|
FJALËT E DLIRA
Tiranë, 2004
TRIO NË TEPELENË
Vjosa, era dhe poetët,
Trio e pandarë.
Pas një vajze këtu vija,
Si era e bardhë.
Ç´ma bën me dorë ajo stinë,
E blertë, e pastër.
Pas një vajze këtu vija,
Si Vjosa e kaltër.
Nëpër muret e rëndë të kalasë
Dhe vjersha ime u tret.
Pas një vajze këtu vija
Shtatë herë poet.
Dhe poet, dhe Vjosë, dhe erë,
Qytet më ke parë.
Pas një vajze këtu vija
Trio e pandarë.
Ah, ky lumë, kjo kala, ky qytet,
Ky qiell Mezhgorani...
Pas një vajze këtu vija
Me hap uragani.
Ti Vjosë, ti kala, ti qytet,
Mos tregoni më tepër.
Pas një vajze këtu vija,
Po ajo... ka vdekur.
NATA E STUHISHME
Gishtat e hollë të erës
Ma hapën dritaren ngadalë,
Ndërsa, të shihja në ëndërr
Me mallin e rëndë, me mallë.
Kur hapa sytë e mi veç pashë
Ca letra të bardha, vetmi.
Dhe era me gishtat e saj
Çfarë shkruante mbi to nuk di.
Hodha vështrimin drejt qiellit,
Syri diku seç më ngeci,
Një yll i vetmuar liqenin,
Vështronte si Lasgush Poradeci.
Tumenisht, 3 gusht 2001
TI JE ATJE KU S´JE
Unë të ndiej e ti s´më ndihen
Ti je atje ku s´je
Unë të shoh e ti s´më sheh
Ti je atje ku s´je
Unë të puthë e ti s´di gjë
Ti je atje ku s´je
Në plagën time rron gjithnjë
Ti je atje ku s´je
Përgjaku qiell, përgjaku det
Ti je atje ku s ´je
Flokët t´i shpleks si qielli retë
Ti je atje ku s´je
Dhe rroj e nuk di përse
Ti je atje ku s´je.
Tiranë, 15 korrik 2003
Zgjodhi: Fadil Shyti
|