veç këto gra e këta fëmijë po i kapërcejë deri te Lisat e Klinës e paskëtaj këtu me ke deri në frymën e fundit, ia ktheu trimi, mbase i prekur ca në sedër.
Ky ka qenë dialogu dhe takimi i fundit i tyre për të gjallë. Lufta e ashpër, e paparë ndonjëherë, i zuri veç e veç, nëpër shtëpitë e veta. Për të qenë edhe bashkë kishin ndenjur mjaft më parë. Kur bënin roje, në dyqanin e tyre, në hyrje të lagjes, zakonisht ishin të pandarë se u pëlqente muhabeti. Më në fund edhe kishin bërë benë, që të qëndronin tok përballë stuhisë...
Këtë e pasqyron edhe teli i ëmbël i çiftelisë:

Me pesë mars nëntëdhjetë e tetë,
Pushka e topi po kërcet,
Nga frëngjitë e kullave t’Prekazit,
Kërcet pushka e Smajl Jasharit.
Luftë po bën e po ndihet zani:
Po ku të kam vëlla Adem Jashari,
Po këtu jam vëlla Smajl Jashari,
Tue luftue bash si luani...



Lapidari i dëshmorit Smajl Jashari në Prekaz




Në të mbaruar të kësaj bisede të gjatë rrëfimtare, ngulmova që nga ky “arkiv” i gjallë të nxirrja edhe ndonjë porosi a këshillë për brezat e ardhmërisë.
“Po. Unë që përjetova shumë luftëra, mora edhe shumë mësime. Edhe luftërat dallojnë nga njëra- tjetra. Lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë Luftë Kombëtare, andaj edhe korri fitore. Edhe ju duhet të mësoni nga kjo, vetëm të bashkuar bëheni të pathyeshëm dhe mund të shkoni përpara! U priftë e mbara!


Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Bedri Tahiri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 192 vizitorë
Lexuar: 12,873 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi