Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Tragjedia dhe renesanca- reflektim
Publikuar më 05 shkurt, 2010 në orën 01:59 ( ) Ilir Sefaj | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
E para

Para së gjithash, intencë e këtij punimi është dhënia e një gjykimi, mundësisht objektiv dhe deri diku kompetent për sa i përket zhvillimit të tragjedisë në periudhën e Renesancës.

Është i njohur fakti se me një shkrim të kësaj natyre nuk synohet t’i servohet diçka shumë e re lexuesit eventual, diçka e pa dëgjuar ose e pa thënë më parë. Mirëpo, edhe kjo përpjekje imja hyn në vazhdën e shumë shkrimeve të tjera të cilat in medias res e kanë pasur periudhën e Rilindjes dhe të tragjedisë në mënyrë të veçantë, ku kjo e fundit ashtu sikurse edhe artet e tjera njohu një zhvillim të madh në këtë periudhë të ringjalljes së jetës shoqërore, ekonomike e kulturore, në mbarë Europën.
Dihet mirëfilli se kur flasim për Rilindjen si epokë nuk mund të nisemi nga njëri dhe i vetmi kontekst, ngase Rilindja si epokë në vete ngërthen një periudhë më se dy shekullore, (shek. XIV-XVI) e cila karakterizohet me zbulime e shpikje të mëdha në fusha të ndryshme të dijes, shpikje këto të cilat ndikuan në përmirësimin e jetës njerëzore, çlirimin e njeriut nga mistifikimet e ndryshme. Në këtë periudhë do të thoshim se në njërën ose mënyrën tjetër ç’mitizohet jeta në të gjitha pikëpamjet.
Pra, është kjo koha kur fillon të jepet një gjykim më i arsyeshëm për jetën dhe njeriun në përgjithësi. Shekspiri, përmes gojës së protagonistit kryesor të tragjedisë së tij të famshme ‘Hamleti’, do ta japë këtë përkufizim për njeriun; “Çfarë vepër është njeriu! Sa bujar nga arsyeja! Sa i pakufishëm nga zotësitë! Nga shtati dhe nga lëvizjet sa i hijshëm dhe sa i çuditshëm! Nga veprimi si engjëll! Nga kuptimi si perëndi! Xhevahir i botës! Kurora e gjërave të gjalla!”.
Doemos se në këtë periudhë të ringjalljes së gjërave, krahas formave të tjera të artit letrar dhe artit si fenomen në përgjithësi, lulëzim të vërtetë do të arrijë edhe tragjedia si njëra nga format e para dhe ndër më të lashtat e shprehjes letrare.
Qysh në antikë njëri ndër mendjet me të ndritura të artit, filozofisë, shkencës, Aristoteli, në Poetikën e tij të famshme, dymbëdhjetë kapituj ia kushton kësaj gjinie letrare.
Për tragjedinë si lloj letrar Aristoteli flet në kapitujt; VI, VII, VIII, IX, XII, XIII, XIV, XV, XVII, XVIII, XXIV, XXVI në veprën e sipërpërmendur.
Faktikisht këtë të vërtetë historike në kontekst më letërsinë, duhet konsideruar si dëshminë më të fortë, përse tragjedisë i është kushtuar kaq rëndësi në të gjitha periudhat e zhvillimit të saj.
Sikurse u tha edhe më lartë, tragjedia kishte një rrugë paksa të veçantë të zhvillimit të saj mbase për faktin se qysh në antike u cilësua si diçka më e lartë në krahasim me artet e tjera të shprehjes letrare, megjithatë tragjedia si njëra nga tri gjinitë e mëdha dramatike, lulëzim e saj të vërtetë do ta arrijë pikërisht në periudhën e renesancës, konkretisht me tragjeditë e gjeniut William Shakespeare, emri i të cilit është sinonim i këtij lloji letrar.
Qysh në fillim, dua ta bëjë me dije lexuesin eventual, se tema si e tillë është e gjerë dhe kërkon përkushtim shumë të madh, qoftë për të dhënë njohuri mbase shumë elementare për tragjedinë në periudhën e renesancës, megjithatë qëllim i këtij punimi, nëse jo tjetër, është vënia në pah e disa nuancave, e disa refleksioneve me të cilat karakterizohet tragjedia në këtë periudhë të zhvillimit të saj.

Tragjedia si formë e shprehjes letrare

Sikundër u tha, tragjedia është një nga format më të lashta të shprehjes letrare. Termi tragjedi vjen nga gjuha greke tragos- edh, kec dhe odë, këngë, farë kjo e cilësuar si shumë e lartë, e përsosur në krahasim me artet e tjera qysh në antikë.
Tragjedia ka lindur në Greqinë e lashtë në shekullin VI-V para erës së re.
Duke folur për tragjedinë, në këtë kontekst edhe për mimesisin (imitimin), Aristoteli në Poetikën e tij, vepër kjo ku pjesën më të madhe ia kushton këtij lloji letrar do ta japë këtë përkufizim për të: “Tragjedia, pra, është imitim i një veprimi të rëndësishëm e të përkryer, që ka një madhësi të caktuar, të dhënë me anë të një të folure të ëmbël e të përshtatur me çdo pjesë veç, veprimi që shfaqet me anë personash, të cilët veprojnë dhe nuk recitojnë dhe që kryen pastrimin e pasioneve me anë të mëshirës e të frikës”.
Faktikisht ky paragraf flet në mënyrë të veçantë për katarsën, term i përdorur së pari nga Aristoteli, me anë të së cilës sipas tij, si pasojë e ngjarjeve që zhvillohen në tragjedi vjen deri te pastrimi i shpirtrave të spektatorëve prej ndjenjave jo të mira. Pra, meqë sipas Aristotelit tragjedia është; “imitim ngjarjesh që ngjallin frikë e mëshirë” katarsa (gr. kátharsis- pastroj) në njërën apo mënyrën tjetër bën pastrimin e këtyre ndjenjave dhe pasioneve që mbjellën në shpirtin e spektatorit.
Dihet mirëfilli se shumë studiues kanë dhënë mendimet e tyre në lidhje me katarsën dhe mesazhin që përçon ajo, megjithatë pjesa dërmuese e studiuesve në një përkufizim më të gjerë e kanë dhënë këtë shpjegim për këtë fenomen që së pari përdoret në Poetikën e Aristotelit.
Dhe cili është ky përkufizim; meqë gjatë shikimit të tragjedisë, spektatori eventual fiton ndenjën e mëshirës dhe të frikës, ngase personazhet e tragjedisë janë individë që kryejnë vepra të liga në njërën dhe individë që pësojnë nga këto veprime në anën tjetër, atëherë për të parët krijohet ndjenja e urrejtjes, ndërsa për të dytët ndjenja e mëshirës, dhe si pasojë e veprimeve të këtyre karaktereve vijmë deri te pastrimi i shpirtit.
Kjo ngjan ngase kur shikuesi e sheh vetën në pozitën e heroit të tij, atëherë fitohet përshtypja se mund të ngjet me të ose mund të pësojë si ai.
Mirëpo si lindi tragjedia, cila ishin temat e saj, prej nga inspiroheshin dramaturgët për t’i shkruar veprat e tyre?
Prej nga e morën lëndën e parë dramaturgët e famshëm dhe ndër më të rëndësishmit e antikës greke si; Eskili, Sofokliu, Euripidi?
Meqë tragjedia konsiderohet si imitim i veprimeve të njerëzve më të lartë atëherë; “Origjinën e saj e kërkojmë në ritet dhe më vonë në lojërat me rastin e kremtes se festave të Dionizit (perëndisë së vreshtave dhe të verës, vër. I.S.). Tematika e saj ishte e lidhur ngushtë me mitet”. Pra, mitet që ekzistonin në botën antike, u modifikuan nga autorë të ndryshëm dhe si rrjedhojë lindi tragjedia.
Gjatë historisë së zhvillimit të kësaj gjinie dramatike studiues të ndryshëm kanë shfaqur pikëpamjet e tyre në lidhje me kompozicionin e tragjedisë, cilat ishin elementet me të cilat karakterizoj tragjedia dhe mese dallonte nga artet e tjera letrare në këtë rast.
Aristoteli e jep këtë përkufizim për sa i përket kompozicionit të saj: “Çdo tragjedi, pra, duhet të ketë patjetër gjashtë elemente, të cilat e dallojnë nga faret e tjera të letërsisë; këto janë: fabula, karakteret, mendimi, skena, të folurit dhe melopeja (muzika). Nga këto elemente, dy kanë të bëjnë me mjetet e imitimit, një me mënyrën e imitimit dhe tre me objektet e imitimit; përveç këtyre s’ka të tjera.”

Tragjedia përveç që konsiderohej si imitim i veprimeve të njerëzve me virtyte të larta, ajo karakterizohet edhe me diskursin e saj të pasur e të zgjedhur, pra stili i saj i lartë edhe në kuptimin e shprehjes gjuhësore.
Është i njohur pastaj parimi i tri uniteteve; ai i veprimit, vendit edhe kohës, karakteristikë kjo e cila ruhej me xhelozi në tragjedinë e antikës, mirëpo që thyhet në periudha të mëvonshme sidomos me tragjeditë e dramaturgut më të famshëm dhe më reprezentativ të kësaj gjinie dramatike William Shakespeare.
Meqenëse tragjedisë iu dha statusi i së madhërishmes në krahasim me artet e tjera qysh në antikë, atëherë doemos se ky lloj letrar do ishte i priveligjuar edhe në epokat e tjera të zhvillimit të saj.
Gjithsesi, një lulëzim të vërtetë të dramës dhe të tragjedisë në mënyrë të veçantë do të kemi në periudhën e Renesancës, sidomos me veprat e dramaturgëve të famshëm anglez, William Shakespeare, Christopher Marlowe, Thomas Middleton etj.

Tragjedia në periudhën e Renesancës

Renesanca është një epokë e cila përfshin një periudhë mese dy shekullore e karakterizuar me të arritura të mëdha në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzorë, është kohë e formimit të individualitet të njeriut, është kohë e zbulimeve të mëdha në të gjithë lëmenjtë e jetës, thënë ndryshe; “Rilindje quhet lëvizja e gjerë kulturale artistike që përfshin vendet e ndryshme të Evropës perëndimore gjatë shekujve XIV-XVI. Ajo e ka bazën në ndryshimet e thella ekonomike e shoqërore, që ngjajnë në atë kohë”.
Krahas këtyre zhvillimeve të mëdha që ngjallen në Europën perëndimore në periudhën e renesancës, kjo kohë karakterizohet edhe për faktin se dha emra të shquar të jetës kulturore e artistike, emrat e të cilëve faktikisht janë edhe sinonim i kësaj periudhe shumë të shndritshme në historinë e shoqërisë njerëzore.
Me këto zhvillime të mëdha me të cilat u përcjell kjo periudhë e ndritur e botës njerëzore, e ringjalljes shpirtërore të njeriut, e besimit të njeriut në forcat e veta, në këtë kohë fillon edhe të flitet dhe mendohet ndryshe edhe për artin në përgjithësi, dhe atë letrar në veçanti.
Për dallim nga artet e tjera, tragjedia si lloj letrar shndriti më së shumti në këtë periudhë.
Kur flasim për tragjedinë e cila u shkrua në këtë periudhë është e pamundur të mos na kujtohet ikona e këtij zhanri letrar, dramaturgu i njohur anglez Uilliam Shekspir, tragjeditë e të cilit u bënë shumë të njohura jo vetëm në kohën kur u shkruan, ato fituan vlera tejkohore dhe vazhdojnë të ngjallin kërshërinë e lexuesit edhe sot, dhe gjithsesi të tilla pra të pavdekshme do të trajtohen edhe në periudhat e ardhme të historisë së artit letrar.
Një vend me rëndësi për sa i përket krijimit të tragjedisë në periudhën e renesancës pa mëdyshje zënë edhe dy dramaturgët e njohur anglez bashkëkohës të Shekspirit, Kristofor Marlou, dhe Tomas Midleton.
Kristofor Marlou konsiderohet njëri nga poetët dhe dramaturgët më të mëdhenj anglez, i cili për një kohë relativisht të shkurtër arriti të bëhej figurë qendrore e arti skenik në Teatrin Elizabetian.
Jetoi vetëm 29 vjet, dhe për 6 vjet krijimtari arriti të krijojë një bagazh të madh veprash letrare dhe mjaft cilësore ndër më të njohurat janë: The jaë o Malta, Dr Faust, Edëard II etj.
Është bërë një krahasim mjaft domethënë mes Marlou dhe Ulliam Shekspirit; “nëse Shekspiri ishte si drita e mëngjesit në letërsinë angleze, ai (Marlou) ishte ylli i mëngjesit i saj”. Kjo është dëshmia më e fortë se vlerat artistike të veprës së Marlouit u cilësuan si të tilla, pra të pavdekshme dhe arti letrar i tij u krahasua me atë të Shekspirit.
Mirëpo cila ishte tematika që trajtonte tragjedia në periudhën e renesancës?
Tragjedia në këtë periudhë të pjekurisë së saj si lloj letrar, për dallim nga antika dhe kohërat e tjera të veprimtarisë letrare dallon në shumë pikëpamje.
Heroi tragjik nuk është gjithnjë njeriu që vjen nga shtresat e larta shoqërore, thyhet uniteti i kohës, vendit dhe veprimit, kemi inkuadrim më të madh të numrit të personazheve, pra në tragjedinë e renesancës kemi përfaqësues nga të gjitha shtresat shoqërore, ku në mënyrë shumë eksplicite vihet në pah jeta shoqërore me të gjitha të mirat dhe të ligat që e karakterizonin.
Në tragjeditë e Shekspirit ta zëmë kemi heronj nga të gjitha shtresat e shoqërisë; na kujtohet me siguri Ofelia nga tragjedia “Hamleti’’ fati tragjik i së cilës prek edhe zemrat më të forta, kjo për faktin se gjenialiteti i Shekspirit ka arritur të krijoi personazhe me individualitet të veçantë duke qenë vetvetja në të gjitha situatat.
Në tragjedinë e renesancës heronjtë vinin edhe nga shtresat e mesme të shoqërisë, ngase me të drejtë shtresa e mesme konsiderohej si iniciues i vlerave të reja shoqërore, shtresë kjo e cila kërkonte të printe në epokën e re; “të zbulimit të botës dhe të njeriut” siç do të shprehet dijetari francez, Zhyl Mishle.
Gjithsesi ajo që konsiderohet qenësore në tragjedi është ruajtur edhe në kohën e renesancës; heroi tragjik, faji tragjik edhe zgjidhja që në të shumtën përfundon me vrasje, janë alfa dhe omega e çdo tragjedie.

Tragjedia e Shekspirit

Shekspiri lindi më 1564 në qytetin e vogël Stratford. Ai njihte mirë zakonet dhe jetën e njerëzve të kësaj krahine angleze. Njihte po ashtu gjuhën popullore, kishte dëgjuar për gojëdhënat që jetonin në atë kohë, po ashtu ishte mishëruar me natyrën e bukur të qytetit të tij të lindjes. Meqenëse jeta në qytetin e lindjes nuk i ofronte atë çka dëshironte ky djalosh dhe njëkohësisht burrë tetëmbëdhjetëvjeçar, (në këtë kohë ai ishte i martuar) ia mësyu Londrës ku filloi te punojë si aktor në një teatër. Sukseset që i tregoi në teatër e shtynë t’i kushtohet dramaturgjisë.
Shekspiri është njëri nga dramaturgët më të mëdhenj në historinë e artit skenik. Krijimtaria letrare e tij është e gjerë dhe mjaft e larmishme. Ai shkroi kronika dramatike, komedi dhe dy poema. Shekspiri është autori mese tridhjeteshtatë veprave teatrale.
Pas këtyre sukseseve ai shkroi tragjeditë e tij të pavdekshme si ; “Hamleti”, “Makbethi”, “Othello”, “Mbreti Lir”, “Romeo e Zhulieta”, “Jul Cesari” etj.
Tragjeditë e Shekspirit trajtojnë probleme shumë të ndërlikuara që lidhen me jetën e mbretërve, princërve por jo rrallë në qendër të krijimeve të tij është fati tragjik i të rinjve të dashuruar, historia e dashurisë së të cilëve përfundon në mënyrë tragjike siç ngjan te “Romeo e Zhulieta”.
Tragjedia e Shekspirit është e thellë në shumë pikëpamje, ngase ky autor me mjeshtri të rrallë hyn në botën psikologjike të personazheve të tij, për të dhënë të gjallë botëkuptimin e secilit protagonist veç e veç.
Pastaj jep hipokrizinë e njerëzve të cilët për të fituar pushtet janë të gatshëm të flijojnë çdo gjë, epshi për të sunduar, shpeshherë i bën absurd në veprime, kjo lakmi pra, vë në pah egoizmin e këtyre njerëzve, të cilët lumturinë e tyre përpiqen ta ndërtojnë mbi vuajtjet e tjetrit. Krahas këtyre individëve ky autor ka krijuar edhe një galeri të tërë protagonistësh të cilët faktikisht janë antagonist të të parëve ata përpiqen që me veprimet e tyre të dëshmojnë se e mira gjithnjë duhet të triumfojë mbi të keqën.
Përmes këtyre protagonistëve Shekspiri nuk heq dorë nga idetë humanistë përkundrazi përpiqet t’i mbrojë më forcë ato.
Një ndër tragjeditë më të spikatura të këtij autori do veçuar tragjedinë “Hamleti”, subjektin e së cilës vepër autori e ka marrë nga historia e shekullit XII të Danimarkës, mirëpo e ka përpunuar me mjeshtri të rrallë për të na e dhënë një kryevepër të pavdekshme të artit skenik. Teoritë letrare moderne këtë modifikim të kësaj historie të Danimarkës, si pasojë e së cilës krijohet kryevepra e Shekspirit, e njohin si metatekst, gjithsesi nëse kjo histori ka ekzistuar në formën e saj të shkruar. Përmes kryeprotagonistit Hamlet, birit të mbretit të mëparshëm, Shekspiri proklamon idenë e asaj se çdo luftë pushtuese doemos humbet. Lufta për fron detyron jo rrallë të ngrihemi kundër të moralshmes për t’i dhënë përparësi hipokrizisë, epsheve të ndryshme që bëjnë të çojmë dorë edhe mbi vëllain gjë të cilën do ta provojë Klaudi, i cili përveçse kishte vrarë vëllain ai bën edhe mëkatin e dytë, duke u martuar me të shoqen e vëllait të vdekur.
Kjo vrasje bën që gjithçka të kthehet përmbys për Hamletin, ai detyrohet ta lërë jetën studentore plot luks e t’i kthehet realitet, fati e kishte goditur mjaft rëndë, ngase detyra që i kishte vënë përpara i ishte mjaft e rëndë për Hamletin. Ndërgjegjja e shtrëngon të hakmerret. Shekspiri tek Hamleti ka krijuar tipin e njeriut me tipare ideale. Ai e do jetën, aq sa e do edhe Ofelinë, i do studimet, mirëpo do që edhe të hakmerret, për faktin se ai është krijuar t’i luftojë hipokrizitë e njerëzve të ligë dhe t’i demaskojë ato.
Është për t’u veçuar taktika të cilën e zgjedh Hamleti për ta kryer misionin me të cilin e kishte ngarkuar fati. Ai shtiret sikur i marrë, pastaj lojën që e bën ai, flet për aftësinë e Shekspirit për të krijuar tipa karakteresh mjaft të goditur me një botë psikologjike mjaft komplekse. Mirëpo kjo taktikë e Hamletit kurorëzohet me mjaft sukses. Ai goditet keq mirëpo edhe godet keq duke arritur që të finalizojë me sukses misionin e tij mjaft delikat.
Pra, vrasja e Klaudit dëshmon se e mira duhet të triumfojë mbi të keqën, edhe pse faktikisht në këtë betejë kemi vdekjen e kryeprotagonistit, ideja që përçon ajo flet për triumfin e së moralshmes ndaj hipokrizisë.
Tragjedia e Shekspirit e fiton epitetin e së pavdekshmes për shumë arsyeje; para së gjithash Shekspiri dha në mënyre shumë eksplicite botën e njeriut me të gjitha komplekset e tij, ai ruajti me xhelozi koherencën dhe kohezionin në veprat e tij, konceptin mbi rrjedhën objektive të kohës, gjë që konsiderohet qenësore për një vepër vlerat e së cilës konsiderohen universale.
Dihet mirëfilli se vlera letrare e artistike e veprës së Shekspirit tashmë është e vulosur dhe krejt çka mund të nxirret nga ajo, është Vlera në kuptimin e mirëfilltë kësaj shprehje.
Këtë paraqitje modeste për sa i përket tragjedisë se gjeniut të artit dramatik, Ulliam Shekspir, dua ta përmbyll me një paragraf të studiuesit të dëshmuar Alfred Uçi, i cili ndër të tjera shkruan: “Shekspiri i pasuroi shumë format e shprehjes ekspresive të kohës artistike. Dramaturgjia e tij, si një sizmograf ka regjistruar ndryshimet historike dhe frymën e kohës se tij. Krijimet e tij ai i ndersuazoi në Kohën e Madhe të historisë njerëzore, duke e bërë bashkë -përcjellëse deri në Motin tonë”.

E fundit

Nga sa u tha në këtë paraqitje timen modeste, tragjedia si lloj letrar pati një rrugë të veçantë të zhvillimit të saj në të gjitha periudhat e historisë së artit letrar.
Mirëpo, mendoj se jemi të një mendjeje kur themi se kulmin e saj e arriti në periudhën e renesancës, pikërisht me veprat e gjeniut të artit dramatik, Ullliam Shekspir.
Tragjedia e fitoi epitetin e së madhërishmes për faktin se tematika e saj është mjaft e larmishme në krahasim me llojet e tjera letrare.
Tragjedia trajton luftën midis klasave, pastaj divergjencat midis së resë dhe së vjetrës, lufta midis së mirës dhe së keqes etj.
Meqenëse protagonist të tragjedisë shumë shpesh janë njerëz me nam, mbretër, princër etj., shikuesi/lexuesi mishërohet me ta dhe bashkë-ndjen me ta, për faktin se idealet me të cilat karakterizohen këta individë të shumtën e rasteve janë ideale ku heroi tragjik më shumë se për fatin e tij personal, lufton për ide të mëdha me karakter human.
Gjatë gjithë historisë së zhvillimit të saj, tragjedia i ruajti tiparet elementare me të cilat karakterizohet ajo; faji tragjik, heroi tragjik, fundi tragjik i saj dhe lufta për të madhërishmen, për idealen.
Meqenëse tema në emërtimin e saj të parë si: Tragjedi në periudhën e renesancës është mjaft e shtrirë dhe goxha e gjerë, jemi të vetëdijshëm se kërkon një përqasje më përgjithësuese shumëdimensionale, pra ky emërtim më shumë do konsideruar si një përpjeke me karakter iniciues në kuptim e asaj se pse dhe për ç’arsye tragjedia, ky zhanër mjaft kompleks, ka zgjuar dhe do të zgjojë kërshërinë e lexuesit, gjithsesi edhe në kohën tonë të njohur ndryshe edhe si postmoderne.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Ilir Sefaj
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 98 vizitorë
Lexuar: 8,596 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi