Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
DEKLARATA SHKURTËPAMËSE E KUVENDIT TË KOSOVËS
Publikuar më 08 mars, 2010 në orën 21:05 ( ) Avni Klinaku | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
(Millosheviqi vërtet ka vdekur në Hagë, por hijet e tij e të paraardhësve të tij po vazhdojnë të na ndjekin pas! Në Serbi ai i ka lënë mjetet dhe metodat e tij, ndërsa në Kosovë fjalorin e tij! Derisa qeveritarët e liderët serbë po vazhdojnë t’i përdorin me mjeshtëri këto mjete dhe metoda dhe po vazhdojnë të krijojnë situata e realitete të reja të ngjizura me konflikte për të ardhmen, qeveritarët dhe liderët shqiptarët po i ”vringëllojnë” shpatat e tyre prej letre dhe po kontribuojnë në mbajtjen e këtyre konflikteve si të ngrira. Në të dyja rastet, qytetarët janë të vetmit që i vuajnë pasojat.)


Thonë se historia përsëritet. Dhe kur ajo përsëritet, përsëritet në formë tragjikomike.
Rasti tipik i kësaj përsëritjeje është edhe deklarata e parë dhe e vetme e Kuvendit të Kosovës për veriun e Kosovës. ”Rend kushtetues”, “Integritet dhe sovranitet shtetëror”, “Tërësi (territoriale) e shtetit tonë”, - janë këta margaritarë të nacionalizmit agresiv shtetëror, të pluhurosur e të zverdhur, të nxjerrë nga sirtari millosheviqian e të cilët po vazhdojnë të përdoren akoma në Ballkanin e trazuar. (Kujtojini shprehjet: “Ustavni poredak”, “Državni integritet i suverenitet”, “Celovitost naše države”).
Këtë fjalor e përvetësoi edhe Kuvendi i Kosovës dhe e sanksionoi në Deklaratën për veriun të datës 3.3.2010. Në të kaluarën deklaratat e tilla nuk sollën asgjë të mirë në Ballkan, përveç luftërave e konflikteve të vazhdueshme. Në emër të këtij koncepti Serbia na mbante të pushtuar. Kjo është ana tragjike e përsëritjes së historisë në ditët tona. Kjo përsëritje e ka edhe anën komike të saj. Qeveritarët dhe liderët tanë, këta donkishotë të ditëve tona, të pajisur me fjalorin agresiv millosheviqian, nuk e kanë as dëshirën, as vullnetin, as mundësinë e as të drejtën ta zbatojnë atë që e thonë, prandaj, duke mbetur të veshur me pajisje luftarake dhe duke mos guxuar ta bëjnë asnjë hap në këtë drejtim, ata bëhen qesharakë dhe anakronikë në sy të publikut të gjerë.
Qeveritarët dhe liderët tanë në vend që së paku t’i thonë dy fjalë për dhjetëra mijëra shqiptarë të dëbuar nga trojet e veta në veri të Mitrovicës dhe fshatrave përreth, çështje e cila ka arritur buzë mbylljes përfundimtare, ata janë “të preokupuar dhe të angazhuar” për kthimin e rendit dhe ligjit në Leposaviq!!! Qeveritarët dhe liderët tanë në vend se ta aktualizojnë dhe ta problematizojnë çështjen e pazgjidhur të popullit shqiptar në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, çështje e cila ka arritur buzë mbylljes përfundimtare, ata janë “të preokupuar dhe të angazhuar” se si ta kthejnë Zveçanin nën integritetin territorial të Kosovës!!! Qeveritarët dhe liderët tanë në vend se të përpiqen e ta aktualizojnë çështjen e së drejtës së mohuar të popullit shqiptar për vetëvendosje e bashkim kombëtar, çështje të cilën po përpiqen ta çojnë drejt mbylljes përfundimtare (kujto këtu kombin kosovar, kushtetutën, flamurin, himnin etj.!), ata janë “të preokupuar dhe të angazhuar” se si ta ruajnë integritetin territorial të Kosovës!!! Pra, në vend se të përpiqen për interesin real të popullit shqiptar e të qytetarit të Kosovës, ata “përpiqen” për diçka që as nuk arrihet, as nuk është e drejtë!
Qeveritarët dhe liderët tanë, me politikën që janë duke e ndjekur, politikë të cilën as që e kanë zgjedhur vetë, në vend se ta përqafojnë nacionalizmin kombëtar, në vend se ta ndjekin interesin kombëtar, në vend se të përpilojnë strategji kombëtare për zgjidhjen përfundimtare të çështjes akoma të pazgjidhur shqiptare dhe kështu popullit të vet t’ia sjellin lirinë e Ballkanit t’ia ofrojnë paqen, - ata “kanë zgjedhur” nacionalizmin shtetëror, në kundërshtim me interesin kombëtar dhe “po na përpilojnë” strategji për veriun e Kosovës, e cila paralajmëron vazhdimin e konfliktit të ngrirë sot dhe ruan tharmin e luftës për nesër!
Për interes të kujt e bëjnë ata këtë? Për interes të qytetarit të Kosovës e të popullit shqiptar?! Në asnjë mënyrë! Qytetari i Kosovës dhe populli shqiptar nga një politikë e tillë ka pasur e do të vazhdojë të ketë vetëm shqetësime, vuajtje e varfëri.
Vazhdimi i kësaj gjendjeje do të prodhojë në vazhdimësi jostabilitet, ngrirje të problemeve të pazgjidhura kombëtare, shkatërrim ekonomik e varfëri të vazhdueshme të qytetarit, në njërën anë, dhe shpërngulje të shqiptarëve nga trojet e veta në veri të Mitrovicës e fshatrat përreth, në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, pra tkurrje të vazhdueshme të hapësirës territoriale të popullit shqiptar, në anën tjetër.
Kjo po na ndodh sot për sot. Ndërsa, me këtë politikë të qeveritarëve dhe liderëve tanë, me këtë politikë të fqinjëve tanë, me këtë politikë të bashkësisë ndërkombëtare të implikuar në Ballkan, me këtë politikë të konservimit të çështjeve të pazgjidhura kombëtare, po mbillet fara e luftërave të reja shqiptaro-serbe, shqiptaro-maqedonase e madje edhe më gjerë.

Si përfundim.
Qeveritarët dhe liderët tanë (duke përfshirë këtu pozitë e opozitë, shoqëri civile e individë të ndryshëm të skenës politike) u janë bindur qarqeve të caktuara ndërkombëtare që në emër të nacionalizmit shtetëror të heqin dorë nga nacionalizmi kombëtar, që në emër të nacionalizmit të ashtuquajtur kosovar të heqin dorë nga nacionalizmi shqiptar, që në emër të ruajtjes së integritetit territorial të Kosovës të heqin dorë nga bashkimi kombëtar, që në emër të Kosovës të heqin dorë nga Shqipëria. Ata harrojnë se KOSOVA KA QENË, ËSHTË E DO TË JETË SHQIPËRI!

Avni KLINAKU
Kryetar i Lëvizjes për Bashkim
avniklinaku@levizjaperbashkim.com

Prishtinë, 7. 3. 2010

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Avni Klinaku
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 34 vizitorë
Lexuar: 1,001 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi