Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Cipa e njohjes
Publikuar më 05 mars, 2010 në orën 22:23 ( ) Albin Kurti | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Shtetet që na njohën, po e njihnin atë Kosovë që po e krijonin ata vetë. E njohën Kosovën e tyre, jo Kosovën tonë. Flamuri i Kosovës është flamuri i BE-së në Kosovë. Pushteti i Kosovës drejt BE-së është realisht pushtet i BE-së në Kosovë (që shprehet me instancat si PSBE-ja dhe EULEX-i). Mbase e kemi pavarësinë pikërisht të sajuar veçse me aktin e njohjes të atyre që e njohën veten e tyre në ne e tek ne.

Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës është zyrtarizuar qëllimi e nuk është formalizuar fakti. Nuk ishte se u bëmë ajo që ishim – republikë e pavarur, por edhe një herë u shpall ajo që dëshirohej – pavarësia e vendit.

Në fakt, Kosova ia përsëriti historinë vetvetes. Atë që e kishim parë në momentet që u cilësuan si çlirim i Kosovës u përsërit edhe me rastin e asaj që u quajt pavarësim i Kosovës. Kur hynë trupat e NATO-s në qershor të vitit 1999, i gjithë fokusi ishte në Prishtinë në formën e festës, dhe pikërisht në atë kohë u nda Mitrovica. Me 17 shkurt 2008 e ditët në vijim, sërish fokusimi ishte në Prishtinë dhe sërish në formën e festës, dhe me 19 shkurt 2008 u dogjën pikat veriore kufitare 1 dhe 31.

Kur u çliruam na u vizatua një kufi i brendshëm, ndërsa kur u pavarësuam na u dogj kufiri i jashtëm. Shpallja e pavarësisë sikurse ajo e çlirimit, te qytetarët u transmetuan si realizim i plotë e përmbushje finale duke pasur kështu karakter demobilizues. Jo si platforma për të bërë hapa sovranë që do ta bënin Kosovën sovrane. Serbisë nuk i nevojitej më shumë se kaq.

Në kushtet e mungesës së sovranitetit, pavarësia formale doemos pëson krizë. Prandaj të gjithë politikanët ndërkombëtarë që vlerësohen si miq të Kosovës e përsërisin frazën se “Pavarësia është e pakthyeshme”. Kjo deklaratë do të ishte domethënëse në Beograd, jo në Prishtinë dhe jo nga përkrahësit e saj. Kur Kosovës i thuhet se pavarësia është e pakthyeshme, kjo gjë aludon se maksimumi i Kosovës aktualisht është vetëm kjo pavarësi formale që ajo tashmë ka dhe se pavarësia mbase edhe mund të kthehet mbrapsht, por një gjë e tillë nuk do të lejohet.

Theksimi që bëjnë personalitetet e famshme politike ndërkombëtare se “pavarësia është e pakthyeshme” nuk është shqiptim i ndonjë aksiome matematikore apo të vërtete të vetvetishme, por zotim i tyre politik. Fundja, kur një gjë është e pamundshme nuk thuhet se ajo është e pamundshme, apo jo?

Natyrisht që politikanët kosovarë e dinë që s’jemi megjithëmend shtet i pavarur. Natyrisht që qytetarët e dinë se politikanët kosovarë nuk e kanë megjithëmend pavarësimin e shtetit. Më parë sesa të thuhet që u bëmë shtet i pavarur meqë u shpallëm të tillë dhe mandej na e njohën pavarësinë, e vërteta është që shpresohet se do të bëhemi shtet i pavarur ashtu siç u shpallëm tash pasi që na njohën shtete të ndryshme dhe sa më shumë që na njohin shtete të tjera në të ardhmen.

Por, mu ky obsesioni me njohjen e pavarësisë është dëshmi që s’jemi përnjëmend të pavarur. Kërkesa për njohje të pavarësisë nuk është kërkesë për njohje, por kërkesë për pavarësi. Duke na njohur ne shpresojmë të bëhemi. Përqendrimi i angazhimit politik të institucioneve kosovare është jo që të bëhemi të pavarur, por që të na njohin si të tillë. Angazhimi i tyre për pavarësi është angazhim për angazhimin e të tjerëve. Mesazhi që ata ua dërgojnë faktorëve ndërkombëtarë është se ne s’po bëhemi të pavarur, por aman vazhdoni të na njihni si të tillë se mbase edhe bëhemi. Kjo lutje ndaj të tjerëve për të na njohur është afirmim i atyre vendeve, i pavarësisë së tyre, e jo i pavarësisë së Kosovës. Duke e bërë njohjen (e mëtutjeshme) të pavarësisë së Kosovës prioritet absolut pas shpalljes së pavarësisë, Qeveria e Kosovës së pavarur tregon se sa e varur është pavarësia e Kosovës (nga njohja e të tjerëve).

Në retorikën dhe ligjërimet e politikanëve njohja e pavarësisë së Kosovës madje nuk lidhet as me bërjen e pavarësisë, por me integrimet ndërkombëtare. Ndoshta pse kemi qenë aq gjatë të përjashtuar, tash dëshpërimisht duam të na pranojnë. Jemi fiksuar që të na njohin sepse duam të na pranojnë. Andaj njohjet më shumë përjetohen si uverturë për pranim në forume ndërkombëtare, pra më tepër si pranim për të hyrë në botë sesa për të qenë vendi ynë.

Qeveria e Kosovës kërkon integrim në BE, që do të thotë se kërkon t’i mundësohet ta delegojë sovranitetin që nuk e ka. Ajo njëherë duhet ta ketë sovranitetin meqë kërkesa për sovranitet duhet t’i paraprijë asaj për integrim në BE. Ose, ndoshta, vetë BE-ja do kështu: ta kërkojmë integrimin në BE, ta kërkojmë veçse shkuarjen në BE ndërkohë që misioni i BE-së sundon me Kosovën. Kjo përputhet me parashikimin e mëhershëm të Pieter Feithit që BE-ja do të ketë mision në Kosovë deri atëherë kur Kosova do të jetë e gatshme për të hyrë në BE. Pra, del se Kosova e pavarur do ta ketë një sekondë sovranitet pas shumë viteve. E ndoshta shkaku më i thellë është se shtetet që na njohën, po e njihnin atë Kosovë që po e krijonin ata vetë. E njohën Kosovën e tyre, jo Kosovën tonë. Flamuri i Kosovës është flamuri i BE-së në Kosovë. Pushteti i Kosovës drejt BE-së është realisht pushtet i BE-së në Kosovë (që shprehet me instancat si PSBE-ja dhe EULEX-i). Mbase e kemi pavarësinë pikërisht të sajuar veçse me aktin e njohjes të atyre që e njohën veten e tyre në ne e tek ne.

Përkundër të gjitha dilemave problematike mbi qenien dhe bërjen e pavarësisë, nuk ka dyshim që Kosova e pavarur më së shumti shihet në RTK, aty ku krerët e institucioneve dhe partive vazhdimisht flasin për obligimet e Kosovës së pavarur e asnjëherë për të drejtat e saj. Gjithsesi, bëhet fjalë edhe për një tjetër pasojë direkte të pavarësisë që mbeti pa sovranitet sepse nuk u nis me vetëvendosje, të pavarësisë që nuk u shpall për t’u bërë por për t’u njohur, të pavarësisë që sërish nuk u njoh për t’u bërë vetja por për t’u pranuar jashtë vetes.

05. 03. 2010



Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Albin Kurti
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 35 vizitorë
Lexuar: 777 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2026 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi